Oshtima

Vendbanimi i hapur pranë qytezës ilire të Belshit

Gërmimet ilire 1973 në vendbanimin e hapur, që shtrihet në rrafshin buzë shpatit perëndimore të qytezës ilire të Belshit, përbënin një vazhdim të gërmimeve të ndërmarra këtu në vitin 1969. Atëherë ishin zhvilluar gërmime në të dy pjesët kryesore të vendbanimit ilir, në pjesët e mbrojtura të qytezës dhe në një lagje të jashtme të saj, në anën perëndimore të kodrës së Gradishtës. Ky i fundit kishte një karakter sondazhi dhe u shtri në një sipërfaqe të kufizuar 2x12 m. Rezultatet në këtë vend ishin mjaft premtuese dhe me interes për studimin e periudhës në të cilën përgatiten premisat për krijimin e qytetit ilir. Për këtë arsye gërmimet e vitit 1973 u përqendruan krejtësisht në këtë vend.
Gërmimi u shtri në një sipërfaqe rreth 150 m3, duke përfshirë edhe sondazhin e vitit 1969. U përdor një ndarje në kuadrate 4x4 m. të cilët gërmoheshin me katër pjesë në kazma 10 cm., në mënyrë që gjatë mbledhjes së materialit të shmangeshin përzierjet e shtresave dhe të gropave. Trapet midis kuadrateve kryesore hiqeshin në vendet e ndryshimit të shtresave kulturale dhe të horizonteve të banimit.
Gërmimi u vazhdua deri në mbarim të shtresës së periudhës së parë të hekurit. Trashësia e kësaj shtrese, për shkak të disnivelit të depozitimeve, ndryshon nga 1.10 në 1.56 m. Më poshtë shtresa e epokës së bronxit vazhdon deri në thellësinë 3.50 m. U dalluan pesë nënshtresa dhe katër horizonte banimi.
Nënshtresa më e sipërme që shkon në thellësinë 0.40-0.60 m. ishte përzier nga punimet bujqësore dhe nga hedhja e materialeve më të hershme gjatë hapjes së varreve të shek. III-I në vendin e dikurshëm të vendbanimit. Megjithatë mund të veçohet tipologjikisht materiali që i takon gjysmës së I të shek. III p. e. sonë. Në masën e qeramikës dallohet prodhimi me forma qytetare, i cili në pjesën më të madhe vjen nga kolonitë e bregdetit, nga një grup i punuar me dorë që ruan forma të hershme.

Në grupin e parë bëjnë pjesë një numër tipesh tjegullash solene dhe kalyptere prej balte të verdhë në të kuqe. Midis tyre u desh në një rast vetëm e njëjta stampë e vulës së njohur nga Irmaj Tritutehna. Tre lloj enësh përbëjnë tipet kryesore të qeramikës së importuar: amforat, skiforat dhe tasat. Ndër amforat e transportit dallojmë dy tipe me buzë të trashura trekëndëshe të Dyrrahut, në ato të tavolinës kemi një tip apoloniat. Skifosat kanë një profil me lakim të lehtë, këmbë të gjerë të ngritur dhe vegje të rrumbullakëta. Janë të lyer me vernik të zi me nuanca kafe ose ulliri dhe në disa raste me vizatime floreale ose zoomorfe (kukuvajke) me vernik. Tasat kanë formë sferike me buzë të trashura dhe janë kryesisht prodhime apoloniate me baltë okër dhe lyerje verniku ngjyrë kafe.

