Oshtima

Çështje elektorati (?)

Elektorati i majtë
Në çdo vigjilje të zgjedhjeve lokale apo qendrore, sidomos pas vitit 2004, punonjës të shtypit na kujtojnë se fitorja e të djathtës mund të arrihet vetëm si pasojë e përçarjes të së majtës, pasi e elektorati i majtë është më i madh se ai i djathtë.

E vërtetë!
Në zgjedhjet e vitit 1991 e majta u paraqit me një përvojë pesëdhjetë vjeçare në marrje dhe mbajtje pushteti dhe me një makineri propagande po aq jetëgjatë. Rezultati ishte më i habitshmi në të gjitha ish vendet e pushtuara nga komunizmi. Megjithatë forca e mekanizmave të kuq do të shfaqej e plotënjë vit më pas, kur e majta arrin dy fitore të jashtëzakonshme. Të jashtëzakonshme pasi një popull në arrati nga zija e bukës përpiqet ti japë drejtimin e shtetit, përsëri, bash shkaktarëve të asaj zije. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992, PPSH-ja, tashmë me emërtimin e ri, së bashku me PSD-në arrijnë afërsisht 30%të votave. Pak muaj më vonë, në zgjedhjet lokale, e majta thjesht fiton, si me numër votash popullore ashtu dhe me përqindje njësish vendore. Partia tjetër arriti të fitonte qytetet e mëdha, por kontrolli efektiv i territorit, në një moment kur zhvendosjet e popullsisë brenda vendit nuk kishin marrë ende përmasat që njohim, i mbetej atyre që vetëm pak muaj më herët, me krenari, e quanin veten komunistë. Arsyet që çuan elektoratin bëhej pjesë e gatopardizmit shqiptar janë të ndryshme: stresi post-traumatik, frika, injoranca, Sindroma e Stokholmit, largimi nga vendi i të gjithë atyre që nuk do të votonin komunistët, manipulimet, etj., por të mbetemi te fakti; e majta i qëndroi asaj që duhet të ishte goditje asgjësuese dhe që nga ai çast vijoi vetëm të rritet, nga pikëpamja elektorale. Rritja ishte, është, demografike; fëmijët dhe nipërit e atij 30% të marsit 1992 (pra të minimumit historik), janë futur në moshë zgjedhore dhe është e qartë që në ambientet familjare ku politikisht ku nuk nxitet mendimi i lirë, nisma vetjake, debati ku mbizotëron artikulimi antihistorik, vetë pikëpamja e deformuar e historisë, skamja, frika e përballimit të realitetit të ri, në ndonjë rast dhe me realitetin e vjetër kur aty qëndron arsyeja e pozitës sociale përkatësia politike është e dhënë, familjare dhe e pandryshueshme. Një cinik do të pohonte se për të majtët përkatësia politike është diçka e ngjashme me sëmundjet gjenetikisht të trashëgueshme. Rritja kishte dhe arsye kulturore; në Shqipëri nuk u diskutua asnjëherë, pothuajse, seriozisht për një lustracion akademik. Procesi u quajt depolitizim i shkollës dhe preku mekanikisht vetëm paraqitjen e jashtme të teksteve mësimore. Procesi i njohjes së krimeve të komunizmit, të përgjegjësve, të mekanizmave të diktaturës dhe të kuptimit doktrinar ende sot mund të quhet i panisur. Çdo gjë tjetër mbeti njësoj, duke filluar nga emrat e shkollave dhe deri te stafi pedagogjik. Lejuam që ata të cilët çdo argument e mbështesnin te “si tha shoku Enver” t’ju mësonin fëmijëve çdo të thotë liri! Por mbijetesa fizike nuk do të kishte qenë e mjaftueshme pa prurje të reja; në mesin e dytë të viteve ’90 do të niste një program i gjerë investimesh që do të përfundonte me zëvendësimin e teksteve dhe pedagogëve. Në 1997, drejtori atëhershëm i programit “Libra për shoqëri të hapur”, pjesë e nismave të spekulantit Soros, do të pohonte se Fondacioni synonte të përkthente shtatëdhjetë apo tetëdhjetë vepra nga më të rëndësishmet e kulturës perëndimore në fushat të tilla si historia, filozofia, sociologjia, kultura, shkencat politike, ekonomia, jurisprudenca, antropologjia sociale, etj. Perëndimore po, ishin, detaji është që flitet për autorë marksistë apo neomarksistë. Në thelb programi, shumë nga përkthimet e të cilit sot janë tekste bazë nëpër fakultete, u kthye në një surrogat të Institutit të Kërkimeve Marksiste, në një pajtues mes eurokomunizmit dhe komunizmit në Shqipëri. Qendra të krahasueshme pushteti, të huaja dhe liberale, nëpërmjet turizmit akademik morën përsipër kualifikimin njerëzor, duke hapur kështu rrugën për atë që sot është fakt në fakultetet dhe shkollat shqiptare: hegjemonia neomarksiste. Të njëjtat burime janë kujdesur që kjo hegjemoni të zgjerohej edhe në fushën e gazetarisë, ku prirja e majtë më shumë se në rreshtimin e brendshëm dallohet në demonizimin e të djathtës në vendet e huaja dhe të vetë parimeve të së djathtës;zgjerimi u arrit edhe në fushën e diplomacisë dhe në sektorin e organizimeve jo qeveritare. Përmendni një OJQ jo të majtë!
Rritja kishte, dhe ka, arsye ekonomike; baraka u bë qiellgërvishtës, e pjesën tjetër e gjeni në kronikën e ditës (ose në librin e aksionarëve të bankave).
Këto elementë që sollën rritjen e elektoratit të majtë në vetvete do të kishin qenë të pamjaftueshëm për të shkaktuar hegjemoninë e tij, nëse nuk do të ekzistonte një i katërt: dekadenca e së djathtës.

