Oshtima

Motivi i gjarpërit në artin tonë popullor

Në kuadrin e motiveve të shumta që populli ynë i trashëgoi nga e kaluara, motivi i gjarprit zë vend të rëndësishëm. Këtë motiv e ndeshim pothuaj kudo: në veshje popullore, në tekstil, në drugdhendje, në gurgdhendje, në metal etj. Përveç formave plastike, spirale, meandrike dhe valëzore, ky motiv na paraqitet edhe në format më primitive të artit popullor, atij gjeometrik me vija zigzage dhe të thyera.

Dëshmitë e para materiale në të cilat e ndeshim figurën e gjarprit, i përkasin periudhave më të hershme, përkatësisht kohës së neolitit. Në Kosovë, nga kjo periudhë, veçojmë figurën e gjarprit të gjetur në Tjerrtore afër Prishtinës, në një ambient shtëpiak[1], si dhe figurën e gjarprit të gjetur në lokalitetin Fafos afër Mitrovicës, ku na paraqitet figura e një mashkulli, trupi i të cilit është i mbështjellë me gjarpërinj.[2]

Në Shqipëri, nga kjo periudhë, vlen të përmenden ekzemplarë byzylykësh me koka gjarpri, që janë gjetur në Kalanë e Hollmit[3], si dhe disa figura të tjera të gjarprit nga periudha helene, që janë gjetur në pllaka argjili në Selcë e Poshtme afër Pogradecit.[4] Gjarprin si motiv e ndeshim edhe në monedhat e labeatëve, të gjetura në lokalitetin e Çinamakut afër Kukësit, si dhe në monedhat e disa qyteteve ilire në Shqipëri, si: në Byllis, në Apoloni, në Dyrrah, në Olimpae dhe në Amantia.[5]

Po ashtu, në një dorë votive, të punuar prej bronzi (shek. II - III e. s.), e cila është e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, mund të shihet figura e një gjarpri, si dhe figura e një shufre me dy gjarpërinj përballë njëri - tjetrit në formën e numrit 8, që është skeptri i hyut pagan Hermes, me të cilin ai i çonte shpirtrat e të vdekurve në botën e Hadit. Kjo dorë votive i kushtohet mistereve të hyut Sabas[6].Si motiv gjarpri u përdor edhe gjatë mesjetës. Bie në sy sidomos aplikimi i këtij ornamenti në armë e stoli.[7]

 

1.    Motivi i gjarprit në monumente mbivarrore

Dëshmitë më të hershme të paraqitjes së këtij motivi në monumentet mbivarrore datojnë që nga koha e neolitit.[8] Gjatë gërmimeve të ndryshme arkeologjike në varrezat e disa popujve të lashtë, si: egjiptianëve, asirianëve e etrurëve, janë gjetur objekte të shumta me figurën e gjarprit.[9] Gjarpri si motiv është përdorur edhe nga populli ynë. Paraqitja e këtij motivi në disa monumente tona mbivarrore, nuk ishte gjithherë e njëjtë. Derisa në Vukël[10] e në Fushë Bregdetare[11]

Shqipërisë së Veriut, ky motiv na paraqitet i vetëm, në fshatin Vuksanlekaj,[12] dhe në Malësi, na paraqitet së bashku me motive të tjera. Mirëpo, pavarësisht nga mënyrat e paraqitjes së këtij motivi në këto monumente, figura e gjarprit këtu ka lidhje me një pjesë të besimeve mbi gjarprin si kafshë htonike, përkatësisht me besimet për gjarprin si kafshë që mishëron shpirtrat e të vdekurve që banojnë në thellësitë e errëta të nëntokës dhe me besimet për gjarprin si mbrojtës të varreve.[13]

 

2.     Motivi i gjarprit në hyrje të shtëpive

Gjarprin si motiv, e hasim shpesh, edhe në hyrje të shtëpive. Mënyrat e paraqitjes së këtij motivi në këto hapësira janë të ndryshme. Në disa kulla, si p.sh., në kullën e bajraktarëve në fshatin Vranoc, pastaj në kullën e Haxhi Zekës në Pejë dhe në kullën e Isuf Bajram Halitajt në Tomoc (Podgur)[14], gjarpri na paraqitet i vetëm, ndërkaq në kullën e Sylë Rexhës në fshatin Vranoc, ky motiv na paraqitet së bashku me motive astrale.

