Oshtima

Skerdilaidi

SKERDILAIDI - KOMANDANT USHTARAK DHE SUNDIMTAR I SHTETIT ILIR (217- 205 P.e.s)


Komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir më 217-205 para e.s., Skerdilaidi ishte një nga përfaqësuesit e fuqishëm të familjes mbretërore ilire të Pleuratit, e njohur si dinastia e Agronit1, që ndikoi në politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit ilir gjatë tri dekadave të fundit të shek. III para e.s. Ndonëse përmendet për herë të parë si komandant më 230 para e.s., në betejën kundër Epirit, ngjarjet e zhvilluara më parë tregojnë se Skerdilaidi kishte udhëhequr ushtrinë mbretërore dhe gjatë sundimit të vëllait të tij, Agronit. Në burimet historike2, nga dinastitë ilire të gjysmës së dytë të shekullit të III para e.s., njihen si mbretër të shtetit ilir Agroni dhe Teuta. Më vonë, kryesisht gjatë luftërave që bën mbretëria ilire kundër Romës, vendin kryesor në këto ngjarje historianët ia kanë rezervuar mbretit Gent3,  me të cilin mbyllet dhe cikli i zhvillimit historik të mbretërisë ilire, për t’i lënë vendin një kapitulli të ri. natyrisht në kuadrin e kushteve të reja që u krijuan pas pushtimit romak. Mirëpo në tërë ecurinë e zhvillimit të kësaj historie ende nuk është e qartë periudha që përfshin Ilirinë pas luftës së parë iliro-romake të vitit 229 para e.s. e deri në ardhjen në pushtet të mbretit Gent. Agroni del në dokumentet historike si mbret i ilirëve në vitin 2324. Sipas Polibit (200-120 para e.s.), në veprën e tij “Historia”5  mësojmë se Agroni, mbreti i ilirëv edhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë. Kufijtë e shtetit shtriheshin në një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos, me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Gjatë kësaj periudhe shteti ilir përfaqësonte jo vetëm një fuqi të rëndësishme ushtarake, por dhe një forcë diplomatike në ruajtjen e ekuilibrit të forcave në Mesdhe. Mbreti Agron ishte pasardhës i mbretërve të tjerë të Ilirisë që i takonin linjës dinastike të Glaukias dhe Monunit.

Burimet historike gjatë kohës së sundimit të mbretit Agron nuk përmendin asnjëherë vëllain e tij Skerdilaidin, i cili fillon të shfaqet në historinë antike vetëm pas vdekjes së Agronit, në kohën e sundimit të shkurtër të Teutës. Në periudhën e sundimit të Agronit, në vitin 231, pas prishjes së aleancave që ishin krijuar ndërmjet Maqedonisë dhe Epirit, si dhe krijimit të aleancave të reja me Romën, u kërkua nga maqedonasit ndihma e shtetit ilir6. Epiri u shkëput tashmë nga aleanca me Maqedoninë dhe u bashkua me etolët, një fis i madh helen që banonte në jug të Ilirisë dhe në kufi me Maqedoninë. Ata mbanin të rrethuar kryeqytetin e Akarnanisë - Medionin. Në këtë situatë aleanca e etolëve me Romën, e cila në atë kohë ishte e okupuar rne luftërat kundër Kartagjenës, tregonte qartë se kjo e fundit po përgatitej për të qenë një superfuqi jo vetëm në anën perëndimore të Adriatikut, por edhe në pjesën Lindore të tij. Mirëpo kjo rrezikonte kufijtë e Ilirisë, sepse afronte Romën më pranë qyteteve ilire. Situata e krijuar e asaj kohe do të nënvizonte dy çështje kryesore që lidheshin me ndërhyrjen e shtetit ilir si aleat i Maqedonisë në luftë kundër etolëve dhe së dyti, aleancë reciproke për miqësinë ndërmjet dy shteteve kundër armiqve të tjerë që pretendojnë pushtimin e tyre.
Polibi7 e përshkruan kështu betejën e vitit 231 para e.s. për çlirimin e qytetit Medion nga ushtria ilire: “Natën njëqind anije, me pesëmijë ilirë, lundruan në drejtim të Medionës dhe iu avitën qytetin. Etolët tashmë, duke qenë të sigurt për fitoren, janë të shkujdesur nga çdo problem, bile ... ata janë aq të sigurt në fitore, sa kanë filluar të bëjnë hesapet për ndarjen e plaçkës së luftës. Kur errësira kishte mbuluar gjithçka, të maskuar mirë, me qetësi të plotë, flota ilire iu drejtua limanit në gjirin e Ambrakisë. Në konspiracion të plotë dhe pa u ndier, ushtria ilire u rreshtua në formacion luftarak gati për sulm kundër lëmit etol. Më pas, përqendrimi i forcës goditëse të ushtrisë do të jetë në pikën më të dobët të armikut. Sulmi i papritur dhe i befasishëm ilir u koordinua me medionasit, të cilët deri në këto çaste ishin të mbyllur brenda mureve të qytetit dhe do të hapnin portat e do të sulmonin etolët. Kështu ushtria etole përveç befasisë u ndodh në mes të ushtrisë ilire dhe ushtrisë medionase”.
U mposht kështu ushtria më e fortë në Greqi, e cila kishte fituar mbi galët dhe që prej 10 vjetësh kishte bllokuar Maqedoninë.


