Oshtima

Shkaqet dhe mënyra e shpërnguljes së muhaxhirëve shqiptarë nga territori i sanxhakut të Nishit në Kosovë (1877- 1878)

Për çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit në kohën e Krizës Lindore nuk është shkruar shumë. Në disa punime historiografike të mëparshme dhe në disa të tashme për shkaqet e shpërnguljes, mënyrën dhe numrin e tyre nuk janë dhënë shënime të mjaftueshme, madje edhe ato që janë dhënë, shpeshherë janë jo objektive.
Te disa historiografë të rinj nuk bëhet dallimi në mes të shqiptarëve dhe turqve, shqiptarët e besimit islam identifikohen me turqit si nënshtetas të Perandorisë Osmane.
Dihet se shqiptarët, sikurse serbët dhe shumë popuj të tjerë, kanë qenë të robëruar, të shtypur dhe të shfrytëzuar nga pushteti i huaj, osman. Shqiptarët nuk kanë patur asgjë të përbashkët me osmanët si pushtues.
Në kohën e Krizës së madhe Lindore 1875-1878 në Gadishullin Ballkanik janë bërë ndryshime të mëdha shoqërore, politike dhe etnike. Në disa vende është ndryshuar gati krejtësisht struktura dhe përbërja e popullsisë. Ndryshimet demografike dhe etnike kanë patur pasoja të mëdha për marrëdhëniet e mëvonshme politike dhe shoqërore në mes të këtyre popujve.
Krahas me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në kryengritje kundër Perandorisë Osmane më 1875 dhe 1876 u ngritën edhe popuj të tjerë, shqiptarët, maqedonët, bullgarët e tjerë. Në vitin 1876 kundër Perandorisë hynë në luftë Serbia dhe Mali i Zi.
Çështja Lindore përfshiu edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat donin të realizonin interesat e tyre pushtuese e sidomos në territorin e Turqisë Evropiane.
Me shpalljen e Kushtetutës turke në vitin 1876, ndërpreu punën Konferenca e Ambasadorëve në Stamboll1 e përfaqësuesit e diplomacisë evropiane vazhduan punën në Londër, ku në bazë të vendimeve të marra në Stamboll hartuan Protokollin e Londrës me të cilin Fuqitë e Mëdha e detyronin Portën e Lartë që disa provincave në Turqinë Evropiane, si Bosnjës, Hercegovinës dhe Bullgarisë t’u jepte autonominë, kurse në provincat e tjera të zbatonte reforma, me të cilat do të përmirësonte pozitën e të krishterëve.
Më 31 mars 1877 Porta e Lartë refuzoi edhe Protokollin e Londrës. Për këtë shkak Rusia vendosi që, pa pjesëmarrjen e Fuqive të tjera, të zgjidhte çështjen Lindore dhe të hynte në luftë kundër Perandorisë Osmane. Për qëllimet e Rusisë Gorçakovi, me një qarkore, vuri në dijeni Fuqitë e Mëdha. Kështu Rusia, në emër të «përmirësimit» të pozitës së krishterëve që ishin nën sundimin Osman, më 24 prill 1877 hyri në luftë kundër Turqisë. Kriza Lindore hyri në fazën më kritike.
Qysh në fillim të luftës ushtria turke u thye. Pas kapitullimit të Osman pashës në Plavë, ushtria ruse në fillim të janarit 1877 hyri në Sofje, pastaj në Edrene dhe rrezikoi Stambollin.
Krahas me Rusinë, në luftë kundër Turqisë hynë edhe Serbia, Mali i Zi dhe Rumania. Ushtria serbe operacionet luftarake i zhvillonte në sektorin Nish, Pirot, Prokuplje, Leskovc e Vranje dhe korri suksese të mëdha.
Nga territori i Sanxhakut të Nishit pikërisht nga kazatë e Nishit, Prokupljes, Kurshumlisë, Leskovcit dhe Vranjës u shpërngulën shqiptarët, të cilët u vendosën në Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera. Bashkë me shqiptarët u shpërngulën edhe pak turq dhe çerkezë që ishin atje.
Krahina e Sanxhakut të Nishit, Jabllanica, Kosaonica, Toplica, Pusta Reka, Veternica, Polanica, Medvegja dhe disa të tjera, duke përfshirë dhe qytetet Nishi, Prokuplj, Kurshumlinë, Leskovc e Vranjë, kanë qenë të banuara edhe me shqiptarë. Në kazanë e Prokupljes dhe të Kurshumlisë ka dominuar elementi shqiptar2. Sipas ndarjes administrative të Turqisë Evropiane, deri në vitin 1873 kazatë e Nishit, Pirotit, Leskovcit, Trenit, Prokupljes, Kurshumlisë dhe Vranjës përfshiheshin në një tërësi administrative — Sanxhakun e Nishit, i cili ishte në kuadrin e Vilajetit të Kosovës3.
Kështu territori që shtrihej prej maleve të Kopaonikut dhe trevës së Krishevcit, deri te afërsitë e Nishit dhe në jug deri te Kumanova, e më tej, në lindje me Vilajetin e Kosovës ishte i banuar edhe me shqiptarë.
Shqiptarët që jetonin në ato vende me kohë bashkë me serbët, çerkezët, ebrejtë, turqit e tjerë ishin nën sundimin osman, të shtypur në pikëpamje politike dhe ekonomike. Në kushtet e marrëdhënieve feudale agrare osmane, pozita e masave të gjera ishte shumë e vështirë. Klasa e pasur, spahinjtë dhe çifligarët, që përbëheshin nga turq (kishte edhe shqiptarë, serbë, çerkezë dhe ebrej të pasur), në fshatra kishin çifligjet e tyre arat, livadhet, vreshtat, mullinjtë etj. Gati çdo fshat kishte zotërinë apo spahinë e vet. Agallarët dhe bejlerët më të njohur kanë qenë: Ismail beu nga Kaposhnica e Madhe, Hasan beu nga Breza, Sadik aga nga Nekrivanji, Mustafa aga nga Janina, Ismail beu e të tjerë. Në disa burime arkivore përmenden edhe këta agallarë e bejlerë: Reshit beu, Haxhi Jashari, Mahmut Spahija, Mustafa aga dhe Emin aga në kazanë e Nishit, në Kunovicë, Mustafa Afiz aga, në Novoselë, Mustafa beu, në Donja Mexhurovë, Haxhi aga Gjakovica (Gjakovalia), në Bubnje Mustafa Emin aga. në Bellaticë Haxhi Mulla Alia, në Çaplincë Jonuz beu, në Pollancev Ali aga Gjakovalia4.
Fshati Knezhiq ka qenë spahillëk i Ibrahim beut dhe Haxhi Osman Turkut, fshati Klisura spahillëk i Krnje Abdisë, Currlinci spahillëk i Salih Efendisë, Ceçina i Haxhi Bilalit nga Nishi, Resna i Hasan Haxhi Kotllukut dhe Murdar beut, fshati Dukat i Selim beut, Gornji Barbeshi i Abdurr Hasan beuf, Gornji Dushniku i Abdurr Selim beut, Ofsinice ishte spahillëk i Hasan Efendisë, Koletinci i Mahmut beut, Donji Dushniku i Mehmet beut, Gornja Dragola i Mustafa beut, Jellashnica e Osman Delisë, Gornji Lipovci ishte spahillëk i Ibrahim Çaushit etj5.
Si zotërinj të fshatrave paraqiten edhe disa posedues të krishterë serbë, në mes tyre Jovan Dimitrijeviqi nga Nishi, Risto Haxhi Kostiqi, Gjorgje dhe Manojlo Karaliqi etj6.
Marrëdhëniet ekonomike-shoqërore kanë qenë të ngjashme me ato që dominonin në shumë krahina në Turqinë Evropiane e sidomos në Vilajetin e Kosovës.
Shtresa e varfër, çifçinjtë, fshatarët e lirë, zejtarët dhe tregtarët pa dallim feje dhe kombi qenë në pozitë të vështirë dhe njëlloj të shtypur e me shumë detyrime ndaj spahinjve dhe pushtetit osman.
Marrëdhëniet në mes të shqiptarëve, serbëve, ebrejve, çerkezëve, turqve dhe të tjerëve nën sundimin osman kanë qenë të mira. Pasardhësit e muhaxhirëve shqiptarë tregojnë ato që kanë dëgjuar nga të parët e tyre se nuk kanë ekzistuar kurrfarë grindjesh me karakter fetar. ekonomik apo politik në mes të këtyre popujve. Ata pohojnë se kanë vizituar dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Për marrëdhëniet e mira në mes të shqiptarëve me serbët dhe popujt e tjerë, Branisllav Nushiqi në një vend shkruan: «As çerkezi, as shqiptari të përzënë nga Serbia nuk e ndiejnë veten në Kosovë si në shtëpinë e vet, të gjithë muhaxhirët vajtojnë për vendet e tyre të vjetra. . ,».7 Është e vërtetë se muhaxhirët, edhe pse janë të ardhur në Kosovë kanë dëshiruar dhe shpresuar gjithmonë se përsëri do të ktheheshin në vendet e veta. Kjo shihet edhe në ankesat dhe peticionet e tyre dërguar Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha në të cilat kërkojnë që të kthehen në vendet e tyre të mëparshme.
Për numrin e shqiptarëve që kanë jetuar në territorin e Sanxhakut të Nishit, pikërisht në kazatë e Nishit, Pirotit, Vranjës, Kurshumlisë, Leskoveit dhe Prokupljes, ekzistojnë shënime dhe statistika të ndryshme. Statistikat që ka lënë administrata turke nuk janë të sakta, sepse popullsia ndahej sipas përkatësisë fetare, në myslimanë dhe të krishterë. Shënimet e administratës serbe dhe të Bullgarisë shpeshherë janë tendencioze dhe jo objektive.
Në bazë të shënimeve që disponojmë, të cilat janë mjaft kontradiktore, shihet se numri i shqiptarëve që ka jetuar në territorin e Sanxhakut të Nishit ka qenë mjaft i madh.
Sipas disa shënimeve statistikore të Serbisë, në qendrat e kazave të mytesarifllëkut (Sanxhakut) të Nishit numri i shtëpive ka qenë: në Nish 3 500 shtëpi të të krishterëve, 2 000 shtëpi myslimane turko-shqiptare, në kazanë e Nishit fshatra të banuara me shqiptarë kanë qenë: Breznica, Trnava, Pasjaça, Çiflluku, Mesgraja, Trupalle etj. Piroti kishte 3 000 shtëpi të krishtere e 800 shtëpi turke-shqiptare. Leskovci 2 500 shtëpi të krishtere e 1 000 shtëpi turke e shqiptare. Në Prokuplje kishte 140 shtëpi të krishtere e 656 shtëpi turke e shqiptare, në Tren 300 shtëpi të krishterë 15 shtëpi turke, ndërsa Kurshumlia pothuajse ka qenë qytezë shqiptare e banuar me 150 shtëpi shqiptare8.
Sipas një shënimi tjetër, thuhet se Leskovci deri në vitin 1877 ka patur 5 000 banorë myslimanë të vendosur në 900 shtëpi. Sipas regjistrimit të vitit 1873, në kazanë e Leskovcit ka patur 2 500 shtëpi ortodokse-serbe ,e 1 000 shtëpi myslimane9.
Në shënimet statistikore që ka dhënë qeveria serbe si dhe te disa historiografë që kanë shkruar për këtë çështje10, nuk bëhet kurrfarë dallimi në mes të turqve, çerkezëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët, në bazë të përkatësisë fetare, konsideroheshin si turq dhe si nënshtetas të Perandorisë Osmane. Dihet mirë se shqiptarët nuk kanë patur asgjë të përbashkët me turqit dhe, ashtu si serbët e të tjerët, kanë qenë të robëruar dhe të shfrytëzuar nga pushteti osman. Madje, shqiptarët kanë qenë në pozitë më të vështirë, sepse nuk kanë patur të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Numri i turqve të ardhur nga Anadolli në Ballkan ka qenë i vogël. Në këtë trevë ka patur turq në qytetet Nish, Pirot, Leskovc, Prokuplje dhe Vranjë, sidomos nëpunës, oficerë dhe ushtarë, ndërsa numri i banorëve të përhershëm ka qenë i vogël. Në fshatra nuk ka patur turq, prandaj numrin më të madh të banorëve që përmenden në rubrikën myslimanë e përbënin shqiptarët, shumë më pak turqit dhe çerkezët. Këtë e vërteton edhe fakti se në Nish dhe në Pirot flitej gjuha e përzier turke dhe shqipe, e në Vranjë, Leskovc, Prokuplje dhe Kurshumli vetëm gjuha shqipe11. Disa historiografë të vjetër, madje edhe të rinj, shqiptarët në këtë trevë i konsiderojnë si nënshtetas turq (turski podanici) dhe përpiqen t’u japin pozitë të privilegjuar në Perandorinë Osmane, gjë që është një gabim i madh.
