Oshtima

Zakone gjatë lindjes dhe pas saj në Zadrimë

Akti i lindjes paraqiste pikën kulmore të gjithë kësaj pritje të gjatë. Shqetësimi dhe shpresat e të gjithëve, ishin të lidhura me pritjen e fëmijës. Besohej se nga përfundimi i saj varej shumë edhe mbarësia e familjes.
Lindja bëhej brenda në shtëpi. Mbasi dëboheshin meshkujt nga shtëpia, gruaja dërgohej në vendin e caktuar (që mund të ishte dhoma e gjumit ose vendi i bagëtive, i cili, sipas gjykimit të popullit, ishte vendi më i mbrojtur nga magjitë ose veprimet e shpirtërave të këqinj), dhe thirrej gruaja që do të ndihmonte lindjen. Shpesh ajo ishte një grua e moshuar vendase që kishte fituar një farë përvoje për këtë punë. Ajo thirrej «mamicë». Në familjet me një numër të madh pjesëtarësh, shpesh lindjet i priste njera nga gratë.
Përpara dhe gjatë lindjes përdoreshin mjaft rite dhe zakone, të cilat besohej se ndikonin në lehtësimin e lindjeve. I tillë qe zakoni sipas të cilit gruan «me shtat t’zanë» e rrotullonin tri herë rreth strumbullarit të lëmit. Kjo sepse ky vend vështrohej si i mbarë, pse jepte bereqet. Besohej se, siç shpërdridhej me lehtësi litari në lëmë, ashtu do të lindte lehtë dhe fëmija.

Me ta marrë vesh se gruaja ishte gati për të lindur, hapeshin të gjithë drynat dhe bravat e shtëpisë, zbërtheheshin të gjitha kopsat e rrobave të nuses, bile dhe ato të pajës, të vendosura në arkë; i hiqeshin gjerdanët dhe gjithë zbukurimet etj. Këto të gjitha qenë veprime magjike, me anë të të cilave mendonin të lehtësonin e të shpejtonin lindjen.
Gjatë lindve të vështira bëheshin edhe veprime të tjera për të lehtësuar lindjen. P.sh., i derdhnin gruas mbi kokë një enë me ujë të mbledhur nga shtëpitë e fqinjëve për rreth; e fusnin në ujë të ngrohtë; e fërkonte «mamica» dhe, kur ishte nevoja, ajo ndërhynte për t’ia hequr fëmijën me dorë.
Fëmijën e porsalindur e merrte në duar «mamica». Së pari i priste kërthizën, duke e matur tre gisht mbi barkun e fëmijës. Për këtë përdoreshin gërshërë, drapinj ose brisqe, të cilat, nganjëherë, i futnin në uthull a raki për t’u bërë një farë dizifektimi. Pasi e lidhnin kërthizën, e prisnin. Pjesa e prerë ruhej mirë, pse mendohej se me të mund të bëheshin veprime magjike, që mund të ndikonin në shterpësinë e gruas.

Fëmijën e lanin me ujë të ngrohtë, e fshinin dhe e vishnin. Për të fshirë fëmijën përdoreshin copëra të pastra pëlhure, sidomos nga këmisha e ndonjë gruaje, që kishte lindur shumë fëmijë dhe që i kishin jetuar të gjithë. Gjithashtu, fëmijës për herë të parë i vishnin një këmishë të vjetër, sepse kështu besonin se fëmija do të kishte jetë të gjatë. Pasi e lidhnin në shpërgej, fëmijën e vendosnin në dhomën pranë s’ëmës.
Lehonën e shtrinin gjithmonë pranë zjarrit në një kënd, në të cilin kishin shtruar më parë kashtë gruri ose meli, të mbuluar me një  çarçaf pëlhure të kuq. Kashta e grurit, mendojnë, se kishte të bënte me kultin e bimësisë. Bima e grurit, si ushqim i përditshëm, do t’i jepte forcë dhe qumësht nënës  akoma të dobët dhe do ta mbronte e forconte foshnjën e porsalindur. Ky rit flet për traditën e lashtë të mbjelljes së melit e të grurit në Zadrimë. Në këtë vend gruaja do të rrinte shtrirë tri ose shtatë ditë. Më pas, ajo vetë e merrte kashtën dhe e hidhte në një vend sa më larg shtëpisë. Në vend të kashtës, shtrohej një dyshek, në të cilin lehona qëndronte shtrirë për 40 ditë.

