Oshtima

Armë dhe operacione rrethimi

Në vitin 230 p.e.r., në kohën e sundimit të mbretëreshës Teuta, ilirët e fisit të ardianëve sulmuan qytetin më të fortifikuar dhe më të pasur të Epirit, Foiniken, të cilin, sipas Polibit, e morën me sulmin e parë (Polyb. II, 5). Epirotët, pasi morën vesh këtë ngjarje, u drejtuan me të gjitha fuqitë e tyre në ndihmë të Foinikes. Ata e vendosën kampin e tyre buzë lumit të Bistricës, që kalon rrëzë qytetit, dhe për t'u siguruar nga ndonjë sulm i papritur shkulën drurët e urës, që ngrihej mbi këtë lumë. Pasi morën këtë masë, epirotët qëndruan të shkujdesur dhe e lanë pas dore rojën e lumit. Por ilirët, pasi morën vesh këtë, u nisën natën dhe pasi vendosën trarët mbi urë, kaluan pa u vënë re dhe zunë një vend të fortë, ku qëndruan deri sa u gdhi.

Pasi u gdhi, filloi beteja, në të cilën epirotët u mundën. Një pjesë e tyre mbetën të vrarë dhe u zunë robër, ndërsa të tjerët mundën të iknin dhe shkuan tek atintanët. «Kjo fushatë e ilirëve, shkruan Polibi (II, 6). i habiti dhe u kalli tmerr gjithë helenëve që banonin gjatë bregdetit. Këta, kur panë se qyteti më i fortifikuar dhe më i fuqishëm i Epirit u shkatërrua dhe u shkretua në një mënyrë të pabesueshme, s'kishin më frikë vetëm për të ardhurat e tyre, si gjer tani, por edhe për veten dhe për qytetet e tyre».

Në luftën për mbajtjen e qytetit të Foinikes, ilirët, duke vlerësuar forcën e tyre sulmuese dhe duke shfrytëzuar befasinë, zgjodhën betejën jashtë mureve të qytetit, para se kundërshtari të përpiqej ta merrte atë. Kjo taktikë, jo vetëm që u siguroi fitoren, por dhe nuk u dha kohë epirotëve të grumbullonin forca të reja, që mund t'u vinin në ndihmë nga aleatët, ashtu siç ndodhi në fakt, por kësaj radhe pasi kishin humbur betejën pranë qytetit të Foinikes. Një vit më vonë, në pranverë të vitit 229 p.e.r., një ushtri ilire rrethoi qytetin e Korkyrës. Ndërsa një pjesë e ushtrisë mbante të rrethuar qytetin, pjesa tjetër e ngarkuar mbi anije, zhvilloi një betejë detare me flotën akease, që u vinte në ndihmë të rrethuarëve.

Beteja u zhvillua në afërsi të ishullit Paksos. Ilirët i lidhën anijet e tyre nga katër dhe u vërsulën kundër armikut. Anijet e akeasve u ndeshën aq fort sa mezi mund të lëviznin, mbasi ishin futur midis sqepave të anijeve ilire të lidhura bashkë. Atëherë ilirët u hodhën mbi anijet e kundërshtarit dhe i pushtuan ato. Kështu zunë katër anije me nga katër radhë lopatash, ndërsa një tjetër me pesë radhë e mbytën bashkë me marinarët e saj. Pas kësaj beteje, korkyrasit e dorëzuan qytetin dhe pranuan një garnizon ilir në të. (Polyb. II, 10).

Lisi ishte një nga qytetet më të fortifikuara të ilirëve. Kur Filipi V i Maqedonisë me ushtrinë e tij u ndodh pranë tij, pas një udhëtimi prej dy ditësh, vuri re se qyteti ishte përforcuar mirë nga të gjitha anët. Ndërsa për Akrolisin, që kishte një lartësi të madhe dhe ishte i fortifikuar mirë, ai humbi çdo shpresë se mund ta pushtonte. Sa për qytetin mendonte akoma se mund të bënte diçka. Pasi pa mirë vendin, vuri re se terreni që shtrihej midis Lisit dhe rrëzës së malit të Shëlbuemit, ku ndodhej Akrolisi, ishte i përshtatshëm për taktikën që do të ndiqte (Polyb. VIII, 13).

Kur u err, mori pjesën më të madhe e më të zgjedhur të ushtarëve të tij me armatim të lehtë dhe e fshehu në disa lugina të pyllëzuara. Rruga, nëpër të cilën Filipi çoi këtë pjesë të ushtrisë së tij, kalonte nëpër luginën Zalli i Grykës, që ndodhet në anën lindore të Akrolisit (mali i Shelbuemit) dhe, duke kaluar qafën që formohet midis malit të Shelbuemit dhe të Mercinjës, ai i erdhi rrotull Akrolisit deri tek lagjja e sotme Varosh, ku vendosi në fshehtësi trupat e tij[1]. Të nesërmen, Filipi mori me vete trupat e armatosura rëndë dhe pjesën tjetër të ushtrisë me armatim të lehtë e duke ecur gjatë bregut të detit, u nis për në anën tjetër të qytetit. Ilirët ishin informuar për fushatën e Filipit, prandaj në Lis ishin grumbulluar forca të mëdha nga krahinat fqinje, ndërsa në Akrolis, ngaqë kishin besim në fortifikimet e tij, kishin lënë vetëm një roje të vogël.

Kur po afroheshin maqedonasit, vendasit filluan të dalin jashtë mureve të qytetit, duke pasur besim si në numrin e madh të forcave të tyre, ashtu edhe në pozitën e vendit. Filipi mbajti në fushë ushtarët e armatosur rëndë, ndërsa të tjerët i nisi drejt kodrave, për t'u përleshur me ilirët. Për një kohë fati i luftës mbeti i dyshimtë, por pastaj maqedonasit u detyruan të tërhiqen. Ilirët morën guxim nga kjo fitore, i ndoqën  ushtarët e Filipit, zbritën në fushë dhe u përleshën me forcat e armatosura rëndë.

Rojet e Akrolisit, që shikonin nga muret gjithë ngjarjen që u zhvillua, kujtuan se Filipi po tërhiqej dhe, pasi lanë vetëm pak vetë në kala u derdhën gjatë shpatit të malit për në fushë, me qëllim që të ndiqnin armikun dhe të merrnin plaçkën e luftës. Pikërisht në këtë çast, Filipi u dha sinjalin forcave të fshehur në Varosh të sulmonin qytetin dhe të zinin Akrolisin. Akrolisi u zu me lehtësi, pasi ishte i pambrojtur, ndërsa qyteti ra vetëm të nesërmen, pas luftimesh të mëdha kundër sulmeve të maqedonasve.

Në këtë luftë, ilirët, me gjithë trimërinë dhe guximin që treguan, nuk mundën të fitojnë, pasi nuk shfrytëzuan si duhet fortifiktmet e fuqishme të Lisit dhe Akrolisit, por e zhvilluan pjesën më të madhe të betejës në fushë e para kohe. Gjithashtu, ata treguan mungesë vigjilence për të zbuluar forcat e fshehura të Filipit.

Në vitin 214 p.e.r. Filipi V rrethoi Apoloninë. Përvec forcave të shumta, ai kishte grumbulluar në lëmin e tij katapulta, balista dhe armë të tjera rrethimi, por maqedonasit nuk arritën t'i përdorin këto armë, pasi trupat që mbronin qytetin bënë një sulm të befasishëm natën në kampin e Filipit, kaluan ledhet pa u diktuar dhe pasi zunë robër dhe asgjësuan një pjesë të mirë të ushtrisë maqedonase, morën katapultat, balistat dhe armët e tjera të këtij lloji që ishin grumbulluar këtu, për të sulmuar qytetin, e i shpunë në Apoloni, për te mbrojtur muret, po t'u qëllonte përsëri një fat i tillë (Livi XXIV,40).

Uskana ishte një nga qytetet e rëndësishme të fisit të penestëve. Ai ndodhej në afërsi të Lyhnidit (Ohrit). Kishte dhjetë mijë banorë dhe një garnizon të vogël kretas. Rreth vitit 170 p.e.r., një ushtri romake prej 8000 vetësh, nën komandën e Ap Klaudit, u nis të pushtojë qytetin. Romakët vendosën lëmin rreth 12 milje larg qytetit, lanë aty një roje prej 1000 vetësh dhe me pjesën tjetër të ushtrisë, që formonte një kolonë të gjatë e të çrregullt nga marshimi, ju afruan qytetit. Ap Klaudi mendonte se do ta pushtonte Uskanën me lehtësi, duke u bazuar në disa informata që kishte marrë se garnizoni kretas do të dorëzonte qytetin. Bindja e tij u forcua, kur mbi mur nuk pa asnjë roje të armatosur. Por kur romakët u avitën në largësinë e hedhjes së shtizave, nga të dy portat e qytetit dolën njerëz të armatosur që sulmuan ushtrinë romake. Britma e tyre u shoqërua nga ajo e grave, që qëndronin mibi mure dhe bënin një zhurmë të madhe me enët prej bakri.

