Oshtima

Strukturat sociale të ilirëve

Meqë gjatë trajtimit të çështjes së strukturave politike është folur pjesërisht edhe për strukturat sociale të ilirëve, këtu do të ndalemi vetëm në disa dukuri që janë tepër karakteristike, sidomos për disa vendbanime ilire. Për fat të keq, edhe këtu duhet të pajtohemi me faktin e mungesës së burimeve të shkruara. Kështu, bie fjala, «Historia e skllavërisë» e Theopompit ka humbur, si edhe komedia e «Dulodidaskalos» e Ferekratit, i cili ishte bashkëkohës i Perikliut dhe «me nostalgji e përkujton kohën kur nuk ka pasur skllevër»1. Kur dihet se të gjitha burimet që disponojmë dhe të cilat pak a shumë na njohin me strukturat sociale janë kompilacion i dorës së tretë dhe të katërt, atëherë kuptohet fare mirë përse çështja bëhet edhe më e vështirë. Si shembull mund të merret Atheneu (shek. II e.s.) i cili, duke folur për disa dukuri sociale te ilirët, shprehimisht thotë se të dhënat i ka marrë prej Theopompit nëpërmjet Hermiposit (peripatetikut nga Smirna, i cili jetoi rreth vitit 200 para e.s.2 dhe pos tjerash ka shkruar edhe veprën, «Mbi jetën e shtatë të mençurve» («Pitagorës e Aristotelit dhe nxënësve të tyre, pastaj Gorgies dhe Izokratit dhe miqëve të tyre). Edhe ky thotë vetë se të dhënat i ka marrë prej Periandrit nga Korinthi, po ashtu njeri nga shtatë të mençurit3.
S’do mend se një gjendje e tillë e vështirëson edhe më përcaktimin kohor të disa dukurive të jetës sociale jo vetëm të fiseve ilire, por në përgjithësi edhe të bashkësive të gjëra shoqërore në zonën mesdhetare.
Megjithatë edhe kjo çështje duhet shqyrtuar në kuadrin e botës helenistiko-romake. Kjo nuk do të thotë kurrsesi se strukturat sociale mund të përgjithësohen për tërë trevën gjeografike të fiseve ilire, kur dihet se duhet t’i kemi parasysh veçantitë dhe karakteristikat gjeografike, pastaj kushtet politike e ekonomike, të cilat nuk kanë qenë të njëjta kudo që jetonin fiset ilire.
Përveç shtresave të larta shoqërore, përfaqësuesve të pushtetit politik, aristokracisë ushtarake fisnore, në burimet e shkruara bëhet fjalë edhe për elemente të tjera të rëndësishme dhe tejet interesante të strukturave shoqërore, si p.sh. për prospelatët, dulojtë dhe oberatët. Kështu Agatarhidi nga Knidi (gjeograf dhe historian që jetonte në oborrin e Ptolemeut, kah vitet 200-120 para e.s. filozof peripatetik), autor i veprës Asiatika në 10 libra, dhe Europiake në 49 libra me të dhëna historike4, na i transmeton të dhënat nga vepra e Theopompit Filipikai historiai, II, e cila për nga koha u takon viteve 350-358 p.e.s. Duke folur për ardianët, ai thotë se këta kanë pasur 300 000 prospelatë, të cilët i kanë shfrytëzuar si helot5...
Por, duke pasur parasysh se në këtë kohë ardianët shtriheshin përgjatë bregdetit Adriatik, dhe bujqësia në jetën ekonomike të tyre në këtë kohë ka qenë e dorës së dytë, pa kurrfarë mëdyshje mund të pranohet mendimi i A. Mocsyt se fragmenti i Theopompit ka të bëjë me autariatët e jo me ardianët. Sipas Strabonit6, autariatët na paraqiten pikërisht në këtë kohë si popullsia më e madhe në mesin e ilirëve, kurse në një vend tjetër Atheneu, kur flet për dardanët, thotë se këta kanë pasur më se 1000 duloj të cilët në kohë paqeje kanë punuar tokën, ndërsa në raste nevoje shkonin me zotërit e tyre në luftë7.
