Oshtima

Karakteret naturore dhe historike të Shqipnis së Madhe


BOTOJMË TEKSTIN SHQIP
të konferencës magjistrale, që Senatori Mustafà Kruja, Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare, mbajti italisht ditën 30 Maj të kaluar në selinë e Akademisë Mbretërore të Italisë në Romë.


Shkëlqesina, Zonja e Zotnij, Më duhet të filloj me nji falënderim të nxehtë dhe të përzemërt për Shkëlqesen Federzoni pse më nderoi me ftesën e tij që t’a mbajë kët konferencë të shkurtër në Patronazhin e Akademisë Mbretnore t’Italisë të cilën ai denjësisht e kryeson.
Do të ju flas mbi karakteret natyrore e historike të Shqipnisë së madhe. Themë kjo të cilën nji shqiptar nuk mund t’a rahë pa nji përmallim të gjallë dhe të justifikuem. Por kur flitet në nji seli si kjo, që përfaqson hartin e ditunin, të bukuren e dhe të vërtetën, duhet me gjithë këte të bahet çdo orvatje për t’i frenuem të gjitha pasjonet, për të qenë objektivë sa ma tepër asht njerëzisht e mundun.
Pra, tek e mbramja, u ba e lejueme të flitet botnisht, madhnisht, për Shqinin e madhe. Dhe ... për Shqipninë e madhe të gjallë, të gjallë në realitetin e saj ma të ndritëshëm. Pse për nji Shqipni të madhe vetëm t’andrrueme nga poetët t’onë, të lakmueme prej atdhetarve e dëshmorve t’onë, të këndueme nga djelmnija e jonë e zjarrt, asht fole e bisedue qyshe kurë.


Lidhja e Prizrenit


E me të vertetë çka kishte për objektiv Lidhja Kombëtare e Prizrendit veçse Shqipninë e madhe? I qartë, i panderlikueshëm ishte programi i saj: me e shpëtue pikë së parit Atdheun nga gjymtimet e vendosuna në Kongresin e Berlinit në dobi të fqinjvet të saj. Së dytit me i imponue Qeverisë Otomane autonominë e Shqipënisë mbrenda kufijvet administrativë të katër Vilajetet të Janinës, të Manastirit, të Shkupit dhe të Shkodrës, me Ohrin kryeqytet. E ma në fund me e pregatitë Kombin për luftën e epërme për pamvarsin e tij të plotë.
Shum kush u mundue të shofë në Lidhjen e Prizrendit nji lodër turke për t’i qitë huq vendimet që kishin marrë  Fuqit e mëdha në dam të tokës së Perandorisë. Na përkundra e pohojmë, me dokumenta në dorë, se lëvizja shqiptare përfundue në Lidhjen e Prizrendit, ka qenë krejt e vetvetishme e me karakter kombetar. Se turqit e patën shikuem së parit me sy të mirë dhe se deshtën  të përfitojnë prej sajë për qëllimet e veta, nuk asht aspak për t’u çuditë, por nuk ash i mundun asnji dyshim se mendimi që t’organizohet Kombi për nji qëndresë t’armatosun kundra çdo orvatjeje për coptim ose gjymtim të tokës shqiptare, lindi i vetvetishëm në të gjithë krenët e Jugut dhe të Veriut të Shqipnisë mbas nënshkrimit të Traktatit ruso-turk të Shën Stefanit dhe gjeti lamë shumë të favorshme në ndjenjen e të tanë popullit, pa dallim krahinash as besimesh. Në nji raport të derguem n’atë kohë Foreign Office-it nga Ambasadori i Anglisë në Stambol lexojmë ndër të tjera këto rreshta:
«Gjendja asht ndërlikue nga fakti se fati i shqiptarvet asht rrezikue nga nji lëshim i parë i nji toke shqiptare Malit të Zi e nga ana tjetër nga zemërimi që ka shkaktue në shqiptarët propozimi për aneksim Greqis të nji pjese të Vilajetit të Janinës dhe të tokave të tjera që i përkasin Shqipnisë».  «Sado që thuhet se kjo lëvizje asht e nxitun prej auktoriteteve turke, e vërteta asht se zjarri, i ndezun sido qoftë asht i tillë sa që i djeg keqas edhe vetë turqit.» «Nuk mund të mohohet se kjo lëvizje asht krejt e natyrëshme. Rracë e vjetër dhe ma e shenueshme  se të tjerat që e rrethojnë, shqiptarët i panë kombsinat e afërme të mprojtuna nga fuqitë europjane e aspiratat e tyne për nji gjendje ma të mirë kombëtare drejt pamvarësis, gjithashtu prej tyne të përkrahuna. Shqiptarët i pabë bullgarët krejt të shliruem në Bullgari dhe zot të Rumelis Lindore. Shqiptarët e panë dëshirën e zjarrtë t’Europës që t’i lirojë nga zotnimi turk tokët e banueme prej grekve, i panë sllavët e Malit të Zi të mprojtun me entusiazëm nga Perandorija e madhe sllave e Veriut. Tashti po shofin se çështja e Lindjes po zgjidhet në bazë të parimit të kombësis dhe se gadishulli balkanik po sistemohet pak gjithënji mbi këtë bazë si mbas racave të ndryshme që e banojnë. E nga ana tjetër po shofin se çdo herë ata po përjashtohen nga ky parim. Kombësija e tyne nuk po njifet e tokët e banueme vetëm nga shqiptarët po i lëshohen Malit të Zi për të kënaqun mprojitësin e tij rus dhe Greqis, e mprojtun edhe kjo nga Anglija e nga Franca.» «Prandej kundërshtimi i shqiptarve kundra vullnetit t’Europës nuk më duket as artificial as i qortueshëm».
Deri këtu diplomati anglez. Ma tutje ai e përkrah haptas krijimin e nji Shqipnije të madhe autonome n’emën të tagrit, të drejtësis dhe të interesit të përgjithshëm europjan.

