Oshtima

Shpërngulja e arnautëve

Referat i mbajtur në klubin serb të kulturës nga Dr. Vaso Çubriliviq më 7.3.1937


Shpërngulja e arnautëve

Problemi i arnautëve në jetën e kombit e të shtetit tonë nuk është ngritur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë gjatë viteve të Mesjetës, kur masat serbe filluan të shpërngulen nga tokat e tyre të vjetra rashke drejt veriut dhe në vend të tyre erdhën malësorët shqiptarë. Ata zbritën dalëngadalë nga malet e tyre në luginat pjellore të Metohisë e Kosovës dhe, duke u dyndur drejt veriut, u shtrinë në Moravën Perëndimore e Jugore, nga mali i Sharit zbritën në Pollog dhe prej këtej në Vardar. Deri në shekullin XIX u krijua në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar kulmi i të cilit, duke u mbështetur në bazën Dibër-Rogozna, në prapavijën e tij etnike, u fut thellë në tokën tonë, arriti deri në Nish dhe i ndau tokat tona të vjetra rashke nga Maqedonia e lugina e Vardarit.
Kjo pykë shqiptare, e populluar me elementin anarkist shqiptar, paralizoi në shekullin XIX lidhjet e forta kulturore, arsiomore dhe ekonomike ikaviane  midis tokave tona të jugut e të veriut. Ky ishte shkaku kryesor që Serbia nuk mundi deri në vitin 1878, kur nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi të Shkupit krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të qëndrueshme me Maqedoninë, të kishte atë influencë politike e kulturore që mund të pritje në luginën e Vardarit, aq më tepër kur kishte lidhje gjeografike e komunikacioni me tradita historike në ato vise. Bullgarët, edhe pse e kanë filluar më vonë se serbët jetën si shtet, kanë pasur në fillim më shumë sukses. Kjo për shkak se që nga Vidini në veri deri tek Ohri në jug filloi pakësimi i vazhdueshëm i popullsisë jugosllave. Këtë pykë shqiptare filloi ta krasitë Serbia qysh në kryengritjen e parë, duke dëbuar kolonitë më veriore shqiptare filluar që nga Jagorina.
Në sajë të koncepteve të gjera shtetërore të Jovan Ristiqit, Serbia shkëputi nga kjo pykë edhe një pjesë tjetër pas bashkimit të Toplicës me Kosanicën. Kufijtë midis Jastrebcit e Moravës Jugore atëherë u pastruan në mënyrë rrënjësore nga arnautët. Pjesë tjetër të trekëndëshit shqiptar kishte për detyrë ta copëtonte shteti ynë i sotëm, i krijuar pas vitit 1918. Këtë nuk e bëri dot. Ka shumë shkaqe, por ne do të japim vetëm ato që janë më të rëndësishmet.

1. Gabimi kryesor i autoriteteve tona të asaj kohe ishte se kanë dashur të përdorin në Ballkanin e shqetësuar e të përgjakur metodat perëndimore për zgjidhjen e problemeve të mëdha etnike, duke harruar se ku janë përdorur këto metoda. Turqia solli në Ballkan zakonin e marrë nga Sheriati, sipas të cilit me fitoren e betejës e me pushtimin e një vendi, fitohet e drejta mbi jetën dhe pasurinë e shtetasve të pushtuar. Prej tyre mësuan edhe kristjanët e Ballkanit se fitohet e humbet me shpatë jo vetëm pushteti e sundimi, por edhe shtëpia e pasuria. Ky kuptim mbi marrëdhëniet e pronës së tokës në Ballkan mundi vetëm të zbusë ligjet, rregullat e marrëveshjet ndërkombëtare të bëra në presionin e Evropës, por ai, megjithatë, ka qenë leva kryesore e Turqisë dhe e shteteve ballkanike deri në ditët tona. Nuk duhet shkuar në të kaluarën e largët. Do të përmendim vetëm raste të kohëve të fundit: emigrimi i grekëve nga Azia e Vogël dhe i turqve nga Greqia në Azinë e Vogël, shpërnguljet e fundit të turqve nga Bullgaria e Rumania në Turqi etj. Ndërsa gjithë shtetet ballkanike që nga 1912 – a e këtej ose e kanë zgjidhur ose janë në rrugën e zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare me anë të emigrimit të tyre, ne kemi ngelur me metodat e ngadalshme e të plogëta të kolonizimit gradual. Rezultatet e tij kanë qenë negative. Për këtë flasin qartë statistikat e 18 rretheve që përbëjnë këtë trekëndësh shqiptar. Nga këto të dhëna statistikore del se në ato vise rritja natyrale e arnautëve është më e madhe se sa numri i përgjithshëm i rritjes sonë (nga 1921 deri më 1931 rritja e arnautëve ka qenë  68.060 se serbëve 58.745 frymë. Ndryshimi është 9.315 në favor të arnautëve). Po të mbahet parasysh pagdhënshmëria e arnautëve, shtimi i vrullshëm i tyre dhe kushtet gjithmonë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky shpërpjesëtim, me kalimin e kohës, do të bëhet edhe më i madh dhe më në fund do të verë në pikëpyetje edhe atë pak sukses të kolonizimit që kemi arritur nga 1918 deri më sot.

2. Edhe vetë mënyra e kryerjes së kolonizimit, përsa i përket procedimit, nuk është bërë si duhet. Gjëja më e qartë në këtë mes është fakti se për një çështjet kaq të rëndësishme nuk është bërë asnjë plan shtetëror i përcaktuar, të cilit të mund t’i përmbahej dhe ta realizonte çdo qeveri e çdo regjim. Gjithçka është bërë copa-copa, sot deri nesër, çdo ministër ka prishur të vjetrën, veprën e paraardhësit të tij dhe vetë nuk ka krijuar asgjë solide. Ligjet dhe rregullat kanë ndryshuar vazhdimisht, por edhe ashtu të këqija siç kanë qenë nuk janë zbatuar. Disa, veçanërisht deputetë, në qoftes se kanë qenë nga krahina të tjera, kur nuk mundnin të merrnin mandatin në vendlindjen e tyre, shkonin poshtë në jug dhe lajkatonin elementët jo kombëtarë për çështjen e mandatit të tyre, duke sakrifikuar interesat e mëdha shtetërore e kombëtare. Aparati i kolonizimit ka qenë shumë i kushtueshëm, i ngathët, i mbushur me njerëz jo vetëm inkompetentë, por shpesh edha pa skrupuj, kështu që puna e tyre në të vërtetë përbënte një çështje më vete. Ndër të tjera duheshin mbledhur shumat e mëdha që ky shtet jepte për kolonizimin, pastaj të pjesëtoheshin me numrin e familjeve të vendosura aty dhe atëherë do të vërtetohej se sa shtrenjtë kushton një shtëpi e re e banuar, pas luftës, pa marrë parasysh ne se atë e kanë ngritur vetë kolonistët, apo është bërë me shpenzimet e shtetit.
Po kështu do të ishte interesante të përcaktohej shpërpjesëtimi midis shpenzimeve materiale e teknike të bëra në kolonizimin tonë. Dikur Serbia ka vepruar ndryshe. Karagjorgje, në kryengritjen e parë, Milloshi, Mihajllo, Jovan Ristiqi nuk kishin ministri të veçantë të reformës agrare, as inspektorë të lartë për bujqësinë, as aparat të kushtueshëm, megjithatë e pastruan Serbinë nga elementi i huaj, e populluan atë me popullin e saj, i cili çau pyjet e pafund të Shumadisl dhe nga shkretëtirat e dikurshme krijoi tokat e sotme të bukës të Shumadisë.

