OSHTIMA MVSK

Kalaja ilire në fshatin Prishtë

Në jug të qytetit të Çorovodës, në krahun e majtë të rrjedhës së lumit Osum, është fshati Prishtë. Përreth janë fshatrat Reovicë, Cepan, Blezenckë. Fshati me tokat e buta të veshura me plot gjelbërim ka pamjen e tarracave që vinë duke zbritur gradualisht drejt pjesës së fundit të tij. Nga perëndimi Prishta kufizohet nga fshatra të rrethit të Përmetit. Midis kodrave që rrethojnë Prishtën më madhështorja është kodra që njihet me ermin «Rrethi i Kalasë».
Kodra e veshur nga lisa të mëdhenj ndodhet nga ana perëndimore e fshatit në lindje të luginës që zbret në drejtim të Osumit dhe, nëpërmjet pjesës së sipërme të luginës, kalohet lehtë për në Sukë e Këlcyrë në zonën e Përmetit.
Kodra e rrethit të Kalasë ka lartësi rreth 1000 m. dhe dominon mbi kodrat e tjera përreth.
Nga ana jugore e perëndimore dy shpatet e saj janë të thikët, nga lindja shpati është i butë. Njoftimet e para për kalanë e Prishtës i kemi nga vendasit (më 1970), konkretisht nga ushtaraku Besim Prishta.
Kodra ka sipërfaqe 5 ha., perimetri është 847 m. Gjurmët e murit tregojnë se muri ka qenë ndërtuar në tërë gjatësinë e kodrës duke përbërë një fortifikim për këtë kala.
Gjatë punimeve dolën qartë disa pjesë muresh rrethues, të cilët në disa vende ruhen mirë dhe janë me interes për tu njohur me arkitekturën e fortifikimit të kalasë në këtë zonë duke e parë dhe në lidhje me ato që janë në krahinat e tjera. U zbuluan pjesë muresh të rregullta duke bërë pastrimin e tyre prej trungjeve e shkurreve. Muri rrethues në shpatin lindor ndjek vijën e harkuar sipas vetë terrenit të shpatit; vetëm në afërsi të kullës B, fillon e bën një kthesë duke dalë pak nga jashtë dhe përsëri ka ndjekur terrenin në një vijë gati të drejtë në mbarim të tij lidhet me kullën B. Midis kullës A dhe B të shpatit lindor ruhen këto pjesë muri të atij rrethues.

Muri 1. I gjatë 6 m. e 50 cm. i lartë 2 m. me 6 rreshta gurë. Gurët janë të vendosur njëri pranë tjetrit të puthitur pa lidhje balte. Gurët janë të punuar mirë, me përmasa të ndryshme: gjatësi nga 0.48 deri 1.40 m. dhe lartësi nga 0.2-0.43 m. Blloqet e gurëve kanë formë paralelepipedi. Ato janë nxjerrë në formacionet ranore në ngjyrë të errët të cilët ndodhen nga ana jugore e vetë kodrës. Në ndërtimin e murit është përdorur teknika me blloqe kuadratike.

Muri 2. Ruhet pranë murit 1 me gjatësi 6 m., lartësi 2.20 m., me drejtim jug-veri. Është ndërtuar me 7 rreshta gurësh me këto përmasa: gjatësi 0.63-1.85 m. në lartësi 0.24-0.34. Gurët janë pa ndonjë lidhje. Është përdorur e njëjta teknikë me blloqe kuadratik. Si tek muri 1 dhe tek muri 2 ruhet një arkitekturë e rregullt. Nga muri 2 duke shkuar 13 m. më tej fillojnë gërmadhat e një muri tjetër. Ky mur me gjatësi 25 m. është i dëmtuar dhe ka drejtim veri-perëndim me shmangie nga perëndimi. Ai vazhdon me gjatësinë e tij deri në pikën ekstreme ku është ndërtuar një kullë tjetër të cilën e kemi shënuar kulla A. Ky mur ka të njëjtën teknikë si muret e mësipërm.