Lidhja e Prizrendit, me gjithë se në fillim nuk i a prishi qejfin Qeveris turke për qëllimet e saja kundrejt Europës, dihet tashma se në mënyrë të pakundërshtueshme se ma vonë u luftue prej sajë e krenët e Lidhjes u salvuan të gjithë. N’asht se Qeverija turke ishte e kenaqun që shqiptarët të vriteshin për t’a shpëtue tansinë e Perandorisë Otomane të paktën atje ku ata ishin t’interesuem drejt për së drejti, por mbeti e gënjyeme kur u kujtue se populli shqiptar kqyrte vetëm fatin e vet dhe lirinë e vet.


Shqipëria në poezinë epike të Fishtës


Thaçë se pjesa e parë e programit të Lidhjes dhe qëllimi i saj i parë qëndrojshin n’organizimin e Kombit për nji kundërshtim t’armatosun kundra gjymtimeve të tokës shqiptare. Për këtë mjaftoi vetëm nji «kushtrim» i dhanun të gjithë burrave t’aftë për luftë, që të vrapojshin nga të gjitha anët e Vendit me mija vullnetarësh dhe të viheshin në disposicjon të Lidhjes. Luftimet e rrepta që u zhvilluan në mes të vullnetarëve të Lidhjes dhe ushtris malazeze për Plavë e Guci e për krahinën katolike të Hotit, të Grudës dhe të Triepshit ndër malet e Shkodrës, u perjetsuen nga ma e bukura poezi epike e Fishtës e nga rapsodija popullore.
Nji prej ktyne kangve të frymzueme nga ato luftime thotë se Europa e Sulltani kanë vendosur t’i lëshojnë Malit të Zi malet e Shqipnisë, por nuk ka shqiptar aqë të poshtër që t’i lënë të huejt me i dhunue vorret e të parve. Hoti e Gruda kanë dhanë besën mos me i lëshue malet e tyne pa derdhë krejt gjakun, per t’i tregue kështu botës vendimin e pathyeshëm shqiptar deri sa t’a marrë vesht se krejt Kombi shqiptar asht i bashkuem për lirinë e vet.
E me të vërtetë kurrë Kombi shqiptar nuk i u paraqit botës ma i nji zanshëm ndër qëllimet e tija e ma i bashkuem ndër veprimet e tija. Mjafton të permenden emnat e qyteteve e të viseve që u perfaqsuen zyrtarisht në Lidhjen e Prizrendit, që janë: krejt krahina e Shkodrës, Plava Gusija, Gjakova, Peja, Senica, Novipazar, Mitrovica, Vuçiterni, Prishtina, Gilani, Prizrendi, Dibra, Tetova, Gostivari, Ohri, Monastiri, Veles, Korça, Kolonja, Frashëri, Leskoviku dhe vende të tjera të jugut.

