Oshtima

Grabitja e territoreve shqiptare dhe gjenocidi ndaj popullsisë vendase gjatë shek. XX

Hapësira etnike është baza themelore për ekzistencën e çdo populli. Pa liri kombëtare dhe tërësi territoriale etnike kombëtare, si dhe pa një vetëdije e ndërgjegje të qytetarëve, veçanërisht të klasës udhëheqëse dhe intelektuale, nuk mund të ketë ekonomi të përparuar dhe shtet të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe demokratik.
Historia na mëson se shtetet fqinje të Shqipërisë, veçanërisht Serbia dhe Greqia, çdo herë kanë hartuar politika shfarosëse ndaj shqiptarëve dhe kanë synuar aneksimin e hapësirës së tyre. Në këtë kontekst, janë organizuar e udhëhequr fushata dhe ekspedita me forca të armatosura për të dëbuar, masakruar, plaçkitur e shkatërruar çdo gjë me vlerë shqiptare. Kështu kanë bërë në vazhdimësi dhe në mënyrë të organizuar, qarqet drejtuese të Beogradit e Athinës që nga viti 1844, kur ish-ministri e pastaj edhe ish-kryeministri i Serbisë, Ilia Garashanini hartoi programin e ashtuquajtur “Naçertanie”, vit në të cilin po ashtu edhe ish-kryeministri grek, Jani Koleti, hartoi programin tjetër antishqiptar “Megali Idean” (“Idea e Madhe”)1.


Fillimet e gjenocidit dhe të ekocidit ndaj popullit dhe trojeve
shqiptare


Në Kongresin e Berlinit (1878), Fuqitë e Mëdha të Evropës, i bënë popullit shqiptar dëmin më të madh kur vendosën të shkëpusin troje të tij dhe t’ua japin shteteve shoviniste fqinje. Territori shqiptar në atë kohë administrohej në katër vilajete: Vilajeti i Kosovës me 32 900 km ; Vilajeti i Shkodrës me 10 800 km2; Vilajeti i Manastirit me 28 500 km2 dhe Vilajeti i Janinës me 17 900 km2 2 . Nga Kongresi i Berlinit Serbia përfitoi krahinat e Nishit, Pirotit, Prokuples, Vranjes dhe Leskocit. Në Kongresin e Berlinit Serbia kishte hyrë me një sipërfaqe prej 34 000 km2,
por prej tij, kishte dalë me një sipërfaqe të zmadhuar 48 700 km2 3 . Në Kongresin e Berlinit, Malit të Zi iu dhanë trevat shqiptare të Plavës, Gucisë, Tivarit e të Rugovës, në të cilat, siç e thoshte përfaqësuesi i Turqisë në Kongres, Karateodor Pasha, duke kundërshtuar dhënien e Tivarit, Malit të Zi, “malazezët mund të hyjnë vetëm me dhunë, kundër vullnetit të popullit’’ (të shqiptarëve - H.I.). Në Kongresin e Berlinit Mali i Zi kishte hyrë me një sipërfaqe prej 4 700 km2, por prej tij kishte dalë me një sipërfaqe të dyfishuar, me 9 100 km2, me dalje në Detin Adriatik dhe me të drejtën e lundrimit të anijeve të tij në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin e Bunës4. Ndërsa Greqia u shpërblye me kazatë e Ajdonatit, Margëlliçit, Lurasit dhe Prevezës në Çamëri, si dhe me kazanë e Janinës e të Pargës, të banuara në shumicë nga shqiptarët. Kështu, Greqia prej 51 860 km2 rritej në 72 164 km2 5.


Ekspansioni ndaj trojeve shqiptare gjatë Luftës Ballkanike


Goditje të rënda pësoi populli shqiptar edhe me fillimin e Luftës Ballkanike, e cila solli ndryshime të mëdha në hartën gjeografike të Ballkanit. Shteti shqiptar u formua me më pak se gjysmën e trojeve etnike. Aleatët ballkanikë: Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria dolën nga lufta me përfitime të mëdha territoriale. Bullgaria, përfitoi 29% territor dhe 3% popullsi; Greqia 68% territor dhe 67% në popullsi. Ajo mori nga territori shqiptar Çamërinë dhe Maqedoninë e Egjeut; Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi, kurse Serbia 82% territor dhe 55% popullsi6.
Në vendbanimet e trojeve që iu dhuruan Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe shteteve të tjera fqinje të Shqipërisë, me qëllim që t’i sllavizojnë, apo t’i greqizojnë sa më shpejt dhe në mënyra sa më efikase, u ndërmorën masa të rënda dhunuese shtetërore në mënyrë të organizuar dhe sistematike. Dijetarja dhe publicistja angleze, E. Durham, e cila ishte dhe dëshmitare okulare, ka shkruar: “Turku nuk ishte armiku më i egër i Shqipërisë. Vendi vërtet kishte vuajtur tmerrësisht nga turku, por Shqipëria nuk vdiq. Përkundrazi, tani ishte një armik tjetër, madje shumë më i egër se turku, një armik që po forcohej dita-ditës. Ky armik ishte sllavorusia me kishën e saj fanatike dhe me bandat e saj të egra serbe, greke dhe bullgare. Ajo ishte gati të shkretonte Shqipërinë dhe t’i zhdukte njëherësh katolikë e myslimanë bashkë”7.
Dëshmi për politikën tendencioze antishqiptare janë të dhënat në vijim. Nga viti 1918 deri në vitin 1941, Serbia dhe Mali i Zi (sipas dokumenteve serbe) në Kosovë dhe në Maqedoni kishin grabitur 381 245 ha tokë. Për kolonët, vetëm në Kosovë u morën 228 000 ha tokë. Në këtë hapësirë u vendosën 15 943 familje kolonësh8. Ndërkohë familjeve të kaçakëve, që ishin luftëtarë të njohur për liri, iu grabitën 14 000 ha tokë të punueshme. Sipas të dhënave sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, të shfrytëzuara nga prof. H. Bajrami, deri në vitin 1941 nga trojet e veta duhej të shpërnguleshin afro 71% e shqiptarëve. Gjatë këtyre viteve në Kosovë u vendosën afro 70 mijë serbë e malazezë, me ç’rast shqiptarëve iu morën 50% e tokës së punueshme, dhe u dëbuan afro gjysmë milioni shqiptarë9.