Pas lindjes, në rast se fëmija ishte djalë, mamica njoftonte babain e të porsalindurit dhe ky do ta përhapte lajmin tëk të afërmit dhe fqinjët.
Njëri nga djemtë e shtëpisë duhej të dërgohej te njerëzit e nuses që të njoftonte lindjen e djalit. Lajmësi pritej me shumë dashamirësi dhe darovitej me dhurata të ndryshme, madhësia e të cilave varej nga gjendja ekonomike e familjes. Në numrin e dhuratave, sipas rastit, nënin pjesë:  peshqirë, çorape, këmishë, sapun dhe ëmbëlsira.

Dita e parë e jetës së të voglit në familje ishte e mbushur nga njëra anë me një gëzim të madh dhe nga ana tjetër, me një kujdes të vazhdueshëm, për ruajtjen e jetës së tij. Kjo ditë dhe 40 të tjerat që vinin pas, sipas mendimit të popullit, ishin me shumë rrezik si për fëmijën, ashtu dhe për nënën e dobët. Këto 40 ditë njihen me emrin «djergnia», tek zadrimorët e mirditasit, «lodhnia» tek malësorët. Gruaja që posa kishte lindur quhej «e djergun» a «e lodhun» dhe mendohej se gjatë këtyre ditëve e kishte «varrin çelë».
Që nga momenti i lindjes e gjatë 40 ditëve të para për gruan «e djergun» tregohej një kujdes i vazhdueshëm. Të gjitha ritet dhe besimet që kanë të bëjnë me periudhën  «e djergnisë» janë të lidhura me këtë gjë.

Menjëherë pas lindjes, gruas i jepnin petulla të ngrohta, mazë (kajmak qumshti i mbëedhur prej disa ditësh), qull (i përgatitur me miell të pjekur, gjalpë e ujë), qumësht i ngrohtë dhe shpesh verë a raki. Gjatë kësaj kohe, gruaja «e djergun» bashkë me fëmijën, nuk e kalonin pragun e shtëpisë nga frika e shpirtrave të këqinj dhe e syrit të keq. Gjatë 40 ditëve, në dhomën ku rrinte gruaja «e djergun», zjarri mbahej ndezur. Gjithashtu, praktikohej djegia e një copë lecke, e cila sillej rreth e qark djepit të foshnjës dhe vendit të gruas së «djergun». Këto veprime mund të kenë të bëjnë me kultin e vatrës.
Mbi djepin e fëmijës dhe në shumë vende të dhomës vendoseshin lule dhe barëra të ndryshme, të cilat sigurisht kishin të bënin me kultin e bimësisë. Mbasi merrte vesh fshati për lindjen, lehonën vinin dhe e uronin gratë e fisit e të familjes, të cilat i sillnin dhurat të ndryshme, si fustane për foshnjën, shami, petulla, sapunë etj. Gjatë këtyre vizitave shprehej gëzimi i të afërmve, i fisit e i familjes, sidomos në rastet e lindjes së djalit. Ky gëzim shprehej edhe në urimet që përdoreshin në këto raste. Për djalin urohej: «Shyqyr që ju ka gazmue zoti!», «Shyqyr që të shpëtoi zoti!», «U rritë me nafakë!», «U baftë plak me mjekër!» etj. Ndërsa për vajzën thuhej: «Shyqyr që shpëtove», «Ani, se kush ban vajza, ban djelm!», «Qoftë me kismet e me jetë të gjatë», «Tundtë djemë prapa!» etj.

