Oshtima

Bombardimi i Pejës, 13.VIII.1943 – Kronikë e zgjeruar

Bombardimi i Pejës

 

Të dielën më 13 Gusht 944, ora 12 të mjesditës skuadrilje pre 28 bombardierësh të randë Anglo-Amerikan nga një naltësi prej afro 2000 metrash kan bombardue Pejën tue hjedhë nji numër afër 200 bombash kalibrave të ndryeshëm prej 100 deri më 500 kilogramesh. Bombardimi ka vazhdue dhetë minuta, dhe dy lagjet ma të mëdhaja të qytetit, Karragaç e Kapshnicë, janë rrënue fare. Gjithë ashtu ndërtesa e Bashkis, Rreth Komanda e Gjindarmeris dhe Spitali Civil me të sëmuetit dhe krejtë personelin që ka pasë mbrend, janë zhdukë e shkatrrue.

Në çdo shtëpi, në çdo kopsht të dy lagjeve të naltë permenduna dhe pjesërisht nder lagje tjera të qytetit, janë hjedhë bomba dhe me qindra kufoma kan ngele të mbulueme nën materialin e ndërtesave të rrëzueme. Numri i të vdekunve dhe i të plagosunvet ende nuk dihet, por llogaritet të jenë ma se 1000 viktima. Janë hjedhë bomba edhe n’anët tjera të qytetit e sidomos nder dy anët e lumit Bistricë pranë Prefekturës, dhe asnji godinë nuk ka mbete  e pa-prekun prej tranditjeve.

Krejt qyteti asht kthye në gërmadha.

Në çdo shtëpi dhe në çdo rrugë shifen kufoma të deformueme, krena e gjymtyrë njerzish. Përveç nji numri të vogël automjetesh asnji objektivë ushtarake Gjermane nuk asht qëllue. Popullsija që kishte qendrue tue ditë se Peja nuk ka objektiva me randësi ushtarake tash nga paniku i shkaktuem prej bombardimit, ka marrë fushat dhe malet. Damet materiale kapen në shumë miliona.

 

 

Sqena Tragjike

 

Katastrofi nuk mund të përshkruhet.

Nga efekti i bombave shtëpijat, sidomos ato qi kan pas nji kostruksjon të dobët janë shkatrrue tue u-hjedhë njana mbi tjetrën dhe tue xanë mbrendë njerëz që edhe për shum ditë nuk asht e mundun të nxirren nga gërmadhat për t’u identifikue e vorrosë. Nana e etën të mjerë që u-janë zhdukë fëmijt para syve nga tufani i tmerrshëm i bombardimit dhe fëmij të vegjël qi u-janë vra prindët kan ngelë në rrugë të madhe. Kush ka shpëtue i paprekun ka ikë ndër fusha e ndër katunde dhe nga mungesa e puntorvet dh’e ndihmavet shoqnore kufomat e viktimavet gjinden nëpër rruga e nëpër oborret e shtëpijave. Mungesa e shërbimeve Sanitare e Bashkijake asht për t’u vajtue me lot gjaku.

 

Episodë të mallëngjyeshëm

 

Në të trija anët që kufizojnë shtëpin e Dalip Helmësit, Sekretar’i Komitetit Qarkuer të Pejës, janë hjedhë bomba dhe materiali i tyne përmbysë mbi një pjesë të shtëpis së tij tue ia xanë mbrendë djalin 17 vjeçar. Baba i hutuem dhe i marrun menç prej tmerrit nuk din se kush ia rrëmbeu loçkën e zemrës. Dikurë zgjohet nga trishtimi e nga tmeri dhe fillon me ndegjue nji gjame, nj za të lodhun që me mxi ndigjohet. Tronditet zemra e prindit të mjerë i cili bërtetë si çmendun dhe lëshon kushtrimin në katër anët. Vrapojnë të gjallët dhe mbas 5 orë orvatjeje e pune të durimëshme, aj qi ishte destinue të vdiste pa exhel  në gërmadhat, shpëton për mrekulli. Si tham edhe ma sipër qyteti, Peja e bukur e plot ajr të freskët që lulzon me njerëz, mbas këtij bombardimi asht transformue në rrënime. Ura kryesore e qytetit asht shkatrrue fare, ndërtesat shembë, rrugat para mbushë me materialin e ndërtesave të shkatrrueme që pengojnë trafikun. Instalimet e elektrikut, t’ujnavet dhe telegrafa janë paralizue e nuk funksjonojnë. Një zija që kishte qendrue në vend tue besue se Peja nuk asht objektiv ushtarak, tash e kapun nga paniku i shkaktuem prej bombardimit kan shkue nëpër rretha jashta qytetit për me gjete strehë e mbrojtje. Çka asht për t’u vajtue ma tepër, ndihet mungesa e shërbimeve Sanitare e Bashkijake.