Personalitetet më të shquara të pushtetit serb kanë ardhur dhe kanë mbetur gjatë në pushtet, në saje të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve. Prefekti i rrethit të Graçanicës afër Prishtinës, Vojisllav Balozeviq, në vitin 1922, në një artikull të botuar në revistën “Policia”, me titull: Kolonizimi i Kosovës, e vlerësonte kolonizimin si një faktor vendimtar për shkombëtarizimin e trevave shqiptare. Ndërsa Gjorgje Kërstiqi, në broshurën “Kolonizimi i Serbisë Jugore” (Kosovës e Maqedonisë - H.I.), të cilën e botoi në vitin 1928, e vlerësoi kolonizimin si një “çështje shtetërore të klasit të parë”, që zbaton nacionalizimin dhe asimilimin e krahinave tona atje (“krahinat tona” quante krahinat shqiptare të dhuruara nga Fuqitë e Mëdha të Evropës - H.I.)»10. Gjorgje Kërstiqi paraqiste pikëpamjen e tij dhe për një varg çështjesh të tjera, të cilat kishin të bënin me mbarëvajtjen e kolonizimit. Kështu, ai mendonte se në vendosjen e kolonëve, përparësi duhej të kishin viset kufitare me Shqipërinë në mënyrë që të ndërpritej vazhdimësia e trevave shqiptare, të shtypej, plaçkitej dhe të asimilohej më lehtë popullsia shqiptare në Jugosllavi. Vetë krajli Aleksandër Karagjeorgjeviq ishte përkrahës kryesor i politikës së dhunës ndaj shqiptarëve. Në vitin 1929, gjatë vizitës në Gjilan, ai nuk pranoi të dëgjonte ankesat e fshatarëve të Pozhoranit në lidhje me padrejtësitë e organeve agrare dhe i dëboi duke iu thënë “shkoni në Turqi në qoftë se nuk jeni të kënaqur”11, kurse akademiku Vasa Çubrilloviq, në referatin e njohur të mbajtur më 7 mars të vitit 1937 në “Klubin Serb të Kulturës”, në Beograd tha: “E vetmja mënyrë e mundshme e kolonizimit të trojeve shqiptare në masë të madhe është marrja e tokës shqiptarëve”12 . Sipas të dhënave dokumentare zyrtare të Beogradit në Kosovë, në mes të dy luftërave botërore u bë kështu kolonizimi i 11 383 familjeve sllave me 53 888 anëtarë (49 244 serbë, 5 148 kroatë, 162 sllovenë dhe10 729 pjesëtarë të tjerë të quajtur kolonistë të rëndomtë)13, natyrisht në dëm të elementit vendas shqiptar.

