Oshtima

Ngjarje rreth robnimit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi (1912 - 1941)

Këtu po sjellim nji artikull të Xh. Devës që në formë të përmbledhët, por objektive, jep nji pasqyrë të ngjarjevet historike që popullsia shqiptare në Jugosllavi ka kalue që nga fillimi i robnisë serbe. Marrë nga Buletini “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, Tetuer 1967.

Parathanje: Kongresi i parë “Lidhjes së Prizrenit” në Mërgim u mbajtë më 26/27 Nandor 1966, dhe plotësoi dëshirën e nxehtë të Shqiptarvet në mërgim me rranjët në krahinat e ndryshme t’ashtuquejtunve Republika Federative, Serbi, Maqedhoni dhe Mali Zi të Jugosllavisë.
Për të parën herë Shqiptarët në mërgim të këtyne krahinave patën rastin me u bashkue, qoftë në person, qoftë edhe me delegime prej bashkatdhetarve të tyne, të shpërndamë në vendet e ndryshme të botës, dhe me u shpreh lirisht në favor të ringjalljes së Organizatës "Lidhja e Prizrenit" në Mërgim — 1878-1966, tue ndjekë edhe përpjekjet e stërgjyshvet të tyne me krijue nji Shtet të pamvarun shqiptar, të përbamë prej katër Vilajetevet të Perandorisë Otomane në 1878.
Nji librezë dedikue thjeshtësisht veprimtarisë së Kongresit u botue. Ky botim jo vetëm që pasqyron rrjedhjet në Kongres, por për ma tepër paraqet dokumentin themeltar të kësaj Organizate. Kongresi u pritë në përgjthësi si nga ana e Kosovarvet në mërgim, po ashtu dhe nga ana e shumicës së Organizatavet politike shqiptare në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës dhe ngjeti, me simpathi, gja që u manifestue në urimet nga ana e personalitetevet shqiptare dhe të huej, gjithashtu prej fjalimevet të Përfaqësuesvet të tyne që u mbajtën në Kongres.
Me qendër në Qytetin e New York-ut, dhe Dega në vende të ndryshme të botës, me nji Statut t’aprovuem nga ana e Delegatëvet, kjo Organizatë — jo parti politike — ka për qëllim kryesor me u përpjekë dhe sigurue vetëvendosjen e fatit të popullit shqiptar të krahinavet të naltpërmenduna.
Mbrenda 24 vjetve të fundit në mërgim, janë ba disa tentativa për krijimin e nji organizate të thjeshtë kosovarësh, sikurse quhen zakonisht Shqiptarët e krahinavet të ndryshme të Jugosllavisë. Shkaku kryesor i dështimit të këtyne përpjekjeve, ka qenë pamundësija me sigurue mjetet e duhuna për vazhdimin e nji veprimtarije pozitive në dobi të vendit të tyne. Duket se ket radhë kësish vështirsina nuk do të ketë. Nuk do të ketë, mbasi pjesa e shëndoshë e Kosovarvet si këtu po ashtu edhe ngjeti, me mundin e tyne do të mbajnë LIDHJEN në kambë.
Reakcioni i popullit shqiptar në krahinat shqiptare në Jugosllavi, si mbas lajmevet të shumta që vazhdojnë me mbri, asht ma se inkurajuese. Me përjashtimin e qarqevet që dihen, pjesa dërmuese e popullit shqiptar në Kosovë asht ma se e kënaqun për ringjalljen e Lidhjes në mërgim, si folës legjitim në botën e lirë i nji populli që nuk ka të drejtën me u shprehë lirisht në vendin e vet.
“Lidhja e Prizrenit” në Mërgim e mbështet qenjen e vet në popullin që përfaqëson në botën e lirë. Veprimtarija e saj ka karakter ma tepër difensiv, dhe nuk ndjek shembullin e Organizatavet dhe partinavet politike të disa grupeve nacionale të Jugosllavisë në mërgim. Këshillon popullsinë shqiptare të Jugosllavisë me ndejt larg çdo shqetësimit të mbrendshëm, që kishte me rrezikue interesat jetësore të asaj popullsije.
Keto janë vijat kryesore që “Lidhja e Prizrenit” në Mërgim do të ndjekë tue u mbështetë në eksperiencën tragjike dhe të randë për at popull shqiptar në të kaluemen.
Për me sqarue ket qendrim asht nevoja shkurtimisht me hjedhë nji vështrim në të kaluemen, tue fillue më Luftën Ballkanike të 1912-s.