Toplica në prag të çlirimit ka pasur 18 333 banorë, prej të cilëve rrethi i Prokupljes 10 825, prej tyre 4 618 serbë e 6 207 turq e shqiptarë; rrethi i Kosanicës 6 708 banorë, prej tyre 575 serbë e 5 951 turq dhe shqiptarë dhe afro 800 çerkezë12. Edhe shkruesi i këtyre shënimeve statistikore, shqiptarët i bie të njëjtë me turqit.
Sipas statistikës së datës 1.II.1878 që bëri administrata serbe, në rrethin e Prokupljes kanë qenë 51 fshatra me popullsi serbe, 22 fshatra me popullsi të përzier, me 858 shtëpi serbe dhe 882 shtëpi shqiptare, 74 fshatra me shqiptarë, me 1 538 shtëpi, ndërsa për 14 fshatra nuk ka shënime, sepse, me rastin e regjistrimit në to, nuk është gjetur askush. Në bazë të shënimeve të mëvonshme, këto 14 fshatra kanë patur 245 shtëpi shqiptare, që do të thotë se kanë qenë 1 783 shtëpi shqiptare.
Në kazanë e Prokupljes ka patur edhe 325 shtëpi çerkeze13. Sipas këtyre shënimeve statistikore, 51 fshatra në rrethinën e Prokupljes kanë qenë me popullsi serbe, mirëpo në bazë të mbiemrave që mbajnë banorët e fshatrave shihet se edhe në këto 51 fshatra ka patur shqiptarë, brezincët muhaxhirë që kanë ardhur nga Brezinca, devçët nga fshati Devça e Poshtme dhe e Epërme, kostanicët nga Kostanica, lepajët nga Lepaja, pojatët nga Pojata, reçicët nga Reçica e tjerë; Këta fshatra kategorizohen si vendbanime vetëm me popullsi serbe14.
Sipas Jovan Haxhivaljeviçit, në Prokuplje dhe rrethinën e saj ka patur 2 505 shtëpi shqiptare, 2 031 shtëpi serbe dhe 24 shtëpi turke. Në Kurshumli ka patur 1 956 shtëpi shqiptare, 638 shtëpi serbe dhe 60 shtëpi rome15.

Sipas një shënimi të ndarjes administrative të vitit 1873, në kazatë e sanxhakut të Nishit kishte 110 386 meshkuj të krishterë dhe 46 027 myslimanë16.
Në raportet e përfaqësuesve të diplomatëve të shteteve të mëdha, të Austro-Hungarisë, të Anglisë, të Francës, të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera shihet se në kazanë e Nishit, Prokupljes, Leskovcit, Vranjës dha Kurshumlisë numri i shqiptarëve ka qenë më i madh se sa japin burimet statistikore të Serbisë dhe të Bullgarisë.
Carl Saxi në Sanxhakun e Nishit, pikërisht në kazanë e Leskovcit, ka gjetur 24 000 shqiptarë dhe 22 500 serbë, në kazanë e Kurshumlisë 19 000 shqiptarë dhe 500 serbë, në kazanë e Prokupljes 15 000 shqptarë dhe 1 500 serbë e në kazanë e Vranjës 25 000 shqiptarë dhe 60 500 serbë17. Dr. Aristides Roukis vë në pah se kazaja e Vranjës ka patur 23 500 shqiptarë dhe 60 500 serbë18.
Me depërtimin e ushtrisë në rajonin e kazasë së Nishit. Prokupljes, Kurshumlisë, Leskovcit dhe Vranjës, nga fundi i vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878, shqiptarët në mënyrë masive filluan të shpërngulen nga këto vende dhe të shkojnë në drejtim të Kosovës, në Maaedoni dhe në vende të tjera. Shpërngulja e tyre vazhdoi edhe pas paqes së Shën Stefanit deri në kohën e Kongresit të Berlinit dhe më vonë.
Më 13 mars 1878 u nënshkrua paqa e Shën Stefanit në mes të Rusisë dhe Turqisë, me të cilën Rusia, për të siguruar depërtimin dhe dominimin në Mesdhe, krijoi Bullgarinë e Madhe. Sipas paqes, Serbia duhej të zgjerohej në drejtim të Novi Pazarit dhe Sanxhakut të Prishtinës.
Në Kongresin e Berlinit u ndryshuan vendimet e Shën Stefanit. Edhe këto vendime cenonin interesat e popullit shqiptar dhe maqedon. Në këtë Kongres dolën hapur qëllimet pushtuese të shteteve të mëdha dhe atyre ballkanike. Me vendimet e Kongresit, Austro-Hungaria arriti ta largojë Serbinë nga Sanxhaku i Novi Pazarit dhe të Prishtinës, pasi difinitivisht asaj iu dhanë territoret e Sanxhakut të Nishit — Kazaja e Nishit, Pirotit, Prokupljes, Kurshumlisë, Leskovcit dhe Vranjës19. Zgjerimi i Serbisë nga juglindja.. . gjeti edhe përkrahjen e monarkisë së Danubit, sepse, kjo, në vend të territorit që Serbisë ia dha Rusia me paqen e Shën Stefanit, e orientonte nga juglindja në drejtim të Maqedonisë lindore dhe Bullgarisë. Austro-Hungaria vilajetin e Kosovës e konsideronte si territor të zonës së vet pushtuese. Ajo, për të forcuar pozitat e veta në Vilajetin e Kosovës, ishte edhe për ndryshime etnike: për largimin e popullsisë shqiptare nga territoret e çliruara të Sanxhakut të Nishit, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, për largimin e popullsisë serbe nga Vilajeti i Kosovës. Princ Milani ka patur pëlqimin e monarkisë dhe duart e lira që të shpërngulte me forcë shqiptarët nga rajoni i Sanxhakut të Nishit20.
Në bazë të disa burimeve dhe raporteve të përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të mëdha dhe të Serbisë shihet se fajin kryesor për shpërnguljen e shqiptarëve e mban princ Milani dhe Austro-Hungaria21. Princ Milani dhe qarqet zyrtare dëshironin që Serbinë ta bënin një shtet me popullsi thjesht serbe, sepse kishin frikë nga ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha dhe nga mundësia e kthimit përsëri të sundimit turk në këto rajone. Në anën tjetër, diplomacia austro-hungareze e nxiti princin Milan që me forcë të shpërngulte shqiptarët me qëllim që të krijonte baza antagoniste në mes të Serbisë dhe shqiptarëve, që në të ardhmen të likuidonte mundësinë e afrimit politik midis tyre. Ajo friksohej nga pretendimet e Serbisë në Vilajetin e Kosovës, që e konsideronte si zonë të sferës së vet të interesit.
Ajo donte që Serbinë ta orientonte nga juglindja, sa më larg vilajetit të Kosovës22. Diplomacia austro-hungareze, e përkrahur nga ajo gjermane, dëshironte që në Kosovë të krijohej një popullsi armiqësore ndaj Serbisë, që të pengonte aspiratat e saja në këtë drejtim. Siç shihet, qëllimet pushtuese të Austro-Hungarisë ndaj Vilajetit të Kosovës kanë kontribuar mjaft që qeveria serbe të shpërngulte shqiptarët nga rajoni i Sanxhakut të Nishit. Motivet dhe aspiratat e Serbisë në atë kohë kanë qenë identike me ato të Austro-Hungarisë, gjë që ndërmori një hap të tillë pa menduar për pasojat që mund të vinin më vonë. Austro-Hungaria bashkë me qeverinë serbe donin të paralizonin kërkesat e Portës së Lartë, që mund t’i shtronte në Kongresin e Berlinit, për të kthyer disa krahina që i humbi në fushën e betejës, sidomos krahinat me popullsi të besimit islam.
Shpërngulja e shqiptarëve ishte pasojë e lojës diplomatike të Austro-Hungarisë për të realizuar qëllimet pushtuese në Gadishullin Ballkanik.
Qeveria e princ Milanit qysh më parë, që në fillim të luftës së parë 1876, ndërmori masa që popullsia serbe të mos largohej nga territori i Sanxhakut të Nishit. Në lidhje me të emigruarit nga krahinat luftarake 1876-1877, në një shkresë drejtuar udhëheqësve të pushtetit të qarqeve dhe drejtoratit të Beogradit shkruhet: «Interesi i popullit serb është që tanët të mos i lëshojnë shëpitë e tyre në Turqi dhe të kalojnë te ne, sepse, atëherë në vend të tyre do të vendosen çerkezët dhe shqiptarët, e kështu elementi i huaj në mes nesh do të përzihet»23.
Për numrin e shqiptarëve që u shpërngulën në këtë kohë ekzistojnë burime të ndryshme dhe mjaft kontradiktore. R. L. Pavloviqi thekson se prej 81 fshatrave me popullsi shqiptare (për 16 fshatra nuk ka patur shënime) janë shpërngulur 1 867 shtëpi24. Sipas Jovan Cvejiqit, janë shpërngulur afro 30 000 veta25.
Në disa burime të tjera numri i shqiptarëve të shpëmgulur paraqitet shumë më i madh. Në bazë të burimeve dhe të dhënave statistikore të qeverisë serbe shihet se numri i tyre ka qenë shumë më i madh. Kurshumlia me rrethinë ka pasur 1 956 shtëpi shqiptare, kazaja e Prokupljes 2 504 shtëpi shqiptare dhe Pusta Reka 1 539 shtëpi shqiptare26. Qyteti Leskovc ka pasur 1 000 shtëpi turke e shqiptare, Nishi 2 000 shtëpi turke e shqiptare, Vranja 25 000 shqiptarë. Nga kjo mund të shihet se në kazatë e përmendura kanë qenë afro 10 000 shtëpi shqiptare. Që të gjitha janë shpërngulur. Sipas raportit të konsullit anglez, gjeneralit Bluntit, dërguar Marquis of Salisburyt, më 10 maj 1880, nga Selaniku, të cilit i bashkon edhe raportin e Z. Alvazezit, flitet për pozitën e muhaxhirëve dhe numrin e tyre, të cilët ishin vendosur në Vilajetin e Kosovës. Në raport, përveç të tjerash, Blunti shkruan: «Qëndrimin tim të vonshëm në Prishtinë dhe Shkup e shfrytëzova për të marrë informata për sa i përket gjendjes në përgjithësi në këtë vilajet. Në bisedimin e parë me valiun e Kosovës, shkëlqesia e tij, duke referuar për gjendjen e muhaxhirëve ose refugjatëve myslimanë nga Kurshumlia, Prokuplja dhe nga vendet e tjera, territore këto të përvetësuara tashti vonë nga Serbia për shkak të artikujve të Traktatit të Berlinit, deklaroi se tashti ata paraqitnin vështirësinë kryesore të tij me të cilën ai u mor. Numri i tyre vlerësohet prej 90 000 deri 100 000 dhe vendosmëria kryengritëse e tyre e shqetësonin shumë (valiun) dhe puna për t’i trajtuar ata në rregull, është tepër e vështirë»27. Në një raport tjetër shkruan se Maqedonia ishte një ndër krahinat ku në vitet 1877-1878 ishin grumbulluar shumë emigrantë. Një pjesë e popullsisë turke (është fjala edhe për popujt e tjerë), pikërisht shumica e saj pas rënies së krahinës të Nishit dhe të Leskovcit nën pushtimin serb u grumbullua dhe u shpëmgul në Vilajetin e Kosovës dhe të Selanikut. Në dimrin e vitit 1877-1878 numri i emigrantëve që përfshinin këto dy vilajete ishte afro 300 000. Gjatë vitit 1878 nga anët e Selanikut një pjesë e emigrantëve u dërgua në Anadoll dhe Siri. Numri i emigrantëve u shtua më tepër kur, me vendimet e Kongresit të Berlinit, disa territore iu dhanë edhe Malit të Zi.
