OSHTIMA MVSK

Rryma e materjalizmit

Idéna të ndryshme, me qëllime e prirje të shumë-nduersh, paraqiten herë pas herë në ditët e sotshme. Ndër qarqet shoqnore, nji ndër idét, nji ndër problemet qi rrihet mâ fortë e qi shquhet ndër të tjera bisedime – si interpretime të gabueshme, për mos me thânë false – âsht edhe e materijalizmit, Pá nganum ndërtime të thella shkencore, filozofike e teknike, në definicjone e formula të kota, shkurt, mund të thomi me siguri se rryma materializmit në të cilën po përshkrohet bota, nuk âsht tjetër veç se burimi i të gjitha të ligave, i të gjitha korrupcjoneve.
S’ka dyshim se, nji rrymë e tillë, ka rrjedhën e vet, tërthorazi, edhe në veprimet e shoqnís njerzore; në të gjitha institucjonet përkatse: në krijimin e mos-besimit shoqnuer, moral e ndër marrëdhanje tjera shpirtnore; në shpërdorimin e në demoralizimin e fuqivet përtrise në jetë – hypokrizín, dredhin mëkatare e marshtrimin.
Kjo íde – shenjë e kjartë e imitacionit të huej – âsht e errët, shkatrrimtare deri në rranjë. E kemi bâ zakon, ndoshta pse âsht trashëgim i mentaliteteve mâ primitive të së shkuemes s’onë t’errët, t’atyne mendimeve, mundemi me thânë, qi e kundërshtojshin jetën e njeriut si pjesë integrale, të pándarshme të mysticizmit, me pranue – mjerisht në mënyrë absolute – nji numër të madh t’ashtu-quejtuna idesh e faktesh: krejtësisht të trillueme, tendencioze, të pavërteta. I kemi pranuem këto idéna pá i shqyrtuem e pa i kuptuem mirë mâ parë mbrenín e qëllimin e tyne.
Për këto arsyena, âsht nevoja imperative, jetësore, qysh tash në fillim, me ndrrue themelisht këto idéna me anë të njij nxitjeje edukative frymzuese, me anë të punës së ndershme. Me predikue me zâ të naltë mbi paragjykimet e kësaj rryme kërcënuese, të mbrapësht e shnjerzore qi shpje kah rrënimi e humnera.
Tue e kqyrë idén e materjalizmit në dritën e së vërtetës, të kthelltësís qi e karakterizon, qi e shtynë kët rrym kah mëgje të pa-kalueshme e të rrezikshme, mund të konstatojmë, ndër mendime të shfaquna prej type njerëzish në konflikt të përhershëm me njeri tjetnin: racionalizmin realistik të jetës dhe mysticizmin fantastik. Prej këtyne mendimeve, sidomos prej të parit, dallojmë, mbasandej, subjektin – si njërin qi gjykon besnikërisht mbi detyrët qi i shtrohen përpara dhe qi i merr për sipër në shoqní; dhe, objektin – si shpërblimin lânduer të detyrës qi kryen ndërgjegjësisht. Na do të theksojmë, këtu, mbas pikpamjes s’onë racionalizmin: subjektin ose njërín arsyetues, moralisht të naltë, qi trajton gjendjen e jetës së sotshme, fazën e saj të vështirë – përshtatësisht me t’onën – qi përshkojmë, me drejtësín mâ të plotë të ndërgjegjes. Prandej përcaktojmë së pari, subjekti, përfaqëson njërin ose shpirtin, mendjen – vlerën e tij intelektuale – në lidhje me ndjenjën e veprimtarís morale në shoqní. I dyti, objekti, përfaqëson të hollat – natyrisht si mjetin e shkëmbimit shpërblimtar – të mundimit, të punës, për të mbajte gjallë jetën: por gjithnji, si qëllim të dorës së dytë për ekzistencë. Ky âsht parimi i ynë.
