Oshtima

Bëhu Kreshnik!

Mirë, e kuptoj, këtë punën e të bërit fresh sikur nuk e ke me qejf, sesi të duken këta të freshit: si gjys të droguar e gjys të shpuar, e ti nuk je i tillë. Ti je më i thellë, më i vërtetë, ti mendon për punë të më të mëdha, ti mendon për Kombin, të kaluarën – një ditë bota do tronditet kur ta marrë vesh kush ishim ne – dhe për të ardhmen e tij. Atëherë, ta them shqip, bëhu nacionalist, bëhu kreshnik, pra. Tani, ke gjithë jetën që dëgjon se nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, po ti e kupton dhe vetë që nuk është e vërtetë, pastaj, nuk e kanë me ty. E kanë me të tjerët, ti nuk je si ata, ti nuk e djeg flamurin e serbit; ata tregojnë veten dhe ti tregon vlerat e tua – herën e fundit që nuk bëmë gjë, ua mbyllëm gojën serbëve, u habitën nga lartësia autoktone e sjelljeve tona. Ti je ekstremist tolerant;tolerant por i vendosur, bie fjala, kamerieri thotë që s’kanë birra autoktone, ti duhet ti tregosh vendin atij qen greku, duhet ti tregosh si ne, iliro-pellazgo-trako- arbërorët i mësuam botës si bëhet birra, si bëhet vera, ajo e mira nga mjalti, madje dhe atë që bëhet nga uji, po mo po nga uji, vetëm syleshët nuk e shohin që Jezusi në kokë mbante qeleshe, e kjo e dimë ça do të thotë; shiko po nuk i pranoi kamerieri këto, apo më keq po iku me një “eehaaa”, e thamë, qen greku është.

Bukur, tani, që të bëhesh kreshnik nuk është e lehtë, nuk është as aq e vështirë, prandaj mos u tremb. Pikësëpari, pamja e jashtme: të duhet një qeleshe, dhe nga ato falset, se nuk do i hyjmë këtyre gjërave tani, më e mira do ishte, janë ca që kanë formën e qeleshes së veriut e në majë kanë një biçim antene si të atyre të Labërisë, ajo është yll fare, se tregon dhe unitetin e trojeve – vetëm një turk nuk do e pëlqente. Të duhet dhe një shall i Kombëtares së futbollit. E di që s’merr vesh nga futbolli, kjo nuk ka rëndësi, dije që shalli të shkon dhe tregon që me të parën që ti je kreshnik i thekur. Beharit do jetë pak problem, por kreshniku është stoik.Shiko se desh harrova duhet të bësh kujdes kur del në fotografi; gjithmonë të bësh me duar shenjën e shqiponjës, atë mo që tmerron të gjithë armiqtë, i bën të dorëzojnë armët. Nuk ka rëndësi ku je:goca pesëvjeçare e tezes po i fryn qirinjve të tortës, ti shenjën, po pi një kafe, prapë shqiponjën ti. Mirë është që fotografitë në fejsbok, e! duhet t’i bësh zborin fejsbukut që ta qepin gojën armiqtë, t’i shoqërosh me komente epike. Bie fjala, ke hipur në teleferik për të shkuar në Dajt, kreshnikët e duan natyrën, shenjën me duar, dhe komenti “flu-tu-ron shqi-po- nja” (thua ti, ç’do bëjë tjetër shqiponja). Tani, kjo ishte pjesa më e lehtë, pjesa e vështirë, po ka një pjesë të vështirë, është te përgatitja e kreshnikut. Kreshniku duhet të jetë shumë i zoti në shkencat e historisë, etnografisë, antropologjisë, linguistikës, paleografisë, heraldistikës... këto gjërat kështu, por gjithsesi ndonjëherë, kije parasysh, këto shkenca të vështira kanë vetëm emrin. Që të jesh i përgatitur duhet të lexosh, kujdes mos lajthit e lexon ndonjë që na qenka me demek ekspert botëror në ndonjë fushë të caktuar, agjentë serbë janë të gjithë, ose grek kuptohet, e mos bën gafë të pranosh tezat e tyre se dhe ti, pa një pa dy, del fishek agjent greko-serbo-turko- monarkofashisto-arabo-shovinist, dhe jo veç e veç, ë!, të gjitha bashkë. Duhet të lexosh vetëm autorë shqiptarë, por jo nga ata të Akademive, se dhe ata janë agjentë sllavo-turko-greko-ekështumeradhë...Meqë në fillim duken të vështira, po të jap unë ca udhëzime; gjëja më e rëndësishme është që Thoti fliste shqip. Kush është Thoti? Thoti është një që thotë, prandaj quhet Thot, po të mos thoshte s’do quhej Thot. Elementare, apo jo?! Tani, rregulli bazë është që nëse një gjë tingëllon - ore dhe po nuk tingëlloi është faji i shqiptimit kështu që provoje prapë - në shqip është shqiptare dhe provë e pakundërshtueshme e autoktonisë dako-pellazge. Ose tjetra, po pe ndonjë shqiponjë gjëkundi, është provë e pastër e origjinës trako-dako-ilire. Po, po mo po, dhe inkasit shqiptarë ishin. Kush thotë ndryshe, e di vetë ai agjent i shitur. Tani që more bazat, ec vetë.Në fushën politike duhet të jesh mjaft i përgatitur, veç shumë citimeve, nja 4-5, duhet të kesh parasysh dhe bazat e historisë politike të Shqipërisë: Ismail Qemali – shkel syrin për të lënë të kuptohet që ti di, por më mirë të mos flasësh; Zogu – e thjeshtë, satrap, la popullin në varfëri, mos harro vjedhjen e floririt; LANÇ-i – rreshtoi popullin shqiptar në anën e duhur të historisë kreshniku,është ekstremist i djathtë, por komunistët i dhanë pavarësinë Shqipërisë, e me që jemi e mbase na dëgjojnë dhe andej, Bujani hodhi themelet e bashkimit kombëtar; Enveri – kreshniku nuk merret me politikë.

