Oshtima

Prizren – Raport për vitin shkollor 1942-1943

PJESA E TRETË

1.    – Në kët vjetë të dytë shkolluer, në kët qark inspektoral kanë funksionue gjithsejt 51 shkolla, nga të cilat dy kanë qenë foshnjore.
Puna e zhvillueme gjatë vjetit shkolluer 1942-43 në të gjitha shkollat e qarkut ka qenë me përfundim të mirë dhe të dukshëm; përgjithësisht fryti ka qenë i kënaqshëm, me gjithë se në shum shkolla kanë mungue mësuesët për  arsye të ndryshme, që e kemi pasë vu në dijeni të atë Ministri herë mbas here. Veçanërisht në shkollat e Gjakovës, në qendër, për arsye mungesë mësuesish, nga mezi i vjetit, kemi autorizue fillimin e mësimeve me sistem gjysëm dite. Edhe për këtë gjâ e kemi pasë njoftue Atë Ministri me shkresë të veçantë.
Duhet theksue se, rândësi e veçantë i âsht dhanë ma tepër se zhvillimit të programës së mësimevet, mësimit të gjuhës amtare, për të cilën në këto vise kanë nevojë ma shumë se kudo. Përparimi i fëmijvet në të folun e në të shkruem të Gjuhës amtare âsht aqë i mirë, sa nuk pritesh. Gjithë kjo punë i detyrohet vetëm arsimtarvet, të cilët në përgjithësi kanë vijue në detyrën e tyne me zell e përpikni të madhe, me gjithë vuajtjet e tyne shkaktue nga rrethanat e kohës.

2.    – Për sa i përket kopshitjeve shkollore, tue përjashtue shkollat e Prizrenit (qendër), të Duhles,të Brodit dhe disa të qarkut të Kuksit, të gjitha të tjerat kanë kopshtije shkollore të mira, me madhsi të konsiderueshme, të punueme, disa të mbjelluna plot me pemë frukti të ndryshme, të rrituna e të mbajtuna mirë e me kujdes.
Përveç kësaj, ma e shumta e shkollavet kanë edhe nga një copë toke bukur të madhe, disa nga të cilat janë punue prej bujqish në llogari të shkollës e me të drejtë përpjesëtimi me bujkun që e punon.
Veçanisht shkollat e qytetit të Prizrenit kanë disa pasunina të tjera të patundshme, si dugaja, han, etj. Për mbajtjen e tyne dhe për t’ardhunat, âsht kujdesue Komisjoni Shkolluer i qendrës.

3.    – Arkëza shkollore kanë pasë vetëm shkolla “Abdyl Frashëri” në Prizren, tri shkollat e qendrës në Gjakovë, Shk. e Vraniq-Popolanit, e Junikut, e Irzniqit, e Deçanit, e Hoçës së Vogël, e Kijevës, e Kuksit (qendër), e Tropojës, e Shipshanit, e Bicajt, e Shishtavecit dhe e Topojanit.
Për themelimin e arkëzave shkollore edhe nëpër shkollat e tjera, veçanërisht në viset e lirueme, do të merret inisjativa vjetin e ardhshëm shkolluer.

4.    – Si insjativa të ndryshme shkollore meritojnë me u-përmendë:
a)    Kurset për të rritun për luftim t’analfabetizmit, si ndër qytete ashtu edhe ndër katunde, të cilët kanë qenë çelë nga fillimi i vjetit. Me gjithë se kurset për arsye të ndryshme, qenë mbyllë para kohës, fryti ka qenë deri diku i kanaqshëm. Kursistët kanë vazhdue me rregull dhe kanë mësue me këndue e me shkrue gjuhën amtare nji farë soj. Nuk duhet të lamë pa përmendë edhe Kursin e parët ë gjuhës shqipe për gra që qe çelë simjet në Prizren e që ka vazhdue farë pesë muej.
Në kursin e gravet janë mësue germat e gjuhës shqipe, janë ushtruem në të këndue e në të shkruem, janë bâmë ushtrime të të folunit në gjuhën amtare dhe si mbas rastit janë zhvillue edhe mësime të veçanta për ekonomi shtëpije dhe mirë-rritje fëmijësh.
Gjithsej kanë qenë nëshkruem 700 kursista meshkuj dhe 48 kursiste femna.
b)    Në mes të vjetit, me rastin e festavet kombëtare dhe të fund të vjetit shkolluer janë zhvillue nga ana e nxânsëvet të shkollavet (sidomos të qytetevet) çfaqje të ndryshme theatrale me subjekte patriotike dhe edukative. Në fund të vjetit âsht bâmë, si në Prizren qendër, ashtu edhe në Gjakovë qendër, nji manifestim gjimnastikor që vlen të përmendet.

