Oshtima

Sllavizimi i onomastikës së vendbanimeve mesjetare arbane, në arealin e Kosovës, të Nishit dhe të Shtipit

Ky punim ka për objekt studimi trajtimin dhe shqyrtimin për herë të parë të sllavizimit të onomastikës së vendbanimeve mesjetare arbane që kishin për bazë substratin e protoshqipes, përkatësisht të gjuhës popullore të vjetër shqipe në arealin e lartpërmendur.

Disa toponime si vendbanime të asaj kohe i hasim të sllavizuara me nga dy emërtime (dubleta) me formën popullore të shqipes, si edhe me formën administrative të gjuhës sllave-serbe që kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe për të dëshmuar autoktoninë e popullsisë shqiptare që nga mesjeta e hershme e deri në ditët e sotme, natyrisht me forma të sllavizuara. Mirëpo, kemi edhe raste kur rendi i fjalëve te disa toponime është shënuar sipas natyrës dhe strukturës së gjuhës shqipe: Petrili Arbanas (Petrili (i) Arbneshit), Bernica Arbanas (Bernica (e) Arbneshit), të njëjtat më vonë i gjejmë në regjistrat kadastrorë osmanë me trajtat dhe strukturën sllave, si: Arbanashka Petrili dhe Arbanashka Bernica, toponime që gjendeshin në rajonin ndërmjet Novobërdës, Medvegjes dhe Leskofcit. Po ashtu kemi edhe shumë toponime protoshqipe të kalkuara nga administrata mesjetare sllave, me etnonimin - Arban, si: Arbanashka e Kumanovës nga viti 1330-1348, që edhe sot e kësaj dite ekziston si vendbanim 27 km në veri të Kumanovës,[1] tani e populluar vetëm me popullsi maqedonase, pastaj Arbanas, emri tjetër sllav Zubovc, Arbanas, emri tjetër Zhigani, Arbanas, emri tjetër Serishnik, që në mesjetë kanë ekzistuar në rrethinën e Shtipit, mandej Arbanas, emri tjetër sllav Krushevic, Arbanas, emri tjetër sllav Sushic, Arbanas, emri tjetër Hobotinc, Arbanas, emri tjetër sllav Slavujevc, që në mesjetë kanë ekzistuar në rajonin e Nishit-Prokupjes, ndërsa tani nuk ekzistojnë me etnonimin Arbanas, sepse i ka sllavizuar administrata mesjetare serbe.

Në burimet mesjetare osmane kemi hasur edhe në toponime me origjinë të shqipes që administrata sllave i kishte përkthyer në gjuhën e vet, si: Bardus me emrin tjetër sllav Belosh, Bardin - Davidovc, Kastrat- Kostrce, Kodra-Kodretin, Malishte- Maloshishte po ashtu në rajonin Nish-Prokupje.[2]

Edhe në arealin e Kosovës hasim toponime mesjetare të protoshqipes të përkthyera në sllavisht, si: Guri Kuq, emri tjetër sllav Zllatar në Berane, Guri Kuq (emri tjetër) me emrin sllav Obrinje në masivin malor të Çiçavicës, Guri Kuq, emri tjetër sllav Crveni Kamen Dibër, Bardoniq, emri tjetër Beliq, Palabard, emri tjetër Belopavliq, Mjekr Bardh, Duga Shuma, Bardosan emri tjetër sllav Lipovac në rrethinën e Gjakovës, Petra Barda, emri sllav Dolna Suma, Lug-Mal-it - Maletin Lug ndërmjet hapësirës së Lumës dhe Prizrenit, Shën Petri, emri tjetër Sveti Petka, Shen Mrija-Sveti Marija etj., në rajonin e Tropojës.[3]

Disa toponime - vendbanime shqiptare në krisobulat serbe të shek. XIV kishin qenë të regjistruara vetëm me emërtimet dhe format sllave, ndërsa në burimet osmane - turke të shek. XV-XVI shumë vendbanime i gjejmë me nga dy emërtime: shqip dhe sllavisht, çka do të thotë se administrata mesjetare sllave nuk i ka shënuar emërtimet e vendbanimeve burimore popullore të gjuhës shqipe, por vetëm emërtimet të cilat i ka ndryshuar, madje edhe kalkuar dhe përkthyer administrata mesjetare sllave. Këto burime historike të proveniencës osmane-turke krejtësisht mohojnë teorinë dhe tezën e historiografisë sllave dhe asaj serbe se kinse në trevat e Kosovës, Maqedonisë së sotme dhe në arealin e Nishit, Vrajës, Kumanovës dhe të Shtipit nuk ka pasur vendbanime dhe popullsi shqiptare deri në fund të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XVIII.

Siç dihet, territoret prej Nishit (Naissus) e deri te Velesi (Bilazora), që në mesjetë ishin të përfshira në hapësirën e Dardanisë antike. Në fund të shek. IV dhe në fillim të atij V këto territore kanë hyrë nën sundimin e Bizantit deri në fund të shek. IX, ndërsa gjatë shek. X dhe XI (927-1018) përkohësisht hyjnë nën sundimin e bullgarëve, të cilët me pak ndëprerje sunduan më se 100 vjet, territore këto që përsëri i rikthen Bizanti nën sundimin e vet shtetëror deri në fund të shek. XII. Dhe, administrata mesjetare serbe nuk ka qenë e vendosur në territorin e Kosovës deri në fund të shek. XII dhe në fillim të atij XIII.

Qysh gjatë sundimit mesjetar bullgar (927-1018), në hapësirën e Dardanisë ishte vënë shtresa e parë e toponimeve sllave mbi bazën e toponimeve të protoshqipes. Ky shtresim sllav ka vazhduar me intensitet edhe më të madh gjatë shek. XIII-XIV, kur tokat shqiptare u pushtuan dhe u administruan nga Nemanjidët serbë për dy shekuj, deri në depërtimin e osmanlinjve në Kosovë (1389), kohë kur vazhdoi njëkohësisht gjendja e dypushtetësisë paralel serbe dhe osmane, deri në vitin 1455, kur territori i Kosovës fillon definitivisht të administrohet nga osmanlinjtë.

Para se të ofrojmë dëshmi onomastike për sllavizimin e toponimeve dhe antroponimive shqiptare po i paraqesim disa teza të historiografisë serbe lidhur me praninë e shqiptarëve në mesjetë në hapësirën e Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme e të cilat do t’i diskutoj gjatë shtjellimit në këtë punim.

