Oshtima

Ngjarje rreth robnimit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi (1941—1943)

PERIUDHA PRILL 1941 — SHTATUER 1943


Okupimi i Mbretnisë jugosllave nga ana e ushterisë gjermane u kompletue me 17 Prill 1941. Mbas bombardimit të Belgradit qeverija e Gjeneral Simoviqit, me në krye mbretin Petar II, rishtazi i kunorzuem, ishte largue në Cetinje dhe me 12 Prill mbrine në Angli. Pasoja e revoltes së 27 Mars 1941 ishte shpartallimi i shtetit mozaik jugosllav, i përbamë prej kombësinave të ndryshme të dominueme prej hegjemonisë serbe me nji mbret despot në krye.
Ndërsa mbretnija jugosllave, administrativisht, ishte nda në 9 Banovina, në dukje governatorata autonome me Kuvend në veti etj., në realitet qeverimi ishte i centralizuem. Me 10 Prill 1941 Kroatët, t’inkurajuem prej Gjermanëve dhe Italjanëve, shpallen çkputjen e tyne prej mbretnisë jugosllave, tue përfshi edhe Bosnjen, Hercegovinen dhe Dalmacinë. Sllovenët, t’izoluem dhe të vëndosun mos me ndjekë shembullin kroat, ishin në pritje të zgjedhjes së problemit të tyne. Nji grup të leaderve serbë që ishin burgosë nga ana e qeverisë së Gjeneral Simoviqit, t’ashtuquejtun gjermanofila si Cvetkoviqi, Cincar-Markoviqi, Aqimoviqi etj., u liruen prej Gjermanëve dhe me 18 Prill 1941 Aqimoviqi që emnue Komisar i Serbisë. Në Maqedhoni dhe Kosovë gjendja ishte tepër e komplikueme edhe per arsye të pretëndimeve toksore të aleatëve të Gjermanisë, Itali dhe Bullgari.
Gjatë 23 vjetëve të sundimit serb Shqiptarët në Jugosllavi nuk ishin të lejuem me pasë qoftë edhe nji organizatë thjesht shoqnore të tyne, sa me u kujdesue për zgjedhjen e problemeve që i perkitshin kësaj kombësije. Nji mbështetje në qeverinë shqiptare të Tiranës nën okupacjonin italjan as që mund të pritej.
Njisinat e ushtrisë gjermane kishin pushtue Mitrovicën me 17 Prill 1941. Shtabi i divizjonit gjerman i quejtun “DANZIG”, ishte instalue në Zveçan, në koloninë engleze afër Mitrovicës. Mbas krimeve të shumta rreth e përqark Mitrovicës dhe Vuçitërnit (ma së 100 Shqiptarë qenë pushkatue nga ana e çetnikëve dhe hjedhë në lumin Sitnicë), çetnikët u zhduken nga sqena. Prezenca e ushterisë gjermane, e mirëpritun si nga ana e popullates shqiptare po ashtu edhe prej pakicës serbe, po për shkak të anarkisë të shkaktueme prej sjelljes barbare të çetnikve, nuk paraqiste solucjonin që pritej prej të dy palëve. Ndërsa pakica serbe kishte mbeshtetë shpresat në Aqimoviqin, Shqiptarët ishin në pritje të zhvillimit të situates në favor të tyne.
Me 19 Prill komandanti i divizionit gjerman, Gjeneral Eberhardt, i shoqnuem nga disa oficera të shtabit të tij, kishte ardhë në Mitrovicë për me e njoftë Kryetarin e Bashkisë. Tue tregue nji interesim të posaçem për Shqiptarët përgjithësisht, aj më ftoi për të nesërmën me u paraqitë në shtabin e tij në Zveçan.
Gjatë bisedës Gjenerali çfaqi nevojen e organizimit të nji administrate civile të thjesht shqiptare, tue përfshi gjandarmerinë, gjyqet, arsimin, etj. në krahinat e ndryshme të banueme me shumicë prej shqiptarëve, që ishin nën juridiksjonin e divizjonit të komanduem prej tij. Tue pranue sugjerimin e Gjeneralit në parim, propozova që nji vendim i tillë duhej të ket aprovimin e parisë shqiptare të këtyne krahinave. Për ket shkak nji mbledhje e parisë në Mitrovicë më dukej e domosdoshme.

