OSHTIMA MVSK

Dielli që len...

... është më i shkëlqyer se ay që perëndon
Pompei

E shkuara glorioze

Ishte një kohë që në këtë vëndin t’onë dëgjoheshin disa zëra të qëruar. Ishin të ngrohët, të gjallë e të fuqishëm. Ishin zëra që niseshin nga zëmra të mbëdha nga zëmra të mbushura me dashuni.
Idealistët Shqiptarë t’asaj kohe, sa do të paktë, u futnë mbrënda në mjegullën e zezë që mbulonte Arbëninë dhe thirrën fort më gjuhë të tyre. Shpallnin një të vërtetë të madhe q’e ndjenin thellë në shpirt dhe q’u rinte përpara syve e shkrojtur me germa të zjarta; dhe sado e zezë të jetë mjegulla, sado të tmershme të jenë padija dhe fuqit’e përçarjes në një popull, kur çfaqet një mejtim i kthielltë, kur fillohet një punë me vullnetin dhe zjarrin që ka një ideal i lartë, do të gjënden, në çdo kohë, njërës që janë gati të ndjejnë, të kuptojnë dhe të përpiqen si do qofshin konditat e kohës. Për këtë arësye shohim që çdo qytet Shqiptar, çdo katunt mund të themi, ka një histori të veçantë në përpjekjet për lirimin e Atdheut. Në çdo cip të këtij vendi është derdhur gjak burrash, gjak i kulluar arbënorësh; e kudo që derdhet një pikë gjak i pastër aty mbin një IDE që shpjet a vonë do të rritet e do të lulëzojë.
 Dhe me të vërtetë si u bë Shqipëria?!
Shumë vetë kanë thënë nga një fjalë, por Historiani i Kohës, ajo mënde e shkathët që është e rrallë nëpër shekujt, akoma s’na ka fole. Mbase nuk ka lindur ende. Me sa arri kuptimi i ynë i sotmë, guxojmë të themi se mbi të gjitha arësyetimet që mund të bëjmë, ësht e dukshme se në çështjen e fitimit të pamvarsisë s’onë, rolin e madhe e ka lujtur vullneti i qëndruar dhe guximi magjik i Shqiptarëve q’aso kohe u gufonte goja dhe zëmra: «Ja dekje ja Liri!». Idealistët Shqiptarë punuan dhe luftuan pa u kursyer duke pritur në krahërorët e tyre plumbat e ignoranëtve të gënjyer dhe thikat e tradhëtorëve të shitur! Ata qenë ndezur me Idealin e shënjtë të atdhedashurisë dhe asgjë në botë nuk mund t’i ndalonte nga ngadhnimi i realizimit.
Qenë viganë dhe misioni i tyre ndë jetë qé sumblim. Përpara kujtimit të fytyrave të tyre të ndritura na përgjunjemi sot e përgjithmonë. Dashuria e atyre për né qé e pa-kufishme, adhurimi dhe respekti i ynë për Ta është sa më i thellë dhe sa më mirënjohës.
Të tillët e bën Shqipërinë dhe vetëm të tillët mund t’a mbajnë.