Edhe pse të dhënat që flasin për një numër kaq të madh janë të pabesueshme dhe të ekzagjeruara, ndaj është vështirë të shfrytëzohen, prapëseprapë kjo tregon se këta autorë të lashtë nuk i kanë njohur mirë marrëdhëniet reale prodhuese, që kanë qenë karakteristike për bashkësitë shoqërore të organizuara në sistemin fisnor. Veç kësaj, dihet fare mirë që faktori i skllavit te fiset ilire nuk ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën ekonomike8. Por që të kuptohet sa më mirë çështja e dukurisë shoqërore të dulojve, respektivisht prospelatëve, madje edhe e oberatëve, është më se e nevojshme që kjo shqyrtohet në një vertikale historike.
Dihet mirë që një bujqësi intensive nuk kërkon shfrytëzimin e fuqisë së skllevërve, pikërisht për shkak të produktivitetit të tyre të ulët. Ndryshe nga aktivitetet tjera ekonomike, që ishin karakteristike për qytet e zejet të ndryshme në Greqi9, aktivitetet kulturoro-shpirtërore, shërbimet në aparatin shtetëror, siç ishte rasti në Romë, në Lindje skllevërit nuk kanë pasur rëndësi për bujqësinë10. Ai paraqitet me shfaqjen e latifundistëve11. E njëjta situatë është edhe në Greqi.


Është e njohur se në kohën arkaike në Greqi tokën e kanë punuar anëtarët e familjes. Madje edhe vetë fshatari — argati nuk ka qenë i favorizuar në punët e bujqësisë. Një shembull ilustrativ për këtë e kemi te Hesiodi i cili bashkëkohësve të vet u rekomandon: «(...) them se fuqia punëtore e fshatarit-argat është e dobët»12.
Në dritën e këtyre të dhënave, mund të shihet qartë se elementi i skllavit, jo vetëm në kohën arkaike, por as më vonë nuk ka luajtur kurrfarë roli të rëndësishëm në bujqësi13. Me fjalë të tjera nocioni skllav «ka të bëjë me strukturat qytetaro-zejtare, të cilat, sipas Aristotelit, paraqesin një turmë zejtarësh dhe punëtorësh me një hordhi skllevërish.14 Por edhe përkundrejt kësaj, shtrohet pyetja: cilët ishin këta prospelatë te autariatët, dulojtë te dardanët, apo oberatët te ilirët? Te Aristoteli lexojmë se penestët e Thesalisë dhe helotët e Lakedemonisë ishin element i papunësisë dhe i turbulirave edhe pse punonin tokën15. Megjithatë, çështja në vetvete është shumë e vështirë. Kjo vështirësi rrjedh në rend të parë nga interpretimet e ndryshme të burimeve. Prandaj nuk duhet të thjeshtohet çështja dhe të kënaqemi me një konstatim të përgjithsuar, Aq më tepër kjo vlen kur dihet se edhe qëndrimet ndaj skllevërve, ndaj pozitës së tyre juridiko-ekonomike dhe politike kanë qenë të ndryshme. Hulumtimet rreth çështjes së skllavërisë në kontekstin e botës helenistike, të bëra në gjysmën e dytë të shekullit tonë, kanë treguar se në periudhën parahelenistike kanë ekzistuar rreth dhjetë nocione për fjalën «skllav» si: «shërbëtor» «kmet», «bari»16, «pjesëtar i familjes», «fëmijë», «kallfë», «ndihmës», «shërbyes», «copë». Të gjitha këto nocione, për nga aspekti juridik, tregojnë njeriun jo të lirë17, kurse fjala dulos, prej shekullit V-II p.e.s. siç mund të shihet edhe nga kushtetuta e Gortynes, është në përdorim vetëm në trevën jonike, ndërsa jashtë kësaj treve kjo zëvëndësohet me ojketes, që do të thotë «pjestar i familjes», apo «fqinjë»18, Kjo domethënë është tepër e rëndësishme, sidomos për çështjen në shqyrtim, me të cilën do të merremi edhe këtu.