Qeramika e prodhimit vendas përmban edhe enë të tipeve qytetare dhe të tilla me formë nga repertori tradicional i lashtë. Në të parat bëjnë pjesë pitosat, amforat e vogla dhe tasat. Grupi i dytë përbëhet nga enë të punuara me dorë prej një balte me përzierje grimcash gëlqerore që dalin në formë pikash të bardha në sipërfaqen e palustruar të enës. Ka dy forma kryesore: tasa konikë me buzë të kthyera nga brenda dhe qypa me buzë të shkurtër cilindrike, me vegje vesh nën buzë.
Në materialin e qeramikës shohim zhvillimin e prodhimit zejtar vendas i cili po i zë vendin prodhimit shtëpiak të qeramikës, sigurisht nën konkurrencën e importit bregdetar. Në këtë import prodhimi apolloniat zë vendin krysor.
Me këtë nënshtresë lidhet një horizont banimi nga i cili kanë mbetur vetëm gjurmë themelesh prej gurësh.
Nënshtresa e dytë shkon deri në thellësinë 0.80 m. dhe karakterizohet nga përmbajtja e lartë e hirit, që i jep edhe ngjyrën karakteristike. Në të zhduken tjegullat dhe skifozat e mbipikturuar dhe bëhet karakteristik një skifos masiv me këmbë të ngritura, me baltë ngjyrë okër në hiri. Verniku i tyre është i zi me nuanca ulliri: takohen ekzemplarë të zbukuruar me motive gjeometrike. Skifosat e tjerë të kësaj shtrese kanë në përgjithësi buzë të drejta me vegje të rrumbullakëta. Ndër amforat shfaqet një tip me buzë të rrumbullakuara balte të verdhë. Fragmente me figura të kuqe e datojnë këtë shtresë në shek. IV p.e. sonë. Ajo dallohet përsëri nga përbërja e baltës dhe faktura e njëllojtë me shtresën e sipërme. Si forma zotërojnë përsëri qypat dhe tasat, por në një numër të madh variantesh. Vihen re ngjashmëria me qeramikën e Gajtanit III, veçanërisht në formën e qypave dhe vegjëve.

Me këto shtresa lidhet një horizont banimi, i përfaqësuar nga një shtresë intensive djegieje, që mbulon sipërfaqen e kuadrateve dhe nga një rresht gurësh që kufizonin paretet prej  druri të kasolles.
Nënshtresa e tretë ndahet në stratigrafinë vertikale nga një shtresim i hollë gurësh. Në qeramikë mungojnë skifisat e mëdha. Pjesa e sipërme e saj përbën një fazë kalimtare me praninë e fragmenteve me vernik të zi të shkëlqyeshëm, ndër të cilët kishte edhe një me figura të zeza. Aty shfaqet për herë të parë edhe një tip qeramike i importuar nga Apolonia, që karakterizohet nga lyerja me breza të kuq mbi sfondin okër të enëve. Në qeramikën e vendit ndeshim gjithashtu shfaqje të reja. Me rëndësi është dukja e qeramikës së pikturuar me ngjyrë vjollce në kafe mbi sfondin okër të enëve të punuara me dorë. Në horizontin e dytë të kësaj nënshtrese këto elemente i shohim të zhvillohen plotësisht. Importi përbëhet nga prodhime korintike dhe më rrallë dyrrahase me lyerje verniku të kuq ose breza verniku të kuq në kafe mbi sfondin natyral të enës. Janë kryesisht amfora tavoline apo skifosa. Ndeshet mjaft shpesh edhe një tip amfore me baltë të bardhë në të verdhë që të kujton baltën e Peloponezit. Mënyra tipike e zbukurimit me gërvishtje të detajeve të figurave ndeshet vetëm në një rast.
Qeramika e vendit përbëhet nga një grup i pikturuar dhe nga një tjetër i thjeshtë. I pari është punuar me një baltë të pastër që jep në pjekje në ngjyrë okër. Faqet e enëve janë të lustruara dhe vizatohen me motive gjeometrike ku zotërojnë frizat me katërkëndësha të mbushur me vija paralele dhe gjysmërrathët koncentrikë. Me të parat gjendet edhe motivi i trekëndëshave të kundërt, gjë që tregon për një ndikim të keramikës korintike.
Format e qeramikës së pikturuar janë të kufizuara. Takohen tasa dhe kupa gjysmë sferikë, enë me grykë të shkurtër cilindrike dhe ojnohe me grykë të prerë në lëfyt. Këto të fundit riprodhojnë formën e ojnoheve korintike.
Qeramika e zakonshme e vendit është përgatitur me një baltë me përzierje thërrmijash gëlqerore, të cilat në ndryshim nga shtresat e mëvonshme nuk dalin në sipërfaqe për shkak të një cipe, që në disa raste është e lustruar. Ka një numër të madh formash të qypave, dyvegjakëve dhe tasave që lidhen me Gajtan II dhe Tren III. Të bie në sy mungesa e enëve me vegje të dala në mënyrë të theksuar mbi buzë, që janë aq karakteristike për qeramikën ilire të kësaj periudhe. Me këtë pjesë të nënshtresës lidhet një horizont banimi nga i cili kanë mbetur një rresht gurësh në formë të harkuar që riprodhojnë ndoshta një pjesë të formës planimetrike të kasolles.