Me shkatrrimin e Spitalit Civil, të plagosunit dërgohen për mjekim në Spitalin ushtarak i cili me gjithë përpjekjet e mjekvet Gjerman, nuk asht në gjendje me i përballue. Asht për t’ardhun keq që në Pejë asgja nuk asht parashikjue për sa i përket shërbimeve dhe ndihmave të para mjeksore për të tilla raste. Gjith’ashtu mungesa e Kryetarit të Bashkis dh’e zëvendësit të tij në krye të detyrës, e ka lanë krejtë mbrapa shërbimin e detyrshëm të këtij instituti qi populli i nji qyteti ka të drejtë me kërkue e me prit nga Bashkija e tij e cila sigurisht asht krijue vetëm me urdhnue e me marrë taksa...

 

«Lidhja e Prizrenit», Nr. 23, 20.8.1944, fq. 2.

 

* * *

 

Peja na u-bombardue!

 

Populli Shqiptar i Kosovës, i përvuejtun edhe puntuerm mbi se nuk lehet i qetë e sulmohet pa u-ndalë prej Çetnikëvet e Partizanëvet por edhe më 13 Gusht Ajrorët Anglo-Amerikan lëshojnë bomba 100-500 Kgr., mbi Pejën e Haxhi Zekës.

Peja merr pamjen e nji gërmadhe. Viktimat, që llogariten, janë ma se njëmijë, përveç të plagosunvet. Peja na u-bombardue! Pa i shpallë luftë kuejt, pa kurrnji faj, pa mbrojtjen ma të vogël, bombat e randa shembin shtëpijat, shembin kasollet, këpusin shpirtna të njoma, mbysin njerëz të pafajshëm, veç me e çdukë rracën Arbnore t’onën prej këtij truelli, që ç’prej mija vjetësh ka qenë i banuem prej Shqiptarësh e që të parët na e lanë amanet, me ju lanë amanet breznisë s’ardhëshme n’amshim. Peja asht në Zi. Kosova asht në Zi. Shqipnija në mjerim për bijt e saj të mbytun dhe të vramë e të coptuem!

Peja asht në Zi, Nana Kosovë asht në Zi.

Qanë lokja djalin, qanë i biri nanën. Kërkon nana djalin, vajtojnë fëmijët prindjen. Asgjasohen lagjet, shemben shtëpijat edhe kuvendet e burrave Atdhetar, hudhen n’ajt gjymtyra të shëndoshë të racës s’onë heroike për Atme e për vend. Peja asht në Zi, Peja na u mbyt në tym e në gjak! Koka foshnjesh e koka grashë, duer pleqësh e duer nanash të pafajshme përbajnë kopshtin e gërmadhavet bombash të kalibrit të madh teroristik. Trupa viktimash e trupa familjesh të tanë edhe spitalet e shembuna me plot të sëmurëshm të grimcuem lëshojnë aromën e këtij kopshti teroristik, të dëshiruem kështu prej sevilëvet të Tito-s. Njerzì arrogante për nji popull të pafajshëm, humanizëm Titoje për nji popull të varfën, që nuk din, vetëm se me e mbajte vendin e me e gëzue lirinë deri aty, ku flitet gjuha e ambël Shqipja.