E tashme ironike

Mbas fitimit të independencës Shqiptarët përgjithësisht kujtuan se gjeti fund puna dhe detyra që ka seicili ndaj Atdheut, kurse në realitet puna e rëndë dhe e vështirë për themelimin e një Shteti, puna që kërkon heroizmën më të madhe në botë, domethënë djersë dhe përpjekje të vazhdueshme bashkë me një tok sakrificash, fillonte pikërisht atje ku mbaronte heroizma provizore për fitimin e pa-mvarësisë kombëtare. Si konsekuencë e këtij keq-kuptimi, shohim përnjëherësh luftërat midis elementeve, grupeve dhe njërësve për të siguruar interesa të veçante, pa asnjë kujdes për të mirën e përgjithshme të Kombit. Në këtë trubullirë të madhe, në këtë trazirë të urrejtur dhe shurdhonjëse që prodhuan njërësit e vegjël me interesat e tyre të mallkuara, shohim të mënjanen një e nga një, të çduken, dhe nga një herë të dërmohen krejt «shkëmbënjt e rreptë», «karakteret e mbëdhenj», «idealistët shqiptarë», ata që e bënë këtë Shqipëri. Vëndin e tyre tani po e zinin aventurierët, gënjeshtarët dhe demagogët. Idealistët qenë jashtë kohës. Kënga e tyre «Ja dekje ja Liri» s’kish më kuptim.
Shqipëria sikur t’ishte e lodhur e s’rritkej dot më njërës si ata të kohëve të para.
Një materialism i tmerrshëm, një komercialism barbar fillon, pastaj, të mbytë dhe njerzinë t’onë. Sigurimi i jetesës dhe mirëqënjes personale është qëllimi kryesor që drejton «njeriun shqiptar». Shqipëria nuk është më një IDEAL i qëmotit, por një tregëti, një gjë për të spekuluar dhe për të rrojtur në kurris të saj. Çdo gjë ka një tendencë centrifugale. Të gjithë përpiqen të çkëputin nga një gjë për vete nga e përgjitshmeja. Fare të paktë janë ata që japin ndonjë gjë. Po këta quhen pleonasm për këto kohë, gjëra që s’duhet t’eksistojnë.
Po! Elementët heteroklitë dalkadal muarrën vendin e idealistëve që folmë më sipër. Këta elemente janë të mbrujtur me tradicionalismën e njëj së shkuare të turpshme e me servilismën që çquan njerzit e vdekur shpirtërisht. Janë njërës që s’kanë një personalitet, që kthehen nga të fryjë era. Të rritun pa parime dhe në mes të korrupsionit, këta nuk mund të bënin veçse atë që bënë: e tronditnë shumë keq të gjithë strukturën shpirtnore dhe morale që karakterizonte dikur kolektivitetin Shqiptar. Mbi atë moral, ndonse pakëz primitiv por me themele graniti, mund të ngrihej një pallat mermeri i përjetëshëm, falëtorja e Shqiptarëve të së gjitha kohëve.
«Sot të qesh më fytyrë tjetri po t’i flasësh për patriotismë». Ngjer në këtë shkallë na e sollën gjendjen njërzit që me jetën dhe të mirën e tyre nuk barabitin as gjë. Këta njërës që s’guxojnë të thonë kurrë të vërtetën në qoftë se kjo nuk i pëlqen atij që dëgjon, është në shesh se në vënd të mëndes kanë nga një inteligjencë djajsh dhe në vënd të zëmrës një pompë mekanike q’u a përciell posht’e lart gjakun.
Sa kohë që në krye të njëj shoqërije njërëzore qëndrojnë të tillët, ësht’ e dukëshme për cilindo se jeta e saj bëhet gjithnjë më kritike.

Besim i patundur

Nuk dëshpërohemi as-pak!
Sido qoftë puna, Shqipëria ësht’e destinuar që të rrojë e të përparojë.
Shqiptarët që dyshojnë mbi të nesërmen e këtij Atdheu, janë njërës që s’ndjejnë asnjë fuqi në brendësin e tyre për të realizuar vepra fisnike dhe të bukura në jetë. Shkurtaz janë kufoma të gjalla të shpirterave të dekur me kohë. Duhet qëndruar larg, sa më larg që të jetë e mundur nga të tillët.
Në krye të kolektivitetit Shqiptar qëndron madhërisht Mbreti i Ri dhe Përparimtar, fytyra më e shkëlqyer dhe moderne që ka prodhuar gjaku Shqiptar në këta shekujt e fundit, një YLL shpëtimtar i ngritur në qiellin arbënor në mes të mjegullave, drita e të cilit buron nga shpirtrat e idealistëve dhe të dëshmorëve të perënduar.
Në fshatërat dhe në qytetet e Arbënis po rritet një brez i ri, në dejt e të cilit bashkë me gjakun e kulluar lëvrinjë dhe instinktet superbe të fisit: shkathësia, dynamisma dhe guximi. Ky bres, kjo Djalëri idealiste, është armata glorioze e Mbretit dhe Kombit. Shpresa supreme e Atdheut qëndron tek ZOGU I MADH dhe tek fuqia e pathyeshme e Djalërisë që është nënë urdhërat e TIJ.
Vetëm Djalëria intelektuale dhe e shëndoshë ndjen dhe kupton thell dëshirat dhe idealet e larta të Mbretit. Vetë ajo do të mundë t’i zbatojë për të transformuar Shqipërinë, nga ç’është, në një Shtet të lumtur dhe të qytetëruara.
Dhe është fare e afër dita që djalëria shpatull gjërë do të jetë gati t’i përgjigjet udhëheqësit të saj të Madh. Që n’atë ditë fillon puna për të bërë një Atdhe të Madh, një Shtet me parime dhe një popull me Ideal të lartë.
Besimi i ynë në këtë ësht’i patundshëm...

BOREALIS


Minerva, nr. 1, 15 gusht 1932, f. 2-3.

 

Ismet Toto


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...