Sipas pohimit të dokumenteve të lartpërmendura shihet se në fillim të vitit 1878-1879 në Maqedoni ende gjendeshin 60 000 familje të emigrantëve turq, kjo do të thotë se ishte një grumbull njerëzish prej 250 000 vetash28.
Të gjithë shqiptarët ishin shpërngulur nga territoret e kazave të Sanxhakut të Nishit, përveç të disa fshatrave që kishin mbetur në rajonin e Jabllanicës. Shqiptarë mbetën edhe në rrethinën e Preshevës dhe Bujanovcit, sepse këto territore pas Kongresit të Berlinit mbetën nën sundimin osman.
Shpërngulja e tyre ka qenë masive dhe e përcjellë me panik të tmerrshëm. Me rastin e hyrjes së ushtrisë serbe në Pirot, pushteti i ri gjeti gjithsej 2 270 shtëpi me 6 330 banorë të krishterë dhe myslimanë Me rastin e regjistrimit të mëvonshëm kanë qenë 1943 shtëpi prej tyre vetëm 159 shtëpi turke e shqiptare me 638 banorë29.
Me rastin e hyrjes së ushtrisë serbe, në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878, në krahinat e banuara shumë vendbanime, fshatra dhe krahina të tëra ajo i gjeti të shkreta30. Pas hyrjes, pushteti ushtarak ka gjetur një popullsi me përbërje dhe strukturë të përzier, mirëpo qysh në luftën e parë të pasuksesshme të vitit 1876 filluan ndryshimet etnike, e në luftën e dytë 1877-1878 kryesisht u ndryshua gjendja etnike dhe struktura e popullsisë. Në vendbanimet e kazasë së Leskovcit vetëm në «Pustoreçkam arnautlluku» kanë qenë 53 fshatra me 2 700 shtëpi shqiptare. Me rastin e çlirimit ato fshatra janë gjetur të zbrazëta pa banorë, përveç ndonjë familjeje që ishte fshehur në male31. Meqë në këto fshatra nuk banonte askush, ato nuk u vunë në administratën e re të komunave. Në një raport shkruhet: «Në qoftë se këto fshatra përsëri banohen, prej tyre mund të formohen 5 deri 6 komuna; 3 në Pustorekën e Epërme dhe 3 në pjesën e epërme të lumit Jabllanica»32. Në të njëjtin raport shkruhet: «Në gjithë nahijen ka 10 369 shtëpi serbe, duke numëruar këtu edhe shtëpitë në qytet të turqve të mbetur dhe të ebrejve, dhe se, përveç këtyre, para shkuarjes së turqve dhe të shqiptarëve, kanë qenë në këto komuna edhe 1 322 shtëpi turke e shqiptare. Në qoftë se shtojmë edhe 53 fshatra të zbrazëta shqiptare llogaritim mesatarisht nga 30 shtëpi në fshat, atëherë në gjithë nahijen do të kishte 13 300 shtëpi»33.

Sipas statistikës zyrtare të Serbisë të vitit 1879, në Leskovc kanë qenë 2 061 shtëpi me 2 158 familje serbe e vetëm 158 shtëpi myslimane me 825 banorë, prej tyre në Leskovc 400 myslimanë, 120 turq dhe 280 romë34.
F. Konitzi shkruan se në vjeshtë të vitit 1884 me rastin e kalimit të    tij përsëri nëpër Leskovc, dikur me 900 shtëpi turke me 4 500 njerëz, ka gjetur vetëm afro 60 banorë myslimanë me 15 shtëpi35.
Në një shënim tjetër thuhet se prej 900 shtëpive turke në Leskovc, kanë mbetur vetëm 126 banorë myslimanë. Më në fund shihet se në Leskovc janë regjistruar 1 932 shtëpi, prej tyre 1 785 serbe, 115 turke, 32 ebreje dhe më se 700 shtëpi të zbrazëta36.
Në rrethin e Leskovcit kishte 10 369 shtëpi të banuara    serbe dhe 1 322 shtëpi të zbrazëta shqiptare37.
Sipas regjistrimit të datës 1.2.1878 në rrethin e Prokupljes në fshatra kishte 4 413 shtëpi, prej tyre 1 932 serbe dhe 2 481 shtëpi turke e shqiptare me gjithsej 14 676 banorë serbë dhe vetëm 978 banorë shqiptarë38. Prokuplja kishte 750 shtëpi të zbrazëta39. Shtëpitë e zbrazëta me 978 banorë u shënuan në regjistër të veçantë. Sipas disa shënimeve, shqiptarë «kanë mbetur në kazanë e Prokupljes, në fshatra të përziera si në Reçicën e Poshtme, në Pllanën e Madhe, në Jashanicë e në disa fshatra të tjera.»40 Më vonë edhe këta banorë janë shpërngulur në këto vende.
Për 14 fshatra nuk janë dhënë shënime. Shtëpitë e zbrazëta nuk shënoEen edhe për komunën e Reçicës së Poshtme e Pllanës së Madhe. Në komunën e Bahinovcit ka patur shumë shtëpi shqiptare, por të gjitha janë djegur41. Në rrethin e Prokupljes nuk është ditur nurnri i shtëpive të shqiptarëve në këto fshatra: Bukohzon, Pestin, Krushevica, Gabovac, Brest, Trnavoles, Bllace, Statovci, Dublica, Jabuçje, Obrtinca, Dobrotiq dhe Buçinca. Në Pllanën e Madhe, Tërnavën e Epërme dhe Pllanën e Vogël kanë jetuar 195 shtëpi çerkeze.

Vetëm Pllana e Madhe ka patur 889 shtëpi shqiptare, pas shpërnguljes nuk ka mbetur asnjë42.
Sipas regjistrimit të 22 marsit 1879, në    qarqet e Nishit, të Pirotit, të    Vranjës dhe të Toplicës kanë mbetur vetëm 6567 banorë myslimanë43. Sipas regjistrimit të mëvonshëm, në vitin 1884, nëpër rrethe popullsi jo serbe ka mbetur në Vranjë 6,85 për qind, në fshatra 1,43 për qind; në Nish 5,45 për qind, në fshatra 0,64 për qind; në Pirot 3,64 për qind, në' fshatra 0,43 për qind; në Toplicë, 5,45 për qind, në fshatra 3,85 për qind44.
Siç shihet, popullsi myslimane turke, çerkeze, aty-këtu ndonjë shtëpi shqiptare, kanë mbetur në qytete, e pikërisht, ato familje që merreshin me zejtari dhe tregti, ndërsa në fshatra nuk ka mbetur askush.
Në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve nga territoret e Sanxhakut të Nishit, një mësues i Leskovcit, Josif H. Kostiqi, shkruan: «Kanë qenë shumë turq, të cilët zhveshur e zbathur në dimrin më të madh të dhjetorit kanë ikur më këmbë nëpër borë dhe kanë lënë shtëpitë e tyre plot mall. Atë natë shumë fëmijë në qerre apo në krahët e nënave, në djepe, kanë vdekur nga të ftohtit e madh. Familjet turke iknin dhe tërhiqeshin në luginën e lumit të Moravës jugore nëpër të ftohtit më të madh. Pranë rrugës, nëpër grykën e Gudelicës deri te Vranja dhe Kumanova shiheshin fëmijë të hedhur e të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike, kuajt dhe qentë tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, sepse saja ka pasur pak»45. Në një raport tjetër shkruan: «Prej ushtarëve tanë që i ndiqnin turqit, pas thyerjes së tyre në Gudelicë, Pirot dhe Vranjë, kam dëgjuar se kanë hasur në grumbuj të ikurish në gjendje edhe më të mjerë. Edhe atë pasuri që kishin marrë me vete, të gjithë e kanë' hedhur rrugës që të iknin dhe të shpëtonin më lehtë. Shumë shtazë nga uria dhe lodhja janë gjetur rrugës të ngordhura ose nga akulli, ose të dërrmuara nga rrëshqitja. Disa fëmijë të hedhur, të humbur apo gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria kanë qenë të ajur dhe të fryrë si tupani.. .»46.
Në këto fragmente bëhet fjalë për shpërnguljen e shqiptarëve dhe gjendjen e tyre gjatë largimit në drejtim të Kosovës.
Është interesante se në një dokument shënohet se shqiptarët, me rastin e shpërnguljes, kanë plaçkitur dhe i kanë marrë popullsisë serbe pasurinë dhe gjënë e gjallë. Mirëpo, në bazë të saj që u tha më lart, shihet se shqiptarët nuk kanë mundur të marrin me vete pasurinë e tyre, madje dhe atë që kanë marrë e kanë hedhur rrugës, madje disa kanë harruar edhe fëmijët e tyre në djep. «Rastet e tjera përsëri flasin se shqiptarët dhe çerkezët me rastin e tërheqjes plaçkitën nga popullsia e këtushme kuajt, qentë dhe gjënë tjetër dhe i morën me vete, por më vonë ushtria jonë i mori përsëri ato nga shqiptarët»47. Edhe në një akt tjetër shkruan: «Gati nga të gjitha krahinat, të cilat ishin jashtë kufijve të mëparshme të atdheut tonë e tash gjenden në duart e ushtrisë sonë, arrijnë lajme se gjenden shtazë të marra shumë më tepër se sa i duhet për harxhim dhe ushqim ushtrisë luftarake»48.
Në fjalimin e mbajtur në Nish më 6.1.1878, princ Milani i drejtohet popullsisë së krahinave të çliruara se qeveria serbe u garantonte barazi të plotë të gjitha besimeve dhe kombësive, të cilat jetonin në territorin e krahinave të çliruara, u garantonte të drejtat e pasurisë, të zhvillimit kulturor dhe të besimit49. Premtimet e këtij fjalimi kanë qenë shumë të vona, sepse shumica e shqiptarëve ishin shpërngulur. Në këtë fjalim princ Milani përpiqet që të hiqte nga vetja fajin dhe përgjegjësinë për shpërnguljen e shqiptarëve.
Shqiptarët apo turqit që nuk mundën të shpërnguleshin me kohë, i quajnë «fukara», popullsi e varfër e Turqisë, afro 944 vetave, të cilëve ushtria serbe u paskërka dhënë ndihmë materiale dhe ushqim. Në mesin e këtyre «fukarenjve përmenden Jusuf Mustafa, Hasan Efendia, Ibrahim Aliametoviq Jemin, Jonuz Beqa50 e të tjerë. Në bazë të mbiemrave, shihet se këta kanë qenë të «varfër», pasi iu është marrë pasuria raporti i poshtëshënuar ilustron pozitën e atyre shqiptarëve që nuk arritën të shpërngulen me kohë. «Sot erdhi Sali Rika, kryeplak i fshatit Pllanë e Madhe, në nahijen e Prokupljes, dhe tha se në fshatin e tij ka më tepër se 100 shtëpi shqiptare. Me ardhjen e ushtrisë serbe në këtë rrethinë, gjithë fshati u shpërngul në grumbuj, prej të cilëve asnjë nuk i ka bërë rezistencë me armë ushtrisë serbe. Tash në këtë kohë të ftohtë gjithë fëmijët do të vdesin nga dimri nëpër male. Për këtë unë kam ardhur para pushtetit serb me lutje ulje që të mos trazoj asnjë familje që kthehet nga arratija në vatrat e tyre. Të gjithë ata që i dëgjojnë këshillimet e mija dhe bashkë me mua tregohen para pushtetit serb, i garantoj me pasurinë dhe jetën time»51. Në këtë akt përmenden edhe emrat e atyre që garantojnë Mehmet Alia dhe Mehmet Beralla. Në Pllanën e Madhe nuk ka mbetur asnjë shqiptar. Kjo do të thotë se ata kanë qenë të detyruar të shpërngulen me kërkesën e organeve të pushtetit të ri. Në raportin e Z. Gould dërguar Marquis of Salisbury-t më 26.XI.1878 nga Beogradi shkruhet: «Dëgjoj se kohëve të fundit qeveria serbe po sillet me egërsi të madhe dhe të panevojshme madje mizorisht ndaj shqiptarëve, në krahinat e dorëzimit. Nëse informata ime është e
saktë dhe nëse kam çdo arsye të besoj se është ashtu, banorët paqedashës dhe punëtorë të mbi 100 fshatrave shqiptare në luginën e Toplicës dhe Vranjës u dëbuan nga Serbia në mënyrë të pamëshirshme nga konaqet e tyre në pjesën e hershme të këtij viti. Këta njerëz fatkeqë që nga ajo kohë janë duke shtegtuar poshtë e lart, duke vuajtur nga uria në vendin e egër përtej kufirit të ri serb. Këta nuk u lejuan të mblidhnin të lashtat e tokës së tyre, të cilat u korrën nga ushtarët serbë, megjithëse herë-herë dërgonin delegatë dhe shumë peticione qeverisë serbe, duke i ofruar në mënyrë përulëse nënshtrimin e tyre dhe duke premtuar se do të bëheshin të nënshtruar besnikë të princit Milan. Çdo herë kur kërkonin të kalonin vijën e reparteve të rojave, ata vriteshin dhe    në disa raste nga dëshpërimi i dukshëm ata merrnin masa hakmarrëse, të cilat serbëve u kushtonin shumë shtrenjtë. Kur pata mundësinë të takoj herën e fundit në Prishtinë ekselencës së tij pa dashje i thashë se këto fakte i di dhe se a duhen ato të pohohen. Jam i sigurt se madhëria e qeverisë së tij dhe shumica e Fuqive të Mëdha do ta thërresin qeverinë serbe, do t’i kërkonte llogari dhe do të insistojnë në gjykimin e rreptë të masave që iu bënë këtyre njerëzve të pafatë, krimi i të cilëve ishte vetëm për shkak të përkitjes së një race të huaj dhe besimit tjetër.
