Oshtima

Jashar Shkupi, figurë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Jashar Shkupi zë një vend të rëndësishëm në vargun e gjatë të atdhetarëve të shquar të Shkupit e të trevës së tij. Shqiptarët ishin popull mbizotërues në krahasim me popujt e ndryshëm pushtues, që u vendosën në këtë qytet dhe natyrisht se luajtën rol kryesor në jetën e tij shoqërore, ekonomike e politike. Ata lanë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë së këtij qyteti gjeostrategjik në epoka të ndryshme historike. Në këtë kuadër do të shquhen edhe gjatë epokës së Rilindjes sonë Kombëtare[1].

 

Në formimin e Jashar Shkupit si personalitet prej atdhetari të shquar do të ndikojë edukata me të cilën u brumos që nga familja, e cila prej kohësh ishte ndërgjegjësuar si njëra ndër familjet më të shquara për shqiptarësi, si dhe, duke qenë njëra nga familjet më të pasura të qytetit, kishte mundësi të investonte në kultivimin e kësaj ndjenje, jo vetëm te popullata shumicë e këtij qyteti, por edhe më gjerë[2].

 

Në ndërgjegjen e Jasharit, që në fëmijëri, la mbresa, gjurmë të pashlyeshme kryengritja shqiptare e udhëhequr nga Dervish Cara (1843), e cila shpërtheu në Shkup dhe mori flakë në trevat lindore shqiptare nga Dibra e Manastiri e deri në Leskoc e Prishtinë, si dhe kërkesa e shtruar tek autoritetet osmane për autonominë e Shqipërisë[3]. Ajo do të jehojë fuqishëm ndër banorët e viseve të përfshira në krye­ngritje, si një çështje që duhej jetësuar, pa marrë parasysh çmimin e saj. Te Jashari me bashkëmendimtarë do të piqej bindja se edhe Shqipëria duhej ta ndiqte rrugën e fqinjëve të saj, që kishin fituar autonominë në kuadër të Perandorisë Os­mane, si një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme e çdo populli.[4]

 

 

Bindja e Jasharit dhe e shumë atdhetarëve të tjerë për domosdonë e mëvetësisë së Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane do të forcohej më 1877, pas Traktatit të Shën Stefanit, sipas të cilit, trevat lindore shqiptare i jepeshin Bullgarisë së madhe, ndërsa ato veriore Serbisë dhe Malit të Zi, përfshirë edhe Shkupin, vendlindjen e Jasharit[5].

 

Këta qenë faktorët, të cilët diktuan që Jashar Shkupi të përcaktohej për domosdonë e organizmit të shqiptarëve e ta bashkërendiste veprimtarinë e tij me drejtuesit e krahinave të tjera të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me Komitetin e Stambollit në krye, me synim zhbërjen e Traktatit të përmendur më sipër, duke ngulmuar që me forcën e armëve të sakrifikohej edhe shqiptari i fundit në mbrojtje të trojeve etnike. Jashar Shkupi që nga fillimi i Krizës së Madhe Lindore (1975), duke pasur ideal madhor çështjen dhe çlirimin e atdheut të tij, do të shquhej si njëri nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Krahinës së Shkupit e më gjerë në trevat e Shqipërisë Verilindore gjatë periudhës së kësaj krize (1877-1878). Me angazhimin e tij të gjithanshëm, si për mobilizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e tokave të rrezikuara verilindore shqiptare nga ushtria serbe e bullgare, organizimin e strehimit dhe sigurimit të kushteve për jetesë të refugjatëve[6] etj. u kthye në njërin ndër personalitetet kryesore të organizimit të qëndresës antiserbe e anti bullgare, si dhe të mbrojtjes së trevave të tjera që rrezikoheshin të pushtoheshin nga këto ushtri. Këto rrethana diktuan që krahina e Shkupit të kthehej në një qendër e nyjë të rëndësishme politike për trevat veri-lindore shqiptare.[7]

 

Për sa u tha më sipër, faktorët e përmendur përbënin të veçantën e Shkupit dhe në atë kuadër të Jashar Shkupit, i mundësuan që me veprën e tij të zinte vend ndër figurat e shquara të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[8]

 

 

Formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i parapriu periudha parapërgatitore, kur edhe krahina e Shkupit, e cila në periudhën shkurt-prill 1878 po përjetonte zhvillimet ndër më të rëndat në historinë e tij; ushtria serbe, me ndihmën e gjithanshme të oficerëve e të armatimit rus, me zjarr e hekur i ishte afruar Shkupit në një distancë prej 30 kilometrash, ndërkaq çetat vullnetare luftonin me një trimëri të rrallë kundër ushtrisë serbe, sikundër edhe kundër ushtrisë malaziase. Tashmë, Serbia, me veprimet që përmbanin elemente të etnocidit, kishte dëbuar shqiptarët nga krahinat e banuara prej tyre të sanxhakut të Nishit dhe po u kërcënohej edhe Kumanovës e Shkupit. Ishin çetat shqiptare të zonës Kumanovë - Preshevë që po përballeshin me çetat serbe në lindje të këtyre zonave, duke përfshirë këtu edhe luftimet me forcat e ushtrisë serbe. Krahas çetave të tjera shqiptare, do të shquhej edhe çeta e trimëreshës me nam në krahinën e viseve lindore shqiptare e më gjerë Çeta e Halime Mutllovës[9] (në lindje të Luginës së Preshevës).

