Oshtima

Shpërngulja e shqiptarëve nga Shqipëria Lindore në Turqi (1953-1959)

 

 

PËRMIRËSIMI I MARRËDHËNIEVE JUGOSLLAVO - TURKE (1951)

Shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve nga trevat e tyre etnike, që ishin nën pushtimin jugosllav, gjatë viteve 1953-1959, përbën njërin ndër problemet e mprehta historike, të cilit historiografia shqiptare fare pak i ka kushtuar kujdes. Nisur nga ky fakt, ky punim synon që me forcën e dokumenteve, t’i ofroj lexuesit disa të dhëna të argumentuara, të cilat flasin qartë se ky akt vandal antishqiptar, u shpik nga klika komuniste jugosllavo-maqedonase.

Që në fillim duhet të vihet në dukje, se sipas burimeve arkivore të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (më tej KQ LKM), procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, së pari filloi në Maqedoni (1953-1957), që më pas kjo të shtrihet edhe në Kosovë, Sanxhak, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë (1957-1959).1 Po këto burime provojnë se fenomeni i shpërnguljes së shqiptarëve, të cilët ishin nën pushtimin jugosllav, zgjati deri në shpartallimin e kësaj federate komuniste, mirëpo intensiteti më i lartë i saj ishte midis viteve 1953-1959, prandaj ky punim shkencor ka objekt trajtimi këtë temë.

Duhet vënë në dukje se kjo ide antishqiptare rezultoi menjëherë pas përmirësimit të marrëdhënieve turko-jugosllave (1951), që këta të fundit do ta shfrytëzojnë për depërtimin e dhunshëm të shqiptarëve nga këto troje dhe kolonizimin e tyre me popullatë sllave. Qeveria komuniste jugosllave ishte plotësisht e bindur se me përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Turqinë, në njërën anë, si dhe zbatimin e një presioni të dhunshëm ndaj shqiptarëve, në disa drejtime, do të ndikojë, siç thuhet në një dokument “në rritjen e menjëhershme të tendencës për shpërngulje në Turqi”. Gjithnjë sipas këtij dokumenti shpërngulja “është e lidhur për disa arsye: tradita e kësaj dëshire që nga Lufta Ballkanike, rezistenca e popullatës myslimane, e cila nuk është e liruar nga konservatorizmi dhe fanatizmi fetar ndaj ndërtimit socialist, propaganda në Turqi (që përcillet nëpërmjet letrave dhe shtypit te ne), dhe aktiviteti i autoriteteve të ndryshme (politike dhe fetare) nga ndikimi i të cilëve ende nuk janë larguar masat epakicave.”2

Për zbatimin sa më parë të kësaj politike, J. B. Tito dhe kabineti i tij, gjatë vitit 1951, organizuan disa takime sekrete me ambasadorin turk në Beograd, Fuad Kyprili. Ky diplomat, në këto takime, do të pajtohet që të ripërtërihet Konventa e para Luftës së Dytë Botërore, e arritur midis Turqisë dhe Mbretërisë jugosllave, e cila parashihte shpërnguljen e shqiptarëve nga këto vise për në Turqi.3 Sa për fillim, të dyja palët ranë në ujdi, që Jugosllavinë ta vizitonin misionarë të ndryshëm turq, me detyrë speciale që në vendbanimet shqiptare të propagandonin politikën e shpërnguljes, sigurisht duke e lavdëruar Turqinë. Pa vonuar shumë, kjo ide do të fillonte të zbatohej në praktikë, respektivisht ca qindra qytetarë të Republikës së Turqisë, gjatë verës së vitit 1951, do të qëndronin nëpër disa qendra të rëndësishme shqiptare, si në: Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Manastir etj. Gjatë kontakteve me të afërmit e tyre, edhe me shtresat e ndryshme shqiptare, si me zejtarë, tregtarë, klerikë myslimanë etj., lavdëronin Republikën e Turqisë dhe politikën e saj si dhe jetesën shumë të mirë. Kjo propagandë, së shpejti u përhap në mbarë hapësirën shqiptare nën pushtimin jugosllav, me çka faktikisht, u ringjall politika e vjetër hegjemoniste serbe, e cila në vete përmbante dy pika: shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe kolonizimin e tyre me kolonë serbë.4 Këtë më së miri e sqaron elaborati i Byrosë Politike të KQ të LKM-së, i hartuar enkas për shpërnguljen në të cilin, përveç tjerash, thuhet: “Për ringjalljen e aksionit të shpërnguljes, rol të rëndësishëm pati përmirësimi i marrëdhënieve tona (të Jugosllavisë - Q. L.) me Turqinë dhe ardhja e shtetasve turq te ne, prej të cilëve numri më i madh ishin tregtarë dhe njerëz të pasur, të cilët jetën në Turqi e paraqesin shumë të mirë dhe të lehtë. Veç kësaj, një numër i madh flisnin në emër të Republikës së Turqisë”, e cila do të kujdesej për “myslimanët” (shqiptarët - Q. L.) e Jugosllavisë, se do t’u mundësojë të shpërngulen dhe se Qeveria atje do të kujdeset për punë, shtëpi etj.5

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Jugosllavisë Federative dhe Republikës së Turqisë, te masa e përgjithshme shqiptare krijoi dy rryma të ndryshme politike. Krahu intelektual, që në fillim e kuptoi se prapa këtij akti ekzistonte një prapavijë politike, kuptohet në dëm të çështjes shqiptare. Për ta, autoritetet e Beogradit, nëpërmjet kësaj politike, dëshironin të krijonin klimë pozitive për turqizimin e shqiptarëve, sepse sipas tyre: “Me përmirësimin e marrëdhënieve jugosllavo-turke, turqit do të gëzojnë më shumë të drejta dhe privilegje, ndërsa ne shqiptarët nëse dëshirojmë ta ruajmë ekzistencën tonë të vobektë do të duhet patjetër të tregohemi si turq dhe të turqizohemi... etj”6

Për dallim nga inteligjenca, një grup elementesh të involvuara nga ana e pushtetit “popullor” nëpër organizata të ndryshme shoqërore, sipërmarrje, madje edhe brenda “Bashkësisë Fetare Islame”, e shfrytëzuan për ta manipuluar masën e gjerë të pavetëdijshme shqiptare, duke zhvilluar propagandë se kjo ishte: “në të mirën e myslimanëve” dhe se: “Një ditë pushteti turk do ta shtrojë çështjen e shpërnguljes së tyre.” Madje, ata mbronin qëndrimin se “Kjo çështje është dashur të lejohet shumë herët nga ana epushtetarëve jugosllavë.”7

Siç do të vërehet në vazhdim, një luftë e ashpër do të zhvillohet midis këtyre dy rrymave, që fatkeqësisht fituese doli rryma proqeveritare, e cila arriti që ta përfitojë një pjesë bukur të madhe të popullatës shqiptare, duke ia imponuar asaj tezën anti-shqiptare (shpërnguljen), që në fakt edhe ishte qëllimi kryesor i autoriteteve komuniste të Maqedonisë.

HAPJA E SHKOLLAVE NË GJUHËN TURKE DHE  FILLIMI I TURQIZIMIT

Masat që u ndërmorën kundër shkollës shqipe gjatë viteve 1949-1950, zbuluan maskën e planeve të fshehta fashizoide antishqiptare të regjimit komunist të Federatës jugosllave. Përderisa në atë kohë pushteti “popullor” maqedonas, ndërmori një sërë masash politiko-ideologjike kundër inteligjencës shqiptare, kryesisht kundër kuadrit arsimor, në vitin 1951, për ta ndalur zhvillimin e mbarë që kishte marrë shkolla shqipe në Maqedoni, si në kohën e regjimit të mbretërisë jugosllave nën pretekstin e “zbatimit me konsekuencë” të njohjes së plotë të të drejtave kombëtare për çdo “pakicë”, pushteti propagandoi me të madhe hapjen e shkollave turke në krahinat e pastra shqiptare.8

Për ta zbatuar këtë projekt antishqiptar sa më parë, në qershor të vitit 1951, një ekip i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (më tej KQ i LKJ), zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku mbajti disa takime me komitetet e vendit të PKM-së, me detyrë speciale për ta studiuar gjendjen politike, respektivisht mundësinë për hapjen e shkollave turke në këtë Republikë, sidomos në pjesën veriperëndimore të saj. Ekipi në fjalë, në raportin që ia dërgon KQ të PKJ, do të konstatojë: “Te pakicat nacionale, sidomos te shqiptarët dukshëm është përforcuar elementi armiqësor, në radhë të parë tek elementi shqiptaromadh, qendra e të cilit është Athina.”9 Sipas vlerësimit të ekipit të përmendur, mundësitë për hapjen e shkollave turke në këto vise, janë shumë të vogla, për shkak se siç thuhej: “Ekipi hasi në problem ndërmjet turqve dhe shqiptarëve (Tetovë), i cili problem nuk është i qartë për organizatën partiake dhe rreth të cilit ekzistojnë mendime kontradiktore edhe te vetë anëtarët e PK(M-Q. L.).”10

Nuk vonoi shumë, që mbi projektin e hartuar (zyrtarisht nga ASHAS) KQ i PKM-së, të formonte një Komision, me qëllim të zbatimit të vendimeve të KQ të LKJ-s, e që kishin të bënin në hapjen e shkollave turke në krahinat e pastra shqiptare. Komisionin do ta udhëheqë Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë të tjerë ishin: Mito Temenugov, Reiz Shaqiri, Boge Kuzmanovski, Tome Bukievski - Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan.11

Nga data 17.01.1952 - 03.02.1952, Komisioni vizitoi rrethet e Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës, Kumanovës, Gjorçe Petrovit dhe Resnjës. Në kuadër të atyre vizitave, ata organizuan takime të shumta me komitetet e rretheve, organizatat bazë, organizatat masive me mësuesit shqiptarë, me shoqëritë kulturor-artistike etj. Në bazë të informacioneve që mori, Komisioni hartoi një analizë (elaborat) që do të shqyrtohet në Byronë Politike të KQ PKM, në mbledhjen e zgjeruar, mbajtur më 29 shkurt 1952. Në atë mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë politike: Llazar Kolishevski, Strahill Gigov, Vidoe Smilevski, Kërste Cërvenkovski, Nikolla Minçev, Vera Aceva dhe Borko Temellkovski, si dhe sekretarët e komiteteve të qarkut, të besuarit e UDB-së12 (Drzhavne Bezbednosti), nga rrethet ku jetonin shqiptarët, anëtarët e KQ-së që punonin në aparatet e saj dhe të vetë UDB-së etj.13

Analiza që rezultoi nga ky aksion do të aprovohet pa asnjë kundërshtim, përfshinte 40 faqe, e ndarë në katër nëntituj kryesorë: historiku dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; çështja e arsimit; çështja ekonomike dhe çështja organizative. Në fakt, analiza, përbënte programin e modifikuar serb “Naçertania”, në të cilën shqiptarët paraqiten si ardhacakë, të cilët në këto vise ishin vendosur duke e përdorur “dhunën dhe terrorin ndaj popullatës autoktone sllave (maqedonase)” se ata ishin: “fundamentalistë islamikë, shqiptaro-mëdhenj, fashistë, terroristë, shovinistë, banditë, reaksionarë” dhe njollosje të tjera, të cilat, sipas analizës “pushteti popullor maqedonas duhet të ndërmarrë masa kundër tyre.”14  Në analizë më tej thuhet se “pjesa dërrmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke”, sidomos në “Tetovë, Gostivar dhe Strugë” dhe se “detyrimisht duhet të hapen në ato qytete shkolla turke.”15

Në dokument vërehet fare qartë se shpifjet që bëheshin ndaj shqiptarëve të Maqedonisë ishin të njëjta me ato që u bënë në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944).