3. Edhe ato disa mijëra familje që janë vendosur nga lufta e këtej nuk zunë rrënjë në vendin ku u vendosën. Në Kosovë suksesi ishte më i madh, veçanërisht në Luginën e Llapit, ku vetë topliçanasit u dyndën nga veriu në jug. Këtu janë kolonitë më të vjetra, përzierje elementësh nga krahina të ndryshme tonat, por edhe më të qëndrueshmet nga këto, Drenica e Metohia, kanë kundërshtuar. Kurrë nuk duhet bërë popullzimi vetëm me malazezë. Nuk jemi dakort me pikëpamjen se elementi kolonizator është i keq për shkak të ngathtësisë së tij prej blegtori. Kjo ka rëndësi vetëm për brezin e parë. Brezi i dytë është ndryshe, më aktiv, më praktik. Fshati Petrov, në Miroq mbi Danub, fshati më i përparuar në krahinë, është i banuar vetëm nga malazezë dhe sot në Serbi mund të gjenden me mijëra familje të përparuara, veçanërisht në Toplicë e Kosanicë, të cilat i formuan malazezët e brezit të parë të përzierë me elementin e përparuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Metohinë, ku mbështetja direkt në vatrën e vjetër, bën të mundur ruajtjen e zakoneve e të shprehive të vjetra. Mjafton të shkosh në Pejë, të shikosh në kafene e të besosh për këtë. Prandaj ka pasur kaq pa sukses kolonizimi i të gjithë Metohisë. Duhet pranuar se këto koloni janë përzier shumë keq, në truallin e një toke jopjellore, pothuajse pas asnjë pajisje, ku mungojnë mjetet më të nevojshme për bujqësinë. Përkundrazi atyre u duhej dhënë ndihma më e madhe, pasi ishin të banuara nga elementi malazez më i varfër.

4. S’ka dyshim që shkaku kryesor i mossuksesit të kolonizimit tonë në ato anë ishte se tokat më të mira ngelën në duar të arnautëve. E vetmja mënyrë e mundshme e vendosjes së elementin tonë në masat e atyre viseve ishte marrja e tokave arnautëve. Pas luftës kjo mund të bëhej lehtë me zgjerimin e një pjesë të shqiptarëve në Shqipëri në kohën e kryengritjes e të aksionit të kaçakëve, me mosligjërimin e pushtimeve të tyre dhe me heqjen e çifliqeve. Përsëri duhet të kthehemi këtu, në gabimin e tmerrshëm të kuptimit tonë juridik të pasluftës mbi pronën e tokës. Në vend që të shfrytëzonim konceptin e  arnautëve mbi pushtimet e tyre të tokave – rrallë ndonjëri prej tyre ka pasur edhe tapinë e Turqisë dhe atë vetëm për pasuritë e blera – ne, në dëm të kombit e shtetit tonë jo vetëm që kemi ligjëruar të gjitha këto pushtime, por, ç’është më e keqja, i mësuam arnautët me konceptet e Evropës Perëndimore mbi pronën private. Këtë gjë ata më parë nuk e kanë pasur. Kështu ne u dhamë në duar armë me të cilat do të mbrohen, do të mbajnë tokat më të mira dhe do të bëjnë të pamundur për ne nacionalizimin e një prej viseve më të rëndësishëm. Nga kjo që u tha më lartë shihet se metodat e deritanishme të politikës sonë kolonizuese në jug nuk kanë dhënë rezultatet që kemi dashur të arrijmë në të vërtetë. Këto metoda nuk i kemi kritikuar për hir të kritikës, por që në bazë të përvojës të kërkojmë rrugët e drejta për zgjidhjen e kësaj çështjeje.


PROBLEMET E KOLONIZIMIT TË KRAHINAVE TË JUGUT.


Duke lexuar pjesën e parë të këtij punimi njeriut menjëherë i bie në sy që ai, gjatë shqyrtimit të problemit të kolonizimit të krahinave të jugut, kryesisht kufizohet në krahinat në veri e jug të malit të Sharit. Kjo nuk është rastësi. Blloku shqiptar rreth malit të Sharit është me rëndësi të madhe kombëtare, shtetërore e strategjike për shtetin tonë. E përmendëm më sipër mënyrën e formimit dhe rëndësinë e tij për lidhjen e fortë të viseve rreth luginës së Vardarit me tokat tona të vjetra. Forca më e madhe e ekspansionit serb që nga fillimi i krijimit të shtetit të parë serb e këtej, qysh në shekullin e IX, qëndronte gjithmonë në vazhdimësinë e këtij ekspansioni nga tokat e vjetra rashke në të gjitha drejtimet, pra edhe në jug.
Kjo vazhdimësi u ndërpre nga arnautët dhe përderisa të mos rivendoset lidhja e vjetër e pandërprerë midis Serbisë e Malit të Zi me Maqedoninë, në gjerësinë e saj nga Drini deri në Moravën Jugore, ne nuk do të jemi të sigurtë në zotërimin e këtyre tokave. Nga pikëpamja etnike maqedonasit do të shkrihen me ne pikërisht atëherë kur do të kenë krijuar mbështetjen etnike në qendrën e tokave serbe, gjë që deri tani nuk e kanë pasur. Do ta kenë sapo të shkatërrohet blloku arnaut.
Blloku ushtarako-strategjik shqiptar në tokën tonë zë një nga pozicionet më të rëndësishme, ndarjen kryesore të lumenjve ballkanikë për në Adriatik, Detin e Zi dhe Egje. Zotërimi i këtij pozicioni strategjik vendos në një shkallë të madhe fatin e Ballkanit qendror, veçanërisht fatin e komunikimit kryesor ballkanik Moravë-Vardar. Nuk janë bërë më kot pikërisht këtu shpesh herë luftëra vendimtare për fatin e Ballkanit (nemanët kundër grekëve, serbët e turqit më 1389, Huniadi dhe turqit më 1446). Mund të sigurohet, në shekullin XX, vetëm ajo tokë e cila është e banuar me popullin e vet autokton, prandaj është detyrë imperativë e të gjithëve ne që pozicione kaq të rëndësishme strategjike të mos i lemë t’i mbajë në duar elementi i huaj dhe armik për ne. Aq më tepër që ky element ka mbështetje në shtetin kombëtar të së njëjtës gjini (bëhet fjalë për Shqipërinë – shënim i përkthyesit). Ai sot për sot është i pafuqishëm, por edhe si i tillë u bë baza e imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai shpreson të futet deri në zemër të shtetit tonë.  Kundër këtyre dyndjeve mjeti më i sigurt është elementi autokton, i cili do të dojë e do të dijë të mbrojë pasurinë e shtetit të vet. Pastaj, veç këtij blloku prej 18 rrethesh, arnautët dhe pakicat e tjera kombëtare në krahinat e jugut jetojnë të shpërndarë dhe nuk janë aq të rrezikshëm për jetën e kombit e të shtetit tonë. Të nacionalizosh viset rreth malit të Sharit do të thotë që përgjithmonë të shuash çdo irredentizëm dhe përgjithmonë të sigurosh pronësinë e atyre tokave.
Kolonizimi nga veriu duhet pakësuar në viset e banuara me maqedonas. Në ato krahina ka pak tokë, ato janë vise pasive, por vendasit janë shumë të ndjeshëm ndaj prurjes së kolonistëve nga veriu. Aq më tepër kur vërehen edhe shenja mosbesimi nga ana jonë ndaj atyre. Kështu që edhe ai pak kolonizim më shumë prish punë sesa ndreq. Përderisa do të dërgohen poshtë, në jug të Malit të Zi të Shkupit, është mirë të dërgohen vranjas dhe leskoveças, të cilët janë më të përafërt për nga mentaliteti e kultura, por në asnjë mënyrë dinarikë (banorë të alpeve dinarike – shënim i përkthyesit), të cilët me temperamentin e tyre të fortë e me padurimin e tyre nxisin nervozizëm te vendasit. E përsërisim se ky problem do të zgjidhet vetëm atëherë kur të takohen popujt tanë që do të largohen nga veriu, nëpërmjet Kosovës e Metohisë, në malin e Sharit e Pollog, me popullsitë maqedonase.
Problemi i sanxhakut të Novipazarit u zgjidh në vetvete dhe ai nuk luan në jetën e shtetit tonë atë rol që luante deri në vitin 1912. Do të kujtojmë vetëm se me shpërnguljen e arnautëve lidhja e fundit midis myslimaneve tanë të Bosnjës e Novipazarit dhe botës tjetër muslimane këputet. Ato bëhen pakica fetare, të vetmet muslimane në Ballkan dhe ky fakt do të shpejtojë nacionalizimin e tyre.
Mali i Zi është bërë kohët e fundit një problem shumë i vështirë. Toka e varfër nuk është në gjendje të ushqejë banorët e tij. Përveç kësaj shpërngulja e popullsisë nga 1912-a deri më 1931 është rritur me 16%. Ky element i shqetësuar blegtor në shekuj i ka dhënë bagëti gjithë racës sonë. Energjitë e tij, të kanalizuara mirë nuk do të jenë destruktive, përkundrazi do të mund të përdoren me interesin e përgjithshëm shtetëror, në qoftë se do të orientohen në drejtim të juglindjes.


