Oshtima

1944 – Reportazh mbi themelimin e «S.A.P.R.E.S»


Shqiptari zot në shtëpin e vet


FJALË ME LËÇITËSIN
Kam pasur gjithëmonë bindje personale se shtypi i ynë duhet t’ua kushtojë vendin e nderit çështjevet ekonomike e financiare, sepse prej suksesit të këtyre pret shpëtim populli që vuan për bukën e gojës nga një babilloní e papërshkrueshme e cila s’do të kishte pasur vend në shkallë kaq të gjërë, sikur t’ ishim organizuar të paktën në këtë fushë jetike dhe të mos hanim me gjithë lecka njëri tjetrin, në batakun e spekullimeve nga ku s’po dalim dot.

Brenda qarkut të veprimit t’em modest, si gazetar kronist, e kam ndjekur, me sa kam mundur këtë parim dhe e kam zbatuar kur më është dhënë rasti, si për shembull ky i themelimit të «Shoqërisë së Përgjithëshme për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë».1 I ndoqa, pra, mbledhjet e bisedimet rregullisht dhe sot, duke i ripunuar shënimet e mija, po lë një kujtim të vogël, i cili, shpresoj, ka për të pasqyruar një përpjekje ku një grusht shqiptarësh ka menduar dhe ka punuar për një çështje shumë të dobijshme dhe të vlefshme në çdo kohë a rrethanë për popullin t’onë.


K. s.

 

 

 

Midis stuhís së luftës shkatrrimtare një veprë ndërtimtare e ugurëshme...


Në vise të përparuara të botës, me rastin e vitit të ri, është zakoni që gjithësecili të marrë ndonjë vendim në lidhje me veprimtarinë dhe përparimin e kohës s’arthme. Edhe kur rrethanat janë të trishtueshme, prapë se prapë dëshirat shfaqen të lumnueshme, me qenë se shpresa mbetet gjithmon e gjallë, baraz me shpirtin. Shpesh herë këto vendime, kur dalin nga rrethi individual, i sjellin dobira të mëdhaja dhe përtrijtje një populli — shënohet një epokë mbrothësije të vërtetë kolektive.
Këtij viti, midis shumë fatkeqësive të hidhura, neve patëm fatin — gjer tani të vetëm — që Kryetari i Këshillit të Naltë të merrte një nisjativë të dobishme dhe bilë pati guximin të pranojë barrën e Kryesis së Nderit, pa para e prapa-mendime apo qëllime përfitimi personal. E me të vërtetë, të djelën 30 janar 1944, nën kryesin e tij, pati mbledhjen e parë një grup i gjërë tregëtarësh dhe industrialësh shqiptarë, të cilët ishin ftuar të ndodhen në marrjen e një nisjative që mund të ketë pasoja e dobira vendimtare në të mirë të vendit sa dhe të tyre. Kjo mbledhje, me të drejtë, u quajt «historike» nga shtypi i Kryeqytetit.
Thirrjes iu përgjegjën jo vetëm tregëtarët e Tirahës e të Durrësit të vendosur gati të gjithë këtu, por edhe shumë të tjerë, origjnarë të çdo vendi të Shqipërisë, me banim në Kryeqytet. Gjithashtu ndodheshin pranë persona që, me zotësinë e tyre, kanë mëkëmbur nisjativa private, duke i sjellë pasurisë kombëtare vepra praktike konkrete, të cilat, sikur t’organizohen mbi baza moderne, mund të krijojnë për këtë vend fuqinë ekonomike dhe financiare të domosdoshme. Në radhën më të parë vinin përfaqësuesit e shoqërivet «Stamles» e Durrësit dhe «Sita» e Tiranës.

Tregëtarët dhe industrialët, në grupe dhe sipas radhës, për shkak mungese lokali për një mbledhje të vetme, kanë kaluar çaste plot aktivitet të gjallë e të frytëshëm, duke shkëmbyer mendime dhe duke kontribuar, me shuma të vëna prej tyre, për mbledhjen e kapitalit nisjator të një Shoqërije që lidhet drejt për drejt me avenirin e vendit t’onë. Realizimin e kësaj nisjative Z. Mehdi Frashëri ia ka bërë detyrë morale vehtes, duke treguar edhe një herë vullnetin dhe energjinë që e karakterizon. Për çdo person në moshën e tij të kryesonte mbledhje dhjetë herë me radhë, për një qëllim të vetëm dhe me një rend dite, do të dilte një pun’e mërzitëshme dhe monotone. Mirë po zotërija e tij ka dijtur që secilën prej këtyre mbledhjeve t’a paraqesë ndënë një prizëm tjetër, gati origjinale, duke mos u shkakuar kurrëfarë mërzije as atyre personave që ua ka dashur puna të ndodhen rregullisht në të gjitha mbledhjet: midis këtyre shënojmë personelin drejtues t’Odave të Tregëtisë të Tiranës e të Durrësit, që ndihmuan në suksesin e fushatës dhe përfaqësuesit e Shtypit që mbajtnë në korrent publikun.