Tue pranue propozimin t’im, Gjenerali m’u lutë me ba nji udhëtim në qendra të ndryshme dhe me sigurue transportimin e perfaqsuesave (dy per secilen nën-prefekturë). Koha dhe vendi i mbledhjes ishin caktue me 23 Prill 1941 në sallen e Hotelit Jadran të Mitrovicës. Ndërsa transportimi i delegatëve të nën-prefekturave të Vuçiternit, Podujevës, Prishtinës, Skenderajt, Istokut, Pejës, Pazarit të Ri dhe të Senicës ishte i siguruem, Gjillani dhe Ferizai, për shkak të kohës së shkurt, nuk u përfaqsuen në këtë mbledhje. Qendra tjera si Shkupi, Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Gjakova, Prizreni, Dibra, Ohri, Struga, Kerçova, Prespa, Presheva, Kumanova dhe Ulqini kishin mbetë nën juridikcjonin e nji divizjoni tjetër gjerman.
Gjenerali me shtabin e tij kishte ardhë në sallën e Hotelit Jardan, ku delegatët shqiptarë hynë korporativisht. Mbas nji përshendetjeje të shkurtë, Gjenerali lexoi protokollin të pregatitun në frymen e bisedes që patem në shtabin e tij me 20 Prill dhe kërkoi që delegatët të çfaqin mendimin e tyne. Për shkak të mungeses së nji përkethyesit, m’u desht mue me plotësue ket detyrë. Si mbas zakonit t’onë, delegatët ma të shquem çfaqen mendimet e tyne dhe protokolli u aprovue prej të gjithë të pranishëmvet. Kështu, përpjekjet dhe manevrat e Aqimoviqit me shokë në Belgrad me mbajtë në kambë status-quon e para 6 Prill 1941 në Kosovë, deshtuen.
Përfaqsuesat e krahinave të naltë përmenduna u mblodhen prapë në Bashkinë e Mitrovicës dhe muerën vendimet e duhuna në lidhje me organizimin e administrates shqiptare. Zgjodhën Prefektin në përsonin e Kryetarit të Bashkisë së Mitrovicës (Xhafer Deva, Shën. Red.) me të drejtën me lëshue dekret-emnime për nënpunësa shqipetarë dhe serbë, tue respektue perqindjen që Serbët kishin në nën-prefekturat e ndryshme shqiptare. Me gjithë vështirsinat e paraqituna për shkak të mungesës së shqiptarëve të kualifikuem, organizimi i administratës u kompletue mbrenda nji kohës relativisht të shkurtë. Gjillani dhe Ferizaj u përfshinë ma vonë.
Prijsat dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës që kishin gjetë strehim në Shqipninë e 1913-tës filluenë me u këthye në vendët e tyne pa ndeshë në ndonji pëngim nga ana e ushtrisë gjermane. Ashtu edhe shumë bashkatdhetarë të Shqipnisë së 1913-tës nuk munguen me ardhë në Kosovë. Kështu, kufini artificial që kishte nda shqiptarin prej shqiptarit gjatë sundimit serb de facto u shdukë.

Në bazë të nji marreveshtje në mes të Berlinit dhe të Romës, në fundin e Majit 1941, gjendja si u përshkrue ma sipër pësoi nji ndryshim me randësi. Për shkak të minjerave të plumbit, cinkut dhe t’argjentit në Mitrovicë, u caktue nji vij’e demarkacjonit në mes të zonës të okupacjonit ushtarak gjerman dhe italjan. Në këtë menyrë 4 nën-prefektura: Mitrovica, Vuçiterni, Podujeva dhe Pazari i Ri mbeten nën okupacjonin ushtarak gjerman, dhe, si pasojë, shqiptarëve të këtyne krahinave u imponue nji solucjon qi pajtohej me interesat gjermane: me mbajt minierat e shënueme sipër dhe mos me ia u dorëzue italjanëve. Me gjithë autonominë e gjanë, këto krahina shqiptare administrativisht bajshin pjesë në shtetin serb. Gjith’ashtu nji vij’e demarkacjonit u caktue në mes të zonave ushtarake gjermane, italjane dhe bullgare. Shkupi, Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Ohri dhe Prespa mbetën nën okupacjonin ushtarak bullgar. Pjesa ma e madhe e Kosovës mbeti nën okupacjonin ushtarak italjan dhe administrativisht mvarej nga shteti shqiptar.
Me gjithë okupacjonin italjan të Shqipnisë së 1913-tës, qeveria shqiptare me në krye Shefqet Verlacin kujdesohej me dhanë përshtypjen se Kosova ishte shkri në Shqipninë e 1913-tës. Kjo qeveri bani përpjekje të forta me plotësue mungesat e mdhaja sidomos në fushen e themelimit të arsimit shqiptar jo vetëm në krahinat e lidhuna me ’te, por edhe në 4 nen-prefekturat shqiptare nën okupacjonin gjerman. E quej për detyrë me vue në dukje në këtë rast kontributin e çmueshem të Prof. Ernest Koliqit, Ministrit të Arsimit në Kabinetin e Shefqet Verlacit dhe mirënjoftjen ma të thellë të popullsisë shqiptare të Kosovës, të gjithë arsimtarëve shqiptarë kosovarë dhe të Shqipnisë së 1913-tës për kontributin e madh dhe sakrificat e tyne në kët shesh, që e kanë ba të mundëshem zhvillimin dhe përparimin e sotem arsimor midis shqiptarëve në Jugosllavi.
Gjatë muejit Maj pjesa e madhe e ushterisë gjermane u terhjekë prej Kosovës dhe Maqedhonisë. Ndersa gjendja në Kosovë ishte normalizue, në Maqedhoni ushterija bullgare kishte krijue nji administratë civile thjeshtë bullgare. Gjatë sundimit bullgar, trajtimi i popullates shqiptare në vendet që u shënuen ma siper ishte aq i egër, sa nuk mund të barazohej as me sundimin gjatë kohës së Mbretnisë jugosllave.
Me qellim me lehtësue barren e randë të ushterisë gjermane në Serbi, edhe për shkaqe të natyres ekonomike të Gjermanisë, administrata ushtarake gjermane në Serbi (Slilitaerverwaltung Serbien — me në krye Staatsrat Turner) kishte ngarkue Gjeneral Nediqin me formue nji qeveri serbe. Elementa ultra-nacjonalistë serbë t’organizatës së çetnikëve të mëshefun ndepër male, t’inkurajuem prej këtij akti, kishin fillue nji far aktiviteti në kufijt ethnikë shqiptarë, tue u shtri edhe në disa katunde serbe mbrenda kufijve të Prefektures së Mitrovicës, sa me provokue ndeshje me gjendarmerinë shqiptare rishtazi e krijueme, por pa ndoj sukses.