Të frikësuar nga kjo rrëmujë e madhe dhe e përgjithshme, romakët nuk mundën t'i qëndrojnë as sulmit të parë. Qytetarët e ndoqën ushtrinë e shpartalluar të romakëve, prej së cilës vetëm dy mijë vetë arritën në lëmë. Prej këtej, ushtria, që kishte mbetur pas këtij dështimi me në krye legatin Ap Klaudi, u kthye në Lyhnid (Liv. XVIII, 10).

Në vitin 169 p.e.r., Uskana u sulmua nga ushtria maqedonase me në krye mbretin e tyre Perseun. Perseu u nis me 10 mijë këmbësorë, 2 mijë ushtarë të armatosur lehtë dhe 500 kalorës. Kishte marrë me vete drith për shumë ditë dhe nga pas i vinin mjetet për të sulmuar qytetet.

Perseu e sulmoi qytetin nga të gjitha anët. Një pjesë përpiqeshin të ngjiteshin me shkallë mbi mure, ndërsa të tjerët t'u vinin zjarrin portave. Megjithëse sulmuesit këmbenin njëri-tjetrin papushim, ditë e natë, mbrojtësit e qytetit mundën t'i qëndrojnë kësaj furie. Qyteti ra vetëm atëhere kur filluan të viheshin në veprim tenda, që shërbenin si mbrojtje nga urat e zjarrit dhe objektet e tjera që hidheshin nga muret; filluan të ngriheshin edhe kulla rrethimi. Raporti i forcave gjithashtu nuk ishte i barabartë dhe qyteti vuante nga mungesa e rezervave ushqimore (Liv. XLIII, 18).

Mjete dhe mënyra të shumta sulmi u përdorën edhe gjatë rrethimit të qytetit Oene, i cili u pushtua nga Perseu pas Uskanës. Oene, gjithashtu qytet i penestëve, nuk mund të merrej pa një rrethim të rregullt, jo vetëm se garnizoni i tij ishte diçka më i fuqishëm se i qyteteve të tjera, por se edhe muret e tij ishin shumë të forta dhe kishte një pozitë të favorshme natyrore, duke u mbrojtur nga njëra anë prej lumit dhe nga ana tjetër prej një mali të lartë, që mezi kalohej.

Në Oene kishte gjithashtu një garnizon romak. Perseu e rrethoi qytetin me hendek e ledhe dhe urdhëroi të ngrihej një çukë dheu, me një lartësi më të madhe se ajo e mureve. Gjatë këtij punimi, të rrethuarit dilnin me sulme të shpeshta nga qyteti, me qëllim që të mbronin muret dhe të pengonin punimet e armikut. Por në këto përpjekje humbi një numër i madh prej tyre, ndërsa pjesa tjetër ishte dobësuar, duke u munduar ditë e natë si dhe nga plagët që kishin marrë. Kur u ngrit çuka afër murit, kohorta mbretërore u hodh më atë anë dhe qyteti u sulmua me shkallë nga të gjitha drejtimet (Liv. XLIII, 19).

Gjatë rrethimit të qytetit të Kasandrës, që mbrohej nga një garnizon prej tetëqind agrianësh dhe dy mijë ilirësh nga fisi i penestëve, romakët vendosën të futen në qytet nga zgavrat e krijuara në mure. Përfundimi i punimeve për hapjen e këtyre zgavrave u shoqërua nga brohoritje dhe thirrje të forta gëzimi nga ushtarët romakë. Në fillim, garnizoni i Kasandrës u habit dhe nuk e kuptoi domethënien e këtyre britmave, por menjëherë, pas këtij çasti hezitimi, u përpoq t'i kthente në favor të tyre punimet, që kishin bërë romakët. Kështu që menjëherë, një njësi e fortë agrianësh dhe ilirësh dolën nga muret e qytetit dhe sulmuan në befasi romakët, që po grumbulloheshin për të hyrë në qytet. Duke përfituar nga rrëmuja, i ndoqën ata gjer në buzë të hendekut, i hodhën brenda dhe i mbuluan me gurë e dhë. Romakët patën 600 të vrarë, ndërsa ata që ndodheshin midis hendekut dhe murit u mbuluan me plagë (Liv. XLIV, 11, 12).

Dalmatët ishin një nga fiset më luftarake të ilirëve. Kryeqyteti i tyre Delmin, në vitin 156 p.e.r., u bë objekt i sulmit të një ushtrie romake të komanduar nga konsulli Mark Friguli. Kur ky po përgatiste lëmin e luftës, dalmatët u ranë rojeve të tij dhe i mundën, ndërsa Frigulin e nxorën nga lëmi dhe e ndoqën deri në lumin Narona. Kur filloi stina e dimrit dhe dalmatët u kthyen nëpër vendbanimet e tyre, konsulli Friguli i sulmoi në befasi, duke shpresuar se do t'i gjente të papërgatitur, por u gjend përsëri përpara forcash të ardhura nga qytetet për t'i dalë përpara sulmit të tij. Atëhere u detyrua të kthejë rrugë dhe t'i bjerë qytetit Delmin. Mirëpo, meqenëse nuk mundi ta pushtonte qytetin e fortifikuar me anë të sulmit dhe makinat e rrethimit nuk mund t'i përdorte, për shkak se muret e qytetit ishin shumë të larta, hoqi dorë dhe u drejtua kundër qyteteve të tjera, që kishin më pak forca, pasi shumica e tyre ishte grumbulluar në Delmin. Ai ju kthye përsëri këtij qyteti dhe urdhëroi të hidheshin në qytet, me anë hobesh, topuze dy kut të gjata, të mbështjella me serë, squfur e kashtë liri, të cilat nga shpejtësia ndizeshin. Kështu u dogjën shumë pjesë të qytetit dhe romakët mundën të pushtojnë Delminin. (App. Ilyrike, 4, 11; shih dhe Frontini, III, 2).

Rreth 100 vjet më vonë. në vitin 35 p.e.r., Oktavian Augusti u nis me ushtri, për të nënshtruar ilirët e Veriut e sidomos japodët, popull luftarak, që kishin thyer disa herë ushtritë romake për 20 vjet rresht. Që gjatë rrugës, ata e dëmtonin ushtrinë romake duke zënë prita nëpër shtigje, ku kishin rrëzuar drurët e pyllit për të vështirësuar më tepër kalimin.

Kryeqyteti i japodëve, Metuli, gjendej mbi një mal shumë të pyllëzuar, mbi dy kodra, të cilat i ndante një luginë e ngushtë. Aty ishin grumbulluar rreth 3.000 luftëtarë të armatosur mirë, që zbrapnin me lehtësi sulmet e romakëve. Këta të fundit kishin hapur llogore për t'u futur në qytet, por metulasit i prishnin, duke bërë sulme të vazhdueshme ditë e natë dhe duke e goditur armikun me makina gurëhedhëse, që i kishin vendosur mbi muret e qytetit. Nga ana e tyre, romakët përdorën makinat për shkatërrimin e mureve të Metulit. Ndërkaq, metulasit po ndërtonin një mur tjetër brenda të parit dhe kur ai u dëmtua, mjaft nga makinat gurhedhëse e braktisën dhe u hodhën brenda murit të ri.

Kundër murit të ri romakët grumbulluan forca dhe në dy pika, zgjatën katër ura, për ta kaluar murin nëpërmjet tyre, ndërsa një grup ushtarësh ishte dërguar në pjesën e mbrapme të qytetit, për të çorientuar metulasit. Një pjesë e metulasve përballanin ata që drejtoheshin kundër murit, ndërsa pjesa tjetër qëllonte me heshta të gjata. Metulasit arritën të rrëzojnë tri nga urat. Kur ra ura e tretë, romakët i kapi një tmerr aq i mad'h saqë asnjë s'guxonte të hipte në urën e katërt. Augusti, që vrojtonte nga një kullë e lartë druri, u mundua më kot t'i jepte kurajo ushtrisë. Atëhere ai u detyrua të kalonte vetë urën, bashkë me disa nga komandantët, Agripën dhe Ieronin, por edhe ura e katërt u rrëzua. Një pjesë e romakëve, që ndodheshin mbi të, vdiqën, ndërsa të tjerë u plagosën. Augusti vetë u plagos në këmbën e djathtë dhe në të dy krahët.

Pasi arriti në kullë, ai urdhëroi të ndërtoheshin ura të tjera. Vetëm pas përpjekjesh të mëdha dhe me kusht që romakëve t'u lëshohej vetëm njëra nga kodrat për vendosjen e garnizonit, ata mundën të fufen në Metul. Ngjarjet që pasuan çuan në nje betejë të re, në rënien heroike të metulasve dhe në djegien dhe shkatërrimin e plotë të qytetit nga vetë vendasit (App. Illy. 19-21).

Për pushtimin e qytetit Segesta, Augusiti u detyrua të ndërtojë një radhë fortifikimesh të vogla përreth dy fortifikimeve të mëdha, si dhe ura mbi lumë. Segestasit ndërmorën shumë kundërsulme, por pasi nuk patën rezultat, filluan të hidhnin që sipër «flakëse» dhe «zjarre», që mund të kenë qenë si ato që përdorën romakët kundër Delminit.

