Oshtima

Mblithni e punoni leshin!


Me gjendjen e re, të krijuar nga Shtatori e këndej, ekonomija shqipëtare mbeti një ekonomi e veçuar, pa lidhje efektive me grupet dhe shtetet e tjera. Kjo do të thotë se nuk mundim të sjellën mallra që jashtë në sasinë që na nevojitet. Nuk mundim të sjellëm sepse s’ka cili të na shesë, sepse s’ka cili të na transportojë e sa e sa ngatëresa të tjera të dukshme e të padukshme, të bardha e të zeza. Përveç kësaj, dihet se në këto kohra, kudo sasija e mallrave është e kufizuar për një konsum të racjonuar, sepse fabrikat edhe krahët e punës janë të përdorura për luftë.

Kur themi “mallra importimi” në kuptojmë mallra të nevojës normale dhe permanente të jetesës civile – makina, vegla, veshje, mbathje, ushqime e të tjera kësoj dore – e jo bomba e topa si prodhojnë fabrikat kudo, në ditët e sotme, sepse të tilla prodhime të sjella prej Italisë ne kemi bolla sa të vritemi e të shuhemi vllazërisht edhe tre a katër vjet me radhë. Mbetmë, si them, një ekonomi e veçuar dhe kështu do mbetemi shumë kohë deri të dalëm në selametnë e paqes. Po deri atëhere duhet të rrojmë të vishemi, të mbathemi, të ushqehemi.

U veshmë deri dje me prodhimet e fabrikave italiane.Tani as ato nuk i kemi. Sasitë që na mbetnë nga periudha e importimeve masive, autartike, ashtu si ishin e si janë (“lesh” prej druri e prej kashte e prej hithre, ose pak nga sicila të përzjera bashkë) janë dyke u konsumuar dhe mbaruar dita me ditën. Dhe jo vetëm dyke u konsumuar brenda kufive, po edhe dyke u eksportuar me mënyra të shumta prej nesh e prej të huajve, të cilëve, me hallet t’ona të sotme, s’kemi qysh t’u themi jo. E në u themi zëri ynë nuk dëgjohet nga zhurma e madhe e topave. Si nesër, pra, do mbetemi lakuriq, për aman o Zot.

Mos harroni përveç kësaj, se shumë nga vëllezrit e nga motrat t’ona kanë mbetur prej kohësh të shveshur, lavdi trimërisë të atyre që plaçkitnë e na dogjnë shtëpinë.
Është një problem i koklavitur fort ky i mallrave për t’u sjellë që jashët dhe i cili sot për sot, veçanërisht për prodhime tekstile, s’ka se qysh të sgjidhet, me asnjë mënyrë, cili-do qoftë premtimi dhe intencioni i mirë. Pra jemi të shtrënguar nga forca madhore e rethanave të rrojmë si mundim e me sa mundim.

Ç’të bëjmë për veshje?
Pikërisht atë që bënë shekuj me radhë pleqtë t’anë: të vishemi me prodhimet e vendit, dhe, kryesisht, me të leshta. Të lemë pra kashtën e hithrat e importuara kundrejt leshit t’onë rudë, veçanërisht atij të Kosovës, që vlen më shumë se çdo flori dhe t’i përvishemi, ngutësisht, punimit të leshit. Pa fjalë se nuk mundim të bëjmë prodhime të mbaruara, nga pikëpamja e trajtës, nërsa na mungojnë fabrikat – sepse Italija e pat dashur e përdorur Shqipërinë si treg shitje për prodhime të fabrikuara dhe treg blerje për lëndë të parë e jo për të krijuar këtu një industri të paktën për gjysmë-fabrikime nga lënda e vendit – po në mungesën e tyre ne kemi veglat e traditës së punimit dhe mjaft krahë pune. Dhe këto të gjitha duhen vënë në shërbimin e vetë-vetes, pra të vendit t’onë. Së këndejmi, si ka ngjarë dhe në të tjera vënde munt të na mbetet dhe pas lufte një fillim industrije tekstile, të cilën mandim t’a shvillojmë më von, dyke e mprojtur me masa doganore e të tjera. Se kjo gjë është e mundur këtë na e provon jo vetëm shvillimi i industris së sheqerit nga panxhari, në Europë, në kohën e blokimit napolonian, po edhe shvillimi industrial i shumë shteteve të Europës.

Deri atëhere ne kemi këto përfitime të çastit:
1) Një veshje higjenike dhe të ngrohtë sa për njëzet leckat autarkike;
2) Një veshje të lirë, që rron shumë dhe të cilën as shiu, as djelli nuk e tret;
3) Një përdorim të krahëve të punës së vendit;
4) Një ndalim i eksportimeve të kapitalit.

Këto të fundit janë mbase nga më të vlefshmet, sepse puna industriale i shton prodhimit vlerën më shumë se dhjetë herë. Pikërisht kjo shtesë vlere përmjet industrisë është e fsheta e fuqisë së shteteve që kanë industri e kapitale. Sepse është provuar shkencërisht që nga Friedrich List e këndej, se vlera e shkëmbimit të një ore pune, pra vlera e saj tregëtare, është dhjetë e më shumë herë m’e madhe se ajo e punës në blegtori e bujqësi. Së këndejmi rjeth edhe shfrytëzimi i njojtur i shteteve bujqësore e blegtorale nga ana e shteteve industriale. Francis Delaisi pat qojtur të parët shtete të gjelbër (nga ngjyra e blerimit) dhe të dytët shtete të zinj (nga ngjyra e qymyrit). Me rastin e këmbimeve, pra të tregëtisë, shtetet e gjelbër, ku hyn qint për qint edhe Shqipërija, janë të shfrytëzuar nga shtetet e zinj. Po edhe sikur të lëmë më një anë këto arësye shkencore dhe përfitimet e së arthmes nevoja e sotme na shtyn, ajo vetë, në shvillimin e kësaj veprimtarije industriale.

Pra këshilla jonë është:
Mblithni e punini leshin!
Mos kërkoni importim mallrash tekstile, po vegla e makina për të punuar prodhimet e vendit.

Sepse tekstilet, veçanërisht ato të ditëve t’ona, paguhen shtrenjtë – me ar ose me prodhimet t’ona të para, dhe prishen shpejt, kurse makinat e veglat prodhojnë edhe na mbeten për gjithmonë.
Nevojat e vendit janë të ngutëshme dhe çmimet e tregut ju sigurojnë fitime të mëdha, për ju e për punëtorin shqiptar.

Me punimin e leshit përmbushni njëkohësisht një detyrë kundrejt vendit, për tani e për të arthmen, e një fitim për veten t’uaj.


«Bashkimi i Kombit», 7.XII.1943.

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...