Mbas plasjës së luftës në mes Gjermanisë dhe Rusisë (22 Qershor 1941), lëvizja nacjonaliste serbe, nën komanden e Drazha Mihajloviqit, kishte fillue aktivitetin e vet ndepër malet e Uzhicës, Kopaonikut dhe të Galicës. Konvojat e ushterisë gjermane sulmoheshin prej çetnikve dhe represaljet gjermane ishin në rendin e ditës. Në Bosnje dhe Hercegovinë ndeshjet në mes të çetnikve dhe të ustashëve kroatë kishin marrë formen e nji luftës civile. Në dimnin e 1941-42 aktiviteti i çetnikëve ishte shtri edhe në kufijt ethnikë shqiptarë. Konshjent të rrezikut, populli shqiptar i këtyne krahinave u bani ballë sulmeve t’egra serbo-malazeze.
Me sjelljet barbare të tyne, sidomos kundra Musulmanëve të Bosnjes së Jugut dhe Sanxhakun e Pazarit të Ri, çetnikët e Drazha Mihajloviqit kishin pregatitë sheshin për ndërhymjën e komunistave të Titos. Të organizuem, me nji disiplinë të hekurt dhe zotësi në fushën e propagandës, lëvizja e Titos kishte sigurue përkrahjen e rinisë, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në kët menyrë drejtoi luften jo vetem kundra okupatorit, por edhe kundra Drazha Mihajloviqit ashtu dhe qeverisë serbe të Nediqit në Belgrad.
Ndalimi i ofensives gjermane para Moskes në dimnin e 1941-42; ma vonë qindrimi i armatës ruse në Stalingrad; ndërhymja e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës në luftë dhe deshtimi i ofensivës gjermane n’Afriken e Veriut, ishin ngjarje me randësi në zhvillimin e luftës së madhe. Levizjet me rezistue okupatorin gjerman në shtetet e Evropes erdhën gjithnji tue u shtue. Sado në dukje paradoksale, dy shtete të mbëdhej me sistem tradicjonal demokratik ishin bashkue me sistemin totalitar komunist për të vetmin qellim me zhdukë ekspanzjonin gjerman. Në Evropën jug-lindore lëvizjet nacjonaliste dhe komuniste paraqiteshin me karakter dhe qellime kryekëput në kundreshtim me shoqi-shoqin. Okupacjoni gjerman, si për nacjonalistët po ashtu dhe për komunistët, ishte shkaku kryesor i luftes nën sloganin “ÇLIRIM”, secili në kuptimin e vet. Me gjithë përpjekjet e misioneve engleze dhe amerikane pranë këtyne lëvizjeve, për shkaqe ideologjike dhe politike, nuk kishte asnji mundësi me i harmonizue këto dy rryma.

Gjatë vjetit 1942 misjonet engleze kishin udhëzime prej qendrës me përkrahë vetëm at lëvizje që vret ma shumë gjermanë dhe i shkakëton ma shumë dame anmikut të përbashkët. Qellimi ishte me angazhue sa ma shumë divizjone gjermane në luftën partizane. Ndërsa lëvizjet me karaktër nacjonalist të shqetësueme prej raprezaljeve t’ashpra nga ana gjermane, ishin të shtrengueme me peshue humbjet e randa që pësonte populli në çdo ndërmarrje kundra gjermanëve, lëvizjet komuniste kishin si parim me provokue sa ma teper rapresalje prej gjermanëve me qellim me shtue radhët dhe fuqinë e tyne me rininë e frigsueme me u ba viktim i rapresaljeve.
Aktiviteti i lëvizjes komuniste me luftue okupatorin gjerman kudo që paraqitej rasti dhe pa veshtrim të rapresaljeve perkatëse — gja që perputhej me interesat engleze — i siguroi Titos perkrahjen morale dhe materjale engleze. Megjithe kundërshtimet e misionit amerikan pranë misjonit englez, ndihmat lëvizjes së Drazha Mihajloviqit qenë pakësue aq sa me dobësue moralin e partizanëve të tij. Për shkak të këtij qëndrimi englez, njisinat e Drazha Mihajloviqit në zonën e okupacjonit italjan — Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe në Malin e Zi — nën komanden e Pavle Gjurishiqit kishin pranue bashkëpunimin me okupatorin italjan dhe, si pasojë, edhe përkrahjen e drejtë t’ushterisë italjane me gjithë far mjetesh nën pretekstin me luftue lëvizjen komuniste. Me legalizimin e kësajë lëvizjeje shtabi i Pavle Gjurishiqit u transferue prej maleve të Vasojeviqit në Beranë, pranë divizjonit italjan me qendër në Beranë dhe Andrijevicë.

Në realitet, objektivi i Pavle Gjurishiqit nuk ishte me luftue komunistat serbë. Qellimi kryesor ishte më shpërthye koridorin e Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe, tue zaptue disa krahina pjellore të Kosovës shqiptare, me u bashkue me pjesën e madhe të lëvizjës drazhiste në Serbi. Sulmet e kësaje lëvizje kanë vazhdue prej Fruerit deri në Qershorin e 1942. Konshient i këtij rreziku populli shqiptar i Kosovës ka plotësue detyrën e vet në mprojtjen e kufijvet ethnikë shqiptarë pa dorëzue nji pëllambë të tokës së tyne.
Qindrimi indiferent i ushterisë italjane ndaj këtyne sulmeve të çetnikëve nuk zemroi vetem popullin shqiptar. Edhe qarqet ushtarake gjermane nuk i shifshin me sye të mirë këto manevra italjane, sidomos tue marrë në veshtrim randësinë e koridorit. Kështu, në verën e 1942 nji divizjon alpin gjerman (Erste Gebirgsjaeger Division) u transferue në Prefekturen e Mitrovicës, në dukje për pushim. Por, si u pa ma vonë, misioni i ktij divizjoni gjerman ishte me u dhanë fund këtyne manevrave italjane dhe, njikohësisht, edhe aktivitetit të çetnikëve të Pavle Gjurishiqit. Pa pritmazi dhe pa vue në dijeni shtatmadhorinë italjane, me 21 Korrik të 1942 divizjoni në fjalë kaloi vijen e demarkacjonit që ndante zonen italjane prej asaj gjermane, dhe, mbrenda nji jave operacjonesh në Vasojeviq, Andrijevicë dhe Beranë, çetnikët në krye me komandantin e tyne — afer 1.200 veta — u dorëzuen gjermanëve dhe u transportuen si robë lufte në Gjermani. Mbas kryemjes së këtij misjoni divizjoni gjerman u terhoq në drejtim Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo ngjarje, për të parën herë, vuni në dukje antagonizmin në mes të Romës dhe të Berlinit.