Ekselenca e tij shpalli botërisht se vetëm pjesërisht është i njohur me faktet e rastit dhe dëshiron që çështjen ta marrë më herët në konsiderim serioz»52.
Në raportin e konsullit të Turqisë në Nish, përveç të tjerash, shkruhet: «Para bashkimit me Serbinë, në qytetin Nish gjendeshin 300 shtëpi në një pjesë të veçantë të qytetit, në të cilat banonin 1 900 shqiptarë. Këto shtëpi kanë qenë pasuri e shqiptarëve të pasur, prej të cilëve afro 20, me rastin e ardhjes së    ushtrisë serbe, i shitën shtëpitë e tyre dhe u shpërngulën në Turqi. Të tjerët ikën dhe u fshehën në fortesën e qytetit, të cilët,    pas hyrjes së ushtrisë    serbe, u kthyen në qytet se solemnisht u premtuan që do t’ua kthenin shtëpitë dhe do t’ua ruanin jetën, pasurinë dhe nderin e tyre.
Vlera e pasurisë që lanë llogaritet në afro dy milionë pjastra. Prej të gjitha shtëpive kanë mbetur vetëm 20, të tjerat janë rrafshuar për tokë.»53 Në    këtë raport janë dhënë    tri tabela me emrat, numrin e banorëve të fshatarëve dhe të shtëpive shqiptare.
Sipas tabelës nr. 1, rrethit (kazasë) së Leskovcit i takonin 88 fshatra dhe 3 320 shtëpi prej të cilave 1 248 janë shkatërruar. Në këto fshatra kishte 20 677 banorë. Gati të gjithë janë shpërngulur. Sipas tabelës nr. 2, rrethi i Prokupljes kishte 73 fshatra me 1 771 shtëpi, prej të cilave shumica ishin djegur apo shkatërruar. Në këto fshatra ka patur 13 320 banorë. Sipas tabelës nr. 3, rrethi i Kurshumlisë kishte 67 fshatra me 1 531 shtëpi shqiptare. Numri i banorëve që u shpërngulën dhe lanë pasuritë e tyre aso kohe ishte 12 480. Numri i përgjithshëm i fshatrave të lëshuar nga shqiptarët ishte 228 me 46 477 banorë54.
Për qëndrimin e princit Milan ndaj shpërnguljes së shqiptarëve na flet një raport që Gouldi nga Beogradi, i dërgoi rnë 29.VI1.1878, Marquis Of Salisburyt në lidhje me caktimin e vijës kufitare në mes të Serbisë dhe Turqisë, njëherësh edhe për qëndrimin e gjeneralit Leshnjanin në Vranjë me gjeneralkolonelin turk Hysni Pashën, i cili kryente detyrën e Mehmet Ali pashës. Në këtë raport, Gouldi shkruan: «... Princi Milan ka për qëllim të qëndrojë në afërsi të Nishit dhe të Vranjës gjatë muajit të ardhshëm dhe nëse është e nevojshme, do ta zgjatë qëndrimin e vet vetëm për të aftësuar gjeneral Leshnjanin që të kryejë më lehtë detyrën në rast se paraqiten mendime të ndryshme në mes të tij dhe kolonelëve turq.. . Shumica e popullsisë myslimane të territoreve të dorëzuara, sipas pohimit të princit, tërhiqen gradualisht nga pjesët e tjera të pushtetit turk, domethënë, larg kufirit. Kur serbët morën Nishin herën e parë, ai kishte popullsi myslimane me rreth 3 000 deri 4 000 veta, nga të cilët 1 000 ishin muhaxhirë nga Beogradi. Këta njerëz të pafat nuk e morën kurrë nga Porta dëmshpërblimin, të cilin qeveria serbe u detyrua ta paguajë në emër të tyre për shkak të dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre»55.
Pas armëpushimit që u nënshkrua në Edrene, më 29.1.1978, u formua Komisioni Ndërkombëtar nga përfaqësuesit e Serbisë, Rusisë dhe Turqisë, i cili u mblodh në Vranjë nga 10-12 shkurti 1878 që kishte për detyrë të caktonte vijën e demarkacionit. Në nenin 4 të paqes së Shën Stefanit shkruhet: «Myslimanët, të eilët kanë pasuri në territorin e bashkuar të Serbisë dhe dëshirojnë që të vendosen jashtë principatës serbe, do të mund t’i mbajnë pasuritë e tyre të palëvizshme dhe t’i japin me qesim ose t’i drejtojnë ato nëpërmjet të tjerëve.. ,»56. Edhe në nenin 39 të Marrëveshjes së Berlinit shkruhet kështu: «Myslimanët, të cilët kanë pasuri në territorin e bashkuar Serbisë, por nëse dëshirojnë që të vendosen jashtë principatës serbe, do të mund t’i mbajnë pasuritë e tyre të palëvizshme në Serbi edhe më, ose t’i japin me qesim, ose në drejtim të të tjerëve.. ,»57. Nga vendimet e Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit në lidhje me shqiptarët e shpërngulur shihet se edhe Fuqitë e Mëdha pajtohen me largimin e shqiptarëve nga rajoni i Sanxhakut të Nishit. Por, me qëllim që të zbutnin çështjen e tyre, në vendime u premtohej kompensimi për pasurinë e tyre ose u «lejohet e drejta» që atë pasuri ta shfrytëzonin dhe drejtonin nga larg, do të thotë prej së jashtmi. Mirëpo dihet qartë se sa shqiptarë kanë realizuar kërkesat e tyre dhe sa ka qenë e mundur zbatimi në jetë i këtyre paragrafëve. Komisioni serbo-turk kishte për detyrë që në një afat prej 3 vjetësh të caktonte çdo gjë që kishte të bënte me mënyrën e largimit, të shfrytëzimit ose të përdorimit në interes të Portës së Lartë të të gjitha pasurive shtetërore dhe të vakëfeve. Më 9 korrik u krye caktimi i kufijve shtetërorë në prezencën e Komisionit Ndërkombëtar me përfaqësuesit e Anglisë, të Italisë, të Rusisë, të Francës, të Austro-Hungarisë, të Serbisë dhe të Turqisë. Këta kufij mbetën deri në vitin 1912.
Qeveria serbe, me qëllim që të popullonte sa më parë krahinat e lëshuara nga shqiptarët, shpejtoi dhe menjëherë, në fillim të janarit të vitit 1878, nxori «Ligjin e përkohshëm mbi rregullimin dhe banimin e krahinave të çliruara». Për t’u vendosur në vendbanimet dhe krahinat e lëshuara nga shqiptarët, turqit, çerkezët e të tjerë posaçërisht kanë qenë të interesuar të ikurit e krahinave ende të paçliruara që ishin nën Perandorinë Osmane, pastaj të dëmtuarit nga lufta e kaluar dhe e tashme, banorët nga rrethina e Knjazhevcit, Krushevcit, Aleksincit, Kriva Pallankës nga Piroti, Novi Pazarit dhe disa krahina të largëta jashtë kufijve të Principatës Serbe, të cilët filluan të vinin në masë të madhe në krahinat e çliruara në pasuritë e turqve e të shqiptarëve. Ata kërkonin nga pushteti leje për t’u vendosur ose u vendosën sipas dëshirës së vet pa lejen e administratës shtetërore.58
Në një telegram nga Prokuplja dhe Nishi, dërguar më 21 shkurt të vitit 1878 anëtarit të qeverisë dhe ministrit të Arsimit dhe të çështjeve kishtare, z. Alampije Vasiljeviqit, shkruhet: «Nga qarqet e Aleksincit dhe Knjaehevcit vjen populli këndej në grupe, me qëllim që të vendoset në fshatrat e lëshuara të shqiptarëve, menjëherë pas vendosjes paraqiten dhe kërkojnë ndihmë në ushqim dhe për farë. Shumica kanë çertifikata nga pushteti i atjeshëm. 'Nuk kam fuqi për të penguar ardhjen e tyre».59
Çështjet e kolonizimit të vendbanimeve të lëshuara nga shqiptarët, turqit, çerkezët e të tjerë në vendet e çliruara nga qeveria serbe është zgjidhur më vonë. Për zgjidhjen e marrëdhënieve agrare u formuan komisione të posaçme, pasi me marrëveshjen e paqes në mes të Serbisë dhe Turqisë u caktua pozita e popullsisë së shpërngulur në lidhje me pasurinë e mbetur. Në shkurt të vitit 1888 doli ligji mbi rregullimin e marrëdhënieve agrare në krahinat e reja të çliruara.60
Me shpërnguljen e shqiptarëve, turqve dhe çerkezëve, u ndryshua struktura politike e krahinave të çliruara dhe u krijua një krahinë homogjene etnike vetëm me popullsi serbe, e freskuar me rryma të reja të popullsisë.61 Në krahinat e çliruara, shqiptarë, turq, ermenë, cincarë, grekë, ebrej, çerkezë etj. mbetën vetëm 12,51 për qind, ndërsa serbët përbënin 87,79 për qind.62
Qeveria e princ Milanit, pasi ia arriti qëllimit që të shpërngulte shqiptarët, u përpoq ta pengonte Austro-Hungarinë në realizimin e planeve të saj në Vilajetin e Kosovës. Ajo, duke ditur pretendimet e monarkisë së Danubit dhe pasojat e rënda që vinin nga aksioni i shpërnguljes së shqiptarëve, u përpoq në sy të Evropës të tregohej se ishte e gatshme t’i kthente shqiptarët në vendet e tyre... Komanda ushtarake në fillim të operacioneve luftarake në territorin e sanxhakut të Nishit të banuar edhe me shqiptarë, me anën e një proklamate, u bëri thirrje shqiptarëve që të mos e kundërshtonin ushtrinë serbe dhe të rrinin në shtëpitë e tyre, se ajo u garantonte lirinë dhe sigurimin personal...63
Thirrjeve dhe proklamatave të ushtrisë serbe shqiptarët nuk iu përgjegjën sepse ato nuk u jepnin garanci të mjaftueshme dhe linin përshtypjen se kishin qëllim propagandistik, në mënyrë që shqiptarët të mos bënin rezistencë ndaj ushtrisë serbe.