Me interes është për t’u cekur se kjo fjalë nuk është indo-europiane19. Dhe, me që rrënja dul gjendet në shumë emra vetiakë të Azisë së Vogël, kurse në Greqi në këtë funksion askund nuk është dëshmuar, mendohet se prejardhjen e ka nga Azia e Vogël20. Me këtë rrënjë paraqiten emrat tek krishterët si apelativë prej dule Hristu në emrin vetiak Dulas i vitit 527 i e.s.21. Ekziston mendimi se kjo do të jetë e karakterit trakofrigas me domethënie «shtëpi», «pjestar i familjes», «fqinjë» «skllav»22. Por në sajë të glosës së Hesychiut: dulos he oikia e ton epi to auto syneulesin ton gynaikon — dolodomeis oikogeneis23, shihet qartë se përputhet me domethënien e fjalës «shtëpi». Ka mundësi që domethënia «shtëpi», për dulos është shfaqur në Azi të Vogël përmes «pjesëtar i familjes» në «skllav». Megjithatë, M. Lambertzi24 lejon supozimin që domethënia dulos «skllav» të zëvëndësohet me oikos «shtëpi», dhe një zëvendësim i tillë i është njohur Hypponaksut nga Efezi (rreth vitit 540 të e.s.), i cili ka qenë i ndjekur prej tiranit Athenagorës Komosa në Klaozomenë, dhe duke jetuar atje, i përzier me barbarë, e ka humbur pastërtinë e dialektit jonik25. Të gjitha këto të dhëna të rëndësishme flasin në dobi të mendimit se domethënia e fjalës dulos përputhet me domethënien e fjalës «shtëpi», respektivisht «pjesëtar i familjes», edhe pse në greqishten e vjetër fjala dulos nuk e ka domethënien «shtëpi»26. Në favor të kësaj domethënie shkon edhe domethënia e fjalës etruske në trajtë të apelativit dhe e cila shumë shpesh gjendet në përmendoret e mbivarrezave dhe lidhet me fjalën greke tholos. Kjo fjalë përmendet shumë herë edhe në liber linteus të Zagrebit, një çarçaf në të cilin ka qenë e mbështjellë një mumje egjiptiane. Kjo fjalë greke identifikohet me fjalën dulos nga Azia e Vogël, që të dyja me domethënien «shtëpi», e në këtë rast «shtëpia e të vdekurve», «shtëpia e të ndjerit». Përhapja e kësaj fjale duhet kuptuar si huazim nëpërmes jonëve të Azisë së Vogël në trajtën dulos te dorët sikurse bule, dorisht bola, kurse në dialektet tjera ajo është përhapur përmes koinesë27.
Me sa u tha më lart del përfundimi se fjala duloi te dardanët nuk mund të kuptohet si kategori sociale, siç është fjala skllav. Në një përfundim të tillë na shtyn edhe procesi i përgjithshëm i skllavërisë në botën helene.
Nga aspekti kohor ky proces ndahet në dy faza: 1. periudha pararomake, dmth. helene dhe 2. romake. Deri sa në fazën e parë skllevërit përbëheshin kryesisht prej trakëve, sirianëve, popujve rreth Detit të Zi dhe barbarëve, në fazën e dytë, si pasojë e pushtimeve të suksesshme të legjioneve romake, skllevërit janë jo vetëm me prejardhje të ndryshme, por skllavëria bëhet, sidomos pas vitit 200 p.e.s., edhe institucion shtetëror. Kjo dukuri tani është karakteristike jo vetëm te romakët, por edhe te grekët, siç na dëshmon diploma e Delfit, e cila flet për skllevërit e liruar28. Veç kësaj, është e nevojshme të theksohet edhe fakti se, sidomos në Greqi, ka ekzistuar jo vetëm mbrojtja juridike e skllavit, por ai ka mundur të zotërojë edhe njëfarë pasurie29. Me një fjalë, elementi i skllavit në këtë kohë nuk paraqet ndonjë faktor të rëndësishëm në bujqësi. Madje duhet të kemi parasysh edhe dukurinë, e cila ishte karakteristike në Greqi për shekullin IV p.e.s., se përveç fshatarëve të lirë ka pasur edhe gjysmë të lirë, d.m.th. jo të lirë nga aspekti juridik. Dhe që toka të punohet sa më mirë ajo u është dhënë këtyre dy kategorive të fundit30. Dhe, kur dihet se Agatharhidi nga Knidi përmes Atheneut shfrytëzon të dhënat e Theopompit të shekullit IV p.e.s., besojmë se nuk jemi larg së vërtetës në qoftë se konstatojmë se këta duloj te dardanët do të ishin më parë qiramarrës, të cilët edhe pse juridikisht nuk ishin të lirë, ekonomikisht ishin të pavarur. Si të tillë, kanë shërbyer bashkë me anëtarët e familjes në ushtrinë e dinastëve. Megjithatë, numri i tyre nuk ka mundur të jetë aq i madh, siç na e japin autorët e lashtë31. Kjo që u tha për elementin duloj vlen pa dyshim edhe për prospelatët tek autariatët.