 

Kjo vashë e veshur me kostum burrash prej dy vitesh po i përballte me sukses, në bashkërendim edhe me çetat e tjera shqiptare, sulmet e çetave e të ushtrisë serbe në krahinat e përmendura shqiptare.[10]

 

Në ato çaste kritike për copëtimin e mëtejmë të tokave shqiptare, Jashar Shkupi do të shquhej si njëri ndër organizatorët kryesorë në luftë kundër këtyre rreziqeve e në mbrojtje të viseve shqiptare lindore, të sanksionuara me Traktatin e Shën Stefanit. I mishëruar me idealet e larta kombëtare, Jashar Shkupi ia doli ta bashkërendonte një aktivitet të ngjeshur me atdhetarë të tjerë të qytetit të Shkupit e të krahinës së tij, duke i vetëdijesuar për rrezikun që u kërcënohej krahinave të përmendura më sipër nga pushtimi serb. Për këtë qëllim, Jashar beu, me gjithë qenien e tij, u vu në mbrojtje të tokave shqiptare që edhe më tej po kërcënoheshin nga rreziku i pushtimit serb nga veriu dhe atij bullgar nga lindja; vuri në shërbim të çështjes gjithë pasurinë e tij të madhe që e kishte në Shkup e në krahinën e tij dhe ia doli të mobilizonte mijëra vullnetarë të krahinës së Shkupit në çeta të armatosura për të kundërshtuar me forcën e armëve pushtimin bullgar të krahinës së Shkupit. Ishte pikërisht Jashar Shkupi, i cili në periudhën mars-qershor 1878 organizoi mijëra burra të kësaj krahine, që ishin të gatshëm të sakrifikoheshin në mbrojtje të tërësisë së trojeve të tyre etnike.[11]

 

Jashar Shkupi me bashkëveprimtarë, krahas organizimit të çetave të arma­tosura vullnetare, u shqua edhe me aktivitetin diplomatik, jo vetëm si një nga përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare të Shkupit, por edhe më gjerë të viseve etnike shqiptare. Pikërisht Jashar Shkupi, në burimet angleze, dëshmohet se ishte nismëtar për hartimin dhe dërgimin e protestave shqiptare drejtuar Perandorisë Osmane dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha të kësaj krahine, duke vënë në dukje se në mbrojtje të Shkupit e të krahinave të tjera shqiptare, shprehnin gatishmërinë për të rënë "në fushën e nderit” edhe të shqiptarit të fundit të Krahinës së Shkupit, nëse ajo do të binte nën “sundimin e egër barbar dhe gjakatar bullgar”.[12]

 

Përballë rrezikut që i kërcënohej tërësisë së tokave etnike, Jashar Shkupi, do ta shohë të nevojshme të vihet në krye të atdhetarëve të krahinës së Shkupit dhe në bashkëveprim me atdhetarët e krahinave të tjera shqiptare[13], do të zhvillojë një veprimtari të ngjeshur, në përpjekje për të shpëtuar gjymtimin e mëtejmë të trojeve etnike shqiptare. Prandaj, ai, në vigjilje të Kuvendit themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do t’i deklaronte gazetarit rus të gazetës “Sankt Peterburske Vjedemosti” se motivet e organizimit të Kuvendit të Prizrenit, tubimit gjithëkombëtar shqiptar, e kishin burimin te tradhtia që ua kishte bërë Perandoria Osmane tokave shqiptare, se “sulltani i ka shitur shqiptarët, prandaj ata nuk do ta njohin më atë si sov­ran”.[14] Shih në këto rrethana hamletiane, (“të jesh a të mos jesh”), ai do ta marrë guximin që të vihet në krye të delegacionit prej disa anëtarësh të Krahinës së Shku­pit në Kuvendin Themelues të Prizrenit[15](10.06.1878).

 

Në punimet e këtij tubimi historik të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sami Frashëri numëronte midis delegatëve të dalluar të Kuvendit Shaban Prizrenin, Zija Prishtinën, Jashar Shkupin, Filip Dodën etj.[16] Kështu, ai do të radhitej jo rastësisht përkrah figurave të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si: Iljaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia etj., për ta përfaqësuar denjësisht jo vetëm krahinën e Shkupit, por edhe më gjerë  kombin, i cili gjatë gjithë epokës së veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të qëndrojë i pamposhtur në radhët e linjës atdhetare të kësaj faze të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare[17].

 

Pas përfundimit të punimeve të kuvendit themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Jashar Shkupi, jo vetëm do të shquhej për themelimin e Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, në krye të së cilës u vu, por do të angazhohej me përkushtim të rrallë për t’i zbatuar vendimet e Kuvendit të Lidhjes, të Këshillit të Përgjithshëm që do të merrej me çështje legjislative dhe Komiteti Qendror, që kishte funksion ekzekutiv, si dhe organizmave të tjerë qendror e krahinors, që konsistonin në mbrojtjen e viseve shqiptare, të cilat, me vendimet e Kongresit të Berlinit, iu dhanë Malit të Zi, si dhe për përmbushjen e programit për autonominë e Shqipërisë.[18]

 

Që në debatet rreth programit të Lidhjes  kur delegatët e saj u ndanë në dy grupe: nëse ajo do të ishte organizatë me karakter kombëtar, që do të luftonte jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit të tokave shqiptare, por edhe për të siguruar të drejtat e popullit shqiptar apo grupimit proislam, i cili do të kishte karakter turko­man, do të shprehte besnikërinë ndaj sulltanit, që përfaqësohej me disa delegatë turq, myslimanë e boshnjakë. Jashar Shkupi me disa shkupjanë do të radhiteshin përkrah grupimit të parë, i cili doli fitimtar pas ardhjes së delegatëve nga krahinat e tjera, sidomos të vilajetit të Shkodrës dhe fitoi shumicën e votave të delegatëve të mbledhjes së 2 korrikut 1878[19], kur u miratua Kanuni i ri. Jashar Shkupi ishte me vendosmëri përkrah këtyre forcave.[20] Sipas tij, Lidhja e formuar në Prizren do të luftonte për të drejtat e Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare[21]. Me këtë program, Lidhja do të shtrihej me degët e saj në të gjitha viset e Shqipërisë do ta shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta një sërë taksash buxhetore, të kishte gjyqe të veçanta etj. Me kalimin e kohës do të ngrihej platforma për autonominë e Shqipërisë.[22]

