Oshtima

1942 – Raport mbi dhunën bullgare në tokat e pushtuara

Që prej datës 20 prill në zonën e pushtuar nga Bullgaria shënohen akte të reja dhune, pas atyre të majit të një viti më parë. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të shpërngulur, vetëm në pakë ditë, arriti në 700. Për autoritetet shqiptare kjo valë e re dhune kishte për qëllim boshatisjen e truallit kombëtar nga popullsia vendase.  Dokumenti i mëposhtëm është një raport i përgatitur nga Inspektorati i Përgjithshëm i K. K. M.   

 

 

MBRETNIJA SHQIPTARE
Inspektoria Gjenore e K. K. M
Për Kosovë

Prizren, më 4.VII.1942. XX

RAPORT
LANDA: Emigrandat shqiptarë prej tokavet nën kontrol Bullgar

P. T.
KRYEMINISITRIS
TIRANË

Në konformitet me urdhënin telegrafik t’Asaj P.T. Kryesie Nr. 87. Rez. datë 16.VI.1942. XX më 18.VI.1942.XX vizituam qytetin e Gilanit dhe qendrat e komunevet Partesh dhe Pozharanë, ku janë instalue nji shumicë e emigrantavet shqiptarë t’ikun prej tokavet nën kontroll Bulgar.
Prej kontaktit me këta emigranta dhe prej hetimeve të bamë, mbi arsyet q’i kanë shtrëngue me lanë vendin e vet, na resultojnë këto:

1)    Autoritetet ushtarake Bulgare qysh në fillim nuk janë sjellë mirë me shqiptarët. Por gjendja u-bë e pa durueshme qysh nga data 13.3.1942. XX; qysh ahere filluan torturat e mëdha; ça kanë ba Bulgarët dhe bashkëpunëtorët e tyne Serbo-Malazezë nuk rrëfehet me gojë; vetëm monstra anthropomorfe, si ata q’i banë, janë të zotë me i ba. Qenka në naturën e Slavëvet dhe të mongolo-tartarëve të slavizuem të bëjnë qejf dhe të dërfrejnë me seire makabre. (shih exposén e faktevet).
2)    Me ushtarët Bulgarë bashkëpunuan kundër shqiptarëvet Sërbët e Malazezët vendas t’armatosun prej Bulgarëvet (shih exposén e faktevet).
Prej informatavet t’jera, mbi arsyet e thella të bashkëpunimit Bulgaro-Serb kundër shqiptarëvet, na risultojnë këto:

1)    Su aty ashtu dhe në viset e Nishti t’okupuem prej Bulgarëvet, këta mundohen të fitojnë sympathinë e Sërbëvet, me sjelljen e tyne të mirë, dhe të hedhin themelet e nji bashkëpunimi të ngushtë Slav në Balkan kundër popujvet jo-Slav (Shqiptar, Grek, Turk, Rumun).
2)    Bulgaria e sotme e madhe, e fortë, e pa vrarë dhe e armatosun deri në dhambë mundohet me marrë nën projën e vetë Serbin e sotme të vogël, të dobët, të vrarë, të lodhun e të hutuar.
3)    Motto-ja: Ballkani për Slavët; bashkimi i slavëve të Ballkanit nën egidën Bulgare.

 


 

Mbetet në dorë të Qeveris të xjerë konklusion dhe të caktojë qëndrimin.

Me nderim
INSPEKTORI GJENUER I K.K.M. Për Kosovën
(Koço Tasi)