Edhe çështja e përkatësisë së tyre etnike nuk paraqet ndonjë vështirësi të madhe. Sidoqoftë, nuk mund të pranohet shpjegimi se si këta duloj (te dardanët) dhe prospelatët (te autariatët), etnikisht ishin diçka krejtësisht tjetër nga dinastët e tyre, siç mendon A. Mocsy33. Ai, në realitet mundohet të shpjegojë dhe ta argumentojë mendimin e tij duke u nisur nga dukuria e shndërrimit të pushtetit politik të një elementi në dëm të elementit tjetër. Pikërisht, ashtu siç ishin të mundur tribalët prej autariatëve, edhe këta të fundit ishin të mundur prej keltëve. Edhe K. Paçi34, në mungesë të materialit të mjaftueshëm arkeologjik dhe të burimeve të tjera të përshtatshme, mendonte se i tërë Gadishulli ballkanik ka qenë i banuar prej trakëve, të cilët, më vonë, i kanë nënshtruar fiset ilire. Sipas këtij mendimi del sikur këta duloj, ose prospelatët, etnikisht do të kishin prejardhje të huaj. Por nga analiza e materialit arkeologjik dhe burimet tjera të natyrës së ndryshme nuk del e qëndrueshme teza trake e K. Paçit, edhe pse mendimi i tij aty-këtu vërehet sot e kësaj dite qoftë në shkrimet e autorëve jugosllavë35 dhe të atyre të huaj36. Pikërisht në sajë të rezultateve të materialit arkeologjik dhe në mbështetje të analizave të materialit gjuhësor nga treva ilire, konceptet e përmendura nuk mund të përligjen. Prandaj dulojtë, ose prospelatët janë element vendas, autoktonë.


Përsa i përket strukturës sociale në kohën romake, mund të thuhet se ajo nuk është ndryshuar aspak. Që më parë është cekur se romakët në qëndrimin e tyre kundrejt vendeve dhe popujve të pushtuar kanë qenë jo vetëm të kujdeshëm, por janë munduar që format shoqërore-ekonomike të këtyre popujve t’i ruajnë, duke u dhënë vetëm një interpretim juridik romak. Për njohjen e këtyre strukturave sociale në periudhën romake pa dyshim rëndësi të madhe ka vepra e M. T. Varronit (116-27 p.e.s.)37. Ai, si duket, si legat i Pompeut, ishte në Ilirik në vitin 67 p.e.s., si pjesëmarrës në luftërat kundër piratëve detarë38. Kështu ka pasur mundësi që të paktën pjesërisht, të njihet me gjendjen sociale dhe ekonomike të kësaj treve39. Dhe me që edhe vetë ka qenë latifondist, ai në veprën e vet jep këshilla se si duhet të punohet toka. Kështu ai në veprën e vet, ndër të tjera, thotë: Të gjitha tokat i punojnë ose skllevërit ose njerëzit e lirë qoftë kur punojnë (tokën) vet, siç veprojnë pjesa më e madhe e të varfërve me fëmijët e vet, qoftë edhe me njerëz të paguar, kur me ndihmën e njerëzve të lirë kryhen punët e rënda si vjeljet ose korrjet, edhe këta ne i quajmë obaerati (punëtorët) dhe të tillë ka shumë edhe tani në Azi dhe Egjipt, po ashtu edhe në llirik»40.
