Oshtima

Detyra e kapitalistit shqiptar

Kur nji komb të ketë fitue pamvarsin e tij politike, në qoftë se dëshiron që lirija e fitueme me aq sakrifica dhe frytet e saj të mos shduken por të kalojnë në duert e pasardhësve, lypset qi të fillojë me nji herë nga puna ne të gjitha fushat e aktivitetit. Shdukja e pamvarsis politike në shumë rrethana të kohëve të sotme, nuk asht gja tjetër veç përfundimi i masave të marra ma parë për sundimin ekonomik të shtetit viktimë. Shëmbëlla të këtillë kemi të shumta dhe sidomos shëmbëllen e gjallë e gjejmë në historin e kohëve t’ona të fundit.

Padrejtësisht traktateve të paqes të përfundueme në dobi të njanit apo tjetrit fqinjë suallën në dritë me shkatrimin e Imperatoris Otomane nji shtet Shqiptar të cunguem dhe të pazotin me pasë një indipendencë ekonomike. Mjafton të hedhim sytë te statistikat vjetor të shkëmbimeve tregtare me shtetet e tjerë prej vitit 1920 e këndej dhe kemi me konstatue një sbilanç pasiv të fortë për ç’do vjet ndërmjet eksportimeve dhe importimeve t’ona; sbilanç i cili ka qenë mundur të përballohet, mbas mbarimit të luftës botnore deri më 1925 me rezervat e arit që shqiptari kishte mundur të grumbullojë si gjatë sundimit Otoman ashtu edhe gjatë luftës botnore; kurse mbas kësaj date, ky sbilanç u përballue vazhdimisht nga t’ardhunat në formé huaje të jashtme që shteti kontraktonte për plotësimin e buxhetit të vet o për  ndërtimet e reja rrugore etj. që nevoja e përparimit dhe përmirësimit të gjendjes kërkonte. Vazhdimi në këtë rrugë që na shpuri drejt katastrofës, siç u vërtetua edhe me fakte, nuk i detyrohet vetëm fatkqësis që kushin pregatitë dhe gatue traktatet me padrejtësit e tyne, duke na lanë jashta kufijve toka të begatëshme dhe qind për qind shqiptare, porse edhe mënyrës së veprimit të nji pjese të pasanikve t’onë si edhe burrash shtetit, të cilët nuk u interesuan me shtue dhe shfrytëzue prodhimet bujqësore dhe blegtorale, baza themelore t’ekonomis s’onë kombëtare, por preferuen që kapitalet e tyne të depozitoheshin pranë bankave të jashtme ose këto kapitale i shtinë në veprime që nuk sillshin ndonjë dobi ekonomis së përgjithëshme por vetëm ndonji përfitim modest personal. Që të mos vërtetohet edhe njëherë fakti i hidhur që shteti të plotësojë sbilançin pasiv të tregtis së jashtme me borxhe të marra nga jashtë, që t’i sigurohet një e ardhun e mjaftueshme aparatit shtetnor në mënyrë që ky të mos marrë rrugën e së kaluemes, dhe ma në fund, që të sigurohet mirëqënja e të gjithë nënshtetasve duke i venë këta në gjendje me i shtue dhe plotsue nevojat e tyne dhe jo me í paksue, duhet që pasanikët t’onë të zgjohen nga letargjija.

Ata duhet të formojnë mendimin se ç’do shqiptar mbrenda mundësive të veta, ashtu siç ka të drejtë me jetue e me fitue në gjinín e familjes shqiptare, edhe në pajtim me interesat e kësaj familje, po ashtu ka edhe detyra karshi asaj. Bota e jashtme asht prej kohe në përparim dhe të mirat landore të këtij përparimi nuk duhet t’i mungojnë shqiptarit që ban pjesë në familjen e madhe Europjane. Për pasojë, në dashim që të mos bëhemi shërbëtorët e të huajve, duhet që të vihemi në gjendje me numrue në vend dhe aq ma keq të bëjmë mbrapakthim në përparimin mendor dhe lëndor, por të shvillojmë mundësit e një përparimi ekonomik me që siç dihet standardi i jetës së nji populli tregon shkallën e qytetnimit të tij. Një popull i përparuem që e ka të shvillueme ndjenjën dhe dëshirën e plotësimit të nevojës së konsumit, shtyhet drejt punës e cila i jep mjetet e plotësimit dhe e bën që të qëndrojë lark veseve të këqija që janë pjellë e përtacis dhe e varfëris. Për me ja mbërrite këtij qëllimi gjëndet vetëm nji rrugë dhe këjo rrugë asht që kapitalisti, i përkrahun edhe nga Shteti, të krijojë kushtet e nevojëshme për një t’arthme ekonomike ma të shëndoshë, duke vlerësue dhe shti në punë më shumë burime që na ka falë natyra, duke krijue nji industri kombëtare për punimin e shumë artikujve blegtoralë, bujqësorë etj., në mënyrë që të pakësojë dhe ma në fund të shdukë sbilançin pasiv të tregtis së jashtme me zëvendësimin e shumë mallnave t’importuem me prodhime t’industris së vëndit.

