Oshtima

Popull kreshnik po i vobegët

Në nji nga numrat e kalueme të kësaj fletore dikush pa banum nji shqyrtim pak a shumë përmbledhës mbi mundësit e jona ekonomike dhe finacjare. Konstatime të hidhta, këto, e gati pesimiste për t’ardhmen të Shqipëris, po jo ma pak t’vërteta. Të vërteta, si me than, të zhveshuna nga romantizmat optimiste të dokujt për me u zgjue në realitet.
I vërtet fort nj’ay argument mbi gjendjen reale të sasinave të mallnavet të grumbullueme në Shqipni, pse asht qesharak mbesimi se na kena mallna të mjaftueshme për nevojat e para. Në se në do qytete janë tue u gjendun të tilla mallna, në sasina të vogla e me çmime astronomike, në pjesën ma të madhe të Shqipnis ato mungojnë kryekëput. Prova ma e gjall asht shtrenjtësimi i tyne e sidomos zhdukja me shpejti të madhe nga tregu.
Ne kena mbet tash në mëshirën e fatit midis misrit të larguar të Kosovës edhe hambaret bosh të Shqipnis së vjetër, ose midis makinave pa goma e gomarit me samar., midis qyteteve e katundeve të rrënueme, midis rrugëvet me ura të prishuna ose gadi me u prish. Dhe duhet me shtue, ndën nj’at terror t’ajrit qi dit me dit asht tue korr jeta, tue rrënue banesa e tue na djeg ato të pakta vegla transportuëse qi na kan mbet.

Jena nji popull kreshnik, jo se na lavdon gjenerali Hill për arësyenat e veta si pat bamun kur e ka pas desht nevoja me gjith popujt, ose si mundet me na lavdue dhe ndokush tjetër, për qëllime të njëjta, po se ky asht gjaku qi rreh nër zemrat e jona qi prej të parvet, po njikohësisht jena nji popull i vobegët.
Në kët kuadër vobegsije e vobegsimi, qi asht tue u kthye në nj paralezi progresive, na jemi të detyruem me u mendue me ba ç’mos, midis gërmadhavet qi po shtohen dita ditës, për me mbajt jetën e kombit e jetën e Shtetit. Artikullshkruësi nuk ka prek cillat jan mundësit për nji vepër të till. Ai u pat kufizue me na rjeshtue vetëm nji varg konstatime, ma fort pasive se aktive. Të na lejojë tash me ardh me do plotësime. Për me jetue, e theksoj, për me jetue të lir duhet me punue, me organizue e sidomos me iu shmang shpenximeve të kota, si në jetën private, po ashtu e në jetën kolektive.
Asht afër mentsh me kuptue se për me realizue sa më sipër, pra nji kuadër të volitshëm pune, organizimi e ekonomije duhet bashkim e qetësi. Kreshnik jena, po ma kreshnik duhet me qen në fusha të tjera e sidomos në fushat e organizimit të shoqnis shqiptare, tue patun fuqin me renoncue në ç’asht e damshme ose e pa dobishme. Kjo asht kreshnikija qi na duhet sot dhe të cilën kena me quejt kreshniki pozitive. Pra duhet kreshniki pozitive në lamin e ekonomisë private, kreshniki pozitive në lamin botnuer, të Shtetit.

Asht kreshnik para Kombit ay burr shteti qi din me kursye tue mos randësue financat e jona me të prishuna qi nuk kena mundësi me i mbulue me të ardhunat e kombit. Pikërisht këtu kena shkel në nji vijë e cila lyp disa skjarime e sidomos disa forcime të artikullistit të javës së kalueme. Asht e ditun se të ardhunat e shpenzimet e Shtetit janë përfshie në buxhet. Buxhet do me thanë program qeverije e sidomos pasqyrë e mundësive ekonomike edhe financiare të nji vendi. Ky program duhet me pas si bazë realitet dhe mundësitë. I vuem jashta relativitetevet e jashta mundësive, programi, pra buxheti, asht pa bazë dhe rezikon qind për qind me mos u zbatue, ose në se zbatohet, kjo bahet në damin e ekonomis së vendit. Madje, buxheti ka si ardhuna: të ardhuna të rendesishme e të jashtërendësishme. Gjithashtu janë edhe shpenzimet.

Parimi themeltar i nji finance të shëndoshë asht qi me të ardhunat e rendësishme  me u mbulue shpenzimet e rendësishme dhe me të ardhunat e jashtrendësishme shpenzimet e jashtrendësishme. Ajo qi karakterizon ekonominë e nji vendi asht buxheti i rendësishëm qi përban bazën permanente, kurse buxheti i jashtërendësishem, duhet konsideruar si nji gja anormale. Në rethanat e sotme shteti ka shpenzime të mëdha, e sidomos shpenzime të jashtërendëshme.