Shpërngulja e shqiptarëve nga territori i Sanxhakut të Nishit shkaktoi pasoja të dëmshme në marrëdhëniet serbe-shqiptare, gjë që më shumë se kushdo e ndienin shqiptarët e shpërngulur, të cilët humbën pasurinë e tyre dhe gjendeshin në një pozitë të vështirë ekonomike dhe shoqërore. Po ashtu edhe qeveria serbe filloi t’i ndjente pasojat e rënda që mund të vinin nga kjo shpërngulje. Ajo i kuptoi qëllimet e monarkisë së Danubit, e cila këtë shpërngulje u përpoq ta shfrytëzonte për realizimin e qëllimeve të saj pushtuese, në mënyrë që të largoheshin shqiptarët nga territoret e çliruara të Sanxhakut të Nishit, por, njëkohësisht, edhe serbët nga territori i Vilajetit të Kosovës. Qëllimet e Austro-Hungarisë në këtë drejtim nuk u realizuan, sepse popullsia serbe e Vilajetit të Kosovës mbetet e paprekur. Disa historiografë, në punimet e tyre, shpërnguljen e shqiptarëve nga territori i Sanxhakut të Nishit përpiqen ta paraqitin si ndërrim të popullsisë nga të dyja anët, gjoja, se nga Vilajeti i Kosovës është shpërngulur një numër i madh i popullsisë serbe. Dihet mirë se shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit janë shpërngulur në mënyrë masive, ndërsa nga Vilajeti i Kosovës është shpërngulur një numër i vogël i serbëve. Nuk mund të qëndrojë as pohimi se muhaxhirët shqiptarë ua kanë marrë me dhunë tokat serbëve në Vilajetin e Kosovës. Dihet mirë se muhaxhirët janë vendosur në fshatrat e çerkezëve, të cilët atëherë shkuan në Turqi, si dhe në tokat, pyjet e fushat e paçelura të agallarëve dhe bejlerëve dhe ishin në pozitë shumë të vështirë ekonomike të gjithë si çifçinj. Pushteti turk nuk ka lejuar dhe toleruar që shqiptarët të bënin presion në popullsinë e krishtere. Në një raport dërguar ministrit të Serbisë, më 30 maj të vitit 1879, flitet për shqiptarët, të cilët kishin ikur në kohën e luftërave 1877-1878 nga territori i Sanxhakut të Nishit, shumicës së të cilëve pushteti turk u kishte dhënë katundet e mbetura çerkeze në Kosovë.. 64
Në sytë e Evropës diplomacia serbe u përpoq të tregohej se ishte e gatshme të pranonte kthimin e shqiptarëve në vendet e tyre, madje ajo dha edhe disa premtime. Në raportin e ministrit të Serbisë në lidhje me këto çështje jepeshin edhe këto propozime:
« - Qeveria serbe të pranojë si qytetarët të vet me të gjitha të drejtat pa kurrfarë ndryshimi në mes tyre dhe serbëve, pa cenuar besimin, zakonet dhe duke u dhënë garanci për sigurimin e jetës dhe të pasurisë.
— Pasi në luftën e kaluar shqiptarët e shpërngulur u shkatërruan materialisht, atyre t’u jepet ndihmë për ndërtimin e shtëpive dhe ndërtesave të nevojshme, mjete bujqësore, ushqime dhe fara me borxh apo falas.
— T’u falet tatimi për një vit, nëse është e mundur.
— Në vendet ku banojnë shqiptarët të dërgohen njerëz dhe nëpunës të shtetit me karakter dhe të ndershëm për sigurimin e interesave të shtetit që të fitohet besimi dhe dashuria te një popull i ndershëm dhe i besuar.
— Serbëve t’u merren armët ose t’u jepen edhe shqiptarëve. Në qoftë se nuk është e mundur të respektohet kjo, atëherë të mos lejohet që serbët e armatosur t’i sulmojnë shtëpitë e shqiptarëve. Të ndalohen mbytjet, zullumet, plaçkitjet, të mos ekzistojnë më çetat, të cilat janë më shumë të dëmshme se sa për interesin dhe mbrojtjen e shtetit.»65
Edhe disa diplomatë të shteteve të mëdha, veçanërisht të Anglisë , bënë presion në qeverinë serbe për kthimin e shqiptarëve. Në letrën e M. Obrenoviqit dërguar J. Ristiqit shkruhet: «Në lidhje me kthimin e shqiptarëve, me hapat që ndërmori z. Gouldi u bashkuan edhe përfaqësuesit e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë dhe ka të ngjarë të krijohet koalicioni i përgjithshëm kundër Serbisë që të detyrojnë t’u hapë shqiptarëve dyert... Shqiptarët, — shkruan më tej M. Obrenoviqi, — nuk kanë dhënë kurrfarë shenje se janë të gatshëm t!u nënshtrohen ligjeve tona».66 Siç shihet, M. Obrenoviqi shprehej kundër kthimit të shqiptarëve në vendet e tyre. Përsëri M.M. Obrenoviqi,më 24.VIII.1879,    i shkruante nga    Nishi J. Ristiqit për vizitën e tij në qarkun e Toplicës dhe theksonte se gjithë krahina prej Mramori deri te Prokuplja ishte e pabanuar, e cila duhej të banohej. Ai thekson se «do të jetë vështirë të bëhet e banueshme ana e majtë e Toplicës, derisa të zgjidhet çështja e kthimit të shqiptarëve, sepse kryesisht atje kanë jetuar. Ana e majtë e Toplicës gjithashtu është pak e banuar, ka vetëm 3-4 shtëpi. Është e nevojshme që ajo të banohet me popullsi të krishtere që    më vonë kishte    për të shërbyer    kundër depërtimit
të popullsisë shqiptare». M.M. Obrenoviqi më tej thekson se z. Gouldi gjithnjë e mërzit lidhur me këtë çështje dhe se atij i vinte shumë mirë që turqit i zvarritnin bisedimet. Sipas tij, tendenca e paraqitur në Rumeli për bashkimin me Bullgarinë dhe aspiratat e shqiptarëve për pavarësi ishin dy pika të zeza në horizontin e Ballkanit.67 Çështja e kthmit të shqiptarëve në vendet e tyre ka qenë vetëm taktikë diplomatike e qeverisë serbe. Fuqitë e Mëdha bënin presion mbi qeverinë serbe që ajo të pranonte kthimin e refugjatëve shqiptarë në vendet e tyre. Z. Gould, agjent i Britanisë në Beograd, në një letër dërguar Marquis of Salisburyt, sekretar shtetëror për punët e jashtme, në lidhje me popullin shqiptar të territorit të çliruar shkruante: «Serbia do të ketë përgjegjësi serioze nëse nuk merr masa për mundësinë e kthimit të papengesë në shtëpitë e tyre, të banorëve të përzënë nga ngjarjet e luftës së kaluar dhe se këtë mendim e mbajnë edhe fuqitë e tjera». Gouldi thekson se qeveria britanike kërkonte nga Serbia që ajo të pranonte kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronën që me të drejtë u takonte atyre68.
Muhaxhirët shqiptarë që u shpërngulën nga sanxhaku i Nishit, u vendosën në Vilajetin e Kosovës, shumica në Sanxhakun e Prishtinës, pikërisht në kazatë e Mitrovicës, Vuçiternës, Ferizajt, Prishtinës dhe Gjilanit. Më pak kanë shkuar në Rrafshin e Dukagjinit. Një numër i konsiderueshëm i tyre është vendosur në Maqedoni në rrethinën e Kumanovës, të Shkupit, të Titovelesit, të Koçanës. Në territorin e Maqedonisë shkuan turq dhe më tepër shqiptarë të Surdulicës nga Vranja e rrethina, nga Leskovci e rrethinat dhe nga vende të tjera. «Në Edrene dhe Gymylxhe gjenden afro 200 mijë emigrantë. Në vjeshtën e vitit 1879 në Maqedoni ende gjendeshin afro 200 mijë emigrantë. Këta emigrantë nuk kishin mundësi as të jetonin në Maqedoni, as të ktheheshin në vatrat e tyre. Në muajt e dimrit gjendja e emigrantëve u bë një problem serioz...»69
Në Maqedoni muhaxhirët shqiptarë dhe turq kanë shkuar nga Surdulica dhe fshatrat përreth luginës së Vrellës, nga Masuricë, Jellashnica, Alaknice, Zhitoragja, Prekodolce, Binavce, Kalabovce, Alugojnica, Suvojnica etj. Nga të shpërngulurit nga Vranja dhe rrethina përmenden muhaxhirët e fshatrave Vërbqvë, Lepenicë, Dubnicë, Sodercë, Belogrebë etj. Nga rrethina e Leskovcit dhe e Dikovës70. Disa kaluan në trevën e Preshevës, e cila mbeti edhe më tej nën sundimin turk. Në fshatin Ramcë e Madhe disa familje kanë ardhur nga fshati Mirosllavc i Leskovcit. Në fshatrat në rrethinën e Kumanovës, Sopot, Donji Konjare e në Orizarë ka patur madje edhe sot gjenden muhaxhirë nga fshatrat e Surdulicës dhe Vranjës, Lepnicës, Masuricës, Verboves etj. Në fshatrat në rrethinën e Shkupit, Dllogi dhe Ramanovce, familjet e muhaxhirëve rrjedhin nga rrethina e Surdulicës dhe e Vranjës. Muhaxhirët e Preshevës, të Kumanovës dhe të Shkupit shumica kanë ardhur nga qytetet Vranjë, Surdulicë, Leskovc etj., madje mbajnë edhe mbiemrat Vranjci, Surduliçani etj71. Vendet më të mira për vendosjen e muhaxhirëve kanë qenë Presheva, treva e Shkupit dhe e Ovçe Polës, pjesët kufitare të Turqisë afër Serbisë, shumë prej tyre shkuan edhe më larg, deri te Pollogu, Ilçeva në rrafshinën e Manastirit dhe të  Ubçanës. Këtë e tregon edhe fakti se qytetet dhe fshatrat u rritën në pikëpamje të popullsisë, sidomos fshatrat si Klevça, Kumanova, Ramanova dhe Shkupi. Muhaxhirët në disa vende përbënin shumicën e popullsisë72. Në raportin e M. De Ringut dërguar Wadingtonit shkruhet për udhëtimin e tij prej Kumanove në Shkup dhe theksohet se Kumanova kishte 2 000 shtëpi. Në rrethinën e kazasë, sipas tij, kishte 27 fshatra myslimane shqiptare. Ai thekson se në këtë kaza kishte 5 000 myslimanë refugjatë, 4 000 të ardhur nga Vilajeti i Tunës e 1 000 nga krahinat e Sanxhakut të Nishit. De Ringu pohon se kajmekami mendonte se refugjatët, muhaxhirët, për shkak të pasigurisë nuk duhej të ktheheshin më në vendet e mëparshme të tyre. Në raport De Ringu thekson se qeveria serbe kishte dhënë urdhër që të prishej një numër i shtëpive të muhaxhirëve. Sipas një oficeri të lartë turk, Ismail beut, ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e muhaxhirëve dhe se ata nuk kishin të drejtë të shfrytëzonin pasuritë e tyre73. Nga popullsia muhaxhire u formuan fshatra të reja, si Umin Novosello afër Kumanovës. Në fshatra u vendosën më tepër shqiptarë e në qytet popullsia turke74. Një numër i konsiderueshëm i muhaxhirëve shkoi në Shqipëri dhe Turqi. Pozita e muhaxhirëve shqiptarë, turq, çerkezë, ebrej e të tjerë, që u vendosën në Vilajetin e Kosovës, Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi, ishte shumë e vështirë. Në pozitë mjaft të vështirë ishin edhe ata që mbetën në territoret e çliruara nga Serbia. Për fatin e tyre filluan të interesoheshin Turqia dhe Fuqitë e Mëdha, të cilat kërkonin nga qeveria serbe që ajo të zbatonte nenin 39 të Marrëveshjes së Berlinit lidhur me rregullimin e marrëdhënieve agrare në krahinat e çliruara. Ajo duhej të paguante tokat dhe pasurinë që kishin lënë muhaxhirët dhe një kompensim të caktuar për qeverinë turke. Në korrik të vitit 1879 përfaqësuesi Austro-Hungarez në Stamboll, grofi Zhiqi, lajmëronte Vjenën lidhur me një qarkore që popullsia myslimane e qarqeve të marra nga Serbia u dërgonte përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, ku ankoheshin për pasurinë e atjeshme që u kishin marrë dhe kërkonin që të ndërhynin te qeveria serbe në Beograd. Kjo qarkore ishte hartuar në emër të popullsisë shqiptare e turke, nga krahinat e bashkuara të Serbisë: Nishi, Piroti, Leskovci, Vranja, Prokupja, Kurshumlia dhe Pallanka.