Në shumë shkrime dhe vepra historike të studiuesve sllavë, e sidomos të atyre serbë, edhe sot e kësaj dite, dominon teza e falsifikuar, e shpikur dhe e lansuar nga historiografia serbe, e cila kinse e ka dëshmuar se para luftërave austriake-osmane-turke të viteve 1689-1690 dhe të atyre të viteve 1737-1739 nuk kishte popullsi shqiptare në territoret e Kosovës, të rajonit të Nishit dhe të Maqedonisë së sotme. Sipas autorëve serbë, vetëm pas këtyre luftërave shqiptarët filluan të zbresin nga malet e tyre dhe të vendosen në tokat pjellore të Maqedonisë dhe të rajonit të Nishit. Ndër të parët që e lansuan dhe e falsifikuan këtë tezë, se në hapësirën e Dardanisë nuk kishte popullsi shqiptare para shek. XVII, ishin: J. Cvijiç,[4] Vladan Diordjeviç,[5] Stojan Protiç,[6] Spiridon Gopçeviç,[7] Jovan Hadjivasiljeviç, Andrija Joviçeviq,[8] Rista Nikoliç,[9] Todor Stankoviç,[10] Branislav Nushiç,[11] Jovan Tomiç,[12] Milisav Lutovac,[13] Milenko S. Filipoviç,[14] Jovan Trifunovski,[15] Atanasie Urosheviç,[16] Mitar Peshikan,[17] Milica Grkoviç,[18] etj.

Në librin Historia e popujve të Jugosllavisë,[19] të hartuar nga një grup autorësh e të botuar në vitin 1960, dhe, të ribotuar disa herë, pa fije kritike dhe pa kurrfarë baze shkencore, ndër të tjera thuhet: “Pas luftërave të mëdha austriake-osmane-turke u shkaktuan ndryshime të mëdha etnike në Maqedoni dhe në Kosovë. Gjatë shek. XVII dhe XVIII malësorët shqiptarë, sidomos ata të fiseve të Malësisë e të Mirditës, i vërshuan Kosovën dhe Maqedoninë”. Në vazhdim të të njëjtit libër thuhet: “Gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII midis Serbisë dhe Maqedonisë depërtoi etnosi shqiptar, duke përfshirë Shkupin, nga të dy anët e Vardarit, duke depërtuar nëpërmjet luginës së Llapit dhe të Moravës Jugore, arriti që depërtimet e veta t’i drejtonte kah Toplica, Kosanica, Nishi dhe Morava e Madhe.”

Të gjitha shkrimet e mëhershme, sikurse edhe ky shkrim në librin e lartpërmendur, lidhur me depërtimet dhe praninë e vonshme të shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni dhe në rajonin e Nishit janë falsifikime të kulluara me qëllime të caktuara, të cilat i ka projektuar politika serbomadhe për të krijuar « të drejtën historike» për të pushtuar trojet shqiptare, projekt ky i hartuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë në Beograd. Autorët e lartpërmendur serbë, dhe shumë të tjerë, siç theksuam më lart, falsifikuan shumë gjëra, e në veçanti të dhënat për strukturën etnike dhe demografike të Kosovës dhe të Maqedonisë për mesjetën. Këta autorë kryesisht janë shërbyer me burime narrative tradicionale serbe dhe nga epika popullore e shumë vepra të tjera politikologjike dhe mitologjike.

Kohët e fundit, dy studiues onomastikë-linguistë serbë, Milica Gërkovic dhe Mitar Peshikan, për dallim nga autorët e tjerë serbë, u munduan që në bazë të lëndës onomastike që ofrojnë krisobulat serbe mesjetare, si dhe të defterëve të parë të shek. XV të nxjerrin konkludime arbitrare duke u bazuar në shumicën e emrave sllavë që janë regjistruar në këto burime mesjetare, pra, sipas tyre, edhe në aspektin etnogjuhësor në Kosovë dhe në Maqedoni ka dominuar popullsia serbe.

Sipas Milica Grkovic,[20] në bazë të statistikave të emrave të nxjerrë nga krisobulat e Deçanit prej 12.842 emrave 11.118 janë me prejardhje sllave, ndërsa 1078 me prejardhje të krishterë kalendarike dhe gjithsej 648 emra të onomastikonit shqiptar, vllah ose me ndonjë prejardhje tjetër, por shumë emra të tipit Tola, Bera, Troshan, Susa, Lazor (Lazër-I.R.), me forma të shqipes, të shënuar në krisobula me trajta sllave, Toloje, Beroje, Lazar, që dalin shpesh të regjistruar në këto burime, i kanë mbajtur dhe i mbajnë edhe sot e kësaj dite shqiptarët e jo sllavët, ajo i ka konsideruar dhe i ka llogaritur si emra të sferës sllave, duke e zvogëluar fondin e emrave të kryefamiljarëve shqiptarë.

Edhe studiuesi tjetër serb, Mitar Peshikan,[21] sikurse Milica Gërkovic, pohon se edhe defterët osmanë e dëshmojnë lëndën e ngjashme onomastike me atë të krisobulave sllave, ku shumica e emrave i takojnë onomastikonit sllav. Ai e merr si shembull fshatin Morinë të Gjakovës, ku mbizotërojnë emrat tradicionalë shqiptarë, si Gjon, Gjin, Leka, Lesh etj., duke i krahasuar me fshatin Jasiq të Deçanit ku mbizotërojnë emrat sllavë, si Radoslav, Milosh, Radiç, Brajan etj., mundohet ta përcaktojë kufirin e zonave etnogjuhësore mes popullsisë serbe dhe asaj shqiptare, duke shtrirë kufirin mesjetar serb edhe në pikëpamje etnike deri në kufijtë e sotëm me Shqipërinë, kinse e banuar me popullsi sllave, e cila kurrë nuk ka dominuar në hapësirën e Dukagjinit.

Këta edhe autorë të tjerë nuk i marrin për bazë rrethanat dhe kushtet historike të cilat ndikuan që popullsia autoktone vendëse shqiptare dhe vllahe qenë të detyruara të marrin emra tipikë sllavë. Kjo shihet qartë nëse analizohen emrat e kryefamiljarëve si dëshmi onomastike se fëmijët shqiptarë dhe ata vllehë mbanin emra tipikë sllavë dhe mbiemrat e tyre tipikë shqiptarë e vllehë, të cilët sado të paktë në krisobulat sllave, janë më të shumtë në defterët osmanë që pa mëdyshje e vërtetojnë procesin e sllavizimit të onomastikonit tradicional shqiptar dhe të atij vlleh. Këtë sllavizim, përveç studiuesve të mirëfilltë shqiptarë S. Pulaha[22] dhe M. Tërnava[23] , e hetojnë edhe studiuesit e huaj, boshnjaku A. Handzic,[24] çeku J. Jirecek,[25] kroatja Vesna Cestariç e së fundi edhe historiani i njohur anglez Noel Malkolm,[26] i cili, duke u mbështetur në Aktdhuratën e Banjskës të vitit 1313-1314 në të cilën janë regjistruar 444 emra serbësh dhe 117 emra joserbë, arriti në përfundim se këtu bëhet fjalë për një proces të vazhdueshëm serbizimi.

