Oshtima

Gjama në Kelmend

Vajtimi që bënin burrat quhej gjamë apo brimë (britmë) dhe ata që e bënin gjamën apo brimën quheshin brimtarë apo gjamtarë. Edhe brimtari ishte profesionist. Disa brimtarë patën filluar të bënin gjamën që në moshën 15-16 vjeçare dhe vazhdonin gjatë gjithë jetës, deri sa të kishin fuqi. Gjamët e burrave përshkoheshin më pak nga ideologjia fetare se vajet e grave. Ato kishin karakter tregimtar. Për gjamën që bënte gjamëtari nuk paguhej. Në përgjithësi gjamët ishin të ngjashme me njëra-tjetrën, por edhe secila ka individualitetin e vet. Ka ndodhur që gjamëtari shkonte, ose bënte gjamë,  përmbajtja e së cilës nuk përputhej me realitetin e jetës së të vdekurit. Ndoshta që t’i vishte të vdekurit dhe cilësi burrërore e historiko-shoqërore që ai s’i kish pasur në jetë. Të pranishmit i thoshin gjamëtarit: «Ç’i the more burr?!». Gjamëtari përgjigjej:  «Un i thash ato çi duhet t’i ket nji malsuer. A i kite (kishte), a s’i kite, asht tjetër gja».

Gjamët bëheshin në shtëpi brenda, ose jashtë, kur koha ishte e mirë. Ato bëheshin edhe tek varrezat. Gjamëtari ishte, si të thuash, përfaqësuesi orator i lagjes, fshatit apo krahinës në raste vdekjesh, që shprehte me fjalë dhe me gjeste dhimbjen e vet dhe të shoqërisë për njeriun e vdekur. Kur vdiste dikush, miku apo shoku u mirë, merrte me vete edhe gjamëtarin. Në zonën e Kelmendit gjama ka evoluar shumë. Kur vinin 3-4 po 5 gjamëtarë në një kohë, e linin njërin prej tyre t’ia fillonte gjamën, gjamëtarët e tjerë dëgjonin. Kur gjamëtari i parë i thoshte disa fjalë dhe bënte pauzën e parë eh, eh, eh! duke ecur dhe duke rrahur gjoksin me grushta dhe pasi zinte vend për të vazhduar gjamën, atëherë fillonin gjamën  të gjithë gjamëtarët njëherësh, secili me fjalët e veta, duke iu drejtuar të vdekurit. Populli i mbledhur dëgjonte dhe vështronte si bëhej gjama e kish e bënte atë më bukur, kush dallohej. Pasi i thoshin të gjithë gjamëtarët disa fjalë, niseshin në drejtim të të vdekurit, duke bërë një ecje pak a shumë paralele, duke rrahur gjoksin e duke lëshuar pasthirrmat eh, eh! Fjalët i thoshin në vend, veprimet i bënin në ecje, pasi i afroheshin vigut. Këtu me radhë binin mbi të vdekurin dhe pastaj ngushëllonin të afërmit e të vdekurit. Në fillim të shek.. XX kjo formë e të ekzekutuarit të gjamës evoloi, duke kaluar nga një gjame kolektive në gjamat individuale, ku gjamtarët bënin gjamën me radhë një e nga një, ose gjamë e një gjamëtari e pasuar me vajin e një vajtoreje.