Me gjuhën e tija të rrjedhëshme, Z. Frashëri ka dijtur t’i bëjë të pranishmit për vehte. Me fjalën e tija të nxehtë dhe bindëse, duke paraqitur parime dhe argumenta të lartra me gjuhën e popullit, i fuste të gjithë në shpirtin e çështjes së ditës, duke e shkrirë dhe thyer dal-nga-dalë atë akullin e zakonëshëm që gjithëmonë e ka paralizuar dhe mbajtur larg bashkëpummit kolektiv klasën e tregëtarëve t’anë, pikërisht sepse këtu ka munguar një burrë shteti i cili personalisht, si një kryetar familjeje, të merrte mundimin dhe t’interesohej s’afërmi, siç in teresohet ati për fëmijët e vet dhe për fatin e tyre. Se me këto mbledhje ka zënë të sjellë një farë afrimi midis tregëtarëve, të cilëvet ua ka shtuar besimin në vet-vehte, dhe u ka treguar se veç asaj të spekullimit mizor dhe t’individualizmit të shterptë e prapanik, të rrezikëshëm për të gjithë, ekziston një udhë më e bukur dhe më e lartër, që është ajo e bashkimit shpirtnor e lëndor për fuqizimin dhe lartësimin kolektiv të Kombit. U ka treguar se në këtë fushë ata mund të lozin një rol të parë, për sigurimin e tyre dhe për shpëtimin e vendit. Sepse Shqipërija nuk mund të bëhet kurrë independente politikisht (në kuptimin e vërtetë të fjalës) pa u mbështetur mbi një independencë ekonomike me baza të shëndoshta e të përherëshme. Por kjo arrihet me punë, dhe pra duhet filluar sa më parë dhe seriozisht, duke u bashkuar të gjithë drejt qëllimit. Me durim dhe ngulm, oratori shpesh i ka enthusiasmuar edhe ata pesimistat që gati kishin hequr shpresën e tyre për të parë në vendin t’onë përparime reale dhe konkrete, mbas kaqë e kaqë nisjativash, premtimesh e fjalësh të rrjedhura si lumi.
Me këtë rast e ka theksuar dhe vetë, se ushqen bindje që tash e tutje në Shqipëri, ku populli vojti dhe mësoi shumë, do të vijnë vetëm Qeveri popullore të cilat do t’interesohen seriozisht për popullin. Të tjera Qeveri këtu nuk do të kenë aspak vend, nuk do të qëndrojnë dot.


Vlerë sa për një Kongres


Bukurija e këtyre mbledhjeve ka qënë se, në një mënyrë spontane dhe thjesht praktike, janë paraqitur e biseduar, në gjuhën e popullit, disa nga problemet më jetike t’ekonomisë s’onë kombëtare, zgjidhja e të cilave i përket çdo shqiptari, pa dallim. Në këto bisedime tregëtarët nuk kanë qënë gjithëmonë ndigjuesa; shpesh herë kanë folur, kanë pyetur ose aprovuar mendimet e shfaqura. Këto mbledhje, pa u paramenduar si të tilla, kanë pasur, deri diku, vlerën e një kongresi të dalë, si me thanë, nga gjiri i këtij populli, i cili — si theksoi Z. Frashëri — s’është më ay që ka qënë. Eksperienca që ka fituar, veçanërisht gjatë kësaj lufte, mbasi ka hequr deri në kulm, e ka ngritur në shkallë sa të jetë i zoti t’ a dallojë vetë të mirën prej së ligës. Prandaj shumë sende, të cilat deri dje i duheshin imponuar prej Qeverisë, sot i njeh, i kërkon vetë dhe kjo përbën provën më shpresë-dhënëse të përparimit të tij. Mund të jemi të qetë, pra, se populli shqiptar nuk mund të gënjehet e të tërhiqet më për hunde.
Prandaj, çdo vepërim i kësaj Shoqërije, do bërë në mënyrë që të ngjallë besimin e përgjithëshëm dhe që të jetë krejt i sigurtë suksesi. Nisjatorët e kanë për barrë të veprojnë me shumë kujdesje e sidomos me ndërgjegje, pa ngatrresa politike, me qënë se dështimi do t’ishte një përgjegjësi e madhe dhe një faj shum i rëndë; ata duhet t’a dijnë se do t’i prisnin hovin edhe në t’arthmen ndonjë nisjative analloge në vendin t’onë, ku populli, mbas shum eksperiencave të hidhura, ka të drejtë të jetë gjer diku skeptik. Kjo barrë u takon jo vetëm drejtuesave të Shoqërisë së ré, por edhe të gjithë atyre që kanë fatin e saj në dorë.
