Oshtima

Kosova dhe trevat e tjera etnike, në hapësirën e ish-Jugosllavisë në mesjetën e hershme

Historia e shqiptarëve të mesjetës së hershme është vazhduese e historisë së ilirëve të antikitetit të vonë. Shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, trashëguan gjuhën e kulturën materiale e shpirtërore. Kjo është një dukuri e përgjithshme në të gjitha viset e banuara prej ilirëve, duke përfshirë Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të hapësirës së ish - Jugosllavisë. Në kohën e vonë antike, Kosova përfshihej në pro- vincën e Dardanisë, ku ndodheshin qytetet të rëndësishme si Naisi, Ulpiana, Shkupi. Krahinat e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe të Strugës e Ohrit i takonin provincës së Epirit të Ri, kurse viset shqiptare të Malit të Zi ishin përfshirë në provincën e Prevalantisë. Prokopi i Cezaresë, një autor i shek. VI, në veprën e tij “Mbi ndërtimet” shkruan se perandori bizantin, Justinian me prejardhje ilire, vetëm në Dardani, ndërtoi 8 kështjella dhe rindërtoi 61 të tjera. Kjo dëshmi e Prokopit është vërtetuar nga kërkimet arkeologjike. Një veçanti e Kosovës, për kohën e vonë antike, është prania e një numri relativisht të madh “qytezash” apo kështjellash që i takojnë popullsisë autoktone dardane. Emil Çershkov, një ndër arkeologët e parë që ka bërë kërkime arkeologjike në Kosovë, ka numëruar rreth 100 qytete të tilla. Në gjurmimet e tij ka vërejtur se ato lidhen drejtëpërdrejtë me dardanët dhe se disa prej tyre, të vendosura pranë qendrave xeherore, mbijetuan nga lashtësia, jo vetëm në kohën e vonë antike, por edhe në mesjetë, gjithmonë të banuara nga popullsia vendase.[1] Midis tyre me interes janë qytezat e fortifikuara të kohës së vonë antike të zbuluara në zonën e Drenicës. Në njërën prej tyre ka një tog monedhash gjysmëfolia e dekanumia  të shek. VI të gjetura në “qytetin” e Strofcit, kurse në një tjetër, maja shigjetash prej hekuri me prejardhje nga kështjella Llapushnikut, që i përkasin shekujve VI e VII. Kështjella të kësaj kohe dhe mesjetare janë zbuluar edhe në rrethinën e Shkupit.[2]

Gjetjet arkeologjike të kohës së vonë antike të Kosovës, edhe pse relativisht të pakta, tregojnë qartë për një unitet të kulturës materiale e shpirtërore, si edhe më parë, në viset e tjera ilire jugore. Kjo vërehet në prodhimet zejtare-qeramike, stoli e armë në artin e të ndëruarit dhe deri në qarkullimin monetar. Kjo do të thotë se provinca e Dardanisë ka reaguar ndaj ndikimeve romako-bizantine, njëlloj si provincat e tjera jugore ilire të banuara sot nga shqiptarët. “Romanizimi” as këtu as edhe në provincat e Prevalitanës, Epirit të Ri e Epirit të Vjetër nuk mund të çonte në zhdukjen e gjuhës e të kulturës në asimilimin e popullsisë, edhe pse në kontakte intensive me kulturën provinciale romake e më pas me atë bizantine hynë elemente të reja. Ja një shembull për qëndresën Dardane. Në provincën e Mëzisë së sipërme, në veri të Dardanisë janë gjetur dy mbishkrime në gjuhën latine që japin të dhëna interesante. Në mbishkrimin e parë thuhet se përmendorja mortore i është ngritur Dasianit të ri, prindër të të cilit kanë qenë Dasiani plak e Gala. Në mbishkrimin e dytë bëhet fjalë për një fshtat me emrin Dasa që ndodhej në rrethinën e Ulpianës. Të dy mbishkrimet janë ndërtuar në shekullin V-VI.[3] Kemi pra në shekujt e mësipërm banorë që mbajnë emra ilirë, madje edhe një fshat që e ka ruajtur emrin e lashtë Dardan.

