Oshtima

Mbi vleftësimin e prodhimit të groshëve

Viti 1942 pat sjellë një prodhim groshësh jashtëzakonisht të math, veçanërisht në Tokat e Liruara. Si pas indikacioneve private – në mungesën e një statistike jemi të shtrënguar të referohemi indikacione – vetëm në Kosovë prodhimi pat qënë prej 6-700 vagone d.m.th. 6-70 000 kuintalë, sasi e cila kalon tepërisht nevojat e vëndit. Për të patur sasinë disponibile për vleftësim; prodhimit të më sipërmë duhet t’i shtojmë edhe prodhimin e rethit Strugë – Dibër - Tetovë ku, gjithashtu sasija e prodhuar kalon nevojat lokale.

Niveli i çmimeve për groshën e mesme në tregun e lirë gjatë 9 muajve të fundit ka qënë ky:
60-70 fr. shq. kuintali në Kosovë – Tetovë.
180-240 fr. shq. kuintali në qëndrat e mëdha të konsumit të Shqipërisë së vjetër.
140-180 fr. shq. kuintali në qëndrat e tjera të Shqipëris së vjetër.

Ekziston, si duket, një diskrepancë e madhe midis çmimeve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë së vjetër. Diskrepanca është shumë më e madhe në krahasim me çmimet në tregun e Greqisë, ku, gjatë dimrit, u pat ndjerë një nevojë e madhe për këtë ushqim. Kjo situatë rjeth nga mungesa e një preokupacioni nga ana e autoriteteve përkatëse për vleftësimin e këtij prodhimi.
Është e vërtetë se çmimi zyrtar për blemje nga ana e entit grumbulluës u pat caktuar pak më lart nga çmimi i tregut – 75 fr. shq. për kv. groshë të mesme – po më anë tjatër, këtij enti nuk iu patnë vënë në dispozicjon mjetet e transportimit të nevojëshme për bartjen e tyre në vëndin e transportimit. Kësilloj kryeqyteti dhe qëndrat e tjera të konsumit vazhduan t’a hanë groshën me 10-12 lek kgr. kurse në Kosovë dhe në Gostivar grosha u përdor për ushqimin e kafshëvet (praktikë e përdorur gjerësisht) ose u shit me çmime të ulta tregëtarëve-grosistë dhe eventualisht tregëtarëve-kontrabandistë që dispononin mjete transportimesh. Një tjatër sasi u lejua të eksportohet me fitime të mëdha për eksportatorët.

Fakt ësht se bujku prodhuës nuk mundi të përfitoj aspak nga prodhimi i math i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se jo gjithmonë prodhimi i math është një lumturi për bujkun, kur mungon politika e mirë e vleftësimit. Një nga rjedhjet e para të kësaj gjëndje ka qënë dëshpërimi i bujkut dhe mbjellja e një sasije më të vogël për këtët vit. Pa fjalë se në rethanat e sotme, të luftës, kur prodhimi duhet shtuar në ç’do degë, kjo rjedhje është me të vërtetë një fatkeqësi. Po, pas sa treguam më sipër, kjo rjedhje ish fatale.

Lipset të theksojmë këtu se niveli i çmimeve të groshës në Kosovë, në raport me nivelin e çmimeve të tjera çfaq një anomali të cilën vetëm cifrat mund t’a tregojnë afërsisht.
Ja se qysh:
Në kohën e fundit ët sundimit Jugosllav grosha shitej në Kosovë me 3-6 dianër kgr. Çmimet e disa sendeve të para që i nevojiten bujkut ishin këto: krypa 2.5-3 dinarë kgr; sheqeri 13-16 din (tos ose kokra) sapuni 14-20 din.; vaji 28-40 din. ; pëlhura e bardhë 12-16 din. për metro.
Çmimet që praktikohen sot në Kosovë për sendet e më sipërme janë; krypa 2-2,40; sheqeri 16-18; sapuni 10; vaji 10-11; edhe pëlhura e një kualiteti inferior 6-8 fr. shq. m.
Me të tjera fjalë, dyke qënë se monedha nuk është përveç se një mjet shkëmbimi dhe se së fundi i fundit shkëmbimi bëhet mall kundër mall, me 1½-2 kgr. groshë blihej më parë 1 kgr. sheqet; me 4-5 kgr. groshë 1 kgr. sapun; me 7-8 kgr. 1 kgr. vaj dhe me 3-4 kgr. groshë m. 1 pëlhurë.

Për t’i blerë gjith ato sende në tregun e lirë të vitit 1942-1943 prodhuësit i duhen 20-25 kgr. grosh për 1 kgr. sheqer, 12-14 kgr. groshë për 1 kgr. vaj ose sapun, 3-4 kgr. groshë për 1 kgr. krypë dhe 10-12 kgr. groshë për 1 m. pëlhurë të kualitetit të ultë.
Nënëvizojmë këtu se ne nuk bëjmë asfare proçesin e ngritjes së çmimeve e të sendeve që kujtuam po vetëm proçesin e uljes së çmimit të groshëve, nga shkaku i mungesës së një politike praktike për vleftësimin e këtij prodhimi.

Ç’u bë sasija e groshëve të Kosovës?

U nda kësilloj:

- Një pjesë e madhe u përdor edhe është dyke u përdorur për ushqimin e kafshëve.

- Një pjesë e vogël u transportua në Shqipërin e vjetër prej Entit grumbulluës për t’u shitur me çmimet zyrtare (100 fr. shq. kv groshë të mesme).

- Një sasi e aftë u transportua prej privatëve me mjete të ndryshme dyke u shitur me çmimet e tregut të lirë.

Fakt është se prodhuësi shqipëtar nuk pati mundësinë të vleftëzojë këtë prodhim me çmime të afta, në korelacion me çmimet e sendeve të tjera. Mbas mendimit t’onë një vleftësim i tillë mund të bëhej vetëm me eksportimin, veçanërisht në tregun e Greqisë, duke sjellë së andejmi mallra të tjera. Për të mos lënë mjete spekullimi Shteti mund të krijonte një taksë eksportimi groshësh për të cilën t’a ndante si çmim nër prodhuës dyke i fornizuar, njëkohësisht Tokave të liruara disa sende konsumi të importuara me çmime më të ulta se ato të tregut të lirë. Një tjetër treg i aftë për groshët t’ona ka qënë edhe toka shqiptare që përtej kufive, veçanërisht Mitrovica ku na ofrohej, si kompensacion cimento.

Besojmë se mund të realizohej – ose mund të realizohet edhe sot një shkëmbim groshë-cimento prej Entit grumbulluës, dyke u destinuar cimentoja për ngrehje magazinash kaqë të nevojëshme për vleftësimin e drithravet. Nënëvizojmë se në praktikë eksportimi është relativisht i lehtë, dyke qënë se në Tokat e liruara eksistojnë vija hekurudhore të mjafta. Si do qoftë, jemi të mendimit për marrjen me kohë të masave oportune për vleftësimin e prodhimit të këtij viti dyke iu paguar prodhuësve çmime të afta në raport me nivelin e përgjithshëm edhe dyke u evituar, me sa është e mundur, spekulacioni nga ana e grupeve dhe e tregëtarëve grumbulluës.

Prodhuësi shqiptar dhe veçanërisht ay i Tokave të liruara duhet të gjejë në rethanat ekonomike të sotme një periudhë konsolidimi ekonomik dhe me asnjë mënyrë një periudhë shfrytëzimi.

 

«Tomorri», 24.VI.1943.

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...