Oshtima

Kulti i zjarrit në bujqësi dhe blegtori

Zjarret e vitit, për mbarësi e pjellori në bujqësi e blegtori, janë shumë të njohura ndër shqiptarë. Të tilla zjarre si rite për pjellori, për shtesë prodhimi, për mbarësi në familje, i gjejmë drejtpërdrejtë a tërthorazi pothuajse në të gjitha rastet, po këtu do të kufizohemi vetëm në lidhje me rite që kanë të bëjnë me djegien e kashtës dhe me tymosjen e bagëtive.
Zjarret e vitit ose kujtimet mbi këto zjarre i gjejmë në mënyrë shumë të afërt në vise të ndryshme të Shqipërisë, në Jug e në Veri, por dihet se këto në pak vende janë ruajtur në ritualin e tyre të plotë. Në shumicën e rasteve janë kthyer në lojëra fëmijësh. Si komponente kryesore në ndezjen e zjarreve kolektive, fisnore, në bazë shtëpie a në bazë lagjeje për kolendra, kërshëndella, viti i ri, ujë të bekuar, ditën e verës, ditën e nevruzit  (dita e zojës, e vangjelizomit), për Shëngjergj, Shëngjin a më ndonjë festë tjetër, janë dëllinja (përcja) dhe kashta (prej gruri, misri a thekre). Djegia e kashtës në këto zjarre nuk është një gjë e rastit; në kohën kur këto rite ishin më të plota, ajo ka pasur një kuptim e një rëndësi të veçantë në ritet e besimet popullore. Sipas dëshmive që kemi në dorë, më tepër zjarre ku digjej dhe kashtë ndizeshin ditën e verës për shëngjergj dhe për shëngjin ose festa të tjera që kanë zëvendësuar këto të parat. Djegie të kashtës, në Menkula, Bilisht, Bulgarec, Polenë të Korçës, në Tërpan e Dardhë të Beratit, në Çermë të Pogradecit, në Sheper të Zagorisë, në Potom të Skraparit, Shelcan të Elbasanit.  Më tepër zjarret e ditës së verës ndizeshin në kopsht, në oborr, në arë, por ndodhte që të ndizeshin edhe në kodra. Ka rëndësi fakti që këto zjarre duhet të ndizeshin me doemos në tokën e fisit. Siç dihet kopshti, në natyrën e tij, ruan shumë forma të bujqësisë më arkaike, pra ruheshin më tepër edhe rite e zakone në lidhje me mbledhjen e bereqetit e prodhimet e kopshtit. Pikërisht në kopsht gjejmë më tepër dhe zakonin e ndezjes së zjarrit ritual, për ditë vere, për shëngjergj e shëngjin. Zjarret me byk gruri, por ndonjë vend edhe me djegie kashtë misri, janë ruajtur deri vonë në vendet fushore të vendit tonë, për Shëngjin. Kështu ato i ndeshim në Barbullush, Zadrimë, e në përgjithësi në fushën e Shkodrës, në Myzeqe, në Sopik të Sarandës e vende të tjera. Në popull thuhet qartë se «zjarret e shëngjinit janë zjarre me byk».

Përmbajtjen e këtyre zjarreve (flakadajve) të Shëngjinit e ka vënë shumë mirë në dukje Rr. Zojzi kur thotë «Në mbramje pas darke mblidhet mbarë fshati në lamë të grunit dhe aty ndezin zjermore të mëdhaja me byk, si thohet, ndezët për me ia kthye tokës pjellën e vet. Në këto zjermore, mundohen me ia kalue naltësinë e flakës njani- tjetrit. Mandej nisen të shkapërxehen: burra dhe gra, pleq e plaka, përshkrohen nëpër flakë. Me gaz, me kangë dhe kërcime kalojnë natën e festës së të korrunave, deri ndër orët e vona të mëngjesit. Me urime që i drejtohen njani-tjetrit, shpërndahen. Në ditën e nesërme, secili merr pak nga hini dhe ia qet arës me ia kthye tokës bereqetin, pse po nuk u ba ashtu, në vjetin e ardhshëm toka nuk prodhon. «Shëngjinat» (ose flakadajt) tek populli ynë festohen në fund të qershorit, si në kohën e të korrunave, dhe jo prej barinjve, por prej bujqve, jo me ranë, por me byk (dhe në kurrnji rasë me landë të tjera), dhe kjo i ven në lidhje direkte me të korrurat, një festë bujqësore.»
Është e ditur se këto zjarre në origjinë kishin qëllim t’i jepnin fuqi diellit e pastaj dielli t’i jepte forcë prodhimit të ri bujqësor. Në përgjithësi, këto zjarre kishin të bënin me ripërtëritjen e natyrës, të bimësisë në këtë stinë.