EXPOSE E FAKTEVET
KATUND PËR KATUND DHE MAS RENDIT KRONOLOGJIK


KATUNDI ZHEGRË

Para datë 13 Mars 1942.XX. Tefik Derkoli nga Zhegri, morri leje prej Kolonelit Bullgar Vojnikov me kalue kufinin bashkë me të shoqen. Në kufi u-ndaluan prej ushtarëvet Bullgar dhe, mbassi i mbajtën 7 (shtatë), Tefikun tue e rahun dhe të shoqen tue e përdor, i lëshuan.
13 Mars 1942. XX. Komandanti Bullgar i kufinit Kolonel Todar Vojnikov thirri në qendrën e vetë (Zhegrë) parin e katundevet Shqiptarë e u-tha: ju, në bashkëpunim me Shqiptarët e andej kufinit, jeni tui-u-armatosun me qëllim t’i bini ushtris Bullgare; pra, s’ju kam ma besim dhe ju ftoj të dorëzoni armët. Nga ana tjetër po atë ditë thirri parin e katundeve Serb e Malazes, u-mbajti nji fjalë e u-tha, midis t’jerave, këto: jemi vëllazër dhe duhet të harrojm të kaluemen; duhet të bashkohemi për me i ba ball ç’do reziku që mund të na vijë nga an’e Shqiptarëvet; prandaj sod do t’ju armatos që t’i ndihni ushtris Bullgare kundër Shqiptarëvet.
Mbassi u-shpërndanë armët civilavet Serbo-Malazez, këta paraduan dy-tri herë në qendën e Zhegrit, si në shenj manifestimi, me flamur Bullgar e tue brohorit për Bullgarin dhe për mbretin e sai. Komandanti u-dha këtyne këtyne kompetencë me pikuisue shpiat Shqiptare, qoftë dhe në absencën e autoritetevet Bullgarë. Nga ana tjetër u-urdhënue çarmatimi i rojtarëvet Shqiptarë të katundevet që Komanda u-pat dhanë ma parë. Gjithashtu u-dha urdhën që çdo Shqiptar që të shihet natën jashtë shpis të vritet me nji herë; dhe që kryepleqtë Shqiptarë të ndrohen me Serbër të tillë. Natën e 13 Marsit në Zhegrë dhe në katundet afër kufinit Rimik, Kabash, Nasale, Gjelekar, Uglar e Lashticë, u-ba nji alarm me bomba e mitralosa nga ana e ushtarëvet Bullgarë të ndihun nga Serbo-Malazest me pretekst sikur ngritën krye Shqiptarët. Dy Shqiptarë, mullisi Elmas Ajdini dhe rogtari i tij, u-ndodhën atë natë tue blue në mullinin e katundit Zhegrë, Bullgarët i kapnë, i shpunë larg katundit dhe i pushkatuan, Elmasi mbeti i dekun, rojtari i plagosun, mundi me ikë.
Komanda Bullgare dha urdhën 65 katundevet shqiptare gjatë vijës së demarkacionit që qent t’i lidhin dhe dyert e shpivet t’i mbajn hapët nat’e ditë.
15 Mars dit e dielë. Bullgaro-Serbo-Malazest mblodhën gjithë burrat e katundit Zhegrë dhe i shtinë në burg ku i mbajtën dy dit e dy net; po atë kohë dramë tjetër luhej nër shpiat e tyne; pleq, plaka, kalamj torturoheshin dhe gra e vajza turpëroheshin.
Po atë ditë (15-3-42) Bullgarët punë e burgosën në Zhegrë shumë shqiptarë nga katundet rrotull: Kabash, Gjelekar, Nasale e Lasticë.
16-3-1942.XX. Përpara publikut, me dru e me thikë, vranë Elez Isufin prej Zhegre dhe kufomën i-a-hoqnë bran rrugvet.
I lajmuem Marshali Italjan i Karabineris së Gilanit arriti në Zhegrë ku me syt e vet kostatori gjëndjen tragjike; gjeti atje burra shqiptarë të lidhun, të burgosun e të përgjakun. Si iku Marshali, N/Koloneli Vojnikov u-kërkoi të burgosunëvet shumën 35.000 leva dhe, i e morri, i liroi.
Prej Zhegre kanë muej me ikë deri 18.VI.1942.XX vetëm 8 (tetë) familje.