Përveç rasteve të lartpërmendura, gjarpri si motiv pëlqehej edhe në krahinat e tjera shqiptare, si: në Përmet e Labëri, në Malësi të Tiranës, në Mat, në Mirditë, në Malësi të Madhe e gjetiu. Në Përmet, bie fjala, figura e gjarprit punohej në muret e shtëpive, përkatësisht në harkun e gdhendur rreth derës. Në kuadrin e motiveve të tjera, gdhenden edhe nga dy gjarpërinj në të dy anët e derës.[15] Është e kuptueshme se këtu, në zanafillë, kemi të bëjmë me shpirtin mbrojtës të shtëpisë, pra, me një kult të lashtë totemik të popullit tonë. Në periudhën ilire dhe në mesjetë, figurën e gjarprit si hyjni mbrojtëse të shtëpisë, e njohim gjerësisht nga të dhënat mitologjike dhe gojëdhënat popullore.

Gjarprin e punuar në hyrje apo në mure të shtëpive e gjemë edhe te popujt e tjerë. Kështu, bie fjala, në muret e shtëpive të qytetarëve të Pompeit figura e gjarprit ishte motiv i shpeshtë.[16] Këtë motiv e pëlqenin edhe majat me inkët, sidomos në shtyllat e portave hyrëse.[17] Te gjermanët, ndërkaq, përveç në portën hyrëse, gjarprin në formë të stilizuar, e gjejmë edhe në mure të shtëpive.[18]

 

3.     Motivi i gjarprit në stoli, në veshje dhe në punëdore tëgrave

Paraqitja e gjarprit në stoli daton që nga kohët e hershme. Me këtë rast vlen të përmendim byzylykët me kokë gjarpri (shek. V p. e. S), [19] të cilët u gjetën në një varr në Banjë të Pejës, e që me të drejtë konsiderohen ekzemplarët më të bukur të këtij lloji. Figura e gjarprit në stoli është përdorur edhe në periudhat e mëvonshme. Përdoret edhe sot nga gratë tona.

Përveç në stoli, gjarpri si motiv zë vend edhe në veshjet tona popullore. Në forma të ndryshme atë e ndeshim pothuaj në të gjitha pjesët e kostumeve solemne të grave të reja. Kështu, bie fjala, në kostumin e xhubletës, në grykoret dhe mëngët e këmishëve, pastaj në pështjellakë, çorapë, kollanë etj., ky motiv mund të themi se zë vend qendror.

Ky motiv pati përdorim të gjerë edhe në qëndisjet e veshjeve të qytetit. Paraqitja e këtij motivi në qëndisje bëhej në formë të stilizuar bukur, me vijë të lakuar gjatë sipërfaqes së qëndisur, duke krijuar lëvizje të qeta me një natyrshmëri të veçantë. Në japanxhet e veshjes së grave, të një pjese të qytetit të Shkodrës, gjarpri punohej me fije pambuku ose fije mëndafshi me teknikën e gërshetit, që konsiderohet ndër teknikat më të hershme të qëndisjes shqiptare.[20]

Nuk janë të pakta as objektet e tjera, në të cilat e hasim motivin e gjarprit. Kështu, p.sh., në Llap dhe në Malësinë e Kaçanikut, motivi i gjarprit na paraqitet në jana të leshtë. Motivi është i aplikuar me vijë të lakuar (ngjyrë e zezë në sfondin e kuq), duke spikatur kokën e gjarprit me ngjyrë të bardhë. Po ky motiv është konstatuar edhe në qilima të popullsisë shqiptare në Greqi. [21]

Motivin e gjarprit e ndeshim në formë të stilizuar, edhe në disa këpucë të burrave me brroqe dhe në opingat me xhufka (në Shqipëri të Jugut).[22] Në Dukagjin dhe në Labëri gjarprin e punojnë edhe në tatuazhe, që i bëjnë burrat në krah.[23]

Përveç shqiptarëve, gjarprin si motiv e preferonin edhe popujt e tjerë. Sidomos e preferonin priftërinjtë dhe shamanët e ndryshëm. Në disa maska nga Bolivia, që janë të eksjpozuara në Musse d’L ’Home në Pariz, motivi i gjarprit zë vend qendror. 4