Lidhur me atë që u tha më lart së pari po sjellim një të dhënë nga Karta e Stefanit të Parë të kurorëzuar për Zhiçen e vitit 1210,[27] e cila përmban 154 emra serbë dhe 54 joserbë, prej tyre 54 persona janë qartazi shqiptarë ose vllehë (si p.sh: «Mik», «Doda», «Bukor», «Sharban» etj. Këtu kemi dy emra shqiptarë dhe dy vllehë.

Në një aktdhuratë tjetër të mëvonshme të despotit serb Stefan Lazareviç,[28] përmenden disa persona si dëshmitarë të Gjyqit: Nikola Goisalik nga fshati Livoç, Bogdan-i dhe Bulan-i nga fshati Cërnicë, pastaj njëfarë Voisav-i dhe Berush-i. Në fshatin Zhegër përmenden Ivan Suliar dhe Rapash-i (Rrapi, -I.R.). Nga këta emra dy prej tyre dalin si emra karakteristikë të shqiptarëve në mesjetë.

Si dëshmi më të hollësishme onomastike për sllavizimin e emrave shqiptarë po japim të dhëna edhe nga krisobulat e Manastirit të Deçanit dhe dokumentet e tjera serbe mesjetare në të cilat shihet se emrat shqiptarë ishin në simbiozë me ata sllavë dhe të krishterë, si: Toloje me të birin e tij Miroslav-in dhe Brajen-i, i vëllai (i tyre) Gjon-i ; Dobrivoj me të birin Brajamil-in dhe Gjon-i, i vëllai i tij Drajko; Pavl me të birin Brzota-n ? (Bardhota, -IR.), Gjon-i, Gjuraq-i dhe Brajmil-i; Dimitar-i me bijtë Dolko, Gjuraq dhe Gjon; Lazor-i (Lazër,-I.R.) me të bijtë Prvoje dhe Ozroje; Bogde Tanusheviç (Tanush+prapashtesa sllave -viç) me të bijtë Povrshko Semanoviç-in dhe Bogdan Manojloviç-in; Dolin, i biri Gjon-i, vëllai i tij Miloje; Radije Bojihniç, Branoje e Bogoje me gjyshin e tyre Doman ? (Domi, -I.R.), i vëllai i tij Redil;

Nikola me të birin Rajko, gjyshi i tij Lesh-i; Dragoslav, i vëllai i tij Boja dhe Muriq-i ; Gjon-i, i biri i tij Tudor-i; Bogdan me të birin Progon-in ; Pavl, i biri Gjon-i. Në fshatin Papraçane Rajko Gjinoviç (Gjini), i vëllai i tij Priboje dhe Bogoslav; fshati Rastovica Shoq, i vëllai i tij Dobroslav-i; fshati Grmoçel Bogoje Shushkoviç (Shusha), Predoje Tolanoviç (Tola); Dragija me të birin Dobra dhe Rajko; Gjyshi i tij Shushko (Shusha), Raduj Troshanoviç (Troshan-i, - I.R.); Stanoje, vëllai i tij Dojin-i, i biri Smil-i, gjyshi i tyre Goden-i; Stanoje Godenoviç (Goda) dhe Dojin- i (fshati Lloçani); Milac Toljenoviç (Tola), Diminca i biri i tij ; Bujko dhe Franc-i; Toljko, i vëllai i tij Radomir-i ; Radej Dosheviç (Dashi,- I.R.); Drajiç, Domanoviç (Domani); Hlap Guribradiç mendojmë se ky patronim është formuar me anë të metatezës nga dy fjalë të shqipes (Guri- Bardiq,[29] -I.R.) fshati Çabiq.

Në fshatin Bulup-i, që në mesjetë ishte feud i kishës së Deçanit, e që sot gjendet në Shqipëri, në të cilin e hasim një familje që gjatë sundimit mesjetar sllav (sikurse kryefamiljarët e lartpërmendur), kishte marrë emra tipikë sllavë, e që si mbiemër ende e mbante patronimin e stërgjyshit Gurikuq-i, si: Bogoje Mazgar, djali i tij Dragoslav-i dhe Dragoshi, dhe vëllai i tij Rajko, ndërsa gjyshi i tyre (mbante mbiemrin) Kurikuq-a[30] (i shënuar me gjenitivin serb me formantin-a), nga trajta e mirëfilltë shqipe Gurakuqi.

Nga të gjitha këto të dhëna antroponimike, e sidomos nga dy dëshmitë e fundit, shihet qartë se fëmijët dhe vëllezërit mbanin emra tipikë sllavë, ndërsa stërgjyshërit e tyre mbiemra tipikë shqiptarë, siç u pa më lart vëllazëria shqiptare i ruante patronimet protoshqiptare Guribardiq dhe ai Gurikuq, natyrisht me forma të sllavizuara.

Duke i analizuar krisobulat e Deçanit, studiuesi serb St. Stojanoviç[31] është i pari që gjeti disa banorë shqiptarë emrat e të cilëve ishin në simbiozë me ata sllavë dhe të krishterë, si: baba Shodoje (nga shqip Shodol, njeri i gjatë), ndërsa i biri i tij kishte emër tipik sllav Dragija; babai Gjini, i biri i tij Mojan-i; Baldovin, i biri i Milesha-s; baba Marojc, i biri i Beran-it; Milonja e të bijtë e tij Gorg, Rajko dhe Curi; babai Bogdan, i biri i tij Progon-i; babai Bogdan, i biri i tij Lesh-i; gjyshi Bukur, nipi i tij Brajko dhe Miroslav-i ; gjyshi Prekal-a, nipi i tij Milosh-i, Dobran-i ; gjyshi Goç-i, nipi i tij Tvrdoja ; gjyshi Bukur, nipat

Miloje-Dolko; babai Lesh-i, i biri Nikola, nipi Rajko; babai Tolan, i biri Bratoslav, nipi Toli-slav. Nga kjo shihet se prej tre emrave, dy ishin shqiptarë, dy sllavë e një i krishterë. Babai Butko, të bijtë Shoq-i dhe Dobroslav-i, vëllezërit: njëri emrin serb e tjetri shqiptar, si p.sh. Drajko dhe Gjon-i (vëllezër), Brajen-i dhe Gjon-i (vëllezër).