KATUNDI RIMNIK

13.3.942.XX. Me urdhën të Komandantit Bullgar N/Kolonel Todar Vojnikov: a) u-çarmatosnë kryepleqt e rojtarët shqiptarë që Komanda u-pat dhanë armë ma parë; b) u-zëvëndësuan kryepleqt shqiptarë me Serb a Malazes t’ardhun; c) u-ndaluan shqiptarët me ndej a me ecë dy së bashku, por vetëm nji nga nji; d) u-ndalua për shqiptarët qarkullimi natën, me  dënim pushkatimi.
14.3.1942. XX. Ditën e shtunë, dhe 15.3.1942.XX, ditën e Dielë para dreke, me urdhën të Komandantit Vojnikov, u-armatosën Serbët e Malazestë vendas.
15.3.51942.XX. Ditën e Dielën dai t’errur mbrini në Rimnik papandyer kalorsia Bullgare e shoqnueme me civila Serb e Malazes t’armatosun dhe n’orën 22 u-shpërndanë shpiave të katundit dhe kapnë të gjithë meshkujt prej moshës 10 deri 80 vjetsh; passi i lidhnë, i rahnë keqaz; e mandej i ndanë dysh: 90 veta i mbyllnë në xhami të katundit dhe 50 veta i dërguan në Zhegrë ku i mbyllën në një shtëpi. Pushka e mitralozi kërciste. Nga ana tjetër dhe njëkohësisht bastiseshin shpiat shqiptare; ç’u bë atje nuk tregohet; gra të rea e vajza u-turpëruan, pleq e plaka u-torturuan, shumë prej tmerrit u-prishnë mëndsh. Nga ana tjetër vazhdonte pa prâ tragjedia e meshkujvet: rriheshin me dru, thereshin me bajonet dhe vriteshin me pushkë e mitrolozë. Kjo dramë vazhdoj 4 dit e 4 net (15-19 Mars). Në duart e xhelatëvet Bulgaro-Serb-Malazes gjetnë vdekjen këta shqiptarë:

1)    Ymer Suleimani, rahun me dur e vra me bajonetë e pushkë.
2)    Bislim Rexhepi            ...               ...                   ...               ...
3)    Selim Fetahu               ...               ...                   ...               ...
4)    Ruzhdi Abduli              ...               ...                   ...               ...
5)    Hajrullah Beqiri            ...               ...                   ...               ...
6)    Sali Islami                   ...               ...                   ...               ...
7)    Shaban Ibrahimi          ...               ...                   ...               ...
8)    Halid Shabani              ...               ...                   ...               ...
9)    Hali Ibrahimi, rahun, therrun me bajonet e shti gjallë në dhé përpara popullit.
10)    Bajram Ibrahimi         ...               ...                   ...               ...
11)    Daut Ibrahimi, coptue me bajonet e hedhun në pus.
12)    Halil Selamani
13)    Zonja e Rifat Husenit përdhunue e torturue.
14)    Zonja e Abas Demirit          ...           ...             
15)    Zonja e Halit Demirit           ...           ...         
16)    Zonja e Hajrush Aliut          ...           ...           
17)    Zonja e Hamdi Aliut            ...           ...          
18)    Zonja e Halil Selmanit        ...           ...          