 

Me atdhetarë të Shkupit e të trevës së tij, Jashar Shkupi ngriti Degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, apo komitetin në Shkup, në krye të cilës u vu ai vetë, për ta përmbushur programin e Këshillit Qendror të Lidhjes të 2 korrikut 1878 si dhe vendimet që pasonin nga kuvendet e mbajtura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, e që përkonin me mbrojtjen e tokave shqiptare, të cilat Kongresi i Berlinit vendosi t’ ua jepte Malit të Zi dhe Serbisë. Sikundër edhe degët tjera të Lidhjes, edhe ajo e Shkupit do të vihet në mbrojtje të tërësisë së tokave shqiptare dhe në luftë për t’i përmbushur kërkesat për autonominë e Shqipërisë. Këto dy çështje thelbësore e karakterizuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit gjatë gjithë periudhës së veprimit të kësaj organizate ushtarake politike shqiptare, të mbështetur nga shumica dërrmuese e popullit shqiptar, pavarësisht nga përkatësia fetare e sociale, pra me mbështetje gjithëpërfshirëse të atillë që nuk ishte parë që nga Epoka Skënderbejane[23].

 

Në fazën e parë të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kohën kur nuk ishte bërë diferencimi i qartë midis kërkesave programatike të Lidhjes due të qeverisë osmane, krahas Jashar Shkupit, u shquan edhe atdhetarët e tjetër të Degës së Shkupit, si: Abdyl Shkupi, Fil Mustafa, Galip Shkupi, Baku efendiu, Xhavit efendiu, Xhelaledin[24] etj. Me kalimin e kohës, pas përpunimit të Programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur ai mori karakter autonomist thjesht shqiptar[25], në radhët e Degës së Shkupit, sikurse në degët e tjera u bënë diferencimet, si rrjedhojë e rrethanave të jashtme e të brendshme. Duhet vënë re se të gjitha burimet diplomatike të kohës flasin qartë se në krye të grupimi militant autonomist të anëtarëve të Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të qëndronte gjithnjë i patundur Jashar Shkupi. Përkrah tij shquhen një plejadë atdhetarësh shqiptarë të Shkupit e të krahinës së gjerë të tij, si: Abdyl Shkupjani, Xhavit beu, Baki efendiu[26] etj.

 

Jashar Shkupi dëshmoi një energji të pashtershme prej atdhetari të devotshëm, një vullnet të pamposhtur në organizimin e Degës së Lidhjes dhe në bashkërenditjen e veprimtarisë së tij fal angazhimit të tij vetëmohues, ia doli të shtrijë ndikimin e saj në radhët e popullsisë së qytetit dhe të trevës së gjerë të Shkupit. Jo vetëm kaq, dega e këtij qyteti me Jashar Shkupin në krye, ndihmoi në ngritjen dhe veprimtarinë e degëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetet e afërta të Shkupit, si Kumanovë, Preshevë, Tetovë dhe Kaçanik. Pikërisht Jashar bej Shkupi, me veprimtarinë bashkërenduese me atdhetarët e tjerë të këtij qyteti e të krahinës, sensibilizuan me sukses kërkesat programatike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndër masat shqiptare të kësaj krahine. Për rrjedhojë, Dega e Lidhjes Shqiptare e Shkupit, në gjysmën e dytë të vitit 1878, ia doli të dominojë në jetën politike në Shkup e në krahinat e tij. Sipas një diplomati të huaj, Dega e Shkupit, me Jashar Shkupin në krye, me veprimet e saj po shkonte “hap pas hapi drejt pavarësimit[27]. Kështu, kundër dërgimit të forcave ushtarake në veri për t’ia dorëzuar Malit të Zi Plavën e Gucinë, Dega e Shkupit organizoi shkupjanët që ta kundërshtonin dërgimin e forcave ushtarake atje. Sipas një burimi anglez, masa e qytetarëve iu drejtuan Stacionit të Trenit të qytetit për ta ndaluar dërgimin e ushtrisë e të municioneve në viset e përmendura.[28

 Jashar Shkupi provohet se u angazhua me përkushtim për jetësimin e vendimeve të Kuvendit të Dibrës për hapjen e shkollës së parë shqipe në Shkup në fund të vitit 1878[29].

Jashar Shkupit i takojnë meritat e mëdha për ngritjen e gjyqit shqiptar në Shkup, i cili filloi të funksionojë nga qershori i vitit 1879, krahas atij osman. Gjyqi shqiptar në këtë qytet, sikurse në shumë qytete të Shqipërisë verilindore, qe rezultat i trysnisë së fuqishme të krahut atdhetar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjyqi shqiptar i Shkupit, i përbërë prej 20 gjykatësve shqiptarë, gjykonte sipas të drejtës vendase  Kanunit të Lekë Dukagjinit. Prandaj, gjyqet shqiptare të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbanin rregullin në qytet e krahina për faktin se atyre i nënshtroheshin shumica e banorëve të krahinës Shkupit  shqiptarët.[30] Veprimi i këtij gjyqi konfirmohet nga burime të kohës. Konsulli britanik në Prishtinë pohon: “Në Prishtinë dhe në Shkup shqiptarët gjykojnë krejtësisht me gjyqet e tyre të mbështetur në traditën e tyre”.[31]

