Oshtima

Dita e Logut në Malësi të Madhe


Në festat e miqësisë, që organizoheshin gjatë vitit në bajrakët e Malësisë së Madhe dhe të Rranxave të Mbishkodrës, bënte pjesë edhe dita e logut. Dita e logut ishte një shfaqje popullore që kremtohej me madhështi në këto anë.
Duke dashur të përshkruajmë organizimin e saj, po ndalemi në momentet kryesore të zhvillimit.

Dalja në log ishte pjesa më e gëzuar e kësaj feste popullore. Për këtë bëheshin përgatitje të mëdha. Në këtë ditë gratë dhe burrat visheshin me rrobat më të mira. Gratë me kostumin me xhubletë, aq të bukur e të hijshëm, paraqiteshin madhështore. Edhe burrat e veshur me çakçirët e bardhë dhe me xhamadanët e zbukuruar me gajtanë merrnin një pamje epike. Burrat vinin në log me armët e krahut në sup për të përshëndetur me krisma ose për të gjuajtur shenjën dhe me armët e bardha në brez për të luajtur vallen e shpatave («premjen me tagana» ose «vallen e mejdanit»).
Përpara se të niseshin në log, këngëtarët e lahutës rregullonin mirë lahutat me bisht kali dhe smollë. Mjeshtrit e fyellit baritor pastronin fyejt e tyre prej latoni që të kishin më tepër shkëlqim në log. Virtuozët e zumareve i piknin mirë me dyllë blete pipat prej bririt të kaut etj.

Kur dilte në log, i zoti i shtëpisë i printe miqësisë dhe gjithë njerëzve të tij. Sa më shumë miq të kishte pas vehtes, aq më tepër nderohej konaku i tij në log. Miqësia i jepte nder e dinjitet shtëpisë.
Në bregoren ku bëhej logu burrat dhe gratë rrinin në formën e një rrethi të madh: burrat në gjysmërrethin e verilindjes dhe gratë në atë të jug-perëndimit. Vendet ku bëheshin logjet e bajrakëve ishin të caktuara. Por kishte bajrakë të mëdhenj që kishin dy vende logjesh. Disa nga vendet ku bëheshin logje të mëdha ishin: Kravenica e Hotit, Selishta e Grudës, Shpella e Frashërit në Kastat, Qafa e Perdelecit në Kelmend, Kroni i Dedajve, Ublat e Lohes, Puset e Mollës në Koplik, Mushqerrat e Grizhës etj.
Pasi zinin vend të gjithë, miqësi dhe shtëpiakë, niste logu. Kryet e logut ishin katër-pesë metrat e mesit të gjatësisë së gjysëmrrethit të burrave. Aty uleshin miqtë më në shenj të bajrakut me dy nga burrat më të përmendur të vendit. Logu nuk kishte asnjë drejtues artistik, por megjithatë zhvillohej me një rregullësi të çuditshme dhe në qetësi të plotë edhe pse merrnin pjesë qindra vetë.

Logun gjithmonë e hapte kënga «maje krahu», ajo këngë që e kishin lindur kushtrimet shekullore të luftrave. Tekset e tyre tregojnë se ky popull që ka jetuar gjithnjë në alarm, i respektoi luftërat e drejta dhe kushtrimet e tyre i ruajti aq gjatë në kujtesë sa që u bënë këngë:
 
«Fjalë po bjen era,
Luftë po bajnë Rugova e Peja
Fjal-o për tel, thotë Gjakova,
Çou de, se ka ra pasha në sherr».

Kjo e fundit siç duket ishte kushtrimi që qe dhënë nga Gjakova në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kur populli atje pati rrethuar, në sarajet e Abdulla Pashë Drenit, Mehmet Ali Pashë Maxharin që erdhi i dërguar nga sulltani për të shkatërruar Lidhjen.
Për të treguar se logu ishte i hapur, këngën e parë «maje krahu» e merrte një këngëtar i vendit ku bëhej logu. Atë e përshëndeste me pushkën e vet miku më në shenj i logut. Pas këngëtarit vendas, radhën e këngës «maje krahu» e kishte këngëtari më i dëgjuar i miqësisë. Mbarimin e këngës së tij e përshëndesnin me fjalët: «të këndoftë zemra» dhe me të shtëna pushkësh në shenjë respekti. Pas këtij fillimi ceremonial, ia merrnin këngës «maje krahu» edhe shumë këngëtarë të tjerë nga rradhët e miqve dhe të vendasve. Këto këngë përcilleshin me urime dhe pushkë.