PERIUDHA 1912-1914


Si viktimë të nji padrejtësije nga ana e Fuqive të Mbëdhaja Evropjane të kohës së caktimit të kufivet të Shtetit Shqiptar krijue rishtas, krahinat shqiptare të Jugosllavisë së soçme mbetën nën sundimin e Mbretnivet të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Mbas okupacionit të Kosovës prej ushtrive Serbo-Malazeze, qeveritë e Belgradit dhe të Cetinjes, në vend që të ndjekin shembullin e Perandorisë fëqijë e tyne, tue i dhanë të drejta minoritetit shqiptar po aq sa minoritetet serbo-malazeze gëzojshin në atë Perandori, zgjodhën rrugën e shtypjes dhe të zhdukjes së popullit shqiptar të këtyne krahinave.
Tue qitë në harresë mësimin elementar simbas të cilit themeli i çdo shteti asht drejtësija, të dejun prej fitores, sunduesit e këtyne dy Shteteve adaptuen nji sistem terrorit. Mbrenda kësaj periudhe, ma se 10,000 Shqiptarë u masakruen dhe afër 100,000 të tjerë qenë të shtrenguem me u largue prej votravet dhe pasunisë së tyne, për me emigrue në Perandorinë Otomane dhe në Shqipninë e lirë. Këta mërgimtarë shqiptarë mbushën Xhamitë e qytetevet të mëdhaja të Turkisë e cila ndodhej në nji gjendje kaotike mbas Luftavet Ballkanike. Nji pjesë e madhe e tyne muer rrugën drejt stepavet të Anadollit, t’ekspozuem epidemivet të ndryshme dhe sidomos malarjes. Edhe sot, mbas 54 vjetësh, ndeshemi në ishujbanimi të këtyne në Anadoll dhe në Syrinë e sotme.


PERIUDHA 1914 — 1918


Megallomanija e Belgradit, mbas fitores që Serbija korri në Luftat Ballkanike, shkoi aq larg sa të guxojë të pregatiti krimin e Sarajevës që shkaktoi Luftën e Parë botnore, si pasojë e vrasjes së trashëgimtarit të Fronit të Perandorisë Austro-Hungare, në Korrik të 1914-s. Siç u vërtetue ma vonë, Qeverija e Belgradit kishte pasë gisht në ket ngjarje.
Me okupacionin e Kosovës nga ana e ushtrisë së Perandorisë Austro-Hungare, 1916-1918, krahinat shqiptare u liruen prej sundimit serb dhe malazez. Emigracioni në Turki u ndalue dhe Shqiptarët e Kosovës vunë sado modeste, themelet e nji administrate civile dhe të arësimit shqiptar në vendet e tyne.