Kontributi që dha Dega e Lidhjes në Shkup për Betejën që u zhvillua ndërmjet ushtrisë shqiptare dhe asaj malaziase për Hotin, Grudën dhe një pjesë të Kelmendit (22 prill 1880) lidhet me emrin e Jashar Shkupit i cili i dërgoi disa vullnetarë nga krahina e Shkupit në këtë betejë[32]. Koloneli i Garnizonit të Shkupit, Ibrahim pasha, i largoi disa nëpunës të garnizonit nga puna që ishin dëshmuar si miq të Degës së Lidhjes e që, sipas tij, kishin ndihmuar shkuarjen e vullnetarëve shqiptarë në betejën e përmendur.[33]

Siç dihet, pas dështimit të ushtrisë malaziase për ta marrë Plavën Gucinë e më pas Hotin Grudën e Kelmendin, Fuqitë e Mëdha vendosën që Malit të Zi t’i jepej Ulqini me krahinën e tij. Në Kuvendin e Dibrës, në nëntor të vitit 1880, ku morën pjesë edhe Jashar Shkupi dhe Baki efendiu, delegatë të Degës së Shkupit, anëtarët e kuvendit u ndanë në dy krahë: në të matur dhe në radikalë. Krahu i parë mori pozicione për një qëndrim të butë, pa u konfrontuar me Perandorinë Osmane[34], ndërsa krahu i dytë ishte për veprim radikal ndaj Portës së Lartë në rast se Ulqini do t’i dorëzohej Malit të Zi. Në këtë rast ushtria e Lidhjes do të fillonte me masa radikale, duke e dëbuar administratën osmane për ta marrë Lidhja situatën në duart e saja. Delegatët e Shkupit, Jashar Shkupi dhe Baki efendiu, u përcaktuan për grupimin radikal.[35] Ndërsa kuvendi i dërgoi dy rezoluta të veçanta Portës së Lartë. Baki efendiu u përzgjodh njëri nga dy delegatët që do t’ia dorëzonin sulltanit rezolutën e krahut radikal, i cili u pengua për një kohë në Selanik për të mos iu dorëzuar sulltanit versioni kërcënues të krahut radikal[36].

Meqenëse, përgjigjja e sulltanit qëllimshëm po zvarritej, Jashar  Shkupi, në cilësinë e kryetarit të Degës së Lidhjes të Prizrenit në Shkup, pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi nga forcat e osmane dhe demonstrimit detar të Fuqive të Mëdha, veproi sipas vendimeve të krahut radikal të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kështu, duke e vënë në veprim Komitetin ushtarak të Degës në Shkup, filloi mobilizimin e burrave të aftë për mbrojtjen e Ulqinit.[37]

Dega e Lidhjes Shqiptare të Shkupit, nën udhëheqjen e Jashar Shkupit, këtij atdhetari energjik e të guximshëm, sipas burimeve të kohës, ia doli ta organizojë vet mbrojtjen e qytetit e të krahinës e më gjerë e nuk përfillte organet osma­ne, por të gjitha veprimet i bënte në përputhje me vendimet dhe urdhëresat e Këshillit Qendror të Lidhjes në Prizren.[38]

Pas dorëzimit të Ulqinit, si dhe vonimit të përgjigjes së sulltanit, Jashar Shkupi organizoi Lëvizjen e armatosur kundërosmane në Shkup dhe në krahinën e tij. Kështu, kur në javën e parë të dhjetorit të 1880, Porta e Lartë u përpoq ta rimerrte kontrollin në Shkup dhe në krahinë e tij, përmes dërgimit të mytesarifit të ri - Arif beut, i cili do ta zëvendësonte Qemal efendiun, forcat e armatosura të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nën udhëheqjen e tij, më 4 dhjetor 1880 dëbuan qeveritarin osman, bllokuan Urën e Gurit mbi Vardar, për ta penguar ardhjen e përforcimeve të ushtrisë osmane dhe vunë kontroll të plotë në Shkup, qytet me rëndësi të veçantë gjeostrategjike. U sekuestruan një sasi armësh nga de­pot e ushtrisë osmane.[39] Mirëpo, u lejua që ushtria osmane të vendosej në Kalanë e qytetit.[40] Megjithatë, kjo ngjarje ishte e një rëndësie të veçantë për Shkupin e për krahinën e tij, sepse ai u çlirua përkohësisht nga zgjedha osmane dhe filloi jetësimi i programit të autonomisë së Shqipërisë.[41] Siç dihet, ndikimin e saj, Dega e Lidhjes Shqiptare e Shkupit e shtriu deri te Ura e Gurit.[42] Ndërkaq Sami Frashëri, pas përhapjes së lajmit, i shkruante Jeronim de Radës: “Lidhja Shqiptare që e ka kërthizën në Prizren, në Gegëri me 10.000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Ysqyp (Shkupin R. A.) dhe udhën e hekurt”[43], që do të thotë linjën hekurudhore, e cila gjendet përtej Vardarit. Dokumentet e konsujve në Shkup nuk e provojnë këtë.[44]

Kjo ngjarje, në fakt shënonte ditën e çlirimit të Shkupit, kur pushoi së funksionuari administrata osmane, e cila u zëvendësua me administratën shqiptare, ndërsa Jashar Shkupi zuri postin e prefektit, komandantit të forcave të armatosura dhe komandantit të policisë (mytesarifit).[45] Ndërsa konsulli anglez në Selanik pohonte se Jashar Shkupi kryente funksionin e “kryetarit të Komitetit (lokal R. A.), të prefektit dhe të kryekomandantit të Shkupit’’.[46] Ndërsa Jashar Shkupi mori postin e prefektit (mytesarifit) të dëbuar osman e të komandantit të forcave të armatosura dhe komandantit të policisë së këtij qyteti e të krahinës së tij[47]. Kjo ngjarje përbënte kthesën historike të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, si dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Fal vetëmohimit të drejtuesve të saj, me Jashar Shkupin në krye, Dega e Lidhjes Shqiptare në Shkup e shtriu kontrollin e plotë edhe në kazatë e banuara kryesisht me shqiptarë.[48] Ai qeverisi e komandoi Shkupin afër katër muaj, nga 4 dhjetori 1880 deri në 22 mars 1881.[49]