Kush e drejtoi ushtrinë ilire në betejën e Medionës?


Në burimet e shkruara historike nuk del emri i udhëheqësit të kësaj beteje. Fakti që mbreti Agron ndodhej në pallatin e tij kur mori lajmin e fitores së ushtrisë ilire kundër etolëve tregon se kjo luftë nuk u drejtua prej tij. Polibi që shkruan më pas në vitin 230 para e.s.8 pra vetëm një vit më vonë se komandanti i ushtrisë ilire të ishte vëllai i Agronit, Skerdilaidi, na lë të kuptojmë se edhe beteja e vitit 231 para e.s. ishte drejtuar prej tij.


Lëvizjet taktike të Skerdilaidit në prag të luftës me Romën. Fushata e vitit 230 para e.s. kundër Epirit


Fitorja e fundit e ilirëve kundër një ushtrie që s’kishte njohur humbje e vendosi shtetin Ilir në një balancë pothuajse të barabartë me Romën, duke përfaqësuar kështu një forcë të madhe në Adriatik, gjë që solli më pas konfliktin e armatosur 60-vjeçar ndërmjet tyre, i njohur në histori si luftërat Iliro-Romake.
Gjatë kohës së mbretërimit të Teutës9 dhe më pas, emri i Skerdilaidit bëhet i pranishëm në të gjithë veprimtarinë e shtetit ilir të asaj kohe. Ai është një figurë qendrore që vendos mbi fatet e zhvillimeve jo vetëm ushtarake, por edhe diplomatike. Fillimi i luftës së pashmangshme me Romën solli si domosdoshmëri krijimin e një strategjie mbrojtëse, kryesisht nga disa vende që i shkaktonin vazhdimisht probleme shtetit ilir.
Për realizimin e kësaj strategjie peshën kryesore do ta kishte Skerdilaidi, i cili filloi manovrimet ushtarake në Epir. Në vitin 230 para e.s. forca ushtarake u vu në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior në atë kohë të etolëve dhe aheasve, Epirin. Qëllimi ishte i qartë, me aksionin e saj do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve dhe aheasve. Forcat ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së lidhjes epirore Foinikës dhe u drejtua kundër saj. Ushtria ilire duke vënë re se armiku kishte shpërndarë forcat, e kalonte kohën i shkujdesur dhe e kishte lënë pas dore rojën e qytetit të Foinikës, kapën në befasi ushtrinë mercenare gale. Ndërsa, Skerdilaidi me një ushtri tjetër prej 5000 vetash kaloi ngushticën e Antigonesë dhe u vendos përballë ushtrisë Epirote që kishte ardhur në ndihmë të qytetit të Foinikës, diku pranë lumit të sotëm të Bistricës. Epirotët të shpartalluar plotësisht humbën çdo shpresë dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë dhe aheas. Nuk vonoi shumë dhe dy ushtritë, ajo ilire dhe epirote, së bashku me etolët dhe aheas u rreshtuan përballë, diku në pellgun e Vurgut (Gjirokastër). Ato nuk arritën të zhvillonin betejën, pasi një dylufltim i Skerdilaidit me komandantin e forcave armike përcaktoi fitoren e ilirëve.
Epirotët tashmë drejt shkatërrimit total, të zënë në panik, dërguan delegatë në pallatin mbretëror te Teuta dhe bashkë me akarnanët bënë aleancë me ilirët, duke marrë përsipër që tani e tutje dhe të jenë kundër akejve dhe etolëve. Rezultati u arrit, Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me arkarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.
Në pranverën e vitit 22910  flota ilire u drejtua kundër Korkyrës (ishulli i Korfuzit) dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit, kërkuan nëpërmjet delegatëve ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte vrapoi drejt Korkyrës. Ilirët si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët u dolën ahejve përpara në ishullin Paksos. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje, përballë anijeve të rënda katër - pesërremëshe greke. Flota ahease u shpartallua. Ilirët morën në dorëzim qytetin dhe lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit.
Fitoret radhazi të Skerdilaidit, të këtij strategu dhe gjenerali të shquar të historisë antike të ilirëve, zgjerimi i kufijve, stabiliteti ekonomik, forcimi dhe njësimi i shtetit etj., i radhitën ilirët në një pozitë supremacie ndaj shteteve të tjerë të asaj kohe. Frika ndaj fqinjit të fortë dhe oreksi në rritje i Romës për dominimin e Mesdheut shkaktuan në këtë periudhë ndërmjet ilirëve dhe romakëve konfliktin e vitit 229 para e.s. Kaq i madh ishte shqetësimi i romakëve për fushatën ilire dhe kaq të vetëdijshëm ishin ata për vlerën reale të ilirëve, sa angazhuan për fushatën një flotë prej 200 anijesh me një ushtri prej 20000 këmbësorësh që do të merrnin pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin vetë dy konsujt që ishin në fuqi atë vit, Gnej Fulvi dhe Aul Postumi11.