Në një protestë të rinisë përparimtare të Kosovës, të marsit të vitit 1937, thuhej se “Prej vitit 1918 shqiptarët në Jugosllavi u janë ekspozuar vrasjeve, djegieve të fshatrave, dëbimit nga vendi; u plaçkitën pasuria, fushat dhe pyjet e fshatrave dhe ato fisnore. Shqiptarëve u ndalohej përdorimi i gjuhës amtare, u zhdukën doket dhe zakonet popullore etj”14. Siç shihet, qarqet drejtuese të shteteve fqinje kanë ushtruar, në mënyrë të organizuar dhe sistematike, gjenocid ndaj popullit, vendbanimeve, trashëgimisë monumentale, pasurisë dhe hapësirës kombëtare shqiptare që zë fill që në vitet 30-40 të shek.XIX.
Kjo gjendje e rëndë për shqiptarët vijoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, jo vetëm nuk arritën të bashkohen me Shqipërinë, ashtu siç u deklarua edhe në Bujan të Malësisë së Gjakovës në vitet 1943-1944 (ku përfaqësuesit e Lëvizjes Antifashiste të popullit shqiptar të Kosovës u deklaruan për vetëvendosje dhe për t’iu ribashkuar Shqipërisë - H.I.) por u ripushtuan dhe u ndanë në katër njësi të Federatës Jugosllave, në Obllastin e Kosovës, provincë e Republikës së Serbisë dhe në republikat e Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Sipas protestës së Organizatës Politike NDSh, të parashtruar kundër mizorive serbo-çetnike gjatë viteve 1941-1947 nëpër Kosovë “janë likuiduar 48 924 shqiptarë”15. Po ashtu, pas Luftës së Dytë Botërore Jugosllavia dëboi për në Turqi rreth 1 milion shqiptarë, nga të cilët, vetëm në periudhën 1953-1966 llogariten 369 000 persona, një pjesë e madhe e të cilëve u larguan nën presionin e UDB-së të drejtuar nga Aleksandër Rukoviqi”16.
Krahas dhunës ndaj shqiptarëve, mohimit të gjuhës, të shkollimit në gjuhën amtare, simboleve kombëtare dhe të trashëgimisë kulturore- historike, Serbia ndoqi politikën e kolonizimit me ndihmën e pushtetit të instaluar në Kosovë. Duke përdorur format më të egra të presionit, pushteti serb synonte pastrimin etnik të Kosovës. Për këtë qëllim u përdor dhe ndërtimi i vendbanimeve dhe i objekteve të tjera pa plane hapësinore dhe urbanistike. Sipas raportit të Sekretariatit për Urbanizim, Veprimtari Komunale dhe Banesore të Qeverisë së Kosovës, të nëntorit të vitit 1980, “në Kosovë deri tani shumë pak është punuar për rregullimin e tokës ndërtimore dhe të hapësirës në tërësi, përkundër begative dhe të parakushteve të tjera natyrore dhe të nevojës së qytetarëve për banim, punë, pushim dhe kushte të tjera. Asnjë komunë e Kosovës deri tani nuk e ka nxjerrë planin hapësinor komunal, planin e përgjithshëm urbanistik komplet (programin urbanistik, planin e përgjithshëm urbanistik dhe planet detaje urbanistike) për qytete, vendbanime me karakter qyteti dhe vendbanime të tjera me perspektivë; planin hapësinor me destinim të veçantë për qendrat rekreative dhe planin urbanistik për vendbanimet fshatare me mbi 1 000 banorë që janë të shtrirë nëpër sipërfaqet e tokës bujqësore dhe që janë qendra lokale etj”17.
Mungesa e interesimit që vendbanimet dhe objektet intensive ekonomiko-industriale të ndërtohen në bazë të planeve hapësinore dhe urbanistike në Kosovë ka bërë që të ketë vendbanime të vogla, të shpërndara, të papajisura me objekte social-kulturore dhe objekte të infrastrukturës; të pandara në zona dhe të ndërtuara nëpër toka pjellore bujqësore. Situata e tillë e krijuar ka karakter tejet negativ kombëtar, si në aspektin politik, ekonomik, ekologjik, bujqësor, strategjik, shëndetësor dhe shoqëror etj., veçanërisht për brezat e ardhshëm. Këtë e dëshmon plani hapësinor i Kosovës, i vitit 1975, ku ndër të tjera thuhet: “Rrjetin e vendbanimeve në Kosovë e përbëjnë 7 vendbanime qytetesh dhe 1 428 vendbanime jashtë qyteteve (të kategorive të tjera të vendbanimit). Grupin më të madh e përbëjnë vendbanimet deri në 1 000 banorë (80%), pastaj prej 1 000 - 2 000 (15%) që i karakterizon shpërndarja shumë e madhe e vendbanimeve të Kosovës. Në këto dy grupe vendbanimesh jeton mbi 60% e popullsisë së Kosovës. Shpërndarja e vendbanimeve dhe lidhja e tyre e pamjaftueshme (në 1 000 km2 territor ka 13,4 vendbanime ose 7,5 km2 për një vendbanim), manifestohet edhe në organizimin prodhues-funksional të Kosovës”18.
Krahas shpërndarjes së madhe të vendbanimeve, u vu re ndërtim i pakët i banesave në sektorin shoqëror (publik). “Në vitin 1977 në Kosovë, në sektorin shoqëror janë ndërtuar 821 banesa kurse në Serbi 13 729, në Kroaci 13 272, në Bosnje dhe Hercegovinë 6 907, në Mal të Zi 879, në Maqedoni 3 717, në Slloveni 7 598 dhe në Vojvodinë 4 352”19. Përkundër nevojës shumë të madhe për zgjidhjen, apo më mirë për zbutjen e nevojës së popullit të Kosovës për çështjet banesore, filloi të binte numri i banesave shoqërore. Kështu në vitin 1975 u ndërtuan 849 banesa shoqërore (kolektive apo publike), kurse në vitin 1976 - 838 banesa, ose 11 banesa më pak. Sipërfaqja gjelbëruese ishte rreth 2-3 m2, kurse normat urbanistike ishin prej 15-25 m2, sipërfaqet për terrene sportive dhe të rekreacionit silleshin rreth 0,43 m2, ndërsa standartet ishin 2 2 për 4-5 m , përkatësisht sipërfaqet rekreative-gjelbëruese 20-30 m  prej tyre ato të pushimit aktiv 10-15 m2 20.