Duhet të vihet në dukje se çlirimi i Shkupit, sipas konsullit anglez në Selanik, ishte në lidhje të ngushtë me zhvillimet në viset tjera të Shqipërisë Veriore. Ai shkruan se “Lëvizja në Shkup është në lidhje të ngushtë me ngjarjet në Shkodër dhe me zhvillimet në Prizren dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë së Sipërme”.[50] Gazeta ruse “Sankt Pjeterburske vjedomosti” e 25 shkurtit 1881, njoftonte opinionin rus se “Lidhja Shqiptare zotëronte plotësisht qytetet: Prizren, Shkup, Pejë, Gjakovë e Prishtinë dhe se në këto qytete ishte asgjësuar plotësisht pushteti osman”.[51] Konsulli anglez në Selanik vlerësonte lart qeverisjen e Shkupit nga Jashar Shkupi si perfekt i qytetit. Efektet e qeverisjes së Degës së Shkupit vlerësoheshin nga ai si të një niveli të lartë. Ai e merrte Shkupin si shembull të rendit e të qetësisë në gjithë Vilajetin e Kosovës. Kjo për faktin se administrata e prefektit të ri, me Jashar Shkupin në krye, po ndërmerrte masa të rrepta ndëshkimi (dënimi) ndaj kundërvajtësve të rendit në qytet. Sipas tij, hotelet e hanet inspektoheshin vazhdimisht nga agjentë të dërguar nga Këshilli lokal i Lidhjes dhe të gjithë të huajve u kërkoheshin pasaporta e dokumente të tjera, të nevojshme për kalim kufijsh.[52]

Gazetari anglez, Stjuart Glennie, i cili kishte ardhur në Perandorinë Osmane, dëshironte ta vizitonte Vilajetin e Kosovës në pjesën e parë të muajit shkurt 1881. Glennie kontaktoi për këtë me Jashar Shkupin, i cili e pajisi atë me leje qëndrim. Me rekomandimin e tij, gazetari anglez thotë se kishte të drejtë ta vizitonte gjithë Vilajetin e Kosovës, të Shkodrës dhe vilajetet e tjera shqiptare. Sipas këtij gazetari, Jashar beu kishte biseduar lirshëm me të në favor të Lëvizjes shqiptare për autonomi.[53]

Në një njoftim të konsullit anglez në Selanik thuhet se linja hekurudhore Selanik-Mitrovicë, ishin nën kontrollin e saj dhe se ushtarët e saj po e pengonin transportimin e materialit luftarak dhe të ushtarëve nga Selaniku drejt Mitrovicës. Ndërsa, vihej në dukje se interesat tregtare Qeveria e Përkohshme kishte vendosur të mos pakësoheshin[54].

Po atë ditë që u çlirua Shkupi nga ushtarët e degës së Lidhjes Shqiptare të Priz­renit nën udhëheqjen e Jashar bej Shkupi, u organizua një tubim i madh popullor në sheshin e qytetit pranë xhamisë së sulltan Muratit. Para turmës së madhe fjalimin e mbajti Jashar Shkupi. Në fjalimin e tij, ai vuri në dukje se “shqiptarët janë ngritur kundër qeverisë osmane, sepse po i humbin krahinat më të bukura”, duke kërkuar nga të pranishmit të mos jepnin “më djemtë ushtarë”, por të rrinin “në shtëpitë e tyre nëpritmëri”[55].

Disa burime të proveniencave të huaja, dëshmojnë se Jashar Shkupit i përkasin meritat më të mëdha për organizimin e pushtetit dhe të administratës shqiptare në vend të asaj osmane gjatë periudhës dhjetor 1880 - mars 1881. Gjatë asaj periudhe të qeverisjes së Shkupit nga Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, fal angazhimit të këtij atdhetari të devotshëm, në bashkëveprim me atdhetarët e tjerë të Shkupit e të krahinës së tij, pati aktivitet të frytshëm. Konsulli anglez në Selanik e vinte në dijeni qeverinë e tij se pasi ishte vendosur pushteti i Lidhjes Shqiptare në Shkup, kryeadministrator i ri i qytetit dhe i gjithë sanxhakut të Shkupit i ngjashëm me atë të mytesarifit ishte vënë Jashar Shkupi, personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare i kësaj ane dhe luftëtar i devotshëm për autonominë e Shqipërisë. Sipas konsullit të përmendur, Jashar bej Shkupi po udhëhiqte me sukses Lëvizjen Shqiptare dhe “qeverisjen e qytetit, me ndihmën e Këshillit të Ri administrativ, me anëtarë që mbështesin kthesën historike të Lidhjes në Shkup e në trevën e tij[56].

