Oshtima

Çmime dhe transportime

Në mbarimin e shekullit të kaluar lufta midis shoqërive të vajgurit pat arritur kulmin, dyke u përdorur të gjitha armët financiare edhe politike që mund të ketë kapitali në dorë. Kjo ngjante jo vetëm në të dy Amerikat – ku gjenden mburimet më të mëdhaja të kësaj lënde – po edhe në gjithë botën ku kish të tilla mburime edhe konsumuës të vaj-gurit. Dhe jo të pakta patnë qënë kryengritjet e luftrat e brendëshme dhe të jashtëme edhe ndryshimet e regjimeve, të cilat, në esencën e tyre, e kishin mburimin në çështjet e vajgurit. Lufta kish dy aspekte kryesore: zaptimin e puseve të vaj-gurit, pra i prodhimit, dhe zaptimi i tregut të shitjes. Pas një hesapi të thjeshtë luftën duhej t’a fitonte ay i cili njëkohësisht, do kish më të shumtat mburime e më shumë konsumuës.

Po në zhvillimin e punës nul ngjau kësilloj. Sepse luftën e fitoj transportuësi, dhe pikërisht John. D. Rockefeller, i cili u bë “Mbreti i vaj-gurit”. Në fillim Rockefeller-i nuk ish pronjar puzesh vaj-guri, ose, në ish, kishte vetëm një sasi të vogël, po pronjar akcjonesh të shoqërive të transportimit. Dhe sepse për të diktuar vullnetin e tij nuk i mjaftonin pakot e akcjoneve të udhëhekurave, ay krijoj edhe një mjet të ri për transportimin e vaj-gurit: konduktat (pipe-linie) që nga vëndi i prodhimit nër porte ku ngarkohej për t’u shpërndarë në gjithë botën. Së këndejmi, nga zotërimi i mjeteve të transportit, kaloj në zotërimin e mburimeve dhe të gjithë tregut. Jo vetëm të tregut amerikan, po të tregut të përbotshëm. Kjo në dëmin e pronjarit të parë të mburimeve dhe të konsumuësit, të cilët u detyruan të pranojnë çmimet e diktuara prej “mbretit të vaj-gurit”. Triumfi i Rockefeller-it është triumfi i transportuësit mbi prodhuësin e mbi konsumuësin.

Një fenomen i tillë ngjan edhe sot në Shqipëri, përpara syve t’ona. Nga pikëpamja e ushqimeve kemi dy Shqipëri: një Shqipëri të prodhimeve dhe një Shqipëri të konsumimeve. E para është Kosova ku prodhimet kalojnë nevojat e konsumit dhe e dyta është Shqipëria e vjetër ku prodhimet nuk mjaftojnë. Midis këtyre qëndron tregëtari dhe veçanërisht transportuësi, dhe më fort ky i dyti (i cili gjith tregëtar është) i dikton prodhuësit çmimin që do ay vetë, një çmim të ultë, në shitjen e mallit. Më anë tjatër ay i dikton konsumuësit për gjith atë mall një çmim të naltë fort, çmim spekullimi.

Pra dy kategori prodhuës e konsumuës, të cilat përbëjnë shumicën e popullsisë, shfrytëzohen prej një pakice qiraxhinjsh që zaptuan mjetet e transportimit. Se si i muarr këto mjete intereson fort pak, po intereson fakti se këta diktojnë sot çmimet dyke shtypur në mengenen e vullnetit dhe të interesit të tyre prodhuësin kosovar edhe konsumuësin e qytetit. Përveç imoralitetit të saj absolut, kjo lodrë spekullimesh mund të ketë rjedhje shoqërore dhe politke të mëdha sepse krijon disekuilibre të rënda në sistemin shoqëror-poltik.

Ka mundësi për t’u dalë nga mengeneja e transportuësve?

  • Po. Dhe ja sepse.

Automjetet punojnë me benzinë e me goma të cilat, deri tani Shteti Shqipëtar (i nalti komisariat i nozullimeve dhe transportimeve) ia u ka dhënë me çmime zyrtare, që janë të paktën dhjetë herë më të lirë se çmimet e tregut të zi. Kundrejt tyre transportuësit janë të detyruar të kryejnë transportime me çmime zyrtare. Këtë detyrë nuk e përmbushin as pesëdhjet për qint. Pra, marrën lirë karburanta e goma nga Shteti, nuk paguajnë tatime mbi fitime edhe transportojnë me çmime të larta mallra, të blera lirë në Kosovë të shitura shtrenjtë në Tiranë. Dhe së këndejm ato milionet e realizuara me të cilat sot trembin edhe shfrutëzojnë botën.

Këtu duhet të shtojmë edhe këtët: kamjonet e tyre u patnë blerë me çmime të privilegjuara, si të destinuara për transportime të interesit publik. Të detyrohen këta të bëjnë transportime me çmimet zyrtare ose më mirë t’i vënë automjetet në dispozicjon të Entit grumbulluës, si pjesë kapitali. E dyta masë është detyrimi i tregëtarëve që marrën leje për të sjell mall nga Kosova, t’a shesën me një çmim të caktuar prej Qeveris. Të paktën kaq në mos monopolizimin e blemjeve dhe shitjeve të drithrave të cilën hambarxhinjtë e qiraxhinjtë nuk e duan. Masa të thejshta, elementare, të drejta impozohen për t’u shpëtuar nga diktatura shfrytëzuese e transpotuësve e për të ulur çmimet e prodhimeve ushqimore në nivel të njerëzishme, si pas çmimit të blerjes në vendet e prodhimit.

 

 

 

«Bashkimi i kombit», 17.XII.1943

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...