Në nenin 35 dhe 39 të Marrëveshjes së Berlinit flitet se, në qarqet e çliruara nga Serbia, myslimanët dhe të krishterët do të gëzonin të drejta të njëjta qytetare politike dhe lirisht mund të dispononin mbi pasurinë e tyre të tundshme dhe të patundshme. Qeveria serbe bëri menjëherë konfiskimin e tokës. Reklamimet lidhur me këtë aksion që i dërguan qeverisë serbe poseduesit myslimanë qenë të kota. Të kota ishin edhe kërkesat drejtuar Fuqive të Mëdha nënshkruese të Marrëveshjes së Berlinit. Popullsia myslimane kërkonte që të formohej një komision ndërkombëtar, që të shqyrtonte ankesat e tyre, e, njëherësh, të çmonte edhe dëmet e shkaktuara si dhe t’u paguhej dëmi i shkaktuar. Ata kërkonin që të kishin të drejtë të shfrytëzonin pasuritë e tyre. Lidhur me pozitën e popullsisë myslimane që kishte mbetur edhe më tej nën Serbinë, Gouldi i shkruante Marqus of Salisburyt se Servet beu, që ishte kthyer nga vizita zyrtare te princi në Nish, i kishte treguar se kishte gjetur disa bashkatdhetarë (banorë myslimanë) të vet atje. Ata e kishin informuar se atje nuk kishin ngelur më tepër se 100 familje muhamedane dhe se peticioni i tyre ishte pritur aq keq, sa që edhe ata do të emigronin menjëherë, nëse do të gjenin ndonjë zgjidhje për pasurinë e tyre të patundshme. Pjesa më e madhe e tyre lshin dëbuar edhe nga shtëpitë me pretekst se ato duheshin rrënuar për nevoja të qeverisë. Ata nuk i drejtoheshin pushtetit për mbrojtje sepse kurrë nuk kishin marrë përgjigje. Në të vërtetë, ata trajtoheshin si të ishin robër lufte, duke qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e policisë dhe nuk u lejohej të dilnin jashtë qytetit, pa marrë parasysh arsyen, kështu që nuk ishin në gjendje të kujdeseshin për tokat e tyre... Sipas llogarisë së tij, vlera e tokës që posedojnë myslimanët në këtë provincë vlerësohet përafërsisht në 1 000 000 l.t. ose 90 000 1. stërlina.. . Autoritetet serbe kanë propozuar se të ardhurat nga shuma e përmendur duhet të kapitalizohen dhe se obligimet nga shuma e përmendur duhet të ndahen për banorët serbë75.
Për kërkesat e myslimanëve dërguar Fuqive të Mëdha lajmëronte edhe përfaqësuesi diplomatik austro-hungarez, Herberti...
Poseduesit myslimanë nga Nishi i dërguan përfaqësuesit të Anglisë dhe të Austro-Hungarisë një memorandum, në të cilin ankoheshin për pozitën që gjendeshin dhe theksonin se qysh kur serbët morën Nishin, Pirotin, Leskovcin e Prokupljen, ata nuk mund t’i preknin të ardhurat nga fushat e tyre dhe pasuritë e tjera në këto qarqe.
Pasurinë me vlerë që kishin marrë me vete ata e kishin shitur për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme dhe tani gjendeshin në pozitë të vështirë. Ata kishin dëgjuar se qeveria serbe kishte vendosur të caktonte vlerën e pasurive të tyre, e cila do të paguhej në këste, prandaj ata iu drejtuan përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha.
Qeveria serbe në vitin 1879 nxori ligjin agrar për blerjen e tokës nga myslimanët. Sipas Herbertit, pagesa ishte e vogël. Afati i pagimit ishte për pesë vjet. Nuk u paguan pyjet dhe kullotat. Toka, sipas rregullave ligjore, paguhej 20,10 dhe 6 dinarë për një ditë lëvrimi. Popullsia myslimane, shqiptare, turke etj., dhe ata që kishin mbetur në vend protestuan kundër një ligji të tillë agrar. Për këtë gjë Porta e Lartë. më 19.VIII.1879, u dërgoi protestë Fuqive të Mëdha, se në bazë të nenit 39 të Marrëveshjes së Berlinit, ligji agrar i nxjerrë nga qeveria serbe, cenon interesat e popullsisë myslimane dhe se Serbia, nën pretekstin se rregullon marrëdhëniet e mëparshme feudale në qarqet e saj, në të vertetë, sanksionon plaçkitjen e poseduesve myslimanë. Mirëpo kërkesat e popullsisë myslimane, të Portës së Lartë dhe të Fuqive të Mëdha nuk patën kurrfarë efekti. Qeveria serbe nuk realizoi as edhe parimet e ligjit agrar.

 Muhaxhirët shqiptarë në Kosovë u vendosën në fshatrat e çerkezëve, shumica e të cilëve u shpërngulën në Turqi, në djerrina dhe në fusha të pahapura, si çifçinj. Ata qysh në fillim u gjetën në pozita shumë të vështira ekonomike dhe shoqërore. Për pozitën e vështirë të tyre flasin pasardhësit e muhaxhirëve të parë, si dhe shumë dokumente të shteteve të ndryshme, sidomos ato të Serbisë, Bullgarisë, Turqisë, Austro-Hungarisë, Anglisë dhe Francës. Për gjendjen e tyre, më mirë se kushdo flasin letrat dhe peticionet e tyre dërguar Fuqive të Mëdha, Kongresit të Berlinit dhe diplomatëve të huaj, ku, përveç të tjerash, kërkojnë ndihmë. Popullsia shqiptare që banonte me kohë në kazatë e Nishit, Leskovcit, Prokupjes, Kurshumlisë dhe Vranjës u gjet në kushte tejet të vështira, sepse kishte lënë pas vetes gjithë gjënë e gjallë dhe pasurinë. Vështirë e patën edhe ata shqiptarë që mbetën në ato vise që me paqen e Shën Stefanit iu dhanë Bullgarisë së Madhe, sepse bullgarët bënë masakrime të mëdha mbi popullsinë shqiptare dhe serbe, sidomos ata që ishin të besimit mysliman e që i konsideronin si elementë turq. Bullgaria filloi të dëbonte popullsinë e fshatrave përtej kufirit.
Muhaxhirët filluan t’i dërgonin letra dhe peticione Kongresit të Berlinit, i cili duhej të mbahej atëherë. Ata kërkuan që Fuqitë e Mëdha të ndërmerrnin masa për ndërprerjen e zullumeve të bullgarëve dhe t’u jepnin mundësi të ktheheshin përsëri në vendet e tyre. Në një letër nënshkruar nga Ali Shaqiri dhe Ismail Abdullahu, në emër të afro 3 000 të ikurve nga rrethina e Nishit, Leskovcit, Vranjës dhe Kurshumlisë, posë të tjerash, thuhet se «gjendja e të ikurve është tejet e rëndë. Fëmijët janë të sëmurë dhe nuk kanë as gjërat më të nevojshme për ta mbajtur shpirtin. Prandaj lusim paritë e Evropës që të dërgohet një komision dhe ndihma të tjera për ata që kishin humbur gjithçka kishin»76.
Në peticionin e pronarëve myslimanë të Serbisë dërguar Furniesë, ambasadorit francez në Stamboll, përveç të tjerash thuhet: «Ne që jemi pronarë të pasurive në Sanxhakun e Nishit, territoret që iu dhanë Serbisë, lusim që në tokat tona të na lënë të qetë. Në artikujt 35 dhe 39 të Marrëveshjes së Berlinit thuhet se myslimanët e të krishterët në tokat e marra nga Serbia të gëzojnë të drejtat e barabarta politike dhe qytetare, të disponojnë mbi pasuritë e tyre. Mirëpo, qeveria serbe nuk i përmbahet Marrëveshjes së Berlinit. Ajo bëri konfiskimin e pasurisë sonë, mori gjithë gjënë e gjallë, të mbjellat dhe të tjera. Pronarët e tokave i luten Fuqive të Mëdha që të angazhohen në mbrojtjen e tyre». Ata i dërguan një memorandum të tillë edhe vezirit turk77.
Muhaxhirët dërguan edhe disa telegrame nga Prishtina dhe vende të tjera, në të cilat tregohej gjendja shumë e vështirë e të ikurve. Në një telegram që u dërgua nga Prishtina, më 28 qershor. thuhet: «... 5 000 të ikur nga rrethina e Vranjës kanë lënë pas të vdekur, të plagosur dhe të zënë rob nga ushtria bullgare. Ata nuk kanë kursyer as njerëzit e as kafshët që t’i tmerrojnë (shastisin) njerëzit e pafajshëm vetëm e vetëm që ata të marrin arratinë.. ,»78
Në këtë telegram thuhet edhe: «... Përkundër gjendjes së vështirë, popullsia e Kosovës ka bërë çmos që t’i dalë në ndihmë të ikurve, por problemet dhe hallet e tyre janë aq të mëdha, saqë ata mund t’i zgjidhin vetëm me anë të një vendimi të drejtë të Evropës, që ata të kthehen sërish në trojet e tyre dhe të vazhdojnë jetën e tyre si më parë... »79. De Ringu i shkruan ministrit frëng, Waddington, se në dy biseda që kishte patur me mytesarifin e Shkupit, Muhedin Mustafa pashën, ai i kishte folur për të krishterët e burgosur në Shkup. Disa myslimanë të pasur të Nishit, Abaz beu dhe Ismail beu, theksonin se qeveria u kishte bërë konfiskimin e pasurisë, u kishte prishur shtëpitë dhe varrezat. Në raport, më tej, shkruhet se konsulli i Rusisë në Prizren, në bisedë me valiun e Kosovës, thoshte se është në interes të Turqisë që të forcohet elementi mysliman në territoret që mbetën ende nën sundimin e Turqisë. Prandaj Turqia është mirë që t’i ndalë, të mos i kthejë muhaxhirët, refugjatët, në vendet e tyre të marra nga shtetet ballkanike, Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria80. Është interesant pse konsulli rus në Prizren këshillon valiun e Kosovës që të forcohet elementi mysliman në tokat që mbetën nën sundimin turk në Maqedoni dhe në Kosovë. Diplomacia ruse ishte kundër riatdhesimit të muhaxhirëve myslimanë në tokat e marra nga shtetet krishtere. Edhe në një raport tjetër dërguar nga Shkupi, De Ringu e lajmëron Waddingtonin se konsulli rus në Prizren, Jastrebovi, në një bisedë që kishte patur me valiun, ishte shprehur kundër kthimit të muhaxhirëve në vendet e tyre të mëparshme. Edhe këtë herë Jastrebovi e këshillon valiun e Kosovës se ishte në interes të Turqisë që të forcohej elementi mysliman në tokat që mbetën pas Kongresit të Berlinit nën sundimin turk81. Sipas raportit të De Ringut, shihet se valiu e çmonte lart mendimin e konsullit rus.
De Ringu në një raport tjetër dërguar Waddingtonit lidhur me vizitën që i kishte bërë Prishtinës dhe në bisedat që kishte patur me Nazif pashën, valiu i Kosovës, kishte vërejtur se valiu ishte për shpejtësimin e riatdhesimit (kthimit) të muhaxhirëve në vendet e mëparshme. Valiu deklaronte se në provincën e tij kishte më se 100 mijë refugjatë, që dëshironin të ktheheshin në vendet e tyre82.
Autoritetet turke hasën në vështirësi për mbajtjen e refugjatëve, prandaj, si duket, që të liroheshin nga ata, u orvatën që t’i kthenin në vendet e tyre. M. Seheferi, agjent diplomatik dhe konsull gjeneral i Francës në Sofje, në raportin dërguar ministrit Waddington, thoshte se Maqedonia (është fjala edhe për Vilajetin e Kosovës), është vendi i strehimit të refugjatëve nga Bullgaria, Bosnja, Hercegovina dhe disa pjesëve të tjera të Ballkanit që mund të kenë më se 50 deri 60 mijë familje të vendosura në fshatra dhe qytete. Refugjatët myslimanë mendojnë të kthehen me forcë, me armë në dorë, në vendet e mëparshme të tyre.
Ata refuzojnë thirrjen e sulltanit që të shkojnë në Azinë e Vogël.