Më 4 janar të vitit 1881 në Shkup arriti një kontingjent i ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Sylejman Vokshin në krye. Kjo datë gabimisht merret si dita e çlirimit të Shkupit,[57] sepse çlirimi i tij, siç u vërejt, u bë më 4 dhjetor, që do të thotë një muaj më parë. S. Vokshi me ushtrinë e tij qëndroi disa ditë, apo rreth një javë në Shkup, prej nga do t’i drejtohej Prishtinës. Më 8 janar, me rastin e ardhjes së tij në Shkup, Jashar Shkupi organizoi një tubim të madh popullor që u mbajt pranë njërës nga xhamitë e qytetit. Pas fjalimit, të cilin e mbajti komandanti i forcave të armatosura të Lidhjes, Jashar Shkupi kërkoi nga të pranishmit që të jepnin besën se do t’u bindeshin urdhërave të Lidhjes. Ata u betuan se njihnin vetëm Lidhjen Shqiptare si autoritet të tyre dhe jo autoritetet osmane. Më pas, Jashar Shkupi i shoqëruar nga 40 burra të armatosur, shkoi në konak të mytesarifit, Tajar Pashas, i cili ia kishte dalë që fshehurazi të hynte në qytet, me ndihmën e ushtarëve osmanë të strehuar në Kala. Jashar beu ia komunikoi vendimin e Degës së Lidhjes Shqiptare të Shkupit, se ai mund të qëndronte në konak, por me kusht që t’i zbatonte urdhërat e Lidhjes.[58] Këtë njoftim e bënte të ditur edhe konsulli i përgjithshëm anglez në Selanik, në raportin që ia dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër.[59]

Jashar bej Shkupi do ta qeverisë me sukses Shkupin në periudhën dhjetor 1880  gjysma e dytë e marsit 1881, gjithnjë me direktivat e Komitetit Qendror në Prizren, rrjedhimisht Qeverisë së Përkohshme.[60]

Diplomatë e gazetarë të huaj pohojnë se gjatë qeverisjes së Shkupit nga Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me Jashar  Shkupin në krye, shkruajnë se në atë qytet mbretëronin rendi e qetësia, madje vihej në dukje se kjo gjendje funksiononte shumë më mirë se gjatë periudhës së qeverisjes osmane”.[61] Këtë konstatim e kanë bërë edhe diplomatë të huaj, si dhe gazetari anglez që i vizitoi atëkohë Shkupin dhe Kosovën, Stjuart Glinne. Sipas tij, kundërvajtësit e rendit dhe të qetësisë ndëshkoheshin rreptësisht, u pezulluan gjakmarrjet, cuba dhe njerëz të tjerë jashtë ligjit nuk bridhnin më të pandëshkuar, ndërsa “shtëpitë me nam të keq janë ngujuar dhe nëse ndonjë shqiptar shkel urdhërat e saj ai bëhet objekt talljeje publike”,[62] pohonte një diplomat i huaj për këtë ngjarje.

Jashar Shkupi, në cilësinë e prefektit, një kujdes të veçantë ia përkushtoi parandalimit të konfliktit ndëretnik në Shkup e në krahinat e tij mbi baza nacionale, duke marrë në mbrojtje minoritetin sllav të qytetit e të krahinës. Sipas konsullit anglez në Selanik, Blunt, krerët e Lidhjes (Shqiptare të Prizrenit R. A.) po ndiqnin një politikë pajtuese kundrejt “banorëve të krishterë”.[63] Edhe Jovan Haxhi Vasileviqi, shkencëtar serb i cili e vizitoi Shkupin pak vite më vonë, pohon se minoriteti sllav i Shkupit, që ishte i lidhur me ekzarkatin bullgar, e kishte pranuar pushtetin e Lidhjes në Shkup, pasi kishte marrë udhëzimet e drejtueseve më të lartë fetarë të tij nga Stambolli[64].

 

Nuk dihet se si ushtria osmane me Ibrahim pashën ia doli të hynte në qytetin e Shkupit e në krahinën e tij. Këtë informacion ia dërgon konsullit anglez në Selanik agjenti i tij sekret nga Shkupi[65]. Ai pohon se pasi kishin arritur dy trena me ushtarë osmanë, me Ibrahim pashën në krye, ishte vënë lidhja me ushtrinë osmane që po qëndronte në Kalanë e Shkupit dhe më 7 mars pashai osman ia doli të depërtojë në Shkup e në krahinën e tij.[66]

 

Kristo Frashëri thotë se gabimi i Degës së Shkupit qëndronte në faktin se ajo kishte lejuar të strehohej garnizoni osman në Kala. Mirëpo, kjo dukuri nuk ishte karakteristike vetëm për degën e Shkupit. Në këtë formë, ushtria osmane gjeti strehim edhe në qytetet e tjera ku e mori pushtetin Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Më 22 mars 1881 Jashar Shkupi dhe 11 atdhetarë të shquar të Degës së Lidhjes së Prizrenit të Shkupit e të krahinës së tij u arrestuan në pabesi nga Ibrahim Pasha. Ata u ftuan në bisedime nga ky pasha dinak. Pasi u bindën që t'i linin armët në korridorin e konakut të prefektit, ndërhyri me shpejtësi njësiti special i ushtrisë osmane të Vilajetit të Kosovës, i cili, në kohën kur drejtuesit e Degës së Shkupit po hynin në konak, ishte fshehur prapa mureve të Kalasë së qytetit. Pas çarmatosjes ata u kapën, iu vunë prangat e hekurit, në këmbë e duar dhe nën përcjelljen e njësitit të përmendur ushtarak u dërguan me tren në Selanik dhe më tej u internuan në kështjellën famëkeqe të Rodosit, në detin Egje. Arrestimi i këtyre atdhetarëve, me Jashar Shkupin në krye, përbën përmbylljen e kapitullit të Epokës së Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup. E shohim të arsyeshme të vëmë re se shumë diplomatë të huaj të akredituar në qytetet shqiptare e vlerësonin Degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup si njërën ndër vatrat më të rëndësishme të qëndresës dhe të aktivitetit që dëshmoi ajo gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë së kësaj organizate politike ushtarake. Edhe Xhafer Belegu[67] e vlerëson lartë rolin e Degës së Lidhjes Shqiptare të Shkupit, e cila, sipas tij, ngjitej në krye të degëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahas degëve të Pejës e të Prizrenit.[68]