Riorganizimi i shtetit


Duke analizuar gjendjen e krijuar pas depërtimit të Romës në Iliri, të cilët kishin vendosur Demetër Farin (228-218 para e.s.) si regjent në vend të Teutës, Skerdilaidi, vendosi që të ndërmerrte disa lëvizje diplomatike. Ai, me ndërmjetësinë e Agelaut, siguroi paqen me etolët, të cilët pranuan që të luftonin romakët, ndonëse më parë kishin qenë miqtë e tyre. Ndërkohë u krijua një ushtri e madhe në numër nën komandën e Skerdilaidit dhe komandantit etol.
Vetëm 5 vjet më vonë pas vendosjes së Demetër Farit si regjent në Iliri, ky i fundit filloi tendencat për shkëputje nga Roma nëpërmjet disa veprimeve ushtarake që në një mënyrë ose tjetër ishin në kundërshtim të hapur me interesat e Romës. Demetër Fari i dërgon një delegacion Skerdilaidit dhe i kërkon miqësi dhe bashkim për të luftuar romakët. Ndërkohë, në vitin 220 para e.s., Skerdilaidi dhe Demetër Fari u bashkuan, pasi ky i fundit e njohu Skerdilaidin si mbretin e vetëm të ilirëve. Ata u nisën me anijet e tyre për çlirimin e Kerkyrës, të cilën Demetër Fari e mori përsipër ta realizonte pa Skerdilaidin si shenjë të pendimit të tij.
Rikthimi i Kërkyrës12 dhe riorganizimi që Skerdilaidi po i bënte shtetit ilir rritën shumë atmosferën e besimit jo vetëm tek qytetarët ilirë, por edhe te fqinjët e tyre. Pas kësaj Skerdilaidi bëri një marrëveshje me mbretin e maqedonasve Filipin, e cila nuk u prit mirë nga etolët, të cilët kërcënuan me prishjen e traktatit që kishin arritur më parë. Situata politike dhe ushtarake filloi të përkeqësohej. Një letër e kapur rastësisht nga një postë ilire që dërgohej nga mbreti i Maqedonisë Filipi për Demitër Farin tregonte se Roma kishte humbur luftën me Hanibalin. Ky, duke përfituar nga rasti, e këshillon mbretin që do të ishte mirë që maqedonasit të mos merreshin më me luftën kundër etolëve, por t’u kthehen ilirëve dhe pastaj të hidheshin në Itali.
I ndodhur dhe një herë përpara tradhtisë së dytë të Demetër Farit dhe të aleatit të tij Filipit, Skerdilaidi përshpejtoi lëvizjen për ribashkimin e Ilirisë. Ai sulmoi Filipin në tokë, pushtoi disa qytete, si dhe bëri për vete qytetin e rëndësishëm Antipatrean. Kapërcimi i vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat e dinastëve të vegjël i dha fund përçarjes politike që ekzistonte në Iliri. Tashmë ai kishte një ushtri të organizuar mirë, si këmbësorinë, flotën detare e kalorësinë dhe shfaqet në burimet historike së bashku me të birin, Pleuratin. Në veprën e tij të ribashkimit të Ilirisë, Roma mbajti një qëndrim indiferent. Shtirja e sundimit të Skerdilaidit mbi qytetet e Desaretisë përbën zanafillën e konfliktit të armatosur me Maqedoninë.