Me këtë problem merret edhe I. Ajeti,[32] duke konstatuar mendimin e Stojanoviçit se është shumë vështirë të përcaktohet përkatësia etnike në bazë të emrave vetjakë, por Stojanoviçi nuk bëri përpjekje që të zgjidhet kjo enigmë shkencore, për të përcaktuar edhe përkatësinë e kryefamiljarëve që mbanin emra karakteristikë tradicionalë, për dallim nga ata që mbanin emra sllavë.

Toponime parasllave mbi bazën bard të protoshqipes, si Bardus- i; Bardin-i; Bardon-ica; si dhe ato mbi bazën mal dhe mol si; Malishte, Malça, Maloshishta, Maliçka, Maleva etj. Gjakus-i; Gjunis-i, Tanus-i, Kodra, Plaka kanë ekzistuar deri në mesjetën e vonë në arealin e Nishit e më gjerë deri përtej Kumanovës dhe Shtipit.

Edhe sipas të dhënave të defterëve kadastrorë të administratës osmane shihet qartë se krahas sllavizimit të antroponimisë shqiptare në një masë të konsiderueshme ishte bërë edhe sllavizimi i popullsisë shqiptare në aspektin etnik. Kjo shihet sipas dëshmive onomastike që po i japim në vazhdim.

Në fshatin Gotovushë të nahijes së Moravës kemi këtë simbiozë shqiptaro-sllave: Ivan i biri i Mazarik-it[33] (Mazrekut), Rada i biri i tij, Radislav i biri i tij, Dabzhiv-i i biri i Mazarik-it, Radoslavi i biri i tij dhe Jovan-i i biri i tij. Dëshmia e dytë, fshati Shtaricë[34]: Radko i biri i Lul-it, Nikola i biri i tij, Radislavi i vëllai i Lul-it, Stepani i biri i Lul-it dhe Radislavi i vëllai i Lul-it. Dëshmia e tretë në fshatin Gjelekar[35] (që gjendet ndërmjet Ribariqit dhe Tutinit): Obrad i biri i Branka-s, Novak i biri i Branka-s, Berisha i biri i Branka-s, Radonja i biri i Berisha-s, Radihna i biri i Branka-s, Radonja tjetër i biri i Berisha-s. Këtë sllavizim onomastik e ka vërejtur edhe studiuesi boshnjak A. Handzic, i cili thotë se shqiptarët qysh në brezin e dytë i kanë marrë emrat sllavë.[36] Për sllavizimin e onomastikës së vendbanimeve arbane mesjetare më gjerësisht shih punimin e I. Rexhës.[37]

Burimet osmane, sidomos regjistrat kadastrorë osmanë, i dëshmojnë pohimet e dy ballkanologëve të njohur, Milan Shuflaj,[38] historian dhe etnograf i shquar, i cili thekson se vendosja e sllavëve kishte rënë mbi popullin shqiptar si një sëpatë që i kishte prerë në veri dhe në jug disa degë të trungut të tij dhe e kishte ngushtuar brenda një territori më të vogël. Edhe Konstatin Jireçek,[39] historiani i mirënjohur me prejardhje çeke, duke folur për ilirët mendon se shqiptarët gjatë periudhës romake gjysmë të romanizuar, që ishin të parët e arbanëve, gjatë shtegtimeve të popujve sllavë prej maleve midis Dalmacisë dhe Danubit u shtynë më në jug. Ky ka shkruar se shqiptarët jetuan në katërkëndshin Ohër-Vlorë-Shkodër-Prizren me disa degëzime larg në veri të Prizrenit, si dhe se ata kanë jetuar në mesjetë edhe në qytetet e Kosovës, por asgjë nuk ka thënë për shqiptarët që jetonin nëpër vendbanimet rurale meqë nuk i kishte regjistrat e administratës osmane. Prandaj, teza e Jireçekut, me zbulimin e regjistrimeve të vendbanimeve të Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë është tejkaluar, meqë këto burime vërtetojnë se shqiptarët jetonin që nga Nishi dhe përtej Shtipit e Bilazorës - Velesit (në Maqedoninë e sotme - I. R.).

Lidhur me këtë çështje po sjellim të dhëna për disa vendbanime mesjetare me toponomastikë parasllave që dëshmon se ato janë krijuar para vendosjes së administratës sllave në tokat shqiptare, pra para shek. XII, kur vetëm pas tërheqjes së Bizantit nga trevat e Kosovës, në vitet 1186-1196, Nemanjidët serbë arritën ta pushtonin dhe ta vendosnin administratën e tyre në një pjesë të viseve të Kosovës.

Në vijim po përmendim toponimet mbi bazën bard, të cilat dalin për herë të parë në defterët e shek. XV që i kemi hasur në vendbanimin me emrin Bardus[40] me formën e latinizuar që gjendej në afërsi të Kurshumlisë dhe i sajuar nga baza bard+us=Bardus. Toponimet me substratin iliro-arban, përkatësisht me bazën e protoshqipes bard, i kemi gjetur në rajonin e Nishit-Prokupjes 15 vjet para se të pushtohet Kosova definitivisht në vitin 1455 nga ana e osmanlinjve, që dëshmon se në vendbanimet shqiptare në këto vise dhe në ato të Kosovës kishte popullsi shqiptare, dëshmi këto që e hudhin poshtë tezën e falsifikuar serbe se kinse popullsia shqiptare u vendos në Kosovë dhe në rajonin e Nishit vetëm në fund të shek. XVII dhe XVIII.

Dëshminë e parë për emrin Bardinus me formën e latinizuar, nga emri i protoshqipes Bardh, e has në ujdhesën Pag[41] të Kroacisë qysh në shek. XI (1071), që na e jep historiani i mirënjohur çek Konstantin Jireçek, si dhe formën tjetër Barda që e has në Tivar në vitin 1400. Edhe në krisobulat mesjetare serbe dhe të shek. XIV i hasim disa mikrotoponime me bazën bard. Po ashtu oronimin - Alpet Shqiptare e kemi hasur me emrin Mali Bard të protoshqipes te gjeografi arab Al- Idrisi,[42] në fund të shek. XI dhe në fillim të atij XII. Pastaj toponimet mbi bazën bard i hasim në dokumentet raguzane dhe sllave gjatë shek. XIV, siç del i regjistruar mikrotoponimi Bashtina-Bardina,[43] në anën e Prizrenit.