 

Do të na lejohej të konstatonim se sukseset që i radhiti Dega (nënkomiteti) e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krahinën e Shkupit, gjatë Epokës së Lidhjes Shqip­tare të Prizrenit, pa dyshim se një meritë e veçantë i përshkruhet atdhetarit e kryedrejtuesit të saj  Jashar  Shkupit. Mund të konstatohet se Jashar bej Shkupi, duke qenë drejtues i Degës (nënkomitetit) të Lidhjes së Shkupit, Dega (apo Komiteti) e Shkupit, ishte e palëkundur në zbatimin e vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i qëndroi besnike platformës e kërkesave programatike autonomiste të saj. Në këtë kuadër ajo kreu me sukses detyrat e besuara nga Qeveria e Përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me Ymer Prizrenin në krye, që u formua në shkurt të vitit 1881, kur Abdyl Frashëri në fjalimin e tij të zjarrtë, siç e vlerëson një diplomat i huaj[69], i emocionoi të pranishmit e ndër ta edhe Jashar Shkupin, njëri nga pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje me interes të veçantë kombëtar.

Mund të thuhet, me të drejtë, se bazuar në shumë dokumente të kohës me të cilët disponojnë diplomatë të huaj të akredituar në viset etnike shqiptare, Shkupi ishte ndër qytetet e para të çliruara nga administrata osmane, ndërsa figura qendrore e tij ishte prefekti i parë shqiptar i këtij qyteti, Jashar Shkupi. Nuk ka dyshim se figura e tij do të shëmbëllejë gjatë gjithë Epokës së veprimtarisë së Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, në krahinën e tij të gjerë, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në kujtesën historike të popullit shqiptar të trevave lindore shqiptare. Nuk ishte e rastit që Dega (nënkomiteti) e Lidhjes së Shkupit nga shumë analistë të kohës dhe në burime të proviniencave të ndryshme vlerësohet si njëra nga degët më të fuqishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

 

 