Përgjegjësi të veçantë kanë edhe tregëtarët nisjatorë, domethënë këta që po aderojnë të parët. Për këtë arësye, Z. Frashëri ia vinte fort mëndjen kontaktit të ngjallur sot, si asndonjë herë tjetër më parë, midis tregëtarëvet. Përpara se të fillonin mbledhjet, ndalej përzemërsisht në bisedim me ’ta dhe përpiqej që t’ i njihte të gjithë, ashtu si të gjithë tregëtarët e njohin dhe e çmojnë atë. Por mos kujtoni se në këto mbledhje vinin dhe aderonin vetëm tregëtarët e mëdhenj, pasanikët dhe bejlerët? Midis tyre, shumica përbëhej nga tregëtarë të vegjël, që nuk mund të nënshkruanin shumë, por me gjithë këtë asnjë nuk pranonte të bjerë poshtë, duke dhënë shpesh maksimumin e kapitalit që dispononte; secili prej këtyre tregëtarëve e bëri atë përpjekje i shtyrë nga gëzimi që shikonte një mbledhje aq vllaznore e të përzemërtë, pa dallime e ndjenja meskine të cilat përçajnë dhe shkatrrojnë nga çdo pikëpamje. Disa prej tyre e kapërxyen vet-vehten, u-bënë shembull, duke ua kaluar shumëve, sado që këta gëzojnë një të kaluar tregëtare dhe kanë plot kapitale, por mjerisht vuajnë prej atij akullit që s’na ka lanë gjer më sot t’ i shkrijmë forcat t’ona ekonomike e financiare në vepërime koiektive, si ka ndodhur në çdo vend të qytetëruar dhe si po mundohemi edhe ne të bëjmë tashti. S’ ka dyshim se shembulli i dhënë nga këta të rinj, do të ndiqet kudo nëpër Krahinat dhe shuma e përgjithëshme e kapitalit nisjator nga 10.000.000 fr. shq. mbledhur në Tiranë, t’arrijë në disa qindra miliona, për t’i dëshmuar botës se edhe në lëmën ekonomiko-financiare, Shqipërija mund të jetë krenare prej bijvet të saj që dijnë të bashkë-punojnë për të mirën e tyre dhe të vendit pa i shtrirë kujt dorën, sepse është turp i math të jetë lypës një popull me tokë shumë dhe me mburime natyrore, që presin vetëm punë t’organizuar dhe kapitale.
Neve shqiptarët, po të bashkohemi si lypset, mund të sigurojmë diçka për të mirën t’onë e të vëndit, në sheshin e avenirit ekonomiko-financjar. Është turp të mbetemi si jemi. Në kohë normale, domethënë para lufte, neve importonim drithë nga jashtë, në sasi prej 50.000 deri 300.000 kuintalësh në vjet, duke pasur, atëhere, një sipërfaqe prej gati
32.000 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej gati 1.100.000 frymësh. Do të jetë me të vërtet një shëmti e madhe sikur neve të mbetemi dhe tash e tutje pa miser dhe pa ushqime. Këtë faj e këtë turp shumica ja ka hedhur Qeverisë, duke ndenjur populli vet në indiferencë të çuditëshme. Kurse në të vërtetë, Qeverija nuk zbret nga Qielli, por del nga brumi i popullit. Për të pasur një Qeveri të mirë dhe të lartë, populli duhet të lartësohet e të zgjohet vetë dhe t’ interesohet për fatin e vet, kryesisht duke punuar e duke ndjekur çështje që shpjenë në udhën e drejtë dhe që synojnë me të vërtetë të mirën, sigurin dhe pamvarësin e vëndit, pa pranuar të bëhemi veglë e kujt Qëllimet e Shoqërisë
Në projektin e Statutit Themeltar, qëllimet e Shoqërisë përmblidhen në Nenin 3, i cili thotë :
«Shoqërija ka për qëllim t’ushtrojë, në regjim të lirë ose në konçesion, vepërimtarinë bankare dhe të sigurimit, industritë minerare, pyjore, hidro-elektrike, bujqësore, të ndërtimit, të transporteve tokësore, fluviale, detare dhe aerore, të gasit, t’ ujësjellëses, të telefonave, çdo industri që ka për objekt transformimin e lëndës së parë, duke përfshirë për të gjitha industritë, si ndërtimin e installimeve ashtu edhe gjerimin; çdo tregëti importimi dhe eksportimi; të marrë pjesë në çdo formë, në Shoqërira dhe Acjenda të tjera me objekte analloge të kushtetueme ose që janë për t’u kushtetuar; të kryejë të gjitha veprimet mobiliare dhe imobiliare, industriale dhe financiare që mvaren nga qëllimet e sipër-shënuara ose .që kanë lidhje me ’ta, dhe që mund të lehtësojnë ose të pregatisin përmbushjen e tyre.»