Emri Bard (Bardh- I. R.) është shumë i lashtë dhe i takon proveniencës iliro-dardane nga Bardus, i përhapur më vonë edhe te shumë popuj të tjerë të Ballkanit që nga koha ilire-antike.

Sipas studiuesit kroat Duje Rendiq Mijoçeviç, në onomastikën shqiptare ky emër ka depërtuar nëpërmjet gjuhës dhe shkrimit latin me trajtën Bardius.[44] Është i njohur fakti se gjuha latine pas pushtimeve romake të viseve të banuara me popullsi ilire bëhet mjeti kryesor i të shprehurit shkrimor të ilirëve dhe në mënyrë të padiktuar i ka futur format romake në onomastikën e vjetër tradicionale ilire.

Me prejardhjen e këtij emri janë marrë edhe disa studiues të tjerë: Anton Mayer-i,[45] Hans Krahe[46] të cilët substratin e emrave Bardus, Bardulis, Bardibalus, Bardeius, Bardurius e konsiderojnë me prejardhje ilire. Edhe albanologët shqiptarë Eqrem Çabej[47] dhe Idriz Ajeti[48] pohojnë se fjala me bazën bard dhe barz, qoftë antroponim, patronim apo toponim, rrjedh nga fjala ilire apo nga protoshqipja bardh, fjalë kjo që është shumë e dendur dhe e përhapur në të gjitha viset etnogjuhësore shqiptare.

Apelativi bard përveç në burimet e tjera mesjetare na del edhe në defterët kadastrorë osmanë, herë si antroponim dhe herë si toponim me trajtat Bardus, Bardos, Barda, Bardo, Bardonja, Bardan, Bardyl, Bardova, Bardovci etj, dhe variantet e tij barz, barl, barë, pard, bal dhe vard, si reflekse të fjalës bard > bardh.

Sipas studiuesit maqedonas Petre Ilievski dhe studiueses serbe Milica Grkoviç, emri Bardo, nga bel-o, del mjaft i shpeshtë në arealin e Ballkanit që ka lidhje me emrin iliro-dardan Bardilis.

Vendbanimi tjetër mbi bazën bard, që del në Sanxhakun e Nishit, në rrethinën e Leskofcit, është toponimi Berdonic[49] me alternimin e tingullit -e, në vend të tingullit -a, Bardonic i zgjeruar me formantin e sllavishtes -ic. Toponimi ishte sajuar nga apelativi i shqipes bard me sufiksin e greqishtes -on, me prapashtesën sllave -ic, Bard+on+ic > Bardonic (Bardhon+ic).

Në rrethinën e Rozhajës toponimi Bardon është shkruar herë me formën Bardoniq, herë me formën e shtrembëruar Bordoniq,[50] i sajuar nga baza bard+on+iq > Bardoniq.[51] Bardoniqi tjetër i rrethinës së Gjakovës po ashtu është sajuar nga baza bard+on+iq>Bardoniq. Bardosan[52] i Gjakovës (emri tjetër sllav Lipovac), i sajuar nga baza bard+os+an(e)>Bardosan= Bardhoshan. Bardiq[53] (i) Nishit, i sajuar nga baza bard+iq>Bardiq. Bardis-i, Bardiz-i, i sajuar nga baza bard dhe prapashtesa greke -is, bard+is>Bardis, trajta shqipe Bardiz (që gjendej mes Prizrenit e Shkodrës). Bardovci[54] i Shkupit dhe Bardova[55] e Shtipit, Batus-i[56] (i) i Fushë- Kosovës, i sajuar nga bat+us > Batus, në formën shqipe na del Batush. I njëjti toponim na del në Toplicë me formën e greqizuar dhe të sllavizuar Batonofc,[57] i sajuar nga bat+on+ofc > Batonofc, si dhe toponimi Batusha e Hasit[58] dhe Batusha[59] e Studeniçanit afër Shkupit janë shënuar me trajtat e shqipes nga bat+ush+a > Batusha si edhe toponimi me trajtën e shquar shqipe Botusha[60]-Batusha, në nahijen e Kërçovës.

Toponime parasllave të protoshqipes mbi bazën dard-a kemi hasur ojkonimin mesjetar Darda [61] në Pashtrik, pastaj ojkonimin tjetër Dardas-i,[62] në rrethinën e Ohrit, i sajuar nga dard+as+i>Dardas-i, trajta shqipe Dardhashi. Darda dhe Dardasi[63] midis Prizrenit dhe Shkodrës, ndërsa dy toponime të tjera i kemi hasur në formën e shtrembëruar nga administrata sllave si Darllan[64] dhe Dardishte në hapësirën mes Medvegjës dhe Leskofcit, pastaj Dardiq61 në anën e Rozhajës dhe Dardiq-i tjetër në anën e Rogoznos-Bihorit, si dhe mikrotoponimin Darlan[65] në katundin Cërnicë të Gjilanit, i cili është shënuar nga administrata sllave e hershme me tingullin -ll, në vend të tingullit -dh. d.m.th. me formën e shtrembëruar nga trajta burimore e mirëfilltë e protoshqipes Dardan-Dardhan në Darllan.

Toponimi mbi bazën Das-a,[66] nga Dash, për herë të parë përmendet mbi një mbishkrim të datuar në shek. V - VI të erës sonë, i gjetur në rrethinën e Ulpianës së atëhershme nga arkeologu i mirënjohur shqiptar Skënder Anamali.

Sipas disa mbishkrimeve të hershme arkeologjike, ky toponim me bazë patronimike, dëshmohet në anë të ndryshme të Dardanisë antike, me format: Dassi (Andia Dassi Rafinus Dassi, Aniee Dassi). Me bazë të njëjtë, janë edhe emrat Dastit ose Dassos, nga mbishkrimet e periudhës së latinitetit edhe në vise tjera të Arbërisë[67] mesjetare.

Studiuesi Andreja Vukiçeviç[68] emrin antik Dasto, Dastus, në hapësirën e Dalmacisë (Dast Scirt en Dalmat) e lidh me apelativin e gjuhës shqipe Dashtun-Dashun. Edhe studiuesit e mirënjohur kroatë Duje Rendiq Mioçeviç[69], R. Katiçiç[70] dhe Vedrana Gotovac, Dassto, Dassnat, Dassomenus dhe Dassius i konsiderojnë emra ilirë.

