Oshtima

1942- Raport mbi gjendjen në Ljarje dhe Shestan

Dokumenti i mëposhtëm është një raport i hartuar nga i dërguari i krahinave të Ljarjes dhe Shestanit për Kryeministrin Kruja. Në të vihet në dukje kërcënimi dhe veprimtari antishqiptare e lëvizjes komuniste malazeze dhe infiltrimi i agjentëve, të këtyre të fundit, në qytet kryesore të Shqipërisë.


I derguem rishtas për të gjetun gjana ushqimi, i nënshkruemi ndodhet, qysh dje, prap në Kryeqytetin Shqiptarë. Tue përfitue nga kjo rasë, i nënshkruemi nuk mundet, Shkëlqesë, m’u largue pa u pa, edhe nji herë, me Shkëlqesën T’uej, për t’u bamë të njohtun shvillimin e gjendjes prej vizitës s’eme të fundit te Shkëlqesa e Juej e deri sot.

I.    – Pushkët e kërkueme për mprojën e popullsisë së krahinavet të Ljarjes dhe të Shestanit, që vazhdojnë të jenë gjithënjë të kërcënueme nga lëvizja kryengritëse malazeze, nuk na kanë arrijtun. Populli, për kët shkak, asht gjithënji tepër i shqetsuem. Ai nuk e ndron anmikun. Dron mungesën e mjeteve të mprojtjes, mungesë e cila mund të jetë shkak që, prej nji dite në tjetrën, të mbetet viktimë e egërsisë malazeze. Prandej, përsëris lutjen t’eme, që asht ajo e krejt popullit t’atyne krahinave, që Qeverija Shqiptare të na vijë në ndihmë sa ma shpejtë që të jetë e mundun tue na dërgue në mënyrën ma të ngutëshme armët e nevojshme.
II.    – Propaganda e lëvizjes kryengritëse malazeze, ndërkaq, ka mare përpjesëtime shumë të gjana ndër viset t’ona. Partija Komuniste, ndër këto dit, i ka drejtue nji proklamo të veçantë krejt shqiptarve. Në këtë proklamo, nji kopje të së cilës po i u a bashkangjisim, ajo Parti siguron nacjonalistat shqiptarë se, lëvizja kryengritëse në Mal të Zi, nuk asht nji lëvizje ekskluzivisht kombëtare malazeze, ajo synon lirimin e krejtë sinisë balkanike nga fuqinat e Boshtit dhe se, mbas lirimit, të tana të drejtat e Kombit Shqiptarë, do të realizohen krejtësisht. Prandej, të gjithë shqiptarët duhet t’apin krejt bashkëpunimin e tyne në lëvizjen malazeze që asht nji lëvizje për lirimin e të gjithë popujve balkanikë. Proklama, përveç kësaj, kujton se, Partija Komuniste malazeze, edhe gjatë jetës së Jugoslavisë, asht përpjekun gjallnisht për t’u lehtësue shqiptarëve zgjedhën e randë nën të cilën i kishte shktrue auktoritetet serbe. Përfundon tue ftue të gjithë shqiptarët që duen vendin e tyne të ngrihen, me armë në dorë, kundra trathtarvet t’Atdheut shqiptar: kundra Mustafa Krujës dhe shokvet të tij të lidhun me fashizmin italjan.
III.    – Nji tjetër veprimtari propagandistike e lëvizjes kryengritëse komuniste malazeze, shumë e damëshme, asht edhe kjo: agjenta të shumtë, të maskeruem në dukje si tregtarë dhe blesa drithi, po vijnë, ditë për ditë, si nëpër krahinat t’ona t’ Ljarjes dhe të Shestanit ashtu edhe në Shkodër. Këta agjenta, prej andej, kalojnë, krejt të patrazuem prej auktoriteteve shqiptare dhe italjane, nëpër qendra të tjera kryesore të Shqipnisë: në Tiranë, në Durrës dhe nëpër tjera vende. Misjoni i këtyne agjentave shëtitarë asht që të studjojnë, për së afërmi, gjendjen dhe kushtet e përgjithëshme të popullit; të zgjuejnë, kudo që shkojnë, pakënaqësi dhe shqetësim për t’ardhëshmen e vendit dhe të bindin, ma në fund, popullin shqiptarë për t’u çue peshë kundra gjendjes së tanishme. Kam konstatue, ndër këto vende, se agjentat e përmendun qarkullojnë lirisht e, për kët, nuk ka dyshim se gjejnë shesh të lirë veprimi. Asht, pra, n’interesë të Shqipnisë që Qeverija Shqiptare të mare masa energjike për ndalimin përfundimtar të ardhjes së çdo malazezi në tok shqiptare. Kjo asht nji masë që imponohet ngushtësisht në qoft se dëshirohet t’i pritet hovi çdo ngatërrese të brendëshme.