* * *

Para çdo mbledhjeje, Z. Mehdi Frashëri i ka ilustruar këto qëllime. Më poshtë po botojmë, të përmbledhura, pjesët kryesore.
Si e tregon dhe vetë emri i saj, «Shoqërija për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë», synon bashkimin e fuqivet ekonomiko-financiare dhe puntorinë e Kombit për t’i shfrytzuar më së miri mburimet natyrore për lartësimin lëndor dhe shpirtëror të popullit, me anën e punës së paguar rnirë, shtimit të konsumit dhe sigurimit të jetës së punëtorëvet kundra fatkeqësivet.
Duke qënë më e para e këtij lloji në vendin t’onë, kjo Shoqëri do të gëzojë përkrahjet e para të Qeverisë dhe të mirat që rrjedhin prej kësaj, duke iu dhënë mundësija t’ i realizojë të gjitha ato ngrehina që do t’i shërbejnë edhe përparimit të vendit. Qeverija, si do të shohim, ka për të marrë pjesë edhe me kapitalet e veta, që kështu t’interesohet më shumë në mbarëvajtjen e Shoqërisë. Por shumica e aksioneve do të jenë pronë e çdo kategorije të popullit, duke mos u përjashtuar asnjë person që kursen. E mira do t’ a kërkonte që në të të merrnin pjesë aktive, me pak a shumë kapital, të gjithë shqiptarët. Do të ftohen, në mënyrë të veçantë, të gjitha Shoqëritë, të mëdhaja e të vogla. Kështu shqiptarët kanë për të ndihmuar që të gjithë në ngrehjen e kësaj Shoqërije që do të lozë një rol të dukëshëm në rimëkëmbjen e Shqipërisë mbas lufte. Me pak fjalë, në këtë Shoqëri dyertë do të jenë të hapura për të tërë. Me gjithë këtë, nuk është aspak fjala për monopole. Do të lejohen të vepërojnë lirisht dhe do të përkrahen ndër punët e tyre ata shqiptarë që do të marrin nisjativa private.
Për t’ i dhënë mundësi të plotë suksesi nisjativës, Shteti duhet që konçesionet t’ i rezervojë për shqiptarët, duke i preferuar si zotër bijt e këtij vendi. Disa nga këto burime u ishin dhënë në konçesion të huajvet, të cilët jo vetëm që s’i mbajtnë obligimet e tyre por e shkelmuan besëlidhjen, gjë për të cilën faji është krejt i tyre dhe neve na jep lirinë t’ i shtjemë përsëri në dorë të gjitha të drejtat t’ona si popull i pamvarur e sovran.
Në këtë rast, Shoqërija do të kishte me të vërtet shesh të gjërë vepërimi e shfrytzimi. Pastaj, për t’a mëkëmbur me hov sa më të shpejtuar e më të saktë, Qeverija mund t’ia përkrahte aktivitetin me lehtësira doganore dhe mënyra të tjera, të drejt për drejta ose të tërthorta.
Midis vepërimeve industriale, Shoqërija, me kohë, mbasi të ketë rregulluar dhe vënë n’ udhë burimet që kishin për t’i sjellë t’ardhura më të shpejta, mund të çelte një fabrikë karte, një fabrikë plehnash kimike e veglash bujqësore, si dhe fabrika të tjera të domosdoshme si këto; mund të merrej gradualisht me shfrytzime minierash; mund t’interesohej në lëmin bujqësor e blegtorar; në shfrytzimin e pyjeve; në peshkimin dhe në çdo sektor tjetër ku presin mendjen dhe krahun e shqiptarit mburimet e shumta të tokës s’onë të begatëshme të mbetur akoma virgjër.
Po t’i lihet kështu dor’e lirë vepërimi Shoqërisë së re, kjo ka për të gjetur stabilimente dhe mjete të tjera të gatëshme.
Shumica e konçesioneve dhënë të huajve janë nisur të shfrytzohen dhe prandaj mund të vazhdohen pa shumë shpenzime të mëdhaja, sepse stabilimentet, rrugët dhe mjete të tjera ndodhen. Këto, që janë një pasuri e madhe e veçantë, i përkasin Shtetit, i cili, duke i a dhënë në konçesion kësaj Shoqërije, merr pjesë aktive, si thamë, me aksione që përfaqësojnë vlerën e tyre. Midis mburimeve më kryesore të njohura deri më sot në Shqipëri, përmendi puset vajgurore të Kuçovës e të Patosit; minierat ebakrrit në Rubig të Pukës; kromin e qarkut të Pogradecit, duke theksuar se italianët kanë eksportuar nga vendi i ynë 57 miliona tonellata krom dhe e kanë dërguar për t’a shkrirë nëpër furrat dhe fabrikat e tyre ose e kanë shitur jashtë. Përmëndi gjithashtu minierat e shumta të qymyr-gurit, të hekurit dhe burime të tjera. E pra të gjitha këto avantazhe përfaqësojnë një lumë të tërë që mund të vihet në lëvizje, në shërbim të së mirës s’onë, si me thanë me një pikë ujë mastraf, sepse kaq i math është përpjesëtimi midis vlerës reale të pasurive t’ona të natyrta dhe milionave që tregëtarët t’anë mund të derdhin si kapital nisjator.
Këto dhe shumë thënie të tija, Z. Frashëri i dokumentoi me shënime statistikore të hollsishme dhe me shembulla të gjalla, që me të vërtet pasqyronin horizontin e gjërë që po i çelet aktivitetit të kësaj Shoqërije në kuadrin e zhvillimit dhe të rimëkëmbjes së Shtetit t’onë.

 * * *

Qëllimin që e shtyu t’a merrte këtë nisjativë e përmblodhi me këto fjalë:
«Mbas luftës së shkuar bonsensi i katundarit dhe tregëtarit t’onë që preferoi arin dhe argjëndin në vend kartëmonedhave të huaja, i siguroi Shqipërisë mjetin financiar të mëkëmbjes mbas Kongresit të Lushnjes e tëhu. Sikur ato shuma n’ar dhe argjënd të qenë bashkuar dhe mbrojtur qysh më 1919-1920 me anë të një shoqërije kolektive të organizuar e të zhvilluar, do t’ishin hedhur themele të shëndoshta për ekonominë t’onë. Por mos veprimi ishte një gabim fatal. Ky gabim s’duhet të përsëritet më. Ç’na mbetet prej kësaj lufte shkatrrimtare, duhet t’a organizojmë që tani, para se të jetë vonë dhe kështu t’i jemi përveshur rindërtimit të nesërm. Ky është shkaku që më shtyri t’a marr këtë nisjativë»