PËRMBLEDHJE


Është e pamundur të mposhten arnautët vetëm me anë të kolonizimit gradual. Ata janë i vetmi popull i cili ka mundur, në njëmijë vjetët e fundit, jo vetëm t’i rezistojë bërthamës së shtetit tonë, Rashkës e Zetës, por edhe t’i shkaktojë dëme lëvizjes së kufijve tanë etnike në veri e lindje. Ndërsa kufiri ynë etnik në njëmijë vjetët e fundit është matur në veri deri në Suboticë, në veriperëndim, deri në Kupa, arnautët na ndoqën ne nga zona e Shkodrës, kryeqendra e dikurshme e Budovinës, nga Metohia e Kosova. E vetmja mënyrë e i vetmi mjet rrugëdaljeje është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar, gjë në të cilën kemi qenë gjithmonë mbi ta. Nga 1912 e këtej nuk kemi pasur sukses në luftën me ta. Fajin e kemi vetë se atë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet. Për ndonjë farë nacionalizimi të tyre në favorin tonë as që duhet bërë fjalë. Përkundrazi në mbështetjen tek Shqipëria zgjohet ndërgjegjja e tyre kombëtare dhe në qoftë se nuk i rregullojmë punët në kohë, për 20-30 vjet do të kemi një irredentizëm të tmerrshëm, shenjat e të cilit vërehen që tani, gjë që pa dyshim do të verë në pikëpyetje gjithë pronat tona në jug.


PROBLEMI NDËRKOMBËTAR I SHPËRNGULJES (EMIGRIMIT)


Kur nisemi nga pikëpamja se zmbrapsja graduale e arnautëve nga kolonizimi ynë shkallë-shkallë është joefikase, si rrugë e vetme ngelet shpërngulja në masë. Dy shtete hyjnë në llogari në këtë rast, Shqipëria dhe Turqia.
E banuar rrallë, me shumë këneta të pa thara e lugina shkëmbore të parregullta, Shqipëria do të ishte në gjendje të pranojë nja 100 mijë të shpërngulur arnautë tanët. Turqia moderne, me hapësira të mëdha në Azinë e Vogël e në Kurdistan akoma të pabanuara, të pa kultivuara, ofron një mundësi të pakufizuar për një kolonizim të brendshëm. Nga ana tjetër, me gjithë përpjekjet e Qemal Ataturkut, turqit akoma nuk e kanë mbushur boshllëkun që u krijua me emigrimin e grekëve nga Azia e Vogël dhe të një pjese të kurdëve në Persi. Prandaj puna më e mirë do të ishte që atje të dërgonim numrin më të madh të të shpërngulurve tanë arnautë.

Në fillim theksojmë se në përçapjet diplomatike nuk duhet të kufizohemi vetëm në Ankara, por duhet të përdoren të gjitha mjetet që edhe Tirana të bindet për të pranuar një pjesë të të shpërngulurve tanë. Besojmë se në Tiranë do ta kemi të vështirë, atje do të jetë Italia, e cila do të na pengojë, por paraja në Tiranë luan një rol të madh. Me rastin e bisedimeve mbi këtë çështje duhet t’i bëjmë të ditur qeverisë shqiptare se ne nuk do të trembemi nga asgjë për zgjidhjen definitive të këtij problemi e njëkohësisht t’i vëmë asaj në dukje subvencione për kolonizimin, mbi të cilat nuk do të kryhet kontroll. Mundësisht nëpërmjet kanaleve të fshehta, të angazhojmë njerëz me influencë në Tiranë që të mos i kundërvihen kësaj çështjeje. Turqia, siç thuhet, është dakord që fillimisht të pranojë rreth 200 mijë të shpërngulur nga tanët dhe thekson se është më mirë për ne që ata të jenë arnautë. Dëshirën e turqve duhet ta pranojmë pa diskutim dhe sa më parë të lidhim konventën për shpërnguljen. Me rastin e shpërnguljes duhen studiuar konventat që ajo ka lidhur vitet e fundit për këtë çështje me Greqinë, Rumaninë e Bullgarinë dhe të përqendrojmë vëmendjen në dy drejtime; nga ajo të kërkojmë që të pranojë një kuotë sa më të madhe, kurse nga pikëpamja financiare t’ia plotësojmë dëshirën sa të jetë e mundur e më shumë, veçanërisht të rregullojmë çështjen e transportit sa më shpjet.
S’ ka dyshim që kjo çështje do të shkaktojë dhe ca turbullira ndërkombëtare, të cilat janë të pashmangshme në raste të tilla. Sa herë që kanë ndodhur gjëra të tilla në Ballkan, njëqind vjetët e fundit, gjithmonë është gjetur një forcë që ka protestuar, pasi kjo gjë nuk ka qenë në interes të saj. Në këtë rast këto mund të jenë Italia e Shqipëria. Për Shqipërinë thamë se duhet punuar për konventë me të për këtë çështje dhe në qoftë se nuk ja arrijmë kësaj, duhet të paktën të bëjmë aq sa ata ta shikojnë pa u ndjerë shpërnguljen për në Turqi. E përsërisim se veprimet e zhdërvjellëta në Tiranë, si dhe paraja e përdorur siç duhet, mund të jenë vendimtare në këtë çështje.
Opinioni publik botëror do ta ngeje pak zërin, veçanërisht ajo pjesë që është financuar nga ana e Italisë. Sot bota është mësuar edhe me gjëra të këqija dhe aq shumë është e zënë me telashet e përditshme,  sa që nga kjo anë s’duhet të trembemi shumë. Kur mundet Gjermania të shpërngulë 10 mijë çifutë, Rusia të hedhë miliona nga një kontinent në tjetrin, nuk ka për t’u bërë ndonjë luftë botërore për shkak të disa qindra mijë arnautëve të shpërngulur. Vetëm se autoritetet tona duhet të dinë çfarë është e nevojshme që kjo të realizohet me këmbëngulje dhe pa marrë parasysh pengesat e mundshme ndërkombëtare.
Italia, pa dyshim, do të nxjerrë më shumë pengesa, por ajo sot është shumë e preokupuar me problemet e saj lidhur me Abisininë, si dhe Austrinë, kështu që nuk do të guxonte të shkonte shumë larg në rezistencën e saj. Të themi të drejtën, rreziku më i madh është se mos përzihen aleatët tanë të mëdhenj, Franca dhe Anglia. Atyre duhet t’u përgjigjemi me gjakftohtësi e vendosmëri e t’u bëjmë të qartë se sigurimi i linjës Moravë-Vardar është në interes të tyre, gjë që u pa edhe gjatë luftës së fundit të madhe dhe ajo do të jetë e sigurt edhe për ne edhe për ata vetëm atëherë kur ne të zotërojmë nga pikëpamja etnike viset rrethe malit të Sharit dhe Kosovën.


