Oshtima

Çeshtje e hidhët e sheqerit

Nuk di në mund të mendoj sod dikush se sheqeri asht nji luks.

Jo. Sheqeri nuk asht nji luks po nji ushqim i nevojshmë përmbajtjes e zhvillimit të trupit njerzuer, të cillit i jep nji sasi të madhe kalorijsh.Në e konsiderojn do njerz si luks kjo rjedh nga ultësija e standardit të jetesës në Shqypni, e sidomos në katunde.

Për botën mbarë asht e mbetet nji ushqim i parë.Tash ky ushqim asht tue i mungue krejt botës shqiptare, ekonomikisht e izolueme nga shtetet e tjerë.Sasit e sjelluna prej kohet nga Italija janë tue u mbarue dhe çmimi në tregun e zi ka kapun 50-60 fr. për kile, domethanë 3-4 gr. sheqer për 1 lek, sikur të ishte nji prodhim farmacijet.Për shumicën dërmuese të popullit shqiptar, e sidomos për klasat e ulta, çmimi i ma sipërm asht krejt prohibitiv. E në kjoft se në katund mund të ketë do mundësi me e zavendsue ket prodhim me nji prodhim vendi qi asht mjalta, për klasat e ulta të qytetit dhe veçanërisht për puntorin s’ka asnji menyrë me e blemun.

Çashtja duhet me na ba të mendojmë se mungesa e nji ushqimi të tillë rezikon shëndetin e popullit e ma fort të fëmis të cillët organikisht kan nevojë për sheqer për nji zhvillim trupuer normal. Pra kur flasëm për sheqer nuk mendojmë për ambëlsinën e hotel Dajti qi mund të kostoi ma shtrenjt, pse ata qi banojn kanë mundësi pagese. Kam pa njierz gadi tue lotue për pak sheqer qi lypte nji kalama i smuet dhe i cilli u pat refuzue kur iu pat sjellun do nji autoriteti për disa gram. Kjo në Kryeqytet. Në katund çashtja ka hy në nji fazë të preme mungese kjoft e për çmime hiperbolike. Dhe asht për t’u çuditun qysh kemi arrijt në kët gjëndje shtrenjtësije prej 50-70 herë në raport me periudhën normale para luftet.

Fabrikat e shteteve fqij, ish Jugoslavija, Bulgarija e sidomos fabrikat e Çekis jan tue vijue prodhimin po me at’ mënyr si ma par. Kuptohet se nji pjes e prodhimit të tyne jepet për nevojat e ushtëris po nji sasi e mjaft dorëzohet për popullatën civile. Çmimet përkatëse të tregut të zi (na bajm abstrakcjon nga tregu i regullshëm), nuk kalon, ne fqinjet, as 12-13 fr. për kile. Kuptojm çashtjet e transportit dhe të spekullimit të do nji klase a grupi spekulatorash, po pikërisht këtu duhet me intervenue qeverija per me pré hovin. Me pré pa mëshir sepse asht fjala për ushqimin dhe shëndetin e popullit. Në kjoft se marrëveshja ekonomike shqiptaro-gjermane qi u lith në Dhetuerin e kaluem dhe prej të cilit populli shqyptar pat shpresue nji permirësim të gjendjes ekonomike, vonon me u zbatue simbas interesave të kolektivitetit shqyptar, në ket rasë Shteti shqyptar lypse të baj ç’mos per me zgjith problemën. Kjo “ç’mos” perfshin studimin urgjentë nji marëveshtje ekonomike me e pague sheqerin me lesh, lëkur ose me tjatër prodhim të tokës Shqiptare e sidomos nji masë konfiskimi të sasive të importueme klandestin dhe të cilat spekulatorat i rezervojnë me i huth në treg kadal, per me mbajt çmimet nalt.

E sikur të paguejshim na me çmimin ma të zi sheqerin jasht, me asnji menyrë ky nuk do prekte çmimin hiperbolik e djallzuer të ditve t’ona. Mandje në se privatët e sidomos tregtart qi s’kan të tjera mundësi përveç kontrabandës e tregut të zi, ne kena besim se Shteti, si organ politik, ka munsësi me e ble drejt per drejt nga prodhuësi.Përndryshe ne se i takon nji refuzim asht i detyruem me ndalue dhe ai eksportimet përkatse.Si do kjoft me nji menyr a me tjatrën duhet me i ndalue hovin spekullimit barbar të konsumuësit shqyptar spekullim qi asht aq ma i rezikshëm sa ky ka mundësi me naltsue çmimet e gjith prodhimeve të tjera. Sa na përket na, jena të detyrueshëm me e nënvizue se pikërisht spekullimi i sheqerit ka sjell mbas tij shtrejtësimin e nji shumice prodhimesh, sidomos sende të ushqimit.

Blemja e sheqerit prej jashtë asht nji frazë e parë e shqyrtimit të problemit.E dyta asht shperndamja. Këtu duhet me konstatue se me shperndamjen e sheqerit në t’kaluemen nuk ka pasun vend as ligja, as drejtësija. Asnji kontrol nuk asht bamun prej autoriteteve eprore mi shpërndamsit. Nji pjes e sasinave qi do tregtar e shesin me 60 fr. kilja e kanë blemun me 1.40 fr. dhe të cilën nuk ia u kan dhan konsumuesve simbas urdhnit. Mandej duhet me u ndalue mënyra e padrejt me i dhanum njerit nji a dy kuintal si ka pas marrun nji ish Ministër e të tjer zotnij e popull as nji gram. Kjo e shum të tjera nuk jan menyra njierzore e ma pak menyra drejtësije të cillat duhen evitue pa tjatër. Nevoja ne bazë të personave efektivisht ne ngarkesë e jo tjatër cilsi çdo natyre kjoft, duhet me u marrun si bazë ne shpërndamjen e ktij ushqimi. Masa të drejta, urgjente, energike asht tue pritun mbarë populli për zgjidhjen e çashtjes me randsi shoqnore të sheqerit t’ambel e të bardh qi për shumicën u ba i hidhët e i zi.

 

Botuar me pseudonimin Veli Gega.

 

 

«Bashkimi i Kombit», 3.II.1944

 

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...