Në përgjithesi, gjendja në Kosovë prapë u normalizue. Në kontrast me popujt tjerë të Evropës nën okupacjonin gjerman ase italjan (Greqi qi vuejshin edhe për gjana ushqimore për jetesë), popullata shqiptare as që ndiente kët mungesë jetësore mbassi Kosova kujdesohej me sigurue jo vetem buken por edhe bylmetin për mbarë kombin shqiptar.
Sa me turbullue gjendjën dhe të shtyem prej të miravet, në fillim të 1943-ës nji rrezik tjëtër kishte fillue me u dukë në Kosovë. Ardhja e agjentave të nacjonal-çlirimtares së Shqipnisë në Gjakovë dhe Pejë, kishte për misjon me organizue rininë shqiptare të Kosovës në celula komuniste për me luftue për “liri” kundra okupatorit.
Me qellim me hetue burimin e këtij aktiviteti m’u dukë e nevojëshme me ba nji udhëtim rreth’e përqark Kosovës dhe deri në Tiranë. Perfundimi i ktij udhëtimi ishte:

1) NË KOSOVË: Me perjashtim të disa të rijëve, qi nuk kishin përfundue mësimet në universitetet e Jugosllavisë por të indoktrinuem në Marksin dhe Leninin qysh në kohen e mbretnisë, gjeta nji rini të zellshem me vazhdue shkollat shqipe dhe gati me dhanë kontributin e vet për mprojtjen e status-quo në Kosovë, të krijueme mbas shkatrimit të Mbretnisë jugosllave. Të rijt që kishin krye studimet në universitetet dhe të ngarkuem me detyra në degë të tyne, denojshin rreptesisht aktivitetin e agjentave komunistë shqiptarë. Prijsat e katundarëve, në të gjitha krahinat e Kosovës, kishin ndigjue diçka dhe kishin marrë të gjitha masat me zhdukë këta agjenta, kudo që paraqiten.

2) NË SHQIPNINË E 1913-es: Mbas bisedimeve të shumta me parinë dhe personalitete jashta qeverisë “fashiste”, me nën-punesa të naltë, etj., përshtypja ishte: “Gjermanija e kishte humbë luftën, dhe për këtë shkak diçka duhet të bahet”... Asnji prej këtyne përsonaliteteve nuk ishte në gjendje me dhanë nji mendim ma të kjartë se ç’farë masa duheshin të mirren. Fakti që nji lëvizje e thjeshtë komuniste ishte në organizim e sipër në Shqipni, më qendër në Tiranë, jo që nuk pranohej, por në mënyrë kategorike përgenjeshtrohej, tue i dhanë lëvizjes së të “rinjëve” një karakter thjeshtë nacjonalist... Në qarqet e qeverisë, me në krye Mustafa Krujen, mendimi ishte se “nacjonal çlirimtarja” jo vetem që ishte organizue, por ishte edhe në veprim të plotë.
Mbas përfundimit të udhtimit ishte tepër veshtirë me përftyrue pasqyrën e gjendjës kaotike të Shqipnisë...
Transferimi i dy divizjoneve gjermane prej frontit të Rusisë në Serbi; lëvizjet e njisinave specjale të ushterisë gjermane në Dalmaci, Sanxhakun e Pazarit të Ri, dhe sidomos në Greqi, tregojshin kjartazi se diçka ishte tue vlue. Kjo “diçka” intërpretohej në shumë mënyra, por ma afër logjikes ishte: nji tentative zbarkimi i aleatëve në bregdetin Jonik e Adriatik.
Në muejin qershor 1943 Fuad Dibra kishte ardhë në Kosovë për vizitë, i ngarkuem prej nji rrethi të ngushtë të leaderve të Shqipnisë, me bisedue se çmund të rrjedhte në rast të çkëputjes së Italisë prej aleances me Gjermaninë. Mbas bisedimeve prej tre ditësh, vendosem me ba nji udhëtim për në Belgrad për me hetue se, cili do t’ishte qendrimi gjerman ndaj Shqipnisë në rast të kapitullimit të Italisë. Rezultati i hetimeve: Ushtrija gjermane ishte pregaditun me nderhye në Shqipni në rast të nji zbarkimi aleat qoftë në Greqi, qoftë në Shqipni. Me insistimin e Fuad Dibres m’u desht me e shoqnue ate deri në Tiranë me qellim të pleqnimit se çfarë masa duheshin marrë nga ana shqiptare. Mbas bisedimeve të gjata me prijsit që kishin ngarkue Fuad Dibren me ba udhtimin në Mitrovicë dhe në Belgrad, dhe pa përfundue asgja, m’u desht me u këthye në Mitrovicë.