Beteja e madhe ndërmjet ushtrisë së Skerdilaidit dhe Filipit të Maqedonisë u zhvillua pranë qytetit tëApolonisë. Gjatë dimrit të vitit 217 para e.s. Filipi, mbreti i Maqedonisë, ndërtoi një flotë të madhe detare prej 100 anijesh me skllevër ilirë të zënë rob më parë13, pasi këta të fundit ishin mjeshtër në këtë fushë dhe në kopjimin e anës teknike, dhe tashmë gjithë bota njihte e shpejtësinë dhe manovrimit e anijeve ilire në det. Në fillim të pranverës së vitit 216 para e.s. ai u nis së bashku me anijet dhe u dislokua pranë Apolonisë, ku një pjesë të anijeve të tij i la në ishullin e Sazanit. Apoloniatët të rrethuar kërkuan ndihmë nga Skerdilaidi, i cili mori menjëherë masat për mbrojtjen e qytetit. Me agresionin kundër Ilirisë, Filipi bëri një hap fatal jo vetëm për Maqedoninë, por për tërë popujt e Ballkanit. Pasojat e këtij injektimi do të reflektohen në zhdukjen e shtetit maqedonas dhe të një sërë shteteve të tjera të asaj kohe, g]ë që do të sillte ndryshime të mëdha në përbërjen etnike të Ballkanit.
Në këtë situatë të krijuar, i kërcënuar nga Maqedonia, Skerdilaidi ishte i detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma dhe që nga kjo kohë ai do të vepronte si aleat i Romës për rreth katër dekada. Duke shfrytëzuar konfliktin që ekzistonte ndërmjet Maqedonisë dhe Romës, Skerdilaidi kërkoi ndihmë nga kjo e fundit, e cila dërgoi 5 anije të rënda, të cilat u vërejtën nga anijet që kishte lënë Filipi në ishullin e Sazanit. Skerdilaidi kishte rreshtuar në formacion luftimi këmbësorinë, kavalerinë, si dhe flotën detare. Tashmë gjithçka ishte gati për të sulmuar pozicionet e Filipit, i cili, kur vuri re anijet që po vinin në drejtim të tij, i zënë në befasi, urdhëroi që ushtria të kthehej prapa. Kjo tërheqje u bë në çrregullim të madh duke rënë pre e ushtrisë ilire. Humbjet e Filipit ishin shumë të mëdha si në njerëz, ashtu dhe në materiale. Ushtria ilire mori dhe një pjesë të mirë të anijeve të Filipit, të cilat nuk mundën të lëviznin. Pas betejës së Apolonisë, Skerdilaidi arriti të ribashkonte tokat ilire të cilave iu shtuan vullnetarisht dhe qytetet e Desaretisë. Nuk ka dyshim që pas kësaj Skerdilaidi ishte sundimtar i vetëm i shtetit ilir.