Djegia e kashtës, zjarret në kopshte, hedhja e hirit në vazhdim, kanë një kuptim simbolik të veçantë, kuptim që në popull ka humbur me kohë. Këtu digjet ajo pjesë e kashtës (bykut) që përbën shpirtin e drithit, demonin e drithët, të bimëve bujqësore. Po të hidhemi në kuptimin që kësaj i jepej në lashtësi kemi të bëjmë me djegien e hyjnisë së drithit me qëllim që ajo të ringjallej e të ripërtërihej me anë të hirit të saj. Pra kjo bëhej me qëllim që forca e hyjnisë së ringjallur të kalojë nëpërmjet hirit në bimësinë e re që ta fuqizojë atë për të dhënë prodhime të mira vitin e ardhshëm. Një veprim mjaft interesant, në lidhje me sa u tha më sipër, është dhe ndezja e kashtës së bërë deng e sjellja e sa në ajër në formë rrethi. Këtë zakon të qartë e kemi gjetur në Mat e që bëhej ditën e verës. Ky rit quhet «Dalinat e verës». Për të bërë këtë merrej kashtë misri, gruri a thekre; në mungesë të këtyre të fundit mund të merrej dhe fier ose dushk, apo kashtë duhani. Bëhej lidhja e saj ne formë dengu, lidhej me kulpër, dengut i lihej një bisht kulpri i gjatë për ta mbajtur kur të sillej rreth kokës. Këto shtëllunga kashte ndizeshin në të dy anët në një majë kodre dhe aty silleshin rreth kokës duke thirrur «Dalinat e pranverës, marrshi ethet e verës». Në kodrat më të dukshme të katundit delnin bashkë gjithë familja, gjithë fisi apo gjithë lagjja. Aty ndiznin dalinat dhe hynin në garë se kush do t’i bëjë ndezjet më të mira.
Në prag të ditës së verës një sjellje e tillë e shtëllungës së ndezur bëhej edhe në Sheper të Zagorisë; shtëllunga e ndezur e kashtës këtu vihej mbi një shkop e sillej në ajër.
Në Zadrimë, në Barbullush e fshatra të tjera rreth Shkodrës, në Koman të Pukës, sjellja e kashtës së ndezur në ajër, lidhej me një litar ose mbi një shkop bëhej ditën e Shëngjinit.

Kuptohet se në këtë rit, kemi të bëjmë me formimin e rrotës së zjarrtë diellore, fenomen që e ndeshim edhe në popuj të tjerë të Evropës, por në mënyra e variante të ndryshme. Ky veprim në fund të shek. XIX e në shek. XX gjendet si lojë për argëtimin e fëmijëve dhe të të rinjve, por në lashtësi natyrisht ka pasur kuptimin e formimit të diellit të zjarrtë në lëvizje dhe bëhej si një veprim magjik për t’i dhënë atij fuqi. Pra këtu kemi të bëjmë drejtpërsëdrejti me kultin e diellit e lidhjen e tij me pjellorinë në bujqësi, nëpërmjet demonit të drithit, kashtës që, në thelb, simbolizon hyjninë e drithit e lidhjen e saj me diellin, aftësinë e saj për të marrë prej andej forcën që t’ia japë prodhimit të ri bujqësor. Kuptohet se të tilla përfytyrime të lashta e kanë rrënjën, shkakun te nënshtrimi i njeriut ndaj natyrës, ndaj kushteve meteorologjike të mira a të këqija, si  shi, breshër, të ftohtë, fortunë, ngrohtësi e madhe etj., të cilët në radhë të parë ushtronin ndikim mbi prodhimtarinë bujqësore. Pra, këto synime që bujku në një kohë të lashtë nuk mund t’i arrinte me mjete reale, mundohej t’i realizonte me veprime fantastike, prej nga lindën dhe përfytyrime të tilla, besim në ekzistencën e këtyre forca të mbinatyrshme.