Edhe në nënshtresën e katërt (deri 1.40 m.) mund të dallojmë dy ndarje. E sipërmja lidhet me një horizont banimi të përfaqësuar nga një gyp in situ, parete kasolleje me gjurmë thurje dhe gropat e hunjve të kasolleve, që dallohen nga gurët që i shtrëngonin. Nga vendosja e këtyre gropave mund të nxirret përfundimi se forma e kasolleve ishte katërkëndëshe dhe se ka patur dy të tilla në sipërfaqen e gërmuar.
Qeramika përbëhet përsëri nga një grup importi dhe një tjetër i prodhuar në vend. Në qeramikën e importuar, që është e kufizuar, ndeshim fragmente me vernik të kuq në kafe. Balta e këtyre enëve është e pastër, në ngjyrë okër të hapur. Sipërfaqja e enës mbi të cilën kalohen brezat e vernikut është shpesh e lustruar me një shtresë ngjyrë hiri të në të bardhë.
Prodhimi vendas i qeramikës në këtë ndarje përbëhet përsëri nga qeramika e pikturuar dhe ajo e zakonshme. Në të parën vëmë re një nuancë më të errët të bojës që anon nga ngjyra kafe. Ndeshim si forma të reja qepshen dhe qypin me grykë në formë hinke që të kujton formën e urnave të Barçit.
Edhe motivet kanë ndryshim veçanërisht me praninë e trekëndëshit të mbushur me vija.
Qeramika e zakonshme karakterizohet nga përdorimi i një llustre ngjyrë kafe ose të zezë. Format janë të kufizuara dhe me përmasa të vogla. Karakteristike janë qepshja, tasat me buzë të drejta ose të trashura etj. Duke u nisur nga elementet tipike në qeramikën e importuar mund ta datojnë këtë ndarje në periudhën gjeometrike, në shek. IX-VIII p. e. s.

Ndarja e fundit është një depozitim i hollë mbi një nivel zhuri që mbyll shtresën e kohës së bronxit. Karakterizohet nga një import i pakët ku dallohen fragmente që i përkasin protogjeometrikut ose mikenasit të vonë III c. Ndeshim aty qeramikën e pikturuar të prodhimit vendas me një fakturë dhe mënyrë pikturimi mjaft të ngjashëm me atë të periudhës së parë të hekurit të fushës së Korçës. Pjesa tjetër e qeramikës vendase ka po ato tipare që përmendëm në ndarjen me të sipërme.