Në politikën e jashtme duhet të kesh parasysh dy gjëra: ekstremist po, por me ambasadorët mos e prish, e mira është të kapësh ndonjë fotografi me ata, me këdo, mjafton të jetë ambasador, dhe kur gjendja e vendit të jetë pranë katastrofës të përdorësh dhe ti letrën magjike, atë dërguar ambasadorëve. E dyta, kreshniku në botë parapëlqen partitë e majta, se ne jemi popull i vogël dhe i vajtuar, e ka thënë Partia; ore pastaj kë do parapëlqesh gogolin Tramp apo shtrigën Lëpen?! Atë që një gazetë shqiptare tha që një gazetë serbe kishte thënë se një gazetë franceze pa emër kishte thënë që Lëpeni kishte thënë që do pagëzohej serbe?! Jo or mik, jo, kreshniku nuk është sylesh.Ça bën kreshniku, pyet? E, kjo është pyetje me vend, më në fund the një gjë të zgjuar. Dëgjo, kreshniku përgjithësisht proteston. Proteston për çdo gjë dhe proteston gjithmonë... gjithmonë jo, se nëse proteston në ditë pushimi, larg qoftë, vjen dhe ndonjë që ka hall vërtetë, kreshniku proteston gjithmonë, por në ditë pune. Kjo çështja e protestave, e ke vënë re dhe vetë, është bërë pak mullar, po zihen robt kush proteston më mirë e kush është më qiri... qiri?! Jo nuk shava, qiri mo, qiriri i Naimit që tretet për të mirën e popullit. Të lumtë, sa dëgjove Naimin bëre shenjën e shqiponjës, ke filluar që tani të jesh një kreshnik i vërtetë. Po thosha, është bërë pak mullar e mund të të vijë dhe ndonjë lapër, po ti mos e vrit mendjen, ka për të gjithë, të gjithë kapin ndonjë gjë nga protestat, veç mos e tërhiq më shumë se ç’duhet, se jo për gjë por fillon xhiron nga e para. Tani, mund të qëllojë që të protestosh për një përrua në Këlcyrë e ata, këlcyrjotët, të mos dinë gjë fare, por ç’rëndësi ka, ata nuk janë profesionistë.
Kështu pra, meqenëse e shoh që digjesh për fatet e Kombit, të them bëhu kreshnik, dëgjo dhjetë herë në ditë xhamadani vija- vija (versioni i Mandit të Nishtullës është më i miri), posto fotografi me qeleshe dhe po! e ardhmja do të jetë e ndritur, Shqipëria do të bëhet, nga molla e kuqe te mëni i zi.

 

 

Nutrika nr. 3, Tiranë, mars 2017, f. 22 - 23.

 

Herri


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...