Pas disa këngëve, në log fillonte lahuta. Edhe kësaj i binte i pari një nga lahutarët vendas. Ai këndonte vetëm dy-tre vargje, sa për t’u hapur edhë miqve. Lahuta pastaj kalonte nga njeri këngëtar te tjetri. Ajo ndiqej me vëmendje të madhe në mes të një qetësie të plotë. Kënga e lahutës përshëndetej me urime, por jo me pushkë. Ajo u këndonte betejave më të dëgjuara dhe udhëheqësve më trima e më të dashur popullorë. Ndërsa dëgjonin në heshtje, njerëzit e ndienin veten pjesëtar aktivë të epikës së atyre këngëve. Harronin çdo gjë dhe jetonin në ato çaste jetën madhështore të këngëve. Në mes të dy këngëve të lahutës, herë pas here dikush ia merrte një kënge «maje krahu» ose niste kërcimin e logut. Në vallen dyshe hynin një burrë e një grua. Në duart e gruas valëviteshin dy çevre (shami ngjyrë trëndafili të qëndisura në të katër cepat me fije ari). Vallja shpesh kishte vazhdimësi, pasi valltarët zëvendësonin njëri-tjetrin. Ndryshe nga këngëtarët e këngëve «maje krahu» dhe nga lahutarët, valltarët dhe valltaret ishin më të shumtë. Të paktë ishin burrat dhe gratë që nuk dinin të hidhnin mirë vallen dyshe të Malësisë së Madhe. Ndodhte që në valle kërcente një valltar, ndërsa nga radhët e grave vononte të dilte një partnere. Atëherë ai i sillej logut duke kërcyer dhe duke kaluar përpara gjysëmrrethin ku ishin ulur gratë e këndonte me një melodi të thjeshtë: «Gjela jemi e pula s’kemi». Pasi e përsëriste disa herë këtë, përballë tij dilte një valltare me çevre në duar.

Kënga «maje krahu», lahuta, vallet, meloditë baritore me fyell e zumare kombinoheshin dhe shkriheshin aq harmonishëm njera me tjetrën sa asgjë nuk krijonte monotoni. Të gjitha bëheshin natyrshëm e shumë lirshëm.
Zëri i këngëtarëve të dëgjuar ishte shumë i dashur për malësorët. Kur ndonjëri nga ata merrte lahutën dhe e ujdiste duke i rënë me gishta, shumë nga njerëzit që nuk u pritej deri sa ai të fillonte këngën, i thoshin: «Mjaft e dëgjuam lahutën, duam të dëgjojmë zërin».
Një gjallëri të madhe kishin edhe lojërat e logut. Ato fillonin nga ushtrimet e thjeshta akrobatike e deri te kapërcimi i kuajve të shalës me të cilët burrat vinin në log. Emrat e atletëve të tillë popullor, si ai i Dulo Stakës, që rreth vitit 1860, në logun e madh të të gjithë malit të Shkrelit kapërceu tre kuaj shale të vënë njëri pranë tjetrit, kanë arritur deri në kohën tonë si shembuj të papërsëritshëm.
Disa nga lojërat më të rëndësishme e më të bukura të logut ishin marrja e bajrakut, marrja e kacisë me vrap e me kuaj dhe vrasja e shenjës. Kaq rëndësi ju jepej këtyre lojërave simbolike me një karakter të theksuar stërvitor, sa kur njerëzit ktheheshin në nëpër shtëpitë, pleqtë që pesha e viteve nuk i linte të shkonin më në log, i pyesnin për tri gjëra: «Kush e vrau shenjën? Kush e mori bajrakun? Kush e fiton koçinë?»

Bajraku ishte një shami e kuqe mbi një tytë pushke vendosur në mes të logut. Një grup i vogël të rinjsh ose një i vetëm e ruante bajrakun, kurse një grup tjetër më i madh kërkonte t’ia merrte. Kjo gjë ishte shumë e vështirë. Ajo kërkonte shkathtësi, shpejtësi dhe qëndresë. Por malësorëve nuk u mungonte asnjë nga këto. Kjo lojë simbolizonte luftën dhe pikërisht momentin më sublim të saj: marrjen e flamurit të armikut që ishte në shkatërrim e sipër.
Lojërat në log nuk bëheshin të gjitha njëra pas tjetrës. Në mes të tyre hynin këngë e valle, fyej e zuamre, melodi me fletë gjethi  e lodra mali. Kështu, pasi mbaronte bajraku, këndoheshin këngë, hidheshin valle dhe pastaj fillonte marrja e koçisë. Mbi një kodër larg logut vihej një shami e kuqe. Të gjithë djemtë e rinj të logut niseshin njëheri dhe i ngjiteshin me vrap kodrës për ta marrë. Njerëzit e tjerë të logut qëndronin si shikues. Atë që merrte koçinë, në log e rrethonte lavdia. Në të njëjtën mënyrë organizohej dhe koçia me kuaj. Veçse shamia e koçisë vihej më larg. Vrapi i gjogave të shalës ishte i shpejtë si era. Trimat mbaheshin fortë pas jeleve të kuajve. Ai që merrte këtë koçi, e ndante lavdinë e logut përgjysëm me kalin e vet të shkathët.