Materiali i zbuluar në Belsh sjell një sërë të rejash në studimin e periudhës së parë të hekurit në vendin tonë. Ka rëndësi fakti se në këtë vendbanim ilir mund të ndjekim këtë periudhë në mënyrë të pandërprerë. Gjetja me shumicë e materialeve të importuara nga Greqia ka gjithashtu rëndësi të veçantë jo vetëm për një kuadër më të përcaktuar kronologjike, por edhe për përfundime me karakter ekonomiko-shoqëror.
Që në kalimin nga bronxi në hekur, në vendbanimin e Belshit ndeshim qeramikën e pikturuar që ka tipare të qarta devollit. Nuk ka dyshim se ajo depërtuar në Belsh nga fusha e Korçës nëpërmjet luginës së Devollit. Në Belsh kjo teknikë e qeramikës përvetësohet dhe zhvillohet gjatë tërë periudhës së parë të hekurit duke kaluar një evolucion në format dhe ornamentet por duke ruajtur elementet teknikë. Me shkëputjen nga qeramika devollit vihen re tek ajo një ndikim i formave dhe ornamentikës gjeometrike dhe korintike greke. Kjo lidhet me kërkesat e një shtrese të re shoqërore, aristokracisë fisnore, e cila kërkonte nga zejtarët prodhime të ngjashme me enët që importohen nga Greqia.
Në të njëjtën shtresë vëmë re edhe ngjashmërinë e qeramikës së zakonshme me atë të Gajtan II. Belshi përbën në këtë drejtim një pikë të ndërmjetme midis krahinave veriore dhe lindore të Ilirisë së jugut dhe mund të japë mjaft në shpjegimin e procesit të formimit të unitetit kultural ilir në periudhën e parë të hekurit.
Ndeshja me shumicë e qeramikës gjeometrike në Belsh ngre edhe një problem me karakter ekonomiko-shoqëror. Është e nevojshme të shikohet procesi i vendosjes së kolonive helene në vendin tonë në një prizëm më të gjerë. Ekzistenca e marrëdhënieve të ngushta me Greqinë provon nga njëra anë një etapë të avancuar në procesin e shthurjes së rendit të bashkësisë primitive sepse prania e enëve të importuara lidhet me kërkesat dhe veprimtarinë e shtresave të reja shoqërore, aristokracisë dhe tregtarëve. Riprodhimi i modeleve të tyre nga poçarët vendas në një qeramikë luksi tregon nga ana tjetër se kjo degë e zejtarisë po fitonte një cilësi të prodhimit të mallrave, orientimin nga tregu.
Në këtë mënyrë bëhet e qartë se përpara vendosjes së kolonive helene në vendin tonë ishin krijuar kushte të tilla ekonomike shoqërore skllavopronare të Mesdheut. Prodhimet protogjeometrike janë ndeshur edhe në tumat e Barçit, Bajkajt dhe Dukatit, por gjetja e tyre në Belsh ka një rëndësi të veçantë. Prania e tyre në shtresat e një vendbanimi tregon se ky import nuk ishte diçka e veçantë e përcaktuar për ritet e varrimit, por lidhej me kërkesat e një shoqërie që po orientohej nga marrëdhëniet skllavopronare. Në këtë prizëm mund të kuptohet se krijimi i kolonive helene në etapën që pason ishte një hap i mëtejshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet ilirëve dhe Greqisë skllavopronare. Krijimi i kolonive helene shprehet në Belsh me një rritje të ndjeshme të prodhimeve korintike që pothuaj barazojnë prodhimin vendas. Në shek. VII zotëron në import qeramika e korintit dhe Dyrrahut, por që nga shek.. VI prodhimet e Apolonisë zënë aty vendin kryesor. Deri në pushtimin romak vëmë re se zona e Belshit gjendet në sferën e shkëmbimeve tregtare me Apoloninë.
Depërtimi i importit grek në fillim favorizoi prodhimin vendas të specializuar, i cili u mundua t’i përshtatet në forma dhe motive. Vëmë re në disa raste edhe prodhimin me çark në qeramikat e pikturuara të shek. VI-V. Por kjo kohë shënon edhe fundin e kësaj qeramike, gjë që përbën edhe vazhdimin më të vonë të teknikës së pikturimit mat në vendin tonë. Në këtë mënyrë, përpjekja për të krijuar një prodhim luksi vendas të qeramikës nuk pati sukses, për shkak të konkurrencës së prodhimit skllavopronar të kolonive. Kjo ishte një tërheqje e pjesshme dhe përkohshme. Prodhimi vendas ruajti terrenin në poçarinë e zakonshme dhe më pas me rritjen  e kërkesave qytetare, kaloi përsëri në prodhimet e cilësisë së mirë me përdorim çarku.
Që nga mesi i shek. III vendbanimi i hapur pushon së jetuari dhe shpërngulet në lartësinë e Gradishtës. Jeta qytetare në vendbanimin e fortifikuar provohet edhe diçka më parë nga fillimi i shek. III p.e.s. Duhet të njohim në këtë rast rolin e veçantë që ka luajtur në krijimin e qendrës së fortifikuar vendbanimi i hapur. Kjo jo vetëm në pikëpamjen demografike, si një burim njerëzor, ishin proceset ekonomike, që u zhvilluan gjatë periudhës së parë të hekurit, që bënë të mundur krijimin e një qendre qytetare. Vendosja e saj në një hapësirë më të gjerë e më të mbrojtur, nga kontrollohej zona e Dumresë dhe rrugët që e përshkronin atë, përputhet me kërkesat e një qendre të urbanizuar.