Për këtë situatë ishin përgjegjëse organet kompetente për urbanizim të komunave, sepse ato u jepnin shumë pak leje qytetarëve për ndërtimin e shtëpive dhe të objekteve të tjera përcjellëse-urbane. Kështu, Gjilani me 21 271 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1971, në vitin 1979 pati 303 leje ndërtimi (numri i lejeve të dhëna për ndërtim është i bazuar në raportin e organeve për urbanizim të komunave të prekura që i kanë dërguar Sekretariatit për Urbanizëm, Veprimtari Komunale dhe Banesore të Kosovës, të kërkuar me shkresën nr.02-351- 690/78, të dt.24.05.1979), Gjakova me 29 638 banorë dha 168 leje ndërtimi dhe Vuçiterna me 12 315 banorë dha 174 leje ndërtimi për ndërtim të ndërtesave banesore familjare (shtëpive). Ndërsa Prishtina e Prizreni, si komuna më të mëdha për nga numri i banorëve, më të zhvilluara ekonomikisht me më shumë kuadro me aftësi profesionale, në vitin 1978, kanë dhënë e para (Prishtina) 177 leje ndërtimi, për 69 524 banorë, ndërsa e dyta (Prizreni) ka dhënë 119 leje ndërtimi për 41 524 banorë. Po këtë gjendje të padëshirueshme e ka pasur edhe Mitrovica, Peja, Ferizaj dhe Deçani21 .
Prej nacionaliteteve që jetonin në Kosovë gjendjen më të mirë, madje më të mirë se në republikat e tyre prej nga kishin ardhur si kolonistë, e kishin serbët dhe malazezët. Sipas të dhënave zyrtare i takonte një banesë për çdo 3 malazez dhe për çdo 4 serbë, që do të thotë se gati çdo familje malazeze dhe serbe kishte banesë.
Elementët më të theksuar të ekocidit serb e malazez ndaj shqiptarëve në Kosovë, shfaqeshin në ndotjen e mjedisit ekonomik dhe industrial. Kosova sot (si dhe më parë) është vendi më i ndotur në Kontinentin e Vjetër. Misionarët e Bankës Ndërkombëtare, J.A. Lee, Jean Tixhan dhe Tay Albert profesor i Universitetit të qytetit të Nju Jorkut, në raportin e tyre nr.0-5/78, të hartuar me rastin e vizitës zyrtare që i bënë Mitrovicës, në mars të vitit 1976, konstatuan se “problemi i ndotjes dhe i shëndetësisë në Kosovë, sidomos në rrethinën e Mitrovicës dhe të Prishtinës është tejet serioz. Edhe të dhëna të tjera konfirmojnë se në rrethin e Mitrovicës, mjedisi, gjatë viteve 1974-1975, ka qenë i ndotur 38 herë më shumë se standardet e lejuara.

Krahas me problemin e ndotjes, Kosova është e preokupuar mjaft me furnizimin e vendbanimeve me ujë të pijshëm, me mungesën e madhe të kanalizimeve, me pastrimin e ujërave të ndotura dhe me aftësimin dhe rregullimin e rrjetit rrugor. Përkundër faktit se Kosova paraqet një trevë të begatshme me shumë minerale metalore dhe jometalore të rëndësishme, të cilat pesë dekadat e fundit luajnë rol kyç në zhvillimin industrial të disa pjesëve të ish-Jugosllavisë, popullsisë së saj i mbetën në trashëgimi vetëm helmet e shpërndara në ajër, në ujë dhe në tokë. Popullsisë kosovare iu imponua jetesa në një mjedis të stërngarkuar me ndotës (helme) kimikë të natyrave të ndryshme. Për këtë dëshmon posaçërisht edhe shembulli i kompleksit të Elektroekonomisë së Kosovës, i cili, popullsisë kosovare sot, si edhe brezave që do të vijnë “i dhuron” për çdo vit afërsisht 2 milionë tonë hi, mbi 100 000 tonë sulfur (oksidet e të cilit bashkë me ato të azotit formojnë shirat acidë që shkaktojnë tharjen masive të pyjeve), mbi 12 tonë arsen, afro 3 tonë beril, 1 ton kadmijum, 351 tonë nikel, 492 tonë titan, 191 tonë mangan etj. Cilësia e ujrave të lumenjve të Kosovës, bazuar në rezultatet e laboratorëve tanë dhe mbështetur në parametrat e përgjithshëm fiziko-kimikë, në parametrat e kontrollit të ndotjes, si dhe në treguesit toksikologjikë, janë të kategorisë së tretë dhe të katërt, madje në shumë pjesë të rrjedhës së tyre, lumenjtë tanë më tepër i përngjajnë një kolektori të ujërave të ndotura se sa lumenjve. Problemi i grumbullimeve të mbetjeve industriale dhe urbane është një nga më të theksuarit. Të dhënat e specialistëve provojnë se 5% të tokës së punueshme ose 40 000 ha janë kthyer në depozita hedhurinash dhe 1/3 e sipërfaqeve prodhuese të drithërave, perimeve e lëndëve materiale janë zvogëluar duke shëmtuar njëkohësisht mjedisin e Kosovës22.


Serbia planifikonte të ndërtonte në Kosovë edhe 9 termoelek- trona. Por hapësira e Krahinës fizikisht këto kapacitete nuk mund t’i mbante, sepse dëmtohej toka në 8 komuna dhe nga një sipërfaqe prej 600 km2, duhej të shpërnguleshin 117 vendbanime, në të cilat deri në vitin 1981 jetonin 130 mijë banorë ose më shumë se 15 mijë ekonomi shtëpiake. Në këtë territor gjendeshin një numër i madh objektesh ekonomike, të infrastrukturës, social-kulturore etj23. Edhe pse numri i lumenjve dhe i ujërrjedhave që vërshojnë është i madh në Kosovë, sikurse është edhe më e madhe nevoja për ujitjen e fushës, rregullim të shtretërve të lumenjve dhe kanalizim për ujitje para viteve 1970 nuk kishte apo kjo ishte shumë simbolike. Ndërsa në territorin e Serbisë për rregullimin e shtretërve të lumenjve ishin realizuar objekte me një gjatësi prej 360 km dhe në Vojvodinë me një gjatësi prej 339 km, në territorin e Kosovës do të arrinin vetëm një gjatësi prej 24,8 km, çka ishte shumë e pamjaftueshme në krahasim me nevojat për rregullim. Gjithashtu vlen të përmendet se ndërsa me 3 094 km kanale dhe stacione pompuese me kapacitet 78 m3 ujë në sekondë, në territorin e Serbisë ujiteshin 388 mijë ha, kurse me 11 480 km kanale dhe stacione pompuese me kapacitet të përgjithshëm 273 m3 ujë në sekondë, në territorin e Vojvodinës ujiteshin 118 300 ha, në Kosovë nuk kishte sistem për ujitje24.


