OSHTIMA MVSK

Ora e Intelligjencës

Botuar në fletoren “Bashkimi i Kombit”, transmetuar nga Radio Tiranë në një emison të posaçëm për Radio Kosova, 02.VIII.1944.


Ndërsà lufta qytetare, ndër rrethana gjithënji të ndryshueshme, korr, majtas e djathtas, viktima mbi viktima; ndërsà digjen katunde e shkretohen qytete; ndërsà trupi i Kombit rrjedhë gjak, Inteligjenca, shpirti drejtues i lëvizjes së çdo populli, ndër né asht rrokullisun në nji krizë të thellë mendore dhe shpirtërore. Kjo krizë, tue depërtue në jetën e Kombit, krijon vetvetiu, nji shfaqje krejt negative: kaos mendimesh dhe qellimesh: kaos parimesh dhe drejtimesh; kaos ndiesinash dhe veprimesh.
Populli Shqiptàr âsht gjind, shpesh herë, gjatë së shkuames së tij, para vështirsinash të rânda: ka qenë i ngujuem në nji rreth të hekurt anmiqsh të përbetuem për t’a shfaruem: kà qenë i përpimë nga përshtjellime të mbrendëshme jo mâ pak rànda: âsht gjet para ndeshjesh të rrezikshme. Me gjithë këté, aj kà dijtë, aj kà mund me nxjerrë, prej gjinit të tij, burrat që e kanë pri n’udhë të shpëtimit: kà shpërthye çdo rreth të krijuem kundra tij: kà kapërcye, me urti e me vendimtari, turbullime të mbrendëshme dhe rreziqe të jashtëme; kà zbërthye, kur e kà lyp e mira dhe e mbara e Vendit, çdo grindje të damshme, me ânë të përdorimit të forcës: me fuqi të shpatës.
Fisi i jonë, kurdo që âsht gjind para kryqëzimit t’udhve, kà dijtë, me urti kreshnike dhe me parandiesi të pàgabueshme, mâ tepër se nga shkaku i njij parashkimi të studjuem thellë dhe të logaritun nga çdo pikëmaje, me caktue burrnisht drejtimin e vet.
Edhe sod, sod që âsht në lojë vetë jeta e Fisit, aj e kà caktue, me vetvetishmeninë e tij tradisjonare, gjithënji të pàgabueshme udhën që do të ndjekë, atë që do t’i lejojë të qindrojë, me krenari luftarake, kundra rrymës së të këqijave, i mbështetun në vullnetin e ringjalljes dhe rimëkambjes, mbrenda rrethit të gjanë të tanësisë së tij ethnike, për të dërmue dhe të bâ hi e pluhun çdo përpjekje të huej që të synojë rishtas robnimin ase zotnimin e tij.
Kush len me dëshirue sod, në caktimin e qindrimit përballë rrymës shkatërrimtare të mbrendëshme dhe rreziqevet të paralajmërueme së jashtëmi, nuk âsht populli; aj e kà marrë, burrnisht, trimnisht, shqiptarisht vendimin e vet përfundimtar. Ajo që i kà mungue, ajo që po i ikë, me vetëdije ase pàvetëdije, detyrës së epërt t’orës, asht nji pjesë e Intiligjencës s’onë. Ajo, në prakun e vendimeve të mëdhaja, t’atyne që do t’a dajnë fatin e popujve për shekuj, ndoshta edhe për mija vjetsh, âsht kapërdimë në detin e pàfund të valve ideologjike, prapa të cilave mëshihet, vargu i të këqijavet t’ona: dredhina, mashtrime, kurthe. Synimi i mbrâmë i të tana këtyne të zezave âsht përqendruem në nji cak të pàndryshueshëm: robnimi i Shqipnisë, shfarimi i Fisit Shqiptàr.
Ngjarjet, se e cila mâ e kuptishme se tjetra, kanë folun qartas ndër këto dit. Detyra e jonë, kundrejt tyne, âsht kategorike: të nxjerrim, prej pësimeve, mësime.
Këto mësime, për këdo që i kà mend në krye, tingëllojnë ftillueshëm: Sllavët, të çdo rryme qofshin, nuk kanë hekë dorë nga megalomanija e tyne, tashmâ tradisjonare, për të shtrue dhe nënshtrue, me dhunë e me dredhi, vende dhe popuj, për t’i zotnue e mbizotnue, nën shkelmin mizuer të forcës brutale, n’emën të njij ideologjije që s’âsht tjetër veç nji kurth djalluer për naivët për të sëmuemit nga romanticizma e utopive dhe e kimerave.
Fati i Vendit t’onë, për sllavët, anmiq tradisjonarë të përbetuem të Fisit, âsht lehtësisht i parapashëm: do të përbâjë viktimën e parë mbi të cilën shfryhej lirisht ahmârrja barbare e njij mënije racjale mija vjetësh, që do të gjente mbarimin krejt Fisi jonë.
Mbi kët shkatërrim, Perandorija e shumëngjyrëshme panslave, e ndërlikueme me të gjitha vjetërsinat ideologjike marksiste, hebraike nikiliste e sllaviste, do të vazhdojë t’endë mbikëqyrjen e vet gjakftoftë të pabesnisë!
Para këtij hovi të njij tiranije që s’e kà njoftë historija, rreziku që na kërcënohet nuk âsht as i lehtë as i kalueshëm: âsht në lojë jo nji cep ase nji tjetër i vendit, por krejt totaliteti i Fisit: na kërcnon shfarimi tansuer!
Nuk âsht, prà koha me  luejtë, as m’u vdjerë mbas theorinash dhe ideologjinash, që nuk shërbejnë veçse si opjum për të dejun ata që duhet të rrijnë zgjuet me pushkë për faqem gati me përballuer çdo të pàpritun tinzare!
Populli, shumica e tij dërmuese, âsht gati për çdo provë: në shpirtë të tij vlon nji vullnet heroik që s’kà shoq: don të shkrihet në mprojë të tanësisë së përtrime. Don të ruejë dhe të mprojë vertytet, traditat, zakonet, doket, aspiratat dhe idealet e trashëgueme, emanet prej të Parve: don të rrojë dhe të jetojë shqiptarisht.
Inteligjenca, ajo pjesë e vdjerun e Inteligjencës, duhet të trajtojë vetëdijen e çasteve që po jeton fisi. Duhet t’i mbledhë mend. Koha nuk pret: çdo çast i bjerrun mund të mos këthejë mâ. Duhet të mârrë, sà mâ parë, vendimin e saj: për të qenë pranë popullit, me popullin, në popull, për shpëtimin e Fisit, për rindërtimin e Tanësisë s’onë ethnike, për rimëkâmbjen e bashkimit të plotë të Kombit, mentarisht dhe shpirtënisht.
Kush refuzon t’i gjegjet thirrjes së epërt të zânit t’Atdheut, kush vonohet ndër qindrime të pàpajtueshme me hullinë e përcaktueme prej Fisit, do t’a marë nâmën e natyrshme: Tradhtàr i Shqipnisë!

 

F.198, V. 1944, D. , fl. 1

Mazar Sopoti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...