5.    – Kanë qenë të plotsuem të gjitha Komisjonet shkollore në kët qark inspektoral. Komisjonet shkollore të qytetevet janë ndamë një shêj për veprimtarinë e tyne në doni t’arsimit të vendit në kët vjet shkolluer dhe deri dikur edhe ato të katundevet nuk janë shum mbapa, veçse lanë me dëshirue.
Këshilli Arsimuer i kësaj qendre ka funksionue me rregull.

6.    – Në kët vjet shkolluer në kët qark inspektorial kanë funksionue tri Drejtori Didaktike: e Prizrenit, e Kuksit dhe e Gjakovës, e cila në katër muejt e fundit të vjetit shkolluer ka qenë e kryesueme me zavendësi prej Drejtorit të shkollës, Z. Salih Kolgecit.
Qysh me vrasjen e ish-Inspektorit t’arsimit në kët qark, Beqir Spahiut, zyrën e ka zavëndësue titullari i Drejtoris Disaktike të Prizrenit, Z. Ibrahim Fehmiu. Mbassi vendi i Titullarit të kësaj Inspektorije vazhdon të jetë ende vakant, për vjetin e ardhshëm shkolluer duhet të dërgohet për kët qark nji Inspektor Arsimi.
Të gjitha shkollat e qendrës Prizren janë inspektue vetëm nji herë nga ish-Inspektori i maparshëm, Beqir Spahiu dhe ato të rrethit direkt prej zav. titullarit, Z. Ibrahim Fehmiut; edhe këto vetëm nji herë. Shkollat e Gjakovës, qendër e rreth, janë inspektue të gjitha nji herë nga ish-zav. Drejtori Didaktik i atjeshëm, Z. Salih Kolgeci. Shkollat e Kuksit, qendër e rreth janë inspektue nga Drejtori  Didaktik, Z. Muharrem Musa; të gjitha nga nji herë, me përjashtim të 8 mësuesve, që janë inspektue nga dy herë.

 

PJESA E KATËRTË

Në Prizren (qendër) janë vetëm dy lokale shkollore me shum dhoma mësimi dhe që u përgjigjen krejtësisht kushtevet hygjenike dhe pedagogjike. Shkollat e tjera janë asish lagjesh, me nji ose dy klasë e që nuk janë të përshtatuna për shkolla dhe gjinden n’oborre të xhamijave.
Shkolla fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren âsht stabilizue qysh në fillim të këtij vjeti shkolluer në pesë dhoma të podit t’ulët të ndërtetsës së Liceut të Prizrenit dhe tri klasë të tjera në dy shkolla lagjesh. Mbassi në këtë shkollë në vjetin e ardhshëm parashifet të shtohet shum nurmi i nxânsëvet, âsht pa tjetër e nevojshme ndërhymja e Ministris s’Arsimit, që podi i sipërme i Liceut të lirohet nga Milicija Fashiste Shqiptare dhe të përdoret gjysa për këtë shkollë fillore dhe gjysa tjetër prej Liceut vetë. Kjo ndërhymje shifet e doemosdoshme, ndryshe detyrohemi të mos pranojmë në kët shkollë nji sasi të madhe fmish t’atyne lagjeve, për mungesë lokali.
Gjatë kësaj vere âsht shpresë se, në nji anë të qytetit, ku përmblidhen katër lagje të mëdha, do të ndërtohet nji shkollë e re, ku do të përmblidhen pesë klasë të shkollës “Haxhi Ymeri”.
Për kët qëllim, Bashkija e këtushme ka parapa në buxhet të vet nji ndihmë prej fr. shq. 20 000 (njizet mij), përveç asaj që do të caktojë edhe Komisjoni Shkolluer nga fondi i vet.
Mbassi ndërtesa ka me qenë e madhe dhe e ndërtueme nji herë e mirë, parashifet se do të kushtojë shum; prandej jemi të mendimit që edhe Ajo Ministri t’api përkrahjen e vet për kët qëllim.
Për sa i përket lokaleve shkollore të katundeve, në viset e lirueme, nuk shifet nevoja për asnji shtim e përmirësim, mbasi përgjithësisht janë lokale krejtësisht të përshtatuna për shkolla e mbi të gjitha janë edhe pasuni shtetnore arsimore.