Lidhja e Prizrendit e kishte formulue aktin e saj kushtetues në tri pika lakonike themelore, e po i nxjerr nga libri i Vico Mantegazza me titull «Albania».

1) – Lidhja shqiptare u kushtetue për mbrojtjen e revendikimin e tokës kombëtare.
2) – Çdo shqiptar mund të bajë pjesë në lidhje tue u betue, në çasin e pranimit, se do të luftojë me të gjitha mjetet për autonomin e plotë t’Atdheut.
3) – Çdo antar i Lidhjes që, tue i munguem detyrave të veta, do të jetë ba fajtuer për trathëti kundrejt Kombit, do të vritet pa mëshirë.

Tashti a mund të merret me mend se nji organizatë e tillë mund të ketë dalë nga vullneti turk? Jo! Lidhja e Prizrendit asht përkundra shfaqja ma e qartë e nji ndërgjegjes kombtare shqiptare të pjekun. Ajo na tregon se shqiptarë, sado që në dukje të ndame nga ndryshime fetare e krahinore, perballë armikut e përballë rrezikut  e ndjejnë vehten vetëm shqiptarë të gjithë të bashkuem nga zani i gjakut dhe i gjuhës së përbashkët.
Por mendimin dhe aspiraten e shqiptarve për Shqipninë e madhe e të lirë na nuk i gjejmë të shprehuna vetëm nga Lidhja e Prizrendit. Gjithashtu, çka kishin në mendje e zemer, veçse Shqipninë e madhe të lirë e të pamvarun, ata 500 krenë e pari shqiptarë që u ftuen të mblidhen dhe u vranë trathëtarisht në qytet të Monastirit nga Veziri i Madh Reshit Pasha me 3 korrik 1830.
E cili mund t’ishte shkaku i vertetë i 54 kryengritjeve në kater shekuj e gjysmë të krahinave të ndryshme të Shqipnisë së Madhe kundra kolosit turk veçse mos-durimi i verigave dhe vullneti për t’i thyem?
Historia nuk mundet të mos i a njohë edhe Ali Pashë Tepelenës, Guvernor pothuajse i pamvarun i Janinës, dhe derës së Bushatlijve të Shkodrës qëllimin e thellë të perbajnë Shqipninë e Madhe nën sovranitetin e vet.

Poeti dhe burri i Shtetit Vaso Pasha i Shkodrës, kështu pat kendue:

«Qyshë prej Tivarit deri në Prevezë
Gjithkahë ishon djelli vapë e rrezë
Asht toka kone, të parët na e kanë lanë,
Kush mos t’perkasë se desim t’anë
».

Eh po! Populli shqiptar e ka derdhë gjakun e vet si lumi gjatë shekujve; herë për t’a  mprojtun lirinë e vet e herë për t’a rifitue.