Dhuna shtetërore e Serbisë në Kosovë pas vitit 1989


Ndër periudhat më të rënda robëruese për popullin shqiptar në Kosovë, përkatësisht në trojet autoktone të tyre në ish-Jugosllavi, është periudha nga 23 marsi i vitit 1989 deri më 12 qershor të vitit 1999 dhe ndër luftërat më masakruese dhe më shkatërruese, përkatësisht ndër luftërat më gjenocidale, më ekocidale dhe më etnocidale është lufta nga 1 tetori 1977 - 12 qershor 1999.
Fushata e hapur antishqiptare, por edhe ajo kundër popujve të tjerë në ish-Jugosllavi, filloi me Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, në shtator të vitit 1986, në të cilin, ndër të tjera thuhet: “Fati i Kosovës mbetet çështja jetike e mbarë popullit serb”25. Siç u theksua më sipër, Serbia e ka pasur dhe e ka në shënjestër dhe hapësirën, përkatësisht mjedisin jetik në Kosovë, veçanërisht pas vitit 1989, kur Kosovës me dhunë policore dhe ushtarake ia shfuqizoi Kushtetutën e vitit 1974 dhe subjektin në ish-Federatën Jugosllave, më saktë pas 5 korrikut të vitit 1990, kur Kosovën e pushtoi në mënyrë klasike. Hapësirën e Kosovës, Serbia është përpjekur ta pushtojë me çdo kusht, ta plaçkitë, ta përvetësojë, ta eksploatojë, ta shkatërrojë, ta degradojë, ta ndotë dhe ta kolonizojë me elementin serbo-malazez. Gjithashtu është përpjekur që shqiptarët në trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë, t’i pengojë me çdo kusht që të mos kenë vendbanime të ndërtuara me plan dhe të mos jenë të pajisur me objekte të infrastrukturës, me objekte social-kulturore dhe me servise shërbyese-furnizuese etj. Vendbanimet të mos jenë të ndara në zona (banimi, industriale, punuese, afariste, kulturore-arsimore e shkencore, shëndetësore, administrative, të trafikut, të sportit dhe të rekreacionit, të mbeturinave dhe në zonën e varrezave etj.), varësisht prej funksionit dhe madhësisë së vendbanimeve. Shqiptarët të mos kenë të zgjidhur çështjen banesore dhe të ushqimit. Nëpër vendbanime dhe në përgjithësi në mjedisin shqiptar të dominojë papastërtia dhe mosfunksionaliteti i jetës urbane. Vendbanimet dhe objektet ekonomiko-industriale eksploatuese të ndërtohen në tokat pjellore bujqësore dhe pa filtra për pastrim, me qëllim që të shkatërrohet ky burim i pazëvendësueshëm dhe me shumë rëndësi për njerëzimin dhe botën bimore e shtazore në tokë etj., si e dhe të ndotet mjedisi jetik (tokat urbane, ajri, uji) të shkatërrohen monumentet kulturore-historike iliro-shqiptare, si dhe shqiptarët të propagandohen të pacivilizuar etj26.
Paralelisht me goditjen e mjedisit ka ecur dhe goditja e vetë shqiptarëve. Viktimë e politikës serbe, para fillimit të konflikteve të armatosura të vitit 1998, ishin rreth 500 000 shqiptarë, pra rreth një e katërta e popullsisë së Kosovës, që u shtrëngua t’i braktisë vatrat e veta. Gjatë vitit 1998, ndërkaq, më shumë se 400 000 shqiptarë u shtrënguan t’i braktisnin vatrat e tyre dhe të vendoseshin në pjesë të tjera të Kosovës dhe jashtë saj, si në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në vende të tjera. Për pasojë më shumë se 430 fshatra të Kosovës u zbrazën plotësisht ose pjesërisht u plaçkitën dhe u rrënuan rreth 45 000 objekte, u shkatërrua e tërë pasuria në vise të gjera, të cilat mbetën të shkreta.
Deri në vitin 1997 në Kosovë u regjistruan 1 712 shqiptarë të vrarë, ndër të cilit, rreth gjysma ishin fëmijë, gra e pleq. Gjithashtu u regjistruan të zhdukur edhe 1 440 shqiptarë të tjerë27. Në periudhën 10- vjeçare 1981-1990, në procese të montuara politike u dënuan me burg afatgjatë rreth 1 100 ushtarë shqiptarë, kurse 63 ushtarë shqiptarë u vranë nga armata e Jugosllavisë”28.
Etnocidi dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve ushtrohej dhe nëpërmjet arsimit. Në mbi 90% të shkollave fillore dhe pothuaj në të gjitha shkollat e mesme, me përjashtim të vendeve ku nuk kishte serbë dhe malazezë, mësimi u ndalua të mbahej në objekte shkollore, aty ku ishte mbajtur mësimi rregullisht, prandaj mësimi filloi të bëhej nëpër shtëpi private. E njëjta gjë vlentë thuhet edhe për mësimin në fakultete29.