Nga torturat e tmeri 3-4 gra dështuan; 2 gra, 2 vasha e 5 kalamaj u-prishnë mënsh. Shumë burra, gra e kalamaj ndodhen, kush pa sy, kush pa kambë e kush pa dorë. Prej të vrarvet, tre janë gjetur cungull, pa krye e pa këmbë.
24 Prill natën ushtarë Bulgarë të shoqnuem nga Serbo-Malazes shpërndahen nër shpiat e katundit e veprojnë shka asht ma zi: tortura e shnderime.
25 Prill, 4 vasha shqiptare 18-19 vjetsh, mbassi i torturuan, i shveshnë deri në bel e sipër dhe i futnë në valle përpara publikut Slav, që sbarthte dhambët prej gëzimit. Pas valles i muar me vethe dhe si i mbajtën dy dit e dy net tiu përdor, i lëshuan. Njena sosh mbas shumë peripetive mujti me klaue kufinin dhe erdhi në Pozharan; tjetëra thuhet se ka vra vedin; sa për dy t’jerat s’dihet gja.
21.V.1942. XX. Ora pesë mas dite kanë shkue në shpi të Faik Bazit dy ushtarë Bulgarë dhe pesë Serb civil me armë. Kinse se s’u dha duhan, që s’kish, shpuan me thikë Faikun nji herë në kambë të djathtë dhe dy herë në ije të mëngjër. Faiku, vjesh 14, asht tui u-mjekue tash në Partesh. Gjithashtu shpuan me thikë Tahir Bektashin, vjetsh 30, po prej kësaj familje, nji herë në kambë e dy herë në shpinë. Xheladin Rexhën, vjetsh 48, e kanë rahun dhe rëzue tri herë përdhe për t’a therur; prej torturave humbi ndjenjat për 24 orë. Qerim Bislimit, vjetsh 28, e kanë rrahur me dru dhe shpuar me thikë në shpinë. Fetah Xhelës i kanë hye në shpi dhe, passi lidhnë e rahnë për vdekje Fetahum dhe të vëllan Kadri, përmbushnë nevojat shtazore mbi gruan e Kadriut në mes të sheshit.
Abaz Çilikut i kanë hye në shtëpi e, passi e shpuan me thikë u-mbyllnë me të shoqen Husnie në një dhomë të shpis dhe e përdornë të gjithë me radhë për 3-4 orë resht.
Ramiz Rexhepit i kanë hye në shtëpi dhe passi e rahnë për vdekje me kondak të pushkës, u-mbyllnë në një dhomë me gruan e tij dhe me të kunatën të cilat i përdornë të gjithë me radhë.
22, 23 e 24.V.1942. XX. Ushtarët Bulgarë të shoqnuem nga Sërbër e  Malazes t’armatosun kanë hye në shpiat e Fetah Xheladinit, Jetish Mustafës dhe Faik Halitit; këta i rahnë keqas dhe grat u-a turpëruan.
Katundi Rimnik ka pague Kolonelit Vojnikov rushfet herë pas here për të shpëtue nga ndjekjet 12.000 + 10.000 + 10.000 Leva.
Emrat e Serbëve dhe Malzesve civila t’armatosun që muarnë pjesë në torturat kundër shqiptarëvet, qysh në fillim e deri në mbarim, janë këta:
1)    Bogoja Jovani, 2) Draga Jovani, 3) Filiman Trajku, 4) Stojko Mladeni, 5) Nikola Mirku, 6) Kasta Trajku, 7) Felim Kasiç, 8) Serafin Javiq, 9) Nikola Galubi, 10) Zafir Stojani, 11) Vasa Nikoliq, 12) Jovan Stojani, 13) Slobodan Jovani dhe 14) Bara Milosavi, të gjithë prej katundit Rimnik. Atyre prej katundevet t’jerë nuk mundmë me u-a mësue emnat.

26.V.1942.XX. Ndai të ngdhirë, katundi Rimnik, pjesa shqiptare prej 80 familjeve gjithësej, tue mos durue dot ma torturat e mëdha, vendosi me lanë gja e plang dhe me dalë këtej kufinit në rajonin e komunevet Partesh e Pozharanë (Gilan).


P.SH:
Vazhdojn hetimet sa për ngjarjet nër katundet e tjerë; porsa të kryhen Ju impostohen, në vijim të këtij raporti.

INSPEKTORI GJENUER I K.K.M
PËR KOSOVË

KOÇO TASI.

 

 

AQSH F.   , D. 144, V. 1942, fl.18 – 23

Dokument - Oshtima


*) Në raportin origjinal emrat jepen në trajtë të plotë, këtu për arsye të kuptueshme vetëm në trajtën e inicialeve (Shën. Oshtima).

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...