Nekropoli. Pas shpërnguljes së vendbanimit të hapur në qytezën e fortifikuar, vendi u përdor si varrezë. Nga gjetjet e rastit dhe dy varre të zbuluar në vitin 1969, ishin përcaktuar si caqe kohore të nekropolit shek. III p.e. sonë dhe shek.. IV i e. sonë. Gjurmimet e këtij viti patën në këtë vend kryesisht synime shpëtimi për atë pjesë të varreve, që ndodhen afër sipërfaqes së tokës dhe dëmtohet vazhdimisht nga punimet bujqësore.
Në numrin e varreve të hapur u konstatuan katër mënyra ndërtimi me dy mënyra varrimi. Varret më të hershme ishin me vendosje trupi në tokë, me një kufizim të thjeshtë gurësh. Pasonte një tip me ambient katërkëndësh prej tullash, i përcaktuar më tepër nga gjendja sociale e të vdekurit. I njëkohshëm me të ishte tipi i varrit me vendosje trupi në një arkë prej tullash. Më në fund ishte kaluar me djegien e turpit dhe vendosjen e hirit në urna.

Varri 1. U gjet i dëmtuar pjesërisht nga punimet bujqësore që kishin nxjerrë një situl bronxi nga inventari i tij. Trupi ishte vendosur me gjymtyrë të shtrira drejt në tokë, me kokë nga P. dhe qe rrethuar me një rresht gurësh, që ndoshta mbanin dërrasat e një arke. Në anën e majtë të tokës u gjendën tri heshta. Midis këmbëve ishin gjurmët e enës së bronxit, nga e majta u gjet në amforë dhe një lotore, ndërsa në fund të këmbëve pjesët e një ene me baltë gri. Në gojën e të vdekurit qenë futur tri monedha të Dyrrahut: Herakli-pegaz.

Varri 2. U gjet gjatë një sondazhi në rrëzë të shpatit perëndimor të Gradishtës. Ka formën e një dhomëze katërkëndëshe prej tullash 0.37 x 0.37 x 0.0b dhe është shtruar me dysheme me të njëjtat tulla. Kjo gjë e dallon nga varret e të njëjtit konstruksion në Apoloni, të cilat janë pa dysheme.
Varri ka qenë grabitur që në kohën antike të vonë, kur ishte vendosur aty një trup tjetër. Materialet e dëmtuara janë mbledhur bashkë me eshtrat e djegura në një qoshe të varrit. Në grumbullin e fragmenteve dallohen një numër i madh enësh: amfora, kupa, kandila piksida, lotore etj. U gjetën aty edhe një monedhë apoloniate Apolon-obelisk me monograme, një drahme e Dyrrahut me Nikos-Aristomeneos që i përket periudhës së tretë të premjeve dhe një vath argjendi në formë guacke.

Varri 3. Është vendosur në një kohë më të vonë në brinjë të V. 1. Konstruksioni është prej tjegullash solene të vendosura në formë arke 2.20 x 1.10 m. pa fund dhe mbulesë. Qoshet janë përforcuar me vendosjen e tjegullave kalypter. Varri përmbante dy skelete të vendosur në kohë të ndryshme. Më i hershmi është mbledhur në një grumbull së bashku me inventarin në krye të varrit. Skeleti i dytë u gjet i vendosur në shpinë me gjymtyrë të shtrira dhe kokë nga V.P. Inventari përbëhej nga një amforë, një kandil dhe dy lotore në krahun e djathtë, një kandil në dorën e majtë dhe tre enë në formë vorbe te këmbët. Tek trupi u gjet një fibul hekuri tip heshte, ndërsa në drejtim të kofshës së djathtë një majë heshte dhe një hanxhar i vogël hekuri.
Në grumbullin e skeletit të dytë u gjetën një amforë tavoline, dy lëkuthe aribalistike me vernik të dobët ngjyrë kafe, një lotore, një strigël hekuri dhe një skifos në të cilën ishin futur një unazë prej pete ari me gur xhami dhe një varëse prej tel ari me figurën e Eriosit. U gjetën gjithashtu dhe monedha bronxi apoloniate Apolon-Obelisk  dhe Artemis-trekëndësh.
Tipologjia e objekteve dhe monedhave datojnë varrimin në shek. II p.e.sonë