Qysh duhet me u mbulue këto shpenzime, përgjigja asht: me t’ardhuna të jashtërendëshme, të sotmet. Asht për t’u nënëvizue fjala “të sotme” pse duhet me u dallue nga të ardhunat e jashtrendëshme përgjithësisht. Si të ardhura të jashtrendëshme të sotmekujtojmë tatimet mbi fitimet e jashtrendëshme të luftës mbi kategoritë e ndryshme shoqnore qi kan përfitue nga rethanat e luftës e sidomos nga ngritja e çmimevet. Në kët kategori duhet me u përfshie pronjarët të cilëvet lufta u ka sjellë një rentë prej 20 deri më 40 herë vlefta iniciale. Vijnë mbasandaj tregëtarët e sidomos grosistat, çifligarët, etj.
Sa për çashtjen e monedhës – çashtje fort nevralgjike edhe delikate – na jemi me të njajtin mendim me artikull-shkruësin se duhet me u ruejtun me sa asht e mundum me mos shtue emisjonin përkatës.

Ja arësyet:
Pil së pari në çashtje inflacioni – pse asht inflacion çdo emision monedhe qi bahet për konsum – dihet pika e fillimit po nuk dihet me asnji mënyrë pika e sosjes. Sa po të hapet robineti i emisionit të kartës e sa po hudhet në qarkulli nji sasi monedhe pa kundërvlefta ekonomike kjo sjell mbrapa nji emision edhe ma të math e sidomos nji çvleftësim ma të madh të monedhës. Ç’do shtesë sasije monedhe për nevoja konsumi, të nji shteti ose të nji tjetrit, asht nji hua e forcueme (emprunt force) qi derdhet mbi gjithë shoqnin. Po të ish se kjo praktikë do kish me godit kategorit ekonomike seicilën si mbas fuqis përkatëse, pra proporcjonalisht edhe progresivisht për pasunit dhe fitimet e mëdha, fakti do ish nji politikë financiare e mirë dhe përnjimend ideale, pre asht leht për t’u zbatue e pse sjell të ardhuna të mjaftueshme për buxhetin e shtetit.

Në praktikë ngjet pikërisht e kundërta.
Inflacjoni godet vetëm e vetëm klasat e ulta, me pagë të kufizueme, e sidomos nëpunës, edhe favorizon klasat e sipërme: pronjarët, tregëtarët, çifligarët, të ardhunat e të cilëve zmadhohen.
Mbassi nga ana tjetër, shtesa e qarkullimit sjell automatikisht ngritjen e çmimevet – për efekte psikologjike edhe spekullimi ngritja ësht mâ se proporcjonale në raport me shtesën – Shteti asht i detyruem me zmadhue shpërblimin e personelit. Tue qën se të ardhunat e rendësishme s’kan se qysh mbulojnë këto shpenzime të reja, ky do ish i detyruëshëm me i mbulu këto përmjet nji shtese të re të qarkullimit. Kuptohet se kjo madhon ma fort çmimet edhe mban në vet-vedi shkakun e nji shtese suksesive të sasis së monedhës. Jena pra në një vrull shtesash të lidhuna njena me tjetrën të cillat s’kan se qysh mbarojn përveç se me një faliment ekonomik (rasa e Austrisë mbas luftës europjane) ose me një faliment politik (rasa e falimentit Carist edhe Kerenskyst) kuptohet se në të dy rasat rendi shoqnuer s’ka se qysh me shpëtue nga nji shpartallim, mbassi inflacioni e ka ndanum botën në dy kategori antagoniste, njena përfituëse e tjatra krejt e proletarizueme.
Në qoft se nuk arrihet në kët pikë, të shpartallimit ranjsuer politik edhe ekonomik edhe se inflacjoni kufizohet deri në nji pikë, as kjo kjo nuk e shpëton shoqnin nga efektet e krijimit të antagonizmave midis të dy kategorinave, përfitues edhe të sakrifikuem.

Sa i përket financave shtetnore, në rasë se shteti nuk repudion krejt vleftën e monedhës inflacioni tue qen nji hua e forcueme randon mbi gjeneratat e ardhme.

Këto jan disa mendime të thjeshta qi kemi dasht me shtue artikullistit të javës së kalueme, tue nënëvizue edhe nji herë faktin se duhet me qenun kreshnik tue kufizue shpenzimet në fuqin e në mëndësit e financave të sotme, me ipoketue të arthme me nji politikë shpenzimesh të cilat as jeta financiare s’ka se qysh i mban.

 Botuar me inicialet B.I.


«Bashkimi i Kombit», 25.IV.1944.

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...