Në ndonjë rast, kur parashikohej që rrethimi të vazhdonte gjatë, ndërtoheshin mure të tjera rrethuese nga sulmuesit, për ta bërë sa më të plotë rrethimin dhe për të mbrojtur ushtrinë nga kundërsulmet. Një ndërtim të tillë, të përbërë nga një ledh dheu dhe hendeku e kemi përmendur, kur kemi përshkruar rrethimin e qytetit Oene nga Perseu. Por një shembull më të hershëm e kemi nga fushata e Aleksandrit të Madh për pushtimin e qytetit të dasaretëve, Pelionin kur Aleksandri, për të penguar të rrethuarit të dilnin, vendosi të ndërtonte një mur (Ruf. Suppl. I, 17). Ndërsa Augusti, në fushatën për nënshtrimin e ilirëve të Veriut, për të mbajtur të rrethuar qytetin e liburnëve, Promona, urdhëroi të mbyllen me mure si qyteti ashtu edhe dy kodra. që ndodheshin në duart e ilirëve, perimetri i mureve do të ishte dyzet stade (rreth 7 km). (App. Illyr. 25).

Ka pasur dhe raste që, për të bërë sa më të efektshëm rrethimin, është ndryshuar rrjedha e lumenjve nëpërmjet hapjes së kanaleve, kur këta lumenj shërbenin si një mbrojtje e sigurtë për qytetin. Të rrethuarit, nga ana tjeter, përveç armeve të përmenduara deri tani, për t'u mbrojtur, hidhnin mbi armikun gurë me hobe ose i rrokullisnin ato nëpër shpatet e thepisura të kodrave, mbi të cilat ngriheshin kalatë; lëshonin arka të rrumbullakëta dhe karroca të mbushura me gurë, të cilat, duke u përplasur mbi shkëmbinjtë, shpërndaheshin në copa dhe përçanin radhët e armiqve që sulmonin.

Në kohën e vonë antike (shek, IV-VI), kur Perandoria Romako-Bizantine kërcënohej nga sulmet e fiseve «barbare», edhe ushtria ilire ishte e organizuar në legjione; çdo legjion ishte njësi ushtarake komplekse. Në përbërje të legjioneve kishte zdrukthëtarë, muratorë, karpentierë, farkëtarë dhe zejtarë të tjerë, të cilët ndërtonin shtëpi, kampe dimërore, makina luftarake, kulla lëvizëse druri dhe mjete të tjera për mbrojtje qytetesh dhe sulm. Legjionet kishin gjithashtu punishte armësh, ku prodhoheshin mburoja, parzmore, harqe dhe shigjeta, heshta, përkrenare, etj. Në repartet speciale përfshiheshin dhe kunikularët (xhenierë), të cilët, sipas zakonit të besëve (fis në Trakë), gërmonin llagëme nën tokë dhe pasi shponin themelet, hynin papritur, për të pushtuar qytetin (Veget. II, 11).

Por edhe «barbarët», duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ushtritë romake e bizantine nëpërmjet luftërave. i kishin perfeksionuar në. shkallë të madhe armët dhe mjetet e rrethimit, së paku që nga shek. V. Mjete të fuqishme rrethimi u përdorën kundër qytetit ilir të Naisit (Naissus, Nish). Hunët që e rrethuan qytetin, ndërtuan në fillim mbi lumë një urë që ushtria të kalonte lehtësishi dhe pastaj sollën pranë mureve makina luftarake dhe disa platforma trarësh të vendosura mbi rrota, për të lëvizur më lehtë. Mbi to qëndronin ushtarë, që qëllonin me shigjeta nga frëngji të maskuara. kundër atyre që mbroheshin nëpër bedenat e mureve. Që të luftonin pa u rrezikuar, platformat ishin mbuluar me çati prej thuprash dhe lëkurësh, të cilat i mbronin si nga shigjetat e zakonshme ashtu edhe nga ato me zjarr, që lëshonin mbrojtësit kundër tyre. Për shkatërrimin e mureve u përdorën «kryedeshë», ndërsa shkallët qëndronin në gatishmëri, për t'u vendosur në të çarat e mureve të krijuara nga kryedeshët, apo në pjesët e tjera të padëmtuara të mureve, pasi mbrojtësit të tërhiqeshin nga muret të detyruar nga breshëritë e shigjetave, të lëshuara nga platformat e lëvizshme.

Kur makinat luftarake u vendosën pranë fortifikimit, mbrojtësit hodhën nga muret gurë të mëdhenj, që i kishin grumbulluar që përpara për këtë qëllim dhe disa nga këto makina bashkë me njerëzit që i përdornin i shtypën. Por ata nuk mundën t'i bëjnë ballë sasisë së madhe të këtyre makinave (Prisc. 16, 278-280).

Armë dhe operacione rrethimi në mesjetë

Në mesjetë, si dhe në kohën antike, u përdorën pothuajse po ato mënyra sulmi e mbrojtje dhe të njëjtat armë rrethimi. Këto filluan të ndryshojnë gradualisht me daljen e artilerisë, por në fillim topat nuk kishin një fuqi të madhe goditëse për shkatërrimin e mureve, prandaj do të shohim të përdoren krahas tyre dhe armë të tipave të vjetër, si katapultat që përdoreshin për hedhjen e gurëve me anë sustash, rripash dhe litarësh të përdredhur. Kullat e rrethimit, tendat e lëvizshme, të quajtura shpesh «breshka», kryedashi, makinat gurëhedhëse të tipave të ndryshëm dhe shkallët mbetën mjetet kryesore të sulmit.

Tendat e lëvizshme, të ndërtuara me trarë të fuqishëm dhe të mbuluara me lëkura, që kur lëviznin drejt kështjellës kishin pamjen e një breshke, shërbenin për të mbrojtur dhe mbajtur kryedashin, për hapjen ose mbushjen e hendeqeve ose për të mbrojtur xhenierët gjatë punës së tyre për hapje tunelesh dhe minimin e mureve të kështjellës. Për t'u mbrojtur dhe për t'i shkatërruar këto mjete, u përdorën shpesh lëndë të ndryshme djegëse.

Megjithëse mjetet e sulmit dhe të mbrojtjes ishin po ato, ndryshonin në detaj nga njëri rast në tjetrin. Përdorimi i një mjeti sulmi sillte ndryshime në mjetet mbrojtëse dhe e kundërta. Përmasat, format dhe detajet e këtyre armëve sajoheshin në të shumtën e rasteve aty për aty, gjatë betejës, nga të dy palët ndërluftuese. Kështu p.sh., gjatë rrethimit të parë të Durrësit, kundër një kulle rrethimi të tipit të zakonshëm, të përdorur nga normandët, durrsakët përdorën një kullë druri të ngjashme brenda kështjellës, e cila nëpërmjet një trari të lëvizshëm nuk lejonte të hapej portaurë e kullës normande. Në rrethimin e dytë, normandët, në kullën e tyre të rrethimit, nuk përdorën më porta-urë për të kaluar mbi muret e qytetit, por tek portat e hapura montuan platforma të mbajtura mbi mbështetëse. Atëherë, mbroj tësve iu desh të shpiknin një mënyrë të re mbrojtjeje. Kësaj radhë, jo për të bllokuar daljen, por për të mbajtur larg mureve krejt kullën armike, nëpërmjet një sistemi trarësh të fiksuar, që dilnin konsol nga kulla e tyre.

Detaje të tilla në përdorimin e mjeteve të mësymjes dhe të mbrojtjes ka pasur mjaft gjatë mesjetës. por vetëm ndonjëra prej tyre na është transmetuar prej burimeve historike. Shpikje të tilla qenë bërë edhe për t'u mbrojtur apo për t'i shkaktuar sa më shumë dëme armikut, gjatë betejës në fushë të hapur.

Në afërsi të Janinës, perandori Aleks Komneni, për t'i përballuar sulmit të shpejtë të kalorësisë normande, përgatiti karroca të lehta, ku në secilën prej tyre mbërtheu katër dyrekë dhe vendosi këmbësorë të armatosur, të cilët, kur kalorësia do të sulmonte me gjithë shpejtësinë, t'i shtynin përpara këto karroca dhe të përçanin radhët e saj. Në një rast tjetër, perandori Aleks përgatiti «tribolë», që ishin mjete luftarake prej hekuri me tri maja dhe i shtroi në tokë në mes të fushës, në drejtimin e mësymjes së kalorësisë armike (Alex, V. I; lib. V, 4).

Gjatë goditjes së mureve me artileri apo me makina gurëhedhëse, ndodhte shpesh që një pjesë e tyre rrafshoheshin me tokën ose krijoheshin të çara të konsiderueshme për të lejuar sulmuesit të futeshin brenda në qytet. Në raste të tilla, qytetarët i rindërtonin dhe i forconin gjatë natës muret e dëmtuara me dhë, trungje e gurë. Gjatë rrethimit të Sfetigradit nga Murati II, pas bombardimit me artileri, u prish një pjesë e murit, por qytetarët kishin ngritur në vendin e murit të rrëzuar një grumbull dheu në formën e një kodre dhe e kishin rrethuar vendin me një gardh degësh e xunkthash. Përreth kishin gati një grumbull gurësh e hunjsh me majë, të cilët, për shkak të pjerërsisë së madhe të vendit, mund të lëshoheshin me lehtësi mbi armikun që sulmonte.

