Oshtima

Vendbanimi i lashtë ilir i Qafës së Thanës

Mbi Qafën e Thanës, në Jugë-Lindje të saj në anën e djathtë të rrugës automobilistike, mbi vargun malor të kësaj qafe, me lartësi 106 m. mbi nivel të detit, ngrihet një majë shkëmbore me përbërje gëlqerore, e cila sipër krijon një kurorë të bukur shkëmbore.

Këtë lartësi e cila ngrihet në trajtë koni banorët e katundit të Urakës si dhe të katundeve përreth e quajnë «Shkëmbi Urakës» ose «Shkëmbi i Qafës së Thanës».
Afër majës së kësaj qafe, lartësia e shkëmbit duke krijuar disa të thyera, bëhet më e butë, duke shtrirë nën këmbët e saj me pamje nga ana e rrugës automobilistike një shesh i cili njihet me emrin «Katundi Plak». Pranë këtij sheshi shihen trakte muresh prej guri në trashësinë mbi 1 metër, këto mure që dallohen shumë lehtë mbi sipërfaqe, në disa raste kanë trajtën e katrorit dhe të katërkëndëshit kënddrejte. Muret janë ndërtuar prej blloqesh masive guri gëlqeror, të cilët janë të vendosur njëri mbi tjetrin pa lidhje llaçi, dhe janë pa skalitur. Duke krahasuar me mure të njohura del se ata duhet t’i përkasin periudhës së parë të hekurit.
Në territorin përreth këtyre mureve, si dhe në periferinë e shkëmbit të Urakës, mbi sipërfaqe duken fragmente qeramike midis të cilave mund të gjesh grypa dhe parete pitosash të madhësive të ndryshme që disa herë kanë dhe zbukurime me valëzime, aty ka dhe parete, gryka e funde enësh të tjera, funde dhe vegje vorbash si dhe objekte të kësaj natyre. Nga qeramika e gjetur mbi sipërfaqe një pjesë e pakët i përket periudhës së parë të hekurit, por ka edhe enë që u përkasin periudhave të tjera të mëvonshme.
Fragmentet e qeramikës së gjetur kanë ngjyra të ndryshme, ato më të lashtat paraqiten me ngjyrë të zezë dhe në atë të kafes së errët. Një pjesë e fragmenteve të enëve kanë ngjyrën e kuqe dhe disa në atë të rozës, nuk mungojnë dhe fragmente në ngjyrë gri dhe ato të periudhës helenistike. Këto të fundit janë të lyer me vernik të zi si brenda dhe jashtë dhe një pjesë e tyre janë të lyera nga jashtë me vernik të zi dhe nga brenda me vernik të kuq.
Duke i parë si tërësi fragmentet prej qeramike, rezulton se në këtë vendbanim të lashtë ilir jeta ka vazhduar për një periudhë shumë të gjatë, duke filluar nga mijëvjeçari i fundit para erës sonë deri në periudhën e mesjetës.

Nga krahasimi i fragmenteve të qeramikës së gjetur në vendbanimin e Qafës së Thanës me ato të gjetura më parë në gërmimet e bëra në Lin, Kalanë e Pogradecit dhe në Selcën e Poshtme del se midis tyre ka ngjashmëri, qoftë nga përpunimi i tyre si dhe nga zbukurimet dhe trajtat. Duhen përjashtuar në këtë krahasim ato që përkasin periudhës së parë të hekurit, si dhe ato që janë të prodhimit të vet vendbanimit. Një gjë e tillë vërtetohet se në katundin e sotëm të Urakës, tek një vend që quhet Pacivalle, ka gjurmë të shumta të qeramikës, ndoshta këtu kemi të bëjmë me një punishte të prodhimit të saj.
Nga materialet arkeologjike të gjetura në sipërfaqe në këtë vendbanim të lashtë, një vëmendje të veçantë meritojnë dhe objektet prej hekuri, në këtë grup veç të tjerave, mund të përmendim sasi të shumta të zgjyrave të hekurit të cilat dëshmojnë për zhvillimin e përpunimit të metaleve nga të parët tanë.
Nga analizat laboratorike që ju bë këtyre zgjyrave rezultoi se ato në vehte përmbajnë akoma rreth 46.73 të përbërjes së mineralit të hekurit.