Krahas “Analizës”, kreu i Byrosë Politike, solli edhe disa konkluzione, lidhur me problemet politike, arsimore, ekonomike dhe organizative në territoret ku shqiptarët përbënin shumicë absolute të popullatës. Në to fillimisht ftoheshin organizatat partiake dhe ato masive të rretheve që të punonin: "...në përmbysjen e tendencave nacional-shoviniste, si dhe në vendosjen e punës aktive të luftës kundër tendencave të zhvilluara për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore.” Kjo për kreun e Byrosë Politike ishte e domosdoshme, sepse, siç thuhet, në atë dokument: “Lufta e jonë për përmbysjen e Shqipërisë së Enverit tashmë ka dhënë rezultate të duhura, por mungesa e punës sonë të deritanishme për çështje të tjera, përhap tendenca të tilla për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore, ose për Shqipërinë e bashkuar pa Enverin dhe Rusinë.” Për kreun më të lartë komunistë maqedonas, gjendja më kritike ishte në rrethet e Tetovës, Gostivarit dhe të Dibrës, e cila sipas tij: “Kohët e fundit gjendja në këto rrethe ka ardhur deri në atë shkallë saqë as organizatat partiake, as pushteti ose UDB-ja, nuk janë të sigurt se cilit t’i besojnë...” dhe se: “E tërë kjo është zhvilluar në linjën shqiptaromadhe, qoftë për çështjen e lidhjeve me bandat nga Shqipëria ose lidhur me agjenturën e komiteteve perëndimore shqiptare, duke shprehur mosbesim dhe shovinizëm ndaj pushtetit dhe partisë sonë.”16

Në pjesën ku flitej për problemin e arsimit, në mënyrë të qartë vihej në dukje: “Është e domosdoshme që të hapen shkolla në gjuhën turke në Maqedoninë Perëndimore, në vendbanimet ku jetojnë turqit; shkolla shqipe e Normales në Tetovë të mbyllet dhe pranë shkollës normale në Shkup, të hapen paralele turke dhe shqiptare; të ndërmerren masa për pastrimin e mësuesve të papërshtatshëm politikisht dhe të dobët profesionalisht e gradualisht të shkohet drejt spastrimit të mësuesve të ardhur nga Shqipëria... etj”.17

Mbështetur në këto vendime, së shpejti, vetëm në Pollog u hapën gjashtë shkolla turke, si në: Tearcë, Tetovë, Vrapçishtë, Banjicë e Poshtme, Banjicë e Epërme dhe në Gostivar.18 Hapja e këtyre shkollave turke pati karakter fashizoid, me qëllim të turqizmit të kësaj popullate të pastër shqiptare, që më pas e njëjta të deportohej me dhunë në Anadoll të Republikës së Turqisë. Kjo nuk mund të sqarohet ndryshe, kur sipas regjistrimit të vitit 1948, popullata shqiptare në këto dy rrethe përbënte shumicën absolute në krahasim me maqedonasit dhe turqit. Për ta pasur një pasqyrë më të qartë rreth numrit të banorëve shqiptarë dhe atyre turq në këto dy rrethe në vazhdim po e paraqes tabelën si më poshtë, të sajuar nga të dhënat e entit statistikor, gjatë regjistrimit të vitit 1948:

Regj. i vitit 1948

shqiptarë

turq

Q. Tetovë

9.975

302

Rr. Tetovë

41.611

318

Rr. Gostivar

39.345

117

Gjithsej

90.931

73719

 

Pasqyra tabelore tregon se pushteti “popullor”, me gjithë faktin se elementi turk ishte tejet i parëndësishëm në Pollog (737 banorë të deklaruar si turq), e pa të arsyeshme që të hapë madje edhe gjashtë shkolla turke. Kjo politikë nuk ishte e rastësishme, përkundrazi ajo ishte mirë e paramenduar, ku menjëherë pas hartimit të programit organet e UDB-së, e filluan një fushatë të rreptë kundër popullatës shqiptare, me qëllim të turqizimit të saj.

Shkolla turke, në vitin shkollor 1951/1952, do të hapen edhe në rrethet e Dibrës, Kërçovës, Strugës, Resnjës, Manastirit, Krushevës dhe të Prilepit. Mirëpo, me gjithë hapjen e tyre në viset e pastra shqiptare, numri i nxënësve që i ndiqnin mësimet në këtë gjuhë nuk dallonte shumë, krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo më së miri shihet në pasqyrën tabelore që po e paraqes më poshtë:

Viti Shkollor

numri i shkollave

gjithsej nxënës

numri i mësuesve

1950/51

104

12.493

237

1951/52

144

13.237

29320

Sipas tabelës, vërehet se në vitin shkollor 1951/1952 u hapën gjithsej 40 shkolla të reja turke, ndërsa numri i nxënësve që vijonte mësimin në gjuhën turke u rrit vetëm për 744 nxënës.

Hapja e shkollave turke, në dëm të shkollave shqipe, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të ashpra, si nga inteligjencia e atëhershme shqiptare, diaspora politike, po ashtu edhe nga disa shqiptarë të involvuar në organet partiake të rretheve. Komisioni i Arsimit dhe i Kulturës, nëpërmjet një analize, do ta njoftojë KQ të LKM-së për kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke. Në analizën e përmendur lidhur me këtë thuhej: “Në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit, në më shumë raste, mësuesit flasin turqisht si dhe nxënësit e tyre, ndërsa mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe. Kur u ndërmorën masat në këto vise që për popullatën turke të hapen shkolla në gjuhën turke, mësuesit rezistuan, sidomos në rrethin dhe qytetin e Tetovës, ku asnjëri nga mësuesit vendas nuk dëshironin të jepnin mësim në gjuhën turke dhe për këtë atje duhej të dërgoheshin mësues nga Shkupi.”21 Reagime dhe kundërshtime nga mësuesit shqiptarë, sipas analizës, pati edhe në Gostivar, ku si shembull merret “mësuesi nga fshati Banjicë”, i cili, siç thuhet në dokument, “edhe pse është i lindur në të njëjtin fshat dhe gjuha e tij amtare është turqishtja, kur u hap shkolla turke refuzoi të jepte mësim në gjuhën turke dhe kishte kërkuar të punonte në fshatrat shqiptare...”. Ndaj për hartuesit e kësaj analize, “këta shembuj qartë tregojnë se sa thellë janë futur rrënjët e politikës shqiptaromadhe në mesin e intelektualëve në këtë pjesë.”22

Në anën tjetër dhoma e politikës së jashtme pranë KQ të PKM-së, në analizën që i kushtohej veprimtarisë politike të inteligjencës shqiptare, të komiteteve shqiptare në Perëndim, si edhe Shërbimit informativ shqiptar konstatonte: “Njëra ndër format themelore të veprimtarisë armiqësore të pakicës shqiptare është nxitja e ndjenjave nacionaliste e shoviniste ndaj Maqedonisë, respektivisht RFPJ-së dhe irredentizmit si platformë kryesore politike e armiqve të të gjitha ngjyrave. Përveç një pjese të inteligjencës, si edhe elementeve reaksionare, në këtë linjë vepron në mesin e pakicës shqiptare edhe Shërbimi informativ shqiptar. Qëllimi i fundit i komiteteve reaksionare të emigracionit perëndimor shqiptar, (Paris, Nju-Jork, Itali, Zvicër), është (krijimi - Q. L.) i Shqipërisë së madhe, edhe pse në situatën e tanishme, në plan të parë e kanë luftën kundër “regjimit” të Enver Hoxhës. Të gjithë këto qëndrojnë në një linjë: se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat këtu te ne, se këto vise janë shqiptare dhe se duhet t’i bashkohen Shqipërisë, se këtu bëhet turqizimi i shqiptarëve etj.”23 “Si pikëmbështetje e linjës së mësipërme në kohë të fundit”, thuhet më tej në dokument, “u shfrytëzua hapja e shkollave turke në disa vendbanime”në trojet shqiptare të Maqedonisë. Rezistencë më të madhe kundër shkollave turke bëhet e ditur se bëri “inteligjenca shqiptare në Tetovë dhe Gostivar.” Kundërshtimi i projektit fashizoid, sipas dokumentit që e kemi objekt trajtimi, “u mbështet edhe nga reaksioni i pakicës shqiptare”. Më tej, vihej në dukje se disa atdhetarë shqiptarë e kundërshtonin këtë projekt gjenocidal, “jo vetëm fshehurazi por edhe publikisht.” Ata thoshin se projekti i përmendur ishte: “i përqendruar kryekëput për turqizimin e shqiptarëve.” Në pamundësi për t’iu kundërvënë kësaj gracke, inteligjencia shqiptare u përqendrua në idenë se në një situatë të këtillë: “ajo duhej ta luante rolin vendimtar në mbështetjen e ndjenjave kombëtare te pakica e vet, madje në forma të ndryshme: njëra ndër format që ajo e zgjodhi ishin institucionet dhe shoqëritë kulturor-arsimore...”24, thuhej më tej në dokument.

Për sa u tha më sipër vërehet qartë se në rrethana kur pushteti komunist maqedonas bënte trysni ndaj shtresës intelektuale dhe kombëtare shqiptare, mësuesit atdhetarë shqiptarë veprimtarinë e tyre e përqendruan në shoqëritë kulturor-arsimore. Ndër krerët më të shquar atdhetarë shquhej Mehmet Riza Gega nga Tetova, i cili në vitin 1952, natën e Bajramit të Vogël, në Tetovë shpërndau disa afishe përmes të cilave: “Ftohej kombi shqiptar që të mos i dërgonte fëmijët e tyre në shkollat turke, ta ruajnë bashkimin mes tyre dhe të mos ndahen nga gjiri i tyre kombëtar.”25

Një figurë tjetër madhore, që iu kundërvu, në mënyrë të hapur politikës antishqiptare dhe fashizoide të pushtetit “popullor” maqedonas, gjithsesi ishte Murtezan Bajraktari nga Gostivari. Ai gjatë procesit të hetuesisë të zhvilluar kundër tij, më 1953, pa hezitim para organeve të UDB-së deklaroi: “Arsyeja pse unë kam shfaqur qëndrim armiqësor është se nuk jam pajtuar të hapen shkolla turke në Tetovë dhe Gostivar.” Më tej, ai vinte në dukje se ky projekt që zbatohej nga qeveria maqedonase ishte i padrejtë, sepse kështu do të shkohej në zhdukjen e kombit shqiptar. Në vijim ai deklaron se me këtë projekt antishqiptar më shumë u jepej përparësi turqve se shqiptarëve dhe se synohej turqizimi i shqiptarëve. Për këtë arsye, ai deklaron se kishte vendosur t’u kundërvihej këtyre masave, të cilat u vendosën nga ana e qeverisë, duke e ndier veten si atdhetar dhe si i tillë kishte vendosur të jepte maksimumin “që vetëm e vetëm shqiptarët të ndihen si atdhetarë dhe të mos lejojnë të turqizohen.”26

REGJISTRIMIIPOPULLATËS NË VITIN 1953 DHE FILLIMI I SHPËRNGULJES

Lidhur me shpërnguljen në masë të shqiptarëve nga trevat e tyre etnike në Maqedoni, gjatë viteve 1953-1959, siç u vu në dukje në fillim të këtij punimi, historiografia shqiptare fare nuk ka bërë përpjekje për ndriçimin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme, ndërsa historiografia maqedonase, e mohon në tërësi këtë akt mizor, madje në kohë të fundit disa historianë maqedonas flasin për “shqiptarizimin e Maqedonisë Perëndimore.”27 Është e vërtetë se në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, popullata maqedonase e braktisi fshatin për t’u vendosur në vendet urbane, sidomos në kryeqendër. Mirëpo migrimi i sag, nuk rezultoi si pasojë e një politike diskriminuese të pushtetit ndaj tyre. Përkundrazi, pushtetarët komunistë maqedonas, ardhacakëve maqedonas në Shkup, u ofronin kushte shumë të mira për jetesë, si banesa, vende pune për të gjithë ata që ishin të aftë të punonin, shkollimin e fëmijëve nga fillorja e deri në universitet dhe shumë privilegje të tjera vetëm e vetëm që Shkupi të dominohej nga popullata maqedonase. Kjo popullatë, vinte nga krahinat lindore dhe verilindore në Shkup, i cili atëbotë banohej, me shumicë nga shqiptarët.