Nga këto të dhëna shihet qartë se M. T. Varroni flet për dy strukturat sociale kryesore që i përbënin: 1. fshatarët e lirë dhe 2. skllevërit.
Përsa i përket grupit të parë, ai përbëhet prej tri kategorive, që janë: a — pauperculi (të varfërit, apo pronarët e vegjël), të cilët së bashku me fëmijët e tyre punojnë tokën, — b. mercenari, të cilët paraqiten si fuqi punëtore stinore dhe kryejnë punët më të rënda të bujqësisë, siç janë vjeljet, kositjet, korrjet dhe bluarja e drithrave, dhe në fund — c. obaerati, të cilët paraqesin elementin e atyre strukturave, të cilat për shkak të borxheve, kanë rënë në pozitën e skllavërisë. Edhe pse dy kategoritë e para deri diku janë të kuptueshme, kjo e fundit, obaerati, është vështirë të determinohet dhe të përkufizohet.
Vetë Varroni thotë: «Iique quos obaeratos nostri vocitarunt et etiam nunc sunt in Asia atque Aegypti et in Illyrico complures»41. Shtrohet pyetja: cilët ishin këta obaerati dhe çfarë strukturash sociale paraqitnin? Sipas disave, ata paraqesin popullsinë fshatare, e cila, për t’u paguar borxhet zotërinjëve të vet, ka qenë e detyruar të punojë si argat (pa pagë) së bashku me fëmijët e vet42. Ka edhe të tillë që mendojnë se këta obaerati mund të identifikohen me fshatarësinë e varur të trevave trake se ishin në pozitë të bujqëve të skllavëruar, të ngjashëm me dulojt e dardanëve. Por një identifikim i tillë është vështirë të pranohet. Veç kësaj, edhe vetë paralelja kohore. d.m.th. me shek. IV p.e.s. disi është tepër e guximshme e vështirë se mund të pranohet edhe shpjegimi i domethënies së fjalës, që pa dyshim shkakton vështirësi të konsiderueshme. Sipas F. K. Savignyt43, kjo fjalë duhet të shkruhet jo si Obaeratii por si Operaii. Forcellini44 thotë se për një mendim të tillë nuk ka kurrfarë arsyetimi. Por, megjithatë, ai nuk merr kurrfarë qëndrimi të prerë, pasi përdor të dy trajtat «obaeratii» dhe «operarii». Është me interes të përmendet se kjo kategori sociale përmendet edhe te Plini Plak45, gjë që nuk duhet të na befasojë, pasi dihet se, siç u tha edhe më parë, Varroni ka qenë një nga burimet e tij më të rëndësishme. Por, te Plini Plak përdoret në funksionin «aere diruti» d.m.th. njerëz të nënshtruar erarit (thesarit) të shtetit romak (Aerarium populi Romani)46. Sipas A. Dabinoviqit, fjala është për njerëz të cilët kanë kaluar nga pronësia shtetërore (ager publicus) në atë private, prandaj meqë në kohën e Varronit prona tokësore të tilla, «ager publicus» nuk ndaheshin më, atëherë mendohet se këtu kemi të bëjmë me fshatarët në «ager publicus romanus», të cilët tani quhen Obaerati»47. Një interpretim i tillë vështirë se mund të vlejë edhe për trevën ilire kur kihet parasysh fakti se këtë trevë romakët e kanë njohur më tepër si vend të pasur me xeherore se sa si vend bujqësor. Është cekur disa herë se te ilirët elementi i skllavërisë në bujqësi nuk ka qenë faktor i rëndësishëm në ekonominë e tyre, pavarësisht nga trajtat e ndryshme dhe mënyrat e interpretimit. Prapëseprapë shpjegimi që e jep Forcellini48 dhe disa të tjerë, që nën nocionin «obaeratii» respektivisht «operari», duhet kuptuar si kategori sociale, e cila ka paguar borxhin e vet me punë në fushë së bashku me anëtarët e familjes së vet, është më se i pranueshëm.