 

4.     Motivi i gjarprit në instrumente muzikore

Ndër instrumentet muzikore, motivi i gjarprit më së shumti paraqitet në lahuta. Vendet më të shpeshta të paraqitjes së këtij ornamenti në lahutë janë grroçja dhe harku i lahutës. Nuk janë të rralla rastet kur i tërë harku apo budaçi, siç i thonë në Rugovë, punohet në formë gjarpri. Një lahutë të tillë e posedon edhe Muzeu Etnologjik në Pejë. Gjarprin e gdhendur në këtë instrument muzikor e ndeshim edhe në krahina të tjera si p.sh., në Kuç, në Hot e Triesh, në Kelmend, në Kastrat, në Dukagjin, në Nikaj - Mertur, në Malësinë e Gjakovës, etj.

Paraqitja kaq e gjerë e këtij motivi në lahuta mund të shpjegohet, përveç tjerash, edhe me respektin që gëzonte kjo kafshë në popull, si simbol i urtisë, i inspirimit dhe i lashtësisë, si për këngën ashtu edhe për instrumentin. Figura e gjarprit, në mënyrë simbolike, duhej të tregonte se nga goja e këngëtarit popullor dalin vetëm porosi të urta dhe me interes për njerëzit.

 

5.     Motivi i gjarprit në armë dhe në objekte të tjera

Përveç objekteve të lartpërmendura, motivin e gjarprit e ndeshim edhe në armë. Në artin e popujve antikë, bie fjala, gjarpri është paraqitur në mburojat e luftëtarëve. Këtë motiv e kishte edhe hyjnesha Atena, e cila ishte hyjneshë e aftësive luftarake.[24]

Ndonëse, gjarpri, është konsideruar ndër shumë popuj, si gjallesë me aftësi të mëdha shkatërruese, por edhe si simbol i aftësisë dhe trimërisë ushtarake, paraqitja e tij në armën e luftëtarit kishte për qëllim që t’i kalojë aftësitë e gjarprit edhe në armën e luftëtarit, për t’ia rritur kështu atij besimin në vetvete dhe në fitore.

Gjarpri si motiv u pëlqye mjaft edhe në djepa të fëmijëve. Punohej zakonisht në pozitë të zgjatur, në pjesët anësore të djepit. Paraqitja e këtij motivi në këto objekte kishte karakter apotropeik. Përveç mbrojtjes së fëmijëve nga kafshimi i gjarprit, motivi në fjalë, ishte i mirë, sipas popullit, edhe kundër syrit të keq.

Gjarprin si motiv e ndeshim shpesh edhe në arka të nuseve, në kërraba të barinjve, në furka etj. Paraqitja e këtij motivi në këto objekte, sikurse edhe në raste të tjera, kishte karakter apotropeik. Motivi i gjarprit në arkën e nuses, bie fjala, na paraqitet si simbol pjellorie dhe si roje, ndërkaq në furkën e bareshës apo në kërrabën e bariut, kishte për qëllim para së gjithash ta mbronte bareshën e bariun, por edhe bagëtinë, nga kafshimi i gjarprit.

Duke qenë se në traditën tonë popullore gjarpri konsiderohej edhe si mbrojtës i vatrës, figurën e tij e ndeshim edhe në disa objekte të vatrës. Kështu, në Prizren janë evidencuar mashat në formë të gjarprit[25], ndërkaq, në fshatrat e rrethit të Strugës, demiroxhaku punohej me kokë gjarpri, të ngritur lart.[26]

Figurën e gjarprit, në formën e tij plastike, e punonin edhe vajzat kur përgatitnin pajën. Këtë punë ato e bënin me penj dhe rruaza ngjyrash të ndryshme. Gjarpri i punuar në këtë mënyrë përdorej si apotropeion për mbrojtjen e fëmijëve dhe të nuseve nga syri i keq.

Duke përfunduar, mund të konstatojmë se, motivi i gjarprit, i aplikuar në artin tonë popullor, na del tejet interesant për etnologjinë. Ky motiv është i shumtë dhe i llojllojshëm. Paraqitja e tij në objekte të ndryshme, edhe në ditët e sotme, mund të shërbejë si argument në favor të tezës për vazhdimësinë shpirtërore midis ilirëve dhe shqiptarëve.