Elektorati tjetër
Me marrëveshje, të cilën nuk e pranojmë, elektorat i djathtë është përkufizuar pjesaqë nuk voton majtas. Ky elektorat kishte një ngarkesë antikomunizmi që me vitet është zbehur por që edhe e vetme nuk do të ishte në gjendje të ndërtonte (duke parafrazuar Solzhenitsyn-in, duke qenë se komunizmi është anti njeri nuk ka shumë kuptim të deklarohesh anti anti njeri), por duke parë rrethanat historike, për ne, mund të ishte një pikënisje e mirë dhe e shëndetshme. Thamë u zbeh, kjo për shkak pasi kush në detyrë nuk arriti asnjëherë plotësisht të çlironte shoqërinë nga ndikimi komunist, të ngrinte një sistem arsimor të imunizuar nuk arriti të përthithte traditën kulturore dhe politike të djathtë, nuk arriti të kthehej në një pikë orientimi moral. Dështimin e kësaj klase lexojeni shqip kur, sot pas 27 vitesh, diskuton me një ish ministër të brendshëm punist për zgjedhje të lira dhe demokratike! Në atë pikë ka arritur dekadenca e elektoratit të djathtë sa diskutime, që duhet të ishin themelore si liria e individit, mbrojtja e familjes nga fenomenet degjeneruese, mbështetja ndaj saj, çështjet e sovranitetit dhe ato irredentiste, përkrahja ndaj sipërmarrjes private dhe kapitalit vendas, shëndeti dhe solidariteti kombëtar, çështje të kulturës kombëtare, reciprociteti ndërshtetëror, etj. janë kthyer pothuajse në të huaja dhe të pakuptimshme. Në atë pikë ka arritur dekadenca sa është ngurtësuar mendimi se shqiptarët janë një popull me prirje të majtë (!), madje të qenit ndryshe dëmton interesat kombëtare (!!!) – nacionalizmi si gogol shtatëdhjetedy vjeçar.

Ngritja
Ngritja kalon në të njëjtat faza që kalon rritja e çdo individi, pra duhet të jetë morale, kulturore dhe fizike (barishtet e këqija shkulen ende me mëngët përveshur). Ngritja kalon nëpërmjet ripërvetësimit të shpirtit heroik, të atij shpirti heroik që mundësoi mbijetesën tonë. Të atij shpirti që refuzon apatinë, politikisht korrekten, relativizmin moral dhe fatalitetin.
Ngritja është vetjake por jo individualiste, nuk duhet të prodhojë individë të veçuar, individë që flasin me heshtje. Ngritja duhet të jetë në funksion të strukturave që përbëjnë ambientin dhe mbështetjen organike të individit: familja, lagjja, kombi, ky i fundit që përfaqëson edhe shkallën më të lartë të organizimit të individit. Vetëm në këto struktura rritja e individit merr formën më të plotë dhe kthehet në trashëgimi dhe mburojë për pasardhësit e tij.
Në gjendjen e tanishme, ku strukturat organizative politike dhe parapolitike janë kthyer në qendra të huaja pushteti dhe kundërshtare të organizimeve organike, rrugëzgjidhja për individin është vetorganizimi. Vetorganizimi në struktura, sipas prirjes dhe aftësive të gjithsecilit (fletorja që ke në dorë është një shembull i tillë), në gjendje të mbrojnë njësitë organike të individit, pra familjen, lagjen, kombin. Struktura në gjendje, në një fazë të dytë dhe pas një procesi të vetvetishëm qendërzimesh, të përballojë atë që, me statistikat përpara, është sfida themelore e shekullit: vetë mbijetesa etnike e popullit.
Saktësojmë që ky diskutim i ngritjes, nuk do të ishte i nevojshëm për kë nuk sheh që diç është kalbur në këtë vendin tonë, pra për ata që përdhunimin e shpërblejnë me votë (Dibra docet). Për këta e vetmja përkujdesje është largimi nga ambientet publike, pasi si çdo trup në dekompozim kthehen në vatër epidemish, që godasin në mënyrë të veçantë të rinjtë.


 

Nutrika Nr. 4, Tiranë, prill 2017, f. 15-17.

 

Arian Tomori


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...