Sekretari i parë politik i KQ të PKM, Llazar Kolishevski, duke e shtruar këtë çështje në mbledhjen e 29 shkurtit të vitit 1952, hapur e shprehu racizmin e tij kundër shqiptarëve. Si një albanofob i dëshmuar, para anëtarëve të Byrosë Politike, ai do të deklarojë: “Ekziston tendenca për lëvizje të popullatës, kryesisht në viset e thata, largimi prej atyre viseve në numër më të madh nga maqedonasit. Ky largim nuk duhet të ndërpritet. Madje, nëse kjo është më e madhe, aq është, (do të ishte Q. L.) edhe më mirë. Këtu nuk duhet të frikësohemi nga masat shqiptare. Popullata maqedonase është më inteligjente, më e kthjellët dhe shikon se ku janë kushtet më të mira për jetesë. Ndërsa ajo shqiptare, për shkak të mungesës së vetëdijes (kombëtare Q. L.), mbetet në një vend dhe jo për shkak të ndonjë vetëdije të lartë nacionale. Atë vetëdije nuk e ka dhe sa më shumë që të jetë kjo lëvizje është më mirë, për arsye se nëpërmjet saj ata njerëz ngrihen...”28

Del sheshit, se kjo deklaratë e njeriut të parë të partisë, në Maqedoninë komuniste përkon me projektin e Çubrilloviqit, i lexuar në Klubin Kulturor Serb më 1937 në Beograd.

Habit fakti se si historianët maqedonas ende mundohen ta fshehin të vërtetën lidhur me procesin e shpërnguljes në masë të shqiptarëve nga Maqedonia për Turqi gjatë periudhës 1953-1959, duke injoruar një sërë dokumentesh, të cilat flasin se si shumica dërrmuese e të shpërngulurve ishin të përkatësisë nacionale shqiptare. Mirëpo, e tërë kjo nuk do ta pengojë studiuesen maqedonase Violeta Açkovska, e cila e pakënaqur me atë shpërngulje të shqiptarëve do të shkruante se gjatë këtyre viteve “me bekimin e pushtetit popullor erdhi deri te shqiptarizimi i Maqedonisë Perëndimore”. Sipas saj, deri te ky fenomen kishte ardhur kur: “Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, pakica nacionale turke në RPM, shikuar sipas masave të eksproprijimit dhe nacionalizimit, nga kolektivizimi dhe Ligji për ndalimin e mbajtjes së ferexhesë, filloi procesi i shpërnguljes masive nga Maqedonia për Turqi.” “Në kushtet e atëhershme ndërkombëtare”, vazhdon Açkovska, “të politikës rigoroze  ideologjike ndarja në taborin “socialistë” dhe “kapitalistë”, turqit u shpallën si pakicë armiqësore, sepse shteti i tyre ishte shtet kapitalist, për dallim nga Shqipëria, e cila i takonte taborit komunist. Sipas disa të dhënave, deri më 1 qershor të vitit 1958 nga Maqedonia u shpërngulën 127.048 turq.”29 Më pas Açkovska shton: “Në vend të popullit maqedonas dhe të pakicës turke, vendosej pakica nacionale shqiptare dhe me këtë bëhej edhe më i fortë shqiptarizimi i Maqedonisë Perëndimore...”30

Ajo, si një historiane albanofobe, bie në kundërshtim me realitetin historik, sepse gjatë këtyre viteve pikërisht shqiptarët ishin ata që u shpallën armiq të “pushtetit popullor maqedonas” e jo turqit dhe si rezultat i dhunës dhe terrorit që u ushtrua nga organet e UDB-së maqedonase mbi shqiptarët. Një numër mjaft i madh i tyre në regjistrimin e vitit 1953 u deklaruan si turq, që ishte parakusht për të emigruar në Turqi. Tashmë është më se e qartë se politikën e turqizimit të shqiptarëve drejtpërsëdrejti e inicioi dhe e dirigjoi kreu më i lartë komunist maqedonas. Të mbështetur politikisht dhe financiarisht nga Federata e atëhershme jugosllave, udhëheqja maqedonase planifikonte që për një periudhë të shkurtër të bënte pastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre të stërlashta në pjesën veriperëndimore dhe jugperëndimore të Maqedonisë, ku ata shtriheshin në mbi 350 fshatra dhe 13 vendbanime urbane (qytete)31. Më pas këto vise do të populloheshin me popullatë slave, (maqedonas të Egjeut), e cila për shkak të luftës civile në Greqi gjatë viteve 1947-1949, kishte emigruar në Jugosllavi dhe në shtetet lindore të Evropës.32 Një pjesë e tyre, e cila kaloi në Shqipëri, u mirëprit jo në llogore sikurse në Maqedoninë Jugore, por ata u sistemuan nëpër shtëpitë e shqiptarëve të Korçës, si dhe të qyteteve tjera të Shqipërisë Jugore.

Vetë UDB-ja, në raportin që ia dërgon KQ të LKM-së, e pranon se numri më i madh i popullatës së deklaruar si turke është shqiptare. Sipas saj ekzistojnë shumë arsye, tri prej të cilave janë më të rëndësishme pse ka pasuar kjo situatë:

E para, për të njëjtën ekziston një çështje objektive në lëvizjet jostabile dhe të paformuara të ndjenjave nacionale te shtresat e gjera të popullatës së përkatësisë fetare myslimane në RPM, në një situatë të zhvillimit normal në përgjithësi në këto territore “turq të vërtetë” nuk ka shumë. Masa shqiptare manifeston ndjenja të turbullta nacionale. Nga njëra anë duke e shprehur mosngritjen objektive të vetë kombit shqiptar, që vjen si rezultat i moszhvillimit të kapitalizmit në Shqipëri, ndërsa në anën tjetër  edhe për shkak të pengesave të zhvillimit nacional si pakicë në Jugosllavinë e vjetër. Në Jugosllavinë e vjetër bëhej turqizmi i shqiptarëve, sidomos te pjesa qytetare, respektivisht esnafi i çarshisë së qytetit, të cilët mësonin turqisht, deklaroheshin si turq etj. Shpeshherë në linjën e përfitimit të autoritetit dhe dinjitetit, sepse shqiptarët trajtoheshin si klasë më e ulët;

E dyta, situata në vitin 1953 dukshëm ndryshoi: marrëdhëniet me Shqipërinë u keqësuan, ndërsa Turqia u bë aleate e RFPJ-së në Paktin Ballkanik. Ndërkohë, fanatizmi fetar te myslimanët ishte mjaft i prekur me Ligjin kundër ferexhesë. Me këtë nuk ka dilemë se ndikoi tek ajo pjesë jostabile në pikëpamje nacionale te masat myslimane, oportunizmi i së cilës i solli në orientim të ri sa i përket deklarimit të përkatësisë nacionale;

E treta, në këtë periudhë paraqitet edhe ideja e mundësisë për shpërngulje në Turqi përfaqësuesve të pakicës nacionale turke. Kjo po ashtu filloi të ndikonte fuqishëm në mesin e masave myslimane në linjën e deklarimit turq, si parakusht për marrjen e së drejtës për t’u shpërngulur në Turqi.”33

Nga ajo që thanë më lart, del i qartë edhe presioni politik dhe fizik i organeve të sigurimit maqedonas, i cili u zbatua sidomos ndaj inteligjencës së atëhershme shqiptare.34 Në regjistrimin e vitit 1953, numri i turqve rritet në mbi 100%, ndërsa ai i shqiptarëve ra në mënyrë drastike, madje nga 197.389 sa ishin në regjistrimin e vitit 1948, në 162.254. Të shohim në vazhdim një pasqyrë, e cila i paraqet lëvizjet e mëdha që ndodhën në përcaktimin e përkatësisë nacionale ndërmjet regjistrimit të vitit 1948 dhe atij të vitit 1953:

Maqedonas

shqiptarë

turq

të tjerë

1948

1953

1948

1953

1948

1953

1948

1953

89.648

860.699

197.389

162.254

95.940

203.938

70.009

77.35335

 

Sipas tabelës, brenda 5 vjetësh numri i banorëve maqedonas u rrit për afër 71.000, ndërsa shqiptarët u pakësuan për 34.865 banorë, derisa numri i turqve u rrit me mbi 100%, respektivisht për 107.998 banorë. Duke e komentuar këtë dukuri të panatyrshme, Dhoma e Pakicës Nacionale pranë KQ të PKM, vinte në dukje: “I tërë ky ndryshim ka ardhur si rezultat i periudhës së okupimit të Maqedonisë Perëndimore, kur një numër më i madh i turqve, nën presionin e propagandës dhe të administratës shqiptare, madje duke e shfrytëzuar edhe gjendjen fetare, i qenë nënshtruar një asimilimi tejet të lartë politik.”36

“...Kjo qe situatë e paqartë që e trashëguam në atë kohë”. Tutje vazhdon dokumenti: “Sa u përket nacionaliteteve në ato krahina, kërkohej më shumë kohë që të shihej gjendja reale, me qëllim që edhe turqve nga Maqedonia Perëndimore t’u siguroheshin të drejtat e njëjta si edhe shqiptarëve. Me hapjen e shkollave turke dhe me themelimin e një sërë shoqërive kulturor-arsimore, kjo çështje u zgjidh. E gjithë kjo mundësoi që njerëzit në Maqedoninë Perëndimore gjatë regjistrimit të vitit 1953 të deklaroheshin sipas ndjenjave të tyre nacionale...”37

Për dallim nga Dhoma e Pakicave Nacionale, UDB-ja kishte mendim krejtësisht të kundërt. Ky shërbim, në informatën që ia dërgoi KQ të LKM-së, bën të qartë se ndryshimi aq i lartë i strukturës nacionale, midis dy regjistrimeve: “Nuk ka ardhur nga shtimi natyror i popullatës, por nga ndryshimi i deklarimeve të shqiptarëve dhe torbeshëve.”38 Sipas UDB-së, e gjithë kjo kishte të bënte: “me një ndryshim artificial të strukturës nacionale”, i cili nuk kishte ardhur “si një element i kristalizimit të identitetit, por shpërthimi i menjëhershëm i elementit fetar dhe fanatik në dëshirën tejet të madhe për ndërprerjen e jetesës në mesin e kaurëve dhe ta vazhdojnë në botën dhe shtetin me fe të njëjtë si të veten”. Më tej, në raportin e UDB-së shtohej edhe: “Ky ndryshim, që faktikisht bëri krijimin e tyre të pjesshëm si turq, por me pjesën më të madhe ishte injorim i identitetit të vërtetë në favor të shpërnguljes, është pikërisht vetëm një dëshmi për një lëvizje stihike elementare të masave ndaj të cilave politika jonë nuk mundte, për shkak thellësisë dhe fuqisë së tyre, të sillej brutalisht, në mënyrë doktrinare për ndonjë mision që t’i “shpëtojë” këto masa për socializëm? Kjo stuhi detyrimisht e kupton politikën dhe sjelljen e pushtetit ndaj vetvetes, e jo nga prizmi i mbrojtjes së interesave të tyre të pakuptueshme socialiste, por nga pikëpamja e tolerancës dhe mbështetjes së besimit të verbër fetar dhe të prapambetjes. Prandaj, këtu çdo gjë tjetër do të krijonte probleme të rënda fetare, përveç asaj që edhe e zgjodhi politika e jonë toleranca ndaj shpërnguljes...”39

