Oshtima

Disa të vërteta

Ndoshta jemi i vetmi komb, që me realitetin e sotshëm nuk po konformohemi. Edhe sot po vazhdojmë t’a kundrojmë jetën me nji pikpamje tashma të vjetërueme nën prizmën e koncepteve që i përkasin vetëm të kaluemes së popujvet. Ende nuk jemi në gjendje t’u përshtatemi rethanavet që ka krijue e po vazhdon të krijojë për ditë jeta e këtij shekulli me frymën e vet e sidomos me ndërmarrjet e veta qi synojnë ndërtimin e nji rendi të ri europian, bile botnuer. Po vazhdojmë të ndjekim rrugën e dikurshme të egoizmave mesqine, të miopis krahinar, të shërbimit vetëm të vet vehtes, të kënaqësisë s’ambicjevet personale dhe të lakmive të ulta. E mira vetjake, interesi personal, formon ende cakon e veprimevet t’ona. Gati të tmerrojnë kontrastet e mëdha, që shef njeriu n’ambientin t’onë të vogël, që quhet Shqipni. Krejt bota në flakë, nji përleshje e tmerrshme po i mban në ankth shpirtnat, mija jetash shduken, mija vlera rëxohen, për me i a u lanë vendin krijimit të vleravet të reja. Flakën, zjarrin e kemi në votrat t’ona, krahinat shqiptare u bënë hi e pluhun, me mija janë shqiptarët e mbetun pa strehë, pa bukë në mëshirën e fatit dhe në nji gjendje dëshpërimi të thellë. Dhe ndërsa turmat e mbetuna pa plang e shtëpi, pa kafshatën e bukës enden të hutuem drejt errësinës, shofim të tjerë, që i kryejnë spekulimet ma të turpshme për me sigurue interesë vetjake.

Të flasim çiltas e të kuptohemi mirë

Ndërsa mjerimet e punëtorit, e nëpunësit, e zejtarit dhe e produktorit të vogël që formojnë boshtin kombit kanë mbrijtun në kulm, të tjerët kanë sy e faqe të ndërtojnë pallate, të çojnë jetë luksoze, të bredhin me vetura, të vijojnë të përqendrojnë përpjekjet e tyne për t’i shërbye shpirtit që i a kanë shitun me kohë djallit. Nuk asht punëtori i këputun, bujku i zbathët, nëpunësi i unshëm dhe emigrandi i pa buk, që formojnë mizerjen shoqnore shqiptare, por janë ata, që nën maskën e një nacjonalizmi të gënjeshtërt kanë vazhdue dhe po vazhdojnë gjithnji t’i shërbejnë vehtes së tyne. Nacjonalista sot dhe nacionalista mit, vetëm sa për dukë dhe vetëm sa për të mshefun qëllimet e vërteta të nji egoizmit sa primitiv, kaq edhe të damshëm.

Nacionalizmi ka nji kuptim modern

Asht koha të përcaktojmë pak ma qartas domethanjen e nacjonalizmit. Nuk asht nacjonalist ay, që tue pa vuajtjet e mijë bashkë-atdhetarvet të vet të mos konformohet e të mos pjesëtohet krejtësisht me vuejtjet e me theroritë e tyne. Koha e atij nacionalizmi qi shtynte pakicën në theroritë ma të mëdhaja për sigurimin e interesavet të shumicës ose për plotësimin e interesavet të disavet, mori fund dhe perëndoi nji herë e përgjithmonë. Sot kemi nji nacionalizëm të ri me nji kuptim ma të gjanë: atë që kërkon detyra, të drejta dhe therori të njajta për të gjithë. Atë që paraqet nji kolektivitet kompakt në vuejtjet, në hidhërimet, në disfatat, po ashtu sikurse edhe në gëzimet dhe në të mirat.

Nacionalizmi që njeh dhe përkrah privilegje, kur masa e popullit po mbytet prej nji krize landore e shpirtnore të pa shëmbëllt në histori do t’ishte nji nacjonalizëm kriminal, i pa kuptim dhe i pa vend.

Me qindra mija kilometra jemi largue prej asaj forme të nacjonalizmit që formonte vetëm nji mjet për me ba dallavera. Jemi në kohën e nji nacjonalizmi konkret me kufizime, të cilin duhet t’a ndjejë deri në palcë seicili që ban pjesë në kolektivitetin shqiptar, qoftë gegë i toskë, kosovar o çam, dibran o kurveleshas. Dhe nji nacionalizëm i tillë mbështetet në nji frymë të ré: në frymën e nji solidarësije të plotë kombëtare, në të cilën çduken privilegjet, çduken ambicjet personale dhe egoizmi. Kur njerëzit e ndjejnë vehten të detyruem pse janë nacjonalista në këtë rast duhet të ndihmojnë shoqi shoqnë me gjithshka dhe, po të jetë nevoja edhe me jetën e tyne për me mujtë me sëndërtue konkretisht idenë kombëtare.

Të përbashkëta: lumturi e fatkeqësi

Nji «nacjonalizëm» që mbështetet ende në nji mos barazim detyrash, të drejtash dhe therorinash, formon nji anakronizëm të shëmtuet. E ardhmja asht për ata popuj, që mbajnë vrapin në frymën e kohës. Rythmit të jetës së sotshme të kombeve në kët përleshje, të pa asnji shembëll në histori, mund t’i bajnë ballë kombet që janë shpirtnisht të fortë. I tillë asht kombi kur pjestarët e tij, si kafshatën ashtu edhe mundin e kanë të përbashkët; po edhe kur hidhërimet, vuejtjet dhe fatkeqësit i kanë të përbashkëta. Koha e lyp t’u shtrohemi therorivet të njajta. Asht kriminel i shoqnis ai, që vështron vetëm lëkurën e vet. Djemt ma të mirë të Shqipnisë po japin dit për dit gjakun e tyne për të mirën e këtij vendi. Nanat motrat, fëmijët e tyne kanë mbetun rrugëvet. Vatrat e tyne janë mbyllun. Asht kriminel ai, që përpara lotvet të fëmijëvet të mija dëshmorëvet nuk zgjuhet dhe nuk kupton realitetin e sotshëm shqiptar, i cili imponon të ndajsh kafshatën e bukës dhe thërimen e fundit bashkë me ata.

 

«Lirija e Shqipnis», 14-VII-1944.

Zef Bregu


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...