MËNYRA E SHPËRNGULJES


E kemi thënë se për ne është efikase shpërngulja e arnautëve nga trekëndëshi i tyre vetëm në masë. Por që të arrihet deri tek shpërngulja në masë kushti i parë është krijimi i psikozës së përshtatëshme. Ajo mund të krijohet në shumë mënyra. Dihet që masat muslimane në përgjithësi i nënshtrohen shumë lehtë ndikimit, sidomos atij fetar, pasi besojnë shpejt dhe janë fanatikë. Prandaj duhet që së pari, për shpërnguljen, midis shqiptarëve të bëjmë për vete klerin e tyre dhe parinë me influencë, ose me para ose me kërcënime. Duhet sa më shpejtë të gjejmë agjitatorët, të cilët do të bëjnë agjitacion për shpërnguljen, aq më mirë po të donte vetë Turqia të na i jepte këta. Ata duhet të përshkruajnë bukurinë e viseve të reja në Turqi, jetën e lehtë e të këndshme atje, të ndezin në masa fanatizmin fetar dhe të zgjojnë te ata krenarinë e shtetit turk. Shtypi jonë mund të bëjë shërbime të mëdha, duke përshkruar shpërnguljen e rehatshme të turqve nga Dobruzha dhe vendosjen e tyre për bukuri në krahinat e reja. Me këto përshkrime do të krijohej tek masat tona arnaute predispozicioni i nevojshëm për shpërngulje.
Një mjet tjetër do të ishte presioni i aparatit shtetëror. Ai duhet t’i shfrytëzojë në maksimum ligjet, në mënyrë që t’ua mërzisë sa të jetë e mundur më shumë arnautëve jetesën tek ne: gjobat, burgimet, zbatimin e pamëshirshëm të dispozitave policore mbi dënimin e kontrabandistëve, prerjen e pyjeve, lëshimin e qeneve, punën angari dhe gjithë mjetet e tjera që është në gjendje të gjejë një polici praktike. Nga pikëpamja ekonomike, mosnjohjen e tapive të vjetra, punën në kadastra në ato vise duhet t’i përfshijë menjëherë futja e rreptë e tatimeve dhe e gjithë borxheve shoqërore e private, marrja e gjithë kullotave shtetërore, e kullotave komunale, anulimi i koncesioneve, i lejeve të punës, dëbimi nga shërbimet shtetërore, private e autonome etj. Të gjitha këto do të bëjnë që të fillojë shpërngulja.
Masat sanitare: zbatimi i detyruar i gjithë dispozitave edhe nëpër shtëpitë, shkatërrimi i mureve dhe prerja e pemëve të mëdha rreth shtëpisë, aplikimi i rreptë i masave veterinare, të cilat do të pengojnë daljen e bagëtisë në pjacë etj. Duhet gjithashtu që këto masa të zbatohen në mënyrë praktike dhe me efikasitet. Ndaj çështjeve fetare arnautët janë shumë të ndjeshëm, prandaj në këtë drejtim duhet t’ua prekim telat. Këtë mund ta arrijmë me dredhitë e klerit, me prishjen e varrezave, me ndalimin e poligamisë dhe në mënyrë të veçantë me zbatimin e rreptë të ligjit që edhe vajzat duhet të vazhdojnë shkollat fillore, kudo që të ketë shkolla.
Edhe iniciativa private në këtë çështje mund të bëjë shumë. Kolonistëve tanë, sipas nevojës, duhet t’u ndajmë armë. Në ato vise duhet futur aksioni i vjetër çetnik dhe besojmë që ky do t’i ndihmojë në detyrat e tyre. Sidomos duhet lëshuar një valë malazezësh nga kodrat që të shkaktojnë një konflikt masiv me arnautët në Metohi. Nëpërmjet njerëzve të besuar ky konflikt duhet përgatitur, i duhet dhënë atij nxitje në mënyrë që të jetë më e lehtë për të menduar se arnautët kanë ngritur krye, kurse me gjakftohtësi gjithë rastin duhet ta paraqesim si grindje midis vëllezërish e fisesh dhe, sipas nevojës t’i japim atij karakter ekonomik. Shumë-shumë këto mund të shkaktojnë edhe kryengritje lokale, të cilat di të shuheshin në mënyrë gjakatare me mjetet më efikase, po jo aq me anë të ushtrisë sesa me kolonistë, fise malazeze e çetnikë.

Ngelet edhe një mjet tjetër, të cilin Serbia në mënyrë shumë praktike e ka përdorur pas vitit 1878; djegia e fshatrave dhe e lagjeve arnaute nëpër qytete.