 

IBER

 

 

Falenderim Spitalit të Divizionit SS. “Skënderbeg”

 

Po sa mbrrini lajmi i pikllueshëm i bombardimit të Pejës, Kryetari i Komitetit Qendruer Shkëlqesa Z. Xhafer Deva bashkë me disa shokë e me dy mjekë, me njiherë u-nis për në Pejë tue marrë me vedi edhe nji autombulancë dhe barna mjekuese. Ishte rast’i mallëngjyeshëm, kur vetë Shkëlqesa, në mungesë të popullsis që kishin lanë qytetin, filloi me i nxjerrë nga gërmadhat të plaguemit, të cilët u-bajtën me autoambulancën e me lese për në Spitalin e Divizionit SS. Skënderbeg, ku djelmoshat S.S. të Mitrovicës që kanë qenë në Gjermani, si Husejn Llaziu, Ahmet Berberi, Hysejn Ymeri etj. me në krye Dr. Haupstrumfùuhrerin dhe Dr. Durmishin, mjekoshin e kalojshin n’operacione të plaguemit e bombardimit, që kapshin shumën e ma se 400 vetëve. Me këtë rasë tragjike për popullin shqiptar,” Lidhja e Prizrenit” parashtron falënderimet e veta ma të posaçme personelit të Spitalit S.S. për ktë njerëzi kaqë kuptimplote.

 

Po aty.

 

* * *

 

Kryetari i Lidhjes së Prizrenit pranë të damtuemve nga bombardimi në Pejë.
 

Me të marrë lajmin e kobshëm, Kryetari energjik i Lidhjes së II të Prizrenit, Shkëlqesa e Tij Xhafer Deva, tue qenë i shoqnuem prej dy shokëve të tij dhe mjekve të Prizrenit, u-nis për në Pejë, ku mbrrini mbas mjesnate, tue dërgue në vend edhe nji autoambulancë dhe nji sasi barnash mediçinet për t’u ardhë në ndihëm të plagosunvet nga bombardimi. Me të zbardhun drita, Shkëlqesa Deva duel nëpër qytet, sidomos ndër lagjet e rrenueme tue u-ndalë pranë të plagosunvet dhe familjeve të prekuna nga kjo fatkesië, të cilave përpiqej me u-a lehtësue mjerimin me fjalë ngushëllimi e enkurajimi, tue u-ìnteresue njikohsisht për transportimin e mjekimin e të plagosunve dhe vorrimin e të vramvet. Kryetari i Lidhjes, në bashkëpunim me Prefektin dhe Qark Komandantin e vendit, organizoi një varg masash me randësi për sa i përket rendit publik dhe shërbimeve të para për të tilla raste dhe ngeli shum i kënaqun, sidomos, prej Prefektit, Qark Komandantit dhe personelit të Policis qytetse, që nonse Drejtori i sajë ka ngelë i plagosun, vazhdonte shërbimin tue iu përgjegjë nevojavet urgjente të gjendjes, ndërsa nuk mshefi keq-ardhjen e tij për mungesat e Bashkis dhe t’autoriteteve të tjerë Qeveritare qi nuk janë tregue aspak në naltësin e detyrës në kët rast fatkeqsijet.

Ministrit Deva, gjith’ashtu shum i erdhi keq, që të parët dhe pasanikët e vendit, tue shkue nëpër vilagjatura e nëpër çiflleqët e tyne, qëndrojnë  kaqë indiferent kundrejt fatkeqsiës s’turmave popullore që sikur gjithkund e gjithmonë edhe këtë radhë pësuen péshën e randë të fatit të lig.

 

Sh. R.

 

  • Na vjen shum keq të konstatojmë se, si gjithmonë, mjerisht edhe në kët rast tragjik klasa e të pasunve – pronarë e kapitalista – e shtyeme nga egoizmi i tepruem që kalon kufijt e çdo detyre  njerzore asht kujdesue vetëm për vehten dhe për komoditetin e vet, tue lanë mbas dore e krejtë n’harresë turmën e vorfun të popullsisë – atë turmë të popullit po thomi, që mundohen me sigurue vetëm bukën e ditës dhe, në rasë nevojet, me luftue e me derdhë gjakun e vet për mbrojtjen e pasunivet të të parvet, të cilët e konsiderojnë vehten e tyne si klasë e privilegjueme.-

Ky realitet, që pasqyron edhe këtë herë syperioritetin e ndjenjavet njerzore të Shqiptarit të vogël dhe inferioritetin e shqiptarit të vet-quejtun i madh, duhet të shërbejë  si mësim për ata, që si thamë edhe ma sipër, kujdesohen vetëm për vehten dhe rrethin e tyne të ngushtë, kështu qi të çveshen nga egoizmi dhe indiferentizma, për të shikjue pak edhe për të tjerët që ndijnë nevojën e ndihmës dhe të përkrahjes.