Muri 3. Duke u lidhur me kullën A me njërën gjerësi të faqes së jashtme nga ana veriore formon një kënd të drejtë. Muri ruhet në gjatësi 4.40 me lartësi 1.20 m. me katër rreshta gurësh. Gurët kanë po ato forma të mureve të shpatit lindor me përmasa: gjatësi 0.47-1.41 m. lartësi 0.36-0.43 m. Për vetë terrenin në një pikë dominuese që ndodhet dhe kulla A, muri rrethues prej kësaj pike bën kthesën në drejtim të perëndimit nga ana e fshatit Reovicë dhe ndjek gjithë periferinë e shpatit perëndimor të kodrës. Muri 3 ka të njëjtën teknikë ndërtimi me pjesët e tjera të murit rrethues. Muret 1, 2, 3, ndodhen në shpatin lindor të kodrës.
Midis kullës B dhe portës kryesore është shpati jugor i kësaj kodre. Shpati ka terren të thiktë, muri është i ngritur në vendin më të thiktë. Pjesë të rregullta të tij nuk ruhen. Gjurmët e murit rrethues, gjatë pastrimit u ndoqën në gjithë gjatësinë e shpatit jugor.
Përfund shpatit janë arat bujqësore si dhe Gradishta, emër me të cilin e njohin fshatarët këtë vend. Në këtë shpat porta dhe kulla B të ndërtuar në dy vende të dala pak nga jashtë i japin shpatit ku është ngritur muri një pamje të futur brenda kodrës. Kjo ka të bëjë me vetë terrenin e saj.
Gjatë punimeve u zbuluan pjesë muri të dëmtuar, në të cilin është përdorur teknika me blloqe kuadratik.
Në kodrën e rrethit të Kalasë mure rrethues gjen dhe në shpatin perëndimor të kodrës ndërtuar buzë greminës së shpatit. Pranë portës kryesore ruhet një pjesë e rregullt e tij në gjatësinë 13 m. ndërtuar me blloqe kuadratik. Gurët janë të punuar pa ndonjë lidhje.

Muri 4. Ndodhet në shpatin perëndimor në afërsi të kullës A. I gjatë 8 m. i lartë 1.75 m. në pjesën e padëmtuar, me 4 rreshta gurësh me përmasa: gjatësi 0.79-1.91 m. dhe lartësi 0.35 m. deri 0.47 m. Edhe ky mur është ndërtuar me blloqe kuadratik. Gurët kanë punim në anët e tyre.

Dy kullat. Në ekstremin veri-perëndimore të kodrës në një pikë nga ku shikon më së miri luginën nga fshati Reovicë për në Dorës si dhe luginën kryesore kur vjen nga Blezencka e Grepck për në fshatin Prishtë, ndodhet njëra kullë, të cilën e kemi quajtur kulla A. Kulla ka formë drejtkëndëshi, gjatësia e faqes së jashtme 6m. 38cm. lartësi 1m. 20cm. Pjesa e poshtme e këtij muri paraqitet pak e shkallëzuar kjo ka të bëjë ndoshta me kohën e ndertit për shkak të vetë terrenit. Gjerësia e faqes së jashtme nga ana e murit është 2m. 34cm. Kjo pjesë e kullës puthitet mirë me murin 3 dhe formon një kënd të drejtë. Kulla është pjesërisht e dëmtuar, në pjesën e sipërme të saj, vendi paraqitet i shtruar. Gërmimet e ardhshme do të sqarojnë më mirë arkitekturën e kësaj kulle dhe pjesën e brendshme të mbuluar nga dheu.
Kulla ndërtuar me gurë forme paralelepipedi të punuar përbën një fortifikim në këtë pikë dominuese dhe kontrollonte një pjesë të mirë të territorit përreth. Kulla tjetër (B) ndodhet në vendin që njihet prej fshatarëve mulliri me erë. Ajo është ngritur në një kodër të vogël prej së cilës duke fshati Prishtë dhe lugina që kalon për në Këlcyrë. Kulla është e dëmtuar, ruhen vetëm disa gjurmë të saj, dy gjerësit e faqes së jashtme, të ndërtuar në blloqe gurësh kuadratik. Forma e saj nuk është e qartë Dy kullat kanë të njëjtën teknikë ndërtimi si muri rrethues.