Banorët e këtij vendbanimi të lashtë, duke qenë afër zonave të pasura me minerale përreth, si ato të maleve të Cervenakes, Rodokalit dhe të Pishkashit ka të ngjarë të kenë njohur dhe shkrirë këtë lloj minerali, prej të cilit mjeshtrit ilirë të përpunimit të metaleve të kenë nxjerrë nga duart e tyre, armët e luftës dhe veglat e punës.
Përmbi sheshin e katundit Plak, duke iu ngjitur naltësisë së shkëmbit në lartësinë 106 mbi nivel, gjinden të njëjta objekte arkeologjike që gjenden dhe poshtë sheshit; aty afër majës ndodhen të tjera gjurmë të vazhdimit të lashtë sheshi i sipërm me emrin lëmi i «Kaurit».
Në afërsi të këtij sheshi duken mbi sipërfaqe traktet e mureve të ndërtesave, si dhe të një muri të pjesshëm të mbrojtjes, që ka rrethuar dikur këtë vendbanim i cili ka shërbyer për mbrojtjen e banorëve nga sulmet e ndryshme dhe ka pasur pozitë strategjike të mirë.
Vrojtimi nga maja e këtij shkëmbi, shtrihet në grykën e maleve të Qukësit kalanë e gurit të Pishkashit, Gradishtën e Manastirecit dhe Gurin e Cukës Rodokalit. Meqenëse ky vendbanim ka vazhdar të ekzistojë edhe në kohën antike dhe më vonë banorët e tij kanë pasur ndoshta si detyrë ruajtjen dhe kontrollimin e njërës nga degët e rrugës së Kandavisë ose të rrugës Egnantia sikundër u quajt kjo në periudhën e pushtimit romak në Iliri.

Ky vendbanim duke qenë në pozicion kyç dhe strategjik, ka shërbyer dhe si stacion qëndrimi për udhëtarët të cilët duke udhëtuar nga Iliria për në Maqedoni, kanë qëndruar dhe pushuar në këmbët e këtij vendbanimi; të cilin në burimet historike të kohës antike është quajtur me emrin «Pons Servili» emër i cili identifikohet me Urakën. Që dikur pranë këtij vendbanimi ka kaluar një rrugë e lashtë e cila lidhte Ilirinë me Maqedoninë, kjo vërtetohet dhe nga një tjetër faktor. Në afërsi të uljes së Qafës së Thanës në drejtimin e veri-lindjes ruhet një trakt muri rreth 50 m. i gjatë dhe mbi 1.70 m. metra i lartë. Muri është ndërtuar me blloqe të mëdhenj guri pa llaç dhe ka shërbyer me sa duket për të mbajtur trasenë e rrugës që ka kaluar aty nën drejtimin e saj për në Maqedoni.

Me interes me këtë vendbanim është dhe qenia aty e dy shpellave të cilat shikojnë në drejtimin jugor të shkëmbit. Njëra prej tyre, ajo më e madhja është shpellë eremitësh dhe banorët e Urakës e quajnë «Kisha e Urakës». Në faqen shkëmbore të kësaj shpelle në anën e djathtë të hyrjes në të duken akoma gjurmë të afreskeve murale të cilat mendohen se i përkasin periudhës jo më vonë se shek. XIV.
Nga vetë pozicioni dhe natyra përreth ku është ngritur vendbanimi i lashtë, duhet menduar se banorët e tij janë marrë me blegtori, gjithashtu nuk përjashtohet mundësia e zhvillimit të bujqësisë për shkak se aty pranë shtrihet fusha e bukur e Domosdovë. Pitosat e mëdhenj që gjinden të fragmentuar mbi sipërfaqe kanë shërbyer si hambar të prodhimeve bujqësore. Duke qenë pranë liqenit të Ohrit këta banorë të lashtë të tij kanë pasur mundësinë të merren edhe me peshkim të hapur.

Vendbanimi i lashtë i Qafës së Thanës megjithëse i pastudiuar plotësisht është me shumë interes. Studimet e mëvonshme dhe gërmimet arkeologjike që mund të bëhen në të ardhmen do të hedhin dritë të plotë mbi këtë vendbanim.

 

 

        «Buletin Arkeoligjik», 4, 1974.  

 

Dhimitër Ristani


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...