Definicioni i mësipërm, i përfaqësuesve të UDB-së maqedonase, është i paqëndrueshëm, për shkak se jehona e shpërnguljes nuk erdhi aty për aty. Përkundrazi, kjo qe përgatitur shumë më herët nga ana e pushtetit “popullor”, nëpërmjet planeve, analizave, elaborateve dhe projekteve antishqiptare. Në to, në mënyrë të vazhdueshme, akuzohej inteligjenca e atëhershme shqiptare, e cila, sipas tyre, vepronte kundër interesit shtetëror, respektivisht dilte me parullën: “Kombi shqiptar mund të zhduket nëpërmjet rrugës së turqizimit dhe shpërnguljes për Turqi”... , “se nuk duhej të shkohej në Turqi”, “Kjo është toka jonë”, “Ne gjithmonë kemi ekzistuar këtu dhe këtu duhet të qëndrojmë, pa marrë parasysh represaliet që do të ndërmerren kundër nesh... etj.40

Përderisa pushtetarët maqedonas, deklaronin se ndërrimi i identitetit, ishte i rezultat i nivelit të ulët të vetëdijes nacionale te shtresa më e madhe shqiptare, në anën tjetër ata e akuzonin inteligjencën shqiptare se zhvillonte propagandë te masat shqiptare kundër turqizimit dhe shpërnguljes së tyre në Republikën e Turqisë. Sipas Dhomës së Politikës së Jashtme, gjatë fushatës që u zhvillua në kohën e regjistrimit të popullatës lidhur me deklarimin si shqiptar apo turk, “elementet reaksionare dhe veçanërisht mësuesit, ndërmarrin një aksion të gjallë sidomos në Gostivar, duke apeluar te popullata që të mos deklarohet si turke dhe të mbetet kompakte si shqiptare, sepse gjithmonë e tillë kanë qenë dhe se këto vise janë shqiptare.” Më tej në informatë thuhej: “Që të arrijnë sukses sa më të madh (atdhetarët shqiptarë Q. L.) kanë lëshuar parullën se ata që do të përcaktohen si turq pushteti do t’i shpërngulë, ndërsa ata që do të mbesin si shqiptarë nuk do të shkojnë askund dhe se nuk është larg dita kur do të lirohen.”41

Krahas mësuesve dhe shtresës tjetër intelektuale shqiptare, autoritetet komuniste të Shkupit ndërmorën masa dhune edhe kundër prijësve fetarë shqiptarë (klerit mysliman), sidomos ndaj pjesës me vetëdije të qartë kombëtare. Krerët e Byrosë Politike e dinin shumë mirë se ndikimi i klerikëve myslimanë është shumë i madh te popullata shqiptare në përgjithësi, posaçërisht te fshatarësia, ndaj ata, nëpërmjet organeve të tyre ndihmëse (Komisioni i Çështjeve Fetare, Dhoma e Politikës së Jashtme, Dhoma e Pakicave Nacionale, UDB-ja etj.), gjatë viteve 1949-1950, hartuan një sërë planesh, analizash, elaboratesh, me të vetmin qëllim: të përfitohet “Bashkësia Fetare Islame” (më tej BFI) dhe krerët e saj, me çka shumë lehtë do t’i realizonin planet e tyre antishqiptare.

Sipas B. Apostollskit, anëtarit të Dhomës së Politikës së Jashtme pranë KQ të PKM-së, ishte brengosës “mosekzistimi i një diferencimi të caktuar dhe të qartë klasor në fshatrat shqiptare”, sepse siç shprehet ai: “Fshatarët e varfër, nën ndikimin e fanatizmit fetar, ende u besojnë fjalëve boshe kulakëve, posaçërisht të klerit, pa marrë parasysh atë se u kanë shërbyer dhe punuar për një copë bukë. Klerikët deri dje ishin të vetmit persona të arsimuar në fshat dhe si predikues të fesë, ata gëzojnë autoritet të madh te fshatari shqiptar.”42

Me një retorikë ende më të ashpër kundër klerikëve dhe BFI-së paraqitet Komisioni i Çështjeve Fetare, sipas të cilit në Maqedoni, ishin pikërisht klerikët ata që paraqiten “si udhëheqës të mostolerancës fetare, shovinizmit, orientimit armiqësor dhe politik te masat.” Më pas ky komision pohon, se prapambetja e masave “myslimane”, fanatizmi i tyre fetar, ndjenjat e larta ndaj bashkësisë fetare, e bëjnë edhe më të vështirë diferencimin klasor dhe ashpërsimin e këtyre elementeve nën ndikimin e plotë të fesë myslimane “në linjën shoviniste”. Sipas vlerësimit të Komisionit këto elemente e “bëjnë këtë bashkësi më të rrezikshme në luftën kundër paragjykimeve dhe besëtytnisë fetare ndër këto masa tepër delikate.”43 Që BFI të kontrollohej nga aparatet e pushtetit “popullor”, Komisioni propozonte një sërë masash që duhej të ndërmerreshin kundër saj, disa prej të cilave mendojmë se duhet të kihen në dukje, ndërsa po i veçoj: “Të sillet rregullore ligjore: a) për kontrollimin shëndetësor të bërjes synet; b) të vendoset një censurë që të dihet se kush mund të bëhet klerik dhe kush munde të kryejë shërbim fetar. Kjo censurë do të ishte kundër hiperproduksionit të klerikëve myslimanë, etj.”44

Komisioni i përmendur më sipër, në dhjetor të vitit 1949, hartoi një elaborat, që i kushtohej veprimtarisë politiko-organizative të BFI-së. Në elaborat, pasi përshkruhet gjerësisht historiku i saj, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në fund, me qëllim të përfitimit të kësaj organizate fetare, Komisioni i propozonte disa masa që duhet të ndërmerreshin kundër saj nga ana e organeve të sigurimit, disa prej të cilave ishin si më poshtë:

“Deri nga fundi i këtij muaji të thirret kuvendi i vakëfit për Maqedoninë, me detyrë kush ta udhëheqë konferencën në të cilën të shqyrtohen çështjet:

  1.  Puna e Këshillit të Vakëfit45, e Këshillit të Kuvendit dhe Ulemas Mexhlisi46, ku gjithashtu të mbulohen vendet e anëtarëve të burgosur nga ky organ, si dhe të dënohet veprimtaria e tyre (kundërshtetërore Q. L.) si e tillë. Këto organe të japin dorëheqje dhe në vend të tyre të zgjidhen të reja;
  2.  Të shqyrtohet problemi financiar, si: gjendja e pasurisë së Vakëfit, të përcaktohet numri i zyrtarëve nga organet e larta të BFI-së, lartësia e rrogave dhe të rregullohen marrëdhëniet juridike në mes të BFI-së dhe pushtetit popullor, të cilat janë rrënuar pas Çlirimit etj... ;
  3.  Në mbledhje të shqyrtohet çështja e ferexhesë, duke u mbështetur në shkresat udhëzuese dhe deklaratat e Reis-Ulemasë. Aty për aty të sillet rezolutë dhe t’u bëhet apel grave myslimane për ta hequr ferexhen;

ç.    Në konferencë të bisedohet për marrëdhëniet e BFI-së dhe Frontit, ashtu që BFI-ja të ndihmojë dhe të reagojë në të gjitha aksionet e Frontit, të cilat do t’i ndërmarrë për ndërtimin e shtetit tonë;

  1. T’u jepet detyrë organeve të BFI-së, që të kenë kontakte sa më të mira ndërmjet organeve të ulëta dhe atyre të larta dhe udhëheqja supreme në Sarajevë, në të gjitha organet që do të zgjidhen në konferencë, të futen disa shokë tanë, të cilët do të zbatonin linjën tonë partiake lidhur me këtë problem. Shokët, të cilët do të futeshin nëpër organe, duhet ta studiojnë hollësisht këtë problem dhe deri në maksimum ta përfitojnë këtë organizatë. Ne kemi mundësi të ndikojmë në këtë organizatë më mirë se të gjithë republikat e tjera (të Federatës Jugosllave Q.L.)... etj.”47

Duke u mbështetur në këto elaborate, të hartuara në kuzhinat e Byrosë Politike të KQ të LKM-së, organet e sigurimit, gjatë periudhës së viteve 1949-1951, bënë pastrimin e tërësishëm të BFI-së nga hoxhallarët e “papërshtatshëm” për regjimin. Një pjesë e madhe e tyre u burgosën dhe në vend të tyre emërohen njerëz të pakualifikuar, apo siç do t’i quajë Qemal Sejfulla “hoxhallarë të mjerë”48, të cilët në tërësi do t’i zbatojnë urdhërat e aparatit shtetëror.

Rezultatet e masave të mësipërme të Qeverisë së Maqedonisë do të vërehen gjatë fushatës për regjistrimin e popullatës (1953), me ç’rast një numër i madh i tyre, zhvilluan propagandë të madhe në vendbanimet e pastra shqiptare, duke apeluar që të gjithë “myslimanët” të regjistroheshin si turq. Kjo propagandë më së shumti u zhvillua në rrethet e Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe të Gostivarit. Këta propagandues të pushtetit, nëpër këto rrethe, xhematit të tyre i drejtoheshin me këto fjalë: “Vëllezër myslimanë, nuk mund të bëjmë më me maqedonasit, sepse nuk na e duan të mirën, prandaj sa më masivisht të regjistrohemi si turq, sepse shpëtimi i vetëm i yni është Turqia.”49

 

Të shohim në vazhdim, nëpërmjet dy tabelave, se si ishte ndryshimi i strukturës nacionale midis dy regjistrimeve nëpër rrethe dhe komuna si rezultat i masave të mësipërme të Qeverisë së Maqedonisë:

 

 

Maqedonas

shqiptarë

turq

të tjerë

Rrethet

1948

1953

1948

1953

1948

1953

1948

1953

Manastiri

164916

182586

13166

4014

14050

29151

7329

7693

Kumanova

90636

98376

20105

5422

2896

19693

14360

17323

Ohri

120110

120434

33008

34608

10542

22745

4918

4774

Shkupi

95211

115846

35635

23696

16717

44645

24583

29399

Shtipi

171518

190910

80

153

38070

47163

9276

9457

Tetova

45277

49459

93183

92824

744

13454

2627

3287

T. Velesi

101980

103088

2212

1809

12919

27080

6770

5420

 

 

 

Maqedonas

shqiptarë

turq

të tjerë

Komunat

1948

1953

1948

1953

1948

1953

19448

1953

D. Hisari

17237

17637

964

50

6

1027

13

9

Dollneni

15620

15125

4786

174

1005

6450

353

301

Krivogashtanë

10017

11534

594

12

2

656

78

70

Krushevë

5012

5630

2335

1265

3

1269

1325

1181

Kumanovë

20435

22160

3919

1331

1793

5622

5474

6963

Likovë

764

614

12733

3609

5

9878

1096

1143

Tabanoc

635

611

3372

476

436

3434

2298

3007

Çellopek

6137

3154

22

13

48

3138

23

43

Dibër

6776

5371

5233

6066

2906

4889

282

283

Kërçovë

16558

16105

1187

413

1748

5192

496

880

Butel

7408

8480

4755

2958

14

2204

3982

3870

Draçevë

7763

5238

7006

5745

OO

5195

475

433

Gj. Petrov

5449

7332

12443

8827

48

4783

1079

1466

Rakotincë

8467

5554

2494

1362

60

4538

26

100

Radastushë

5773

6078

2252

410

7

2453

35

211

Çashkë

8987

4546

1334

1400

165

5445

71

78

Gratckë

7134

5491

1

46

1622

3935

934

739

Negotinë

7252

6633

14

138

416

2518

870

1111

T. Veles

15325

18874

438

192

2384

4164

1627

890

Zherovjanë

5954

4621

18107

19871

137

2174

56

137

Tetovë

7170

9078

22631

20873

306

4516

1074

1173

Gostivar

7246

7738

22150

22584

112

2629

564

811

Shkup

56329

78411

7861

3884

14092

25173

17769

2216350

 

Nga treguesit e mësipërm rezulton, se numri i “turqve” u rrit dukshëm në qytetin e Shkupit me rrethinë, pastaj në rrethin e Kumanovës, sidomos në Komunën e Likovës, ku nga 5 banorë turq, sa kishte në vitin 1948, në vitin 1953 “turqit” arritën shifrën në 9878. Situata e njëjtë paraqitet edhe në komunat: Tabanoc, Gjorçe Petrov, Draçevë, Dollneni, Krushevë, Manastir, Demir Hisar, Kërçovë, Butel, Rakotincë, Radastush, Krivogashtan, si edhe në qytetin e Tetovës dhe të Gostivarit.

