Oshtima

1928 - Kushtet e shpalljes së Mbretërisë

Gjendja ekonomike e Shqipërisë së fillimit të shekullit të kaluar paraqitej mjaft delikate. Pushtimi i tejzgjatur osman kishte penguar çdo lloj zhvillimi bashkëkohor të vendit. Të dhënat për vitin 1912 paraqesin se në vend, në kufijtë e sotëm, ushtronin aktivitetin ekonomik rreth 40 ndërmarrje, ndër të cilat mbizotëronin mullinjtë e drithit1. Këto ndërmarrje punësonin një numër fare të vogël të fuqisë punëtore, përllogaritet rreth 500 apo 600 persona2. Një numër më të madh të punësuarish zinte sektori tregtar dhe ai zejtar, me rreth  24 000 deri 36 000 punëtorë3. Pjesa tjetër e popullsisë së aftë për punë dukej të ishte e kufizuar në ekonomitë e vogla familjare apo ishte e shtrënguar tëlargohej nga vendi në kërkim të një pune.
Vitet në vijim ishin edhe më të ashpër, Lufta Botërore ndikoi në rënien e prodhimit industrial por edhe në shkatërrimin, e asaj pak, infrastrukture ekzistuese, mjafton të përmendet fakti që parku i automjeteve të Shqipërisë, në vitet ’20 të shekullit të kaluar, përbëhej nga vetëm tre kamionë4, për të kuptuar gjendjen ekonomike të vendit. 90% e popullatës merrej me bujqësi, apo blegtori, por vetëm 9% e tokës ishte e përdorshme për bujqësinë, pothuajse 40% e fshatarësisë ishte pa tokë dhe punonte në kushte pothuajse bujkrobërie5.
Këtyre faktorëve duhet t’ju shtojmë edhe vështirësinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë për të përfituar kredi, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Kredia e parë e brendshme regjistrohet vetëm në vitin 1920, me një vlerë prej 2 000 000 fr. ari, e cila u mbulua në pjesën më të madhe nga shqiptarët në emigracion, sidomos ata në SHBA, nëpërmjet Federatës “Vatra”6, ndërsa kredia e parë e rëndësishme nga jashtë do të vinte vetëm në vitin 1925 për një vlerë prej 50 000 000 fr. ari,lidhur ne SVEA-n7 (Società per lo svilupo economico dell’Albania – Sipërmarrja për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë)

Këto kushte ekstreme ekonomike, humbjet territoriale të vendit, shkatërrimet e Luftës së Madhe, ndërhyrjet politike nga jashtë por njëkohësisht edhe formimi apo botëkuptimi jo uniform i klasës politike vendase nuk mund të mos shkaktonin një situatë politike të turbullt, që jo rrallë herë rrëshqiste drejt dhunës dhe trazirave, por, rrjedhimisht shkaktuan edhe nevojën për stabilitet. Në kuadrin e përgjithshëm mund të thuhet se në vitet 20 të shekullit të kaluar mbizotëronte një klimë ekonomike dhe politike e krahasueshme me vende të tjera evropiane të cilat kishin dalë të humbura nga Lufta I Botërore. Faktorët e sipërpërmendur shoqëruar me shfaqje të hapura të dhunës nga ana e së majtës parlamentare sollën që sistemi liberal jo vetëm të mos ishte më në gjendje t’u përgjigjej nevojave të kohës por ai vetë të shndërrohej motiv të gjendjes kaotike.  

Domethënës për sistemin liberal në Shqipëri ishte java 5-12 dhjetor 1921, gjatë të cilës u ndërruan tre kryeministra, Evangjeli, Koculi dhe Prishtina, ku Qazim Koculi drejtoi qeverinë për vetëm një ditë.
Kriza do të kulmonte pas zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923. Në parlament u krijuan tri grupime: a) në favor të Zogut, b) opozita, në kundërshtim e grupin e parë, c) elementë konservatorë në kundërshtim e dy grupet e para8.Në këtë situatë të paqartë Ahmet Zogu, falë mbështetjes së Shefqet Vërlacit, arrin të bëjë për vete grupimin e bejlerëve duke formuar shumicën në parlament, por jo një shumicë në gjendje të krijojë  qeveri të re. Kabineti i vjetër vazhdonte të kryente detyrën, ndërkaq që qetësia publike në vend ishte përkeqësuar9. Dhuna shpërthen në datën 24 shkurt të vitit pasardhës, Beqir Valteri, një i ri politikisht afër së majtës, në sallën e parlamentit qëllon me armë zjarri, Ahmet Zogun.  Situata e rendit publik përkeqësohet, në datën 6 prill dy turistë amerikanë vriten rreth 40 km nga Tirana, në rrethana që nuk u sqaruan kurrë. U shpall gjendja e jashtëzakonshme në vend10. Më 5 maj vritet Avni Rustemi, i përfolur si dërgues i atentatorit të Zogut. Fjalimi i Fan Nolit gjatë funeralit të Rustemit do të shërbente si pikënisja e një grushti shteti.

