OSHTIMA MVSK

1940: Radio Tirana mbi vrasjen e Gjeneral Telinit

Si dhe pse u vra Gjeneral Telini

Episodi i vrasjes së Misionit të Gjeneral Tellini përfaqëson fazën përfundonjëse të ngjarjeve të shumta që karakterizuan formimin e Shtetit shqiptar mbrënda kufijve të soçme. Siç dihet çështja e kufijve shqiptare u rah në bisedime dhe u kundërshtua për vjetë me radhë dhe vetëm ndërhyrja energjike Duçes i imponoi Komisionit Ndërkombëtar përcaktimin e përfundme të kufijve. Pasi u përcaktuan kufijt me Sërbinë (Jugosllavinë) mbi liqenin e Prespës, filluan punimet përcaktimin e kufijve me Greqinë. Në krye dolli një çështje e parë në lidhje me 14 katunde që Konferenca e Londrës e vitit 1913 i a kishte dhënë Shtetit shqiptar. Grekët pretendonin që ata katunde nuk gjendeshin në vijën e pretenduar prej shqiptarëve por prapa asaj në tokën greke. Në lidhje me këtë duhet mbajtur mënt se këta katunde, të gjith të populluar prej shqiptarësh dhe bullgarësh ishin zbrazur përnjëherësh prej popullsisë nga tmerri i çetave dhe nënë shtytjen e qeverisë greke ishte tërhequr në krahinën e Korçës. Atëhere grekët suall në këta katunde, të cilët formojnë zonën e Zmirdeshit (n’atë kohë i përkisnin nënëprefekturës së Follorinës) popullsi greke nga krahinat e brëndëshme të Helladhës e i paraqitnë si popullsi të asaj krahine, dhe i mësuan të bërtiste se nuk donte të bënte pjesë në Shtetin shqiptar. Natyrisht Komisarët francezë dhe anglezë e ndihmonin një komedi të tillë, por kësaj lodre të tyre i kundërshtoi me sa fuqi që kish Gjeneral Tellini, që përfaqësonte Qeverinë italiane në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jugore të Shqipërisë. Ndërkaq Komisarët nuk muntnë të vinin në marrëveshje gjatë bisedimesh të gjata në Follorinë dhe u transferuan në Korçë. Këtu popullsija e të 14 katundeve duke patur nër duar flamurë të zinj, bëri manifestime të prekëshme duke kërkuar bashkimin me Shqipërinë, në mënyrë që të munte të kthehej në shtëpi. Me prova të pakundërshtueshme dokumentuan ata shqiptarë të Komisionit faktin që grekët ishin duke lojtur një komedi të turpshme. Gjenerali Tellini deshi t’a shiftë vetë personalisht gjëndjen dhe shkoi në të 14 katundet duke kontrolluar të vërtetën e vërtetime të shqiptarëve duke hetuar me ndihmën e interpretit të tij, Thanas Kravarit, një djalosh trim nga Laskoviku që gjende vdekjen në krimin e Kakavisë. Pasi konstatoi të vërtetën dhe arsyet e pa kundërshtueshme të së drejtës shqiptare, Gjenerali Tellini ftoi kolegët dhe englezë të vinin në vënt. Edhe Komisarët e socialdemokratisë qenë ahere të detyruar të pranonin se shqiptarët kishin arsye. Tellini tregoi një kuptim të përzemërt për çështjen e popullit shqiptar dhe kur në Korçë, populli në festim i bënte demonstrata për nder të tij, duke dalë në ballkon të shtëpisë së tij shqiptonte këto fjalë: “Mos kini frikë. Si përfaqësonjës i Italisë dhe Kryetar i Komisionit unë do të bëj gjith detyrën t’ime për të vërtetën dhe drejtësinë gjer në funt.”
Dhe me të vërtet gjer në funt Gjeneral Tellini e mbajti fjalën e tij aq sa nuk desh të kursente as jetën e tij, duke qëndruar vazhdimisht intransigjent në detyrën e vet. Komisarët e tjerë, të cilëve gjithashtu populli i të 14 katundeve shqiptare u kishte bërë demonstrata nuk denjuan të paktën as t’i përgjigjeshin përshëndetjes.
Pasi u vendos më së fundi zona në favor të Shqipërisë grindja duhet të konsiderohej e mbyllur ndërsa grekët vëndosnë të çgjakësoheshin dhe përpiqeshin të paraqitnin të tjera akte drejtësie kur se ndodheshin për t’u vendosur çështje të tjera: caktimi i malit Kamenik dhe i vijës malore Ersekë-Leskovik, deri në malet Pobicka. Por dhe në këto dy pika fitoi Gjeneral Tellini për drejtësi. Atëherë grekët kërkuan që të paktën katunde Pobicka dhe Radat ti mbeteshin Greqisë duke ndjekur derdhjen e përrrojt të Pobickas, në mënyrë që ujrat minerale të Kromoneros t’i mbeteshin Greqisë. Por me të drejtë Tellini qëndroi siç duhej, duke fushaur kombësinë shqiptare të popullsive të zonave të kërkuara. Me gjith këtë qe i shtrënguar të sakrifikonte në favor të grekëve katundin shqiptar Kozacka, ndërsa Kromonero i mbeti Shqipërisë. Qe gjatë bisedimit të kësaj pike që koloneli grek Botzaris, i ftuar që t’i tërhiqte trupat e tij nga Kromonero, refuzoi kërcënoi Gjeneralin Tellini, i cili natyrisht i u përgjegj me të tallur. Komisioni shkoi në Janinë, pas disa punimeve të vogla, pas Botzaris, i cili atje organizoi kompllotin për vrasjen e Gjeneral Tellini, duke i a besuar kapitenit të gjendarmërisë Sakturis, që komandonte rrethin e Delvinaqit. Nëpër mjet të veteranit Pandeli Papalido që bashkëpunonte besnikërisht me Zyrën e shtypit të Tiranës dhe që ish ahere Komisar i Sigurisë Publike në Korçë, Terenc Toçi, që ahere drejtonte Zyrën e Shtypit dhe tani kryeson Këshillin e Epërm Fashist Korporativ, munde të vinte në dorë, me ndërmjetësinë e një gruaje greke, kopien e një urdhri të Prefektit të Janinës që ngarkonte pikërisht kapitenin Sakturis dhe gjëndarmët e tij.