Momenti më kulmor i logut ishte vrasja e shenjës. Larg, mbi një shkëmb ose mbi një breg, vendosej si shenjë një rrasë e vogël guri. Burrat mbushnin armët dhe bëheshin gati për qitje. Ashtu si këngën, dhe shenjën e gjuante i pari njeri nga trimat e vendit. Por ai nuk kujdesej shumë për ta vrarë. Ishte kënaqësi që shenjën ta vrisnin miqtë. Një nga pleqt e vendit i thërriste ata me rrathë sipas rëndësisë së maleve prej nga vinin. Nga rradhët e miqësisë e gjuante shenjën një trim nga Hoti, si bajrak i parë. Pas tij ndiqnin rendin Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli dhe Rranxa e Mbishkodrës. Natyrish bajraku ku bëhej logu nuk hynte në këtë radhë. Trimat e tij e gjuanin shenjën kur i kishin provuar armët e veta disa nga miqtë e maleve. Ai që rrëzonte shenjën, gëzonte admirimin e logut. Këtë nder zakonisht e kishte njeri nga miqtë. Quhej fitimtar i vrasjes së shenjës ai që rrëzonte shenjën e fundit me përmasat më të vogla. Kur e rrëzonin shenjën ajo zvogëlohej  gjithnjë e më shpesh, arrinte deri madhësinë e monedhës.

Nga vallet që hidheshin në festën e logut më madhështorja ishte vallja e shpatave ose e mejdanit. Dy burra, duke kryqëzuar në heshtje shpatat e tyre që flakëronin në diell, hynin në atë valle shqiponjash. Me elegancë dhe art, me kërcime dhe me lëvizje shpatash, herë mësynin njëri-tjetrin dhe herë tërhiqeshin sipas rastit duke imituar artistikisht mejdanin. Gjatë valles ndodhte që njerit nga valltarët i binte nga dora shpata, tjetri përulej e merrte nga toka dhe ia jepte kundërshtarit. Me këtë veprim valltarët përsërisnin para logut një zakon të lashtë dhe shumë bujar të kombit tonë: mos me e pre armikun pa armë në dorë. Zakonisht njeri nga valltarët triumfonte. Këtë rol valltarët e ndanin para se të hynin në valle. Ai që kishte rolin e fitimtarit merrte në fytyrë një shprehje të tillë që tregonte se ia njihte trimërinë të mundurit dhe se për atë trimëri kishte respekt.

...Pas të gjitha këtyre dhe hollësirave të tjera, logu merrte fund. Largoheshin të parat gratë pastaj burrat, në këmbë ose në kuaj. Logu i madh i bajrakut zhvillohej zakonisht rreth drekës dhe zgjaste dy orë ose dy orë e gjysëm.

Logje të bukura dhe plot madhështi janë bërë kudo në Malësi të Madhe. Por kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e brezave ato të Krevenicës së Hotit dhe të shpellës së Frashrit në Bajzë të Kastratit ku përveç maleve të Malësisë vërshonin turma njerëzish edhe nga qyteti i Shkodrës. Mjaft të bukura dhe të larmishme ishin edhe logjet e vllaznive që bëheshin buzëmbrëmjes në çdo fshat. Ato bëheshin pranë krojeve dhe burimeve të freskëta të Malësisë, si te Kroni i Ri rrëzë Veleçikut, te Lëmoqi i Gorajve, te Kroni i Budishtës, te Sudaneci në Prrua të Thatë, te Kroni i Lotit në Bzhetë, në Sukë të Ducajve e në shumë vende të tjera.

Natën pas logut, nëpër shtëpitë e bajrakut ku vazhdonte festa, bisedohej gjetë sidomos për ata që ishin dalluar: gratë dalloheshin për bukuri e për hijeshinë e hedhjes së valles, ndërsa burrat dikush për këngët «maje krahu», dikush për lahutën, për marrin e bajrakut e të koçisë ose për vrasjen e shenjës.
Në log nuk mbahej zija. Kur dikush ishte në zi, njerëzit prisnin atë që të hapte logun. Ata kishin respekt për zinë e tij, por kjo nuk duhej të pengonte gëzimin e të gjithëve, prandaj ai vetë duhej ta fillonte këngën në log.*

 


*) Tregojnë se njerit nga këngëtarët më të dëgjuar të Malësisë, dy javë para një logu që bëhej në Reç, i kishte vdekur vëllai i vetëm njëzetetre vjeç. Logu ishte në të hapur kur këngëtarit i erdhi një lajm tjetër tepër i hidhur. Para pak orësh i kishte vdekur dhëndri i ri, duke e lënë motrën me jetima. Nga kjo gjëmë e re logu u bë si i ngurtë. Por ai vetë vuri shuplakat në faqe dhe ia mori këngës «maje krahu». Pastaj kërkoi lahutën ... dhe logu vazhdoi.

 

 

«Etnografia Shqiptare» 13. Tiranë 1983.

Nikolla Spathari


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...