ORGANIZIMI I SHPËRNGULJES


 Nga harta bashkëngjitur (harta mungon – shënim i përkthyesit) shihet se cilët rrethe duhet të shpopullojmë. Këto janë malësitë e Dibrës, Pollogu i Poshtëm e i Sipërm, malësitë e Sharit, Drenica, Stavica, Vuçiterna, Llapi, Graçanica, Nerodina, Gjakova, Podrima, Peja, Istogu, Gilani e Kaçaniku. Nga këto rrethe të cilët të gjithë se bashku përbëjnë tehun (pykën) shqiptare, për ne të rëndësishëm në këtë moment janë ato të Pejës, Gjakovës, Podrimës, Gorës, Sharit, Istogut e Drenicës në veri të malit të Sharit. Këto janë rrethe kufitare dhe ato me çdo mënyrë duhet t’i shpopullojmë. Rrethet e brendshme Keçaniku, Gilani, Herodina, Graçanica, Llapi, Vuçiterna duhet, brenda mundësive, të dobësohen, veçanërisht Kaçaniku e Llapi, kurse të tjerët t’ia lëmë kolonizimit gradual e sistematik, i cili do të bëhet në vazhdim të disa dhjetëvjeçarëve. Mjetet e lartpërmendura duhet t’i përdorim në radhë të parë në rrethet kufitare, nëqoftëse dëshirojmë që t’i shpopullojmë ato. Gjatë popullomit duhet të kihen parasysh çështjet e mëposhtme:
Në radhë të parë duhet të bëhet shpopullimi i fshatrave dhe pastaj i qyteteve. Fshatrat janë më të stabilizuar dhe për këtë arsye edhe më të rrezikshëm. Në asnjë mënyrë nuk duhet rënë në gabimin që të shpërngulen vetëm të varfrit. Shtyllën kurrizore të çdo populli e përbën shtresa e mesme dhe të pasurit dhe ata duhet t’i ndjekim e t’i shpërngulim. Të varfrit, pa mbështetjen e bashkëpatriotëve të tyre të pavarur ekonomikisht, mposhten lehtë. Kjo është një çështje mjaft e rëndësishme të cilën e theksoj, sepse një nga shkaqet e mëdha të mossuksesit të kolonizimit tonë në jug është se janë shpërngulur të varfrit, ndërsa të pasurit kanë mbetur në vend. Për këtë arsye kemi ngelur në vend dhe kemi fituar shumë pak hapësirë për vendosjen e kolonistëve tanë. Gjatë krijimit të psikozës për shpërnguljen duhen bërë përpjekje që të lëvizin fshatra të tërë ose, të paktën familje të tëra. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që një pjesë e familjes të shpërngulet, kurse pjesa tjetër të mbetet në vend. Shteti ynë nuk do të prishë milionat e veta për t’u lehtësuar jetën arnautëve, por për t’i hequr qafe ata sa të jetë e mundur e më shumë. Për këtë arsye duhet që me çdo kusht të pengohet grumbullimi i pasurive të arnautëve të shpërngulur nga ata që ngelen në vend. Në këtë çështje duhet lidhur shpërngulja e individëve me shpërnguljen e fshatrave të tërë, në qoftë se dëshirojnë të kenë lehtësira gjatë largimit të tyre.
Porsa të pranojnë shpërnguljen, duhet t’u shkohet në ndihmë, duhet t’u thjeshtohet administrimi, t’u paguhen shpejtë pasuritë, t’u jepen pasaporta pa asnjë lloj formaliteti, të ndihmohen për të shkuar deri tek stacioni i parë hekurudhor, t’u vihen në dispozicion trena deri në Selanik dhe në anije të transportohen në Azi. Është shumë e rëndësishme që largimi të jetë i lehtë, i rehatshëm dhe jo i kushtueshëm. Udhëtimi me tren t’u sigurohet, po qe e mundur, krejtësisht falas, ndihma me ushqime gjithashtu, mbasi nga kjo do të varet shumë shpërngulja ose jo e tyre në masë. Frika nga vështirësitë e udhëtimit do të jetë pengesa kryesore për lëvizjen e tyre, gjë që duhet shmangur me çdo kusht duke zgjidhur shpejt dhe energjikisht gjithë çështjet që dalin për transportimin e tyre. Në mënyrë të veçantë duhet pasur kujdes që ata të kenë sa më pak punë në këtë drejtim, pasi njeriu i thjeshtë e ka të vështirë të orientohet në të tilla raste dhe do të ishte mirë që për këtë çështje të studionim sistemin e transportit të punëtorëve nëpërmjet agjencive të mëdha speciale dhe ta zbatonim atë. I shpërnguluri duhet të kalojë në dora në dorë, pa e ndjerë vështirësinë e udhëtimit të tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet lumi i të shpërngulurve arnautë, i cili do të zbrazë jugun tonë nga arnautët.

 

POPULLIZMI I VISEVE TË SHPOPULLUARA

 