Për tu mbrojtur nga shigjetat dhe predhat e ushtarëve turq mbrojtësit e Sfetigradit, kishin ndërtuar mbi mure disa strehë dhe kthina, që i kishin përpara si mburojë, me qëllim që të ruanin më mirë vendet e caktuara dhe të kryenin më lirisht detyrat e tyre. Kundër armikut që sulmonte, përveç shigjetave, u përdorën balista dore, pushkë dhe katapulta të llojeve të ndryshme që dëmtonin armikun në largësi. Por kur panë se turqit, pa marrë parasysh rrezikun, po i afroheshin mureve, filluan të hidhnin kundër tyre hunj e gurë, kosha të lyer me zift e vaj, të cilëve u vinin flakën, si dhe shkarpa të ndezura. Me këto mjete digjeshin dhe shkallët e mbështetura në mure. Përballë portës kryesore të kalasë, turqit ndërtuan një kullë me dërrasa, trarë dhe me shkallët që kishin grumbulluar, objektin e ri e zgjeronin dhe e forconin vazhdimisht, duke e pajisur dhe me makina të vogla gurhedhëse. Poshtë kullës punohej me qysqi hekuri, për të rrënuar muret. Kulla u shkatërrua me gurë, ndërsa mbi armikun u hodh vaj i nxehtë dhe ujë i vluar.

Gjatë rrethimit të Sfetigradit nga Skënderbeu, u pa më e volitshme të merrej qyteti me anë të shkallëve, pasi terreni ishte shumë i pjerrët. Për këtë u përdorën disa makina të vogla, që dëmtonin më tepër mbrojtësit se sa muret. Brenda kalasë u hodhën zjarre, ndërsa për shkatërrimin e portës u afrua një tendë, nën të cilën punohej për thyerjen e llozeve me çekiçë e qysqi hekuri.

U përdorën gjithashtu vare dhe qysqi hekuri për të rrënuar muret e porsandërtuar. Një pjesë punonin, të tjerët largonin gurët e nxjerrë nga muret nën mbrojtjen e disa trinave dhe mburojave. Kampi i rrethuesve fortifikohej me ledhe dheu e palisada dhe vendosej aq larg sa të mos goditej nga armët e të rrethuarve. Ushtria shqiptare, nën udhëheqjen e Skënderbeut, përdorte më tepër gjatë sulmit shigjetat, por kishte edhe reparte speciale të pajisura me agrepë (arbalet) dhe me pushkë. Këto të fundit u përdorën më gjerësisht në mbrojtje, sidomos gjatë rrethimeve të Krujës. Për marrjen e një kalaje janë përdorur dhe mjete të tjera, si prerja dhe ndotja e ujit (Sfetigrad), therja e robërve përpara mureve (Shkodër) etj. Për të ilustruar më mirë këtë temë, do të japim disa nga shembujt më tipikë të rrethimeve të kalave tona mesjetare.

Rrethimi i Durrësit në 1081[2]

Në verë të vitit 1081, ushtritë normande të kryesuara nga Robert Guiskardi, rrethuan nga deti dhe toka qytetin e Durrësit. Kalaja e Durrësit mbrohej nga një garnizon shqiptarësh, ndërsa kështjella u ishte besuar kolonëve venedikas. Roberti kishte marrë me vete në anijet gjithçka që i duhej për rrethimin e qyteteve: kulla druri të veshura me lëkurë, makina gurhedhëse, etj.

Nga ana tjetër, mbrojtësit, përveç masave të tjera, kishin vendosur makina gjatë gjithë gjatësisë së mureve dhe kishin shtuar rojet, të cilat inspektoheshin ditë e natë. Beteja e parë e madhe u zhvillua në det. Flotës bizantine i kishte ardhur në ndihmë flota veneciane nën komandën e dozhit Domeniko Silvio. Flota normande u komandua nga i biri i Robertit, Boemundi. Venecianët, pasi i zuri nata dhe nuk mundën t'i afrohen bregut e ngaqë deti ishte i qetë, i lidhën me litar njëra me tjetrën anijet më të mëdha, duke formuar kështu të ashtuquajturën «pellagolimena» (port në mes të detit i formuar nga anije). 

Pastaj ndërtuan mbi anije kulla druri, mbi të cilat vendosën barka të  vogla, që i kishte me vete çdo anije. Brenda këtyre barkave u futën burra të armatosur me drurë të trashë të mbushur me gozhdë të mprehta. Pasi filloi sulmi i flotës normande, ata hodhën mbi anijen ku ndodhej Boemundi nga këto armë d'he e çanë atë. Boemundi mezi mundi të shpëtojë jetën, ndërsa flota normande u shpartallua krejtësisht. Venecianët i ndoqën edhe në tokë mbeturinat e ushtrisë së shpartalluar, deri në kampin e Robertit. Njëkohësisht, nga kalaja doli një pjesë e garnizonit, që sulmoi kampin e Robert Guiskardit dhe bashkë me venecianët e shpartalloi atë. Por normandët me gjithë këtë disfatë, nuk hoqën dorë nga rrethimi i Durrësit. Duke menduar se do ta merrnin qytetin me sulm nga ana e tokës, ata ndërtuan një kullë gjigante rrethimi të lëvizshme, ku u futën 500 ushtarë këmbësorë e kalorës.

Kulla ishte më e lartë se muret e Durrësit dhe ishte e rrethuar nga të gjitha anët në formë gardhi me lëkurë; anash dhe në majë të kullës ishin vendosur makina gurhedhëse. Në katin e sipërm kulla kishte një portë-urë, e cila kur të hapej do të mbështetej mbi murin e kalasë dhe do të shërbente për kalimin e usihtrisë normande brenda në qytet.

Kur filloi sulmi, normandët e afruan kullën deri tek muri i qytetit. Njëkohësisht ata afruan makinat gurhedhëse që godisnin pa pushim, ditë e natë muret e fortifikimit. Mbrojtësit mendonin si të digjnin apo të shkatërronin kullën e normandëve. Ata spërkatën muret me naftë e me serë dhe i veshën me ashkla drurësh të thatë, vendosën mjete të shumta gurhedhëse dhe ndërtuan brenda qytetit një kullë të drunjtë, të cilën e vendosën përballë kullës që po afrohej nga jashtë. Kjo kullë kishte një tra shumë të madh që lëvizej nga një grup burrash të fortë, dhe kishte për qëllim të mos lejonte hapjen e portës-urë të kullës së Robertit, si dhe të goditeshin prei saj pa pushim normandët që ndodheshin mbi kullë. Pasi u arrit ky qëllim dhe kulla e Robertit u bë e papërdorshme, komandanti i qytetit, Gjergj Paleologu, dha urdhër të digjet kulla. Kullës iu vu zjarri; ushtarët nga pjesa e sipërme rrëzoheshin, ndërsa ata që ndodheshin në pjesën e poshtme. hapën derën dhe ua mbathën këmbëve. Ndërkaq, një grup ushtarësh të armatosur dolën nga kështjella për të asgjësuar plotësisht armikun, ndërsa ca të tjerë me sëpata shkatërruan kullën. Kështu, ndërsa pjesa e sipërme u dogj, pjesa e poshtme u copëtua me sëpata dhe vegla të tjera të mprehta.

Guiskardi përsëri nuk hoqi dorë nga rrethimi dhe filloi të ndërtonte një kullë tjetër të ngjashme me të parën. Ndërkaq, të rrethuarve u vjen në ndihmë me një ushtri të madhe perandori Aleks Komneni, që e vendosi kampin mbi një kodër rreth 700 m në veri në Durrësit. Duke mos pasur parasysh këshillat e komandantëve më me eksperiencë, Aleks Komneni zhvilloi me normandët betejë në fushë të hapur dhe pa pritur ndihmat e arbëreshëve, kështu që u thye bashkë me ushtrinë e Gjergj Paleologut, që doli nga kështjella për ta ndihmuar. Aleks Komneni i ndjekur nga normandët, mezi mundi të shpëtojë, ndërsa Paleologu nuk mundi të kthehej përsëri në qytet.

Megjithatë, garnizoni i Durrësit, që komandohej tani nga një shqiptar mundi të përballojë rrethimin deri më 14 shkurt 1082, kur Robert Guiskardi mundi ta pushtojë atë vetëm me tradhtinë e kolonëve venedikas dhe amalfë, që i hapën portat e qytetit.