Nga vepra e Varronit njihemi edhe me atë strukturë sociale e cila merrej me blegtori. Në këtë degë të prodhimtarisë rol të rëndësishëm ka pasur gruaja. M. T. Varroni nuk mund të mos befasohet, por edhe ta admirojë qëndrueshmërinë e gruas ilire, e cila është e fortë, e lirë dhe jo e turpshme; kurse në punë aspak nuk mbetet pas meshkujve49. Në bisedë me bashkëbiseduesin e vet, Tremeliun, i cili i tregonte se i ka parë gratë në Liburni të ngarkuara me dru, por që në duar përpa disa mbanin nga një e disa nga dy fëmijë50, ai i përgjigjet se gratë ilire aq lehtë lindin sa që kur vjen koha për të lindur, anohen pak në një skutë dhe bëjnë fëmijën sikur e gjejnë e jo e lindin51. Prandaj nuk është për t’u habitur pse një romak, duke ditur dobësinë dhe shëndetligësinë e grave romake, ka qenë i mahnitur jo vetëm me një pozitë të tillë të gruas ilire, por edhe me qëndrueshmërinë e vitalitetin e saj: ato janë «matres familias» me kuptim të «zonjës së shtëpisë», e cila pozitë është e strukturave të lira sociale blegtorale52. Sidoqoftë, pozita shoqërore e gruas ilire ka qenë tepër e volitshme dhe mund të thuhet se ajo ka qenë e barabartë me mashkullin. Nuk mund të shpjegohet ndryshe (në mes tjerash) sundimi i Teutës pikërisht në një kohë aq kritike për ilirët. Madje Atheneu53 na flet (duke përfolur Theopompin), për emancipimin dhe lirinë e gruas ilire, e cila ka ngrënë dhe pirë me meshkujt në gostira dhe ahengje, apo çonte dollinë për mysafirët. Me vendosjen e pushtetit romak në trevën ilire, struktura sociale nuk pëson aspak ndonjë ndryshim. Romakët, të prirur nga pragmatizmi politik, e kanë ruajtur gjendjen e përparshme të strukturave sociale, duke u dhënë vetëm interpretimin juridik romak. Vetëm në këtë mënyrë Roma ka mundur të zbatojë politikën e jashtme, qëllimi kryesor i së cilës ishte që ta shfrytëzojë sa më shumë pasurinë nëntokësore të tërë trevës ilire54. Duke filluar prej Vespazianit55, Trajanit56 e tutje, Roma fillon të themelojë në viset e pushtuara koloni dhe municipiume, me qëllim që ta thyejë qëndresën e popullsisë vendase. Popullsia që jetonte në rrethinën e këtyre qendrave është trajtuar si incolae57 (që e punonin tokën me pagë), apo mercenare. Dhe derisa popullsia e kolonive shërbente në legjione, ajo e municipiumeve, si peregrin, shërbente në trupat ndihmëse58.
Me zhvillimin e sistemit të latifundeve, struktura sociale pëson ndryshim59. Pozita gjithnjë e më e rëndë sociale e ekonomike e kolonëve pati si rrjedhim braktisjen e tokës dhe ikjen e tyre prej pronarëve. Prandaj, duke filluar prej shek. IV e.s., perandorët, për të penguar këtë dukuri, janë orvatur që me masa të ndryshme ligjore t’i lidhnin këta kolonë me tokën59. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe fshatarët e lirë60. Një pozitë e tillë nuk i ka dalluar ata aspak nga skllevërit.
Edhe pse në qendrat urbane struktura sociale ka qenë e diferencuar dhe deri diku ishte në pozitë më të mirë, prapëseprapë pozita sociale e strukturave që punonin në xeherore dhe gurore ishte identike me të skllevërve. Këtë na dëshmojnë të dhënat e Florit61, i cili thotë se Augusti i dha urdhër Viviut, mëkëmbësit të Dalmacisë, që ta detyronte popullsinë vendase për të punuar në minierat e xeherorëve.