Me 5 Shtatuer 1943 u thirra me urgjencë nga Dr. H. Neubacher, i Derguem i Plotfuqishem i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë me qendër në Belgrad.


PËRMBLEDHJA E BISEDËS ME DR. NEUBACHERIN:


Në prezencën e Kolonel V. Kohotknik Dr. Neubacher më tha se shpallja e kapitullimit italjan ishte për t’u pritë mbrenda orëve ase ditës. Aj më shpjegoi masat ushtarake që ishin marrë me qellim me pengue nji zbarkim të aleatëve në Shqipni. Tue u mbështetë në miqësinë tradicjonale që Perandorija Austro-Ungare ka ushqye për Shqiptarët në të kaluemen dhe që aj, si Austrijak që ishte, e kishte trashigue, aj çfaqi mendimin se Gjermanija pranon krijimin e nji qeverisë shqiptare, tue perfshi edhe Kosovën, dhe se ishte gati me shpallë çkëputjen e Shqipnisë prej Mbretnisë Italjane dhe pamvarësinë e sajë. Në lidhje me këtë pritej që të pranohet prezenca e ushtrisë gjermane në Shqipni deri sa qindron rreziku i zbarkimit aleat në bregdetin shqiptar.
Mbas trajtimit të landës së paraqitun prej tij, tue prekë edhe hollësina që mund të vijshin parasysh në formimin e qeverisë, unë çfaqa mendimin se ndër rrethana që po kalojmë asnji shqiptar serioz nuk mund të flasi në emen të popullit shqiptar. Tue marrë parasysh urgjencën dhe kohën tepër të shkurtë, parashtrova se nji perfaqësi shqiptare, e perbame prej njerëzve t’aftë, mund të krijohet me qellim me pregatitë nji Kuvend të përbamë prej përfaqësuesavet shqiptarë në Tiranë, i cili kishte me marrë vendimet e duhuna në lidhje me rishpalljen e pamvarësisë, zgjedhjen e nji Këshilli të Naltë, aprovimin e nji Konstitucjoni, etj. etj.
Tue hy në detaje për sa i përket Kryesisë së Shtetit ase të qeverisë eventuale vuna në dukje sidomos Mehdi Bej Frasherin, ish Kryeministri i Mbretnisë Shqiptare, i njoftun prej fjalimit të tij historik para okupacjonit të Shqipnisë prej Italisë, tue shtue se aj jeton si i internuem ne Romë. Z. Neubacher u interesue me e dijt nëse Mehdi Beu kishte me pranue bashkepunimin me Shtetin gjerman. Unë i thashë se i biri i tij ndodhet në Belgrad dhe se vetem aj kishte me qenë në gjendje me skjarue kët pikë. Pa humbë kohë shkova në qytet dhe u pashë me z. Vehbi Frasherin dhe i shpjegova biseden me Dr. Neubacherin. Z. Vehbi Frasheri pranoi që të shkojmë së bashku në Dedinje të Belgradit. Kështu ky pati rast me bisedue me Dr. Neubacherin. Z. Vehbi tha se vetëm Ati i tij Mehdi Beu, mund t’i përgjigjet kësaj pyetjes, por ma parë duhet të kryhet çlirimi i tij nga Roma prej Shtetit gjerman. Dr. Neubacheri pranoi sugjerimin e z. Vehbi Frasherit dhe muer përsiper me sigurue transportimin e Mehdi Beut në Tiranë.
ZHVILLIMET HPSTORIKE NË KOSOVË DHE SHQIPNI Periudha Shtator, 1943 — Nandor 1944
Para shpalljes së kapitullimit të Italisë gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqij shkurtasi paraqitej si vijon:

Ushtrija italjane: Afër 7 divizione të kambësorisë të vendosuna nëpër qytetet kryesore të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Përveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshta shqiptare të kambësorisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gillanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroportave të Beranës dhe të Podgoricës (Mali Zi), aeroportet në Shqipni gjindeshin n’at kohë nën kontrollin e plotë të ushterisë gjermane.

Masat ushtarake gjermane: Dy divizione t’ushterisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shënueme ma siper, ishin perqindrue rreth e perqarkë të kufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gadi me nderhye me shpejtësi të madhe.

Gjendja e mbrendëshme në Shqipni: Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iljaz Haxhi Augushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emen, mbasi kishte humbë pothuej krejt kontrollin e drejtimit shtetnor për arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamëshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vertetë dhe komunistave të mbuluem nën emnin e famëshem të “nacional-çlirimtares”. Në Shqipninë e Jugut lufta ne mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazen decizive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë perfundoj muejë ma vonë me fitimin e nacional-çlirimtares. Shqipnija e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin ma të madh të agjitacionit dhe të propagandes së mbrendëshem e të jashtem komunist dhe të radiovet përendimore. Nder këto rrethana natyrisht jeta normale e popullatës shqiptare kishte pësue nji tronditje të thellë. Komunikacionet midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimisht të rrezikueme jo vetem prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelësh që vritshin dhe plaçkitshin udhtarët. Nder qytete organet e sigurimit të dobsueme dhe të frigsueme nuk ishin në gjendje me mbrojtë jeten dhe pasuninë e popullësisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentatave politike dhe të hakmarrjeve personale. Shkurtasi, gjendja në Shqipni të 1913-tes kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma per nji jetë të perbashkët të rregullit e të drejtësisë shtetnore.