Rrethimi i Durrësit në vitet 1107-11085

Në vitin 1107 ushtria normande me në krye Boemundin, kësaj radhe e inkuadruar në kryqëzatën e parë, zbarkoi në bregdetin shqiptar dhe rrethoi edhe një herë Durrësin. Boemundi e ngriti kampin përballë portës lindore të qytetit, ku ndodhej një statujë kalorësi prej bronzi. Gjatë gjithë dimrit ai e mbajti qytetin të rrethuar dhe vriste mendjen se nga cili vend mund të pushtohej më lehtë. Kur erdhi pranvera dhe pasi zbarkoi të gjitha forcat që i duheshin për të sulmuar qytetin, u vuri zjarrin anijeve të tij, duke dashur të arrijë me këtë veprim një synim srategjik, nga njëra anë që ushtria e tij të mos shikonte nga deti dhe nga ana tjetër sepse ishte i detyruar ta bënte këtë veprim nga flota bizantine. Ndërkohë që Boemundi mbante të rrethuar Durrësin dhe projektonte makina luftarake, pushtoi edhe zonat rreth qytetit nga ku rrëmbeu ushqime për të mbajtur ushtrinë.

Normandët ndërtuan një makinë gjigante me kryedash, për të rrënuar muret e Durrësit, të cilën Ana Komnena e quan breshkë. Breshka kishte formën e një paralelogrami dhe zhvendosej mbi rrota. Nga të gjitha anët dhe nga lart, që kishte formën e një çatie, ishte e mbuluar me rripa të qepur lëkure kau. Brenda makinës ishte vendosur kryedashi. Makina u afrua në murin lindor të qytetit duke pasur brenda me mijëra burra, që e shtynin atë me anën e shkopinjve. Pasi makina u vendos në largësinë e duhur ata e siguruan atë nga të gjitha anët me hunj të futur në tokë rreth e rrotull saj. Pasi e goditën murin për një kohë të gjatë me kryedash, por pa rezultat, normandët hoqën dorë nga ky mjet rrethimi dhe e braktisën makinën.

Atëhere ata përdorën një mjet tjetër rrethimi. Kësaj radhe u drejtuan në anën veriore të qytetit, ku ndodhej selia e dukës së Durrësit, që quhej pretoria. Në këtë anë, muri i qytetit ngrihej mbi një kodër dheu. Xhenierët e Boemundit, të mbrojtur nga një tendë e madhe, filluan të gërmojnë tunele për të arritur në themelet e murit rrethues. Hapën një kanal të gjerë dhe mjaft të gjatë, ndërsa dheun e nxirrnin jashtë me karroca. Të rrethuarit hapën nië kundërkanal dhe përgjonin se në cilën pjesë të murit do të arrinte kanali i kundërshtarit.

Të dyja kanalet u takuan me saktësi në themelet e kështjellës. Mbrojtësit, për largimin e kundërshtarit, përdorën disa kallama të mbushur me një lëng që përbëhej nga një përzierje me rrëshirë pishe dhe squfuri, i cili, kur fryhej me forcë, merrte flakë. Duke përdorur këtë armë, mbrojtësit i dogjën fytyrat xhenierëve të armikut, të cilët u larguan të tmerruar dhe në rrëmujë andej nga kishin hyrë. Pas kësaj disfate, normandët ndërtuan një kullë të madhe druri dhe e afruan te muret e qytetit. Kulla ishte me bazë katrore dhe aq e lartë sa ua kalonte kullave të qytetit. Po të gjykojmë nga lartësia që na jep rikonstruksioni i një kulle të kalasë, kulla e drunjtë duhet të ketë qenë mbi 20 m e lartë. Ajo ishte e pajisur me rrota dhe lëvizej nga ushtarët që ishin brenda. Kishte shumë kate dhe dyer të shumë-llojshme në të katër anët, nga të cilat ushtarët që ishin brenda qëllonin me shigjeta. Në pjesën më të lartë ishin vendosur një grup luftëtarësh të zgjedhur të armatosur me shpata. që qëndronin në gatishmëri.

Për të sulmuar kalanë, kundrejt dyerve të ballit ishin ndërtuar disa platforma, që qëndronin në ajër mbi mbështetëse, por që mund të uleshin dhe më poshtë. Si kundërmasë, mbrojtësit ndërtuan një kullë tjetër, ashtu siç bënë edhe në rrethimin e parë të Durrësit. Kësaj radhë, në pjesën e përparme të kullës montuan katër trarë të gjatë të lidhur njëri me tjetrin, të cilët kishin për qëllim të mbanin larg kullën e armikut.

Pjesa e sipërme e kullës së mbrojtësve ishte e hapur anash dhe prej andej ata menduan të hidhnin lëndë djegëse mbi kullën e armikut. Pasi kjo masë ishte e pamjaftueshme, mbushën me lëndë të çfarëdoshme, që ndizet lehtë, dhe me vaj të bollshëm largësinë midis kullës së armikut dhe asaj të qytetit dhe i vunë zjarrin me pishtarë në pjesën e poshtme. Bashkë me «zjarrin e ujshëm» nga lart, e dogjën krejt kullën e drunjtë të armikut. Kjo gjë solli hutim dhe panik jo vetëm midis ushtarëve që ndodheshin brenda saj. por edhe të atyre që ishin jashtë. Pas dështimit të këtij sulmi. Boemundi hoqi dorë nga pushtimi i Durrësit.

Rrethimi i parë i Krujës (1450)[3]

I egërsuar nga disfatat e njëpasnjëshme që kishin pësuar turqit në Shqipëri, sulltan Murati II, në pranverë të vitit 1450, pasi mblodhi një ushtri të   madhe prej rreth 100.0001 vetësh, nga Azia dhe Evropa, për të pushtuar Krujën që ishte  kryeqendra e rezistencës shqiptare. Sulltani, i cili shpresonte se me këtë ekspeditë do t'i jepte fund rezistencës shqiptare, ishte përgatitur më së miri duke marrë me vete metal për të derdhur topa të mëhhenj, që nuk mund të transportoheshin me kafshë si dhe mjete të shumta rrethimi.

Kalaja e Krujës mbrohej nga një garnizon prej 1500 vetësh, nën komandën e Kont Uranit, ndërsa Skënderbeu me pjesën tjetër të ushtrisë prej 8000 vetësh, shumica kalorës të armatosur lehtë, qëndroi jashte mureve të qytetit. Qëllimi i tij ishte të asgjësonte pjesë-pjesë ushtrinë armike, nëpërmjet sulmeve të shpejta ditën dhe natën, ta tërhiqte atë në ngu- shtica dhe pusi dhe t'i krijonte vështirësi nëpërmjet prerjes së furnizimeve. Popullsia e paaftë për luftë, gratë dhe fëmijët ishin larguar që më parë, duke u strehuar nëpër vende të thella malore dhe në qytetet e bregdetit. Kalaja e Krujës ishte furnizuar me ushqime për ti rezistuar një rrethimi të gjatë, ndërsa uji nuk i mungonte për shkak të burimeve natyrore.

Mbi kulla dhe mure u vendosën makina gurhedhëse, ndërsa shumica e rojeve u pajisën me dyfekë (arkebuzë) dhe me agrepë (arbaletë). Gjithashtu u morën masa për shtimin e disa fortifikimeve dhe për riparimin e mureve, që binin në drejtim të Tiranës, të cilat ishin ngrënë, ngaqë ishin shumë të vjetra.

Kalaja e Krujës, si kuptohet nga gjurmët e ruajtura dhe nga përshkrimi i Barletit vetëm në disa pjesë kishte mure të larta: tek porta e vetme nga veriu si dhe në pjesën që shi'konte nga Tirana. Ndërsa në anët e tjera, ajo mbrohej më tepër nga natyra se sa nga muret, të cilat fonmonin një kurorë të ulët «të vendosura më tepër për ta zbukuruar se sa për ta forcuar vendin». Kjo pjesë e kalasë, që përfshinte pjesërisht anën veriore dhe krejt atë lindoren qëndronte jashtë çdo rreziku për t'u sulmuar nga armiqtë. Turqit e vendosën kampin në Fushën e Tiranës dhe pastaj e rrethuan qytetin nga të gjitha anët, duke mbushur me çadra gjithë vendin dhe fushat që shtriheshin rrëzë mureve. Një pjesë të madhe të ushtrisë e vendosën rreth 10 km larg qytetit. Në fillim, Murati u perpoq ta merrte qytetin pa luftë, duke i premtuar Kont Uranit një shumë të madhe ari e dhurata të tjera. or pasi të gjitha këto u refuzuan me përbuzje, turqit  filluan sulmin kundër qytetit. Më parë u derdhën 10 topa  shumë të mëdhenj, prej të cilëve katër hidhnin gjyle guri prej 400 ose 600 librash (200-300 kg)[4], ndërsa të tjerët prej 200 librash.

Beteja filloi me rrahjen e mureve. Dy nga topat e mëdhenj dhe katër të tjerë u vendosën përballë mureve që shikojnë Tiranën, ndërsa katër topat e tjerë u vendosën përballë hyrjes së kalasë. «Sepse vetëm nga këto anë, shkruan Barleti, kishte njëfarë shprese për t'u shtënë qyteti në dorë me rrënimin e mureve, meqenëse këto ishin më të afrueshme dhe ndërtimet e bëra nga dora e njeriut dukeshin sheshit».