 

Studime Dardane, Tiranë, 1981.

 


 

1)  Krh. M. Djuric, Komentar Aristotelovoj politici, 280, shën.
2)  Krh. Lexikon der Antike, I Bd. 2, 219.
3)  Krh. Fr. Chamoux, Grcka civilizacija, 84, 440; G. Novak HZ 1/1948, 145.
4)  Krh. Lexikon der Antike, I. Bd, 1, 78.
5)  FGH II, 40: «Ardiaioi de — fesi — kektentai prospelaton hosper helioton triakonta miriadas».
6)  Strab. VII 5, 11
7)  Athen. VI, 272 d: «Dardaneis fesi dulus kektesthai, ton men hilius„ ton de kai pleius tuton d’hekaston en men eirene georgiin, en polema de lohizesthai hegemona nemontas ton idion despoten».
8)  Krh. M. Garasanin, Istorija Crne Gore, I, 93.
9)  Herod. II 167: Helenët (...) dhe thrakasit, skitët, persianët, lidasit dhe gati të gjithë popujt e huaj njerëzit të cilët merren me ndonjë zeje, po ashtu dhe fëmijët e tyre i konsiderojnë për diçka më të ulët se sa shtresat e tjera; kurse ata të cilët nuk merren me zeje, e sidomos ata të cilët merren me punët ushtarake, i konsiderojnë si më të lartë».
10) Krh. O. Neurath, op. cit. 29, 57, 78, 149.
11) Krh. H. Kunov, vep. e cit. II, 19.
12) Heziod, Poslovi i dani, versi 604 (sipas përkthimit të A. Bazala).
13) Krh. O. Neurath, vep. e cit. 78.
14) Po aty 79-80.
15) Arist. Polit. II 2, 13, 6, 2-3 (sipas përkthimit Lj. Crepajac).
16) Odisea, XIV 102.
17) Krh. C. Schneider, vep. e cit. II, 167.
18) Krh. M. Lambertz. Glotta, VI/1915, 15, shën. 2. Ekzistenca e oiketai, duloi si shërbëtor shtëpiak, respektivisht personal dëshmohet edhe te Herod. VI 63, 67, 70; Ksenof. Hellanika, III, 1, 27; Polyb IV 81, 7; V 29, 9; 35, 5.
19) Glotta, VI/1915, lj E. Kretschmer Glotta, XVIII/1930, 74.
20) Glotta, VI/1915, 7; Glotta, XVIII/1930. 74.
21) Glotta, VI/1915, 9.
22) Glotta, XVIII/1930, 74.
23) Cit. ap. Glotta, VI/1915, 1.
24) Glotta, VI/1915, 4, 13.
25) Glotta, VI/1915, 4.
26) Glotta, VI/1915, 3, 13.
27) Glotta, XVIII/1930, 75.
28) Krh. C. Scheider, vep. e cit. II, 1, 8.
29) Idem. 174 ss.
30) Krh. O. Neurath, vep. e cit. 19.
31) F. Papazoglu, ZFF VII — 1/1963, 43-44; P o a j o: Srednjobalkanska plemena, 83, 371, 32) shën 170 mendon se këta duloi më së afërti i përgjigjen pozitës së klientëve romakë. S. Islami (Iliria, IV/1, 1976, 77, shën. 43) i konsideron si element ekonomikisht të varur. Kurse P. Lisicar (Crna Korkira, 119) e konsideron si strukturë e veçantë sociale e ngjashme me çifçinjtë (kmet). A. Stipcevic (Iliri, 168) mendon se këtu kemi të bëjmë me të zënit e skllevërve, dmth. se te disa fise ka pasur bujq të cilët kanë qenë në pozitën sociale të nënshtruar në krahasim me shtresat e pasura të aristokracisë fisnore».
33) Krh. A. Moscsy, Zur Geschichte, 86, 88.
