Oshtima

Fakti politk dhe fakti ekonomik

Artikull i shkruar gjatë krizës së Regjencës dhe të Qeverisë.

 

Pa fjalë se fakti politik ka një rëndësi të madhe në jetën shoqërore.

Art qeverimi për disa, shkencë qeverimi për të tjerë, politika i përgjigjet pyetjeve si e qysh duhet organizuar kolektiviteti, si e qysh e prej cilit duhet drejtuar për të prekur sa më mirë aspiracjonet e veta. Flasëm, kuptohet vetiu për politikë në koncepsionin e saj të naltë, si thamë më sipër, si art ose shkencë qeverimi. Në praktikë politika nuk i përgjigjet asfare vizioneve platoniane ose aristotiane edhe fort mirë pat shkruar më këtë Pascal-i “ s’ils ont ecrit de politique e’etait comme pour regler un hopital de fous” sepse politikanët nuk kuptohen kurrë midis tyre. Në qoftë se diktoni i më sipërmë munt të jetë i vërtetë në vënde të qytetëruara me kulturë e traditë shtetnore më të gjatë, kuptojeni vetë ç’munt të thuhet për politikë në një shoqëri të re të pashvilluar, si, haj të themi Shqipëria, ku politika nuk vështrohet me asnjë mënyrë si “art” ose “shkencë qeverimi” po më fort si fushë lufte për luftë – si temperamenti ynë racial – ose si fushë fitimesh lëndore – mbassi vendi ynë është tepër i vogël e i vobektë dhe njerzit tepër të mëdhenj, etj.

Në rastin më të mirë politika munt të cilësohet si një relativitet flotant, një “më tha – i thashë”, “më the – të thashë”, “më gënjeve – të gënjeva” ose një lodrë vepërimesh e thash e themesh, ose, shumë – shumë, një lodrë ekuilibrimesh interesash personale ose grupesh, të dita – ditës, dhe jo një afirmacjon iderash e parimesh.
Ditën kur ngjan fakti politk, si pas këtij kuptimi ose praktike të dytë, mund të na bëjë një përshtypje të madhe, veçanërisht në një periudhë abrutizmi nervash, pra t’i japëm rëndësi fjalës që tha filani ose filani. Pastja lodra e thash e themeve ndryshon, ekulibrimet marrën të tjera trajta – ata të njërës anë vijnë e rëndojnë në një anë të kundërt – dhe shohëm më në fund se u pat bërë zhurmë shumë për asgjë ose për një punë tepër të vogël.
Propocionet e vërteta të faktit politik ose aspektet e tij tragji-komike mundim t’i dallojmë vetëm kur i vështrojmë që lart, historikisht, në prizmën dhe perspektivën e kohës mbasi u pat konsumuar ose bërë bajat.Sepse atëhere, e vetëm atëhere, fakti politik çfaqet në aspektet e veta varfanjake të cilat janë fort dendur të një flluske sapuni.

Kunderjt faktit politik që patmë cilësuar si fakt relative ose thash e themesh është fakti ekonomik, i cili është fakt absolut ose fakt realitetesh. Me shumë të drejtë nënëvijon André Lichtenberger në Enciklopedinë Larousse se tani politika është dyke kaluar në një plan të dytë e dyke i lënë vendin ekonomisë e cila merret me ligjet e prodhimeve, të qarkullimit dhe konsumit të mallrave, pra me mundësinë e jetesës. Pa ngritur materializmin në të vetmin motor të veprimtaris njerëzore dhe si të vetëmin determinant historik, duhet t’i njohim këtij një rol tepër të math në zhvillimin e ngjarjeve e sidomos të luftrave midis popujve dhe brenda tyre midis kategorive të ndryshme.

Sidoqoftë të dy luftrat e fundit botnore janë luftra tipike të shkakëtuara prej arësyesh ekonomike: për të zaptuar ose për të mbrojtur mburimet e lëndës së parë dhe tregjet e shitjes së prodhimit industrial.Kjo mbasi gjendja dhe fuqija politike është ngushtësisht e lidhur me gjendjen dhe fuqinë ekonomike të një shteti.Prandaj edhe ay ose ata që kanë në dorë fatin e një kombi lipset të jenë udhëhequr në kryerjen e veprave të tyre prej faktit ose interesit ekonomik – për t’i siguruar atij bazën e jetesës dhe të shvillimit në gjithë degat.

Të lëmë tani përgjithësimet theorike dhe t’i raportojmë këto të gjitha realitetit shqiptar.

Ësht’e ditur se njeriu shqiptar është njeriu-tip i individualismit. Prodhim i determinantit gjeografik – i tokës së ashpër – ose i rethanave historike të vrazhta; ay është e mbetet, si thamë, një individualist. Individualismi ka, pa fjalë, të mirat e tija po ka edhe të këqijat, mbassi është rëndë për t’u këthyer e tretur në kolektivitete ndërgjegjës, në shoqëri të organizuar për një qëllim të përbashkët.
Si individualist shqiptari i jep një rëndësi të madhe faktit politik edhe interesit ekonomik privat, po nuk i jep asnjë rëndësi faktit edhe interesit ekonomik kolektiv, të përbashkët. Më i fundit katundar është gati të prishë një urë për të marrë edhe ay një dru ose t’o verë zjarr shtëpisë së tjetrit për të ndezur cigaren. Po ashtu vepëron edhe m’i madhi atëhere kur bëhet udhëheqës i një grupi – ndjek vetëm interesin e tij individual, ose ambicjonin, dyke i përdorur të tjerët si vegla për t’i arrijtur një qëllimi të tillë.
Së këndejmi jemi në gjendjen që jemi: sepse i ajpëm rëndësi thash e themeve politike -  të sgjatura kur s’duhet si litar Vranje, - dyke lënë mbasdore realitetet dhe nevojat ekonomike.
Dhe bëjmë gabim
Gabim sepse nër sa ne iu kushtojmë veprimtarinë t’onë tevatyrave edhe thash e themeve politike jemi dyke u rëkëllyer në greminë ekonomike të tmerrëshme.
Çdo provizorat, çdo vonesë në zgjidhjen e një probleme sjell dita me ditën shkatërrimin t’onë.


 

«Bashkimi i Kombit», 8 Korrik 1944.

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...