Luftërat shqiptare gjatë shekujvet


Luftat e tija fillojnë në histori qysh prej kohnave të vjetra kur quhej illyr. E humbë partinë e vet, siç ishte fatale, me Romakët si nën Pirron si nën Mbretnit e veriut. E mbaron tue u ba pjesë tanësore e Perandorisë, të cilës i jep, gjatë shekujve, legjione të pathyeshme, gjenerala me vlerë të madhe e deri nji radhë perandorësh të mdhaj.
Si ra Perandorija e Romës, të parët t’onë illyrët u shtrënguen t’u bajnë ballë ordhive barbare t’ardhuna nga veriu e veri-lindja. Disa ortekë kalojnë dhe shkojnë mbas dhjeta vjetësh, nga ndonji herë mbas ndonji shekulli kerdinash e shktarimesh, tue lanë mbas vehtes zbrazti, rrenime, tmerr. Mbas tyne vjen vala sllave që i gjenë vendin të përgatitun për nji vërshim të lehtë. Populli illyr, mjaft i pakësuem për numer, asht tashma i këputun e i fikun. Afshi i tij luftarak, zotësija e tij për qindresë u dobsue. Tashma dërmohet. E nënshtrohet. Sllavet vendosen përfundimisht ndër viset t’ona të bukura. Ky asht pushtimi ma serioz, ma i mbushun me pasoja për fisin t’onë. Nji pjesë shum e shenueshme e popullsive illyre thihet nga fuqija e jashtzakonshme e asimiluese sllave. Endë sot, të shqyrtuem në dritën e shkencës anthropologjike dhe ethnologjike, shum fise sllave duken qartas se i përkasin racës illyrë. Asimilimi sllav e elementave shqiptarë mund të thuhet se ka vazhdue deri nd’r ditët t’ona. E do të ju cekë disa shembuj si fisi i Kuçit në Mal të Zi, që deri ndonji shekull ma parë fliste vetëm shqip dhe mbante besimin katolik romak, sot nuk flet veçse sllavisht dhe i perket Kishës Orthodokse. Krahinat e Plavës e të Gusisë, në veri-lindje të Malit të Zi, deri nji gjysmë shekulli ma parë nuk dinte asnji fjalë sllavisht, sot i flet të dy gjuhët, e do të mjaftoshin edhe 50 vjet të tjera që të sllavizohen krejt po të mbeteshin nën nji zotnim jo shqiptar. Ma në fund, edhe nji shembull tjetër që i perket nji familjes së shkëlqyeshme: mbas pohimit vetë të vdekunit Mbret Aleksandrit si dhe të gjallit e të lulëzuemit Princ Palit, dinastia e Karagjeorgjeviçit i perket fisit të famëshem shqiptar të Kelmendit.
Shkurt mund të themi pa frigë gabimi se, n’asht se mbas kaq ngjarjesh mijavjeçare, ka ende sot nji popull shqiptar, tepricë e fisit illyr kjo i detyrohet kryesisht fuqisë së mbrendëshme të racës s’onë e mandej nji faktorit historik-gjeografik, tue pasë qenë bregu u Adriatikut, sot i banuem prej Shqiptarve, relativisht ma pak i çelun per pushtime barbare e njëkohësisht në takim të vazhdueshem,  me anë të detit, me boten italike.


Popull fatosash


Thotë Ponqueville «ky popull fatosash që aqë shum herë gjatë shekujve u shtrëngue të gjejë strehë ndër malet e tija të pakapercyeshme  për të ruejtun lirinë e vet, i shikonte prej së nalti perandorinat që lindeshin e vdisëshin për të zbritun mandej me i rifitue tokët e braktisuna».
Mund të shtohet edhe se në qoftë se pushtimi që solli edhe zotnimi turk i a pat hjekun popullit shqiptar lirinë e vet, n’anë tjetër e ka edhe ndihmue t’a ruej individualitetin e tij kombtar nga rreziku i asimilimit sllav.
Në kohë të mesme kombi shqiptar, mbasi pat vuejtun per nji kohë gjatë zotnimi bullgar e serb, me vdekjen e Dushanit e me shpartallimin e perandorisë së tij, muejti të riperbahej në princnina të ndryshme të pamvaruna e, nën dinastinë e Ballshajve të Shkodrës shofim Shtetin Shqiptar ma të fuqishëm që përmendë historija, kufijt e tij arrijshin deri në zemër të Bosnjes e në sebenik në njenën anë e në tjetrën pertej Gjinokastres e Kosturit.
Historijanët serb mund të pretendojnë sa të duen se Balshajt ishin prej fisit sllav. Ata kishin përkundra ndër dejt e tyne ma të pastrin gjak shqiptar. Aqë sa Ballsha i Irë, për t’a theksuem ma mirë shkëputjen e tij dhe pamvarsinë e tij nga bota serbe e lindore, them gati ndjendjen e tij të mbrendëshme si i huej dhe kundërshtar i asajë bote, u këthye menjiherë në katolicizëm, domethanë në besimin që ndiqte n’atë kohë populli shqiptar në shumicën e tij ma të madhe, në besimin që e çonte kah Roma e kah prendimi.