Kosova sikurse edhe viset tjera të banuara prej shqiptarëve, kanë qenë prekur fare pak nga dyndjet e mëdha avaro-sllave të shekujve VI-VII, këto të fundit duke pasur si pikënisje kalimin e Danubit pranë Singidunit (Beogradi i sotëm) ishin drejtuar kryesisht drejt brigjeve të Detit të Zi, kah Thrakija e pastaj Konstantinopoja.[4] Më pak janë futur në rrugën që kalonte nëpër luginat e Moravës e të Vardarit për të përfunduar në Selanik.[5] Dhe prej tyre vetëm grupe të shkëputura penetruan në krahinat perëndimore. Dihet se edhe pas invazioneve sllave në Gadishullin Ballkanik u krijuan një sërë skllavërishë, kështu u quajtën në burimet bizantine krahinat e pushtuara rreth mesit të shekullit VII nga sllavët ku Bizanti nuk kishte asnjëfarë pushteti. Në një burim bizantin, në Miracula Sancti Demetrii tregohet për skllavëri të krijuara në Thraki, në Maqedoni, në Thesali e deri në Peleponez (Greqi)[6], kurse për Dardaninë, Prevalinën, Epirin e Ri e Epirin e Vjetër, në burimet tregimtare bizantine nuk thuhet gjë. Këtu mund të shënohet edhe një fakt historik të pjesës qendrore të Ballkanit, fqinjët e dardanëve, autoriatët, tribalët dhe myzët, si edhe skordiskët, u reduktuan në popullsi të parëndësishme dhe më pas u zhdukën. Krejt ndryshe ndodhi në Dardani, ku jeta vazhdoi pa asnjë ndërprerje dhe popullsia e saj autoktone hyri në mesjetë në mënyrë krejt normale. Është rasti këtu të sjellim mendimin e studiueses së njohur Fanulla Papazoglu që mbyll kështu një artikull të saj kushtuar mbretërive ilire dhe dardane: “Si përfundim, Dardania paraqitet si një prej krahinave ballkanike më pak të romanizuara. Popullsia e saj vendase duket se ka ruajtur, më mirë se gjetiu individualitetin e ndërgjegjen e saj etnike. Të qenët e një ndërgjegje etnike është shfaqur, midis të tjerave, nga kushtimet Dea Dardanias Deua Andinus, dhe nga fakti që vendi dhe populli i saj ruajtën emrat e tyre deri në kohën e vonë antike. Në fakt ndryshe nga etnikoni Illyrios, etnikoni Dardanus, Dardana i bashkangjitur një emri, duket në mbishkrimet e epokës perandorake. Një mbishkrim nga Roma ka ruajtur formulën e shprehur qartë nat (ione) Dardanus. Nuk duhet pra përjashtuar mundësia që dardanët i kanë shpëtuar romanizimit dhe mbijetuan migracionin sllav dhe se kanë dalë në mesjetë me emrin shqiptarë”[7]

Për banorët autoktonë të provincës së Prevalinës dhe veçanërisht për viset e Malit të Zi shumë kuptimplotë janë rezultatet e arritura nga kërkimet arkeologjike, sipas të cilave “jo vetëm në qytetet e Dukles nuk ka dëshmi të ekzistencës së periudhës “sllave”, por në të gjithë Malin e Zi nuk është zbuluar asnjë vendbanim sllav ose nekropol, me përjashtim ka të ngjarë me nekropolin e përzierë të Mijelës pranë Vir Pazarit në liqenin e Shkodrës “... dhe se i ashtuquajturi kolonizimi i parë sllav nuk ka lënë në Dukle asnjë farë gjurme në jetën e saj qytetare. Pas kolonizimit të dytë, në shek. IX në Dukle fillon lufta e të ardhurve për pushtet në qytetet romane e bizantine”.[8] Këtu do të bëjmë një korigjim për pohimin e parë se varreza e Mijelës, sikurse është vërtetuar, lidhet drejtpërdrejt me kulturën arbërore të Komanit, dhe nuk tregon për ndonjë simbiozë të kulturës ilire-shqiptare me atë sllave.[9] Përsa i përket banorëve të krahinave të Tetovës, Gostivarit, Strugës, Ohrit, ata bënin pjesë në provincën e Epirit të Ri dhe përjetuan të gjitha ngjarjet që prekën këtë provincë dhe kuptohet edhe periudhën e formimit të popullit shqiptar e të gjuhës së tij në fillim të mesjetës. Në një përfundim të tillë kanë arritur edhe gjuhëtarë të cilët kanë provuar se toponimet që lidhen me valën e parë migratore të sllavëve në viset e banuara nga shqiptarët janë shumë të rralla sikurse shihet në një hartë të shpërndarjes së tyre.[10] Është vendi për të kujtuar edhe përfundimet e arritura nga gjuhëtari i njohur E. Çabej në lidhje me një varg toponimesh të rëndësishme ilire dhe vazhdimësinë e tyre deri në ditët tona në një trevë të gjerë që përfshin edhe Kosovën dhe trevat etnike shqiptare në ish-Jugosllavi.[11]