Duke shkuar për te i vdekuri grupe-grupe, me t’u futur në oborr të shtëpisë, gjamëtari hiqte kapelen ose shaminë e kokës, vendoste të dy duart në bel (kryqe), hidhte vështrimin përdhe, merrte një pamje të trishtuar dhe fillonte gjamën. Më vonë edhe kjo formë evoloi. Gjamëtari vinte i shoqëruar me burra e gra pse me burra vetëm. Sa fillonte gjamën këta ndaheshin, ndalej edhe vaji i grave për të dëgjuar gjamtarin që posa erdhi. Gjamëtari pasi «i njihte», numëronte disa fjalë, bënte pauzën eh, eh, eh! duke e shoqëruar me rrahje gjoksi etj., pastaj ndalej, vazhdonte gjamën deri sa shkonte tek i vdekuri, ku vazhdonte gjamën, herë duke rrahur gjoksin me grushta, herë duke gërvishtur fytyrën me thonj, duke u dhënë thonjve nga lart poshtë dhe herë këpuste zinxhirët e jelekut a të xhamadanit, apo shkoqiste (griste) pjesë të tyre. Me të mbaruar gjamën, në qoftë se e kishte njeri të afërt, binte mbi të dhe e përqafonte. Në qoftë se nuk e kishte gjë, vendoste dorën e vet mbi gjoksin e të vdekurit dhe pastaj kthehej tek shokët, që kishin zënë vend në shteg të oborrit dhe, të gjithë së bashku, shkonin tek të afërmit e të vdekurit për t’i ngushëlluar. Pastaj vazhdonte përsëri vaji e gjama. Me të parë një grup tjetër njerëzish, njerëzit e ardhur për ngushëllim pyesnin e vështronin për të zbuluar cilin gjamëtar kishin me vet. Gjamëtari që kishte lidhje gjaku me të vdekurin e ndjente me zemër dhimbjen e të afërmit, ndërsa për atë që nuk kishte lidhje gjaku, disa gjëra bëheshin formale nga gjamëtari, p.sh., në vend që të gërvishte fytyrën me thonj e të gjakosej, ai më përpara i shponte bulëzat e gishtërinjve tek thonjtë me gjilpërë pastaj gjakosej në fytyrë, pa e dëmtuar atë. Gjithashtu ai mund t’i bënte gjamën, po mund të mos i shkonte asnjë pikë loti. Në mungesë të gjamtarëve, i njëjti gjamëtar mund t’i bënte të vdekurit 1-5 herë gjamë, po me fjalë të ndryshme.

Evolucioni i gjamës nga kolektivja te individualja u bë si nevojë për t’u kuptuar fjalët e secilit gjamëtar. Më vonë edhe gjama individuale e burrave u pasurua. Ajo u shoqërua me vajin e një gruaje nga pas. Kur vinin grupe njerëzish, ato ndaheshin duke marrë secili nga një gjamëtar, ose edhe dy gjamëtarë, por gjama bëhej radhazi. Në disa grupe kishte një gjamëtar dhe nga një vajtor. Gjamëtari fillonte gjamën. Njerëzit ndaleshin. Kur gjamëtari bënte pauzë – eh, eh, eh! dhe ecte duke rrahur gjoksin, gruaja fillonte vajin. Kur gjamëtari ndalej dhe vazhdonte gjamën, vajtorja e shoqëronte çdo varg me pasthirrma ejhe, ejhena! Kështu deri sa shkonin e binin mbi të vdekurin, pastaj ktheheshin tek shokët dhe, së bashku me ta, shkonin për të ngushëlluar të afërmit e të vdekurit.

Duke krahasuar gjamët e burrave (ato kolektivet) që bëheshin në fund të shek. XIX me gjamët individuale që bëheshin deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, vëmë re se të parat ishin më të shkurtëra, që mund të zgjasinin 5-10 minuta. Gjamët individuale nga gjamtarët më të mirë kanë arritur deri 30 e më shumë minuata, duke përfshirë edhe veprimet e gjestet. Duke krahasuar gjamat e burrave me vajet e grave, bie në sy se vajet e grave në çdo periudhë kanë qenë më të gjata se gjamët e burrave. Gjamët individuale u zgjatën kur filloi të futet shkrimi, po njëkohësisht edhe mania për t’u dukur. Informuesit thonë se «ai që ka dasht me ja len vendit nuk ka ngijua, me e brit ma shum se 1-2 herë». Kuptohet se gjamtari në një apo dy gjame që mund të bënte kishte se çfarë të thoshte, ndërsa po bëri 3-5 herë gjame, s’ka dyshim që këto do të ishin më të shkurtëra. Edhe për vetëvrasje bëhej gjamë e vaj, se «s’dihej ç’hall kish pasur». Ish-myslimanët nuk bënin gjame tek varret, por vetëm në shtëpi.

* * *

Ka qenë zakon që tek varrezat bëhej gjame e madhe për të vdekurin, mbasi ishin momentet e fundit të qëndrimit të tij mbi dhé. Dhimbja arrinte kulmin kur shihnin se pranë të vdekurit qe hapur ose po hapej varri. Tek varrezat vinin, përveç të ftuarve, edhe miq, shokë dhe shumica e fshatit si dhe nga fshatra të tjerë. Gjamëtarët, që i kishin bërë gjamën në shtëpi, mund ta ripërsërisnin gjamën, po me fjalë të tjera.