Porta. Për të vajtur në Kalanë e Prishtës më lehtë ngjitja bëhet prej qafës së Pislopit ku ndërmjet një kurrizi arrin në kodër në një drejtim me qafën. Në ekstremin J.P. të kodrës ndodhet porta kryesore e kësaj kalaje.
Në këtë pikë përfundon muri rrethues që është vazhdim që nga kulla B duke bërë te porta një kthesë në formën e një këndi të drejtë dhe përbën njërën anë të murit të hyrjes së portës.
Ruhet në gjatësi 5m. i lartë 1m. 24 cm. me tre rreshta gurësh. Gurët kanë formë paralelepipedi me gjatësi nga 0.40-0.90m. Në anën tjetër të portës muri ruhet më së miri sidomos faqja e brendshme ku nëpërmjet të cilit njohim trashësinë e murit rrethues. Muri i kësaj ane të portës, prej të cilit e ka fillimin muri rrethues i shpatit perëndimor, është i gjatë 3m. i gjerë 2.40m. Blloqet kuadratike të punuar mirë kanë këto përmasa: gjatësi 0.42-1.87m. dhe lartësi 0.36-0.45m.
Duke parë gjerësinë që është midis dy mureve rezulton se në hyrja porta ka patur formën e një korridori me gjerësi 2m. 50cm. Terreni nga ana e kullës B është i përshtatshëm për tu ngjitur në kala dhe në këtë drejtimi mundet që pranë kullës B të ketë qenë ndoshta porta tjetër e kësaj kalaje.
Për ndërtimin e murit rrethues janë përdorur vetëm blloqe kuadratik, dhe është zbatuar teknika e tipit pseuda-isodomik e njohur një shek. IV-III p.e.s. ME sa duket në këtë periudhë filloi jeta në kala si një qendër qytetare në Desareti. Më shumë muri rrethues i kalasë së Prishtës ka ngjashmëri me kalanë e Irmajt në rrethin e Gramshit.
Të njëjtën teknikë ndërtimi ka dhe muri tek porta si dhe muri në dy kullat e vrojtimit. Në arkitekturën e fortifikimit të kalasë mure më të vona nuk janë konstatuar. Këto të dhëna në ndërtimin e murit rrethues u arritën në saj të pastrimit që u bë në periferi të kodrës. Kjo na dha mundësinë që të njohim fortifikimin e kalasë si dhe planimetrinë e këtij qyteti që vogël që shtrihet në tërë sipërfaqen e kodrës në të cilën dallohen gjurmë godinash. Kodra në pikën më të lartë i takon akropolit; në këtë vend dallohen gjurmë banesash të ndërtuar me gur mesatar. Nga ana lindore e majës së kodrës në një sipërfaqe të sheshtë dallohen gjurmë banesash të tjera. Përfund tyre dhe majës së kodrës gjatë pastrimit doli një pjesë muri në gjatësi 53m. ndërtuar me blloqe kuadratik. Ndërtimi i tij ka të bëjë ndoshta me akropolin e qytetit. Një godinë tjetër është nga ana veriore e murit gjatësor. Dallohet një dhomë në formë drejtkëndëshi me blloqe kuadratik. Përmasat e këtij ambienti janë: gjatësia 5.85m. gjerësia 3.38m. Mbeturina banesash ka dhe pranë kullës B si dhe jashtë periferisë së kalasë nga ana e portës kryesore.