Ramiz Abdyli


[1] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, Libri I, Prishtinë, 2004, 69. [2] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Pse duhet mbrojtur institucionalisht shtëpinë e Kumbarajve Shkup, “Fakti” Shkup, 30 shtator 2006. [3] Makedonija vo delata na stranskite patepisci 1850-1864, Skopje 1992, 17-19. ; Dr. Aleksandar Matkovski, Kryengritja e Dervish Carës, Shkup, 1985, 113. [4] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Pse duhet mbrojtur institucionalisht... [5] Krah. Historia e popullit shqiptar, II, Tiranë 2002, 147-150. [6] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Pse duhet mbrojtur institucionalisht... [7] Dr. Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, Libri I, Prishtinë, 2004, 63. [8] Krah. Nikola P. Ilih, Osloboheae Juzne Srbije, Beograd, 1977, 220; Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë, dokumente të sjella nga arkivat e Vjenës e të përkthyera në gjuhën shqipe, F. dokumente vjeneze, 3—343, Raport i konsullit austro-hungarez Kaqiri nga Selaniku, No. 190, dt. 31 korrik 1878, Dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë (në tekstin në vijim lexo:AIH, Vj... ) [9] Jovan Haxi Vasileviq; Ustanak srba u kumanovskoj i krivopalana~koj kazi, 1876-1878, Beograd , 1906, 13-15. [10]Krah. Nikola P. Ilih, Oslobohe^e Ju’ne Srbije Nnikola P. Ili^, Oslobodfte Ju’ne Srbije, 1877-1878, Beograd, 220;Vasa hubrilovih, Iseljava arauta, Kulturni klub Beograd, 1937. [11] R. Abdyli, Jashar bej Shkupi. “Fakti”, Shkup, 10 qershor 2003. [12] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Veprimtaria e Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, në- Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në histori, Prishtinë, 2008, 147; Prof. dr. Ramiz Abdyli, Në 120-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Fakti”, 10 qershor 1998, 12. [13] Prof. dr. R. Abdyli, Jashar bej Shkupi , “Fakti”, 10 qershor 2003, 17; Po ky autor, Pse duhet mbrojtur institucionalisht... [14] Shemsi Ajvazi, Lidhja e Prizrenit në shtypin rus (temë magjistrature në dorëshkrim), mbrojtur në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1978, 35; Prof. dr. Ramiz Abdyli, Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rëndësia e saj historike, 148. [15] Për delegatët e krahinës së Shkupit në Kuvendit themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shih: Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane, Prishtinë, 1978; Prof. dr. Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881, Tiranë, 1997, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente osmane, Prishtinë, 1978, Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit 1939, 33-38. [16] Prof. dr. Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881, 88. [17] R. Abdyli, Lidhja shqiptare e Prizrenit në 120-vjetorin e saj, “Flaka e vëllazërimit” 14. VI. 1998, 12. [18] Xhafer Belegu, vep. e cit. [19] Historia e popullit shqiptar II 160; Prof. dr. Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 93-94. [20] Prof. dr. Ramiz Abdyli, J. B. Shkupi. [21] J. B. Shkupi, Pse duhet mbrojtur institucionalisht. [22] Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, 117-118. [23]Prof. dr. Ramiz Abdyli, Në 120-vjetorin e Lidhjes shqiptare të Prizreni, 12 qershor 1998, 17. [24] Në 120-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Fakti”, 13 qershor 1998, 17. [25] Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, 118-121. [26] Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë, Dokumente të sjella e të përkthyera në gjuhën shqipe nga Arkivi i Vjenës, Vj-2. 345-345, Raport i konsullit austro-hungarez nga Shkupi, dt. 29. 12. 1979, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë; Po aty, Vj 3. 10. 1979, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë (në tekstin e mëtejmë lexo VJ ), Publiuc Record Forieng Office, 7. 01. 1979, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [27] FO 78/120, Raport i konsullit anglez nga Selaniku , dt. 23. 11. 1878, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [28] FO 78/2892, Shkresë e ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë, dërguar ambasador britanik në Berlin, dt. 24. VI. 1979. [29] Po aty, dt. 2. 12. 1878, Raport i konsullit anglez nga Selaniku dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [30] J. Haxii Vasilevi~, Arbanaska liga, (1878-1881), Beograd 1909, 92-93. [31] PRO FO, 28/3316, Raport i konsullit britanik Blunt nga Selaniku, 8 nëntor 1879, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër; D-r Jovan. Hayi Vasilevi^t, Arbanaska liga-Arnautska kongra, Boegrad, 1909, 95. Ky autor e thotë se degët e Lidhjes Shqiptare në Shkup, Gjilan, Preshevë dhe Kumanovë, pas një kohe, nuk lejonin të gjykohej në gjuhën osmane, por vetëm në gjuhën shqipe. [32] FO 28/3316, Raport i konsullit anglez nga Shkodra, data 24 prill 1880, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashmte në Londër. [33] Xhevat Belegu, vep. e cit., 97. [34] Prof. dr. K. Frashëri, vep. e cit., 210. [35] S. Dimevski, Glasnik na INI, 3, 1975, 119. [36] FO 78/2982, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, 24 nëntor 1880, dërguar Ministirisë së Punëve të Jashtme në Londër. ; Sh. Ajvazi, pun. i cit. 159; [37] “Strumica”, Sofia, 2. 11. 1880. [38] Po aty. 3. 11 1880. [39] Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Tiranë, 1978, 105; Prof. dr. Kristo Frashëri, vep. e cit., 363. [40] AIH, Vj-1-12-1190, Raport i konsullit austro-hungarez nga Selaniku, 31 dhjetor 1880, dërguar ambasadorit austro-hungarez në Stamboll [41] Daljen haptazi të Degës së Shkupit si dhe të disa degëve të qyteteve të Vilajetit të Kosovës kundër Perandorisë Osmane e hasim të komunikohet nga konsujt e qeverive të ndryshme të akredituar në qytetet shqiptare. Sipas konsullit anglez në Selanik, Blant, i cili i raportonte qeverisë së tij, më 11 dhjetor 1880, thuhej: “Zemërimi kundër Portës shkaktoi që shqiptarët e Shkupit nën ndikimin e “Komitetit të Lidhjes “ refuzuan ta njihnin emërimin e Arif efendiut prefekt të ri. Madje, bllokuan Urën e Gurit mbi Vardar për ta penguar hyrjen e tij në qytet, për çka u njoftua valiu i Kosovës, Osman Nuri pasha, se ata kishin vendosur të mos pranonin në asnjë mënyrë autoritetin e mytesarifit të ri. Valiu Osman Nuri pasha, në fillim mendonte ta përdorte forcën, por kur e pa gjendjen kryengritëse që mbretëronte, jo vetëm në Shkup, po gjithandej në Vilajetin e Kosovës, u detyrua ta zbuste qëndrimin...” (Cituar sipas Prof. K. Frashërit, vep. e cit., 363). [42] Po aty. [43] Dr. R. Abdyli, pun. i cit. [44] Kjo përbënte dobësi të degës së Shkupit, por kështu u veprua edhe në Gjakovë, Prizren etj. [45] Prof. dDr. K. Frashëri, vep. e cit., 366-367. [46] FO 78/3316, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, dt. 20 shkurt 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [47] FO 78/3316, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, dt. 12 janar 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [48] Telegram i valiut të Kosovës, Osman pasha, dërguar Ministrisë së Luftës në Stamboll, 11 nëntor 1880; Burime osmane për Lidhjen e Prizrenit, përkthyer nga Iljaz Rexha, 91-92. [49] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Jashar bej Shkupi. [50] Prof. dr. S. Rizaj, vep. e cit., 176, 177. [51] Sh. Ajvazi, pun. i cit., 164. [52] FO 78/3316, Raport i i konsullit anglez në Selanik, i sajuar nga të dhënat e agjentit të tij në Veles, dt. 20 shkurt 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [53] FO 78/3316, Raport i konsullit anglez nga Selaniku nga informatat e agjentit të tij në Shkup, dt. 22 shkurt 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [54] FO 78/3316, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, dt. 20 shkurt 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [55] Prof. dr. S. Rizaj, vep. e cit., 176-177. [56] Po aty. Prof. dr. S. Rizaj, vep. e cit., 177. [57] Historia e Popullit shqiptar II, 218; K. Frashëri etj. [58] Xh. Belegu, vep. e cit. [59] FO 78/3316, Raport i konsullit të përgjithshëm britanik në Selanik, dt. 11 janar 1981. dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [60] PRO FO, Raport i konsullit britanik nga Selaniku, datë 16 dhjetor 1980, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [61] Prof. dr. S. Rizaj, vep. e cit., 176, 177. [62] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Jashar bej Shkupi. [63] “Zornica”, 15. 2. 1881. [64] D-ra Jovan. HauibVasilevTb'b , v. c. 110-111. [65]PRO FO 78/3316, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, dt. 8 mars, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [66] PRO FO 78/3316, Korrespodencë nga Shkupi e agjentit të konsullit anglez në Selanik, Blunt, nr. 43, dt. 20 prill 1881, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër. [67] Xh. Belegun, vep. e cit., 178. [68] Prof. dr. Ramiz Abdyli, Veprimtaria e Degës së Lidhjes shqiptare në Shkup, 164. [69]PRO FO 78/3316, Raport i Stjuar Glenie, gazetar anglez, dërguar konsullit britanik në Selanik, datë 28 mars 1881.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...