Toponimi Dasiq-Dashiq në rajonin e Vushtrisë, si edhe Dashefc në anën e Klinës, dy toponime me emrin Dashinc në Toplicë dhe dy të tjera në rajonin e Rozhajës dhe të Bihorit.

Toponimet mbi bazën e fitonimit lule për herë të parë i gjejmë në burimet osmane të shek. XV, Lulkofc?4 i sajuar nga baza lul+o+ofc > në masivin malor të Çiçavicës, pastaj në rrethinën e Leskofcit dy toponime si G. Ljuljisa dhe D. Ljuljisa 5 (Lulisa e Epërme dhe Lulisa e Poshtme - I. R.), të shënuara me formën e greqizuar Lulis-a nga apelativi i fitonimit të shqipes lule dhe sufiksi i greqishtes -is dhe formanti -a i serbishtes Lul-is-a (Ljuljisa).

Po ashtu, në rajonin e Jeni Pazarit i hasim dy toponime mbi bazën e fitonimit të shqipes G. Ljuljaç, D. Ljuljaç[71], (Lul+aç > Lulaç-i i Epërm dhe Lul+aç> Lulaç-i i Poshtëm-I.R.), të cilat i ka deshifruar dhe i ka lexuar drejt studiuesi boshnjak H. Shabanoviq dhe nuk kemi të bëjme me apelativin e sllavishtes Llulla, që disa studiues serbë mundohen ta lidhin me fjalën sllave llulla-kamishi i duhanit. Në rethinën e Novobërdës e hasim mikrotoponimin me trajtën Luloza-Luluza[72]>Lulza.

Në Toplicë i hasim këto toponime me prapashtesat latino-greke: -us, -os,-is, si: Tanus-Tanusius,[73] trajta shqipe Tanush (në rrethinë të Kurshumlisë), Tarkus-Tarkos,[74] nga tark-thark+os>Tarkos-Tarkus, mes Jeni Pazarit dhe Rashkës. Në këtë hapësirë këtë toponim i cili nuk mund të pranohet e ubifikoi H. Shabanoviq dhe s’ka të bëjë me vendbanimin e sotëm Trikose, që disa studiues serbë e identifikojnë mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Në anën verilindore të rajonit të Llapit ekzistonte nje toponim si vendbanim (me kuptim fshati te Qafa e Malit - I. R.)me formën e shënuar në regjistra kadastrorë osmanë që mund të lexohet në dy mënyra, si Qavos[75] e si Qafos. Mendojmë se ky toponim ka për bazë apelativin e shqipes qaf(ë)+os>Qafos = Qafes, me ndërrimin e tingullit -f në -v nga ana e administratës së hershme sllave, të cilin e regjistroi edhe administrata osmane pa ndonjë ndryshim. Po ashtu një toponim tjetër me formën e greqizuar Gjun-is-Gjon-is > Gjunis,[76] e kemi hasur në rrethinën e Leskofcit.

Toponimet mbi bazën -mal, -mol, të cilat janë me bazën e apelativit të protoshqipes - mal gjatë procesit të romanizimit, e më vonë edhe të sllavizimit në hapësirën e Ilirikut gjatë periudhave të kaluara, i bënë rezistencë formës latine -mont dhe asaj sllave -pllanina, siç thotë onomasti i njohur sllav Milivoj Pavloviç.[77] Këtë oronim të protoshqipes e kemi hasur në më se 20 toponime që ekzistonin në mesjetë mbi bazën mal në hapësirën e Kosovës dhe jashtë saj, duke filluar nga Nishi, Vraja e Shtipi në verilindje dhe përtej Jeni Pazarit dhe në një hapësirë më të gjerë të Ballkanit. Edhe Danilo Barjaktareviç[78] apelativin e shqipes mal e lidh me hapësirën e Ilirisë (Illiricum).

Në defterët kadastrorë osmanë të shek. XV e hasim toponimin e regjistruar me formën G. Malç dhe D. Malç, (Mal-ça e Epërme dhe Mal-ça e Poshtme > Malça, -I.R.), ndërsa në hartat topografike austriake dhe angleze të shek. XIX e gjejmë vetëm si një vendbanim me formën Malça që gjendej në veri të Nishit, ndërsa një toponim tjetër me formën Malishte në jug të Nishit.

Po ashtu në defterin e Sanxhakut të Nishit të vitit 1494 e gjejmë të shënuar vendbanimin me formën Maloshishta,[79] nga fjala e shqipes mal+osh+ishta > Maloshishta, që në atë kohë si edhe sot e kësaj dite gjendet në jug të Nishit. Ky vendbanim kishte 81 shtëpi, 35 beqarë dhe 8 të veja. Emrat e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishin të sferës krishtero-sllave, mirëpo në mesin e kryefamiljarëve kishte edhe kryefamiljarë me emra tradicionalë të krishterë shqiptarë: Konstandin i biri i Arbanas-it, Mark-u i biri i tij; Gurguri i biri i Pavlit, Pavli i biri i Brajsal-it; Gurguri i biri i Brajsal-it, Petri i biri i Brajsal-it dhe Dushman-i i biri i Brajsal-it.

Në rajonin e Krushefcit e gjejmë të regjistruar toponimin me dy forma: Maletint[80] dhe Maletino, [81] nga pluralia tantum i shqipes malet+in+o >Maletino, nga apelativi i protoshqipes me bazën mal.

Në rrethinën e Prokupit e gjejmë toponimin e regjistruar me formën Malushic[82] nga fjala mal dhe prapashtesa -ush e shqipes si edhe prapashtesa +ic e sllavishtes, si mal+ush+ic > Malushic.

Në hapësirën e Jashanicës së Epërme në afërsi të Ribariqit, mes Gazivodës dhe Tutinit, e gjejmë toponimin mesjetar të protoshqipes Maljevçe,[83] nga apelativi i shqipes malj+evçe > Maljevçe.

Në rrethinën e Jeni Pazarit ekziston toponimi me emrin Malosh,[84] ndërsa në hartat topografike austriake është shënuar me formën Malesh[85] dhe në Sallnamenë e Vilajetit të Kosovës me formën Malefça.

Në rrethinën e Gjilanit e hasim toponiminMalofça,[86] i regjistruar në defterin e Novobërdës të fundshekullit XV (1497-1498), ndërsa në nahijen e Izvornikut e hasim toponimin me formën tjetër Malisheva që ka të bëjë me vendbanimin e sotëm në rrethinën e Gjilanit.