Përnjëherësh pas vrasjes Toçi nuk voni të ekzaltonte martirizimin e italianit të shquar dhe heroik, që pagoi me jetën e tij ndjenjat e drejtësisë që e frymëzuan në përcaktimin e kufijve ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe botoi një komunikatë që ja u dërgoi Ambasadave, Legatave, Konsullatave, fletoreve më të mëdha të botës dhe gjith Shoqatave gazetareske dhe kulturale. Gjithashtu duhej kujtuar me simpathi metoda e zbatuar prej tij dhe që tregon në një farë mënyre karakterin e konspiratorit. Në fakt Toçi i mbylli në zarfe broshurat dhe i dërgoi në Durrës si letra të rekomanduara, një javë më parë se ato të komunikoheshin në shtypin shqiptar dhe publikut të Shqipërisë. Kështu ngjau që kur shtypi grek dhe autoritetet qeveritare u ngritën kundra botimit të Toçit, bota kishte ardhur në dijeni mbi të vërtetën e vrasjes së kryer në kufirin shqiptar.
Gjeneral Tellini u vra tradhëtisht, kur krejt e pa armatosur, në cilësin e tij të përfaqësonjësit të një Shteti asnjëanës, përshkonte me gjithë Oficerët e tij zonën e kufirit greko-shqiptar. Krimi ngjau më 27 gusht 1923 pranë Hanit të Delvinaqit në Greqi. Me Gjeneral Tellinin në automobilin e tij ndodheshin Majori Mjek Luigi Corit, Togeri Mario Bonnaccini, autisti Remigio Farnetti dhe interpreti Thanas Kravari. Automobili shkonte me shpejtësi në rrugën e Kakavias për në vëndin ku Gjeneral Tellini pritej prej Delegatit Shqiptar, Shkëlqesës Dhimitër Beratit dhe prej Delegatit grek Kollonel Botzaris. Një çetë e armatosur ish vendosur në anët e rrugës që ishte zënë prej drurësh të treshë. Pasi arritnë në pengesat Gjeneral Tellini dha urdhër t’i hiqnin pengesat dhe të vazhdonin. Por kur autisti zbriti nga automobili një rrebesh plumbash u lëshuan në drejtim të oficerëve, të cilët duke qenë t’armatosur, nuk muntnë t’i përgjigjeshin zjarrit. Banditët i u afruan pastaj automobilit ku ishin qëlluar Gjenerali dhe oficerët e tij dhe u siguruan për veprën e tyre barbare duke shkrehur edhe disa herë mbi kokën e viktimave.
Avokati Erabara, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që bënte ahere pjesë në Delegacionin shqiptar e kujton kështu çastin kur u mësua vrasja tragjike: “Lajmi i këtij krimi kaqë të pa denjë na bëri kaqë përshtypje të thellë sa që Delegati inglez, me gjithë gjakftohtësinë e racës së tij rezervimit të misionit nuk mundi të pa mbahej pa thirrur «grekët!»”.
Pse u desh vdekja e gjeneralit trim italian? Përgjigja është e thjeshtë: mendohej se me këtë mënyrë Shqipëria do të humbiste një shtyllë, mbrojtës i ndershëm dhe i çinteresuar i të drejtave të saja të shenjta; ish besuar se fundi tragjik i tij do të jepte shkak prerjes së punimeve të Komisionit dhe të hidhej kështu në det të hapët përsëri çashtja e kufijve të Shqipërisë, në mënyrë që të përjetësohej akoma një gjëndje çrregullimi, në të cilën Shteti shqiptar të mos gjente bazat e tija të nevojshme për jetën e vet; më së fundi, me nj pabesi të madhe, donin të bënin të besohej se krimi i shëmtuar kish për përgjegjës shqiptarët, d.m.th. për t’ia hedhur deskretitimin Shqipërisë së re, krejt në dobi t’armiqve të saj fqinjë dhe të larkmë. Por gënjeheshin vrasësit e egër dhe ata që i kishin armatosur duart, në se besonin në këtë mënyrë se do të ndalonin ecjen e historisë dhe t’i rrëmbenin edhe më shumë të drejtat e Shqipërisë. Vrasja e Misionit Tellini nuk mund të mos fyente Italinë dhe kështu të kalonte pa shpërblyer.
E menjëhershëm ka qenë kundërveprimi italian dhe ky qe i pari veprim i diplomacisë fashiste që i imponoi botës provën e energjisë së Duces. Korfuzi i pushtua prej trupave italiane dhe ishulli nuk i u dorëzua Greqisë veçse pas rregullimit të çështjes, që u mbyll me kënaqësinë më të madhe të Italisë dhe pas një pagimi prej pesëdhjet milionësh prej anës së Greqisë. Vëndin e Gjeneral Tellinit e zuri Gjeneral Gazzera, i emëruar prej Duces, i cili pretendoi që Komisioni t’i vazhdonte pa vonesë punimet e tij dhe Shqipërisë t’i shënoheshin kufijt e saj.

 

AQSH: F. , D. 17, V. 1940, fl. 1-4.

 

Dokument-Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...