 

 

Po aty.

 

Një fjalim me randësi i Kryetarit të Lidhjes II. Prizrenit.

 

Mbas bombardimit katastrofal të Pejës Kryetar’i Lidhjes II Prizrenit, qi nuk i ka dalë kohë me qindrue asnji ditë në vend, për me mujtë me u-organizue e me evitue sa asht e mundun rrjedhjet fatale të nji bombardimi tjetër, i mbajti popullit të Prizrenit nji fjalim të cilin po e botojmë këtu poshtë. Me dt. 15-8-944, n’orën 18.15 në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri” kishin xanun vend ndër karriga nji numër i madh qytetarësh, n’atë kohë urdhnoi Shkëlqesa e Tij Xhafer Deva i shoqnuem prej Antarve të Komitetit Qendruer të Lidhjes II P.

Mbas ni parapitje të shkurtë të zavendëz Kryetarit Bashkis, Z. Xhemal Limani, mbi qëllimin e mbledhjes shkëlqesa Xhafer Deva duel para ndigjuesve e filloi fjalën:

Lajmi i idhët i Pejës deri tash asht mësue prej të gjithve. Mbasi ka nji randësi të veçantë par ne, na dishroj më t’na ndigjoni edhe nji herë prej nesh, qi kemi pamun tragjedin e papërshkrueshme. Na të L. II. P. shpejtuem me shkue në vend për me muejtë me ju a lehtësue mjerìmin  atyne qi pa kurrfarë faji pësuen ndëshkimin ma të randë. Peja asht bombardue. Damet janë të mëdha, sa nuk dihen me saktësi. Janë 1000 të vram e 500 të plagosun, në mes të Shqiptarvet, Serbvet e të Malazezvet. Dy lagje nuk ekzistojnë ma. Spitali i Pejës asht zhdukë krejtë me çdo gja qi ka pasë mbrenda. Prej nji ode qi kishte pasë 12 të smund, ka muejt me shpëtue vetëm nji. Në këtë rasë falënderojmë Spitalin Ushtarak Gjerman, që, si kurdoherë edhe atë ditë ka tregue dashurin vllaznore tue mjekue pa pushim e lodhje popullsin e damtue. Fjala e jeme e sotshme asht për me marrun pjesë në dhimbjen e në zin e pa meritueshme qi na mbulojë, edhe ma tepër që të mos alarmohemi e veçanërisht të bisedojmë mbi organizimin e mbrojtjes kundër ajrore, për të përballue çdo rrezik, qi mundet me na ardhë nesër. Ushtri Gjermane në qytetin  e Pejës nuk ka, ata janë vendosun jashtë qytetit vendi nuk ka asnji objektiv ushtarak. Shteti Shqiptar nuk ka marrë pjesë në as nji anë ndër luftuese, por ndodhet në me të luftuesave. Na nuk dishrojmë tjetër gja veç të jetojmë të lirë e të qetë në vendin t’onë. Anglo-Amerikanët na marrin si me qenë në luftë kundra tyne, pse duen të terorizojnë, me nji akti shnjerzuer, çdo qenje njerzore, sidomos fëmijë, gra e pleq, të cilët kanë ma tepër nevojë për mbrojtje. Para 10 muejve u bombardue Tirana, por nuk mundet të barazohet kursesi me atë të Pejës. Mundet ku bombardim të kalojë çdo qytet të Kosovës, prandajë duhet të punojmë qi të mbrohemi, të shpëtojmë sa më tepër të mundemi. Asht nji zakon psikologjik i joni o ma mirë me thanë i Ballkansavet, me e marrë çdo punë me gjak të nxehtë e me nji tension të vrullshëm, e mandej me u-ftofë e me e lanë krejt, por kjo nuk ka me ndodhun ndër ne. Me të mirë o me të keq do t’i dalim në krye punës, qi kemi marrë për sipër. Shtëpit t’ona e dini të gjithë se si janë të ndërtueme, pa lidhje hekuri e çimentoje; mjafton tronditja e nji bombeje të randë 500 Kg. për me mujtë me i rrafshue shtëpijat për tokë, dhe në kjoftë se ajo do të ketë nji largësi të konsiderueshme. Nuk e keni parasyesh pamjen e mjerueme të qytetit të Pejës, nuk jemi ne në gjendje me i përshkrue rrënimet, shkatërrimet e deformimet e njerzvet, që janë shkaktue vetëm nga rrënimi i shtëpijave, por dijmë me ju thanë se fjalët t’ona janë të vërteta e ndoshta nuk janë të mjaftueshme për me tregue gjithshka ka ndodhun. Prej Pejës kemi pa nevojën e domosdoshme me u organizue për me muejt me shpëtue. Në Pejë mungesa e organizimit shkaktoi vdekjen e shumë njerzve që mund të shpëtoheshin me pak përpjekje. Kur shkuem atje autoritetet lokale nuk ishin në krye të detyrës: Kryetar’i Bashkisë as zëvendësi i tij nuk gjindeshin, dukesh se ishin largue në katund; Drejtor’i Financavet me tagrambledhësit e nëpunësit e tjerë dukej sikuer kishin me mbledhë tatimet nëpër katund; përveç Qarkomandantit me nji pjesë të personelit, të tjerët kish ikë: Shefi i policis plagos; Prefekti në detyrë: nëpunësit e ndryeshëm e banorët qi kishin shpëtue, kishin pasë marrun fushat. Në mest të qytetit, ndër rruga, hendeqem nën gërmadhat e shtëpijave, ndigjohesh ushtima e vajtueshme e disa qindra vetve, qi kërkojshin ndihem, kërkojshin me lot gjaku t’u afrohesh kush për t’a ngrejtë, lidhë plagët ose për t’ja u hjekë peshën e gurvet e të trenvet të shtëpijave, qi orë e çast vinte tue u randue ma tepër mbi to. Mësoj më sot, se mbas dy ditve të bombardimit, u gjinden nji oficer e dy civila të gjallë, të mekun prej urije e zakonit thirrës, nën gërmadhet e nji shtëpije. Sa e sa vet do të kenë vdekun në këtë mëndyrë!