Shfaqje e theksuar e gjenocidit ishte dhe helmimi i fëmijëve, nxënësve, studentëve dhe i qytetarëve të tjerë të Kosovës, që la pasoja tepër të rënda te 7 421 qytetarë, kryesisht të rinj. Kjo tragjedi nisi më 21 mars të vitit 1989, pikërisht kur filloi të rrënohet me dhunë dhe tërësisht autonomia e Kosovës dhe përfundoi më 6 dhjetor të vitit 1990, në vitin kur rrënimi i arsimit shqiptar mori përmasa shqetësuese dhe dramatike. Në këtë kuadër Serbia largoi me dhunë nga puna në Kosovë 150 mijë punëtorë shqiptarë30.
Në të njëjtën kohë vijoi shkatërrimi dhe ndotja e mjedisit jetik. Gazeta serbe “Nedelni Telegraf’ e datës 25 qershor 1996, në faqen 15, e cila i referohet ekspertëve të “Trepçës”, shkruante: “Më parë, kur “Trepça” ka punuar me ritme të njëjta si sot, sasia e pluhurit të plumbit ka qenë prej 150 deri në 500 herë më shumë se sa norma e lejuar, ashtu që në Mitrovicë mesatarisht në vit ka rënë 10 tonë pluhur plumbi ... Kështu, këto ditë, në Mitrovicë dhe në Zveçan, qytetarët në mëngjes shkojnë në punë duke qarë. Diçka e fortë ua ngacmon sytë, faqet u janë bërë lara-lara, me njolla të verdha të çuditshme, kurse nga degët e drunjve zogjtë bien të ngordhur, ashtu sikurse bien nga pemët dardhat e kalbura”. Ndërsa në gazetën tjetër serbe “Denevni Telegraf’, e datës 14 janar 1977, në artikullin me titull: “Grumbujt radioaktivë rrezikojnë shëndetin në Kosovë”, thuhej: “Grumbujt e mëdha të hirit dhe të mbeturi- nave radioaktive nga termocentralet paraqesin një rrezik të madh, nga radioaktiviteti i përhershëm dhe prania e përqendrimit të materialeve radioaktive ... Vendet më të rrezikuara nga rrezatimi radioaktiv prej termocentraleve të Kosovës janë: Krusheci, Fushë-Kosova, Orlloviqi, Obiliqi, Hadja dhe Plemetini, kurse në grupin e dytë, janë vendbanimet: Bardhi (Belloqevci), Sibovci, Bashkia dhe Prishtina.Vend të veçantë në ndotjen e mjedisit jetik, zinte edhe ndotja e lumenjve dhe e ujrave të tjerë. “Ndotja e ujëvarave dhe e burimeve të caktuara është serioze, shkruhej në një gazetë tjetër të kohës. Një pjesë e lumenjve janë jashtë çdo kategorie për nga ndotja. Uji në puse është i ndotur, madje edhe në distancë prej 50-80 m dhe nuk është i përshtatshëm për t’u pirë”31.
Në shënjestër të goditjes së pushtetit okupues serb pas vitit 1989 ishte edhe toka bujqësore. Gjatë periudhës 1990-1995 u shkatërruan mbi 7 000 ha tokë buke të kooperativave bujqësore dhe të personave juridiko-civilë, përkatësisht të sektorit kolektiv dhe të qytetarëve shqiptarë32. Krahas tokës bujqësore, e sulmuar egërsisht nga Serbia ishte edhe toka ndërtimore (urbane). Qeveria në Beograd u angazhua për të bërë spastrimin etnik të Kosovës dhe në të njëjtën kohë të kryente kolonizimin e saj me elementin serb dhe malazez. Për këtë qëllim ajo nxori Dekretin për rikolonizimin e Kosovës, më 11 janar të vitit 1995, me të cilin parashihej të silleshin në Kosovë 100 mijë kolonistë serbë dhe malazezë. Por numri i kolonëve serbë e malazez nuk ishte aspak i kufizuar. Në Kosovë mund të vinte kushdo prej serbëve dhe malazezëve, duke pasur të siguruara të gjitha kushtet për jetë, punë, shkollim, argëtim etj. Në këtë frymë edhe Kuvendi i RFJ-së, më 17 mars të vitit 1994, miratoi Ligjin për sigurimin e banesave për nevojat e kuadrove dhe për kthimin në Kosovë të personave të shpërngulur (në fakt është fjala për sjelljen e kolonistëve të rinj serbë e malazez - H.I.), me të cilën parashihej “që në periudhën 1994-1998, të ndërtoheshin ose të siguroheshin 1 564 banesa: 87 garsoniera; 255 banesa me një dhomë; 1 024 banesa me dy dhoma dhe 198 banesa me tri dhoma, si dhe ndarjen (dhënien) edhe të 711 trojeve për ndërtim banesor individual etj”. Ndërsa me Ligjin e Serbisë për veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta “në mbi 200 ndërmarrje dhe institucione, ndër më vitalet në Kosovë, u vendosën masat e dhunshme”33 .