Të tjerë princa shqiptarë, si Shpatajt e Loshajt, e zgjanuen zotnimin e tyne në jug mbi të tanë Epirin, Akarnanjen dhe Etoljen. Por nji stuhi e re edhe nga Lindja për të ndermue gjithëçka gjindej në kambë  në Balkan. Nji popull aziatik plot fuqi e enthuziazem fetar i kërcënohej krej mbarë qytetnimit të Kirshtenë.
Perandorija e Lindjes, e mbetun tashma pa gjak e në lëngim nga luftat e gjata të bame në kater anët per njimij vjet, e mori grushtin e fundit prej Turkut. Gjysmë-hana përparon fuqimisht kah Prendimi. Bullgarija ra për tokë mbas pak vjetësh që turqit kishin shkelë n’Europë. Bizanti i drejtohej Papës. Europa mallëngjehet por nuk lëvizë! Thirrjes s’Urbanit V.të i përgjigjet bujarisht Amedeu i VI i Savojas dhe Venediku që transporton nëpër det Princin Sabaud. Luigji i Madh i Hungarisë, ndihmon, por pak e pa bindje. «Duka i Savoias shtje në dorë Gallipolin, e, n’ashtë se nuk përfundon asgja tjetër per mungesë forcash, kaq larg nga bazat e tija e jo i perkrahun nga populli grek mos - mirënjoftës – këto janë fjalë të nji auktori italjan – ban, shkurt aqë sa mjafton per të tregue përfundimin e madh që do të kishte arrijtun po t’ishin bashkue me te populli serb ose të pakten aleati Luigji i Hungarisë».
Por serbët kanë punë të tjera, kanë grindjet e tyne të mbrendëshme e nuk kujtohen se vala aziatike po përhapet pa mëshirë e sa shpejt do t’u vinte edhe atyne në shtëpi. E me të vertetë në 1389 ngjanë ndeshja fatale në fushë të Kosovës midis gjysmë-hanës e nji koalisjoni të krishtenë nën komandën e epërme të nji mbreti serb. Në ket betejë të famëshme u vra në luftim Mbreti Llazar të cilit i a mori gjakun, mbasi mbaroi beteja, nji fisnik serb tue e vra thrathëtisht Sulltan Muratin I.
Çeshtje të madhe kanë ba serbët për ket beteje të humbun tue marrë për vehte krejt therorinë pse per meritim as nuk mund të flitet. Duhet prandej të vehet mirë në dukje se ndeshja e Kosovës nuk u përballue vetëm nga serbët, por nga krejt nji koalisjon i krishtenë përba prej serbësh, boshnjakësh, dalmatësh, hangarësh e shqiptarësh, këta të fundit të komanduem nga Princi Gjergj Kastrioti, gjysh i fatozit t’onë Skanderbeu. E n’asht se aleatët i a dhanë Komanden e epërme mbretit serb, kjo u ba për të vetmen arsye se asnjena prej ushtrive të tjera aleate nuk ishte e komandueme nga  nji mbret si dhe pse ushtrija serbe ishte ma e shumët se çdo ushtri tjetër aleate.

Fakti ma i randësishme per ne qëndron këtu: n’asht se mbretnija serbe u shemb përpara kolosit turk në nji betejë të vetme, sado që shum e madhe, populli shqiptar u a preu turqve rrugen e prendimit edhe për 76 vjet të tjera. E në qoftë se populli serb mund të pretendojë nji të drejtë historike kundrejt Europës vetëm e vetëm për vdekjen e nji Mbreti të tij në nji betejë kundra turqve, me ma teper arësye duhej t’i njihej popullit shqiptar e drejta për mirënjoftjen e qytetnimit të krishtenë prendimuer, që për tri të katërta shekulli pati në te nji pritë të pakapërcyeshme kundra barbarisë aziatike.