Muret u goditën me artileri për katër ditë rresht, derisa ato u shembën pothuajse deri në gjysmën e lartësisë dhe u krijua një shteg për t'u futur në qytet. Gjatë pastrimeve të kohëve të fundit, në murin jugperëndimor të kalasë u gjetën gjyle guri të futura në mur. Pas rrënimit të mureve u dha urdhri për një sulm të përgjithshëm. U afruan shkallë, trarë dhe mjete të tjera rrethimi. Por sulmi dështoi për shkak të heroizmit të garnizonit të Krujës. Barleti vë këto fjalë që i drejtoheshin ushtarëve në gojë të komandantit të garnizonit, Kont Uranit: «Kastrioti na e la neve qytetin në dorë që ta mbrojmë dhe jo të na mbrojë».

Historiani bizantin Halkokondili, bashkëkohës i ngjarjeve, shkruan për këtë rast se «sulltani, mbasi e shkatërroi mjaft kështjellën, u hodh në betejë me gjithë forcëri e ushtrisë. Jeniçerët mundoheshin ta pushtonin atë nga ana ku muri ishte përtokë. Por nuk mundën ta thyenin mbrojtjen e atyre që ishin brenda në qytet, mbasi ata treguan një rezistencë që nuk shpresohej».

Skënderbeu bëri shumë sulme kundër kampit armik me ushtrinë e tij që ndodhej jashtë qytetit, duke ja lehtësuar në këtë mënyrë barrën mbrojtësve. Por edhe vetë garnizoni i Krujës, shpërthente shpesh në kundërsulme me grupe të vogla ushtarësh për ta dëmtuar sa më rëndë armikun që tërhiqej. Kështu, në një rast, nga një portë e vogël, që është porta në anën jugperëndimore, që e kemi përshkruar më sipër, doli një grup prej 60 luftëtarësh të armatosur me pushkë dhe u lëshua papritur kundër armikut dhe pasi bëri një kërdi të madhe kundër tij u kthye menjëherë në qytet.

Gjithashtu, sulmet, e turqve ishin të vazhdueshme; ata arritën deri tek porta kryesore e kalasë dhe përpiqeshin ta thyenin duke e goditur me çekiçë e shula pr^j hakuri, por nga gjithë ajo turmë pothuajse nuk shpëtoi asnjë. Pastaj nga ana e Tiranës u hodhën mbi qytet zjarre në shumë vende. Pasi dështoi edhe kjo armë, Murati e perqëndroi gjithë vëmendjen në hapjen e një tuneli për t'u futur me fshehtësi brenda mureve të kalasë. Ky tunel duhet të ketë filluar të hapet në anën jugperëndimore, ku terreni është më i përshtatshëm dhe dallohen edhe sot disa gjurmë gërmimesh. Për hapje tunelesh sulltani kishte përgatitur që në nisje qysqi dhe vegla të tjera për gërmim dhe largimin e dherave. Gërmimi i tunelit vazhdonte ditë e natë, pa pushim, duke i ndërruar gërmuesit për çdo orë për shpejtimin e punës, megjithatë shumë prej tyre gjetën vdekjen nën dhe. Puna vështirësohej sidomos prej shkëmbinjve, që u dilnin papritur gjatë rrugës, të cilët kërkonin një mund të madh për t'u thyer. Për të maskuar dredhinë e tij, sulltani organizonte shpesh sulme të vogla që shoqëroheshin gjithmonë me vrasjen e ndonjërit nga ushtarët e tij. Megjithatë, të rrethuarit mundën ta zbulojnë pusinë që po u ngrihej. Duke mos ditur se në ç'drejtim do të dilte tuneli dhe duke menduar se ai mund të kishte disa degëzime, ata vendosën brenda mureve në shumë vende legenë dhe enë prej bakri, me qëllim që tingëllimi i lëshuar prej tyre nga tronditjet nën tokë të tregonte vendin ku gërmohej. Por krutanët nuk u mjaftuan me këtë masë. Ata gjetën rastin, dolën një natë në fshehtësi të plotë nga kalaja dhe prishën pjesën më te madhe të punimeve.

Pasi përdori pa sukses të gjitha mjetet dhe mënyrat për të pushtuar qytetin, gjatë katër muaj rrethimi, sulltan Murati ngriti çadrat dhe me gjithë ushtrinë e tij të madhe u nis për në Adrianopojë, duke lënë me mijëra të vrarë nën muret e Krujës.

Rrethimi i dytë dhe i tretë i Krujës (1466-1467)

Pasi kishte dërguar kundër shqiptarve një sërë ekspeditash përgatitore, të cilat kishin përfunduar pa sukses, në verën e vitit 1466, sulltan Mehmeti II u nis vetë në krye të një ushtrie prej 150.000 vetësh për të shkatërruar përfundimisht qëndresën shqiptare. Një pjesë e ushtrisë turke rrethoi Krujën, ndërsa pjesës tjetër iu vu detyra të ndiqte deri në zonat e thella malore çetat shqiptare, që sulmonin prapa krahëve ushtrinë turke, të shkatërronin ekonomitë bujqësore dhe të ndiqnin e të masakronin banorët, të cilët në masë i kishin brakisur zonat e ulëta e fushore, duke u tërhequr në male të thepisura, ku kishin marrë edhe masa mbrojtëse.

Për mbrojtjen e kalasë së Krujës, Skënderbeu kishte lënë një garnizon prej 4.400 vetësh nën komandën e Tanush Topisë, ndërsa vetë me një ushtri prej 8.000 vetësh, ashtu si dhe gjatë rrethimit të parë qëndroi jashtë, duke i shfarosur vazhdimisht rrethuesit me sulmet e tij të shpejta.

Mehmeti II u mundua në fillim, sipas zakonit, ta merrte qytetin me marrëveshje, por pasi krutanët iu përgjigjën me goditjen e predhave të artilerisë dhe të armëve të tjera, ai dha urdhër menjëherë që të derdheshin topat me metalin që kishte sjellë me vete dhe të rrafshohej krejt qyteti dhe muret mbrojtëse të tij.

Sulltani, për dy muaj rresht, i drejtoi vetë operacionet e rrethimit dhe pasi u bind se Kruja nuk mund të merrej la aty një ushtri rrethimi prej 80.000 vetësh, nën komandën e Ballaban Pashës dhe me pjesën tjetër të ushtrisë, në gusht të vitit 1466, u largua pasi kishte rindërtuar kalanë e Elbasanit, e cila do të shërbente si bazë operacionesh.

Ballabani e ngriti kampin mbi kodrat që ndodhen në anën jug-perëndimore të kalasë së Krujës nga drejtimi i Tiranës. ndërsa mbi malin e Sarisalltëkut vendosi një detashment roje. Pjesën tjetër të ushtrisë e vendosi rreth e rrotull qytetit, duke e mbyllur atë në një rreth të egër.

Skënderbeu sulmoi së pari rojën e fortë që kishte lënë Ballabani mbi malin e Krujës dhe u bë zotërues i kësaj pike të rëndësishme strategjike; gjithashtu ai shpartalloi një ushtri që i vinte në ndihmë Ballabanit nën komandën e të vëllait. Shpejt ushtria e Ballabanit u kthye nga një ushtri rrethuese në një ushtri të rrethuar, e shtrënguar nga sulmet e Skënderbeut dhe kundërsulmet e garnizonit të kalasë.

Në një përleshje që u zhvillua nën muret e kalasë, Ballaban Pasha gjeti vdekjen. Barleti thotë se ai u godit në grykë me pushkë nga një krutan dhe dha shpirt posa arriti para tendës së vet. Ushtria turke. e mbetur pa komandant, e hoqi rrethimin e Krujës dhe u tërhoq në fushën e Tiranës, nga ku mundi të çajë një shteg dhe të largohej nga kufiri i Dibrës me humbje të mëdha.

I egërsuar nga disfata e Ballaban Pashës, sulltan Mehmeti II, gjatë muajit korrik të vitit 1467, erdhi me ushtri të madhe edhe një herë në Shqipëri dhe rrethoi qytetin e Krujës. Pasi u përpoq më kot ta merrte me sulm kalanë, u kthye i mundur në Kostandinopojë, pasi kishte lëshuar për 15 ditë rresht ushtrinë e tij për të rrënuar e shkretuar vendin.

Rrethimi i parë i Shkodrës (1474)[5]

Shkodra ishte një nga kështjellat më të rëndësishme të Shqipërisë nga ato që kishin mbetur akoma pa u pushtuar nga turqit, por njëkohësisht një nga më të mbrojturat si nga natyra, ashtu edhe nga dora e njeriut. Një historian venecian bashkëkohës e quan atë «kryefortesë e gjithë vendit». Pas zotërimit të kësaj kështjelle dhe të krejt Shqipërisë, turqit do t'i kishin duart të lira për t'u hedhur në bregun tjetër të Adriatikut për të pushtuar Italinë.