Përkundrazi shkollat e rrethit të Kuksit, në përgjithësi nuk janë të përshtatshëme si duhet, por tash për tash as nuk ka mundësi të përmirësohen ase të ndërtohen të tjera të reja, mbasse edhe populli i atyne viseve âsht tepër i vobektë. Vetëm për shkollën pesë klasëshe të Bicajt parashifet të ndërtohet nji lokal i ri shkolluer, si mbas nji plani që la me dërgue pastafat Ministrija e Arsimit. Nji shumë e konsiderushme ndihmash janë mbledhë nga popullsija e vendit dhe nji ndihmë pritet nga Ministrija e Arsimit për kët qëllim.
Disa nga shkollat e qyteteve dhe të të gjitha shkollat e katundeve janë krejt të çveshuna nga mjetet mësimore. Kjo mungesë i detyrohet ma tepër Komunevet, të cilat, në përgjithësi nuk kanë dhanë asnji përkrahje për pajisjen e shkollavet të rrethit të tyne me mjetet e nevojshme të mësimit. Prandej edhe për këtë gjâ shifet e nevojshme ndërhymja e Ministris pranë Administratës së vendit.


PJESA E PESTË
Propozimie të përgjithshme për vjetin shkolluer t’ardhshëm

a)    Për vjetin e ardhshëm shkolluer, për të mos çalue aspak puna e shkollavet të këtij qarku dhe për të plotësue me personel edhe shkollat e reja të propozueme për t’u çel, âsht e doemosdoshme që të dërgohen aqë fuqi mësimore sa kemi parap në Projekt Kuadrin t’onë të dërgueme me pjesën e dytë të Raportit Final.
b)    Në vjetin shkolluer që u-mbyll kanë mungue krejtësisht tekstet shkollore, që janë për klasën e pestë dhe të katërtë. Përveç libravet të leximit, tjera tekste s’ka pasë në përdorim në këto vise. Prandaj asht e nevojshme që të dërgohen në këto vise për vjetin e ardhshëm edhe tekste të tjerë për t’u shitë.
c)    Për vjetin e ardhshëm shkolluer duhet të dërgohen në kët qark pa tjetër nji Inspektor Arsimi, mbasssi qarku âsht shum i gjanë dhe numri i personelit mësimuer arrin deri në 140 afërsisht, gjâ kjo që kërkon nji mbikqyrje të mirë dhe të përherëshme.
Gjith’ashtu shifet nevoja të hapet në kët qark edhe nji Drejtori Korespondence, për të cilën kemi propozue në pjesën e dytë të Raportit Final, të ngarkohet Drejtori i shkollës “Abdyl Frashëri”, Z. Mehmet Gjevori, i cili të ketë drejtimin e shkollës së vet, pa ngarkim klase dhe drejtimin e Korespondencës.
Për të mos humbë fuqi mësimore, tue i mbajte në dispozisjon në zyrën e kësaj Inspektorije, për punë të ndryshme e shofim me vend t’i propozojmë Asaj Ministrije edhe për nji protokollist, i cili ka e i ndihmue sekretarit në veprimet e shumta të zyrës.

Fund.

Prizren, më 20/VIII/1943-XXI

Zav. Inspektor’i Arsimit
Ibrahim Fehmiu

 

 

AQSH. F. D. 84, V. 1943 f.29 - 32

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...