Përkitazi mbi gjendjen e rëndë në gjigandin metalurgjik “Trepça” të Mitrovicës, Dragan Banjac shkruante: “Trepça, në mënyrë klinike është e vdekur. Deri sot (09.02.1996) janë dëbuar mbi 11 450 punëtorë shqiptarë, në mesin e tyre shumë ekspertë. Sigurisht, Serbia ka planet e veta që të bëjë pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Për shkak të pozitës materiale dhe për shkak të terrorit serb, sot mbi 450 000 shqiptarë bredhin nëpër Evropë dhe në botë, rreth një gjysmë milioni është këtu (në Kosovë) pa mbrojtje shëndetësore, 250 000 fëmijë pa shtesa fëmijërore dhe është shtuar shumë numri i sëmundjeve”34.


Gjenocidi serb në Kosovë pas vitit 1997


Gjatë protestave paqësore, masive dhe dinjitoze të studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilave më vonë iu bashkëngjiten edhe nxënësit dhe e gjithë masa popullore e Kosovës, Serbia u përpoq me anë të përshkallëzimit të dhunës, t’i shtypte ato. Sipas raportit të KMDLNj-së në Prishtinë, “Policia keqtrajtoi në të gjitha format e mundshme mbi 500 veta. Nga kjo shifër, të rrahur janë mbi 350, të lënduar 150, 95 prej të cilëve janë studentë, 32 nxënës e femijë. 34 vetë janë të arrestuar. KMDLNj në Prishtinë, në përmbyllje të këtij raporti, njoftonte se këto informata i ka regjistruar nga 1 deri më 30 tetor të vitit 1997 dhe se numri real i të keqtrajtuarve ende nuk ka arritur që të evidentohet në tërësi”35.
Gjatë viteve 1989-1999 sipas të dhënave zyrtare, të dëbuar dhe të ikur nga terrori serb ishin afërsisht 1 milion shqiptarë36. Pjesa dërrmuese ka qenë e strehuar në Shqipëri, te shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në shtetet perëndimore. Kurse prej shtëpive dhe banesave të tyre ka qenë dëbuar rreth 90% e popullsisë. Në vitin 1999, pas largimit të trupave serbe nga Kosova, aty u regjistruan rreth 550 varreza masive. Numri i të vrarëve besohej të ishte së paku 11 000, i të burgosurve mbi 2 000 dhe i të zhdukurve rreth 7 00037. Sipas BE-së dhe UNHCR-së, forcat e armatosura të Serbisë së bashku me kolonistët dhe kriminelët e instaluar në Kosovë “kanë shkatërruar dhe djegur 204 285 shtëpi në 1 300 vendbanime të 29 komunave, 534 shkolla dhe 140 institucione shëndetësore si dhe në 617 vendbanime janë shkatërruar instalimet dhe objektet komunale për furnizimin me rrymë, ujë të pijshëm dhe për kanalizime”38.

Në vijim u shkatërruan objektet dhe lagjet me vlera kulturore, historike dhe arkitektonike të trashëguara, si kullat dhe lagjet e vjetra, nëpër vendbanimet e Kosovës dhe objektet shqiptare fetare, rreth 600 prej tyre. Pastaj u dëmtua dhe asgjësua libri shkencor, letrar dhe arsimor, teknik inçizues dhe dokumentacioni arkivor në radio-televizion etj. Gjatë viteve 1989-1999 në Kosovë u prenë dhe u dogjën mbi 1 600 000 m3 dru duke u bartur për në Serbi e Mal të Zi dhe u shkatërruan 13 000 ha tokë buke, duke ndërtuar koloni për kolonistët serbo-malazez, kisha dhe objekte të tjera për nevojat e kolonistëve, të bashkëpunëtorëve dhe të servilëve. Përkundrejt faktit se shkatërrimi dhe degradimi i tokës dhe i pyjeve ka karakter shoqëror, shëndetësor, ekonomik, strategjik, politik, ekologjik, arsimor, bujqësor etj. Me të drejtë edhe Byroja Federative e Amerikës (FBI) ka konstatuar se “Kosova është një nga shkencat më të mëdha të krimit në histori”39.