Sulme spontane kundër qytetit të Shkodrës ishin bërë shpesh nga turqit, por rrethimi i parë iu vu në maj të vitit 1474. Për pushtimin e Shkodrës u dërgua bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, me një ushtri prej 80.000 vetësh dhe me 1.000 gamile të ngarkuara me bronz, për të derdhur në vend topat. Popullsia e fushës ishte strehuar në vende të mbrojtura, ndërsa në qytet ndodheshin 6.000 banorë në numrin e të cilëve përfshihej dhe garnizoni prej 2.000 luftëtarësh.

Përpjekjet e venecianëve, për të ndihmuar të rrethuarit me anë të flotës, nuk patën rezultat. rër të penguar flotën e tyre, turqit ndërtuan një urë përmbi Bunë, ndërsa në pjesët më të ngushta të lumit, gjatë rrjedhës së poshtme të tij, hodhën trarë, duke prerë pemë nga të dy brigjet.

Nga ana e tyre, mbrojtësit kishin marrë masa për të përballuar një rrethim të gjatë. Në qytet ishte grumbulluar një sasi e madhe drithi dhe me kafshë barre u soll ujë. Përpara fillimit të sulmit turqit përgatitën disa topa të një kalibri shumë të madh dhe me to filluan të godasin muret e kalasë, derisa rrafshuan për tokë një pjesë të tyre. Por mbrojtësit, që kishin grumbulluar si më parë lëndë druri për një rast të tillë, morën një grumbull trarësh, të cilët i mbërthyen kryq e tërthor dhe pasi i ngjeshën në pjesën e brendshme me dhë e me baltë, krijuan një pengesë të fuqishme kundër sulmit të armikut. Pas kësaj, turqit qëlluan me bombarda muret rrethuese e shtëpitë e qytetit dhe, pasi krijuan shumë të çara, u hodhën në një sulm të përgjithshëm, që zgjati pa ndërprerje gjatë gjithë natës.

Për të mos u dhënë mundësi mbrojtësve që t'i manovronin forcat, duke i grumbulluar ato në disa pika, sulmi qe frontal dhe me një intensitet të njëjtë nga të gjitha anët. Por              kalaja u mbrojt heroikisht nga banorët e   garnizonit dhe asnjë nga armiqtë nuk mundi të futet në të. Në këtë sulm dhe me të tjerët, që u kryen gjatë rrethimit, u përdorën armë dhe mjete të ndryshme. Turqit, përveç shkallëve, përdorën disa shtaga me gremça hekuri, që ja lëshonin rojeve mbi mure, për t'i tërhequr poshtë. Mbrojtësit hidhnin rnbi armikun gurë të mëdhenj, enë balte të mbushura me gurë, si dhe gardhe të lyera me zift, të cilave u vinin zjarrin. Këto të fundit shërbenin jo vetëm për të djegur armikun, por edhe për të ndriçuar vendin natën gjatë sulmeve.

Rrethimi zgjati tre muaj dhe turqit me gjithë armët dhe mjetet që përdorën nuk mundën të futen në qytet. Ndërkaq, të rrethuarve filloi t'u mungojë uji, pasi gjatë gjithë atyre ditëve nuk ra asnjë pikë shi. Qyteti furnizohej me ujërat e shiut, që grumbulloheshin nëpër stera. Uji filloi të racionohej, duke i dhënë secilit dy gota ujë në ditë. Më vonë u jepej vetëm atyre që ishin të aftë për luftë. Kur më në fund u pastruan dhe llumrat e fundit të sterave, mbrojtësit vendosën të hidhen në një sulm të përgjithshëm mbi armikun. Ata i kishin vënë vetes si qëllim ose të hapnin rrugë ose të vdisnin me armë në dorë, pasi t'i kishin vënë zjarrin qytetit. Ky plan nuk u realizua, sepse, duke humbur shpresën për të marrë kalanë e Shkodrës dhe për shkak të etheve të malarjes që ishin përhapur në radhët e ushtrisë, më 17 gusht 1474, bejlerbeu i Rumelisë e hoqi rrethimin e pasi dogji kështjellën e braktisur të Danjës, u largua me gjithë ushtrinë. Giergj Marula shkruan se nga mungesa e ujit dhe e ushqimeve vdiqën rreth 3.000 qytetarë shkodranë. Turqit u larguan me humbje të mëdha, që llogariten me rreth 20.000 vetë.

Pa u larguar mirë armiku. qytetarët u derdhën drejt lumit të Bunës, për të pirë ujin që e kishin dëshiruar për aq ditë me radhë. Shumë prej tyre pasi kishin qëndruar një kohë të gjatë pa pirë, ranë për tokë pa ndjenja. Historiani Hammer, lidhur me qëndresën heroike të Shkodrës, shkruante: «Qëndresë trimash, që nuk e gjetën ushtritë grabitqare osmane në Kroati, Karnie. Korinti, Stiri dhe Slavoni, e gjetën në Shqipëri, përpara mureve të Shkodrës».

Rrethimi i dytë i Shkodrës 1478-1479[6]

Për të pushtuar Shkodrën dhe disa qytete të tjera shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të vinte vetë në krye të së gjitha forcave të Rumelisë dhe Anadollit. Më 14 maj 1478, para Shkodrës u duk një pjesë e forcave turke me në krye bejlerbeun e Rumelisë, Daut Pashën. Pas disa javësh arriti me forcat e veta bejlerbeu i Anadollit dhe me 1 korrik vetë sulltani.

Kodrat dhe fushat rreth kalasë u mbushën me çadra deri në një largësi prej disa miljesh. Barleti dhe disa bashkëkohës japin një shifër prej 350.000 ushtarësh turq. Një numër shumë i madh devesh sillnin furnizimet, pajisjet e ushtrisë si dhe metalin për të derdhur topat. Në kalanë e Shkodrës ndodheshin 1.600 burra, që përbëheshin kryesisht nga qytetarët, një repart i vogël venedikas dhe një grup të rinjsh fshatarë. Kishte edhe gra e të reja të familjeve, që banonin brenda në kala.

Kuartieri i përgjithshëm i Mehmetit II u vendos mbi kodrën e Pashës, sot Tepe, ndërsa ushtria i vendosi çadrat në rrëzë të kodrës dhe në fushë. Mbi kodrën e Pashës u ngrit një kullë e lartë druri për të drejtuar qitjen e artilerisë dhe për të parë luftimet, sidomos nga ana e portës kryesore ku ishte dhe terreni më pak i pjerrët dhe për pasojë më i lehtë për të sulmuar.

Për rrënimin e mureve u derdhën 11 topa të mëdhenj, gjashtë nga të cilët u vendosën në kodrën e Pashës, përballë hyrjes kryesore; një nga topat më të mëdhenj hidhte gjyle prej 1200 librash dhe e quanin «artileri e sulltanit», sepse, shkruan Barleti, «e kishin ndërtuar në emër të tij me zell e me mjeshtëri të madhe».

Mbrojtësit, nga ana e tyre, duke parashikuar se muret do të rrafshoheshin nga artileria e rëndë e turqve, punonin pa pushim për të fortifikuar qytetin me ledhe trarësh e dheu. Përveç sulmeve të vogla të përhershme turqit ndërmorën kundër qytetit dy sulme të përgjithshme. Më 22 korrik u krye sulmi i parë dhe më 27 korrik sulmi i dytë, i cili zgjati pa ndërprerje deri të nesërmen. Por të dy sulmet përfunduan me humbje të madhe dhe me disfatën e turqve, derisa ata hoqën dorë nga mendimi se mund ta merrnin Shkodrën me një sulm të drejtpërdrejtë. Përpara fillimit të sulmit të parë, turqit i rrahën disa ditë rresht me topa muret e kalasë, derisa ato u rrënuan në shumë vende. Barleti llogarit deri në këtë kohë rreth 2500 të shtëna artilerie dhe 120 të shtëna mortajash, prej të cilëve 10 predha me zjarr.

Mortajat ishin një armë tjetër e fuqishme, që përdorën turqit në këtë rrethim. «Këtë lloj topi, thotë Barleti, mund ta quajmë më tepër njëfarë mortaje, sepse është e gjerë dhe e shkurtër, me zgavër të thellë, me grykë të drejtuar lart dhe me bisht të ngulur në dhë, edhe lëshon një shugullim ose një ushtimë tamam si gjamë deti me stuhi».

Mortaja hidhte lart një gur të rrumbullakët me peshë 1.200 librash, i cili binte me një vrull e me një fuqi shumë të madhe. Kjo armë e fuqishme përdorej   jo vetëm për të           rrafshuar banesat e për të bërë dëm në njerëz, por më tepër për të shkatërruar puset e sterat, me qëllim që të rrethuarit të mbeteshin pa ujë. Me mortaja hodhën mbi qytet edhe shtëllunga zjarri, për t'i vënë flakën qytetit dhe kur mbrojtësit do të merreshin me shuarjen e zjarreve, sulmi do të bëhej më i lehtë. «Ato shtëllunga, që mezi shuheshin, thotë Barleti, përbëheshin prej rrëshire, peshkvje, squfuri, dylli, vaji dhe prej elementesh të tjera të këtij lloji, të cilat e ushqenin dhe e hapnin më tepër zjarrin dhe me të vërtetë, sapo binin mbi çati, menjëherë këto merrnin flakë. Këto shtëllunga e përshkonin ajrin me një fuqi e shpejtësi aq të madhe dhe me një fishkëllimë të tillë, saqë të jepnin përshtypjen sikur disa zëra së bashku bërtisnin deri në kupë të qiellit, edhe linin mbrapa një si bisht të zjarrtë e të furishëm, që dukej si yll me bisht».