Në rrethana normale, duke përfshi këtu edhe koeficientin vjetor të shtimit natyror, numri i banorëve shqiptarë dhe atyre turq në regjistrimin e vitit 1953 do të ishte ky:

viti i regjistrimit

shqiptarë

turq

1948 -1953 (regj. real)

197.389

220.794

95.940

114.175

Diferenca

58.270

99.763

 

Kjo, sipas UDB-së, “nënkupton se turqit mes dy regjistrimeve kanë përfituar 31.493 banorë maqedonas dhe të tjerë dhe 58.270 banorë shqiptarë.”51

Paralel me regjistrimin e popullatës, pushteti “popullor”, e filloi edhe fushatën e shpërnguljes, e cila formalisht filloi të zbatohet në janar të vitit 1953. Deri në qershor të këtij viti nuk u arrit ajo çka pritej, sepse numri i të shpërngulurve ishte tejet i vogël, për çka pushtetarët maqedonas fajësuan konsullin turk, në Shkup, i cili sipas tyre: “Është kundër shpërnguljes, sidomos kundër shpërnguljes së shqiptarëve.”52 Në këtë kohë do të dalin në shesh divergjencat ndërmjet dy diplomatëve turk, sa i përket çështjes së shpërnguljes. Për dallim nga ambasadori Kyprili, i cili në tërësi qëndronte pas shpërnguljes, në anën tjetër konsulli Orsë, mbante qëndrimin se “e tërë kjo është një marrëveshje e fshehtë mes Beogradit zyrtar dhe ambasadorit Kyprili” dhe se “kjo paraqet përzierje në punë të brendshme të një shteti, sepse nuk ekziston asnjë marrëveshje zyrtare ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë, lidhur me shpërnguljen...”53

Në qershor të vitit 1953, KQ i PKM-së mban mbledhje të zgjeruar, me dy pika të rendit të ditës: regjistrimi i popullatës dhe raporti i UDB-së lidhur me jehonën e shpërnguljes në Turqi. Të pakënaqur nga numri i banorëve të deklaruar si turq, sidomos kjo në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit, anëtarët e KQ të PKM-së, vendosën që në emër të “humanizmit” të “gjithë ata qytetarë, të cilët në vitin 1953 janë deklaruar si shqiptarë, nëse kanë shprehur dëshirë të shpërngulen për Turqi, t’u lejohet ndërrimi i identitetit të tyre kombëtar.”54 “Ne nuk duhet t’i pengojmë njerëzit që vullnetarisht dëshirojnë të shpërngulen. Ajo çka është më e rëndësishme, e që është për socializëm dhe për këtë shtet, që e duan këtë shtet si shtet të tij socialistë, ai do të ngelë, pa marrë parasysh a është shqiptar apo turk. Ndërsa ai, qoftë për shkaqe familjare, ose mospajtime të tjera të ndryshme, qoftë edhe element armiqësor dhe dëshiron të shpërngulet le të shkojë.”55, do të shprehet veç tjerash Llazar Kolishevski në mbledhjen e lartpërmendur.

Në pajtim me qëndrimet e aprovuara në mbledhjen plenare të KQ të PKM-së, sekretariatet regjionale për punë të brendshme, fillojnë të shpërndajnë letërnjoftime të reja, për qytetarët shqiptarë që dëshironin të shpërngulen, duke ua mundësuar të rideklarohen si turq. Kjo paraqitje mori përmasa të mëdha në qytetin e Tetovës, ku për 10 ditë mbi 600 kryefamiljarë i ndryshuan letërnjoftimet e tyre.56 Po në këtë kohë, me kërkesë të Beogradit, Turqia në vend të Orsit, si nënkonsull të Shkupit e emëroi Sali Diler, i cili në tërësi do t’i zbatojë urdhërat e ambasadorit, sa i përket shpërnguljes. Të kënaqur me punën që po e bënte nënkonsulli i ri turk, UDB-a, i raportonte KQ të PKM-së: “Me ardhjen e nënkonsullit të ri, Sali Diler dhe marrjen e punës së tërësishme, sa i përket shpërnguljes, sjellja ndaj palëve është përmirësuar.”57 Gjithashtu, në të raportohej edhe për jehonën e shpërnguljes gjatë tërë vitit, ku thuhej: “Në vitin 1953, lutje dorëzuan 887 familje me 2242 anëtarë. Të gjitha lutjet u miratuan pozitivisht, domethënë, deri në mbarim të vitit 1953 u miratuan lutjet e 922 familjeve me 2404 anëtarë. Duhet të potencohet se shpërngulja e arriti masivitetin e vet në pjesën e dytë të vitit 1953. Kështu, përderisa në pjesën e parë të vitit 1953, patën dorëzuar lutje 625 anëtarë, gjatë pjesës së dytë, numri rritet në 1617 anëtarë.”58 Sipas raportit, numri më i madh i të shpërngulurve janë nga qyteti dhe rrethina e Shkupit, madje 1156 anëtarë, pastaj rrethi i T. Velesit me 259 anëtarë, Kumanovës me 177 anëtarë, Prilepit me 123 anëtarë, Manastirit me 68 anëtarë, Tetovës me 51 anëtarë, Kërçovës me 34 anëtarë, Dibrës me 31 anëtarë, Gostivarit me 18 anëtarë etj.59

Nga këto të dhëna që i ofron UDB-ja, qartë shihet se shpërngulja fillimisht i përfshiu krahinat shqiptare, ndërsa në pjesën lindore të Maqedonisë numri i të shpërngulurve ishte tejet simbolik. Vlen të potencohet se shpërngulja e shqiptarëve nga qershori i vitit 1953, zbatohej në tre forma; shqiptarë të cilët gjatë regjistrimit të vitit 1953 janë deklaruar si turq; shqiptarë të cilët do ta ndryshojnë identitetin nacional pas regjistrimit, si edhe forma e tretë pa e ndryshuar identitetin e tyre, respektivisht pushteti lejoi shpërnguljen e shqiptarëve pa pasur nevojë ta ndryshojnë identitetin e tyre nacional. Këtë do ta shohim në raportin e UDB-së, dërguar KQ të PKM-së, në fillim të vitit 1954, ku thuhet: “Vala e shpërnguljes për Turqi e përfshiu deridiku edhe pakicën shqiptare. Kështu, deri në qershor të vitit 1953 gjithsej ishin 15 banorë. Arsyeja për këtë numër të vogël ishte qëndrimi i Orsit ndaj shpërnguljes, sidomos ndaj shpërnguljes së pakicës shqiptare. Vetëm pas intervenimit nga ana e Ambasadës, Orsi filloi të shpërndante viza edhe për shqiptarët. Kjo ishte shkaku për rritjen e menjëhershme të numrit gjatë pjesës së dytë të vitit 1953 që arriti në 185 shqiptarë të shpërngulur.”60

 

PROCESI I SHPËRNGULJES GJATË PERIUDHËS 1954 - 1956

 

Të pakënaqur nga dinamika e procesit të shpërnguljes, aparati shtetëror maqedonas, në pranverë të vitit 1954, ndërmori një sërë masash me qëllim të thjeshtësimit të procedurës, që sipas tyre pikërisht kjo ishte pengesa kryesore që në vitin 1953 nuk u arritën rezultatet e parapara. Në fillim të muajt mars të këtij viti, Byroja Politike e KQ të PKM-së, mban mbledhje të zgjeruar, ku shqyrtohet çështja e shpërnguljes dhe problemet që hasen rreth saj në teren. Në mbledhje u vendos që të formohet një komision, i cili për një periudhë të shkurtër do t’i raportojë Byrosë Politike, due t’i ofrojë të dhëna konkrete se cilat janë shkaqet që ky proces nuk po zhvillohej sipas dinamikës së paraparë. Në anën tjetër edhe në Këshilli Ekzekutiv61, u formua një komision, i cili për dallim nga i pari, pati detyrë t’i vizitonte të gjitha rrethet që “pushteti popullor planifikonte të bënte deportimin e dhunshëm të popullatës jomaqedonase”, ku drejtpërsëdrejti do të konstatohen problemet që haseshin në terren dhe më pas nëpërmjet një raporti t’i njoftonte organet më të larta partiake dhe ekzekutive për ta si edhe të ofrojë propozime konkrete për tejkalimin e tyre.

Më 28 mars, komisioni i formuar nga Byroja Politike i raportonte këtij organi më të lartë politikë, për numrin e përgjithshëm të të shpërngulurve deri në këtë periudhë, për procedurën ligjore që pala e interesuar duhet patjetër ta respektonte, si edhe për problemet më të mëdha që haseshin në të. Sipas raportit, shpërngulja e popullatës nga Maqedonia për Turqi, kishte filluar nga viti 1951, ku nga ana e Sekretariatit të Punëve të Brendshme lirim nga shtetësia u ishte dhënë 10 familjeve prej gjithsej 30 anëtarësh, në vitin 1952 gjithsej ishin shpërngulur 34 familje prej 153 anëtarë, ndërsa në vitin 1953 gjithsej janë shpërngulur 887 familje me gjithsej 2218 anëtarë.62 Sipas komisionit, rritja e numrit të të shpërngulurve gjatë vitit 1953 është për shkak të përshpejtimit të “miratimit të lëndëve”, që është rezultat: “i marrëdhënieve të përmirësuara ndërmjet shtetit tonë dhe Turqisë, respektivisht prej udhëzimeve të dhëna nga ana e SFPB (Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme - Q. L.) të RFPJ-së dhe Këshillit Ekzekutiv të RPM-së, me të cilat u dhanë kriteret më të buta sa i përket miratimit të lëndëve.”63

Më pas, raporti e paraqet tërë procedurën e nevojshme, që pala e interesuar detyrimisht duhet ta zbatonte, ku në mënyrë të përpiktë thuhej: “Ligji për Shtetësi i RFPJ-së dhe Rregullorja për zbatimin e Ligjit për shtetësi të RFPJ-së, kërkon nga secili lutës, që për të marrë lirim t’i paraqesë këto dokumente:

  1.  lutje për lirim nga shtetësia;
  2.  certifikatë e lindjes nga libri amzë;
  3.  certifikatë e lindjes për fëmijët nga libri amzë;
  4.  pëlqim nga fëmijët mbi 14 vjeç;
  5.  vërtetim për shtetësi;
  6.  vërtetim nga konsulli turk se do të jetë i pranuar në shtetin e tyre;
  7.  deklaratë se për sa kohë do të shpërngulet nga RFPJ-ja;
  8.  vërtetim nga dhoma ushtarake;
  9.  vërtetim për larjen e tatimit;
  10.  vërtetim se nuk është i dënuar;
  11.  vërtetim se nuk është nën hetime;
  12.  vërtetim se nuk i ka të paplotësuara obligimet shoqërore;
  13.  vërtetim për pasuri të patundshme;
  14.  certifikatë kurorëzimi nga libri amzë, respektivisht nga libri amzë të të vdekurve, kur bëhet fjalë për familjarë;
  15.  taksë prej 12.000 dinarë për të gjithë të moshuarit për vendimin num. Tar. 9 nga Ligji për taksa.64

Dokumentet e lartpërmendura duhet t’i dorëzojnë në pajtim me nenin 1 nga Ligji për shtetësi të RFPJ-së dhe nenet 47 dhe 48 nga Rregullorja për zbatimin e Ligjit për shtetësi të RFPJ-së, si dhe neni 3 i Ligjit për nacionalizim.”65 Në fund raporti konstaton: “Palëve më së shumti u merr kohë grumbullimi i dokumentacionit të radhitur në pikat 2, 10 dhe 12-të”.66