IV.    – Përpjekja e lëvizjes malazeze për të tërhekun në rrymën e vet Popullin shqiptar shkon tue u ba gjithënji ma e madhe dhe ma e dendun: ndër dit e kalueme, pa prit e pa kujtue, arrini në Qellën e Famullisë së të nënshkruemit, Kryetari i lëvizjes së kryengritësve komunistë të Vir Pazarit: nji i ri i laureuem në filozofi. Ai u ndal me të nënshkruemin në një bashkëfjalim shumë të gjatë, në të cilin më deklaroi se Partija Komuniste e Malit të Zi, tue marun shembëll nga ajo e Bashkimit Sovjetik, asht kryekëput në të mirë të së drejtave shqiptare, të cilat i përkrah dhe do t’i përkrahë me gjithë fuqi pse programi bolshevik parashikon lirinë e plotë të çdo populli mbrenda kufijve ethnikë; Partija Komuniste nuk ka asnji qëllim të përdhunojë ase të pengojë shvillimin e lirë të besimeve të ndryshme fetare të Shqipnisë; ajo don lirinë e popullit shqiptar si atë të popullit malazezë; por, Partija Komuniste, pikërisht për t’i arrijtun këtyne qëllimeve, dëshiron bashkëpunimin e popullit shqiptar në lëvizjen e ndërmarun për lirimin nga invazorët e Boshtit.
V.    – Fuqinat kryengritëse komuniste malazeze, ndërkaq, kanë arritjen të bahen zotnuese të së gjitha krahinave të Malit të Zi, me përjashtim vetëm të qyteteve, ndër të cilat ndodhen fuqinat italjane. Nëpër krahina, Partija Komuniste ka ndërmarun nji pastrim të përgjithëshëm: të gjithë ata, malazezë ase shqiptarë, që janë, për nji arsye ase për nji tjetër, kundra bolshevizmit, dënon me nji herë me dënimin ma të randë: me vdekje. Vendimi, që meret nga shefat e ndryshëm, vehet me nji herë në zbatim: të dënuemit grihen me pushkë.  Besohet se nuk janë të paktë shqiptarët e mbetun nën Mal të Zi që kanë pësue kët fat. Ky pastrim ka lidhje, pa dyshim me përgatitjen e lëvizjes së madhe kryengritëse që duan të ndërmarin sa më parë krenët e kryengritjes malazeze dhe që ka për cak të parë pushtimin e të tana qyteteve të mbetuna në dorë t’Ushtrisë italjane e, si qëllim të dytë, vërshimin kah Shqipnija. Qeverija Shqiptare duhet të mare masa, qysh tashti, për mos m’u ndodhun, nesër, para të prapritunash t’idhta.
VI.    – Komanda e Fuqive kryengritëse komuniste malazeze, me qendër në Stavor, na ka bamë kët lajmërim: “kemi mare vesht se populli i krahinave të Ljarjes dhe të Shestanit, në për mjet famullitarit, ka kërkue armë nga auktoritetet e Tiranës. Këto armë, po të meren, nuk mund të jenë të destinueme m’u përdrorue veç se kundra fuqive kryengritëse të kuqe malazeze. Prandej na kërkojmë që të hiqni dorë nga kërkimi i këtyne armve. Në qoftë se do t’u a sjellin, ju duhet të refuzoni t’i merni. E, në qoftë se, në kundërshtim me frymën e këtij lajmërimi t’onë, do t’i merni, na, tue i u quejtun si të mobilizuem kundra nesh, do t’u biejmë në shpinë para se të na bini ju, pse na nuk mundemi me lejue që, për bri nesh, të ndodhen krahina si ato të jueja të përgatituna me na sulmue për t’i shërbye Italisë. Na i u sigurojmë se, në qoftë që nuk do t’i merni armët, nuk i u trazojmë fare.”
VII.    – Mungesa e elementeve kryesore të jetesës: misër, oriz, sheqer, krypë dhe vajguri shkon tue u ba gjithënji ma e randë dhe ma e ndieshme. Shumë kuej ka nisun t’i mungojë buka në shtëpi. Populli kërkon të gjejë këto elemente ushqimore me i ble me pare në dorë, por mjerisht nuk i gjenë veç se po t’i paguej me sasina shumë herë  ma të madhaja nga ato që kushtojnë ndër vende të tjera. Por, popullsinat e krahinavet t’ona, përgjithësisht të vorfëna, nuk munden n’asnji mënyrë t’arrijnë me bamë pagime të tilla. Prandje, i lutemi nxehtësisht Qeverisë s’onë të ketë mirësinë të ndërhyjë në mënyrë vendimtare ku t’a lypë nevoja për të sigurue ardhjen e misrit dhe t’elementeve të tjera ushqimore ndër krahinat t’ona, ku të mund të shiten me çmime t’arsyeshme dhe nji lloji për të gjithë. Në qoftë se, edhe këtë herë, nuk zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimeve ushqimore të vendit t’onë, nuk do të vonojë vërtetimi i njij ngjarjeje shumë t’idhtë: do të fillojë zija.
VIII.    – Me të gjithë zotimet që kanë pasun, herë mbas here, Dërgatat e ndryshme të krahinave t’ona këtu në Tiranë, deri tashti nuk ka ardhun asnji mësues nga Shqipnija për t’i hapun shkollat në gjuhën amtare ndër vendet t’ona. Lusim nxehtësisht n’emën të të gjithë popullit, që të plotësohet sa ma parë edhe aspirata e drejtë e tij për të pasun shkollat kombëtare.


Tiranë, 5-II-1952-XX

 

I dërguem i Ljarjes dhe Shestanit
Famullitari i Shestanit
Don Jak Vresku

 

AQSH: F.M. Kruja  , V. 1942, D. 15. fl. 14-16.
 

 

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...