Në këtë mënyrë asht e lehtë  të merret me mend se ç’përfitime kishte me pasë si kapitalisti industrial ashtu edhe kategorit e tjera dhe veçanërisht bujku, bariu dhe punëtori, të cilët duke panë të vlerësuem prodhimet e tyne, kishin me e dyfishue mundin dhe përmirësue mjetet e punimit dhe për pasojë rezultati i prodhimit kishte me qenë shumë ma i kënaqshëm n’interes të madh të t’ardhunave shtetnore dhe të mbarë ekonomis kombëtare.Një pjesë e konsiderueshme e fitimeve si e shpërblimeve të krahëve të punëtore kishte me dalë nga punimi në vend i shumë produkteve t’ona, në vend që të shkonte në dobi të shtetasve tek i cili malli kishte për t’u eksportue për punim për t’u importue i mbaruar, kishte me me shkue në favor t’onë, duke shtue fuqinë blerëse dhe pra atë të konsumit të nënshtetasve.

Burimet për shfrytëzim janë të shumta dhe nuk asht rasti të numrohen në rreshtat e pakta të nji gazete, gjithashtu edhe kapitalet e nevojëshme nuk kishin me mungue në rrethanat e sotëshme, por duhet vullneti i mirë nga ana e atyne që zotnojnë kapitalet dhe shpirt inisjative për punë konstruktive, ashtu siç tregojnë sot, për fat të keq, një shumicë e madhe në spekulime dhe kontrabanda. Nuk duhet harrue se ç’do kategori ka të drejtat dhe detyrat e saja karshi shoqëris dhe veçanërisht karshi atdheut. Sikurse bujku që e kryen me pasjon detyrën e vet duke mendue për ushqimin e mbarë kombit, sikundër intelektuali qi mundohet me përhapë edhe në të tjerët dritën e dijes dhe t’arsyes, ashtu edhe kapitalisti ka detyrat e veta karshi atdheut. Kapitali i tij duhet të jetë një mjet në interes të mbarëvajtjes ekonomike të mbarë kolektivitetit të nji shteti, mbasi kështu kishte me shërbye njëkohësisht edhe interesit personal të kapitalistit vetë me që kur konsumatori vihet në gjendje të mirë ekonomike nevojat e konsumit të tij shtohen paralelisht me mundësit e tija financjare. Duhet pasun parasysh se shteti ka edhe shumë probleme të tjera me randësi për të zgjedhë dhe prandaj nuk mund t’i lihet atij vetëm barra e zgjidhjes së problemeve ekonomike, por duhet bashkëpunue me atë për zbërthimin dhe zgjedhjen e tyne.

Vullnetari i pushkës kur sheh se atdheu asht i kërcënuem nga anmiku, nuk pret kushtrimin e organeve të mbrojtjes kombëtare dhe as i shmanget thirrjes kur bahet kushtrimi, por rrëmben armët dhe shkon ku asht rreziku ma i madh për me ba fli gjan ma të shtrenjtë siç asht jeta, jo se nuk i dhimbet ase i asht mërzitë, por vetëm se i dhimbet ma fort atdheu qi nuk duhet të vdesë kurr. Shëmbëlla të këtilla të vjetra dhe të reja gjenden me shumicë në historinë t’onë kombëtare të shkrueme ose jo, por sot nuk mjaftojnë këto vetëm për me mbajte në kambë jetën e një shteti. Kapitalistit shqipëtar të madh ose të vogël nuk i kërkohet flijimi i kapitalit, si në rastin e vullnetarit të pushkës, por se i kërkohet që veprimtarija e tij të drejtohet në punë konstruktive me qëllim që të hedhi themelet e para dhe të shëndosha për një pavarësi ekonomike: mbasi siç dihet, lufta ekonomike asht arma ma e rrezikëshme dhe për pasojë nji shtet i pa pregatitun me i ba ballë, nuk mund t’i shmanget katastrofës po qe se nuk ka krijue kushtet e nevojëshme për nji ekonomi të pamvarun dhe për lumtunin e banorëve që e përbajnë atë shtet.

 

 

 

«Lidhja e Prizrenit», Nr. 8, 07.V.1944

Presarani


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...