Veprimet luftarake nisin fillimisht nga Bajram Curri e më tej shtrihen dhe në Jug të vendit, ku raportohen rreth 12 000 të armatosur të gatshëm për të goditur forcat qeveritare11, të cilat shpërbëhen aq shpejtë sa Këlcyra do ta cilësonte Lëvizjen e Qershorit si një shëtitje ushtarake12. Në këtë mënyrë u hap rruga për formimin e një qeverie revolucionare të kryesuar nga Fan Noli.
Vështirësitë e legjitimitetit në planin ndërshtetëror, përfshirë këtu pamundësinë për kreditim nga jashtë, zhgënjimet e brendshme dhe riorganizimi ushtarak i qeverisë së ligjshme do të bënin që qeverisja e Nolit të zgjaste vetëm pak muaj.

Rikthimi i Zogut në Tiranë do çelte një periudhë relativisht të gjatë stabiliteti politik në vend. Stabilitet i cili kaloi përmes dy vendimeve të rëndësisë së dorës së parë për historinë shqiptare; shpallja e Republikës më 21 janar 1925 dhe më tej rindryshimi i formës së regjimit, në Monarki. Ndryshimi, për së dyti, i formës së regjimit u diktuar nga fakti që forma republikane nuk jepte garanci të mjaftueshme për sa i përket stabilitetit duke bartur rreziqet e krizave në rastet e ndërrimit të kreut të shtetit13.

Ndryshimi i formës së regjimit u krye duke respektuar normat dhe traditën ligjore në fuqi, duke u organizuar thirrja e një Asambleje Kushtetuese e cila gjatë punimeve duhet të vendoste formën.
Në 17 gusht mbërrin në Tiranë një telegram nga zgjedhësit e dytë të Skraparit në të cilin kërkohej shpallja e Ahmet Zogut mbret. Telegrami mund të ketë qenë spontan14. Gjatë ditëve në vijim u organizuan, nga qeveria, një numër i madh aktivitetesh botore në mbështetje të ndryshimit të formës kushtetuese të vendit.
Në orën 9 e 14 minuta të 1 shtatorit 1928, sipas vendimit të Asamblesë Kushtetuese merrte fund Republika I shqiptare dhe Ahmet Zogu shpallej mbret i shqiptarëve. Çështjet e ngritura lidhur me legjitimitetin e ngritjes së një dinastie vendase apo të emërtimit të monarkut, i cili në një formë idealiste shtrinte juridiksionin përtej kufijve të diktuar të Shtetit, u tejkaluan me përpjekjet diplomatike, pa i shkaktuar vendit probleme të theksuara në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me shpalljen e Mbretërisë, regjimi arriti të gjente dhe t’i jepte vendit një stabilitet politik të pakrahasueshëm me vitet që e paraprinë, duke i hapur kështu rrugën zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare.

 



1)  Gazmend Shpuza, Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare, Tiranë: 8 Nëntori, 1980, 34.
2)  Po aty, 45.
3)  Po aty, 46.
4)  Bern J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: Çabej, 2004, 56.
5)  Po aty, 55.
6)  Shqipënija më 1937, Tiranë: Bot. Komisjonit të kremtimeve të 25 vjetorit të vet-qeverimit, 1937, 245.
7)  Po aty, 246.
8)  Ali Këlcyra, Shkrime për historinë e Shqipërisë, Tiranë: Onufri, 2012, 107
9)  Bern J. Fischer, vep. cit., 68.
10) Po aty, 71.
11) Arben Puto, Demokracia e rrethuar, Tiranë: 8 Nëntori, 1990, 9.
12) Ali Këlcyra, vep. cit., 112.
13) Bajram Xhafa, “Kushtet historike të ngritjes së Mbretërisë Shqiptare”, në Monarkia shqiptare 1928-1939, Tiranë: Toena, 2011, 39.
14) Valentina Duka, “Nga Presidenca në Monarki: çështje të legjitimitetit”, në Monarkia shqiptare 1928-1939, Tiranë: Toena, 2011, 127.

 

Bardh Shkrepi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...