Mos-mirënjohja e Europës


Por ket detyrë mirënjoftjeje Europa e ka harrue për shumë kohë. Populli shqiptar, që i u nënshtrue peshës së pamasë të fuqisë turke mbas nji qindresës së gjatë e heroike, në shumicën e vet të madhe bani kundrejt krishtenimit deliktin e mohimit t’atij besimi që me aq nxehtësi e heroizëm e kishte mbrojtur ma parë. Nuk po flasim këtu për këtë fenomen shoqnuer shum të randësishëm as për faktorët që e shkaktuen, as për të të gjitha pasojat e tija. Po themi vetëm se ndëshkimi që i u dha popullit shqiptar prej Europës së krishtenë per ket faj të tij ka qenë me të vertetë i randë, i papërshtatun, i padrejtë. Shqiptari u braktis në fatin e tij plot vuejtje, si i mallkuem, i perjashtuem nga kolektiviteti europjan. Të gjitha përpjekjet e tija për t’u shlirue prej zgjedhës otomane mbeten pas asnji ushtimë n’Europë, u quajtën si nji punë e mbrendeshme, shkurt si nji shamatë në familje.
Në fund të fundit çë na duhet – mendohej – se të pafetë vrasin shoqi shojnë? E kur shqiptarët orthodoksl të Sulit japin ndihmën e tyne vendimtare per lirinë greke, vetë Greqija e me te edhe nji pjesë e madhe e Prendimit do të marrin rasë nga ky gjest bujar për të thanë se orthodoksët shqiptarë e ndiejnë vehten grekë, se, bile, janë grekë. Kur malcorët trima katolikë të Mirditës, të Hotit e Grudës rrokin armët për të luftue bri vllazenve musulmanë të Plavës e të Gusijës për t’i thyem së bashku trupat malazeze që deshten të marrin nën zotnim tokët shqiptare që i u shenjuen prej Kongresit të Berlinin Shteti fqinj, Europa do të dergojë nji flotë të madhe ndërkomtare për t’i trembun mprojtsit e Ulqinit e do t’a shtrëngojnë Sulltanin të bajë nji dergatë ndëshkuese kundra kryengritsave shqiptare që duen të vdesin dhe vdesin ma parë se me flijue nji pllambë tokë t’Atdheut të tyne.
Ja se pse, ndërsa popujt e tjerë ballkanike të favorizuem, të ndihmuem, të perkrahun me të gjitha mjetet nga fuqitë e krishtena, e fituen lirinë e tyne nji shekull ma parë se shqiptarët, këta të fundit u detyruen t’a durojnë zotnimin e huej deri në 1912, kur Roma e Vjena u kujtuen se në bregun linduer t’Adriatikut ishin disa interesa jetësore per t’u mprojtun nga reziku sllav e grek dhe se mënyra ma e mirë për t’i pajtue këto interesa me drejtësi ishte ajo e përkrahjes s’aspiratave të shenjta të popullit shqiptar per pamvarsinë e vet. E kështu, në sajë të përkrahjes së fortë që na u dha prej dy fuqive mike, Itali e Austro-hungari, na muejtëm, me 28 nanduer  1912, mbas katër shekuj e gjysëm robnije, me e ngrejë në Vlonë flamurin t’onë kombtar, flamurin e lirisë, flamurin e Skanderbeut mburojë e qytetnimi prendimuer, Princeps Emathiae, Rex Epirotarum, Dominus Albaniae.


Roli i Shqipëtarëve në Perandorinë Turke


Por më lejoni këtu të hik pal nga thema: pse nuk due të largohem nga periudha e zotnimit turk mbi Shqipni pa e thanë ndonji fjalë edhe mbi rolin pozitiv të shqiptarve në ket Shtet.
Kemi jetue ma se kater shekuj non Turqi. U mundëm e kaluem nën zotnimin e sajë. E humbëm lirinë t’onë kombëtare.
Së parit na mbajtën si popull i mundun e i pafe, si të gjithë popujt e tjerë të krishtenë të Perandorisë otomane, pa asnji të drejtë politike, shkur so raje si na quejshin zotnuesat në gjuhën e tyne, domethanë si të nështruem, pa asnji pjesëmarrje në pushtetet civile o ushtarake të Shtetit. Turqit e ndajshin derin në shekullin XIX të tanë kombin në dy kategorina: quejshin popull sovran pjesën musulmane tëKombit e popull i nënshtruem turmën e të pafeve që nuk gëzojshin asnji të drejtë politike dhe përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak.
Në të gjitha të tjerat Turqit dreguen tolerancën ma të gjanë kundrejt nënshtetasve të krishtenë, simbas urdhnimeve të Kuranit.
Porse, si duket, ket gjendje inferioriteti e tolerance të thjeshte shumica e Shqiptarve nuk muejti me durue për nji kohë të gjatë. Prandej u këthyen në fenë islame. E prej atij çasi hyn automatikisht në kategorinë e popullit sovran, politikisht të njajtë në gjithëçka me Turqit vetë, si edhe popujt e tjerë musulmane të Perandorisë: arabët, qyrdet, etj. Tashti, tue përshkrue historinë politike, administrative e ushtarake të Turqisë së vjetër, do të shifet se ndër burrat e Shtetit të mëdhaj të sajë, e ndër gjeneralat e sajë të vlefshëm numri i shqiptarve i kalon proporcjonalisht të gjithë popujt e tjerë bashkë me popullin turk vetë.
Asht ky nji fenomen gjasësisht mund të studjohej edhe nga pikpamja racjale, tue vrejtun se ndër popujt europjanë që marrin pjesë ndër pushtetet shtetnore, vetëm shqiptarët i përkitshin racës arjane po të përjashtojmë qyrdet të pakët per numer e ma pak t’arsimuem në krahazim me të tjerët. Sido qoftë Perandorija otomane, si në kohen e vjeter ajo romake, u ka vjeftë shqiptarve si fushë sprovimi për t’i tregue vetinat e tyne të mendjes në të tana lamët, me gjithë numrin e tyne relativisht të vogël. Gjithashtu njerz të mëdhaj nga raca e jonë na gjejmë kudo nëper botë ku ka kolonina shqiptare: mjafton të përmendet i madhi Krispi i jueu dhe i ynë, dë deri emni i Tij i familjes asht nji fjalë shqipe që shënjon kryetar i shtëpisë.