Realitet’ i gjallë


Mos kujtoni se këto që ju thashë — theksoi Z. Mehdi Frashëri — janë ëndrra, pjellë e fantazisë. Ky është realitet i gjallë. Nisjativa nuk mbështetet aspak në fjalë të thata, por në fakte që i kemi parasysh dhe do t’ishte një mëkat sikur neve t’i neveritnim përsëri tërë këto mundësira. Të tregohemi të mënçur që të bashkohemi dhe kështu të bashkuar në qëllimet dhe në fuqinë financjare që kemi, të përfitojmë prej rastit për të krijuar, me duartë t’ona e me mjetet që na ka falur natyra, një periudhë të ré: të pushojmë për gjithëmonë së qëni shërbëtorët e të tjerëve dhe të bëhemi zotër të vërtetë në shtëpinë t’onë. Sidomos për mbas lufte duhet të jemi në gjëndje pak a shumë t’i bëjmë ballë rindërtimit të vendit sepse edhe tendencat e sotme anojnë nga fakti që secili popull të bëhet timonier i fatit të vet, shfrytzonjës i pasurive të veta. Vetëm kështu neve dotë vihemi në radhën e popujvet fqinjë dhe do të mos bjemë në mëshirën e kapitalistave të huaj. Kemi vojtur shumë, prandaj pësimet të na bëhen mësime. Pik së pari të mos lejojmë të na robërojnë ekonomikisht me gjënë t’onë.
Për tërë ata që kanë dijeni mbi pasuritë tokësore të Shqipërisë dhe që kanë besim në këtë vend të bekuar e të begatëshëm, e dijnë se kjo nuk është një gjë e pamundur. Hidhuni një sy pasurive që pajisin tokën t’onë. Nuk janë vetëm arat, pyjet e minierat. Këtyre duhet t’ ju shtojmë ujrat rrjedhëse t’afta për prodhimin e energjisë hidro-elektrike në shkallë të gjërë, që kishte për të plotësuar dhe kapërxyer shumë herë nevojat t’ona edhe kur të kemi arrijtur kulmin e mundësivet industriale. Përmendi zonat ndërmjet Prespës e Liqenit t’Ohrit, në Qafë të Thanës midis Pogradecit e Strugës, në qarkun e Tomoricës (Bullgarec), në Sulovë (Devoll) dhe në qarkun e Tiranës. Kemi këneta — tha — që sot janë çerdhe të malarjes dhe të fikjes së popullit t’onë shëndetërisht. Sikur të thahen këto, jo vetëm që do të sigurojmë bekimin e shëndetit për lartësimin cilësor e numerik të racës, por edhe begati të konsiderueshme. Por këto i përkasin një faze së dytë. Neve do të fillojmë punën, si thamë, nga burimet e gatëshme. Mbas Kuçovës, Shoqërija mund t’a shtrijë aktivitetin e vet në minierën e serrës së Selenicës, që përmban asfalt prej më të mirit dhe më të preferuarit të botës. Edhe në Paris, theksoi, ka disa rrugë kryesore që i kanë ndërtuar me asfalt të sjellë apostafat nga Selenica. Më tutje do t’u vinte radha minierave të shumta të qymyr-gurit, kromit, hekurit, bakrrit, bauxitit, asbestit dhe mermerit, që dihet se ku janë dhe gjenden gati me ngrehina, makinerira dhe me rruga.
E shihni, pra, se shqiptari ka mbetur i varfër nga budallallëku dhe për kot. Papunësija dhe varërija e ka shtyrë sot në grindje qesharake duke risjellë në përdorim prrallat e harruara e të vdekura prej kohësh «kaur», «turk», «gegë», «toskë», «bej», «harbut», etj. Sikur, larg qoftë, të binte në Shqipëri ndonjë epidemi, a kujtoni se kjo do të dallonte «bëjnë» nga «agaj», të pasurin nga i varfëri? Jo. Domethënë se neve, që jemi vëllezër prej një gjaku e me një gjuhë të përbashkët, si të këqijat ashtu dhe të mirat i kemi tok; prandaj të qëndrojmë të pa-ndarë dhe të heqim dorë nga çdo përçarje e dëmëshme që kishin për të na uruar vetëm armiqtë.
Këto plagë të mëdhaja shoqërore vetëm puna mund t’i shërojë duke na shpëtuar lëndërisht dhe lartësuar moralisht, me qënë se Puna e shduk varfërinë, që është mëma e çdo së keqeje.


Një paranthezë


Çështja e pasuríve të mëdhaja natyrore të Shqipërisë ka qënë objekt konferencash të ndryshme, një nga të cilat e ka mbajtur ingj. Andrea Xega, me kompetencë të veçantë2. Po shkëputim këtu atë pjesë që flet për qarkun e Pogradecit, sot mjerisht të dëmtuar nga lufta :
«Zona Elbasan-Pogradec është me shumë rëndësi për përmbajtjen e saj në mineralet krom dhe hekur; zbulimi kryesor ka qënë ay i hekurit në malet e Polisit. Këto male, si dihet, janë shkrepa gëlqerorë që i kemi kurdoherë parasysh në krahun e djathtë të Shkumbinit kur kalojmë prej Elbasani në Qukës. Hekuri është gjetur në naltësira 1800-2000 metra në këmbë të Malit të Bardhë, të Majës së Liqenit dhe të Faqes së Madhe. Gjer taní, kjo zonë ishte vetëm me pyje ahu me rëndësí (drurë 30 m. të lartër që mund të japë secili 4-5 metër kub lëndë ndërtimi). Gjetja e hekurit që shtrihet për tashti gati 2 km. me një trashësí prej 15 metrash, provokoi bërjen e një rruge që e lith minierën me Urën e Haxhi Beqarit, në rrugën Elbasan Pogradec.
Po të sillemi nga lindja tue ndjekë luginën e Shkumbinit gjejmë grupin e maleve të Shebenikut, të cilët, sëbashku me malet e Martaneshit, formojnë dy masive gurësh erruptivë me rëndësi, në të cilën vrejmë shfaqje të shpeshta minerali krom. Po t’a vazhdojmë udhëtimin t’onë deri në Pogradec, gjejmë së pari grumbuj të mëdhenj hekuri në katundet Stropckë, Piskash, Rodokal, Dëbrovë, Çervenakë dhe Mëmëlisht. Hekuri në këto vënde është i shoqëruar me nikel, i cili në disa kantjere arrin deri në 20 për qind, kështu që minerali i hekurit kalon në shkallë të dytë përpara nikelit. Po në këto rrethe, n’afërsinat e kantjerit të hekurit, gjejmë thjerza të shpeshta kromiti, të cilat u shfrytzuan qysh më 1938 nga një shoqërí italjane.
Rrethi i Pogradecit nuk është i pasur vetëm në minerale metalifere, por ka dhe shtrate ligniti me rëndësí: ay i Velçanit të Mokrës, veçanërisht Alarupit që ndodhet pranë Shën Naumit, prej ku, me anë të Liqenit, mund të transportohet lehtësisht në Pogradec ose në Strugë e kudo gjetkë.»
N’atë bregun magjik të Qafë Thanës, . që na e ka paraqitur me tërë. bukurin e vet, në një përshkrim të paharrueshëm At Fishta3, Poeti i ynë kombëtar, Pogradecin dhe të tërë atë qark po i pret një fat me të vërtet i math, sikur të vijë dita që të realizohen disa pllane, të studjuara nga ingjinera kompetentë, pllane që kishin për t’a transformuar krejt fytyrën e këtyre viseve, të cilat mund të bëhen, me punë e kapitale, ashtu si i ka pasë ëndërruar Lumo Skendo në rininë e tij, në përshkrimet ku e barazon me viset e Svicrës që shëtiste n’ato kohra4.