Edhe në mesjetën e hershme në Kosovë dhe në viset tjera etnike të ish-Jugosllavisë jeta ka vazhduar pa ndërprerje dhe banorët e saj janë pasardhës të ilirëve të lashtë, të cilët në këtë kohë fillojnë të njihen me emrin arbër, arbëreshë-shqiptarët e hershëm. Vazhduan të qëndrojnë mjaft nga qytezat e antikitetit të vonë dhe për këtë do të sjellin shembuj nga zonat e Drenicës. Në një ekspeditë përnjohëse në vjeshtën e vitit 1980 një grup arkeologësh nga Republika e Shqipërisë, midis tyre edhe autori i kësaj kumtese, vizituan kështjellat e Verbovcit e të Kasmaçit. Në kërkimet sipërfaqësore u vërejt se muret rrethuese të këtyre kështjellave, edhe pse të rrënuara, kishin nga ana e ndërtimit të tyre, ngjashmëri me ato të kështjellave të tjera të kohës së vonë antike e të mesjestës të viseve të tjera ilire-shqiptare. E tillë është edhe kështjella e Zveçanit pranë Mitrovicës që mbronte qendrën e madhe xeherore të Trepçës, në zanafillën e antikitetit të vonë, por që ka luajtur një rol të rëndësishëm në shek. XII në luftërat e Bizantit kundër serbëve.[12] Në sipërfaqen e kësaj kështjelle ka plot fragmente qeramike të kësaj kohe, të cilat gjenden në shumë kështjella në trevën e gjerë arbërore. Kështjella mesjetare që lidhet me popullsinë vendase, ku janë bërë kërkime arkeologjike, janë edhe kalaja e Prizrenit dhe e Zymit në rrethin e Prizrenit. Në kërkimet hetimore të bëra në kështjellën e parë janë gjetur gjurmë të fortifikimit të kohës së vonë antike, vazhduese e të cilit është fortifikimi mesjetar, kurse në atë të Zymit është gjetur një qeramikë, e ngjashme me ate të viseve të afërta me shtetin shqiptar, e datuar në shekujt VII - XII.[13]

Një kulturë autoktone, të lidhur me kulturën e njohur arbërore si “Kultura e Komanit” na e zbulojnë edhe disa varreza të hershme mesjetare të gjurmuara në Kosovë dhe në trevat etnike në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Këto varreza shtrihen në një trevë të gjerë që përfshinte provincat e Prevalitanës, Dardanisë e Epirit të Ri. Janë tashmë të njohura gjetjet e kulturës së Komanit të bëra në rrethin e Kukësit, që i takonte Dardanisë Perëndimore, varreza arbërore e Mijelës (Mal të Zi) dhe ato të zonës së Ohrit (Maqedoni).[14] Zbulimi i kësaj kulture në krahinën e Kukësit përbën një provë të qartë që turtulli i Dardanisë, në mesjetën e hershme, ka pasur të njëjtin zhvillim të kulturës materiale e shpirtërore me krahinat e tjera të vendit tonë.[15] Por duhet thënë se qëndron ende, qoftë edhe pjesërisht, mendimi i thënë shumë vjet më parë se “shkaku i mungesës së gjetjeve të kulturës së Komanit, (shën. i autorit) në provincat e Maqedonisë e të Dardanisë duket se e ka burimin në veprimtarinë relativisht të pamjaftueshme të gjurmimit”.[16]

Popullsisë autoktone shqiptare i takon edhe varreza e Vermicës në krahinën e Prizrenit, e përdorur që nga shekujt e parë të erës sonë, por më intensivisht në mesjetën e hershme, në shekujt IX-XI. Inventari i varrezave të mesjetës së hershme, të Vermicës, i ekspozuar në muzeun arkeologjik të Prizrenit në 1980, por me sa dimë ende i pabotuar, është i njohur edhe nga vendgjetje të tjera, ai përbëhet nga rrathë, vathë e unaza prej bronxi. Në këtë varrezë janë për t’u vënë në dukje dy fakte: së pari lënda arkeologjike e gjetur në varret e ngjajshme me gjetje nga varreza bashkëkohore e viseve të tjera shqiptare dhe së dyti mendimet e antropologëve se në varret e hershme mesjetare të Vermicës, nga studimi i materialit skeletik, rezulton se kemi popullsi dinamike dhe variantin dinariko-mesdhetar (d.m.th. shqip- tarët), të ngjashme me ato që janë gjetur në disa varreza bashkëkohëse të vendit tonë.[17] Shekujve IX-XI, periudhës së pushtetit të Perandorisë Bizantine të Ballkanit i përket varreza e Matiçanes pranë Prishtinës, ku ka edhe stoli luksi: vathë e unaza të punuara me argjend me teknikën e filigranës e të granulimit.[18] Është provuar se unaza e vathë, si ato të varrezës së Matiçanes nuk kanë të bëjnë me një mjedis të ri, me sllavët, por janë prodhime të argjendarisë bizantine dhe të përhapura gjerësisht në viset ballkanike, në shekujt X-XII dhe popullsisë autoktone shqiptare i takojnë edhe byzylikët, vathët e unazat e zbuluara me gërmimet e bëra në vitin 1980 në një tumë ilire në fshatin Llashticë të Gjilanit.[19]