Qeramika

Në tërësinë e saj ajo është e fragmentuar. Gjendet më me shumicë në faqen jugore të kodrës të nxjerrë në sipërfaqe prej gërryerjeve. Fragmente ka edhe në sipërfaqen e kodrës. Qeramikë të fragmentuar gjen në vendin e quajtur Gradishtë në arën «Ara e Thatë», në arën Kataden nga ana e Reovicës, të gjitha këto pika janë rreth kalasë. Qeramika ndahet në dy grupe, me parete të trasha dhe të holla. Qeramikën me parete të trasha e përbëjnë grykë e parete pitosah, fragmente amforash. Në sipërfaqe të kodrës janë gjetur dy tipe tjegullash, helenistike dhe romake. Në sasi më të madhe është qeramike me parete të holla, ku mbizotërojnë filxhanët, kupat, parete enësh në trajtë tave, profile enësh në formë kane, funde të sheshta si dhe disa fragmente amforash. Midis tyre shquhen një enë e plotë me grykë të ngushtë, e vegje vertikale e trup sferik, lyer me një cipë të hollë me vernik në të errët. Një pjesë e fragmenteve të enëve me parete të holla janë me vernik të zi. Ndër to bën pjesë një filxhan me vegje horizontale i cili është një tip i filxhanëve të gjetur në Apoloni. Ka edhe fragmente të bëra me bojë të zezë me heqje vijash në paretin e enës. Vegjet janë të ndryshme: vertikale, horizontale, në trajtë shiriti, etj. Në paretet e disa enëve u vërejt një cipë e hollë sere nga brenda enës. Gjetje të tjera janë një peshore në trajtë trungu koni dhe një pjesë metalike e gjetur në afërsi të portës.

Varreza

Si vend për varrim është përdorur kurrizi nga qafa e Pislopit deri në afërsi të portës. Vendi është i veshur me dushqe e dëllinja. Veprimi i erozionit ka bërë që të dallohen disa varre. Nga ana e ndërtimit të tyre kanë trajtë arke të vendosur nga dy pllaka në secilën gjatësi dhe nga një pllakë me dy gjerësit. Si material ndërtimi është përdorur guri prej shisti. Nga gërryerja kanë dalë disa skelete të dëmtuar. Në afërsi të arës Kataden, në një kodër të vogël gjenden varre të tjerë me një arkitekturë me varret në afërsi të Qafës së Pislopit.
Nga ana e ndërtimit të varreve kjo varrezë ka të njëjtën arkitekturë me varret në trajtë arke të zbuluar në gërmimet e bëra në varrezat ilire të Leshnjës dhe me disa vare të zbuluara rastësisht në Dobrushë.

* * *

Duke i parë në kompleks të dhënat arkeologjike me burimet e autorëve antikë duhet thënë se kalaja e Prishtës i përket një qendre qytetare ilire në Desareti. Për sa i përket identifikimit të këtij qyteti tani për tani do të bazohemi në të dhënat burimore. Polibi (Libri V, 108,2 dhe 108,8) kur përshkruan luftërat e Filipit të Maqedonisë në tokën ilire përmend: Kreonin, Geruntin, Orgesën, Antipatrean, Krysondyon e Gertunderi si qytete të Desaretisë.
Edhe Livi (Libri XXXI, 27) duke folur për pushtimet e Luc Apusfit Legat, i Konsullit Sulpic, thotë se ai shtiu në dorë Koragun, Gerunin, Orgesën dhe arriti në Antipatre, qytet që ndodhej në një grykë të gushtë (Berati i sotëm). Koragu përmendet këtu për të parën herë, ndërsa dy qytetet e tjera Gerunti dhe Orgesa përmenden edhe nga Polibi, Kalaja e Prishtës ndofta duhet identifikuar me njërën prej këtyre qytete desaret: Orgesa apo Gerunti.

 

Buletin Arkeologjik 4/1974, f.

Luftim Ylli


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...