Një problem jo më i vogël se ai i shpërnguljes së arnautëve është problemi i popullzimit të viseve që ata do të lenë.
Pyetja e parë që do të bëhet është: Kush do të vendoset atje? Më e natyrshme është që aty të vendoset elementi ynë nga krahinat pasive, në radhë të parë malazez, hercegovas, liçanas e krahishnicas. Malazezët janë më të përshtatshmit për shumë arsye: Metohia, Drenica e Kosova janë pellgu më i natyrshëm për vendosjen nga malet e tyre të varfra. Jetesa e veçuar e popullsisë në Malin e Zi ka sjellë një mjerim, i cili kohët e fundit shkaktoi një lëvizje të fuqishme politiko-shoqërore, të padëshirueshme për pushtetin shtetëror e për të ardhmen e vendit, shumë të rrezikshme për punën dhe paqen në vend. Nuk vlen dhënia e misrit dhe e pensioneve. Detyra e vetme është shpërngulja në krahinat pjellore të Metohisë, Drenicës e Kosovës. Pastaj, të ngjashëm me arnautët nga mentaliteti e karakteri, malazezët janë arma më e mirë për zmbrapsjen e tyre. Ata në radhë të parë duhet t’i përdorim në viset në veri të malit të Sharit, por veç tyre duhet të vendosen edhe një pjesë liçanasish, kraishnicasish si dhe serbëçarçanë, uzhicash e topliçanas. Kjo është e nevojshme për të futur mes tyre konceptin për punën dhe organizimin, në mënyrë që të shkatërrojmë bashkësitë e kolektivat e tyre psikologjikisht malësore, që me përzierjen dhe me kryqëzimin me njerëz nga krahina të ndryshme tonat mund të krijohej një tip i ri malazez më pak lokal, më tepër i përgjithshëm e serb.
Në jug të malit të Sharit duhet t’u bëjmë të mundur një jetë të këndshme kurbetlinjve serbojugorë, që të vijnë në tokat pjellore. Ata janë njerëz të ndershëm e punëtorë dhe do t’i jenë mirënjohës për jetë këtij shteti në qoftë se bën të mundur një jetë të këndshme në fshat. Në përgjithësi fshati serbojugor ka të drejtë të kërkojë më shumë vëmendje dhe kujdes se sa i kushtojmë ne sot. Me vendosjen  e këtyre varfanjakëve në Pollog (i Poshtëm e i Sipërm) e Dibër dhe me dhënien e kullotave atyre në vend të arnautëve, ata do të ndjejnë se ky është shteti i tyre dhe do të dinë të mbrojnë kufijtë e tij.
Pranë tyre, në jug të malit të Sharit dhe të Malit të Zi të Shkupit, mund të vendosen vranjas, leskovacas, piroçanas dhe vllasotiçinas, veçanërisht nga ata të fshatrave malore pasive. E përsërisim edhe një herë se dinarikë nuk duhen lejuar në jug të linjës Mali i Zi i Shkupit – mali i Sharit.
Gjatë popullzimit të fshatrave të braktisura nga arnautët duhet t’i shmangemi ngadalësisë burokratike dhe çikërrimave. Gjëja e parë që duhet bërë është që kolonistët të marrin tapinë e pronës ku vendosen. Një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë të sotshëm ka qenë se kolonisti ishte i pasigurte në pronën ku u vendos, pasi nuk mori menjëherë tapinë dhe prandaj ishte fare i pambrojtur para batakçillëqeve të nëpunësve e politikanëve të pandërgjegjshëm. Fshatari ndihet i sigurt në pronën vetëm atëherë kur e di se prej saj atë nuk mund ta lëvizë njeri. Prandaj kjo garanci atij i duhet dhënë menjëherë. Por është po kaq e rrezikshme t’i japësh të ardhurit të drejta të plota mbi pronën.
Parimisht pronat e kolonisë kanë misionin e tyre shtetëror e kombëtar dhe ai që i ka marrë ato duhet ta kryejë këtë mision, prandaj ai nuk mund të ketë dispozita të pakufishme mbi këtë pronë. Meqë këtu ka shumë njerëz ose proletarë fshati të cilët e kanë humbur ndjenjën për tokën, ose barinj që duhet të mësohen me ekonominë bujqësore, ata me forcën e ligjit, formalisht duhen lidhur me tokën. Kjo me qëllim që ta duan vatrën e re dhe tokën e re, në qoftë se jo vetë ata, të paktën fëmijët e tyre. Të paktën për 30 vjet duhet t’u ndalohet kolonistëve posedimi i lirë i tokës, edhe po qe se atyre u jepet menjëherë tapia që vërteton se janë pronarë të saj. Sipas të drejtës tonë zakonore gruaja nuk ka pasur të drejtën e trashëgimisë së tokës. Që të evitojmë copëtimin e këtyre pronave të vogla, duhet që tokën që i takon të ardhurit ta ndajmë nga trashëgimi i gruas, veç rasteve kur kolonistët nuk kanë djem, në mënyrë që të mos u a sjellë dhëndri. Pronat që u janë dhënë kolonistëve deri tani kanë qenë të vogla. Duke pasur parasysh mënyrën ekstentive të punimit të tokës, rënien e çmimeve të prodhimeve bujqësore, si dhe fëmijët e shumtë tek kolonistët, del se pronat 5-10 ha nuk janë në gjendje që t’u krijojnë kolonistëve kushtet për një zhvillim ekonomik të sigurt. Është më mirë që në një krahinë të vendoset një numër më i vogël kolonistësh me kushte më të mira për zhvillim, se sa një numur i madh fshatarësh gjysëmproletarë. Edhe ky është një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë të deritanishëm edhe në jug edhe në veri.
Rrallë ndodh që një popull të ketë një element kaq bujar për një kolonizim në kushte nga më të vështirat, siç kemi ne. Në sajë të këtyre veçorive kolonizuese të racës sonë është arritur edhe ai pak sukses i kolonizimit tonë. Vetëm fshatari ynë, i hedhur në korijet e tokat djerr, në vise të huaja dhe në rrethana aq të vështira, ka qenë në gjendje të realizojë kolonizimin në një farë shkalle. Çfarë do të ishte në gjendje vallë të bënte ai, sikur shteti t’i jepte ato që kishte për detyrë për t’i dhënë?
Më 10 shkurt 1865 qeveria e prin Mihajlit nxori “ligjin mbi vendosjen e të huajve në Serbi”. Sipas tij qeveria serbe i jepte banorëve të varfër të tokave përreth 3 jutra tokë të punueshme, 3 jutra të pa punueshme, shtëpi, dy qe, qerre, deri në dy dhi ose dhen, një dosë, takëmet e nevojshme dhe 120 groshë para në dorë. Veç këtyre, kuptohet, edhe miell misri deri në korrjen e parë. Në çdo dy familje jepej një plug. Kolonistët merrnin pasuri të tundshme e të patundshme për shfrytëzim, pa të drejtë shitjeje, deri në 15 vjet. Me kalimin e afatit prona bëhej e tyre. Kolonistët për 5 vjet ishin të liruar nga taksat e shtetit, 10 vjet nuk merreshin në shërbim të detyruar ushtarak të përgjithshëm dhe 5 vjet në ushtrinë popullore. Jehona nga të gjitha viset ishte e tillë, sa për disa muaj gjithçka u plotësua dhe u bë një kolonizim më i madh nga ai që kemi bërë ne për disa vjet pas luftës.
Sikur të gjitha këto t’ua jepte shteti kolonistëve pas vitit 1918, ndryshe do të ishim ne sot edhe në Vojvodinë edhe në Serbinë Jugore. Kështu duhet vepruar në të ardhmen, në qoftë se duam që të kemi sukses.
E studiuar është edhe mënyra e kolonizimit të Toplicës e Kosanicës pas vitit 1878, kur arnautët i braktisën ato vise. Me ligjin e 3 janarit 1880 u rregullua mënyra e popullzimit të atyre krahinave. Më 3. 2 të atij viti Skupshtina Popullore shpalli ligjin mbi rregullimin e marrëdhënieve agrare sipas parimit “toka fshatarit”. Pa asnjë lëkundje Serbia përgatiti huan e saj të parë për t’i paguar Turqisë tokat e marra (e zëna).
Nuk krijoi kurrfarë ministrie të reformës agrare apo aparat kolonizimi të kushtueshëm, veçse gjithçka e bë në mënyrë shumë praktike. Autoritetet policore ua ndanë tokat gjithë atyre që dëshironin ta punonin atë. Erdhën malazezët, sienicasit, vranjasit, kosovarët e pejanët dhe 30 vjet pas 1878-ës Toplica dhe Kosanica, dikur të quajtura me përçmim arnautlluk, i dhanë Serbisë në luftrat nga 1912 deri në 1918 regjimentin më të mirë, të Dytin e Hekurt. Toplica dhe Kosanica, me gjakun e bijve të tyre në ato luftëra, i paguan e i stërpaguan ato disa dhjetra milionë dinarë që harxhoi Serbia për popullzimin e tyre.
Vetëm duke ndjekur këtë shembull, duke ditur çfarë kërkohet, pa kursyer as paranë as gjakun, shteti ynë do të mund të krijojë një Toplicë të re prej Kosovës e Metohisë.
Kolonistëve, pra, u duhen siguruar të gjitha kushtet e jetesës për disa vjet, në qoftë se duam që ata të qëndrojnë atje. Duhet të shtypim pa mëshirë çdo spekulim me shtëpitë dhe pronat e arnautëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruajë për vete të drejtën fuqiplote të posedimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme të të shpërngulurve dhe menjëherë pas largimit të tyre të vendosë kolonistët e vet. Në fshatra të tilla në parë duhen futur malazezët. Si njerëz guximtarë, agresivë e brutalë ata me dyndjen e tyre do t’i detyrojnë mbeturinat e arnautëve të shpërngulen dhe atëherë do të çojmë edhe kolonista nga krahina të tjera.
Në këtë referat trajtohet vetëm problemi i kolonizimit të Serbisë Jugore. Jo më pak i rëndësishëm për ne është edhe problemi i Vojvodinës, veçanërisht i trekëndëshit hungarez në Paçkë-Sent Kull-Baçkë Topol. Të shkatërrosh atë në Vojvodinë është njësoj sikur të shkatërrosh bllokun shqiptar rreth malit të Sharit. Pas ndarjes së pronave të mëdha, ngelën atje dhjetëra mijë punëtorë hungarezë të bujqësisë, të cilët sot në pjesën më të madhe i janë bërë barrë fshatarit të mesëm serb e gjerman në Vojvodinë. Këta punëtorë dhe pronar të vegjël hungarez e gjermanë duhet t’i nisim pjesërisht për në jug, pasi në Baçkë në kufirin hungarez, ata janë të rrezikshëm, aq më tepër që serbët në Baçkë mezi përbëjnë 25% të popullsisë. Më poshtë, në Serbinë Jugore, duke ruajtur pronat e tyre nga Shqipëria, ata do të shndërrohen në elementë konstitucionalë shtetërorë, do të humbin në masën tonë dhe ç’është më e rëndësishme, duke qenë më përparimtarë dhe me të kulturuar se njerëzit tanë, do t’u shërbejnë atyre si shembull për perfeksionimin e metodave të punimit të tokës. Në mënyrë të veçantë theksojmë se nuk duhen vendosur në jug serbë nga Vojvodina. Në Vojvodinë ka akoma tokë për kolonizim dhe atyre atje duhet t’u japim. Theksojmë se më 1928-1929 filloi tek hungarezët e gjermanët e Vojvodinës lëvizja për shpërnguljen së Serbisë Jugore, por publiku ynë jo i zgjuar, duke mos njohur problemet, u ngrit kundër saj dhe e shuajti këtë lëvizje që në embrion. Një përpjekje të dytë në këtë drejtim duhet patjetër ta pengojmë dhe duhet t’i japim orientim opinionit tonë publik që të inkurajojë shpërnguljen e hungarezëve e të gjermanëve nga Vojvodina, veçanërisht nga Baçka në Jug.