Gjamët në varreza ishin dy llojesh: gjama e zakonshme që bëhej për shumicën dhe gjama e bariut që bëhej vetëm për bariun. Për gjamën e zakonshme ne kemi folur më sipër. Gjama e bariut shoqërohej me tingujt e këmborëve të bagëtive, për një bari dhensh dhe me tingujt e zileve, për një bari dhish. Gjamëtari bënte gjamën e zakonshme, gratë e shoqëronin me pasthirrmat ejhe, ejhena! Një njeri, edhe ky profesionist, u binte këmborëve apo zileve. Në fund të çdo vargu, kur gratë e shoqëronin gjamën me ejhe! tri herësh, personi që u binte këmborëve (dysh: një në dorën e djathtë, tjetrën në të majtën) vepronte në mënyrë të tillë që këmborët të binin nga një herë në njërën faqe. Aty ku gjamtari lëshonte pasthirrmat e veta eh, eh, eh! dhe fillonte të rrihte gjoksin, këmborëve, duke i lëkundur, u bihej me forcë në të dy faqet disa herë. Çdo rënie e këmborëve në këtë rast ishte dyshe (në të dyja faqet). Pra, gjestet e gjamëtarit, pasthirrmat e tij si dhe korit të grave shoqëroheshin me disa të rëna dyshe të këmbërëve. Këto të rëna këmborësh ishin të shkëputura prej njëra-tjetrës. Gjamët bëheshin me zë shumë të lartë, sa dëgjoheshin shumë larg. Gjama e bariut ishte më e përmallshme, më prekëse. Nëqoftëse kopeja e dhenve apo dhive nuk i kishte pasur këmborët apo zilet e mira, atëherë shtëpia e bariut të vdekur i kërkonte ato tek barinj të tjerë, të cilat i jepnin pa qejf e me shumë mërzi, mbasi u dukej se ato nuk do të tingëllonin më aq bukur sa më parë, mbasi të kishin «qarë» të vdekurin.  Gjamë të tilla, ose thjesht gjame, ka pasur jo vetëm në Veri, por edhe në «Kurvelesh, në Breg të Detit e në rrethinat e Vlorës. Gjamën e bënin burrat me vaje apo ligje»1.

Shënojmë se gjamët e Kelmendit janë të afërta me gjamët e kreshnikëve. Kur shtrihet Arnaut Osmani si i vdekur, ja si e bënin gjamën:

  • Mjeri u për ty, vllau em, o vlla!

Si në shtëpi ashtu edhe në varrezat e të afërmit duhet të qëndronin të fortë. Ata nuk duhet të qajnë dhe u japin kurajo të tjerëve. Kur nëna përballonte pa qarë fatkeqësinë e madhe, vdekjen e të birit, për të thoshin: «Asht grua sojit». Edhe njerëzit e tjerë shikoheshin në se qëndronin apo jo, sidomos burrat e shtëpisë dhe pastaj të afërmit e tjerë, që kanë lidhje gjaku. Burrat qajnë për burra, i biri qan t’ëmën, vëllau motrën, ndërsa gratë vajtojnë e qajnë si për burrat ashtu edhe për gratë. Për gratë nuk bëheshin gjamë kolektive. Njëkohësisht për gratë nuk bëheshin as gjamë individuale. I biri mund të bënte vajtim për nënën dhe vëllai për motrën, por jo gjamë. Për vdekjen e grave, vajzave, gratë bënin vaj dhe asgjë më tepër. Siç del nga faktet e mësipërme, gjamët dhe vajet janë fenomene shumë të lashta, që i përkasin periudhës së parakrishtërimit dhe që s’kanë të bëjnë me të. Megjithatë ideologjia fetare (e krishterë a islamike) me botëkuptimin e saj mistik, ka mundur të depërtojë në vajtime.

 

Fadil Mehmeti, Zakone, rite e besime vdekjeje në Kelmend, «Etnografia shqiptare», nr. IX, Tiranë 1978, f.

 


 

1) «Folklori shqiptar», Tiranë 1972 (botim i Universitetit), fq. 149

Fadil Mehmeti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...