Kështu pra, kultura materiale e mesjetës së hershme e zbuluar në Kosovë dhe në trevat etnike në ish-Jugosllavi na çon në një përfundim logjik, ajo i takon popullsisë autoktone shqiptare, pasardhëse e drejtpërdrejtë e banorëve të lashtë, e cila ende për një farë kohe në burimet historike u quajt me termat administrative perandorake, bizantine-rome.

Në shek. XII fillon në Kosovë e në trevat e tjera të ish - Jugosllavisë ekspanzioni i shtetit serb të Rashës. Por, shqiptarët që prej kohësh ishin formuar si një popull më vete, në një trevë të gjerë, kishin dalë në skenën politike të Ballkanit me një ndërgjegje etnike dhe për ta nis një periudhë të gjatë të afirmimit të tyre dhe përpjekjeve dhe luftërave për unitetin kombëtar.

Studime Albanologjike 1, Shkup, 2009.

 

 

 

Skënder Anamali


[1] E. Cerskov, Rimljani na Kosovu i Metohiju, Beograd, 1969, f. 32. [2] I. Mikulcic, Staro Skopje so okoline tvrdini - Skopje und Umgebunde Festugen in der Antike und der Mitterlalter, Skopje, 1972, f. 65. [3] J. Kovacevic, Sloveni i staro balkansko stanovistvo, Materiali IX, Beograd, 1972, f. 65. [4] P. Lemerle, Invensions et migrations dans les Balkana depuis la finde l’epoque Romaine jusqu’au VIII e siecle, Revue hiqtorique 78, 1954, 294. [5] Shih: Povijesni Atlas za osnovnu skolu, Zagreb, 1980, harta f. 9 , , Seoba slavena na jug". Në këtë hartë hapësira tokësore e Republikës së Shqipërisë është dhënë e banuar nga shqiptarët ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë e banuar nga popullsia romane(! ). [6] Miracula Sanci Demetri, Lib. I, 158. [7] F. Papazoglu, Ilirska i dardanska kraljevina në , , Iliri i Albanici", Begrad, 1988, f. 169 e 199 (varianti frengjisht). [8] P. Movic, Problemi isledovania slavjanskih gorodov v Cernogorii në , , Rapports du IIIe Congres Internacional d’Archeologia slave, Tome 2, Bratislava, 1980, f. 274 [9] S. Anamali, Ilirët dhe shqiptarët, në , , Lirira", 1990, f. 15-19. [10] I. Gjinari, Dëshmi të historisë së gjuhës shqipe për kohën dhe vendin e formimit të popullit shqiptar., , Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij". Tiranë, 1988, f. 215-223. harta nr. 1. [11] E. Çabej, Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve , , Bul. e Univers. Shtet. të Tiranës - seria e Shkencave Shoqërore", Tiranë, 1958, nr. 2 f. 54-62. [12] Pesëdhjetë shekuj të Mitrovicës. E kaluara historike Mitrovicës. 1971, f. 6. [13] E. Shukriu - Hoti, Kërkime arkeologjike përgjatë rrjedhës së Poshtme të Drinit të Bardhë., , Lirira", VII-VIII, 1978-1979, f. 189-200. [14] O. Velimirovic - Zizic, Mijele, Vir Pazar ranosrednojovekovna nekropola, në Arheoloski Pregled, 1966, 8, f. 155; B. Babic, Od arheoloskoto bogatstvo na SR Makedonija, album - Srednovekoven period vo SR, Makedonija, Skopje, 1980, f. 103. [15] Z. Vinski, Autochtone kulturelement zur der slavischen Landname des. Balkanraums. Simposium “Predslavenski” etnicki elementi u Balkanu i etnogeneza juznih slovena, Sarajevo, 1969, f. 189. [16] Materiali arkeologjik është parë në ekspozitën e Muzeut. Për materialin skeletik të dhënat janë gojore nga antropologët Nemeshkeri e A. Dhima. [17] Jovanovic - L. Vukanovic, N. Baric. New finds from the slavic necropolis at Maticane near Pristina, , , Belcano - slavica" 1972, f. 107-13. [18] Materialet ruhen në muzeun e Prishtinës dhe nuk janë botuar ende. [19] Po aty.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...