TEKNIKA E KOLONIZIMIT


Me rëndësi të dorës së parë për zgjidhjen e çështjes në fjalë është aparati që do të drejtojë gjithë punën. Mbi aparatin e keq, që ka drejtuar deri më sot politikën tonë të kolonizimit, bie një pjesë e mirë e fajit për mossukseset tona të deritanishme. Që kjo të evitohet në të ardhmen, duhet të bëjmë një riorganizim.
Asnjë punë nuk kërkon aq vazhdimësi në drejtim sa kolonizimi. Ne theksuam se një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë në veri e jug është pavazhdueshmëria në drejtimin e punëve dhe ndryshimi i politikës me ndërrimin e qeverive. Që kjo të evitohet në të ardhmen, kolonizimin duhet t’ia besojmë Shtabit të Përgjithshëm. Ja përse: Për arsye thjesht mbrojtëse ushtria jonë ka interes që në kufi, në një masë të konsiderueshme, të vendoset elementi i saj. Për këtë ajo do të punojë që të sigurojë kufijtë me një kolonizim sa më të fortë. Shtabi i Përgjithshëm, si institucion kryesor i mbrojtjes kombëtare, mund t’i japë shumë gjithë politikës sonë të kolonizimit. Shtabi i Përgjithshëm do të dijë të mbrojë zbatimin e drejtë të politikës sonë kolonizuese nga ndërmjetësit privatë e nga gjithë influencat e mundshme të të tjerëve. E rëndësishme është që ta kemi të lehtë edhe për të bindur personat përgjegjës mbi rëndësinë e çështjes dhe t’i nxisim ata të marrin vendime efikase. Edhe Skupshtina Popullore do t’i besojë më shumë ata dhe do të japë kreditë e nevojshme.
Gjithë punën Shtabit të Përgjithshëm   do të mund ta drejtonte nëpërmjet Komitetit Shtetëror për kolonizimin. Ky komitet të jetë krejtësisht autonom dhe nën mbikëqyrjen direkte të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kurse nën pushtetin e vet të kishte një organizatë të tërë të kolonizimit tonë. Në këtë komitet  të futeshin përfaqësuesit e ministrive të veçanta të interesuara e të shoqatave kombëtare, të organizatave profesionale dhe institucioneve shkencore.
Një e metë e madhe e politikës tonë kolonizuese qëndronte në faktin se në të fjalën kryesore e kishte burokracia e paspecializuar, e cila i zgjidhte çështjet në mënyrë të pjesshme dhe pa i studiuar thellë. Le të kujtojmë vetëm popullzimin e optimasve (njerëzit që kanë të drejtë të zgjedhin vetë shtetësinë e tyre, me anën e optimit – shënim i përkthyesit) hungarezë në Ofiçe Polje (Fusha e Dhenëve) ose emigrantët nga Istra e Gorica të vendosur rreth Demir Kapisë. Prandaj është e nevojshme lidhja organike, në politikën tonë të kolonizimit, midis pushtetit shtetëror, iniciativave private dhe institucioneve shkencore. Iniciativa private mund të bëjë mjaft në shumë drejtime. Mbrojtja popullore, shkollat, shoqatat çetnike etj. mund të marrin mbi vete zgjidhjen e punëve midis arnautëve, për të cilat nuk do të ishte me vend të angazhohej pushteti. Shoqatat e agronomëve, mjekëve, inxhinierëve, të kooperativave etj. mund t’u shërbejnë në mënyrë vendimtare këshillave të tyre teknike në zgjidhjen e problemeve të shumëllojshme që do të dalin gjatë realizimit të kolonizimit. Edhe shoqatat kulturore si “Prosveta” (arsimi) në Sarajevë, “Matica Srpska” (shoqata letrare serbe) në Novi Sad, shoqëria “Sv. Save” (Shën Sava) në Beograd etj. kanë gjithashtu detyrat e tyre në këtë çështje.
S’ka dyshim që institucionet tona të larta shkencore po fillojnë, kohët e fundit, ta humbin famën që kanë patur dikur. Shkaku kryesor për këtë është se universitetet dhe Akademia jonë e Shkencave gjithmonë e më tepër po largohen nga jeta reale dhe lenë pas dore detyrën e tyre kryesore në një vend relativisht të prapambetur si yni: hapjen e rrugëve për aplikimin e arritjeve shkencore të shekullit XX. Shumë miliarda do të ishin kursyer në këtë vend, shumë gabime do të ishin evituar në politikën tonë shtetërore dhe kolonizuese, në qoftë se problemet, para se të fillonin të zgjidheshin, do të studioheshin në mënyrë serioze dhe objektive nga punonjësit shkencorë kompetentë. Edhe në politikën tonë të kolonizimit do të ishte futur më shumë seriozitet e vazhdimësi në punë, si dhe efikasitet në realizim, në qoftë se qysh më parë do të ishin pyetur njerëzit kompetentë dhe punonjësit shkencore. Akademia e Shkencave e Mbretërisë së Serbisë dhe Universiteti i Beogradit janë më kompetentët për të marrë përsipër iniciativën për organizimin shkencor të studimit të të gjithë problemit të kolonizimit tek ne. Kjo do të ishte e mundur për shumë arsye. Në universitet kemi ekspertë për të gjitha çështjet që janë lidhje me kolonizimin. Pedagogët e universitetit dhe akademikët janë punonjës shoqërorë të pavarur, që i nënshtrohen më pak influencës politike të jashtme. Ata tanimë kanë edhe art për punë të tilla, kurse akribia (observim shumë i kujdesshëm i rregullave metodike të një studimi, kërkimi etj. – sqarim i përkthyesit) e tyre shkencore është një objektivitet i garantuar. Prandaj ata do të mundin të merrnin iniciativën për krijimin e një instituti për kolonizimin, detyra e të cilit të ishte që të merrej me studimin e kolonizimit. Pushteti shtetëror nga ana e tij të ndante nga ministri të veçanta, për gjithë institucionet që janë marrë deri tani me këto çështje, një nëninstitucion të veçantë; “Inspektoratin për kolonizimin”. Në krye të inspektoratit për kolonizimin të qëndrojë inspektori i përgjithshëm i vendosur me dekret sipas propozimit të ministrit, shefit ushtarak të Shtabit të Përgjithshëm e të kryetarit të qeverisë. Gjithë puna në institutin për kolonizimin dhe në inspektoratin për kolonizimin të bëhet nën mbikëqyrjen dhe sipas udhëzimeve të komitetit shtetëror, kurse inspektori i përgjithshëm të varet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Instituti për kolonizimin të ndahet në seksionet: 1) I organizimit, 2) I arsim-kulturës, 3) I financës, 4) I bujqësisë, 5) I ndërtimit, 6) I higjienës etj. Seksionet, në marrëveshje me shoqatat e institucionet tekniko-shkencore e arsimor-kulturore kombëtare, të studiojnë problemet e kolonizimit dhe të formulojnë direktivat, duke i dhënë kështu politikës tonë të kolonizimit një material solid, shkencërisht të përpunuar, për realizimin e vendimeve.
Në krye të këtij instituti të vihen njerëz nga këshilli shtetëror, i përbërë ky nga përfaqësuesit e ministrive të përmendura, përfaqësuesit e ministrive të përmendura, përfaqësuesit e universiteteve e të Akademisë së Shkencave dhe nga ata të organizatave kombëtare private e arsimor-kulturore, të cilat do të futen që më parë në këshill. Me këtë rast duhet pasur kujdes që të mos futen njerëz për hir të respektit që gëzojnë, por njerëz që do të dinë ta kuptojnë dhe ta duan këtë punë.
Drejtorët dhe nëpunësit e instituteve të zgjidhen me konkurs. Instituti t’i japë inspektoratit për kolonizimi një material të përpunuar nga pikëpamja shkencore për realizimin e politikës së kolonizimit. Në rast se ka ndryshime në mendime midis inspektoratit të kolonizimit dhe institutit të kolonizimit për çështje të veçanta me rëndësi, fjalën vendimtare e thotë shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Inspektorati për kolonizimin mund të kishte organet e tij ekzekutive në terrenin e vet, të zgjedhura, pa marrë parasysh në se janë apo s’janë në shërbimin shtetëror, nga njerëz të frymëzuar e të pregatitur për këtë punë.
Prandaj duhet që, brenda mundësive, të bëhen zgjedhjet me konkurs, emërimet të bëhen sipas propozimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kurse kuadri i kompromentuar e i paspecializuar të hiqet. Gjatë punë së inspektoratit dhe të organeve të tij i duhet shmangur sa të jetë e mundur e më shumë formalizmit burokratik; duhet pasur parasysh vetëm një gjë: sa më shpejt të shpërngulim arnautët e të vendosim kolonistët tanë.
Aparati policor do të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Prandaj është e nevojshme të zgjedhim nëpunësit më energjikë, por edhe më të ndershëm dhe t’i dërgojmë atje. Transferimin e tyre duhet ta bëjmë me miratim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe për një punë kaq të vështirë ata të shpërblehen posaçërisht nga fondet sekrete. Nga ana tjetër duhet vepruar me rreptësi ndaj cilitdo që merret me punë të pandershme, sado të vogla qofshin.
Për gjithë territorin e 18 rretheve të përmendura duhet vendosur një komisar i veçantë, i cili do të zbatojë urdhrat e inspektoratit të shtetit për kolonizimin.
Prefektëve të rretheve u duhen dhënë plotëfuqi të veçanta për punën, kuptohet veç këtyre edhe instruksione të veçanta. Partive tona politike u duhet thënë me vendosmëri se në ato rrethe nuk duhet të ketë lëvizje partizane dhe se është absolutisht e ndaluar çdo ndërhyrje e deputetëve në favor të arnautëve.
Vetë teknikën e organizimit të shpërnguljes së arnautëve e të vendosjes së kolonistëve tanë e ka për ta punuar instituti shtetëror dhe inspektorati për kolonizimin. Mendojmë se nuk do të ishte keq që pranë këtyre dy institucioneve zyrtare të themelonim edhe një organizatë private, e cila të mbështeste shoqatat ekzistuese dhe të kishte për detyrë që me anë të iniciativës private të ndihmojë realizimin e politikës sonë kolonizuese. Më mirë do të ishte sikur këtë punë tonën ta merrte lidhja e shoqatave tona arsimor-kulturore. Ajo do të kujdeset për koordinimin e punës së shoqërive private me politikën kolonizuese të shëtit dhe do të shërbejë si lidhje midis tyre dhe institutit për kolonizim.