Historia e mëvonshme e shtetit ilir gjatë viteve 214 - 205 para e.s. është e mbushur me ngjarje që lidhen me një aktivitet të dendur të Skerdilaidit si në aspektin diplomatik nëpërmjet aleancave antimaqedonase, ashtu dhe në luftërat që vazhdimisht forconin shtetin ilir. Pas vitit 210 para e.s., Skerdilaidi shfaqet së bashku me të birin, Pleuratin14, në të gjithë aktivitetin e tij diplomatik dhe ushtarak. Në vitin 205 para e.s., Pleurati, djali i Skerdilaidit dhe i ati i mbretit Gent, do të ishte trashëgimtari i fronit mbretëror të shtetit ilir. Mbreti Pleurat, i cili trashëgoi fronin e Skerdilaidit, i shërbeu me besnikëri Romës.
Këtë nuk e vazhdoi edhe trashëgimtari i tij, Genti, i cili erdhi në fron rreth vitit l80 para e.s. Genti arriti të vendoste lidhje me mbretin e Dardanisë dhe të Maqedonisë, në përgatitje për një luftë kundër Romës. Për herë të parë kemi një informacion më të plotë edhe për makinën ushtarake të shtetit ilir. Orientimin e ri antiromak në politikën e jashtme ai e shoqëroi rne një sërë masash për forcimin e shtetit ilir. Së pari përqendroi financat nëpërmjet një takse mbi të gjithë nënshtetasit dhe nëpërmjet shtetëzimit të punishteve monetare të Lisit të Shkodrës15, dy qyteteve të tij rezidenciale. Kështu, në prag të luftës me Romën, thesari shtetëror kishte, sipas inventarit që i bënë romakët, 27 ponde ari, 19 argjendi, 120 mijë drahme ilire dhe 13 mijë dinarë romakë. Gjithashtu Genti krijoi një flotë prej 270 anijesh, duke treguar me këtë se armiku për të cilin përgatitej vinte që nga përtej Adriatikut. Një ushtri prej 15 mijë vetash plotësonte makinën ushtarake të shtetit ilir.

 

«ILIRIA» Nr. XXXVI f.109-116.

 



1) S. Islami, Historia e Ilirëve, Tiranë 2008, f. 86-133.
2) Polibi, Historiae, 113,4; Dion Kasi, Historia Romana,47,3;Claudi Aeliani, Varia Historia, II,41; Joannis Zonarae, Epitomae Historiarum, VIII, 19; shih: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Tiranë 1965.
3) Polibi, Historiae, XXVIII, 8,1; XXIX 3,1; XXXII 9,4; Livi, Ab urbe condita, XL,42,1; XLIV 23,1; XLV 3,1; shih: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, f. 44,100.
4) Polibi, vep.cit. II 3,4 , Ilirët dhe Iliria, f. 44.
5) Po ai, vep.cit..., f. 44.
6) Po aty, f. 44.
7) Polibi, vep.cit., II3,3,4,5,6,7, f. 44-45.
8) Polib, vep.cit., II 6,3.
9) Po ai, vep.cit., II4,7 f. 44-45; Dion Kasi,Historia Romana,47,3; shih: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 1965, f. 371.
10) Polibi, vep.cit., II 9,2,3,4,5,6,7,8,9, Ilirët dhe lliria..., f. 47.
11) Po aty, II 11,2 dhe 12 2,3, llirët dhe Iliria..., f. 48.
12) Po aty, II 16 6,7, Ilirët dhe Iliria..., f. 52.
13) Polibi,vep.cit..., II 1109,10,11,f.59.
14) Livi, Ab urbe condita, XXXI 28,1; 34,5: XXXIll 34,11: XXXVIII 7,2, f. 103. Rrënimi i Ilirisë nga ana tjetër, na pasqyrohet në një mënyrë ceremoniale nëpërmjet përshkrimit që i bën Livi triumfit të pretorit Luc Anici në Romë: “Në pak ditë ai shtroi fisin ilir, trim për tokë e det, që mbështetej në vendet e veta e në fortifikimet; kishte zënë rob jo vetëm.mbretin, por edhe gjithë familjen mbretërore. Në triumf kishte me vete shumë flamuj ushtarakë, plaçkë tjetër dhë orenditë e mbretit; solli 27 ponde ari, nëntëmbëdhjetë ponde argjendi, 13 mijë denarë, 120 mijë copa monedha ilire argjendi. Përpara karrocës së Anicit u suall mbreti Gent bashkë me të shoqen dhe femijët, me të vëllanë Karavantin e me disa nga paria Ilire ...” Antias thotë se nga shitja e plaçkës u nxorën miliona sesterce, pa numëruar arin dhe argjendin që u derdhën në thesarin publik.
15) S. Islami, Historia e Ilirëve ..., f. 222-237

Luan Përzhita


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...