Varri 4. U gjet në pjesën qendrore të gërmimit dhe kishte të njëjtën mënyrë ndërtimi si varri 3. Në të ndodheshin tre skelete njeri prej të cilëve ishte mbledhur tek kreu i varrit. Dy skeletet ishin vendosur në shpinë me gjymtyrë të shtrira dhe kokë nga perëndimi. Inventari që e shoqëron të parin përbëhet nga një amforë midis këmbëve, një kandil në krahun e majtë dhe një fibul hekur tek supi i djathtë. Skeletit të dytë i takojnë dy fibula hekuri, njëra në supin e djathtë dhe tjetra në gjoks, një monedhë bronxi e Apolonisë në trup dhe një strigël hekuri tek këmbët.
Në grumbullin e eshtrave u gjet një lëkyth me vernik të zi dhe një kandil. Brenda varrit u gjetën edhe gozhda hekuri, me të cilat do të kenë qenë mbërthyer dërrasat që mbulonin arkën prej tjegullash. Ky varr është i njëkohshëm me varrin 3.

Varri 5. Përbëhet nga një arkë tjegullash që përmbante brenda dy hydrie dhe një amforë, të përdorura si urna. Brenda amforës përveç eshtrave të djegura u gjetën një lëkyth, një amforisk, një olpë, një strigël hekuri i hollë, një majë heshte tip pyke dhe një enë njëvegjëshe e përgatitur me dorë. Njëra prej hydrieve kishte vetëm hirin ndërsa tjetra përmbante një majë heshte, një strigël, një fibul dhe dy monedha apoloniate prej bronxi. Varrimi i përkiste shek. I p.e. sonë.
Në J.L. të këtyre varreve u zbulua një grup urnash. Ato ishin të gjitha enë balte të zakonshme (në përgjithësi amfore), të cilat ishin vendosur në prej cope tjegulle ose pllaka guri. Kishte edhe raste kur enët qenë vendosur drejt në tokë. Brenda urnave u gjet një numër enësh balte, kryesisht lotore, enë qelqi dhe monedha bronxi të kohës romake. Vendosja e urnave në një fushë është bërë në shek. I-II të e. sonë.

Varret e nekropolit të Belshit të shek. III-I p.e. sonë paraqiten mjaft të pasur dhe pasqyrojnë nivelin qytetar të jetës në këtë vend. Tipi me arka druri ose gurë është trashëgim i një forme të periudhës së parë të hekurit, që ndeshet në tumat ilire. Për periudhën qytetare ky tip, që ndërtohet me tjegulla, është takuar në Shqipërinë e Jugut dhe në Zgërdhesh. Edhe në shek. I. e. sonë, kur kalohet në djegien e trupave, përsëri ena vendoset në një arkë të zvogëluar në përmasa.
Duhet datuar në shek. I p.e. sonë dhe një shekullin që pason edhe një numër fragmentesh arkash hiri prej guri të cilat janë gjetur të përziera nga punimet bujqësore. Takohen ndërmjet tyre tipe që përsërisin format e arkave apoloniate, me imitime varresh monumentale në forma katërkëndëshe apo të rrumbullakta, të zbukuruara në «kolonada» të stilit korintik. Kapakët e arkave janë zbukuruar me figura të ndryshme, ndër të cilat dallojmë një shqiponjë që copëton një gjarpër, si dhe një sfinks. Të gjitha ja punuar me një gur gipsi solid, karakteristik për skulpturat e zbuluara në Belsh. Në këtë mënyrë shtohet repetori i skulpturave të kësaj qendre ilire dhe përcaktohet një mbështetje kronologjike në datimin e tyre.

 

Neritan Ceka


«Buletin Arkeologjik» 4, 1974.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...