Edhe komisioni i zgjedhur nga ana e Këshillit Ekzekutiv të RPM-së, do të raportojë për punën e kryer në terren. Fillimisht në raport thuhet se shpërngulja: “Në vitin 1954 dukshëm është rritur në krahasim me vitet e mëparshme.” Mirëpo, siç thuhet në të: “ai numër i familjeve turke të shpërngulura ende nuk është aq i lartë, sa ishin dëshirat në terren për shpërngulje.” “Në tërë Maqedoninë Lindore, si dhe në atë Qendrore”, vazhdon raporti: “vullneti për shpërngulje është i madh, deri 90% të përkatësisë nacionale turke dëshirojnë të shpërngulen.”67

Duhet potencuar, se terminologjia e përdorur në raport, sa i përket çështjes nacionale është e turbullt dhe kontradiktore në vetvete. Përderisa hartuesit e këtij raporti theksojnë se në Maqedoninë Lindore dhe atë Qendrore, interesimi i “turqve” për t’u shpërngulur arrin në 90%, në anën tjetër ata, në mënyrë indirekte, e pranojnë se shumica e kësaj popullate është shqiptare dhe se vetëm për shkak formalitetit ajo është deklaruar si turke. Këtë e shohim në vazhdim të raportit, ku thuhet: “Në rrethet e T. Velesit, Prilepit dhe Manastirit, janë disa fshatra ku ndjenjat nacionale nuk janë të kristalizuara, flasin shqip, ndërsa ndihen turq. Tek ata, po ashtu ekziston vullneti për t’u shpërngulur. Me lejimin, se mund t’i ndërrojnë legjitimacionet e tyre, ata menjëherë e kanë bërë këtë dhe u lajmëruan për turq dhe nxjerrin dokumentet për shpërngulje. Në rrethin e Manastirit, një fshat i tillë nëpërmjet delegacionit, kërkon që t’u dërgohet mësues turk, ndërsa të tërhiqet shqiptari edhe pse asnjëri prej tyre nuk di turqisht.”68

Më poshtë, raporti do ta përshkruajë gjendje në viset perëndimore të Maqedonisë, ku sipas tyre nëse “problemi i shpërnguljes në Turqi në Maqedoninë Lindore dhe Qendrore rrjedh drejt, pa kurrfarë shtypjesh myslimanët janë lënë tërësisht të lirë të përcaktohen vetë, si për përkatësinë nacionale të tyre, ashtu edhe të marrin vendim për shpërngulje. Kjo në Maqedoninë Perëndimore nuk është kështu”, sepse sipas tyre, “këtu bëhet shtypje ndaj pakicës nacionale turke” dhe “për shkak kësaj shtypjeje që e krijojnë nacionalistët shqiptarë, numri më i madh i turqve, në të dy regjistrimet janë regjistruar si shqiptarë.”69 Në vazhdim, duke e përshkruar veprimtarinë politike të intelegjencës shqiptare, që për ta paraqitet pengesa kryesore në zbatimin e suksesshëm të projektit të tyre antinjerëzor dhe mbi të gjitha antishqiptar, anëtarët e komisionit në raport theksojnë: “Se sa është numri i nacionalistëve shqiptarë tëpakicës turke shihet edhe nga kjo se në rrethin e Gostivarit, deri tash janë shpërngulur 11 familje, edhe pse ekziston vullneti. Numri më i madh i popullatës në qytet është turke, përveç kësaj janë edhe 5 fshatra, të cilat janë të pastra turke dhe në shtëpi flasin turqishten e pastër. Prej Tetove janë shpërngulur 37 familje, edhe pse janë 17fshatra turke dhe se në qytet kryesisht ipërkasin popullatës turke.

Udhëheqës të kësaj propagande nacionaliste shqiptare kryesisht janë disa intelektualë shumica mësues, disa zejtarë dhe fshatarë më të pasur. Këta reaksionarë deklaratën e shokut Llazo e komentojnë si manovrim të pushtetit për ta përmbysur kompaktësinë e popullatës shqiptare, që nesër kjo të mos jetë si shumicë dhe të mos mendojnë t’i bashkëngjitet Shqipërisë, se këto krahina nuk janë jugosllave etj. i etiketojnë ata që dëshirojnë të shpërngulen, ose ata që i ndërrojnë legjitimacionet tradhtarë të kombitshqiptar, por edheflasin se nuk janë turq etj.”

“Kjo propagandë irredentiste”, vazhdon raporti, “më e fortë është në rrethin e Gostivarit, ndërsa paraqitjet në Tetovë, Dibër dhe Strugë janë po ashtu në të njëjtën linjë. Propagandohet edhe me ndonjë komitet nacionalist shqiptar, i cili është në Turqi dhe që kundërshton çfarëdolloj shpërnguljeje.”70

Në mbledhjen e shtatë të Komiteti Ekzekutiv të KQ të LKM-së71, mbajtur me 15 nëntor 1954, në rend dite, përveç tjerash, ishte edhe “problemi i shpërnguljes”. Mbledhja ishte thirrur me kërkesë të Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Maqedonisë, e cila kohë më parë kishte formuar një komision, të udhëhequr nga Kërste Cërvenkovski, me qëllim të shqyrtimit të gjendjes faktike rreth procesit të shpërnguljes në Maqedoni. Komisioni, pasi e kryen detyrën në terren, përgatit një raport të shkruar, i cili do të shqyrtohet në këtë mbledhje. Duke folur në emër të komisionit, Kërste Cërvenkovski i njofton të pranishmit fillimisht për jehonën e shpërnguljes që sipas tij: “Numri i tëparaqiturvepër t’u shpërngulurpër çdo muaj është në rritje.”Nga të dhënat që i paraqet ai para të pranishmëve shohim se deri në atë moment “lirim nga shtetësia kanë marrë 11.600 banorë”, ndërsa “rreth 8.500 janë shpërngulur.”72 Më pas ai ndalet në problemet që hasen në terren, siç janë ato politike ku “paraqiten qëndrime shumë negative. Flitet se ne dëshirojmë që me çdo kusht t’i shpërngulim turqit dhe se në këtë drejtim duhet gjithçka të bëjmë. Se maqedonizmi është i rrezikuar nga shqiptarët dhe prandaj duhet sa më shumë t’i shpërngulim... etj.”73 Duke folur rreth problemeve ekonomike, Cërvenkovski thekson: “Lidhur me shpërnguljen paraqiten një sërë problemesh ekonomike gjatë shitblerjes së pronës dhe shtëpive. Kjo posaçërisht është ashpërsuar në Shkup. Këtu janë vendosur blerës të rinj me familje të mëdha nga më herët. Kështu, Shkupi është rritur për 15.000 banorë. E gjithë kjo e zmadhon edhe ashtu gjendjen shumë të rëndë banesore, por edhe shërbimin komunal, sepse thuajse të gjitha shtëpitë ose janë pranë rrënimit ose duhet të rrënohen për shkak hapjes së rrugëve të reja. ”74

Duke iu referuar raportit, shohim se komisioni kishte ofruar një sërë propozimesh konkrete, qoftë për problemet të procedurës, ato ekonomike dhe politike. Lidhur me problemet që haseshin në terren sa i përket grumbullimit të dokumentacionit, respektivisht shkurtimit të kësaj procedure komisioni në raport do t’i propozojë:

"Për t’iu shmangur dorëzimit secilës lëndë veç e veç, për miratim SSHPB të RFPJ-së, në Beograd, në të ardhmen të mos ia dërgojmë të gjitha lëndët, por vetëm një listë prej 100-200 personave, ngjashëm si ato lista që i dërgojmë për pranim në shtetësinë tonë për maqedonasit e Egjeut.

Gjithashtu, SSHPB të RFPJ-së i kemi dërguar tjetër propozim për ta marrë pëlqimin e tyre dokumentet e mëposhtme të radhitura, të cilat janë të tepërta, prandaj të mos i kërkojmë nga lutësit, të cilët kërkojnë lirim shtetësia e RFPJ-së sipas pikave: 4, 7, 8, 9, 11.”75

Më pas, raporti, në formë tabelore e paraqet numrin e të shpërngulurve gjatë vitit 1954, numrin e lutjeve të dorëzuara si edhe numrin e paraparë për t’u shpërngulur gjatë vitit 1955, që po i paraqesim në vazhdim: a. Të shpërngulur deri në muajin tetor të vitit 1954:

 

                                                                                                                                

rrethi

familje

anëtarë

Ovçepolës

18

116

Gjevgjelisë

29

78

Koçanit

28

61

Gostivarit

15

89

Malishevës

1

9

Manastirit

22

139

Kumanovës

23

80

Tikveshit

25

186

Prilepi-Q

89

324

Shtipit

11

42

T. Velesit -Q

18

93

Kumanovës

40

182

Shkupit - Q

872

4364

Dibrës

6

24

Tetovës - Q

31

177

Tetova - Rr

1

8

Resnja - Q

15

69

Gjithsej

1.244

6.036

 

 

b. gjithsej lutje familjare të dorëzuara për shpërngulje janë:

 

gjithsej

të miratuara

të pamiratuara

rrethet

familje

anëtarë

familje

anëtarë

familje

anëtarë

Kumanovë

58

154

32

80

26

74

Krivapallankë

3

8

-

-

3

8

Tikvesh

122

896

22

146

100

750

Kërçovë

56

328

13

88

43

245

Manastir

23

154

3

28

20

126

Malishevë

22

124

14

70

8

54

Prilep

209

1417

8

65

201

1352

Gostivar

6

47

-

-

6

47

Koçan

31

112

7

39

24

73

Gjevgjeli

361

2037

124

605

437

1452

Ovçepolë

186

1.068

48

227

138

847

Shkup-Q

175

779

-

-

175

779

Kumanovë-Q

54

244

31

126

23

118

T. Veles

40

195

4

20

36

175

Shtip

32

142

5

33

27

109

Prilep-Q.

50

240

28

95

22

1145

Dibër

15

52

-

-

15

52

Resnjë

5

28

2

10

3

18

Tetovë-Rr

13

91

6

60

7

31

Tetovë-Q

73

380

39

210

34

170

Gjithsej

1534

8437

386

1891

1145

6574

 
 
 

c. Është paraparë të shpërngulen në vitin 1955:

 
 

 

rrethi

familje

anëtarë

Manastiri

466

2.506

Koçani

320

1.280

Kumanovë

227

1.050

Krivapallankë

10

42

Tikvesh

100

450

Kërçovë

450

2.250

Shkup-Q.

500

2.220

Malishevë

50

800

Prilep

200

820

Gostivar

50

200

Gjevgjeli

212

1.272

Kumanovë-Q.

200

820

T. Velesi

150

600

 

 

Shtipi

50

215

Prilepi-Rr

180

900

Ovçepole

300

1.520

Dibër

45

225

Resnjë

67

394

Tetovë-Rr

250

1.000

Tetovë-Q.

650

3.400

Gjithsej

4.672

20.40476

 

 

Siç do të shohim më poshtë, numri i të shpërngulurve gjatë vitit 1955 i tejkaloi edhe parashikimet e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv. E tërë kjo erdhi pas shumë lehtësimeve dhe privilegjeve që ua mundësoi pushteti “popullor” maqedonas palëve të interesuara, menjëherë pas kësaj mbledhje, si në pikëpamjen e procedurës së dokumentacionit, ashtu edhe rreth problemit të përkatësisë nacionale, madje edhe lidhur me problemet e pronës. Sa i përket çështjes së parë, në mbledhje u aprovuan propozimet e komisionit, me çka pala e interesuar tashti brenda 20 ditësh e kryente e tërë procedurën ligjore, respektivisht brenda këtij afati kohor e merrte vërtetimin se lirohej nga shtetësia e RFPJ-së.