I bëj apel nanave, mjerisht qi nuk i kemi këtu përpara, po ju lutemi nëpër mjet jush, gojë më gojë, të kalojnë e të njoftohen qi t’i mbajnë fëmijt pranë në shtëpi, mos t’i lanë me luejtë përjashta nëpër rruga.

Në Pejë janë gjetun 12 fëmij të vdekun në vende ku kishin qenë tue lujtë. Ju këshillojmë mos të ecni e të vraponi tue mbajt vështrimin kah bombarduesat, por të shtriheni ne tokë, të mos lueni nga vendi, në se bombardohemi, rreziku ka me qenë atëherë ma i pakët. Nga të gjitha arsyet duhet t’organizohemi!

Na në Pejë kemi konstatue se bejlerët, agallarët e zotnit e pasun, kishin ikë. Populli ka të drejtë të revoltohet kundrejt tyne. I vorfni lufton, punon çdo punë të mundëshme për me na sigurue  zotnive qenjen e rehatin t’onë. Nuk asht e drejtë as nuk e thoti Zoti me i a këthye shpinën tue e lanë në mëshirë të Zotit e në shpirtin qenik t’Anglo-Amerikanvet. Ti qi ke pare, qi mundesh me jetue pa punue, me ikë në katund vetëm me shpëtue vehten t’ande, asht e drejtë e ndershme me e lanë popullin t’andë tue vdekun rrugash prej buke prej bombash? Aj nuk mundet me ikë n’asnji vend, pse duhet me punue të gjithë ditën, në çfar-do pune e në çfar-do konditë për me sigurue bukën e familjes. Prej të larguemit e pasunikvet e prej mos përfilljes të vorfnvet lenë vetvetiu dasija e klasace qi kanë pasoja shumë të këqija. Duhet pra t’organizohemi. Dihet se për çdo punë duhen pare. Prej kurrgjajet nuk mundet të bahet gja. Pare e punë nuk mundemi me i kërkue vetëm punëtorit, qi banë shumicën e popullsisë s’onë, por prej atyne të pasunve, të cillët do të japin e do të punojnë me krah si të gjithë të tjerët pa dallim. Anglo-Amerikanët nuk shikjojnë ku ei hjedhin bombën prej nji naltësije 2000 metrash. Në Pejë kani ndigjue prej Serbo-Malazezvet tue thanë: “Mi nismo Turci” (mjerisht kështu na thërrasin e jo Shqiptar) “Mi nismo uçinili nishta”. Por edhe ata pësuen ma të randin mjerim. Pra Shqiptar, Serb, Malazez e kushdo tjetër i huej qi jeton pranë nesh do t’i përvishemi punës. Ata qi nuk duen me u interesue për shpëtimin e përbashkët janë të gjithë ata qi kanë ikë ndër katunde për me sigurue krenat e veta por edhe ata kanë me këthye pse nuk e thotë Zoti e as zemra ma e pa ndieshme, qi disa me shpëtue e disa të tjerët me vdekun. Çdo gja do t’a ndajmë së bashku. Organizmi i mirë, në se i përvishemi punës si duhet, ka me na ba të mundshme të shpëtojmë të gjithë e me dame fare të pakta. Në qoftë se zotnit e veshun mirë kapin