Në kët mënyrë, e vetëm kështu duhet të interpretohet rryma e materjalizmit ndër né të rijt. Të tjera mendime të gabueshme rreth kësaj çështjeje janë krejtësisht të pá përshtatshme me frymën t’onë. Asnji ndërlikim nuk pranohet.
Të gjithë ata qi s’besojnë, të gjithë skeptikët, duhet t’i binden drejtimit t’onë në kërkesat t’ona të arsyeshme: në pranimin e detyrës, të misjonit të ngarkuem me zêmër të pastër, me ndërgjegje të ndershme. Jo me prapamendime: kjo fjalë, si gjithë të tjerat e kësaj fare, s’duhet të figurojë. Për të krijue, për të ndërtue e për të përmbajte nji komb lypsen themele të shëndoshta, baza sinqeriteti të përkryeme, të përjetshme. Punë të pa-rreshtun e intensive. Kërkohej vet-flinija – sot mâ fort se kurr – në çdo lamë t’aktivitetit njerzuer. Shoqnija lyp punë të ndershme, përpjekje për nji idé: për sigurimin e ekzistencës s’onë, të jetës së lirë e të pavarur të popullit e t’atdheut.
Rinija e jonë nuk do të udhëhiqet, nuk do të tërhiqet në jetë prej rrymës materjale. Të tjera qëllime, të tjera parime mâ të nalta njerëzore. Ideologjina të gabueshme qi s’pajtohen me ndërgjegjen e saj, me gjakun e tij kombëtar, nuk do të pranohen; por, përkundrazi, do të luftohen energjikisht.
Nuk do të durohet, jo n’asnji mënyrë, rryma e materializmit t’idhtë e dëshprues. Nuk d të pranohet, jo miratimi personal e egoist i nji grupi njerëzish të pa shpirte, me qëllime satanike, shpërdoruese e ekstremiste; t’atyne njerzve qi shesin deri jetën e vet e, mâ në fund, edhe Atdhén, gjânë ma të shtrenjtë në jetë. Të tillë njerëz – me dy fytyra – të mshehun, të maskuruem, qi luejnë me fatin e pakicës, të të vegjëlve, dhe marrin nëpër kâmbë e të drejtat e tyne, do të luftohen, po, gjithnji mâ rrebtësisht, mâ egërsisht.
Nuk do të lejohet kurr qi kjo rrymë të përshkojë edhe në palcin e jetës s’onë, të gjallnís s’onë shresë-dhânëse; qi të kalojë deri edhe në rreshtat e rangjet e kullueta dhe virgjinore të djelmnís, të rinís s’onë shqiptare – vetëdijes dhe gjeloz i ndjenjës së thellë të nderit kombëtar.
Drejtimi i përkundërt, të smbrapunit, të përbuzunit e këtyne parimeve do t’ishte sakrilegji mâ i madh qi mund t’i bâhej altarit të Atdheut.
Ideja e jonë do të realizohet pa tjetër. Herët a vonë, dikur, do të triumfojë e drejta. E na, kësaj ideje, do t’i shërbejmë me të gjithë fuqit t’ona: do të bâjmë fli gjithshka. Nuk do të ngarrohemi, nuk do të kursehemi. Por, guximisht, do të luftojmë deri në fuqín mâ të mbrame.
Qe qindrimi ynë.
Qe solidarsija e jonë vllaznore, kompakte dhe e pa-ndarshme ndër të gjitha të mirat e të ligat e jetës s’onë. Si nji trup i vetëm, por i madh dhe i fortë, i njinjishëm – i rritun e i disiplinuem në klimën t’onë thjesht shqiptare – rinija âsht gadi m’u hjedhë në udhët mâ të vështira qi kërkon historija e jonë e ré.
Kjo âsht ideologjia e jonë. Ky âsht koncepti i rí moral qi na përshpiton. Me kët mendje, me kët frymë të përbashkët, të vendosun, të premë, do të ecim gjithmonë përpara në jetë.

 

Illyria, 1 Fryer 1936, f.

Zenel Sopoti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...