 

Bashkim Lajçi, Gjurmime albanologjike Folklor dhe etnologji 35-2005.

 


[1] Gjarpri është punuar nga terakota, ka ngjyrë të përhimët, është i dekoruar me vija cik - cak dhe me therje vertikale. Ka këto dimensione: 3,7 x 3,2 cm (R. Galovic,

Predionica - neolitsko naselje kod Pristine, Muzej Kosova, Pristina, 1959, f. 25, 68)

[2] Figura është punuar prej terakote me ngjyrë të zezë, dhe ka gjatësinë 2 x 5 cm. Sipas njohurive tona, kjo është figura e vetme në Ballkanin Qendror, me një numër kaq të madh të gjarpinjve të paraqitur në një vend. Më gjerësisht lidhur me këtë shih: T. P. Vukanovic, Zmija kao aplikacija na neolitskoj plastici centralnog Balkana, Vranjski glasnik, XI, Vranje, 1975, f. 475.

[3] A. Stipçeviq, Simbolet e kultit te ilirët, Rilindja, Prishtinë, 1983, f. 50.

[4] Krahaso : Shqipëria arkeologjike, Tiranë, 1971, fig. 47.

[5] Krahaso : H. Ceka, Probleme të numizmatikës ilire, Tiranë, 1967.

[6] Më gjerësisht për këtë, shih: Dr. M. Zeqo, Kulti i lashtë i Sabasit në Shqipëri, «Ekskluzive», nr. 35, 2003.

[7] Krahaso: S. Knezevic, Lik zmije u narodnoj umetnosti i tradiciji Jugoslovena, GEM, 22 - 23, Beograd, f. 86 - 87; P. Vasic, Jugoslovenska nosnja u XVI veku, Zbornik radova Etnografskog muzeja u Beogradu (1901 - 1951), Beograd, 1953, f. 134 - 135.

[8] S. Knezevic, Lik zmije.., pun. i cit., f. 92.

[9] R. M. Lawrence, The Magic ofthe Horse-Shoe, London, 1898.

[10] F. Mehmeti, Zakone, rite e besime vdekjeje në Kelmend, Etnografia shqiptare, 9, Tiranë, 1978, f. 354.

[11] Krahaso: Y. Selimi, Rite e zakone të vdekjes (Fusha Bregdetare e Shqipërisë Veriore), ESH, 13, Tiranë, 1983, f. 337, fig. 3.

[12] S. Beslagic, Stari malisorski nadgrobni spomenici u Vuksan Lekicu, BMK, 10, Prishtinë, 1970, f. 383.

[13] A. Stipçeviq, Simbolet e kultit ..., vep. e cit., f. 58.

[14] U. Xhemaj, Reliktet e kultit të gjarprit në traditën popullore, Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji, 13, Prishtinë, 1984, f. 27.

[15] M. Tirta, Aspekte të kultit..., pun. i cit., f. 66.

[16] R. M. Lawrence, TheMagic..., vep. e cit.

[17] M. Velicic, Umjetnost predkonkvistadorskeAmerike, Zagreb, f. 70, 94.

[18] S. Knezevic, Likzmije..., pun. i cit., f. 71.

[19] M. Garasanin, Preistorija na tlu Srbije, II, Beograd, 1973, f. 507.

[20] I. Bihiku, Qëndisjet në veshjetpopullore të qytetit, ESH, 14, Tiranë, 1984, f. 216.

[21] D. Statovci, Kërkime etnografike, Rilindja, Prishtinë, 1988, f. 147.

[22] Krahaso: Artipopullor në Shqipëri, Tiranë, 1976, f. 133 - 134.

[23] M. Tirta, Aspekte të kultit..., pun. i cit., f. 70.

[24] Winter Dr. Franz, Griechische Sculptur des Funften Jahrhundert, Heft XIX, f. 249; S. Knezevic, Likzmije... pun. i cit., f. 73.

[25] S. Knezevic, Likzmije... pun. i cit., f. 73.

[26] B. Asani, Enë e orendi shtëpiake në disa fshatra të trevës së Strugës, në: Studimi etnografik i ndryshimeve bashkëkohore në kulturën popullore shqiptare, Prishtinë, 1990,

f. 404.

Bashkim Lajçi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...