OSHTIMA MVSK

1942: Përurimi dhe problematika të Radio Kosovës

Prishtinë 29.VI.1942.XX

Ministris së Kulturës Popullore
për inspektorin Epruer Z. Gjergj Bubani

Tiranë

Kam marrë letrën e Juej të dërgueme me Zotin Sopoti dhe 600 franga. Mbasi me ditën e nesërme maron udhëtimi i Shkëlqesës Kruja në Kosovë po gjejë rastin me Ju dërgue raportin që vijon përmbi aktivitetin e Radio Kosovës qysh nga dita qi kam marrë nga juve fonon n° 175.

Organizimi i inaugurimit

Qysh nga dita që kemi marrë fonon e Juej i kemi pezullue emisjonet e radios, tuj i dhanë randësi të posaçme pjesës teknike. Në marrëveshje me Prefektin dhe mbasi shum persona t’ardhuana nga Mitrovica dhe viset të tjera të Kosovës n’a kishin lutun që të transmetojmë radio-kronikën e manifestimve që u bajshin në nderë të Kryetarit të Qeveris, e pash t’arsyshme, në bashkëpunim me operatorët e mij, ta baj transmetimin që duel shum mirë.
Inaugurimi u ba siç e dini ditën 27 n’orën 18: mbasi kishim përgatitë nji program thjesht kombëtar, i dhamë randësi edhe sistemit të selis së Radios që duel fare e bukur. N’orën e caktueme Kryetari i Qeverisë bashk me Misat qeveritarë dhe Autoritetet e vendit banë hymjen në Radio ku filloj përpurimi. Un mbajta nji fjalim që do t’a këndoni në Tomorin, dhe pastaj Shkëlqesa Kruja lexoj ligjëratën e inaugurimit, ceremonija muer fund me hymnet kombëtare. Mbas inaugurimit, Kryeministri u interesue imtësisht për gjendjen teknike të Radios dhe u përgëzue për realizimiet t’ona, mbasi u vue në dijeni të radio kronikës së nadjës. Gjeta rastin me i thanë për nevojat që ka Radio-Kosova të lidhet me Tiranën, i aj i vuë në dispozicjon të Radios fr. shqip. 1000 – për goditjen e dhomës së pontë radios, tuje e ngarkue Prefektin për shpenzimet. Para se të dalë me rakomandoj që të kisha kujdes që kronikat e udhëtimet të Tij t’ia dërgonja me shpejtësi Radio Tiranës për Tomorin.

Vepra e operatorve.

Nuk asht nevoja me u zgjatë por me fjalë të pakta këta djelmosha kanë punue me pasjon dhe tuj e ndien randësin e çështjes. Ditën që Juve transmetuat fonon 175 amplifikatori i studjos pati një guasto që ata tuj punue vazhdimisht 9 orë e gjetën dhe e goditën. Gjatë këtyne ditëve kanë ba mrrekullina tuj ndejë deri në dy mbas mjesnate për transmetimet e kronikës s’udhëtimit të Kryeministrit. Kisha me Ju ditë për ndere nëse folnë me Shkëlqesën Ministër dhe t’Ju nxerreni nji ndihëm të jashtzakonshme. Në klimë të këtyne fakteve dhe për faje që ata nik kishin, Ing. Galeazzi ju bani nji vrejtje që un, tuj dit atë që këta djelmosha kishin ba, nuk muejta me kalue pa nji ndërhymje direkte. Zz. Dibara, Dishani dhe Çirko napin në kryemjen e detyrës krejt energjinat e tyre dhe këjo duhet t’i gëzoj eprorët, mbasi asht qëllimi i jonë që puna të bahet me nji pasjon atdhetar jo për përfitime materjale.

Kompletimi teknik

Radio-Kosova ka nevojë që vehet menjiherë në rregulle me programin e, prandaj, duhet që pontë radioja të kryehet sa ma parë. Dhomën e kompletueme do t’a kemi për së shpejti, mungon që Drejtoria Teknike t’i dërgoj veglat dhe materjalin që nevojitet. Operatori Dibra ia ka komunikue Ing. Galeazzit nevojat, presim kompletimin e tyre. Disket e kam marrë nga Zoti Sopoti, natyrisht kemi akoma nevojë për diske të tjera. Kemi nevojë urgjente për makinën e shkrimit dhe për materjal kancelarie, letra t’intestueme që edhe këjo asht nji gja që ka randësin e vet – Ju lutem të këndoni me vëmendjen letrën t’ime të maparshme.

Materjal propagande: konferenca.

Natyrisht ma tepër se muzika asht e nevojshme që Radio-Kosova të transmetoj konferenca, lajme me karakter propagandistik. Un deri tash kam transmetue vetëm nji konferencë të Prof. Filip Ndocaj-t mbi themën “Nga folklori kosovar: nji darsëm katundare”
Mjerisht në verë shkolla Normale mbyllet dhe profesorat ikin; për këtë arsye Radio-Kosova deri sa profesorat të rikthehen duhet të subvencjonohet nga Radio-Tirana. Konferencat që Juve t’i përgatitni në Tiranë e t’mi dërgoni për lexim. Mandaj, duhet që në bazë të këtyne un mund të fomoj nji kuart ore në natë mbi Kosovën; e këjo pse mjerisht këtu nuk vjen asnji fletore ose revistë.
Jam mundue me Ju dhanë një kuadër realist të punimeve të mija të deritashme dhe t’aktivitetit që mund të zhvillojmë këtu, sod e tutje. Jam i bindun se në këtë punim kam me pas ndihmën e Juej.
Pranoni Ju lutemi nderimet e mija ma të shqueme.