Lidhur me problemin e shpërnguljes së popullatës, e cila gjatë regjistrimit nuk ishte deklaruar si turke, autoritetet e Shkupit, krahas lejimit të ndërrimit të identitetit, për të mos humbur shumë kohë ata tash i drejtoheshin SSHPB-së në Beograd, që t’u lejohej edhe atyre që janë deklaruar si shqiptarë pa pasur nevojë të rideklaroheshin. Kërkesës së parashtruar, policia federative e Beogradit, i përgjigjet më 28 qershor 1955, ku thuhet: “Lirimi nga shtetësia për t’u shpërngulur në Turqi, u mundësohet vetëmpersonave tëpërkatësisë nacionale turke.”77 Megjithëkëtë, nga Maqedonia do të shpërngulen për Turqi edhe ato qytetarë (shqiptarë dhe pomakë) pa pasur nevojë që formalisht të rideklaroheshin si turq. E tërë kjo sipas UDB-së maqedonase është bërë "në konsultim me Beogradin, ku është kristalizuar një kriter më i butë për shqiptarët dhe pomakët, të cilët dëshirojnë të shpërngulen në bazë të këtyre kritereve se për shkak çështjes humane nuk duhet të pengohet tendenca për bashkim madje edhe të familjes më tëgjerë, nëse anëtarët e saj që janë të shpërndarë vetë e kërkojnë...”78

Të gjitha këto lehtësime dhe privilegje, që i mundësuan zyrtarët e Shkupit, ndikuan që numri i të shpërngulurve të marrë përmasa të një pastrimi etnik. Në disa vise, si: qyteti i Shkupit, Pellagonia, Karshijaka, Karadaku, Dërveni, Velesi, Tetova, Dibra etj., gjatë viteve 1954-1956, me mijëra shqiptarë i lanë vatrat e tyre shekullore për t’u vendosur në shkretëtirat e Anadollit. Krahas shqiptarëve, në këtë kohë masivisht u shpërngulën edhe torbeshët, ndërsa turqit e vërtetë shtriheshin vetëm në pjesën lindore të Maqedonisë. Deri në vitin 1956, numri i të shpërngulurve nga Maqedonia për Turqi arriti shifrën 86.380 banorë. Të shohim në vazhdim se si ishte numri i të shpërngulurve sipas deklarimeve, deri në vitin 1956:

 

turq

shqiptarë

torbeshë

të tjerë

Gjithsej

 

fam.

anët.

fam.

anët.

fam.

anët.

fam.

anët.

fam.

anët.

1951

-

-

-

-

-

-

10

31

10

31

1952

30

144

-

-

3

7

1

2

34

153

1953

640

1678

56

168

45

135

6

18

747

1939

1954

5062

13806

351

1054

812

2436

33

100

6258

17396

1955

9669

30634

321

964

2130

6390

10

57

12130

38045

1956

7245

21634

736

2208

1653

4958

5

16

9.639

28816

Gjith.

22646

67236

1464

4394

4643

13926

65

224

28818

8638079

 

 

Ndërsa shikuar sipas rretheve kemi këtë pasqyrë:

Rrethi

turq

shqiptarë

pomak

të tjerë

gjithsej

Manastir

11.307

33

1906

30

13276

Kumanovë

2757

1570

10

2

4269

Ohër

6145

97

217

4

6463

Shkup

13.970

2428

2106

151

19210

T. Veles

12493

62

6610

11

19175

Tetovë

4821

274

1246

8

6149

Shtip

16343

-

2036

2

1837780

 
 

 

PROCESI I SHPËRMGULJES GJATË PERIUDHËS 1957 - 1959

E ashtuquajtura “Marrëveshja xhentëlmene”, e arritur në fillim të viteve 50, midis qeverisë turke dhe asaj jugosllave, parashihte “shpërngulje vullnetare vetëm të nacionalitetit turk”, e jo edhe të nacionaliteteve të tjera. Mirëpo, nga të dhënat që u ofruan, qartë shihet se pushteti “popullor” maqedonas, krahas rritjes artificiale të elementit turk në regjistrimin e vitit 1953, përdori edhe një sërë metodash tjera, kuptohet në dëm të popullatës shqiptare, si: ndërrimi i identitetit nacional të atyre qytetarëve shqiptarë, të cilët shprehnin “dëshirën” të shpërnguleshin në Turqi; shpërngulje të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptar pa pasur nevojë të bëjnë ndërrimin e identitetit të tyre nacional etj. Si rezultat i tërë kësaj politike të klikës komuniste maqedonase, numerikisht shqiptarët në këtë republikë gjatë periudhës kohore 1953-1957 u dëmtuan si vijon: në regjistrimin e vitit 1953 së paku 58.270 shqiptarë autokton u regjistruan si turq, 4.725 të shpërngulur për Turqi si shqiptarë, 9.494 banorë shqiptarë pas regjistrimit të vitit 1953 do të rideklaroheshin si turq, pra gjithsej 72.489 banorë.81

Keqpërdorimet e shumta, të zbatuara nga shërbimet e ndryshme shtetërore gjatë periudhës 1954-1956, sa i përket procedurës së shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, shkaktoi reagime dhe polemika të shumta, si në opinionin e brendshëm ashtu edhe te faktori ndërkombëtar. Inteligjenca shqiptare, e tërë këtë e konsideronte si një masë e marrë nga qeveria komuniste që të “lirohet njëherë e mirë nga shqiptarët në Jugosllavi”. “Shkuarja e shqiptarëve për Turqi, “ për ta nuk ishte asgjë tjetër veçse “rezultat i qëndrimit të padrejtë të qeverisë” ndaj shqiptarëve, “mungesë e të drejtave elementare për ta, mospërfaqësim i tyre në organet qeveritare, mospasje e të drejtave elementare për jetë të qetë në Jugosllavi etj.”82 Në kushtet e atëhershme, kur organet e sigurimit përcillnin çdo lloj veprimtarie të saj, ajo mori guximin që t’i kundërvihet kësaj fushate, nëpërmjet formave të ndryshme. Gjëja themelore për ta ishte “të punohet për njohuritë nacionale të masave që t’u thuhet atyre se janë shqiptarë se ky vend është vend shqiptarësh dhe ata nuk duhet të shpërngulen etj.”83 E tërë këtë fushatë, inteligjencia shqiptare e zhvillonte nëpërmjet bisedave individuale, grupore, shpërndarjes së afisheve ku “ftoheshin shqiptarët të mos shkonin në Turqi, por të rrinin këtu dhe të luftonin për të drejtat e tyre.”84 Njëkohësisht, ata do t’i shkruajnë mjaft “letra anonime konsullatës turke që të mos japë viza për shpërngulje në Turqi etj.”85

Pushteti “popullor” në hap e ndiqte aktivitetin e inteligjencies shqiptare dhe për çdo lloj veprimi të saj informoheshin organet federative. Kështu, në një informatë të Mito Haxhi Vasilevit, dërguar Kërste Bullaiçit në Beograd, veç tjerash theksohej: “Udhëheqës të mendimeve të padrejta në mesin e masave të pakicës shqiptare kryesisht janë mësuesit dhe inteligjencia tjetër shqiptare.” Sipas tij, ajo “fillimisht është edukuar nga gjiri i tyre familjar, ndërsa më vonë edhe nëpërmjet shkollës në frymën shoviniste, numri më i madh i tyre krijohen si armiq të shtetit tonë.”86 Më pas, Vasilevi, në informatë shkruante se inteligjencia shqiptare, krahas propagandës gojore, shpërndan edhe literaturë të ndryshme “me karakter shovinist dhe irredentist” dhe se “në kuadër të kësaj fushate është edhe tendenca që të pengohet shpërngulja e shqiptarëve nga Maqedonia Perëndimore për Turqi, me qëllim që të ruhet shumica e banorëve shqiptarë, me çka më lehtë do të zbatohej ideja e bashkëngjitjes së këtyre viseve Shqipërisë.” “Për këtë shkak në propagandën e tyre ata, secilin shqiptar që shkon në Turqi, e konsiderojnë si armikun më të madh të kombit shqiptar.”87, theksonte në fund të informatës Haxhi Vasilev.

Reagimet e shumta që erdhën nga inteligjencia shqiptare, jehoi pozitivisht te Qeveria turke, e cila nga viti 1957, i ashpërsoi kriteret sa i përket dhënieve të “visave” për shtetasit e Jugosllavisë. Në fakt, konsulli gjeneral turk në Shkup, për dallim nga vitet e mëparshme, tashti nga pala e interesuar për t’u shpërngulur në Turqi, kërkonte t’i plotësojë këto kushte: a) në familjen e lutësit të përdoret gjuha turke, si gjuhë familjare si dhe lutësi ta flet gjuhën turke; b) në vazhdimësi pas vitit 1944, para organeve kompetente shtetërore të jetë i deklaruar (si gjatë evidentimit në librin e shtetësisë, në deklaratën gjatë procedurës së dhënies së letërnjoftimit, gjatë evidentimit në librat amzë shtetërore etj.) si turk. Si pjesëtar i nacionalitetit turk do të konsiderohej vetëm ai person i cili i plotëson këto dy kritere, me atë që sa i përket kriterit (b) duhet që personi në vazhdimësi të ishte deklaruar si përfaqësues i nacionalitetit turk.88

Kriteret e vendosura nga pala turke nuk e ndërprenë në tërësi shpërnguljen, por, në një farë mënyre, e ngadalësoi atë. Këtë më së miri mund ta shohim nga informata e Komisionit të Pakicave Nacionale pranë KQ të LKM-së, lëshuar më 24 gusht të vitit 1959, në të cilën ofrohen të dhënat statistikore e të shpërngulurve sipas viteve:

Viti

banorë

1951

31

1952

153

1953

1.939

1954

17.396

1955

38.045

1956

28.816

1957

27.432

1958

23.626

1959 (deri më 15 mars)

6.362

Gjithsej

143.80089

 

 

Nga të dhënat që i ofron ky komision, shohim se numri i përgjithshëm i të shpërngulurve nga Maqedonia, deri më 15 mars 1959, arrin shifrën prej 143.800 banorësh, që përbën rreth 11% të popullatës së përgjithshme të kësaj republike. Është e rëndësishme këtu të potencohet, se me gjithë ashpërsimin e kritereve, gjatë vitit 1957 nuk vërehet ndonjë rënie rapide e të shpërngulurve, krahasuar me vitin 1956, ndërsa këtë e shohim në vitin 1958. E gjithë kjo është si rezultat i asaj, se autoritetet maqedonase gjatë vitit 1957, vazhdonin të mos i respektonin kërkesat e palës turke dhe në mënyrë të njëanshme ua mundësonin qytetarëve shqiptarë të rideklaroheshin si turq.

Ky manipulim së shpejti vërehet nga konsullata turke, e cila tashti palës së interesuar i kërkonte certifikatë nga libri amzë i lindjes ku duhej të figuronte përkatësia nacionale. Veç kësaj, me kërkesë të Qeverisë turke, organet kompetente shtetërore (sekretariatet regjionale të PB, gjyqet komunale) në Maqedoni, nga fillimi i vitit 1958, e ndërprenë në tërësi ndërrimin e identitetit nacional.90 Kjo ishte për shkak se shumica absolute e kërkesave për ndërrimin e përkatësisë nacionale, vinin nga viset e pastra shqiptare, respektivisht nga rrethet e Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Strugës, Gostivarit, ku gjuha familjare e tyre ishte gjuha shqipe, ndërsa turqishten nuk e njihnin fare.

