Oshtima

Për industrinë kombëtare të leshit

Midis konditave të para për krijimin e zhvillimin e një industrije, në një vënd, shquajmë: lëndën e parë, fuqinë motorike, kapitalin, dorën e punë dhe tregun.
Përgjithësisht industritë që lypën një sasi lënde të parë më të madhe krijohen atje ku është lënda, kur se ato që kërkojnë një sasi energjie më të madhe, atje ku mund të prodhohet më lirë kjo energji. Rëndësi të veçantë ka, pa fjalë, edhe kapitali, për investicionet e para e për vepërimin e rjedhshëm, puna e specializuar dhe veçanërisht tregu për shitjen e mallit. Kur të gjitha konditat e tjera (lëndë, kapital, etj.) përmbushen e mbetet kjo e fundit, mund të vijë Shteti me politikën e vet ekonomike, veçanërisht me një tarif doganor protekcjonist, për t’i siguruar industrisë zhvillimin, të paktën në çapet e para të vepërimit. Kjo, kuptohet, ne periudha normale, kur shitësi është ay që kërkon blerësin dhe jo si sot kur ngjet e kundërta kur tregu i shitjes është siguruar automatikisht.
Të vijmë tani në industrinë e leshit.
Shqipëria, si shtet blegtoral-bujqësor, prodhon një sasi të mjaftë leshi. Një pjesë e këtij prodhimi përdoret për industrinë shtëpijake, kur se pjesa tjetër mbetet disponible për t’u shitur.
Pikërisht, kësilloj kemi vepëruar gjer më sot: kemi shitur leshin me dashje e pa dashje edhe kemi blerë mallra të punuara me fiocco, të cilat, fatkeqësisht, zaptuan jo vetëm qytetet po edhe katundet. Dhe një nga pasojat e kësaj praktike të çmëndur, është përveç shfrytëzimi masiv të prodhuësit prej industrisë së huaj e prej tregëtarit t’onë, veshja qesharake e katundarit ose e qytetarit shqiptar.Kësilloj vepëruam ne ndërsa gjithë fqinjët t’onë u përkujdesnë e krijuan me kohë një industri të leshit, me prodhimin e vëndit, me punën e vëndit e me kapitalin e vet, e cila mbulon një pjesë të madhe të nevojave të tyre.
Më anë tjatër sa i përket energjisë, kjo në këtë industri nuk lot një rol kryesor, po si-do qoftë, ka mjete qysh t’i sigurohet. Sa për kapitalin fillestar duhet të shënojmë se, në mungesën e një politike financiare tatimesh të rënda, gjenden sot në Shqipëri mjaft kapitale private të cilat sot – veçanërisht kur mungon malli dhe vepërimet e tjera – është disponibël për t’u përdorur më një vepërim të frytshëm. Këtij kapitali do vijë t’i shtohet kredija nga ana e institutave bankare, roli i të cilave do jetë, tani e në të arthmen, zhvillimi i mundësive dhe iniciativave ekonomike kombëtare.
Sa për dorën e punës, përveç do një specialisti të sjellë që jashtë, kjo gjendet me shumicë të madhe në vëndin t’onë dhe, pikërisht, kërkon përdorim.

Mbetet për t’u shqyrtuar më himtësisht çashtja e tregut, e blerësit, e cila është, pa fjalë, një nga konditat e para për themelimin e një industrije. Është fjala për nj blerës i cili të paguajë çmime të mira dhe i cili t’i sigurojë industrisë veçanërisht në çastet e para, mundësi për të amortizuar instalacjonet.Në rethana t’ona çmimet e ngrituara të prodhimeve të fabrikuara të huaja – të kualitetit të ultë – dhe kërkesa e klientelës i sigurojnë fabrikës një fillim të mirë. Po, përveç klientelës civile ne mendohemi dhe në një klient më i math: Shteti.
Ja, t’u them të drejtën, unë nuk e shoh edhe me sy të mirë ushtarin shqiptar.
Është i veshur si i huaj, me ato pantallonat si thes, me atë jamullëk batall dhe më duket si i huaj. Qetësohem vetëm kur i shoh atë shenjën që imiton brinjët e kaprolles skënderbejane a kur i dëgjoj fjalën.
Po, të lëmë në një anë çështjen e ndjenjës, e të mendohemi vetëm mbi realitete lëndore.

Veshjet ushtarake që që na lanë italianët, të shëmtuara pas estetikës s’onë janë të pakta. E në ishin më shumë, jo ne i trashëguam si e desh ligji i prishjeve dhe i rënimeve, që na bënë, po të tjerët që ishin më të fuqishmë. Ato pak që kemi do grisen së shpejti nga koha e nga harabutllëku ynë me vulë.
Ç’do bëjmë atëherë?
Do kërkojmë të blejmë që jashtë veshje të tjera, me trajta të ndryshme, bojra të ndryshme, prej kualiteti hithre ose kashtë.
Do paguajmë para të mirë – ose mall të dorës së parë – e do dalim të veshur si mos o Zot, tyrli-tyrli!
Kjo nuk është fantazi nga koka ime, po realiteti i nesërmë, sepse sa kemi dijeni, një porosi veshjesh është bërë ose po bëhet.

U pyes tani Zotërinë t’uaj: a nuk ish më e urtë e më me mënd për ne të veshim ushtarët t’anë, të tanishmët dhe të arthmit, me prodhimet t’ona? A nuk vlen ay shajaku ynë më shumë se ç’do kaki dhe guna jonë më shumë se ç’do jamullëk?
Doni uniformë? – Zgjithni një bojë që i përqaset koncepcionit t’onë estetik dhe mbajeni për gjithëmonë.
Ngjyeni në këtë bojë shajakun e vëndit, që është bërë ose ka për t’u bërë, edhe do kini një veshje me të vërtetë kombëtare.
Për t’i dhënë, mb’anë tjatër, sigurimin e zhvillimit industrisë kombëtare, sigurojini, bje fjala, një porosi sa për 5000 uniforma, dyke i dhënë edhe paradhënjen e duhur edhe kredinë plotësonjëse të kapitalit dhe kini për të parë si del e si forcohet industrija e vëndit, me lëndën e kapitalin kombëtar.
Pikërisht kësilloj patënë vepëruar dikur fqinjët t’anë bullgarët e më tej rumunët, të cilët kanë sot një industri tekstile të fortë që bazohet në lëndën e parë të vëndit dhe në nevojat e tregut të brendëshmë.
A nuk do ish e udhës që të mendohen mbi këtë pikë disa nga kapitalistat e vëndit – veçanërisht manifakturistët?

Një inisiativë e tillë do të ketë, sa na përket neve, përkrahjen e institutevet të kreditit.
Efektet e mira të realizimit të një projekti të tillë nuk do vonojnë të ndjehen brënda ekonomisë kombëtare sepse i sigurohet prodhimit të parë një treg shitjesh, konsumuësit një mall i pastër e pa hile edhe punëtorit një mundësi jetese. Kjo mundësi jetese do shtrihet në një numur më të math punëtorësh në rast se uniformat ushtarake të bëra me leshin e vëndit do punohen gjith prej dorës së vëndit.

«Bashkimi i Kombit», 14.XII.1943.

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...