OSHTIMA MVSK

Një kokërr e zjarrtë

Karakteri ashtë ajo fuqi që rri mbrapa çdo mendimi, dhe duke i dhënë një formë mbas cilësive të tij, e vë në zbatim. Karakteri cakton fatin e njeriut dhe nëpër mjet të njerëzve, fatin e Kombeve. Njeriu q’e kupton “Karakterin” mund t’a formojë më mirë për vethe. Knowles.

Mendimi i të gjithë dijetarëve me gjykim të thellë duket se ka qënë që karakteri “ashtë i vetmi burim për lumturinë e njeriut në jetë dhe kështu i kombeve që rrojnë me shekuj”. Për të provuar këtë nuk duhen shumë bisedime ose të paraqesim ndonjë tufë argumentash. Kemi prova dhe fakte të gjalla përpara syvet. Kemi prova në shekujt e kaluar, që na i përshkruajnë historianët.
Bashkëjetojmë përqark këtij globi me nji popull Engles. Emëri “Engles” specifikon ose thekson fare bukur në gjuhën t’onë një tip ideal të karakterit të pastër e të plotë. Nuk duhet të mahnitemi kur shohëm madhështinë e kësaj Imperatorie, se shpjeguam më sipër që lumturia dhe fitimi i një populli mvaret vetëm e vetëm tek ajo fuqi psikologjike që quhet “Karakter”. Formimit të një karakteri Kombëtar, të paktën në brezin e ri duhet t’i japim ma tepër randësi nga çdo punë tjetër. Një karakter thjesht Shqiptar, i bazuar në themele të shëndosha të traditave t’ona, që pjesërisht i kemi të shkëlqyera, do të sigurojë një Shqipëri ideale dhe të lumtur; kemi të drejtë të mburremi atëherë kur çdo ditë të shënojë ndër neve një përmirësim në gjendjen e përditshme.
Karakteri formohet te njeriu nga shumë influenca të jashtëme: nga letratyra që këndon, nga bota në të cilën rrojmë, nga imitasioni, nga miqt dhe fqinjët, nga shpirti dhe fryma e veprave të stërgjyshërve, të cilat rrinë aq të gjalla në drasën e kujtimit të njeriut.
Po t’i hedhim një sy sot karakterit të pjesës intelektuale Shqiptare, nuk do të mbetemi as pak me një përshtypje të mirë, ndërsa po të hedhim një sy në karakterin e malsorit e labit, ose shëngjergjasit do të gjejmë atë shenjat e vjetra të “burrnisë”, “fisnikërisë”, “besnikërisë”, “të nderit”, “trimnisë”, “simplicitetit”, “të drejtësisë” e sa virtute të tjera që përbëjnë elementet e vlefshme të një karakteri thjesht Shqiptar, për të cilin kemi të drejtë të krenohemi.
Si ç’duket elementi i ri që po asimilohet me qytetërimin e Perëndimit po bën një imitasion të keq t’atij qytetërimi dhe e gjen më të lehtë, duke marrë ma tepër vese se sa virtute. Kjo është një pikë që duhet menduar dhe rrahur thellë prej atyre q’i detyron ndërgjegja atdhetare të merren me këto punë. Rinia duhet të mbahet në rrugë të drejtë.
Rinia duhet të formojë atë karakter që symbolizon Shqiptarin. Një i ri duhet të jetë ballhapët, i ndershëm, i drejtë, trim, ambicioz në jetë në pikëpamjen e mirë (të kërkojë të ngjitet lart pa hedhur një tjetër poshtë) dhe kryenaltë për shkak se mban emrin Shqiptar.
Shqipëria asht Mbretëri më vet-he dhe ka Mbret një nga Djemt e saj, q’asht symbol i guximit dhe i vullnetit të fortë. Ja një shembull për Djalërin Shqiptare. Ja një karakter që nëpërmjet kaq dallgash e trazirash shkëlqeu si ylli i Veriut. Këtij i thonë “karakter” i fortë, këtij i thonë “vullnet çelikut”. Jeta e Mbretit t’onë është indeksi ma i mirë që të marrë Djalëria rrugën e nderit e të disiplinës, të fomoj atë karakter dhe të zhvillojë atë vullnet që do t’i sjellë lumturi Mëmëdheut. Lumturia e Mëmëdheut vjen vetëm kur na të rrënjosim në mendjen dhe zëmrën t’onë se rrojmë për Atdhenë ma parë dhe pastaj për vet-he.
Djalëria ka përgjegjësi të randë për t’ardhmen e Kombit, e këtë duhet t’a përballë me guxim të pa përkulshmë. Duhet t’a duam njeri tjetrin shumë e ma shumë se jemi një fëmij, flasim një gjuhë t’ëmbël, kemi zakone të njëjta, mendojmë njëlloj të gjithë për shumë çështëje dhe ma së fundi na e lyp interesi ynë si individë dhe ideali ynë patriotik si Komb.
Duhet t’a duam bashkatdhetarin me të gjitha të metat, por kjo dashje të jetë e sinqertë dhe e tillë që të bahet shkak për çdukjen e defekteve. Nuk duhet të lëmë rast të na shkojë pa bërë dishka për të mirën e përgjithshme të Kombit; qoftë dhe mikroskopike, vepra e jonë duhet t’i japë sadisfaksion ndërgjegjes. Duhet punuar në heshtje dhe të mos jetë nevojë t’a dinë të tjerët punën t’onë. Kjo mënyrë veprimi do të jetë e para dëshmi për një karakter me themele shkëmbi.
Me krijimin e Entit Kombtar, Djalërisë po i jepen ato elemente të mira që formojnë karakterin Shqiptar. Është çkatërrim t’i imitojmë verbtas në çdo gjë oksidentalët, dhe është nder e lumturi të përsërisim e të mbajmë virtutet t’ona të lashta që kanë qënë në shekuj lakmia e popujve.
Djelmënia shqiptare, po të formohet me një karakter të tillë nuk mund të ketë veç se “fitore” dhe “triumph” në çdo drejtim e në çdo qëllim të naltë në jetë.

 

Gazeta e Re, 8.VI. 1929,  f.

Ismet Toto


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...