Për t'i shpëtuar djegies së qytetit, mbrojtësit zbuluan ato shtëpi që kishin. çati me patavra druri dhe caktuan një grup burrash të fortë e të shkathët që të kujdeseshin për shuarjen e zjarreve. Gjithashtu, mbrojtësit, duke parë se artileria turke shtohej dita-ditës, goditjet ishin të vazhdueshme dhe vihej në rrezik jeta e atyre që qarkullonin në kështjellë, vunë roje të vazhdueshme ne çdo anë të qytetit, në ato drejtime ku turqit kishin vendosur topat, për të vrojtuar dhe për të lajmëruar me anën e këmbanave popullsinë dhe garnizonin që të futej në strehim. Pas shumë goditjesh, kur nuk mbeti pothuajse asnjë vend i sigurtë për mbrojtje, u hapën për këtë qëllim disa galeri nën dhë. Pasi ishin rrafshuar në shumë vende muret e qytetit turqit u përpoqën të digjnin ledhet prej druri. Nga mortajat morën flakë pahitë në drejtim të Bunës, mirëpo zjarri u shua menjëherë nga mbrojtësit dhe pa pasur humbje.

Zjarri u vihej ledheve prej druri edhe me anë të pishtarëve që mbaheshin në duar nga grupe të vogla sulmuesish, të cilët, pasi afroheshin në largësi të përshtatshme, i hidhnin këto pishtarë përmbi ndërtimet prej druri. Për të larguar këtë rrezik, në anët ku turqit vinin zakonisht për t'i vënë zjarrin ledheve, u vendosën grupe të zgjedhura pushkatarësh dhe shigjetarësh, të cilët e qëllonin dhe e asgjësonin armikun, para se ky të hidhte pishtarët.

Pas një përgatitjeje të gjatë, që synonte në rrënimin e fortifikimeve, djegien e ledheve prej druri, në shkatërrimin e banesavs dhe sterave, në dëmtimin dhe asgjësimin e pjesshëm të mbrojtësve si dhe në lodhjen e kundërshtarit, turqit, më 22 korrik, filluan sulmln e parë të përgjithshëm. Para srnmit u afruan një sasi e madhe balistash e katapultash, me qëllim që të rrethuarit të goditeshin nga një sasi e madhe gurësh. Veç tyre u përgatitën me shumicë penda e trina, në mënyrë që ushtarët turq të mbrojtur prej tyre të mund t'i afroheshin sa më tepër mureve të kështjellës. ndërsa hendeqet mbrojtëse u mbushën me gurë dhe lëndë të çfarëdoshme, për të lehtësuar kalimin e sulmuesve.

Beteja u zhvillua në të gjitha anët e qytetit. por kryesisht para portës kryesore, ku u zhvilluan luftime trup me trup. Turqit shumë superiorë në numër, kishin mundur t'i kapërcenin të gjitha vështirësitë dh€ të arrinin deri tek ajo portë. Mbrojtësit, me një trimëri të paparë ndonjëherë, me gjithë humbjet në njerëz mundën t'i zbrapnin sulmet e njëpasnjëshme të turqve kundër kësaj porte që, megiithëse gjysmë e rrënuar nga bombardimet me artileri, ishte çelësi i krejt kalasë. Aty u dërguan vazhdimisht reparte të freskëta të rezervës, që qëndronin në gatishmëri në sheshin qendror të qytetit, për të shkuar në ndihmë aty ku e lypte nevoja dhe pasi nuk mjaftuan ata, për të ndalur sulmin, u ngritën të sëmurët e të plagosurit.

Gjatë këtij sulmi, kundër armikut u përdorën armë të ndryshme: përveç shigjetave, pushkëve, skorpionëve dhe bombardave u hodhën gurë të mëdhenj, trarë me majë të mprehtë, u rrokullisën shtamba me gurë e barut si dhe vorba të mbushura me gëlqere. Shtambat lyheshin me vaj, zift e rrëshirë e u vihei flaka. Gjithashtu u hodhën gardhe të lyera me zift të ndezur. Vecanërisht zjarri i dëmtonte dhe i tmerronte armiqtë. Nga dalje të fshehta të hapura në shkëmb të gjallë, të cilat kishin për qëllim të mbronin hendekun, të rrethuarit qëllonin vazhdimisht, duke i shkaktuar dëme të mëdha armikut. Punët përgatitore kryheshin nga gratë, bile në çastet vendimtare ato luftuan përkrah burrave duke treguar shembuj të lartë heroizmi. Gjatë gjithë sulmit, artileria e armikut vazhdonte të qëllonte, pa marrë parasysh se dëmtonte dhe trupat e saj. Për të treguar se sa fuqishme ishte ajo, mjafton të përmendim faktin se nga një gjyle guri gjetën vdekjen 18 vetë.

Sulmi i dytë i përgjithshëm i turqve, më 27 korrik pati të njëjtin fat, dështimin e plotë të tyre. Ai vërtetoi gjithashtu se Shkodra nuk mund të merrej me forcën e armëve. Pasi po afrohej vjeshta dhe stina nuk lejonte që një ushtri kaq e madhe të kalonte dimrin në fushë të hapur, sulltani me një pjesë të ushtrisë u largua, pasi kishte pushtuar më parë kalanë e Drishtit dhe të Zhabiakut. Për të vazhduar bllokimin dhe për ta detyruar qytetin të dorëzohej me anë të urisë, u la një forcë e mjaftueshme. Përpara largimit të sulltanit u përdor dhe një mjet tjetër për të mposhtur të rrethuarit: 300 robër të zënë në Drisht u therën para mureve të kështjellës, por edhe kjo masakër nuk e mposhti guximin dhe trimërinë e shkodranëve. Rrethimi vazhdoi dhe për një kohë të gjatë, derisa, më 25 prill të vitit 1479 u ratifikua në Venedik paqja e nënshkruar në Kostandinopojë midis Perandorisë Otomane dhe Venedikut. Sipas kushteve të kësaj paqeje, Venediku detyrohej t'i njihte sulltanit zotërimin e Krujës, Shkodrës dhe qyteteve të tjera, që kishte humbur gjatë kësaj lufte, ndërsa banorët e Shkodrës do të liheshin të lirë të largoheshin, po të donin, me gjithë pasuritë e tyre.

Gjatë muajve të fundit të bllokimit, të rrethuarve filloi t'u mungonte ushqimi. U përdor për ushqim çdo gjë e gjallë që ndodhej në kështjellë, deri dhe lëkurët ziheshin dhe haheshin, por edhe kjo torturë nuk i mposhtte të rrethuarit. Nga të 1600 burrat që morën pjesë në mbrojtjen e qytetit, kishin shpëtuar të gjallë vetëm 450 dhe përveç tyre 150 gra. Asnjëri prej tyre nuk pranoi t'i nënshtrohej armikut, por më parë preferuan rrugën e hidhur të mërgimit. «Kur armiqtë,  shkruan një kronist i kohës, armiq të vërtetë e të pashpirtë, panë grumbullin e qytetarëve që në heshtje të zymtë po merrnin rrugën e mërgimit ashtu edhe gjendjen e mjerueshme të grave shkodrane, të cilat, përmes radhëve barbare tërhiqnin si shokë mërgimi fëmijët e vet që vajtonin, s'patën se si të mos mahniteshin dhe të mos çuditeshin për atë besnikëri e qendresë...»[7].

 

Gjerak Karaiskaj "5000 vjet fortifikime ne Shqipëri"

 

 

[1] C. Prashniker. A Schober, 26.

[2] A. Comm. Alex.

[3] Për rrethimet e Krujës është shfrytëzuar M. Barleti, Historia e Skënderbeut. Tiranë 1967; Historia e Shqipërisë. 1967. T. Noli. Historia e Skënderbeut (1405-1468) botim shqip. Tiranë 1967. Si dhe kronistët L. Halkokondili dhe Kritobuli (Burime tregimtare bizantine f. 330, 346-348.

[4]     Sipas Barletit këto topa hidhnin gjyle guri me një peshë prej më se 300 litarash, ndërsa sipas një dokumenti raguzan u derdhën dy topa, prej të cilëve me i madhi hidhte gj^le prej 400 librash.

[5] Sipas relacionit «Lufta e Shkodrës» të Gjergj Marulës të dt. 10 shtator 1474 dhe fjalimit panegjirik të Marin Beçikemit. Botuar tek M. Barleti. Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1967. (botim II).

[6] Sipas M. Barletit. Rrethimi i Shkodrës. Tiranë 1967, bot. II, dhe M. Beçikemit në të njëjtin botim.

[7] M.Beçikemi. Nga fjalimi panegjirik- 139.

Gjerak Karaiskaj


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...