PERIUDHA 1918 — 1941


Me fitoren e aleatëvet të asaj kohe, këto toka shqiptare u shkelën prap prej ushtrisë serbe në Tetorin e 1918-s. Për shkak të prezencës së ushtrisë franceze dhe të disa Kompanive angleze, ushtrija serbe ishte e shtrengueme në fillim me u sjellë korrekt. Mbas largimit të Francezvet dhe t’Anglezvet, dhe si pasojë të krijimit të Shtetit Sovran “Mbretnija e Serbvet, Kroatvet dhe të Sllovenvet”, siç quhej Shteti Jugosllav n’atë kohë, krahinat shqiptare, tue përfshi edhe Maqedhoninë e sotme, u caktuen të bajnë pjesë së “Serbisë së Jugut.” Ky shënim gjeopolitik i çpikun artificialisht prej Belgradit, kishte si qëllim kryesor me mbulue qenjen e popullsisë shqiptare dhe me ndalue çdo ndërhymje nga ana e Kroatvet dhe Sllovenvet.
Lidhja e Kombevet në Gjenevë ishte krijue mbas mbarimit të Luftës së Parë botnore. Në mbledhjet e para të saja, ishin marrë vendime për zgjidhjen e problemit të pakicavet të krijuem me themelimin e shteteve të përbame prej shumë kombësive, si pasojë të pjesëtimit të Perandorisë Austro-Hungare. Qeverija e Belgradit që ishte e detyrueme me respektue këto vendime, gjeti nji mënyrë djallëzore që i përshtatej politikës së vet, me zhdukë emnin shqiptar nga krahinat e zaptueme të Kosovës.
Qeverija e Nikollë Pashiqit që kishte përkrahjen e Francës dhe me qendrimin asnjanës të Anglisë në Lidhjen e Kombevet, kishte gjetë formullën se si duhet të shtrembnohet e drejta dhe e vërteta. Mbasi 90% të popullatës shqiptare në Jugosllavi janë muslimanë, forma më e përshtatëshme me e mbulue qenjen e pakicës shqiptare ishte themelimi i një shoqate të quejtun “Islam Muhafazai Hukuk Cemijeti” që don me thanë “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtavet të Muslimanëvet”. Kjo Shoqatë kishte të drejtën me botue nji të përjavëshme dy faqesh me titullin Hak (E drejta). Ndërsa Turkija e Ataturkut në Ankara u merrte me problemin e reformës së alfabetit turk, me kalue prej shkronjavet arabe në ato latine, sunduesit e Belgradit u imponuen Shqiptarëvet të Kosovës jo vetëm gjuhën turke, por edhe shkrimin e kësaj me shkronja arabe.
Prijësit e Kosovës, me në krye Nexhip Dragën, të ndodhun përpara këtij diktati të Pashiqit, mbas pleqnimesh të shumta dhe tue marrë parasysh faktin se nuk kishin asnji mbështetje prej së jashtmi, vendosën ta pranojnë atë diktat me shpresë se me kohë Shqiptarët do t’i fitojnë të drejtat e tyne që meritojnë. Si kundërshpërblim, Shoqata Xhemijeti u detyrue me përkrahë në çdo rasë Partinë Radikale të Serbisë.
Nexhip Draga, ish Deputeti i Kosovës në Parlamentin e Perandorisë Otomane, që ka pasë nji edukim perëndimor, me ket mënyrë siguroi pranimin e 14 Deputetëve shqiptarë në Parlamentin e parë të Mbretnisë Serbe, Kroate dhe Sllovene. Për fat të keq, Nexhip Draga vdes në Vjenë në 1921. Vendin e tij e nxen i vëllai, Ferhat Draga i cili ndodhej po në Vjenë si i ikun politik. Mbas nji amnestije mbretnore, ai kthehet në Jugosllavi dhe merr drejtimin e Shoqatës Xhemijet. Ferhat Draga, njeri me ndjenja të forta patriotike shqiptare, dhe kundërshtar i rreptë i lojës djallëzore të Pashiqit, denoncon koalicionin e Xhemijetit me Partinë Radikale Serbe dhe e lidh atë me nji marrëveshje me Partinë