kazmënm tue u ba shembull për punëtorit e inferiorit të tij, çdo gja ka me shkue mirë e shpetë. Dikush mundet me thanun nuk mundem me punue 8 orë në ditë me kazëm, mbasi në jetën t’ime nuk e kam kapun kazmën me dorë. I përgjigjemi se un vetë kamë qenë i pari e kam me qenë prap i pari qi do t’a rroku kazmën. Dita e parë asht pak e lodhshme, por mandej mësohet e s’ka me e ndie të lodhunit fare. Disa kanë pare e kishte me qenë mirë për ata me pague bedel, por bedel nuk ka; do të punojnë edhe ai qi prej pasunisë e rehatisë i asht rritun barku edhe me pakë gjimnastikë do t’i ulet. Ma fortë do të punojnë ata qi nuk dijnë ç’asht puna pasi nuk kanë punue deri më sot. Do të bashkohemi me punë pa dallim atje ku duhet e e lypë nevoja, për me sigurue nji herë fëmijtë, gratë, pleqtë, kemi shpëtue shumicën. E dij më fortë mirë antagonizmin në mest të Shqiptarve e Serbve, por në Pejë n’atë ditë të zezë, nuk u pa. Punuen të gjithë së bashku Shqiptar, Serb e Malazez, pa shikjue kush ishte e si i thonë emnrit, vetëm u mundojshin me shpëtue nji jetë njeriu. E përsëris se bombet nuk dinë se ku bijnë, prandaj edhe në qytetin t’onë nuk ka Shqiptar e Serb por vetëm Prizerjan, njerëz qi kanë të drejtë të gjithë me jetue. Pra të bashkuem, si nji njësi i vetëm do të punojmë t’organizuem ndër skuadra të veçanta. Në skuadra Sanitare, që Z. Dr. Shporta e ka marrë përsipër kët organizim. I bahet thirrje të gjithë motrave e të rejave të Prizrenit, me marrun pjesë në kursin Sanitar qi asht hapun, për me mësue me i ardh në ndihmë pa përjashtim bash-qytetarit në së nji ditë do t’a kemi edhe ne atë fat të zi.

Në skuadra për largmin e popullsisë nga qyteti, qi ka me fillue herën e parë me i largue fëmijtë, gratë, pleqtë e pastaj të tjerët me radhë. Në skuadra për gërmime gërmadhash etj. Udhëzimet e organizimit kemi me ju njoftue të gjithve njashtu si lajmrohet zakonisht këtu populli. Ishte mirë t’ju njoftonim me anë të gazetës, por fat-keqsisht del nji herë një javë e koha nuk pret.Mi të gjitha kërkojmë bindje të plotë, dishiplinë, vullnet e dashuni për punë. Kemi me fillue punën t’onë më të mirë, kush nuk ka ose nuk donë me marrë veshtë, kundër dëshirës s’onë, do t’a bajmë me anë të forcës të shtohet. Shteti Shqiptar asht në gjendje me i ba me punue e ndigjue ata që kundërshtojnë. Sot në këtë gjendje lufte jemi të gjithë të mobilizuem, jemi të gjithë ushtar, prandaj çdo urdhën pa përjashtim duhet të zbatohet në kohën e në vendin e lypun.