Kjo kërkesë e re që erdhi nga autoritetet turke, shkaktoi turbullira të papara tek organet shtetërore maqedonase. Komisioni i Pakicave Nacionale pranë KQ të LKM-së, në informatën e lartpërmendur, ashpër e kritikon “konsullin e përgjithshëm turk”, ku, siç thuhet “jo çdoherë ka të drejtë kur kërkon që edhe në certifikatat nga librat amzë të lindjes, prej para 6 prillit të vitit 1941, të nënvizohet fakti “nacionaliteti”, i cili fakt nuk ka qenë i detyrueshëm dhe për të cilin në librat amzë fetarë nuk figuronte kjo rubrikë.”91 Sipas informatës, e tërë kjo ka shkaktuar revoltë te “popullata myslimane”, e cila “kërkon rrugë dhe formë se si të arrijë te e drejta e vet, respektivisht në certifikatat nga librat amzë të lindjes të evidentohet përkatësia nacionale “turke”, të cilën nuk mund ta bënte asnjë organ shtetëror i RFPJ-së.” Lejimi i ndërrimit të identitetit kombëtar, për kreun maqedonas, nuk paraqet kurrfarë shkeljeje të të drejtave qytetare dhe nacionale, sepse siç shprehen: “Kërkesat për ndërrimin e përkatësisë nacionale drejtuar organeve shtetërore dhe funksionarët e lartë, vijnë nga ata qytetarë, të cilët thuajse të gjithë kanë familjarë të afërt në Turqi, të shpërngulur më herët”.92 Më pas në informatë thuhej: “Pikërisht nga ky shkak mendojmë se numri i lutjeve të paraqitura për lirim nga shtetësia, posaçërisht nga mesi i vitit 1958 deri sot, dukshëm është zvogëluar, megjithëse dëshira për shpërngulje nuk është në rënie.”93

Në përfundim të këtij punimi shkencor duhet të potencohet se, duke u mbështetur nga burimet zyrtare maqedonase, shohim se prej 143.800 banorë të shpërngulur gjatë kësaj periudhe, së paku 100.000 ishin shqiptarë. Këto shifra, me siguri se do të dyfishoheshin, nëse nuk do të reagonte inteligjenca shqiptare, e cila në kushtet e atëhershme gjeti forcë dhe energji për t’iu kundërvënë kësaj politike antishqiptare.

Këtu duhet shtuar se aksioni i shpërnguljes së popullatës shqiptare nga Maqedonia për Turqi do të vazhdojë edhe pas 15 marsit të vitit 1959, me një dinamikë të ngjashme si deri në këtë fazë, vetëm se tashti, krahas shqiptarëve të këtyre viseve, shpërngulen edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët nga viti 1956, përkohësisht ishin vendosur në disa qytete, si Shkup, Veles, Tetovë etj., nga ku pasi e kompletonin dokumentacionin e duhur depërtoheshin për Turqi. Deri në këtë periudhë, në Maqedoni kishin migruar gjithsej rreth 21.000 shqiptarë nga Kosova, Sanxhaku dhe Mali i Zi,94 të cilët, për shkak pengesës së ndërrimit të identitetit të tyre nacional, ngelën këtu deri në regjistrimin e vitit 1961. Vendosja e shqiptarëve nga këto krahina në Maqedoni si dhe moslejimi i ndërrimit të kombësisë, do të jetë temë debati në mbledhjen e Komisionit të Pakicave Nacionale pranë KQ të LKM-së, mbajtur më 4 shtator të vitit 1959. Në procesverbalin e lëshuar nga kjo mbledhje, veç tjerash, thuhej: “Si problem i veçantë gjatë debatit u paraqit e drejta e ndërrimit të kombësisë. Kjo imponohet jo vetëm nga aspekti i mundësisë së shpërnguljes, por edhe në pikëpamjen juridike, aq më tepër kur e kemi parasysh se ndërrimi i përkatësisë nacionale te pakica shqiptare dhe turke kryesisht kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm politikë e jo nga përkatësia e vërtetë nacionale.

U konstatua se me vendosjen e myslimanëve nga republikat e tjera krijohen edhe probleme të tjera. Shumica e tyre vendosen në Maqedoni që më lehtë të shpërngulen në Turqi. Për këtë shkak ata që bashkëngjiten në jetën e rregullt politiko-shoqërore dhe ekonomike në territoret ku janë të vendosur, etj.”95

Qerim Lita, Shpërngulja e shqiptarëve nga Maqedonia në Turqi (1953-1959), «Studime Albanologjike» 1, Shkup, 2009.

 


 

1) Republika e Turqisë e pranonte çdo kërkesë të banorëve të Federatës jugosllave, të cilët shprehnin dëshirën të shpërnguleshin në Turqi, me kusht që ata të deklaroheshin si turq. Ky kusht mund të realizohej vetëm në Republikën Popullore të Maqedonisë, e cila, për dallim nga republikat tjera, lejonte që qytetarët e konfesionit mysliman të deklaroheshin si turq, edhe pse shumica dërmuese e tyre ishin shqiptarë. Për këtë arsye, shpërngulja fillimisht u zbatua në këtë republikë, ndërsa nga viti 1957 ajo u shtri edhe në Kosovë, Sanxhak, Mal të Zi dhe pjesërisht edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Qytetarët e këtyre viseve, fillimisht vendoseshin në Maqedoni, ku brenda një viti ata e fitonin të drejtën e ndërrimit të identitetit të tyre kombëtar (nga shqiptar, boshnjak në turk), që më pas fillonte procedura e dokumentacionit të nevojshëm për t’u shpërngulur në Turqi.
2) flp*aBeH ApxMB Ha MaKegoHMja, OoHg ^K CKM, k. 29, dok. 137. fq. 673-690 (në tekstin e më tejm lexo: AM.1. 427. 29. 137/673-690)
3) AM. 1. 427. 49.. 3/9-16.
4) ApxHB BojHO HcTopHCKor HHCTHTyTa, Beorpag(më tej lexo:ABHH. ), MHKpofniM 344, nOB. ^X. OB. Ep. 4881/39 Beorpan.
5) AM. F. 1. 427. 60. 7. /116-129; Qerim Lita, Naçertania. K. Cërvekovski dhe identiteti shqiptar në Maqedoni 1945-1954,fq. 549-564.
6) AM. 1. 427. 29. 137/673-690.
7) Po aty.
8) AM. 1. 427. 27. 55/259.
9) AM. 1. 427. 27. 43/179-189.
10) Po aty.
11) AM. 1. 427. 27. 56/268-295, AHaiH3a 3a minTapcKOTO HacHOHaiHO MaiiCHHCTBO Ha HP MaKeflOHHja (pa6oTeHO on 17. I. do 10. II 1952 roflHHa).
12) Lexo: Organi i brendshëm i sigurisë.
13) AM. 1. 427. 27. 55/260-267.
14) AM. 1. 427. 27. 56/268-295 shih më gjerësisht Qerim Lita, vepra e cituar, fq. 356-390.
15) Po aty.
16) AM. 1. 427. 27. 59/331-340.
17) Po aty.
18) AM. 1. 427. 27. 58/311-330.
19) AM. 1. 427. 60. 11/161-162.
20) AM. 1. 427. 84. 86/463-469.
21) AM. 1. 427. 27. 58/311-330.
22) Po aty.
23) AM. 1. 427. 29. 137/673-690, HeKOH MOMeHTH on HenpnjaTeiiCKaTa aKTHBHOCT koh BinjaaT Ha noiHTHÇKOTo noiio3xeHHe Ha HP MaKenoHija.
24) Po aty.
25) Arkivi Rajonal i Tetovës, F. Prokuroria Publike-Qarku Gostivar nr. 4/5/55. 26. IX. 1955, Gostivar.
26) AM. 1. 427. 60. 8/130-149.
27) Violeta Açkovska, Kolektivizacija na selloto 1949-1953 godina na makedonskoto sellanstvo vo Zapadna Makedonija - Ekollog, Shkup, v. 2000, fq. 189-209.
28) AM. 1. 427. 27. 55/260-267.
29) Violeta Açkovska, vepra e cituar, po aty.
30) Po aty.
31) AM. 1. 427. 17. 55/17-24, Pregled na sellata vo koi zhiveat mallcinstvata i uçestieto na mallcinstvata vo SRZ.
32) AM. 1. 427. 49. 4/17-24.
33) AM. 1. 427. 72. 1/1-67.
34) Sigurimi shtetëror (UDB), nën pretekstin se zhvillojnë propagandë armiqësore, gjatë viteve 1952-1953, burgosi me dhjetëra mësues shqiptarë, si: Sadudin Gjurën, Riza Sulejmanin, Abdulla Kalishtën, Murtezan Bajraktarin, Ismail Seitin, Bajram Selimin-Gurën, etj.: shih më gjerësisht;: AM. 1. 427. 60. 8/130-149: Qerim Lita, vepra e cituar, fq. 488-506.
35) AM. 1. 427. 72. 1/1-67.
36) AM. 1. 427. 84. 86/463-469, Sostojbata i Problemite Kaj Naselenieto od Nacionallnite Mallcinstva Vo NRM.
37) Po aty.
38) AM. 1. 427. 72. 1/1-67.
39) Po aty.
40) AM. 1. 427. 60. 8. /130-149;;Qerim Lita, vepra e cituar, fq. 471-506.
41) AM. 1. 427. 29. 137/673-690.
42) AM. F. KQ i LKJ (më tej 1101) 4. 1/256-260.
43) AM. 1. 427. 59. 71/526-539.
44) Po aty.
45) Vakëfi ishte pronë e Bashkësisë Islame.
46) Kuvendit të klerikëve myslimanë.
47) AM. 1. 427. 18. 52/263-280.
48) AM. 1. 427. 27. 56. 259-267.
49) AM. 1. 427. 29. 137/673-690.
50) AM. 1, 42. 72. 1/1-67.
51) Po aty.
52) AM. 1. 427. 49. 3/9-16.
53) Po aty.
54) AM. 1. 427. 60. 7/116-129.
55) AM. 1. 427. 2. 52/3-91.
56) AM. 1. 427. 60. 7/116-129.
57) AM. 1. 427. 49. 3/9-16.
58) Po aty.
59) Po aty.
60) Po aty.
61) Në vitin 1952, Qeveria e RP të Maqedonisë e ndërron emrin dhe tashti ajo quhet Këshilli Ekzekutiv, ndërsa ministritë bëhen sekretariate.
62) AM. 1. 427. 49. 34/305-306.
63) Po aty.
64) Po aty.
65) Po aty.
66) Po aty.
67) AM. 1. 427. 60. 7/116-129.
68) Po aty.
69) Po aty.
70) Po aty.
71) Pas Kongresit të Dytë, mbajtur në pranverë të vitit 1954, Partia Komuniste e Maqedonisë (PKM) u emërtua si Lidhja Komuniste e Maqedonisë (LKM). Ndërsa Byroja Politike (Kryesia e partisë) tani do të quhej Komiteti Ekzekutiv.
72) AM. 1. 427. 66. 10/40-43, Zapisnik br. 7, sa sastanka Izvrshnog Komiteta CK SKM Makedonije, odrzhanog 15 novembra 1954 godine u 16 çasova; në mbledhje kanë marrë pjesë:: Ll. Kolishevski, B. Smilevski, K. Crvenkovski, N. Minçev, L. Arsov, V. Aceva, B. Temellkovski dhe K. Markovski.
73) Po aty.
74) Po aty.
75) AM. 1. 427. 60. 7/93-115, shih referencën 60.
76) Po aty.
77) AM. 1. 427. 72. 1/1-67.
78) Po aty.
79) Po aty.
80) Po aty.
81) AM/1. 427. 84. 86/463-469.
82) AM. 1. 427. 84. 88/493-508.
83) Po aty.
84) Po aty.
85) Po aty.
86) AM. 1. 427. 84. 82/403-426, Mito Haxhi Vasilev ishte kryetar i Dhomës së Pakicave Nacionale pranë KQ të LKM, ndërsa Kërste Bullaiç, kryetar i po asaj dhome pranë KQ të LKJ.
87) Po aty.
88) AM. 1. 427. 128. 5/23-39.
89) Po aty.
90) Po aty.
91) Po aty.
92) Po aty.
93) Po aty.
94) Po aty.
95) AM. 1. 427. 128. 7/43-45. 104

Qerim Lita


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...