Gjendja në Kosovë: Në kontrast me sa ma siper, gjendja në Kosovë paraqitej normale edhe e qetë. Me gjith se nuk kishte ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore, tue perfshi edhe organet e sigurimit publik, vazhdonte me funkcionue në rregull të plotë. Koshjent të rrizikut të perherëshem nga ana e grupeve shoveniste Serbe (çetnikve) formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet, gjindeshin në krye të detyres.


NË PRAG TË KAPITULLIMIT ITALJAN


Në mbështetje të marreveshtjes me Perfaqsuesin të Plotfuqishem per Evropen juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Dr. H. Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime per sa vijon:

a) Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës etc. që gjindëshin nën okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tes;
b) Vazhdimin perkohësisht me mbajtë statusin e deritanishem të 4 Nënprefekturavet të banueme me shumicë prej shqiptarve të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gëzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb;
c) Gjermanija, në nji çast të volitshem me ngjarjet në zhvillim e siper të kapitullimit italjan, do të bante nji shpallje zyrtare, në të cilen të njihen: çkuptja e shtetit shqiptar nga Perandorija italjane dhe pamvarësija shtetnore e tij.
d) Gjermanija per gjatë luftës madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë, tue premtue terhjeqjen e tyne të plotë në mbarim të luftës.
e) Në dijeni të plotë të gjendjes së pershkrueme ma siper, mbas nji udhtimit të shpejt prej Belgradit në Mitrovicë, mbrina me 7 Shtator 1943 në Prizren. Pernjiherë mora kontaktet e nevojshme me parinë e Prizrenit dhe me disa personalitete shqiptare që gjindeshin aty, dhe së bashkut vendosem me ba nji mbledhje, në të që mund të rrjedhëshin nga kapitullimi italjan. Per ket qellim, të gjith ishim të nji mendimit me mbajtë nji Kuvend në Prizren, ku të merrshin pjesë perfaqsuesë të zgjedhun të të gjitha krahinave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave per me themellue nji organizatë që do të fliste dhe vepronte në emen të kësaj popullate shqiptare. Në bazë të propozimit të bamë prej z. Tahir Zajmit, mbledhja pranoj njizanit që Kuvendi i ardhëshem të ket emnin “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, si pasardhëse e Kuvendit historik të Lidhjes së Prizrenit. Me qellim me përgaditë sheshin e mbajtjes së këtij Kuvendi u caktue nji Komitet i perbamë prej shtatë personash që kryesohej prej patriotit të vjeter të Prizrenit, Musa Shehut.

Mbas këtyne vendimeve vazhdova udhtimin per në Shkoder, ku me 8 Shtator mësova kapitullimin e Italisë. Pa humbë kohë vazhdova udhtimin per Tiranë me nji qellim të percaktuem, të çlirimit nga kampi i Porto Romanos afer Durrësit të disa prijsave të njoftun të Kosovës që gjindeshin të internuem prej italjanëve siç ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Xhelal Mitrovica etj. Bashkë me këta personalitete u formue nji perfaqësi që mund të fliste në emen të Kosovës me perfaqsuesët e dalluemë të Shqipnisë së 1913-tes.
Në ket kohë gjëndja në Shqipni paraqitej mjaft e perzime dhe konfuze per arsye se grupet politike nacionaliste, që sigurisht paraqitshin shumicen e popullit shqiptar, nuk ishin qenë në gjendje jo vetem me krijue bashkim midis tyne, por as me koordinue veprimtarinë e tyne në lidhje me rrethanat e reja që priteshin të ngjajnë mbas kapitullimit italjan dhe nderhymjes eventuale të ushterisë gjermane në Shqipni.
Dy grupet kryesore politike nacionaliste në mbeshtetje të lidhjeve që kishin me misionet aleate veprojshin me koncepte që deri dikund i pengonte me marrë pergjegjësina të hapta në periudhen e realitetit gjerman në token shqiptare. Si rrjedhje e natyrëshme e kësaj gjendje, u paraqiten disa personalitete shqiptare të gjenerates ma të re, të cilët tue pa rrizikun e madh që i kercnohej Atdheut nga verprimtarija e vendosun dhe mirë e koordinueme e t’ashtuquejtunes Lëvizja nacional-çlirimtare e udhehjequn prej emisarve të partisë komuniste jugosllave dhe materijalisht dhe moralisht e perkrahun prej Komandës aleate të Mesdheut, ishin gadi të merrshin pergjegjesina të randa ndaj popullit shqiptar. U formue nji grup i perbamë prej 22 vetëve, midis të cilëve gjindeshin persona të pakalueme politike të maparëshme, dhe persona qi kishin lidhje si me grupet e mdhaja nacionaliste shqiptare, ashtu edhe me grupin e vendosun anti-komunist që deri dikund kishte pasë lidhje me qeveritë e periudhës italjane.
Folësitë e grupit të 22 vetave, tue pasë mbështetjen e plotë të antarvet, hynë pernjiherë në bisedime paraprake me Perfaqësuesin e Plotfuqishem të shtetit gjerman, Dr. H. Neubacher. Mbas diskutimeve të gjata ma në fund u mbërri nji marrëveshtje në baza që janë shque në pikat e shënueme ma siper. Grupi i 22 vetave, ase Këshilli në fjalë, zgodhi nji Komitet ekzekutiv të perbamë prej 7 vetave, të cilët nga ana e tyne zgodhen si Kryetar z. Ibrahim Biçakun, bir i patriotit dhe ish antarit te Këshillit Naltë, Aqif Pashë Elbasani.