Por le t’ ia lemë fjalën ingjinerit Xega:
 «Shqipërija do të kishte pasur një industri ekstraktive me shumë rëndësi në rast se nuk do t’i kishte munguar shpirti i çdo industrije: energjija elektrike. Por edhe në këtë drejtim, ekziston një nga projektet më kolosale e më të guximëshme t’ Europës. Është fjala për shfrytëzimin e ujrave të Liqenit t’ Ohrit. Një grup teknikësh specialistë ka projektuar mundësinë e çpuarjes së një galerije (tuneli) që do të kalonte prej brigjeve të Liqenit t’ Ohrit gjer në Luginën e Shkumbinit, në Fushën e Domuzovës, duke e bërë të mundëshme rrjedhjen nëpër këtë tunel të një sasije uji të barabartë me atë që ka Drini n’Urën e Strugës.
Duke e marrë parasysh se midis liqenit t’Ohrit dhe luginës së Shkumbinit ka një dislivel prej gati 200 metrash, energjija elektrike që do të prodhohet nga kjo fuqi uji, kalon shifrën kolosale prej një miliardi kilowatt orësh në ditë, me një çmim kushtimi prej fr. shq. 0,05 për kw. orë.
Një fuqi elektrike e tillë jo vetëm se do të mjaftonte për nevojat e gjithë industrivet, metalurgjike dhe industrive të tjera në Shqipni, por edhe do të tepronte për t’u shitë në Shtetet fqinjë të Ballkanit. Prandaj nesër, kur shtërngata e luftës do të ketë kaluar dhe kur problemi i mungesës së energjisë elektrike do të jetë zgjidhur, duhet shpresuar se industritë minerale dhe metalurgjike të Shqipërisë kanë për të qënë në gjëndje t’u japin një kontribut të ndjeshëm nevojavet t’ona për rindërtimin dhe zhvillimin e pas-luftës».
Mbas këtyre prospektivave që paraqiten në të gjithë madhështinë e tyre, sado që jemi të pikëlluar prej fatit të keq që e ka gjetur Pogradecin, si shumë qytete e katunde të tjera, të mbushet zemra plot besim në të pritmen e vendit t’ onë; një dëshirë e madhe për jetën mburon me tërë forcën njerëzore: «A do të rrojmë neve vallë, të kësaj moshe, t’i shohim e t’i shijojmë këto e t’ua lemë bijve t’onë Atdheun, si na dëshiron zemra, pa asnjë njollë prej rrënimevet vandale që na shkaktoi armiku mizor?»


Puntorija dhe kursimi


Gjatë konferencave të tija, ku po këthehemi mbas paranthezës së sipërme, Z. Mehdi Frashëri u zgjat mbi regullimin dhe mbrojtjen e punëtorit, të cilit — tha — i duhet siguruar, me vepra e jo me fjalë n’erë, një jetesë më e mirë dhe më njerëzore. Të mos lihet të vuajë për bukë, për banesë dhe për mjekim, si sot, i braktisur në një shkallë që nuk qëndron fort larg nga shtazët. Punëtori duhet të jetë medoemos i ushqyer, i rojtur dhe i veshur mirë, që pastaj prej tij të pretendohet një punë e saktë; duhet që, si materialisht ashtu dhe moralisht, të ngrihet nalt e t’i përshtatet parimit të mëndjes së shëndoshtë në trup të shëndoshtë. Veç këtyre, lipset që puntorit t’ i sigurohet jeta kundra fatkeqësivet, për të mos mbetur dikur sakat dhe të dalë, n’ udhën e madhe me një tufë kalamajsh. Mirë po, si thashë, këto nuk bëhen dot prej shoqërive të vogla apo prej privatëve që e kanë çdo vepërim të kufizuar. As kanë për të na i bërë të huajtë, të cilët vështrojnë më parë interesat e tyre. Mund të bëhen vetëm nga shoqërira shqiptare, të mëdhaja e pasanike, si kjo që duam të themelojmë sot për t’a zhvilluar nesër.
Punëtorëve, që janë shtylla e mirëqënies së Kombit, mund t’u përmirësohet jetesa, duke u caktuar sipas vjetërsisë e meritave përqindje mbi fitimet e shoqërisë, veç pagës, dhe sidomos duke i bërë aksionista me përqindje graduale të ndalura prej rrogavet me pëlqimin e tyre, për t’ ekonomisur më mirë kapitalet likuide në dobi të tyre dhe të vendit.
Neve s’ mund të rrojmë vetëm me bujqësi primitive, pa krijuar një farë industrije të përshtatur nevojavet t’ona. Disa janë shfaqur kundra një politike të tillë, duke druajtur se mos prodhimet e kësaj industrije do të mbeteshin pa u shitur. Po kjo nuk është e vërtetë; se po të shtohet puna me fitimin, shtohet edhe konsumi i popullit. Disa të tjerë kanë pasur frikë se industritë t’ona nuk do t’ishin në gjëndje t’u bëjnë ballë prodhimeve t’ industrive të huaja. Kjo është një gjë më e lehtë: me anën e doganave, Shteti mund t’a rregullojë tregëtinë sipas nevojës. Një problem kryesor ësht edhe ay i teknikëve. Neve pjesërisht i kemi, por mund t’ i plotësojmë duke i sjellë nga jashtë, jo nga shtete t’ interesuar politikisht në vëndin t’ onë, por nga vënde asnjanëse, ku mund të gjejmë elemente pune e udhëzimi në vënd t’ agjentave dhe t’ intrigantave të cilët deri më sot na qenë dërguar si teknikë dhe organizatorë.
Përveç instituteve bankare të nevojshëm, do të krijohet, si në çdo Shtet të qytetëruar, një degë kursimesh pranë Arkave të Zyrave Postare, të cilat, nga ana e tyre, do të lidhen me një bankë. Pranë këtyre, populli mund të depozitojë edhe shuma të vogla me fare pak formalitete, duke i vënë në një vend të garantuar prej Shtetit dhe ku do të prodhojnë një kamatë të mirë, si në bankë. Veç kësaj, do të lehtësohen pagesat e çdo natyre që ka nevojë të bëjë populli, sidomos për të rregulluar çkëmbimet me Krahinat dhe për çdo hall, të math a të vogël. Arkat e kursimit do t’u shërbejnë shumë krahinave, si me anën e sigurimit ashtu dhe nga dobira të tjera. Prej nisjativës populli i ynë do të përfitojë bekimin e zakonit të kursimit, i cili, sa më shumë të kultivohet, aq më shumë dobira të dukëshme sjell. Për neve, që jemi një popull i vogël dhe i varfër, kursimi racional dhe i organizuar përbën një masë jetike shpëtimi të vërtetë.