Në Zadrimë dhe në popullsinë e ardhur nga Malësia e Madhe ka ekzistuar edhe zakoni që lehona 3-4 javë pas lindjes të shkonte në gjini të vet, «për të mbushur ditët» (në popullsinë e ardhur nga Mirdita dhe Puka ky zakon nuk njihej). Për të marrë lehonën duhet të vinin sipas rastit, e ëma ose kunata, për të cilat, kur ishin nga ndonjë fshat i largët, shtrohej edhe një drekë. Prindërit e nuses tregonin një kujdes të veçantë si për të ashtu edhe për të voglin. Atje lehona qëndronte 2 ose 3 javë dhe përsëri, e shoqëruar nga të afërmit, kthehej në shtëpinë e burrit.
Pas 6 javësh përfundonte «djergnia» dhe gruaja fillonte jetën e saj të zakonshme. Megjithatë, për sa kohë që gruaja ushqente fëmijën me qumësht gjiri, bëheshin të gjith përpjekjet që të mos e çonin në punë të largëta.

Mbas lindjes zakonte kryesore vazhdojnë me larjen e parë të fëmijës, vënien e emrit, futjen për së pari në djep, «marrjen e flokëve», ditën e «emrit».
Vendosja e parë e fëmijës në djep ishte mirë të bëhej me «hënë të vjetër», sepse mendohej që kështu fëmija do ta donte shumë djepin. Zakonisht, fëmijën e lidhnin në djep, pasi aty të kishin futur më parë një dash.
Vënies së emrit të porsalindurit i jepej një rëndësi e madhe, sepse shumë veta mendonin që kjo kishte të bënte me fatin e fëmijës. Emri fëmijës i vihej 3 ose 7 ditë pas lindjes.
Vënia e emrit ishte një festë familjare ku ftoheshin të afërmit e fisit dhe të shtëpisë së burrit. Shtroheshin dy ose tre sofra me rreth 30-40 vetë. Para se të uleshin në sofër, të ftuarit duhej t’i jepnin fëmijës dhurata të ndryshme, si: ndonjë këmishë të vogël, çorape prej leshi etj.

Larja e parë e fëmijës bëhej pas 3 ose 7 ditësh. Uji ngrohej në një enë të zakonshme. Në të hidhej kripë për të forcuar lëkurën, një monedhë metalike (duke menduar se kështu fëmija do të bëhej i fortë si metali), si dhe barëra dhe lule fushe, (që fëmija të rritej shpejt si bari dhe i bukur si lulet). Me këtë ujë pastja vaditeshin pemët frutore.

Ndër zakonet e mbaslindjes rëndësi kishte dhe ai i marrjes së flokëve për herë të parë kur fëmija mbushte 5 vjeç. Këtë e bënte kumbara e shtëpisë. Para se të shtroheshin në gostinë familjare të organizuar për këtë rast. Kumbara merrte fëmijën, e ulte në prehër dhe me një palë gërshërë, që ia kishin vendosur mbi një pjatë, ia priste flokët në tri vende. Pjesët e prera viheshin mbi pjatë dhe ruheshin në një vend të sigurtë. Bashkë me to kumbara lëshonte një shumë të hollash. Vendin e flokëve të prerë kumbara e fërkonte me një monedhë metalike, që fëmija të bëhej i fortë si metali. Nëna e fëmijës i dhuronte kumbarës një peshqir të endur vetë në vegje, një palë çorape dhe një këmishë. Në fund shtrohej darka, që kalonte me këngë e me shakara.

Në jetën e të voglit ishte me rëndësi dalja e dhëmbit të parë. Ai që ia shihte së pari, duhej t’i bënte fëmijës një dhuratë: një këmishë ose fustan.Kur fëmija ishte gati për t’u ngritur në këmbë, e ruanin të mos rrëzohej, pse duke u vrarë, frikësohej dhe vononte për të ecur. Për t’i prerë frikën, veprohej kështu: Mbi pragun e portës së shtëpisë viheshin 3 fije kashtë, ndërsa brenda dhe jashtë saj qëndronin dy persona, njëri prej të cilëve mbante në dorë një sopatë, drapër ose kosë. Ai që ishte brenda derës pyeste: «Ç’po ban ashtu me atë sopatë?» Tjetri përgjigjej: «Po pres frikën e djalit (ose vajzës) që do të ngrihet në këmbë» dhe priste fijet e kashtës. Ky veprim përsëritej 3 herë.

Zakonte të lindjes në Zadrimë dhe ndryshime të tyre në ditët tona. «Etnografia Shqiptare» 11. Tiranë 1981.

Yllka Selimi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...