DETYRAT KRYESORE TË KOMITETIT EKZEKUTIV ISHIN:


1) Pranimi imediat i dorëhjekjes së qeverisë së fundit të periudhës së kalueme;
2) Fuqizimi dhe normalizimi i jetës administrative shtetnore dhe t’organeve të sigurimit;
3) Përgaditja e sheshit për mbledhjen e nji Kuvendit Kushtetues Kombtar, që lypsej të mbahej mbrenda nji kohës së shpejt;
4) Çlirimi i ma se 2000 të burgosunëve politikë nga kampi i Porto Romanos, midis të cilëve gjindeshin edhe komunista të njoftun.


ZHVILLIMET E NGJARJEVE NË KOSOVË:


Në ket nderkohë Këshilli ekzekutiv i Prizrenit i perbamë prej: Xhafer Deva dhe Aslan Boletini prej Mitrovicës; Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda dhe Pjeter Vuçaj prej Prizrenit; Tahir Zajmi prej Gjakovës dhe Qazim Bllaca prej Suharekës, që ishte ngarkue me organizimin e Kuvendit në Kosovë, kishte marrë të gjitha masat e nevojëshme për krijimin e komiteteve përkatëse në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunet në Kosovë, Tetovë, Diber, Ulqin, etj. Përnjiherë qenë dhanë udhëzimet e nevojëshme për zgjedhjen e perfaqsuesave të krahinavet shqiptare të sipershenueme që do të merreshin pjesë në Kuvend. Mbarë popullësija e këtynve Prefekturave caktoj për secilen Nënprefekturë nga dy perfaqsuesë të zgjiedhun simbas sistemit demokratik me vota të dyta. Mbledhja e Kuvendit u ba me 16 Shtator 1943 nën entuziazmin e madh të popullësisë së Prizrenit dhe të krahinavet tjera të Kosovës. Kuvendi që njizanit u pagëzue “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, caktoj pikat e rendit të ditës, mbasi zgodhi Kryesinë të perbame prej : Musa Shehu, Kryetar, Aqif Bluta, Nënkryetar, Rexhep Krasniqi, Nënkryetar dhe Bedri Gjinaj, Sekretar, dhe u muerrë me problemet jetsore të kohës siç vijojnë:

1) Bisedim mbi shpalljen e vullnetit të popullit për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe të Tuzit si pjesë integrale të Shtetit Shqiptar;
2) Mbi bashkimin me Shqipni gjithashtu të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri që ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bajshin pjesë në shtetin Serb;
3) Mbi organizimin politik e ushtarak të popullit dhe përgaditjen e mbrojtjes së kufijvet ethnik;
4) Mbi krijimin e nji Komiteti Qendror me seli në Prizren dhe të Nën-komiteteve në të gjitha qendrat e tokave të lirueme për të drejtue veprimtaritë e nevojeshme të qeverisjes dhe të mbrojtjes së vendit;
5) Mbi perpillimin dhe aprovimin e kushtetutës së organizates Kombtare LIDHJA E II E PRIZRENIT;
6) Mbi proceduren që do të ndiqet per zgjedhjen e perfaqsisë së krahinave të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit e të Tuzit per në Kuvendin Kombtar që do të mbahej në Tiranë.

Kuvendi vazhdoj bisedimet e veta mbasi zgodhi të gjitha pikat të shenueme ma siper dhe u shpernda me 23 Shtator 1943, tue. ngarkue si autoritet suprem nji Komitet Qendror të perbam prej nji Kryetarit, Rexhep Mitrovica, dhe 6 antarëve në Prizren.


KUVENDI KUSHTETUES KOMBTAR NË TIRANË


Perfaqësuesat e Kosovës që do të merrshin pjesë në Kuvendin Kombtar ishin zgjedhë me frymë demokratike në mbeshtetje te udhëzimeve të LIDHJES dhe të nji qarkores së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë. Nji veprim i tillë per pjesen e Shqipnisë së 1913tes ishte teknikisht i pamundëshem të realizohet nga rrethanat kaotike që ekzistojshin në at kohë atje. Prandaj, nji komision i zgjedhun prej Komitetit Ekzekutiv të Tiranës i perbamë prej personaliteteve të shqueme shqiptare që ndodheshin në Tiranë, që u kryesue prej patriotit të njoftun Lef Nosit, kishte marrë persiper me zgjedhë perfaqsuesat e të gjitha Prefekturavet të Shqipnisë së 1913tes që do të merrshin pjesë në ket Kuvend.
Në ket nderkohë, Komiteti Ekzekutiv, tue u marrë me pikat e shënueme ma parë të veprimtarisë së vet, në radhë të parë pranoj dorehjekjen e kabinetit të ma parëshem që u paraqitë në tanësi në godinen e Kryeministrisë në Tiranë. Mandej, me disa veprime të shpejtueme por efektive, iu vuni fre, sa ishte e mundëshme, veprimeve kriminale, si atentatave, djegjeve dhe vjedhjes së pasunisë shtetnore dhe private në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Në ket menyrë, mund të thuhet se autoriteti shtetnor filloj të forcohet sa me e ba të mundëshme mbajtien e Kuvendit. Siç ishte parapa, Kuvendi u hap me 23 Tetor 1943 në ish pallatin e ri mbretnor në rrugen Tiranë-Elbasan. Simbas rregullavet të zakonëshme, Kuvendi Kushtetues Kombtar, në të cilin per të paren herë në historinë kombtare, merrëshin pjesë perfaqsuesa të zgjedhun të krahinave shqiptare t’ish mbretnisë Jugosllave, të lanuna padrejtësisht jashta kufinit të Shqipnisë së 1913tes, zgodhi Kryesinë e vet të perbame prej Lef Nosit, Elbasan, Kryetar, Mark Gjon Markaj, Kapidan i Mirditës, Nënkryetar; Dr. Rexhep Krasniqi, Kosovë, Nënkryetar.