34) Krh. C. Patsch, GZM u Sarajevu, XVIII/1906, 464-467; Po ai: Historische VVanderung, 43 ss.
35) Krh. A. Dabinovic, Otkada postoji kmetstvo, 24/27. 99.
36) Krh. G. Alfoldy, Bevolkerung, 47; J. J. Wolkes, Dalmatia, 4, 23, 27, 164. Këtu është fjala për daorsët, edhe pse për përkatësinë ilire të tyre nuk ka arsye të dyshohet (Krh. Z. Maric. Godisnjak CBI X/8, 1973, 109-126; Po ai: GZM u Sarajevu, n. s. 1975, 5-50).
37) M. Terentii Varronis, De re rustica libri tres.
38) Krh. Lexikon der Antike, I, Bd. 4, 326.
39) S’do mend se nën nocionin Ilyricum te MT Varroni duhet nënkuptuar komanda ushtarake ilire, e jo një, tërësi etnike gjuhësore. Me fjalë të tjera provinca romake Illyricum paraqet vetëm një rajon operativ ushtarak, e jo një njësi administrative-juridike. Por me që dihet se Illyricumi në vitin 27. p.e.s. i është dorëzuar Senatit, ai atëherë fillon të quhet Dalmatia (Dio, L III 12, 8), për shkak të luftërave që bëheshin me dalmatët. Por edhe pse teksti i tij ka të bëjë vetëm me trevën e Dalmaeisë, prapëseprapë mund të mirret, me një kujdes më të madh edhe për trevën e gjërë të ilirëve të kësaj periudhe.
40) M. Terentius, Varro I, 17.
41) Po aty.
42) Krh. R. Gandev, Moralische und soziale, 131.
43) Krh. A. Dabinovic, op. cit. p. 22; F. K. Savigny, Ueber des rdmischen Kolonat, Berlin 1928; M. I. Rostovzeff, Studien zur Geschichte des romischen Kolonat, Archiv fiir Papyrusforschung, I, Leipzig, 1910.
44) LTL IV, p. 331: «...nomen propie... absolute adhibitum de eo, qui aere alieno obstrictus, operam suam agriculturae praestare cogitur... Quidam codd, habent obaeratos, sed. praestantiores obaerarios, alii tamen legendum putant operarios».
45) Plin, NH XXXIV. 1.
46) Krh. A. Dabinovic, vep. e cit. p. 22.
47) Po aty.
48) Shih shënim 44.
49) M. T. Varronis, II, 10: «Quae in opere multis regionibus non cedannt viris, ut in Illyrico passim videre licet».
50) M. T. Varronis, II, 10, 8; Ut te auddi dicere, inquit cum in Liburniam venisse te vidisse matres jamilias, eorum adfere ligna et simul pueros, quos alerent, alias singulos, alias binos, quae ostenderent fetos nostras, quae in copiis iacent dies aliquot, esse eiuncidas ac contemnendas».
51) Po aty.
52) Këtu nuk do të bëhet fjalë për gratë liburniane dhe për pozitën shoqërore të tyre, me që për këtë çështje është folur gjërë e gjatë (Krh. M. S u i c, Nekoliko etnoloskih podataka o antickim Ilirima, 99-110).
53) Athen. X 443 ab 60.
54) a Krh. G. Novak, HZ 1/1948, 150 ss; E. Pasalic, GZM u Sarajevu, n. s. IX/1954, 68; M. Garasanin, Istoria Crne Gore, I, 107, 145, 154. Për këtë shih edhe CAH VII, chap. XXVI, 4, 832 ss; G. W a s 1 e r, Historia, II/4, 1953 310 ss.
55) Krh. M. Rostovzev, vep. e cit. 275.
56) Krh. Z. Mirdita, Eine Inschrift aus Ulpianum, 161-166.
57) Dig. L. 16, 239, 2.
58) PWRE XXIV/2, 1925 s. v.
59) Shih shën. 43.
60) Cod. Instin. XI 53,    1.
61) Flor. I, III, 25.

Zef Mirdita


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...