Triumfi i një mentaliteti


Duke çelur fushatën e nënshkrimit të kapitaleve, Z. Mehdi Frashëri tha se atij tregëtari apo industrialisti që do të derdhë shumën më të madhe, Qeverija do t’ i japë një medalje të posaçme në shenjë mirënjohjeje dhe vlere. Shtypi nuk ka për të munguar pa i vënë në dukje të gjith’ ata që do të përfaqësojnë triumfin e mentalitetit të ndritur që kërkon t’a shtjerë kapitalin në punë si element të gjallë për të mirën e Kombit, kundra mentalitetit të ndryshkur t’ atyre që janë mësuar t’ a mbajnë paren të vdekur nëpër qypa.
Fushata e Tiranës vazhdoi në rreguil dhe pati mjaft sukses, duke arrijtur në 10.000.000 fr. shq.
Në lidhje me mënyrën e derdhjes së kapitalit të nënshkruar, Z. Mehdi Frashëri tha se duhet të mos harrohet fakti me rëndësi se një tregëtar që nënshkruan një shumë në kapitalin nisjator të Shoqërisë nuk është i detyruar t’ i derdhë këto të holla qysh sot, domethënë se nuk do t’ i këthejë të hollat e tija në një kapital që të presi kot pa i sjellë dobi. Jo. Një gjë e këtillë nuk do të vërtetohet n’asnjë mënyrë. Tregëtari do të fillojë t’i derdhë praktikisht të hollat në sasitë që nevojiten dhe në bazë vendimi të posaçëm.
Mbas Kryeqytetit, fushata për krijimin e «Shoqërisë së Përgjithëshme për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë», do të vazhdohet nëpër qendrat e Krahinavet, duke u përfshirë dhe ato të Kosovës, Dibrës e të tjera viseve të lirueme. S’ka dyshim se shembulli i dhënë nga Qendra do të ndiqet edhe nëpër Krahinat, të cilat do të jenë më të parat që do të përfitojnë sepse atje ndodhen burimet ekonomike që Shoqërija do të shfrytzojë. Andej do të nxierret shumica e mjeteve dhe e puntorisë; andej do të derdhet paraja e prodhimi.

 * * *

Qysh në mbledhjen e parë, më 30 janar u zgjoth Këshilli nisjator i përkohëshëm, që u muar me hedhjen e themelevet për organizimin e Shoqërisë, e cila do të vihet sa më parë në gjëndje që të përfaqësojë fuqitë ekonomike të vendit, duke fituar kudo besimin e kapitalit shqiptar.
Kryesija e Nderit iu besua, si kemi thënë, Z. Mehdi Frashëri dhe si anëtarë u zgjodhë, me aklamasion, z. z. Jusuf Beshiri, Aleksandër Hobdari, Guljelm Lluka, Abidin Nepravishta, Omer Fortuzi, Tahir Gjinali, Reis Selfo, Jonuz Shijaku, Vangjel Manushi, Thoma Nushi, Abdulla Kazazi, Hysen Fani, Murat Begëja dhe Theodor Çoka.
Komisjoni ka pasur mbledhje të shpeshta.
Qëllimi kryesor ishte përpilimi i projektit të Statutit Themeltar, që iu besua disa juristave, të cilët mbas një studimi dhe punimi të gjatë e pregatitnë dhe kështu e paraqitnë. Grupi i juristëve që hartoi projektin e Statutit përbëhej nga z. z. Av. Thoma Orolloga, Vasil Avrami, Anëtar i Këshillit të Shtetit, që të dy ish Ministra të Drejtësisë; Av. Skender Muço dhe Av. Suad Aslani, prej të cilëvet ky i fundit bëri relasionin përpara Komisionit.