Katundare Kroate të kryesueme prej Stepan Radiçit që formonte opozitën kundër qeverisë të drejtueme prej Serbëvet. Qeveria e Pashiqit menjiherë e burgos Ferhat Dragën, pa marrë parasyh imunitetin parlamentar të tij. Njikohësisht katër Deputetë shqiptarë vriten nga ana e çetnikvet të Kosta Peqancit. Vrasje të tjera Shqiptarësh nga ana e Gjendarmërisë dhe djegëja e shumë katundeve shqiptare bashkë me gja të gjallë, sidomos në Drenicë, e vunë në zi mbarë popullatën e Kosovës.
Qëllimete kësaj vale terroriste të Qeverisë së Belgradit kanë qenë si gjithmonë në të kaluemen, me i detyrue Shqiptarët të braktisin votrat dhe pasuninë e tyne dhe të emigrojnë në Turki.
Vrasja e Stepan Radiçit, Pavle Radicit, Basariçek dhe Pernar, Kryetarë kroatë, me rasën e nji Mbledhje parlamentare në vjetin 1929, nga ana e Deputetit Punisha Raçiçit, antar i Partisë Radikale Serbe dhe çetnik me namë, mbas nji fjalimi të Deputetit kroat Pernar, i cili akuzonte, midis tjerash, qeverinë për sjelljen e egër të autoritetevet dhe të Gjendarmërisë në Kosovë, Mbreti Aleksander urdhnoi shpërndamjen e Parlamentit dhe të Partivet politike, tue përfshi edhe Fartinë Katundare Kroate. Në ket mënyrë u krijue diktatura e kryesueme prej Gjeneralit Petar Zhivkoviçit, adjutant i Mbretit Aleksandër.
Shtypi i huej vuni në dukje ket vepër barbare të Qeverisë serbe. Kjo gja dhe reakcioni i ashpër i Lidhjes së Kombevet, ashtu dhe protestat nga ana e Fuqivet të Mëdha Evropiane, tue përfshi edhe ato sllave, kanë qenë shkaqet kryesore që ma në fund e detyruen Mbretin Aleksandër me e zbutë egërsimin e sundimit të tij. Si mbas librit të Zvetozar Pribiçeviçit, ish Kryetar i Partisë Demokrate Indipendente t’asaj kohe, i cili ishte vet Serb prej Likes, Mbreti Aleksandër ka pasë së drejti gisht në vrasjen e Kryetarëvet kroatë të shënuem ma sipër.
Vepra e parë e Qeverisë së Gjeneral Zhivkoviçit ishte me internue Kryetarët e Partivet politike të Krahinavet të përtej Danubit, kështu Dr. Maçekun, Sekretar i Partisë Katundare Kroate, Dr. Anton Koroshecin, Kryetar i Partisë Klerikale Slovene, Dr. Mehmet Spaho, Kryetar i Partisë së Muslimanëvet të Bosnjes dhe të Hercegovinës, ndërsa Svetozar Pribiçeviçi ishte largue ma parë dhe jetonte në Pragë të Çekosllovakisë. Këtu e botoi librin që përmendëm ma sipër.
Vepra e dytë e Mbretit ishte krijimi i Degës së ashtuquejtunës Reformë Agrare për “Serbinë e Jugut.” Mbasi sistemi i zhdukjes së popullsisë shqiptare me terror, me vrasje, me djegje dhe rrënime të katundevet nuk mund të vazhdonte, Mbreti Aleksandër me ket veprim shpresonte me ia mbërri qëllimit me serbizue Kosovën. Kështu filloi kolonizimi i Kosovës, tue transferue e intstalue me mija Malazezë në tokat e katundarëvet shqiptarë.
Katundari shqiptar, ndër këto rrethana të vështira, u detyrue të pranojë ket padrejtësi. Në ket mënyrë ai u ba çifçija i Malazezëvet në tokën e vet, tue i dorëzue këtij të fundit nji të tretën e prodhimit të punës të kryeme me djersën e tij. Siç u tha ma sipër, qëllimi ishte i qartë: me e detyrue katundarin shqiptar me marrë rrugët e mërgimit drejt Turkisë. Mirëpo katundari shqiptar i ndejti besnik trullit të vet stërgjyshor.