Në regjistrat kadastrorë osmanë, në fshatin Hodanofc të Kamenicës, e hasim mikrotc^ponimin me parashtresën shqipe -ner të togfjalëshit Bashtina Nermaf nga ner+mal > Nermal.

Në defterin e Sanxhakut të Vushtrisë të shek. XVI e hasim një vendbanim në rrethin e Komoranit me dy emërtime: Tumaleva[87] = Temali, emri tjetër Sankofc nga Stankofc. Toponimi i parë është sajuar nga dy gjymtyrë, nga prefiksi -tu në vend të parafjalës -te (formë dialektore popullore e shqipes) dhe apelativi i shqipes -mal+ prapashtesa sllave -eva > Tumaleva.

Në defterin e shek. XV për Rrafshin e Kosovës e gjejmë të regjistruar toponimin me formën Mokrmal,[88] të sajuar nga dy gjymtyrë: nga mokr, fjalë me etimologji të errët, ndoshta nga fjala greke okris>kodër, me protezën -m, mokris, dhe me shndërrimin e o-së në -a, makris, dhe pas rënies së prapashtesës greke -is na del toponimi me togfjalëshin dhe shqiptimin nga mokr në makr+mal>Makrmal. Edhe në Sallnamenë e Vilajetit të Kosovë, të vitit 1900 është regjistruar me formën Mokrmal e në Sallnamenë tjetër Mokramal në vend të Makrmal. Shqipfolësit e quajnë Makërmal, ndërsa sllavofolësit Mokromal. Sipas konfiguracionit gjeografik, vendbanimi është i vendosur në një kodër të vogël mali dhe nuk ka të bëjë me fjalën sllave -mokri, i lagtë, i lagshtë.

Në hartat topografike angleze (1860-1868) është shënuar toponimi Malese[89] i shënuar me formën e shtrembëruar në vend të emrit të mirëfilltë burimor Malesi, atëherë të një vendbanimi të vogël që gjendej rrëzë masivit malor të Sharrit që gjendej mes fshatrave Bob e Rakaj të Kaçanikut, ndërsa sot ekziston vëllazëria që e mban mbiemrin e këtij toponimi - Malësiu.

Po në këto harta topografike e hasim të shënuar toponimin me formën Maluk,[90] nga mal+uk, vendbanim që atëherë gjendej në afërsi të fshatit Masuricë të Vranjës.Në rrethinën e Shkupit në defterët osmanë e gjejmë të regjistruar toponimin me formën Malëishte,[91] nga apelativi i protoshqipes mal+ë+ishte > Malëishte.

Po në rrethinën e Shkupit e hasim ojkonimin tjetër me togfjalëshin Gumaleva," formë tautologjike, do të thotë toponim i hibridizuar, për të cilin deri më tash nuk flet askush. Ky toponim dygjymtyrësh, sipas nesh, është sajuar nga pjesa e tij e parë, nga fjala e gjuhës persiane -gu(h), (ku shkronja h- ka rënë), me kuptim të malit, dhe gjymtyra e dytë e tij është nga apelativi i shqipes -mal, me prapashtesën sllave -eva, si gu+mal+eva > Gumaleva. Ky vendbanim mesjetar kishte edhe kryefamiljarë me patronime karakteristike tradicionale shqiptare, sipas leximit tonë, si: Radosav i biri i Prenko-s; Domeniku i biri i Sapo- s (Capo-s); Rela i biri i Sapo-s (Capo-s); Dhimitri i biri i Damo-s (Dhamo-s), etj.

Në defterin e timareve të Vojnukëve të shek. XV të Sanxhakut të Qustendilit, në të cilin përfshihej kazaja e Shtipit, ku përveç emrit të oronimit që e mbante nahija e Maleshevës, është shënuar edhe toponimi si ojkonim me të njëjtën formë -Malesheva.[92] Sipas natyrës së gjuhës shqipe, e jo sipas trajtës sllave Maleshevo.

Përveç toponimeve që i përmendëm më lart, kemi edhe toponimin e vjetër mesjetar, i cili për herë të parë përmendet në krisobulën e Stefan Deçanit nga viti 1330 me formën e shtrembëruar Unjemir,[93] në vend të formës Ujmir, që del në Klinë.

Në defterin e Vilajetit Vlk[94] të vitit 1455, për Rrafshin e Kosovës, toponimi është i regjistruar me grafinë arabe-osmane që lexohet vetëm si Unmir-Onmir, ndërsa paleografët osmanë nga Sarajeva këtë toponim e kanë lexuar si Onamir dhe Onemir, sipas natyrës së gjuhës sllave, sepse toponimi nuk është shënuar me ndonjë fonemë që do të na reprodukonte zanoren -a apo -e për ta lexuar këtë toponim dygjymtyrësh si Ona-mir apo si One-mir, lexim ky që në shqipe na jep kuptimin Ana e Mirë. Kjo dëshmon se administrata osmane emrin e këtij toponimi e ka shënuar me trajtën e shtrembëruar të marrë nga regjistrat kishtarë sllavë, meqë në dokumentet e mëvonshme të administratës osmane e hasim me emrin Ujmir, e jo trajtat e shtrembëruara sllave Unjemir, Onamir, Onemir, Unmir apo Onmir.

Vendbanimi Ujmir në vitin 1455 kishte 12 shtëpi, 1 të vejë dhe 1 beqar. Emrat e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishin të sferës sllavo- krishtere, me përjashtim të dy kryefamiljarëve: Bogavec i biri i Plak-it dhe Pec-in i biri i tij. Emrin e formës shqipe Plak përgatitësit e defterit e kanë lexuar jo drejt - Beljak.

Ky toponim në sallnametë e Vilajetit të Kosovës na del i shënuar me formën e shqipes Ujmir,[95] dhe nuk del në asnjë regjistër tjetër osman me trajtën sllave Dobra Voda, në rrethinën e Klinës.

Një vendbanim tjetër mesjetar me emrin Ujmir e kemi hasur të regjistruar në dy defterë të Sanxhakut të Dukagjinit të shek. XV dhe XVI,[96] në rrethin e Elbasanit. Kjo është një dëshmi e fortë që mund të ndihmojë se toponimi Ujmir i Klinës në mesjetë është shtrembëruar nga administrata e hershme sllave. Po të ishte toponimi sllav Unjemir më i vjetër ai me siguri do të përdorej edhe gjatë periudhës osmane dhe pasosmane, e jo si Dobra Voda, që përmendet për herë të parë mbas vitit 1930-1940, e që shihet qartë se semantikisht, fjalë për fjalë, është përkthyer nga toponimi i mëhershëm i shqipes Ujmiri.