E tashti të këthejmë në shpalljen e pamvarsisë së Shqipnisë. N’asht se Italia e Austro-Hungarija, të përkrahuna nga Gjermani, arrijtën n’atë kohë me ba që edhe anmiqët e Shqipnisë t’a njifshin nji Shtet shqiptar të pamvarur, kufijt e shenjuem këtij Shteti Shqiptar nuk i pergjegjeshin asnji kriteri të drejtë, as ethnike, as historike as gjeografike. Nga dy miljona shqiptarë të thjeshtë që gjinden kompakt në gadishullin balkanik që dikur mbante emnin e gjyshave të tyne e quhej «gadishulli illyr», gjysma u lanë nën zotnimin serb e grek. Nji miljon popull, që flet të njajten gjuhë, që ka të njëjtat zakone në të tana shfaqjet e jetës, të njëjtat ndjenja, prej çamëve deri te kosovarët, prej suljotve, fatoza të lirisë greke, deri te Hoti e Gruda, u detyrue të njofë 30 vjet robni që ban të qahen 400 vjetët e zotnimit të Sulltanave. E tokët ma të mirat ma të begatshmet e ma të shëndoshtat e Kombi shqiptar i u falen serbve me padrejtësi të pashembull.


Kufitë shqiptare


Ishte koha kur sundonte diplomacija e Parisit dhe e Londres, e frymzueme jo nga kritere drejtësije, por nga interesa egoiste të poshtra që arrijten kulmin me traktatin e mallkuem të Versaljes, mishnim monstruoz i të gjitha ligësive.
Vetëm nji njeri i ndjeu edhe i shpalli i parë në të tanë boten padrejtësinat e traktateve të ndryshëm të paqes dhe përkrahi me forcë t’admirueshme, me qindresë të plodhëshme nevojën e ndryshimit të tyne për të miren e të gjithëve. Benito Mussolini, që lëshoj frazën e famëshme qortuese: «Traktatet nuk janë të përjetëshem». Por nuk u ndigjue. I bani ushtimë vetem miku i tij i madh, prijsi i kombit të madh gjerman Adolf Hitler. E të dy bashkë, të ndjekun nga bloku i çeliktë i të dy popujve të bashkuem për jetë e për vdekje, vendosën t’u a imponojnë me armë perfituesave kokëfortë drejtësinë për vehte dhe pët të gjith ata që në të kaluemen qenë flija të përdhunive ndërkombtare. Në rendin e ri që do të dalë nga fitorja e pamungueshme, dërmuese, vendimtare e Boshtit, populli shqiptar do t’a ketë ma në fund njisinë e vet kombtare ndër kufijt e Shqipnisë ma të madhe të pamvarun, e bashkueme pazgjithmenisht me Italinë e Mussolinit nën skeptrin e Madhënisë së Tij Viktor Emanuelit III.

Ky asht fryti ma madhështuer që Kombi shqiptar po vjelë sot nga bashkimi i tij me Itali. Populli shqiptar nuk do t’a harrojë kurr se arritjen e idealit të tij kombtar ma t’eperm i a detyron trimnisë e therorisë s’ushtarit italjan, zhenisë dhe vullnetit të Duçes, krijuesit të Shqipnisë së re të madhe të pamvarun.

 

Mustafa Kruja


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...