Ata kanë vendosur të durojnë e të presin në Maqedoni që të kthehen në vendet e tyre. Nga pushteti turk, thuhet në raport, ata merrnin 150 drama (450 gram) bukë në ditë të kualitetit shumë të dobët, prandaj jetojnë në kushte shumë të vështira83. Në telegramin e datuar më 30 qershor thuhet se afër Podujevës ishin krijuar lokalitete të tëra prej të ikurish dhe se po të mos ishte ndihma e vendasve, atëherë shumëkush do të vdiste nga uria, ngase para rrebeshit bullgar kurrkujt s’i kishte rënë ndërmend të merrte diçka me vete84. Muhaxhirët shqiptarë në këtë telegram kërkojnë nga Kongresi i Berlinit dhe Bismarku që t’i kushtohej kujdes çështjes dhe ruajtjes së pasurisë së tyre dhe të kthehen në vendet e tyre.
Me çështjen e muhaxhirëve u mor edhe Lidhja e Prizrenit, e cila në vendimet e para të Kararnames, në pikën e 6 kritikon ashpër qeverinë serbe dhe Fuqitë e Mëdha për shpërnguljen e shqiptarëve nga territoret e Sanxhakut të Nishit. Lidhja shpreh gatishmërinë për marrjen edhe të masave ushtarake kundër një akti të tillë.
Me çështjen e muhaxhirëve shqiptarë janë marrë edhe shqiptarët në emigracion, jashtë atdheut. Ata i dërguan Kongresit të Berlinit shumë shkresa dhe telegrame, në të cilat kërkonin që sa më parë të merreshin masa dhe të gjykoheshin sundimtarët, që kishin bërë presion mbi popullsinë shqiptare që ajo të lëshonte vendet e tyre.
Në letrën e shoqërisë patriotike të Stambohit, të cilën e nënshkruan Omer Vrioni dhe Pashko Vasa, thuhej: «Një popull i vjetër, me tradita dhe dëshira, që të jetojë në paqe me fqinjët e vet, befas u gjend para problemeve të ekzistencës së vet kombëtare. Pas copëtimit të ri, ai kërcënohet nga masakrime dhe presion i paparë».
Në të katër faqet e kësaj letre, shqiptarët e Stambollit ua bëjnë të qartë Bismarkut dhe Evropës se po qe se do të vazhdojnë të shkelin interesat e të vegjëlve për hesapet e veta, atëherë do të lindnin probleme të reja, të cilat do të trazojnë, në radhë të parë, ato vetë. Ngjarjet e mëvonshme do të tregonin se mosrespektimi i këtyre çështjeve do të bënte pikërisht që Kongresi dhe organet e tij të hasnin vështirësi të mëdha në zbatimin e vendimeve të marra85. Në një telegram tjetër të shqiptarëve të Stambollit shkruhet: «Evropa, duke dashur të shuajë një zjarr të madh, ndez zjarre të tjera të vogla, të cilat janë të rrezikshme sepse armiqësojnë popujt, të cilët shekuj me radhë kishin jetuar së bashku dhe kishin luftuar me të vetmin qëllim, që të mbroheshin prej sundimit osman»86 Atëherë Gouldi i shkruante Marquis ot Salisbury-t: «... Sermed efendiu, delegat i këtushëm otoman më ka treguar një peticion, drejtuar Portës, të nënshkruar në emër të gjithë myslimanëve në Serbi që ankohen për mundimet që i kanë përjetuar dhe luten që Komisioni ndërkombëtar të shqyrtojë këtë çështje»87. Edhe Blunti, konsulli gjeneral i Britanisë në Selanik, i shkruante ambasadorit britanik në Stamboll, Layardit: «... duhet marrë një hap serioz për të vendosur një numër të madh të ikurish nga Rumelia në Maqedoni.
Këta të ikur të ngratë formojnë një element shqetësues, sepse përveç pengesave që i shkaktojnë administratës dhe banorëve, mundimet që kanë përjetuar dhe vështirësitë po i durojnë, pasi iu është marrë pasuria... Tani jam më se i sigurt se ka mbi 200 mijë njerëz në Vilajetin e Selanikut, të Kosovës dhe të Manastirit prej të cilëve 61735 njerëz janë shpërndarë në tri sanxhaqet e Vilajetit të Selanikut»88. Blunti më tej vazhdon:    «... këtyre të ndjekurve tëpafat s’u ka mbetur asgjë përveç jetës, shumë pak mund të gjejnë punë, shumë vdesin nga sëmundja dhe mjerimi, disa nga nevoja janë të shtyrë të plaçkitin. Pezmatimi i tyre do të rritët me ardhjen e dimrit. Misri, që është ushqim kryesor i vendit, nuk është bërë këtë vit në Maqedoni e në fytyrat e tyre të uritura shihet shpresa. Shpresojmë me durim se fati i tyre do ta prek botën e civilizuar të Evropës dhe se Fuqitë e Mëdha do të ndihmojnë që t’u kthehen tokat dhe do të rregullohen të drejtat e tyre»89. Blundi edhe në një raport tjetër dërguar Marquis ot Salisbury, më 20 maj 1880, nga Selaniku, të cilit i bashkon edhe raportin e z. Alvarezit. flet për pozitën e muhaxhirëve. Në raport, përveç të tjerash, ai shkruan për gjendjen në Vilajetin e Kosovës, për numrin dhe pozitën e vështirë të muhaxhirëve shqiptarë, për demoralizimin e dëshpërimin në të cilin ishin zhytur nga humbja e gjithçkaje që posedonin «. . . për dhunimet, për të cilat është folur se janë bërë nga ata mbi të krishterët e Vilajetit, u informova dhe kuptova se në një nga rastet e raportuara ishte tepruar shumë dhe se ishin thjesht trillime të qarta. . . I tillë është mjerimi me të cilin ata janë ballafaquar dhe uria e tyre është shumë e madhe. Me racione elbi i ndihmon qeveria, të cilën e pritën me padurim turma të mëdha në stacionet hekurudhore. Elbi është i papjekur. Disa shtëpi që pamë ishin ndërtuar falas nga populli i Prishtinës nën mbikëqyrjen e qeverisë. Ata refugjatë që kishin pak pasuri shkuan në Shkup dhe Selanik». Në raportin e Bluntit përmenden muhaxhirë të ardhur edhe nga Bullgaria, shumica nga Questendieli dhe krahina të tjera kufitare. Ndërsa ata të Prishtinës dhe të Jeni Pazarit, duke përjashtuar disa boshnjakë, të gjithë ishin shqiptarë të krahinave të marra vonë nga Serbia. Qeveria serbe kërkoi formalisht dëmshpërblim nga Porta e Lartë për prishjen e territorit të vet nga ushtria perandorake. Si duket, refugjatët bënin sulme në Serbi, shkonin përtej kufirit dhe pas luftimeve ktheheshin. Prandaj u vendos që të largoheshin disa nga këto familje për në Anadoll për t’i frikësuar dhe që të shërbente si mësim për të tjerët. «Dhe kështu një natë para nisjes sime për Shkup, — thuhet në këtë raport, — 150 nga ata që ishin dalluar në rezistencën ndaj autoriteteve u dërguan me familjet e tyre me tren special në Selanik. Në bisedën e dytë valiu më njoftoi se për të shpëtuar refugjatët nga uria ishin të nevojshme 900 mijë deri 1 000 000 okë drithë për një muaj, kurse ajo sasi nuk mund të gjendej për ta në vilajet. Ai u zotua t’i importojë nga Selaniku. Disa persona, veçanërisht nga Shkupi, për t’u pasuruar, grumbulluan në sasi të mëdha krejt drithin sa patën mundësi të gjejnë në popull dhe refuzuan ta shesin, përveçse me çmime tepër të larta, gjë e cila e vuri qeverinë në pozitë të keqe financiare dhe, meqë ishte në skamje të madhe, nuk kishte mundur ta sigurojë sasinë e nevojshme të drithit për mbajtjen e refugjatëve.
Në vizitën që i bëra myftiut, Hajredin beut, i cili është i disponuar mirë ndaj të krishterëve, më dha numrin e muhaxhirëve. Sipas tij, ishin 70 mijë, prej të cilëve 40 mijë deri 50 mijë ishin në Sanxhakun e Prishtinës, kurse 21 mijë deri 25 mijë në afërsi të kryeqytetit (të Vilajetit të Kosovës, pra të Prishtinës — S.R.).
Kam arsye të besoj se vlerësimi i myftiut është përafërsisht i vërtetë dhe mora informata të besueshme se numri i tyre i vërtetë sillej prej 50 deri 65 mijë, prej të cilëve më tepër se gjysma mund të gjenden në Sanxhakun e Prishtinës. Në Shkup gjatë bashkëbisedimit me mytesarifin, Myhedin pashën, mësova se Savas pasha sapo kishte telegrafuar për të pyetur se ka atje muhaxhirë nga Bullgaria, me qëllim që t’i kthenin sepse tani është rasti. Refugjatët ishin numëruar. Numri i tyre kapte 22 500 ose 23 000. Në Sanxhakun e Jeni Pazarit 10 000 refugjatë»90.
Porta e Lartë, nën presionin e numrit të madh të muhaxhirëve, u gjet në pozitë të vështirë. Ajo u përpoq të ndërmerrte masa për vendosjen e tyre. Në radhë të parë, kërkoi ndihmë nga popullsia vendase. «.. . Qeveria kërkoi nga popullsia e katundeve pa dallim feje që të mbledhë të holla për të blerë 200 shtëpi të vogla për muhaxhirët. Me këtë' qëllim u mblodhën 1 000 lira turke»91, shkruhet në raport. Në një raport tjetër shkruhet: «... ju bëjmë me dije se në mes muhaxhirëve që gjenden në rrethet (kazatë) e Prizrenit, Kollkondelenit (Tetovës) dhe Lumës ka shumë të varfër, invalidë, të plagosur, të sëmurë, pleq (të cilët nuk janë të aftë për punë); iu është parashtruar një shkresë lidhur me gjendjen e këtyre muhaxhirëve, pasi deri më tash ende nuk është marrë përgjigje. Për ta zbutur gjendjen e vështirë të tyre, Dervish pasha gojarisht ka dhënë urdhër që të ardhurat e vitit 1881 prej 1 qershorit deri në fund të tetorit, respektivisht të mblidhet nga yshyri (të dhjetat) në natyrë 24 500 okë thekër dhe t’u shpërndahet muhaxhirëve në fjalë. Gjithashtu duhet të vendoset çështja e vendbanimeve të tyre për shpenzimet që do të akreditohen nga arka shtetërore. Ende nuk ka ardhur leja. Kjo çështje duhet t’i ngarkohet Ministrisë Financave.. .»92. Nga ky raport shihet se, megjithëse kishin kaluar afro tre vjetë shumica e muhaxhirëve kishin mbetur pa kulm (shtëpi) mbi kokë, nuk kishin mjetet më elementare për jetesë.
Pushteti turk nuk merrte masa të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjatë ekzistencës së saj tregoi interesim për muhaxhirët shqiptarë, por e zënë në luftë me fqinjët dhe me Portën e Lartë nuk mundi t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes së tyre. Ata vetë në kushte shumë të vështira duhej të luftonin për fatin e tyre.


«Studime Historike» 2, 1984.