Glisha Elezoviç,[97] këtë vendbanim e gjen të shënuar në Katastikun e kishës së Deviqit në vitin 1761 me format Unemir dhe Unamira, ndërsa në Fjalorin e vendeve dhe vendbanimeve të Mbretërise Serbe-Kroate-Sllovene për vitin 1925 e gjen të shënuar me formën e shqipes Ujmir, e jo dubletën e tij Dobra Voda, dhe, lidhur me këtë emër thotë: « Fjala është pa mëdyshje shqipe, me siguri nga ujë në voda, ose nga ona-ana e mir = dobra, lepa strana.

Glisha Elezoviçi ishte anëtar me korrespondencë i ASHA të Serbisë dhe po të kishte qenë fjala sllave Unjemir e përshtatur me Ujmir në gjuhën shqipe ai do ta shpjegonte këtë dukuri meqë e njihte mirë gjuhën shqipe.

Historiani serb Rela Novakoviç,[98] mendon se Ujmiri i Klinës që del në krisobulën e lartpërmendur me formën Unjemir duhet lidhur me fshatin sakson Wunschoitz që lidhet me emrin sllav Unemir-Unislav të Çekisë. Edhe Jirecek në një punim të tij, duke e cituar krisobulën e vitit 1330, thotë se vendi Unjemir është një emër i vjetër - antroponim serb, pa u thelluar më tepër në etimologjinë e këtij emri. Këtu duhet theksuar se kemi të bëjmë me toponimin dygjymtyrësh të shqipes uj(ë) /i/ mirë>Ujmir, e jo me antroponimin (emrin) serb Unjemir.

Edhe Muhamet Tërnava,[99] në një punim të tij me titull «Shqiptarët e sotëm të Kosovës në dritën e toponimeve », nuk pajtohet me mendimin e këtyre historianëve serbë, duke pohuar se krisobula e Deçanit nuk është ruajtur në formën origjinale, por në përshkrim të origjinalit dhe askush nuk mund të garantojë se edhe në origjinalin e saj ky toponim ishte shënuar si Unjemir e jo si Ujmir.

Për këtë arsye mund të mendohet se kjo diferencë e vogël midis këtyre dy trajtave të emrit të këtij vendbanimi mund të jetë shumë lehtë rezultat i ndonjë gabimi të padëshirueshëm të përshkruesit të krisobules, aq më parë kur gabimet e këtilla nuk ishin të rralla për dokumentacionin mesjetar, sidomos kur ai përshkruhej disa herë. Tërnava nuk e përkrah mendimin e historianit Rela Novakoviç, duke thënë se ky toponim ka prejardhje shqipe dhe është marrë nga shqipfolësit dhe këtë formë që e ka edhe sot e ruan që nga shek. XIV, duke cituar edhe mendimin e Eqrem Çabejt se ky toponim rrjedh nga gjuha shqipe.

Edhe Latif Mulaku dhe Mehmet Halimi mendojnë se ky toponim është përkthyer nga Ujmiri në Dobra Voda dhe përkthimi i tij është shumë i vonshëm. Në këtë frymë është krijuar toponimi Kroni i Bardhë (te Nushiqi, Kronj te Bal) me përkthimin gjithnjë të futur në kllapa (Bela Voda). Po kështu kemi edhe toponimet turke Kara Su (Uji i Zi), Ak Su (Uji i Bardhë) dhe Eksi Su (Uji Mineral).

Toponimi tjetër mbi bazën ujë është një vendbanim tjetër që del në krisobulën e Deçanit të vitit 1330 që gjendet në juglindje të Gjakovës. Autorët serbë supozojnë se ky toponim ndoshta e ka marrë emrin sipas një mali të quajtur Ujezdin që gjendej 15-20 km në anën perëndimore të fshatit Koshare. Edhe pse forma e toponimit shqiptar ishte shtrembëruar, shihet qartë nënshtresa e tij shqipe, meqë trajta sllave Ujezdin nuk ka kurrfarë kuptimi në gjuhët sllave, prandaj gjatë sundimit të shtetit mesjetar serb mori edhe emrin tjetër sllav Radotinc. Siç shihet, ky toponim është përfituar nga apelativi i shqipes ujë dhe prapashtesa e gjuhës shqipe -ëz, dhe në fund toponimi merr formën shqipe Ujëz.

Ky toponim është regjistruar edhe në dy defterët[100] e Sanxhakut të Dukagjinit nga viti 1571 dhe 1591 në nahijen e Domeshtinit me dy emërtime, me atë Radotinc dhe Ujëz, që administrata sllave para kohës osmane kishte bërë përpjekje ta ndërronte toponimin shqip më të vjetër Ujëz për t’ia humbur gjurmën e toponomastikës shqiptare, duke e zëvendësuar me atë sllav.

Ky toponim është ruajtur deri më sot meqë në atë kohë në këtë vendbanim nuk kishte popullsi sllave dhe toponimi sllav i imponuar mbeti vetëm si gjurmë në këto dokumente. Ky toponim më vonë krejtësisht u zhduk, ngase popullsia vendëse nuk e kishte futur në përdorim asnjëherë.

Të dhënat onomastike të defterëve kadastrorë osmanë pohojnë se gjykimi i historiografisë sllave, e sidomos i asaj serbe, se kinse deri në fund të shek. XVII dhe fillim të atij XVIII nuk ka pasur popullsi shqiptare, përveç asaj sllave, në hapësirën e Kosovës, Maqedonisë së sotme dhe në rajonin e Nishit e të Shtipit, nuk përkon me të vërtetën historike dhe me realitetin shkencor. Prandaj nuk mund të qëndrojë hipoteza e tyre se shqiptarët kanë qenë vetëm si blegtorë, xehetarë dhe tregtarë të kohëpaskohshëm në këto treva, ngase këto burime relevante dhe të dorës së parë bindshëm pohojnë praninë dhe në shumë vendbanime shumicën absolute të popullsisë shqiptare në mesjetë që ishte e veshur me antroponomi sllave. Këto burime pohojnë bindshëm se popullsia shqiptare kryesisht merrej me bujqësi dhe me veprimtari të tjera ekonomike që i kanë shlyer detyrimet fiskale ndaj administratës osmane.

 

 

Ilijaz Rexha


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...