 

Xhelal Mitrovitza

Burimi: AQSH, F. 198, V. 1942, D. , f. 1-2.

 

 

Mbretnija Shqiptare
RADIO KOSOVA


Prishtinë 14. VII. 1942. XX°

Inspektorit Epror
Zotit Gjergj Bubani
Radio-Tirana

Ju kam shkrue deri tani disa letra tue Jue spjegue gjendjen teknike të Radio Kosovës dhe nevojat që paraqiten për nji zhvillim të rregullët të transmetimeve të saja. Siç e keni marrë vesh edhe nga letrat e mija të maparshme, të gjitha punimet teknike për pontë radion janë krye, por fatkeqësisht Radio-Tirana ndigjohet shumë debul ose ma mirë me shumë skarike atmosferike. Besojmë se me përmirësimet që i janë diktue nga Ing. Galeazzi teknikëve të Radio Kosovës dhe Tirana do të ndigjohet dhe neve do të fillojmë nji herë e për gjithmonë nji program të rregullët. Pata mendue në nji moment m’e bà nji radio-fletore në vend, por këjo gja nuk asht e mundun, mbasi mungon në vend nji element i pregatitun për të dhanë kontributin e vet, dhe mungon pastaj mjeti për t’i marrë lajmet. Natyrisht kur do të marrim Tiranën, do të jetë ma e lehtë përgatitja e nji kohe për lajme lokale.
Para se t’Ju napë nji pamje panoramike të zhvillimit muzikuër dhe kultural që do të zhvilloj Radio Kosova due t’Ju paraqesë gjendjen financjare të saja:
Neve kemi shpenzime të parapamë: 1 anunçator fr. 100 i cili asht në provë – 1 shebëtor fr. shqip. 60 – Nji grua për pastrimin e zyreve fr. shqip. 60.
Pos këtyre asht nevoja edhe për nji djalë i cili të rrinjë në çentralino, këjo mbasi të kemi filluar ponte-radion.
Deri tani kemi pasë disa shpenzime të jashtëzakonshme, si ato që janë bà në rastin e përurimit të Radios, dhe t’udhëtimit në Kosovë të Shkëlqesës Kruja; shpenzimet e provave teknike për ponte radion – shpenzimet e vijës telefonike dhe tjera. Pos këtyne, mbasi nuk m’u dërgue materjali i kançeleris që pata kërkue u shtrëngova të blejë në vend materjalin në fjalë.
Deri tashit qiranat e lokaleve të ndryshëm nuk janë pague: pronarët janë tue i kërkue të drejtat e tyre: Familja Agushi, pronare e shtëpis ku kemi studion, kërkon qiran, sa për këtë asht mirë që Juve të flitni personalisht me Ministrin Agushi për përpilimin e kontratës – Zoti Ljubimir Niçiç, pronar i shtëpis ku kemi trasmetitorin, kërkon nji qira prej 50 fr. mujor, sa për ato të ponte radios ju kam shkrue ma parë. Ju lutem nxehëtësisht të më përgjigjeni mbi sa ju kam shkrue për çështjet financjare.
Mbas shum përpjekjesh, tuj përdor nji taktik të veçant, jam arrite në përfundim të formoj nji orkestrina moderne të përbame nga elementa të rinjë shqiptarë dhe serbë dhe nji trio fisarmonikash që janë shum të mirë. Vështirsinat janë kenë shumë të ashpra, mbasi ishte shum e zorëshme me i shtye të dy elementat me u bashkue, por tashti janë tuj ba provat dhe për së shpjeti do t’i ndigjoni. Mungon nji jazz (batteria) dhe në raste se nuk kemi me e gjet në vend do t’Ju shkruaj dhe besoj se Juve, që nuk kurseheni për të bà çdo gja për mirëvajtjen e Radios Kosova, edhe për këtë raste do të nepni kontributin e Juj.
Natyrisht ka me kenë nevoja m’e Ju dhanë nji shpërblim sa do të vogël këtyne djelmoshave mos tjetër për t’i nxihtë në punë.
Kur do të fillojnë transmetimet e rregullëta ka dy herë në javë do të transetojmë këshilla të mjekut, të veterinerit dhe të agronomit.
Tash do t’Ju flasë pak mbi nevojën e konferencave kulturale: kërkush ma mirë se Gjergj Bubani, fletorar i vjetër, nuk e kupton nevojën e konferencave në lamën politike e shoqnore, por fakteqsisht këjo këtu nuk mund të behët, mbasi mungon elementi i afet për t’na dhanë kontributin e vet të nevojshëm e, prandaj, un jam i mendimit që konferencat duhet të pergatiten në Tiranë dhe të dërgohen këtu për transmetim: nuk asht nevoja që të jenë të pabotueme ose të patransmetueme, mbasi Tirana në Kosovë nuk merret me aparate të zakonshëm: pra edhe konferencat që Juve keni transmetue në Tiranë mundeni t’i dërgoni në Prishtinë për ritransmetim.
Janë në përgatitje e sipër disa programe për rininë si kore, mendime, grupe fëmijësh dhe impresione turistike të Kosovës.
Tash për tash nuk kam tjetër me randësi me Ju komunikue, sa të jemi në gjendje me ritransmetue Tiranën do të Ju njoftoj me fono.
Ju lutem të keni mirësinë me m’i shfaqë mendimet e Juja mbi sa asht tuj u ba në Radio Kosova.

Nderime të shqueme
Drejtues’i i Radio Kosova
Xhelal Mitrovitza

 

Burimi: Po aty, 3-4.

 

 

Dokument-Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...