Emin Pllana


1) Për Konferencën e Ambasadorëve në Stamboll, shih: Dr. S. Rizaj, Konfliktet e Fuqive të Mëdha për Ballkanin, Konferenca e Stambollit (1876) dhe Protokolli i Londrës (1877), Vjetar i Arkivit të Kosovës, Prishtinë, 1975, VIII-IX, f. 123-205. 2) Kazaja e Prokupljes shtrihej prej. kufirit të vjetër nën Suprovc që shkonte nëpër Kosovë deri në Pusta Rekë; nga aty nëpër Pusta Rekë, e cila ndante kazanë e Leskovcit deri te Zllata, kalonte nëpër vendin Arbanasha nën malin Radan nëpër lumin Grabovnicë deri te lumi nën Toplicë, nëpër Toplicë deri te Hani i Batit, prej aty deri te Jankova-klisura e më tej nëpër kufirin e vjetër deri te lumi Morava. Ky rreth është quajtur i Prokupljes apo Toplicës. Kazaja e Kurshumlisë kufizohej me atë të Prokupljes. Kufiri fillonte prej Jankova-klisurës, shkonte deri në Suva Rudishte në majën e Kopaonikut, pastaj nëpër thepat e Kopaonikut deri te pjesa e burimit të Llabit, nëpër malin e Mavriqit deri te Prepolci, i cili e lidhte atë kaza me sanxhakun e Prishtinës. Me ndarjen nën malin e Bakut dhe Petrova Gorën kufiri shkonte në malin Radan që e lidhte me kazanë e Prokupljes. Toplica shtrihej në mes të Jastrebcit të vogël në Veri, Kopaonikut në perëndim. Sikobicës, maleve të Arbabasit, Sidojevcës dhe Posjaçës në jug, kurse në lindje me fushën e Dobriqit i afrohej Moravës jugore. Jabllanica ishte një trevë me lumenj dhe kodrina që gjendej në mes të Kosaonicës, Polanicës, Pusta Rekës dhe Kosovës. Në mesjetë kjo trevë quhej Podgor, nën sundimin turk Gollak e pas Çlirimit më 1945 Jabllanicë në emër të lumit Jabllanica. (V. Nikoliq-Stojanceviq, Leskovac i oslobadeni predeli Srbije 1877-1878 godine, Leskovac, 1975, f. 125-126 3) D. Trajkovic, Nemanjina Daboçica, Beograd, 1961, f. 101-111; J. M. Jovanovic — Poslednji begovi i age u Leskovaçkom poreçaju, Leskovaçki zbornik 1953.Leskovac, 1963, f. 142-151. 4) V. Nikolic - Stojancevic, Leskovac i Oslobodeni predeli, f. 135-143. 5) Po aty. 6) Po aty, f. 144. 7) B. Nushiq, Kosovo II, i. 74. 8) V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i oslobodeni predeli, t. 12. 9) Leskovacki zbornik, Leskovac, 1978, f. 143. 10) V. Nikolic-Stojancevic - Nuk bën dallim në mes të tuqve dhe shqiptarëve. Bashkarisht i konsideron si nënshtetas të Perandorisë Osmane. Ajo shqiptarët i konsideron si popull i privilegjuar nën sundimin turk (shih librin, Leskovac, 1975) 11) V. Nikolic-Stojancevic. Leskovac i oslobodeni predeli, f. 12. 12) N. R., Ilic, Oslobodenije Juzne serbije, 1877-1878, Beograd, 1977 f 23? 13) Arhiv SR Srbije POP-K-64-392. 14) V. Nikolic-Stojanfievic, Leskovac i oslobodeni predeli, tabela 1. 15) J. Hadzivasilevic, Arnautska Liga, f. 16 16) V. Nikolic-Stojarcsvic, Leskovac i oslobodeni predeli, f. 10. shih dhe: shënimet statistikore. 17) C. Sax. K. und K. Osterreich — Lngar-cosnul in Andrianopel etnographisch karte der europeichen Turkei, Vien. 1878, f. 10. 18) Dr. A. Roukis, Etnographische und statistische Mutteilungen ilber Albanien (dr. A. Potermans Miittelungen aus Justus Perthes Geografischer Auatalt Herausgegeben von D. E. Beh leztes guartes von prof. dr. A. Supan, 30 t, 1834. Gotna Justus Betheas, f. 367-369). 19) Me vendimet e Kongresit të Berlinit, sipas artikullit 36, kufiri që ndante Serbinë nga Turqia shkonte nëpër kufirin perëndimor të Sanxhakut të Nishit nga rrëza jugore e Kopaonikut në thepat e Maricës dhe malit Merdare, Prepollci i mbetej Turqisë, kufiri vazhdonte në mes të Përvanicës dhe Medvegjës, lugina e Medvegjës i mbeti Serbisë pastaj nëpër shpatet e malit të Gollakut deri te maja e Polanicës në rrëzë të maleve të Kaspinit, deri te rrjedhja e lumit të Kojinit në Moravë, kalonte Moravën afër fshatit Merdare mbi Tërgovishte që bashkohej me Malin e Shën Ilisë deri te bregu Kluç përtej Babin Gorës e mbaronte me Bujanovicin nën sundimin turk. 20) V. Stojanceviq, Kosova dhe Metohija nën sundimin turk 1878-1913, «Përparimi», Prishtinë, 1956, nr. 5, f. 304. 21) Muhaxhirët shqiptarë dhe vendësit në Kosovë përdorin shprehjen të ardhur nga Toplica gjë që është gabim. Muhaxhirët kanë ardhur nga territoret e sanxhakut të Nishit, nga kazaja e Prokuplës, Nishit, Kurshumlisë, Vranjës dhe Leskovcit. Krahina ka kuptim më të ngushtë sesa territori i kazave të përmendura. 22) J. Hadzivasilevic — Arbanaska Liga, Beograd, f. 11. 23) V.Nikolic-Stojancevic, Leskovac i oslobodeni predeli, f. 21. 24) R.L. Pavlovic Seoba srba i arbanasa u ratovima 1875, 1877-1878. GEI IV-VI, Beograd, f. 53. 25) J.Cvijic, Osnovi za geografiju, f. 1166. 26) J.Hadzivasilevic, — Arnautska Liga, f. 15. 27) Dr. S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, arkivi i Kosovës. Prishtinë, 1978. Dokumentet i transkriptoi, i shqipëroi dhe i komentoi dr. Skënder Rizaj, f. 144-146, 28) B. N. Simsir. Rumeliden turk gocler Belgeler documents, Ankara, 1970, f. 737. Në burimet angleze numri i refugjatëve paraqitet pak i tepruar. Propaganda angleze ka patur për qëllim të dobësojë influencën ruse në Ballkan. 29) V. Nikolic-Stojanceviid, Leskovac i oslobodeni predeli Srbije, f. 159. 30) Po aty, f. 71. 31) Arhiv SRS. PO. K. 64/350 J. G. Von Hann, Reise von Belgrad nach Salonik, Wien, 1861, f. 23-30. F. Kanitz, Das Konigceich, Serbien und das Serben-volk Zvektor Band land und bevolkerung, Leipzig, 1909, f. 247, 248, 242. 32) Arhiv SRS nr. 486, 13.III.1878, Shih: V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i oslobodeni predeli, f. 105. 33) Arhiv SRS nr. 456 13.3.1878; Shih: V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i slobodeni predeli Srbije, f. 107-109. 34) Drzavopis Srbije, Beograd, 1889 knj. XI; krahaso: Leskovacki zbornik XVII, Leskovac, 1978, f. 144. 35) F. Kanitz, Das Kongreich Serbien und das Serbenovolk, f. II, Band land und Bevollorung, Leipzig 1909, f. 235. 36) V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i...., f. 90. 37) Po aty, f. 112. Në nahijen e Leskovcit kanë qenë të banuara vetëm me shqiptarë këto fshatra: Zllata, Uzlok, Gllosovig, Muçina, Zhutni Potok, Burevica, Starosell, Bregovina, Bublica, Dragideil, Mogosha, Ivanja, Obrazhda, Bornice, Slishane, Buçune, Llollinovce Bogojevce, Llapashtica, Dediq, Balltiq, Dukat, Tupalla, Katiq, Dërvodela, Bufce, Klaiç, Skovari, Radovc, Popovc, Gurgutovc, Gagince, Gajtan, Ramnishte, Slivova, Cërvadik, Kartog, Drajinca, Lec dhe Shillova. Këto fshatra nuk kanë hyrë në regjistrin e komunave, (V. Nikolic-Stojancevic. Leskovac i..., f. 105). 38) V. Nikolic-Stojancevic, po aty, f. 118, KNO 394 I-II 1878, Prokuple tabela e I. 39) N. Nikolic-Stojancevic, «TOK», Prokuple, Mars, 1978, 100-vjetori i çlirimit të Prokuples. 40) Po aty. 41) V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i... tab. I. 42) Arhiv SRS PO-K-64-KNO 394, 1.2.1878 Prokuple. Vladin izasianik M. Maksimovic, fshatrat që kanë patur më shumë se 100 shtëpi, kanë qenë: Pllana e Madhe dhe Pukovaç, Dragusha e Epërm ka patur 75 shtëpi,Jashanica e Epërme 70 shtëpi, Pridvorica 60 shtëpi, Seçanica 60, Breznica e Epërme 53, Zhitorogja 51, Koçana 53, Sibnica 45 etj. 43) V. Nikolic-Stojancevic Leskovac i..., tab. 1. 44) Po aty, f. 79. 45) J. H. Kostic, Oslobodjenje grada Leskovac, Leskovac, 1907, d. 1-15. 46) S. L. Popovic, Puteranje po Novoj Srbiji, Beograd, 1950, f. 345. 47) Arhiv $RS. Po-64. 157-188, 189. 48) Arhiv SRS, Po-64-156 shefi i shtabit të komandës supreme, gjenerali B. Stojanoviq, raport nr. 16.Z.N.B.n600. 49) Arhiv SRS. Po. K-6/44 Srpske novine nr. 5-6 janar 1878, nga fjalimi i princit Milan, në Nish. 50) V. Nikolic-Stojancevië, Leskovac i..., f. 72. 51) Po aty, f. 117-118. 52) Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze. Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978. Dokumentet1 i transkriptoi, i shqipëroi dhe i komentoi prof. dr. Skënder Rizaj, f. 144-146. 53) Haus Hoj und Staatsarchiv, nien Pa XXXVIII konsullatë Prizrend raport, nr. 216 dhe X — 879 nga Beogradi 15. XII A. 16/28. X — 1879. 54) Po aty. . 55) S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, f .85. 56) Po aty, Paqja e Shën Stefanit, art. 4. 57) Kongresi i Berlinit, artikulli 39. Gazeta «Obzor» e Zagrebit përcillte një intervistë dhenë në gazetën «Pressa» në të cilën shkmante... «meqë sipas paqes së Shën Stefanit Bullgaria zgjerohet për së tepërmi, generali Ignjatev deklaronte: «Gjithnjë mendoj se Principata e re nuk u përgjigjet saktësisht kufijve etnografikë të elementit bullgar». 58) V. Nikolic-Stojancevic, Leskovac i oslobodeni predeli, f. 57. 59) Po aty. 60) Po aty, f. 58. 61) Po aty, f. 72, 73. 62) Po aty, Shih tabelën I-II 63) J. Hadzivasilevic, Arnautski pokret, f. 45. 64) Arkivi i Kosovës. Prishtinë, dokumentet e sjella nga Arkivi i RSS. Beograd, raport nr. 26/780, sig. XII 12,30 maj 1879. 65) Arkivi i Kosovës. Prishtinë, dokumentet e sjellura nga Arkivi i RSS. Beograd, raport nr. 23/126, viti 1880, sig. XXXIII/3. 66) Po aty, në inv., 37/650, sig. XXII/21. Letra e M.M. Obrenovicit. dërguar J. Risticit. 67) Po aty, sig. XXVII/21. Raport i dalë më 24.VII.1879. *) Këto ndërhyrje të Anglisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha diktoheshin nga shqetësimi për ndërlikimet e reja ndërkombëtare që mund të lindnin në Ballkan për shkak të politikës serbomadhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve. (Shënim i redaksisë së revistës "Studime historike). 68) B.N. Simsir. Rumeliden turk gocleri Belgeler dokument, Ankara, 1970, f. 301. 69) Po aty, f. 426. 70) J. Trifunovski. Vranjska okolina, f. 203. 71) Po aty, f. 204. 72) Po aty. 73) Po aty. 74) B.N. Simsir, Rumeliden turk Gdcleri, f. 475. 75) Po aty, f. 378. 76) J. Buxhovi, «Rilindja», 3.VI.1978, f. 7. 77) B.N. Simsir, Bumeliden turk Gocleri, f. 359-360. '79) J. 78) Buxhovi, «Rilindja», 3. VI, 1978, f. 7. 79) Po aty. 80) B. N. Simsir, Rumeliden tur Gocleri, f. 484-488 81) Po aty, f. 501. 82) Po aty, f. 211 83) Po aty, f. 110. 84) I. Buxhari, «Rilindja», 3.VI.1978. 85) Po aty. 86) Po aty. 87) B. N. Simsir, Rumeliden turk Gocleri, f. 484-488. 88) Po aty, f. 125. 89) Po aty, 90) S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, f. 144, 145. 146.’ 91) Statsarchiv Wien PA XXXVIII, konsullata e Shkupit. Raport nr. 1551-1553. Konsulli Schuneh, baronit von Haymerle, Shkup, 26.VI.1881. 92) Arkivi i Kosovës, Prishtinë, fotokopje dokumenti nga Basvekalet arsivi, Istarabul 18.IV.1881.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...