Shpëtimi jonë asht puna, organizimi dhe bindja ndaj urdhnavet.

Ju faleminderes e shpresojmë se kjo ditë ka qenë e vlefshme për punën e jonë të nesërme.

 

 

«Lidhja e Prizrenit», Nr. 23, 20.8.1944, f. 1 dhe 4.

 

* * *

 

Katilat e qytetnimit

 

Anglo-Amerikanët q’e kan shum zëd e pritëse m’u matë në lamë të fushës me kundërshtarët e tyne kan vazhdue gjithnji, gjatë kësaj përleshjeje vigane, t’u bijnë më qafë popullateve civile tue masakrue papra gra, pleq’e fëmij, nëpërmjet aviatorësh terroristë, të cilët ia kan shitë shpirtin shejtanit dhe krenohen kur munden me ba të tilla krime që janë nji njoll’ e  zezë për qytetnimin dhe për historin njerzore. Edhe Peja e mjerë, Peja Shqiptare, që nuk i ka shpallë kurrkujt luftë, që ka shikjue vetëm e vetëm me zbatue ligjin e natyrshëm të vetmbrojtes kundë sulmuesavet Serbo-Malazez të cilët kërkojnë me i grabit lirinë, që tjetër faj nuk ka ba veçse i ka dhanë bukë e të gjitha të mirat e tjera të kësaj bote miqve dhe anmiqvet, më 13 Gusht 1944, u-ba objekt sulmimi  të tillë terroristik që, po të merret në konsideracjon numri i popullsis, proporcjonalisht ia kalon ndoshta të gjithë qyteteve t’Europës q’u ka takue rreziku me provue mjerimet e luftës, ndaç thuej për kah numri i viktimave, ndaç për kah randësija e damevet materiale, të cilat nuk mund të llogariten dhe të përshkruhen. E pse, pra, Peja e mjerë të sulmohet kaqë tmerrësisht dhe të gjykohet me dhanë kaqë shumë viktima.

A dro ajo ua prishi qejfin Anglo-Amerikanve, pse nuk u rrafshue dhe nuk u-shue fare, nji vjet’ e gjysëm ma parë, kur stërnipat e Neronit ia futën zjarrmin për të vetmin faj qi kishte ba tue thanë se: kam qenë dhe due me mbete Shqiptare! Jo, po, ata e dijnë mirëfillit se Peja nuk asht as nuk mundet me qenë nji objektivë ushtarake që formon ndonjë rrezik sa me meritue nji katastrofë të tillë, por asht sistemi shkatërrimtar që nëpërmjet të tilla aktesh terroristike të shtohen n’aktivin e tyne viktimet e luftës. Dhe të tanë këjo kërdi bahet n’emen të qytetnimit dhe të liris së popujvet!... Por edhe Peja, e me të krejtë Kosova, do t’a vazhdojë tragjedin e sajë shumë herë dhetëvjeçare, tue i durue bombardimet dhe mjerimet e luftës, me shpresë se nji ditë do të triumfojë drejtësija kundër zullumit e egoizmit njerzuer dhe gjaku i viktimave e i dëshmorve të ramë në mbrojtjen e kufijvet t’ Atdheut do ta çementojë lirin e Kosovës dhe bashkimin e saj njiherë e përgjithmonë me Nanën Shqipni.

 

Gurra e Bardhë.

 

«Lidhja e Prizrenit», Nr. 23, 20.8.1944, f. 1.

 

 * * *

 

Hollësina rreth bombardimit të Pejës

 

Në lidhje me bombardimin e Pejës, Prefektura e vendit nep këto hollësina:

Bombardimi asht bamun mbi lagjet e qytetit Karagaq e Kapeshnicë dhe nji pjesë të lagjes Vorrët e Gjata si dhe në qendrën e qytetit e në zgjatim të rrugës Shqipnija të lagjes Puhovc. Lagjët Karagaq e Kapeshnicë, janë dëmtue në mënyrë krejtë të randë dhe po thuej nuk ka ngelë asnji ndërtesë në kambë. Lagjet “Vorret e Gjat”, Puhovci dhe qendra e qytetit, janë të dëmtueme në shumë vende. Ajrorët anmiq nuk kanë qillue asnji objektiv ushtarak, kanë qillue e shkatrrue përveç banesave të tjera:

  1. Rreth Komandën e Gjindarmerisë, ku asht shkaktue vdekja e 15 gjindarmve.
  2. Asht qillue Spitali Shtetnuer, ku kanë gjete vdekjen 6 të smuet dhe të tjerët mrekullisht kanë shpëtue.
  3. Asht qillue Bashkija e shkatrrue krejtësisht, ku ka gjete vdekjen nji polic.
  4. Janë damtue gjithashtu dhe dy  nga Xhamit e qytetit (Xhamia e Karagaqi dhe Xhamija e Kuqe).
  5. Janë damtue gjithashtu në mënyrë të lehtë lokali i Prefekturës, Zyra  Post-Telegrafike si dhe Zyra e Pyjeve, ku në këtë të fundit ka ngelë i vdekun i ndyeri Ingj. Nexhat Basha. Po ashtu janë damtue kanalet e ujit të pishëm të qytit, lidhje telefonike dhe drita elektrike e qytetit.

Deri tani si mbas konstatimeve të bame rezulton të jenë shkatrrue afro 450 shtëpi  si dhe numri i të vramve e i të plagosunve kalon 1000 frymë.

Nga tmer’i bombardimit e gjith popullsija pa përjashtim, asht largue nga qyteti dhe ndodhet me banim në rrethet e katundeve të Pejës. Shumë nga familjet nuk kanë gjet ende strehim dhe ditë e natë i kalojnë përjashta të strehuem ndër vneshta, kollomoqe e tjera vende, tue u mshemfë prej ajrorëve anmiq që dita ditës e natën bajnë shikime zbulimi. Prefektura në fjalë shton dhe se gërmimet për zbulimin dhe nxjerrjen e viktimave gjithnji vazhdojnë.

 

«Lidhja e Prizrenit». Nr. 25, 3.9.1944, f.4.

 

* * *

 

Ndihma për të plagosunit dhe të damtuemit nga bombardimi i Pejës.

 

  1. Qeverija Shqiptare .... Fr. Shq. 500.000
  2. K. N. M. L. .... Fr. Shq. 120.000
  3. S. I. T. A. .... Fr. Shq. 10.000
  4. Shoq. S. A. S. T. E. B. .... Fr. Shq. 10.000
  5. Bajram Sokoli .... Fr. Shq. 2.000
  6. Ismail Sefa D. Sastebi .... Fr. Shq. 3000

 

 

 

Lidhja e Prizrenit. Nr. 25, 3.9.1944, f.1

 

 

Ndihmë Mjeksore në Pejë.

 

Drejtorija e Përgjithshme e Shëndetësisë për t’i ardhur në ndihmë të damtuemve nga bombardimi në Pejë ka dërgue tre mjek Z. Z. Dr. Koliqi, Dr. Argjeli, Dr. Dako, me nji sasi barnash. Mjekët në fjalë mbassi dhanë ndihmat përkatëse u-këthyen për në krye të detyrës.

 

 

Po aty.

 

* * *

 

SHTETI SHQIPTAR

MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME

DREJTORIA E KORRESPODENCËS

 

Tiranë më 19 Gusht 1994

 

 

TELEGRAM URGJENT

 

PREFEKTURËS

PEJË

 

 

 

Komiteti Qëndruer për të ndihmuar të Mjeruemit e Luftës ka vue në dispozicjon të Komitetit Krahinuer athe 100.000 fr.shq. me qëllim që të ndihmohen banorët e damtuem nga bombardimet ajrore n’at qytet. Po për këtë qëllim ay ka vue në dispozicjon të Drejtoris së P. të Shëndetësis shumën për fr.shq. 20.000, me të cilën do të blehen medikamente të ndryshme e që kanë me u dërgue atje sa më parë.

 

ZAV. MINISTRI.

 

 

 

DREJTORIS SË PËRGJ. TË SHËNDETSIS

 

TIRANË

 

 

Për dijeni e me lutje të shpejtohet tërhekja e shumës fr. shq. 20.000, tue u interesue kështu për blemjen dhe dërgimin e barnave në Pejë sa ma parë.

 

 

ZAV. MINISTRI

(firma)

 

 

F. 202, V. 1944, D. 396, fl.

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...