Përshëndetja e Përfaqësuesit të Shoqërisë «Stamles»


Fjalimi i Z. Frashëri u ndigjua me kujdesje  të madhe prej të gjithë të pranishmëvet.
Pas tij, në mbledhjen e katërtë, në çastin që do të çelej për atë ditë nënshkrimi për kapitalin nisjator, u ngrit Z. Jusuf Beshiri, Kryetari i Këshillit Administrativ të Shoqërisë «Stamles», i cili njoftoi se Shoqërija e përfaqësueme prej tij dhe Këshilltarit delegat Z. Pirikli Spiro, nënshkruante një shumë prej fr. shq. 1.000.000 (po kaqë ka nënshkruar edhe Shoqërija «Sita»).
Z. Jusuf Beshiri, pastaj, n’emër të vet, nënshkroi një shumë prej fr. shq. 40.000.
Duke përfituar prej rastit, Z. Beshiri i drejtoi një përshëndetje mirënjohëse nisjativës së Z. Mehdi Frashëri, duke theksuar sidomos detyrën që i takon çdo shqiptari të ndihmojë që Shqipërija t’a mbështesë independencën e vet poiitike mbi një independencë ekonomike të saktë. Gjithashtu vuri në dukje faktin që Shoqërija e ré ua hap dyertë të gjithëve dhe dëshiron që të mos mbetet familje shqiptare pa marrë pjesë aktive në të me pak a shumë kapital. Përfundoi duke uruar që Qeverija seriozisht t’a përkrahë ndër marrjen për të mos pësuar fatin e nisjativave të dështuara, por të ndjeki fatin e nisjativave që kanë patur sukses, një nga të cilat është vetë Shoqërija «Stamles», e cila ka kapërxyer deri më sot çdo provë zjarri, jo sepse i janë bërë favorizime apo hatëre, por vetëm sepse Qeveritë e ndryshme nuk i kanë sjellë pengime. Vetëm me kaq mbështetje, një shoqëri shqiptare, me kapital thjesht shqiptar, mundi të qëndrojë më këmbë e të bëjë traditë mbi baza të tilla, sa që një aksion i blerë dikur 100 franga arrijti të kërkohet e të mos gjendet sot për shumë fish më shtrenjtë.
Z. Beshiri n’atë çast përfaqësonte ndenjat dhe interpretonte vullnetin e shokëve të vet dhe veçanërisht të Shoqërivet shqiptare, të mëdhaja e të vogla.


Skjarime të nevojshme


Komisioni nisjator i bëri Shtypit të Kryeqytetit deklaratat që vijojnë:
«Në pajtim me vijat e vepërimit që janë caktuar për t’u ndjekur dhe parashihen prej Statutit, Shoqërija do të bëjë gjithë ç’është e mundur që të fillojë aktivitetin nga ato konçesione dhe ndërmarrje që kanë mundësira më të mëdhaja e më të sigurta suksesi. Si nisjatorë të një Shoqërije të parë të madhe të këtij lloji me karakter kombëtar, e ndjejmë përgjegjësinë dhe barrën morale që kjo nisjativë jetike ka për fatin e Vendit t’onë, e duam të fitojë besimin e plotë të kapitalit dhe të kursimit që disponon populli i ynë. Duke i bashkuar në këtë mënyrë kapitalet dhe puntorinë që disponojmë, në kuadrin e një organizimi të saktë, nuk mbetet dyshim se do të çelen rrugët e para të një shfrytëzimi ekonomik serioz dhe të matur. Sepse baza kryesore mbi të cilën do të zhvillohet Shoqërija do të jetë aktiviteti i mbështetur në një pllan të studjuar dhe të peshuar mirë nga kompetentët, pa u lënë të influencojnë aspak persona apo ente t’interesuar si dhe korrentet që mund t’i sjellin pengime arritjes së objektivit që i intereson çdo shqiptari. Provën e parë e dha pikërisht hartimi i projektit të Statutit besuar disa prej juristëve t’anë më të provuar dhe më të ndershëm. Në këtë mënyrë, do të vepërohet tash e tutje edhe për çdo hap që Shoqërija do të hedhë përpara.
Gjithashtu është nevoja të skjarohet se Shoqërija e re do t’a përdorë kapitalin e vet eksklusivisht sipas qëllimeve për të cilat është themeluar dhe gjithëmo në në bazë vendimesh legale sipas Statutit të aprovuar rregullisht dhe çdo send me dijeninë e plotë t’aksionistave pjesëmarrës dhe t’opinionit publik.
Çdo send që mund të jetë folur a shkruar ndryshe, nuk ka asnjë themel dhe mbetet pa ndonjë vlerë.
Është për të theksuar në mënyrë të veçantë se qëllimet e kësaj Shoqërije nuk kanë aspak të bëjnë me rindërtimin e katundeve të dëmtuara, me huara Shtetnore, apo ndërmarrje që i përkasin Qeverisë. Qëllimet e kësaj Shoqërije janë vetëm ato që parasheh projekt-Statuti. Për suksesin e Shoqërisë, Qeverija, nga ana e saj, duke dashur të mirën e vendit, jo vetëm kë s’do të sjellë pengime por ka për të dhënë, pa kursim, tërë ndihmën e saj të mundëshme në dhënie konçesionesh e të tjera lehtësirash kësodore, prej të cilavet, mjerisht, deri më sot, kanë pasë përfituar vetëm të huajt. Sot këto të mira do t’ i gëzojnë shqiptarët, të cilët duhet të bashkojnë kapitalet dhe punën për të qënë t’organizuar t’i bëjnë ballë një ndërmarrjeje e cila synon zhvillimin ekonomik të vendit dhe siguron që independenca e jonë politike me të vërtet të mbështetet për gjithëmonë mbi një independencë ekonomike me baza të shëndoshta e të përherëshme..

 


Shqiptari zot në shtëpin e vet, Reportazh, “Gurakuqi”, Tiranë 1944

 

 


1) Në çastin që po venim në shtyp broshurën, mësuam se emri i Shoqërisë u-caktua «S.A.P.R.E.S», që domethënë «Shoqërija Anonime e Përgjithëshme për Rindërtimin Ekonomik të Shqipërisë»
2) Kjo konferencë është mbajtun, në Tiranë, në datën 6 Qershor 1942.
3) Shiko «Hylli i Dritës», Vj. VIII, Kr. 3, Marc 1932, f. 150
4) Shiko librin «Letra mi një udhëtim në Svicrë» prej Lumo Skendos, S0fje 1915, f. 7, 12 e 13

K. S.


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...