Një rit i veçantë për të ruajtur bagëtitë nga sëmundjet e mundshme ose «për t’i shëruar» ato nga sëmundje të tilla është të tymosurit e tyre. Zakonisht tymosja bëhej në pranverë, para se të dilnin në bjeshkë për verim, me zjarr të prodhuar me mjete primitive. Për këtë qëllim në shumë raste përdorej zjarri i ndezur me gurë shkrepës e eshkë, ose në disa krahina dhe me zjarr të prodhuar nga fërkimi i dy drunjve, pra me «zjarr të gjallë».
Tymosja e bagëtive në pranverë me tym zjarri të prodhuar nga fërkimi i dy drunjve prej lajthije e kemi ndeshur në Helshan të Kuksit dhe në Has. Nga flaka e shkaktuar prej fërkimit të dy drunjve bëhej një zjarr i madh me shkarpa, me lecka e me kashtë; nëpër tymin e këtij zjarri kalonin bagëtitë. Në disa raste merrnin edhe thëngjij nga ky zjarr, i hidhnin në ujë, i shtypnin aty, pastaj me këtë ujë me thëngjij të shtypur spërkatnin bagëtitë. Riti i tymosjes së bagëtive në pranverë a në rast sëmundjeje është vërejtur edhe në Tërnovë, Trebisht e disa fshatra të tjera të Dibrës. Veglat e prodhimit të zjarrit këtu ruheshin djalë pas djali për këtë qëllim. Ndezja bëhej me teknika të ndryshme e shumë të zhvilluar nga ajo e Helshanit. Këtu druri fërkohej në mes dy të tjerëve të fiksuar në tokë dhe lart sillej nga dy burra me anën e një litari. Në Dibër zjarri për tymosje bëhej në një kanal a vend të ngushtë ku kalonin bagëtitë dhe bëhej tymosja. Disa fshatra të Dibrës shkonin në Tërnovë ku ishte vendi më origjinal e më tradicional i prodhimit të zjarrit me fërkim dhe merrnin aty një urë zjarri e me të ndiznin dy zjarre në një kanal, «grykë të ngushtë»; aty kalonin bagëtitë midis tyre për punë magjie për t’i mbrojtur nga të çaluarit e sëmundje të tjera. Ky zjarr për tymosje, «zjarri i keq», në fshatra të ndryshme të Dibrës, kishte jo vetëm mënyra të ndryshme ndezjeje, por edhe funksione të ndryshme dhe komponentë ritesh më të thjeshta a më të komplikuara. Në këto zjarre në disa raste ndiznin sukuj të leshtë e lecka për tymosje, bile interpretuesit e këtij riti belbëzonin dhe disa formula magjike gjatë tymosjes. «Zjarri i keq» (zjarri me fërkim drunjsh) ishte i njohur edhe në katundin Ostren i Vogël. Riti dhe kulti aty kishte një veshje origjinale dhe në të përdorur, dhe për mbrojtje, por edhe për kufizim të sëmundjeve «... është dëgjuar prej të vjetërve se kur u binte sëmundja bagëtive të imta ose njerëzve, ata ndiznin zjarrin duke fërkuar dy drunj lajthie me njëri-tjetrin, duke i vendosur si sikur ne vëmë kërbuçkën. Duke i fërkuar të dy drunjtë e thatë me njëri-tjetrin, nxeheshin shumë dhe ndiznin disa thëngjij të thatë që vendoseshin që më parë në vendin e fërkimit; pastaj me të ndiznin një copë eshkë me të cilën bënin zjarr. Mandej merreshin dy viça meshkuj që ishin pjellë e së njëjtës lopë, u përgatitnin veglat e takëmet sipas trupit dhe i mbrehnin në zgjedhë siç mbrehen qetë e lavrës. Me këta dy viça të mbrehur në zgjedhë e me parmendë të vogël, për të por të kompletuar me të gjitha mjetet, përshkonin kufirin midis fshatrave. Pastaj ndiznin dy zjarre dhe i kalonin me radhë midis tyre si gjënë e gjallë ashtu edhe njerëzit. Kjo bëhej për t’u mbrojtur nga sëmundjet, ose për t’u shëruar në qoftë se kishin të tilla». Siç shihet, këtu kemi të bëjmë me një veprim ritual bujqësor që kryhej me çarjen e tokës me qé e parmendë, me besim se forca e mbinatyrshme e këtij veprimi magjik do të kalonte në bagëti e njerëz e për t’i shëruar ata nga sëmundjet, ose për t’i parandaluar ato; natyrisht kjo duke u shoqëruar dhe me zjarrin ritual, zjarrin me fërkim drurësh.
Në fushën e Korçës (Bulgarec, Vashtëmi) nga fillimi i këtij shekulli është përdorur  «zjarri i egër» i prodhuar duke fërkuar dy drunj. Ashtu si e kujtojnë pleqtë vendës, kjo bëhej në kohë vere. Me të tillë zjarr u digjnin këmbët bagëtive të sëmura a tymoseshin me të.
Traditën e dikurshme të prodhimit të zjarrit me fërkim për të tymosur bagëtitë në pranverë «kundër sëmundjeve» e ka hetuar dhe Q. Haxhihasani në Kolonjë, në fshatrat Gostivisht, Vodicë e Lubonjë. Këtu zjarri me fërkim prodhohej sipas vendeve në dy mënyra, edhe sipas asaj mënyre të përdorur në Helshan, edhe ashtu si prodhohej tradicionalisht në Tërnovë të Dibrës.

Këtu kemi të bëjmë me kultin e «zjarrit të gjallë», zjarrit të prodhuar me mjete primitive, zjarr të cilit i jepen fuqi të mbinatyrshme, si një objekt «i shenjtë» me fuqi të madhe shëruese për t’u mbrojtur nga e keqja. Pra në origjinë mendohej se fuqia demoniake e këtij zjarri do të kalonte te bagëtitë për t’i forcuar ato, për t’i bërë të pamposhtura nga çfarëdo e keqe, nga çfarëdo sëmundje. Nënkuptohet se me zhvillimin shoqëror, në shekuj, ky rit ka humbur përmbajtjen dhe ka mbetur vetëm si një element magjik «shërues», purifikues, forcëdhënës kundër sëmundjeve. Siç u pa, kemi të bëjmë me kulte më shumë blegtorale, por edhe bujqësore, siç është rasti i qeve me parmendë. Gjithashtu duhet vënë në dukje këtu se këto lidhen edhe me kulte të jetës familjare.

 

Mark Tirtja, Kulte të bujqësisë dhe të blegtorisë në popullin tonë, «Etnografia Shqiptare  IX», Tiranë 1978, f. 172-176.

Mark Tirta


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...