Më 1934 Mbreti Aleksandër vritet në Marseille prej nji Maqedhonasi, ish antar i VMRO-s (Organizata Revolucionare e Maqedhonisë). Për shkak të moshës së njomë të trashëgimtarit të fronit, u krijue nji Këshill i Regjencës që kryesohej prej Princit Pavle Karagjorgjeviqit, me tre antarë të tjerë. Princi Regjent, koshjent i faktit që methodat e egra të mëparëshme nuk mund të vazhdojshin, i liron Kryetarët e Partivet që ishin n’internim dhe i fton për bisedim në Belgrad. Dr. Korosheci dhe Dr. Mehmet Spaho e pranojnë ftesën, ndërsa Dr. Maçeku refuzon të paraqitet dhe Pribiçeviqi vazhdon të qendrojë në Pragë.
Këshilli i Regjencës ngarkon Jovan Jevtiqin, ish Ministër i Punëvet të Jashtme në Kabinetin e maparshëm, me formue nji qeveri gjoja demokrate. Në ket Qeveri marrin pjesë Përfaqësues të Sllovenëvet dhe muslimanëvet të Bosnjes, por jo Kroatët. Zgjedhjet për Parlamentin caktohen për muajin Maj 1935. Në ket kohë, për me la veten prej përgjegjësivet së krimevet të shemtueme në Parlamentin e kaluem, Partija Radikale Serbe e ndryshon emnin tue u quejtun Bashkimi Radikal Jugosllav (Jugoslavenska Radikalna Zajednica).
Përfundimi i zgjedhjevet nuk solli ndryshime të mëdhaja. Partija Katundare Kroate siguroi po aq Deputetë sa kishte pasë ma parë, kurse Slovenët dhe Muslimanët e Bosnjes duelën ma të fuqishëm. Mbasi zgjedhjet baheshin në mënyrë që secili kandidat-deputet detyrohej të bante pjesë në nji parti politike të madhe jugosllave, praktikisht Shqiptarvet të Kosovës iu ishte mbyllë mundësija me u zgjedhë Deputet. Megjithëketë 3 Kosovarë — ZZ. Ujaz Haxhi Agushi, Mustafa Durguti dhe Blaca — tue u mbështetë në Partinë e Bashkimit Radikal Jugosllav, u zgjodhën si Deputetë të vetëm shqiptarë në Parlamentin e ri. Z. Blaca u vra prej njerzvet të pa diktuem, si duket të shtymë prej qarqevet shoviniste serbe.
Me qëllim të afrojë Kroatët për bashkëpunim, Kryeministri Jevtiç premtoi ndamjen e Jugosllavisë në 9 të ashtuquejtuna Banovina (Governatorata). Shqiptarët e Jugosllavisë qenë pjesëtue në 3 Banovina, të quejtuna simbas emnavet të Lumenjvet Zetska, Vardarska, dhe Moravska, me fjalë ma të qarta: Malizi, Serbi dhe Maqedhoni.
Mbas dorëheqjes së Jevtiqit, Milan Stojadinoviqi formon Qeverinë e re. Si nxanës i aftë i Pasiqit, me gjithë kundërshtimet mbrenda Kabinetit, ai përfundon nji marrëvshje me Qeverinë turke të Ismet Inonu-s, që kishte për qëllim emigrimin dhe instalimin në masë të Shqiptarvet të Jugosllavisë në Turki. Në radhë të parë ky plan djallëzor u asgjasue me ndërhymjen e Dr. Spahos që bani nji udhëtim të posaçëm në Ankara. Marrëveshja në fjalë nuk u ratifikue nga ana e Parlamentit turk, dhe, kështu, Shqiptarët shpëtuen nga shpërngulja nga Atdheu i tyne.
Për shkak t’afrimit të Stojadinoviqit me Gjermaninë ai u zavendësue me Cvetkoviqin. Por tue qenë se ky nënshkruen Paktin e famshëm të mos-sulmimit me Shtetet e Aksit, Qeverija e tij rrëzohet dhe Gjen. Simoviqi merr drejtimin e Jugosllavisë. Me gjith përpjekjet e këtij me iu shmangë konfliktit, ushtrija gjermane kalon kufijtë në fillim të Prillit 1941 dhe, mbrenda pak ditësh, shkatërron ushtrinë jugosllave.

 

Xhafer Deva, Jeta dhe Veprimtarija ...

 

Xhafer Deva


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...