Gjendja në Kosovë pas vitit 1999


Lufta e UÇK-së dhe e forcave të NATO-s, të kryesuara nga ShBA dhe aleatët e saj, e organizmave ndërkombëtarë dhe e shteteve të zhvilluara e demokratike, si dhe sakrifica e qëndrueshmëria e popullit të Kosovës, bënë të mundur çlirimin e Kosovës nga hordhitë çetnike serbo- malazeze, që popullsia shqiptare e Kosovës, e dëbuar në mënyrë masive, të kthehej në atdheun e vet, në shtëpitë e banesat e veta. Ishte një tragjedi e rëndë për popullin shqiptar të Kosovës dëbimi i tij nga Kosova, sidomos gjatë viteve 1998 deri më 12 qershor të vitit 1999. Kthimi i tij i shpejtë dhe masiv, pas fitores së forcave të UÇK-së dhe NATO-s ndaj forcave serbo-malazeze, ishte një akt patriotik dhe dinjitoz që dëshmoi edhe një herë ndjenjën e atdhedashurisë së popullit shqiptar të Kosovës për atdheun, lirinë e pavarësinë.
Pas tërheqjes, forcat serbo-malazeze e lanë Kosovën në një gjendje katastrofike. Pasojat e luftës ishin të pranishme në çdo fushë të jetës. Sipas KFOR-it “që nga qershori i vitit 1999 e deri në prill të vitit 2000 në Kosovë kanë vdekur 100 persona dhe 378 të tjerë janë lënduar si pasojë e shpërthimit të minave”. Edhe dy vjet pas hyrjes së organizmave të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, forca të jashtëligjshme serbe e malazeze e mbajnë Kosovën Veriore, përkatësisht Mitrovicën Veriore të ndarë nga pjesa tjetër e vendit. Qendra rekreative, sportive dhe turistike, Brezovica, e njohur për vlerat e larta natyrore, së bashku me Parkun Kombëtar të Kosovës “Sharrin” mbahen ende të pushtuara nga forcat serhe. Serbët dhe malazezët në Kosovë jetojnë ende të kantonizuar, të armatosur dhe nëpër enklava strehojnë kriminelë dhe punëtorë të sigurimit serb dhe malazez, të cilët herë pas here bëjnë atentate, sulme diversante, bllokojnë komunikacionin, sulmojnë shqiptarët dhe zyrtarët ndërkombëtarë, dëbojnë, vrasin, plaçkisin dhe djegin shtëpitë e shqiptarëve në veri dhe në lindje të Kosovës dhe në vendbanimet e komunës së Shtërpcës. Serbët dhe malazezët në Kosovë nuk e njohin realitetin e krijuar, nuk e pranojnë dhe nuk punojnë për Kosovën si shtet të tyre, por vijojnë të pengojnë normalizimin e jetës së saj.

 


«Studime Historike», Nr 1-2, 2006

Hysen Ibra


1) Historia e Shqipërisë, II, botim i Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 1984, f. 141-142. 2) Po aty, f.47-52; Shih edhe: H. Bajrami, Politika e shfarosjes së 3) R. Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika, Prishtinë, 1994, f.49. 4) Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1984, f. 215; shih edhe: R. Qosja, vep.e përm. f.50 5) Po aty. 6) L. Rushiti, Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë, 1986, f.9 7) Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë, 1991, f.9. 8) Arkivi i Jugosllavisë, Fondi: Reforma Agrare dhe kolonizimi, Beograd; Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës (1887-195), Prishtinë, 1997, f.43; M. Obradoviq, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu, 1918-1941, Prishtinë, 1981, f.221-222. 9) “Bujku” - “Rilindja”, 20 korrik 1991. Artikull i H. Bajramit. 10) M. Verli, Reforma Agrare Kolonizuese në Kosovë (1918-1941), Tiranë, 1992, f.46. 11) Po aty, f. 47. 12) Po aty, f. 50; M. Obradoviq, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu, 1918-1941, Prishtinë, 1981, f. 221-222. 13) Reforma Agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1918-1941, Prishtinë, 1981, f. 221-222. 14) Arkivi i Institutit Historik të Malit të Zi, dok. 8931. 15) H. Bajrami, vep. e përm., f. 185; T. Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Bruksel, 1964, f.93. 16) “Rilindja”, 2 qershor 1990, f.10. Artikull i M. Krasniqit. 17) Problematika e urbanizimit dhe e planifikimit hapësinor në Kosovë,Prishtinë, nëntor 1980. 18) Plani hapësinor i Kosovës (propozim), Prishtinë, 1975, f.24-25. 19) Vjetari statistikor i Jugosllavisë, Enti Federativ i Statistikës, Beograd, 1978, f.519. 20) H. Ibra, Fejtani, Roli i Urbanizimit dhe i Rregullimit të Hapësirës në stabilizimin ekonomik, pjesa4, në “Rilindja”, 18 gusht 1984. 21) Po ai, Hapësira dhe toka për ndërtim në Kosovë, pjesa 5, në “Rilindja”, 27 shtator 1979. 22) N. Daci, Kosova - ambienti, jeta, në “Magazinë Ekologjike”, Prishtinë, 1994, buletini nr.1-2, f.23 23) Plani Hapësinor i Sistemit Energjetik-Industrial të Kosovës, Prishtinë, 1992, f. 19, 22-23. 24) Plani Hapësinor i Serbisë, Beograd, 1970, f.70. 25) “Duga”, Beograd, 1 qershor 1989, f.40. 26) H. Ibra, Shkatërrimi i hapësirës së Republikës së Kosovës nga okupatori serb (1989-1997), Prishtinë, 1998, f.94-95 27) Koha Ditore”, 27 tetor 1998, f.6. Artikull i P. Nushit. 28) Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës (1877-1995), Instituti i Historisë-Prishtinë, Prishtinë, 1997, f.68. 29) H. Hyseni, E vërtetapër helmimet, Prishtinë, 1996, f.82. 30) E. Stavileci, Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, (Shoqata e pavarur e juristëve të Kosovës), Prishtinë, 1998, f.302. 31) “Zëri”, nr.1449, 25 prill 1992; Po aty, nr.1450, 2 maj 1992, f.30. 32) H. Ibra, Shkatërrimi i hapësirës..., f.407-408. 33) “Gazeta zyrtare e RS”, nr.30, 1990. 34) “Rilindja”, 10 nëntor 1992. 35) Enciklopedia e madhe e aforizmave, Zagreb, 1997, f.264. 36) KMDLNj në Prishtinë, në “Buletini”, 13 tetor - dhjetor 1999, f.7-8. 37) Rilindja”, 28 korrik 1999. 38) “Koha Ditore”, 25 qershor 1999. 39) “Zëri”, 30 maj 2000.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...