Me gjith perpjekjet e komunistave me e ba te pamundëshme mbajtjen e Kuvendit, mbledhja kombtare vazhdoj punimet e veta në lidhje me programin e rendit të bisedimeve të caktueme nga Kryesija. Pikat kryesore të ktij programi ishin:

1) Anullimi i statusit që kishte kalue Shqipnija gjatë okupacionit italjan dhe rishpallja e pamvarësisë shtetnore shqiptare;
2) Anullimi i kushtetutes dhe i të gjitha ligjëvet t’imponueme gjatë okupacionit të huej dhe këthimin e statusit ligjor të periudhes së pamvarësisë;
3) Me gjith qenjen e ushterisë gjermane në tokat shqiptare, u ba shpallja e neutralitetit shqiptar në konfliktin e madh botnuer në vijim e siper;
4) Në mbështetje të kerkesës së njizanit të perfaqesisë legale të tokave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave, nën nji atmosferë të enthuziazmit të papershkrueshem, bahet Shpallja e Bashkimit të tokave dhe e popullësisë shqiptare të shënueme ma siper me Shtetin Shqiptar;
5) Zgjedhja e Këshillit të Naltë të Regjencës si autoritet shtetnor suprem të perbamë prej patriotëve nder ma të shqueme të kohës: Medhi Frasheri, Pader Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra.
Mbas betimit të bamë të antarvet të Këshillit Naltë të Regjencës, me perjashtim të Pader Anton Harapit, i cili ma vonë e kreu betimin e vet para Parlamentit, Kuvendi Kombtar Kushtetues u transformue në nji Parlament, në të cilin per arsye të gjendjes se luftes, bajshin pjesë vetem frakcione të kufizueme të krahinave që kishin marrë pjesë në Kuvend. Në vend të Lef Nosit, Kryetarit të Kuvendit, që u zgodhë antar i Këshillit Naltë të Regjencës, u zgjodhë nji Kryetar i ri i Kuvendit dhe ma vonë i Parlamentit, patrioti veteran i mirënjoftun Idhomen Kosturi prej Korçës. Ky i fundit pakë ditë ma vonë ra viktim i nji atentati të përgaditun nga komunistat. Kryesija e Parlamentit u plotsue së shpejti me zgjedhjen e Prof. Mihal Zallarit si Kryetar.


FORMIMI I QEVERISË


Këshilli i Naltë i Regjencës, mbas konsultimevet të zakoneshme, ngarkoj z. Rexhep Mitrovicen me formimin e qeverisë. Ky, pa vonesë, muerr kontaktet e nevojshme me personalitete shqiptare dhe me grupe politike të njoftuna të nacionalizmit shqiptar, megjithë sa prej ktyne formalisht gjindeshin në luften e rezistences kundra okupatorit të ri.
Mbrenda nji kohe të shkurt Kabineti i kryesuem prej Rexhep Mitrovicës u paraqitë para Parlamentit në ket formacion:

Kryetar i Qeverisë, Rexhep Mitrovica
Minister i Drejtësisë, Rrok Kolaj
Minister i Punëve të Mbrendëshme, Xhafer Deva
Minister i Ekonomisë, Ago Agaj
Minister i Financave, Sokrat Dodbiba
Minister i Botores, Musa Gjylbegaj
Minister i Kultures e i Propagandes, Kolë Tromara
Minister i Arësimit, Koço Muka
Minister i Punëve të Jashtme, Bahri Omari
Nënsekretarë të Shtetit, Vehbi Frasheri, Qazim Bllaca dhe Ernest Çoba.

Kjo qeveri që muerr pelqimin e plotë të Parlamentit, siç mund të shifet, perbahej prej peronaliteteve politike të të gjitha krahinave shqiptare, disa prej të cilëvet konsideroheshin ai perfaqsuesë të grupeve politike nacionaliste që formalisht gjindeshin në luftë të qindreses kundra okupatorit.
Si mbas programit të paraqitun perpara Parlamentit, detyrat kryesore të kësaj qeverije ishin: Me sigurue qetësinë e mbrendëshme në të gjitha fushat e jetes shtetnore; me shque poziten neutrale të Shqipnisë ne boten e jashtme, gja që u njoftue zyrtarisht në vijen diplomatike shteteve neutrale siç ishin Vatikani, Svicra, Tyrqija etj. Mbi këto, u banë edhe këto veprine: shpallja e lirisë së plotë të mbledhjeve, e fjales dhe e shtypit per të gjitha grupet politike me perjashtim të partisë komuniste; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per çlirimin e gjithë atyne shqiptarëve që gjindeshin t’internuemë në Itali; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per transferimin prej Romës në Tiranë e të gjitha banknotave shqiptare (120 million franga) që ndodheshin në Banca d’Italia në Romë, dhe njikohësisht të veglave per shtypjen e banknotave në fjalë; Perpjekje per konsolidimin e jetes ekonomike-tregtare që kishte pësue tronditje të thella si rrjedhje e kapitullimit të Italisë.

Midis masave të marruna nga qeverija në sheshin ekonomik dhe financjar lypset shque marrëveshtja monetare me shtetin gjerman, gja që i siguronte monedhes shqiptare të drejten e qarkullimit të vetem në token shqiptare dhe, që detyronte shtetin gjerman per nevojat t’ushterisë vet në Shqipni me ble frangat shqiptare me monedha ari.

 

Xhafer Deva, Jeta dhe Veprimtarija

Xhafer Deva


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...