Oshtima

Mbi çmimet e drithrave


Kemi hyrë, prej kohe, brenda në periudhën e të korrave dhe nuk janë caktuar ende çmimet e drithrave të prodhimit 1943.
Flitet e shkruhet në fletore se kjo çështje është në studim e sipër prej autoriteteve përkatëse dhe se për së shpejti ka për të dalë urdhnesa e re e çmimeve. Me këtë rast theksohet intencioni për një politikë zyrtare për uljen e çmimeve përgjithërisht, dyke marrë si shkak prodhimin e aftë të këtij viti dhe si qëllim prodhimin e bukës së lirë për konsumuësit e qyteteve dhe veçanërisht për nëpunësit.

Të na lejohet me këtë rast, të shfaqim dhe ne mendimet t’ona mbi këtë çështje.
Nënëvizojmë pikësëpari se asnjëri nga argumentat e më sipërme nuk na duken të vlefshme për një politikë çmimesh të ulta.

Të shpjegohemi:
Sbritja e çmimeve, në bazën e argumentit të parë, të prodhimit të mjaftë të këtij viti, vjen t’i konfiskojë ose t’i rrëmbejë prodhuësit me anën e çmimit, një pjesë të prodhimit të vet tëcilin puna e vet, të cilin puna e vet,  kapitali dhe natyra ja pat dhënë. Çmimi i ulët anulon kësilloj efektet e prodhimit aq sa për prodhuesin do ish më mirë të kish një prodhim më të vogël të shitur me një çmim më të naltë.
Gjith ashtu nuk na duket i arësyeshëm argumenti i çmimeve të ulta për nevojën e një politike të bukës së lirë për nëpunësit, sepse, në istancë të fundit, në këtë mënyrë krijohet një barrë e cila në vënd të rëndojë mi kolektivitetin e vendit pra mi të gjithë kategoritë shoqrore, rëndon vetëm mi një klasë, të bujqëve. Prandaj është për t’u preferuar mënyra tjatër, e drejtë, e madhimit të fuqisë blerëse të nëpunësve përmjet shtesës së rrogës, dyke krijuar të ardhura të reja me tatime progresive përmi kolektivitetin dhe veçanërisht përmi kategorit qytetare që kanë përfituar nga rethanat e luftës për të shtuar jashtëzakonisht fitimet. Kur shkruajmë këto mendohemi veçanërisht në kategorit e tregëtarve, sipërmarrësve, transportuësve etj – kontibutat e të cilve në buxhetin shtetnor janë sot jashtëzakonisht të vogla. Mi këtë pikë rezervohemi të vijmë me disa sugjestione një radhë tjatër.

Kuptohet se ne jemi edhe kundër politikës të uljes të çmimeve për nozullimin e qyteteve me bukë të lirë, sepse kjo sjell një barrë mi bujkun prodhuës dhe në favorin e qytetit konsumuës – dhe pikërisht një barrë mi katundin shqiptar në favorin e qytetit eterogjen. Të larguar kësilloj argumentat e prodhimit të aftë dhe të politikës së çmimeve të ulta të bukës për nëpunësit, të pyetemi cilat duhet të jenë bazat më të afta dhe më të drejta në caktimin e çmimeve të drithrave për prodhimin e vitit 1943?

Pas mendimit t’onë në caktimin e tyre lipsen marrë parasysh kushtimi i prodhimit për vitin 1943 dhe kushtimi eventual për 1944 si dhe niveli i përgjithëshmë i çmimeve të prodhimeve për të cilat ka nevojë bujku. Është për të ardhur keq se nuk kemi një indeks të çmimeve me bazë për vitin 1938 ose 1939 – në raport me madhimin e qarkullimit të monedhës – për t’u nënëvizuar sulmi që kanë marrë çmimet e prodhimeve të fabrikuara. Lëndën për një të tillë indeks më duket se e ka Banka Kombëtare dhe kjo lëndë munt të përdoret si themel për të njohur evolucjonin e çmimeve. Sido qoftë në caktimin e pmimeve të drithrave lipset të merret parasysh sa herë është shtuar, që prej 1939 e këtej, cmimi i plorëve, i hekurit, i peronave, i veshëmbathjes dhe i sendeve të tjera të para nga të cilat ka nevojë bujku. Nuk duhet të harojmë se në Kosovë edhe në një pjesë të madhe të Shqipërisë së vjetër bujku e paguan krypën me 12-14 lek, sheqerin me 70-80 lek, vajin me 50 lek për kilogram. Nuk duhet të harojmë se prodhimet e manufakturës shiten me çmime abuzivisht të larta. Ka eksistuar, pa fjalë, kurdoherë një dekalazh i math midis çmimeve të prodhimeve industriale dhe të prodhimeve bujqësore, në defavorin e këtyre të dytëve, po ky dekalazh ka marrë trajta dëshpëronjëse në kohën e fundit. Të mos e shtojmë pra me një politikë çmimesh të ulta për prodhimet buqësore, po të caktojmë këto çmime në korelacjon me nivelin e çmimeve të prodhimeve idustriale duke blerë gjith sasit që i ofrohen prej prodhuësve. Pikërisht kjo blemje do të jetë faktori kryesor i mbajtjes së çmimeve në nivelin zyrtar dyke evituar spekullimet tregëtare.

Me këtë rast nuk duhet të harrojmë se bujku ynë nuk gëzon nga kreditë bankare dhe është i shtrënguar të shesë prodhimin e vet në mënyrë intempestive, i shtyrë nga nevojat e shumta. Në qoftë se nuk nërhyn enti grumbulluës për t’a blerë me çmimet zyrtare, bujku do bjerë në dorën e spekulluësve dhe kësilloj anulohet krejt efekti i prodhimit të aftë të atij viti.

Mbesoj se kemi kohë të mjaftë për të marrë masat e nevojshme për evitimin e këtyre spekullimeve.

Gjith me këtë rast kujtojmë se duhen caktuar çmimet e të gjitha drithrave – flasim për të lashtat – aqë për blerjet prej entit grumbulluës sa edhe për shitjet e tija në korelacion me importancën e sikujt prej tyre. Duam të themi, me të tjera fjalë, të evitohet gabimi i tani e disa muajve kur çmimi i thekrit u pat caktuar, në shitje prej entit, më i math se çmimi i grurit, fakt anormal dhe mburim i kaqë ngatëresave.

 

Tomorri, 22.VI.1943

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...