Oshtima

Ideja e Shtetit

Nji shoqni e organizueme quhet shtet. Shteti asht nji shprehje e dëshirës së kolektivitetit për me jetur në kushte normale. Kush flet për shtet ai flet për ligje, ai ndien, qoft për nji organizim  të forcave të përbashkëta. Ku s’ka organizim, atje s’ka shtet, qofte edhe të jenë ligje. Me dhanjen e ligjeve nuk asht dhanë njëherit edhe organizimi. Ligjet janë vetëm nji kusht i organizimit të shtetit. Ligjet janë shprehje e vullnetit për me qenë i organizuem, kurse vetë organizimi, si veprim, asht sbatimi i vullnetit. Ideja e ligjës, ajo e organizimit pak-a-shumë jeton edhe në popujt primitivë në nji formë embrionale. E sepse kjo ide asht e dhanun ke njeriu, prandaj themi se kjo asht nji qenje moralem, me dispozita për moralitet.

Asht forca e vullnetit qi e ban njeriun nji qenje morale të plotë, dhe nji qënje shtetnore. Sa më fort të sundoj në njerzit forca e vullnetit, kaq ma tepër mund të sendërtojnë iden e shtetit, iden qi shpreh dëshirën e kolektivitetit për me jetue në kushte sa ma të mira, morale, shoqnore, kulturore dhe landore.

Ideja e shtetit shvillohet paralelisht me përparimin e njerëzve. Kështu tjetër kuptim kanë pasë mbi shtetin në kohën e mesme dhe tjetër po ka bota e qytetnueme në shekullin t’onë.

Ç’farë ideje kemi na mbi shtetin?

Asht e vërtetë se dehe na kemi shtet, kemi nji farë ideje shtetnore, por kët shtet e kemi në sajë të njij pakice qi ka mbërrijtë në shkallë sa të kuptojë thjellët se çdo komb, i math o i vogël qoftë ka nji misjon përpara. Në qoftë se ideja e shtetit asht e gjallë në trurin e shumicës, atëherë shteti, në vend qi të jetë nji skelet i thatë ligjesh, statutesh e zyrash, merr trajtën e njij qenjeje  të gjallë t’organizueme qi synon përmbushjen e njij misjoni. Kështu i organizuem ash nji shtet, kur vullneti i shumicës, tue përdorë shtetin si mjet, kërkon të përmbushë misjonin e vet, t’ua mbërrijë qëllimeve të paracaktueme.

Ku nuk çmohen vlerat, idealet, atje çdo përpjekje organizmi shtetnuer dështon.

Shumica e popullit t’onë ka nji kuptim të çuditshëm përmbi shtetin, e konsideron si mjet pasunimi, ose si fuqi qi duhet të shtypë, të shkelë, të marrë taksë e xhelep. Ka edhe të tillë që shtetin e konsiderojnë si nji institut bamirës. Për disa shteti asht nji mjet për dallavere, për spekulime, për mbrojtje interesash private, etj. Në fantazin e disave shteti rron porsi nji përbindësh qi kërkon të thithë gjakun e turmës. Disa në shtetin shofin funksjonin e policit, disa funksionin e tagrambledhësit, e prap të tjerë pandehin se shteti krijohet me qëllim qo gjithkujt t’i apë bukë, punë e dëfim.

Të gjitha këto nuk përmbajnë kuptimin e shtetit. Shteti s’asht as xhandar as tagrambledhës, as edhe mjet për me u pasunue. Shteti para të gjithash asht nji fuqi organizuese e tanësis, frymëzuse idealesh, nxitës energjinash, përcaktuese normash e vlerash, sendërtuese misjonesh n’interpretim të së drejtës të vullnetit të përgjithshëm. Shtetin gatuen vullnetin e njëjtë të turmave, armonizon njëjsin me shumsin. Çfrytëzon energjit e njëjsit në dobi të shumicës dhe ato të shumicës në dobë të njëjsit. Krijon kushte jetese, kushte përparimi për të gjithë dhe krijon hierarkin e vlerave. Koordinon forcat e kombit në dobi të njëjësit po ashtu sikurse edhe në dobi të shumsit, tue pasë gjithmonë para sysh t’ardhmen e kombit. Pra shteti, para se të jetë ligje, qeveri, parlament, ministër,  xhandar, gjykatës, etj., asht nji fuqi e gjallë organizuese. Prandaj ku ka organizim, ka shtet; e ku s’ka organizim, atje s’ka shtet. Ligjët e burokracija janë të kota deri sa mungon fryma e organizimit.

 

 

«Lirija e Shqipnis», 21-VIII-1944

 

Pjetër Saliko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...