MJETET FINANCIARE

Sa herë që tek ne është kritikuar politika jonë e kolonizimit për mossukses, mbrojtësit e saj gjithmonë janë justifikuar me mjetet e pakta financiare që ka vënë shteti në dispozicion për këtë punë. Nuk mund të themi se kjo s’është e vërtetë, deri në njëfarë mase, edhe pse në të njëjtën kohë mund të pranohet që tek ne për këtë çështje më shumë para janë harxhuar për vetë aparatin dhe për punën joracionale që është bërë, sesa për vetë kolonizimin. Megjithatë në qoftë se shteti nuk duhej të jepte gjë, ai edhe nuk ka dhënë.
Çdo shtet ka interesat e tij primare e sekondare. Në interesat primare futet, padyshim edhe detyra e shtetit që me kolonizimin e elementit të vet në krahinat e pasigurta nga pikëpamja kombëtare të sigurojë edhe pushtetin e vet në ato vise.
Bashkë me këtë obligim futen edhe gjithë detyrimet e tjera. Për një punë të tillë paraja duhet dhe mund të gjendet. Përmendëm më sipër shembullin e Serbisë në rastin e kolonizimit të Toplicës e Koscanicës dhe interesin e garantuar që ajo pati prej tij. Kur Mbretëria e vogël e Serbisë nuk u tremb nga shpenzimet e mëdha financiare, as nga fakti se si një mbretëri e lirë dhe pavarur huan e parë të huaj e përdor për kolonizimin, atëherë nuk është vallë në gjendje ta bëjë këtë Jugosllavia jonë e sotme? Ajo mund dhe duhet ta bëjë dhe nuk është e vërtetë që s’ka mjete për këtë. Para së gjithash duhet të provojmë në mënyrë të përafërt sa do t’i kushtonte shtetit tonë shpërngulja e 200.000 arnautëve dhe vendosja e po aq kolonistëve tanë.
Shpërngulja e 40.000 familjeve arnaute, duke marrë mesataren për çdo familje 5 vetë, kurse shpenzimet për familje mesatarisht 15.000 dinarë, do të kushtonte maksimumi 600 milionë dinarë. Shpenzimet e kolonizimit për vendosjen e 40 mijë familjeve tona mund të arrijnë maksimumin 200 milion dinarë. Është e pamundur që për gjithë këtë punë të harxhohen më shumë se  800 milion dinarë. Ja pse:

1. Arnautët e shpërngulur do të lenë jo vetëm tokën por edhe shtëpitë e veglat. Kështu që do të jetë e mundur që pjesën më të madhe të kolonistëve tanë jo vetëm ta vendosim në shtëpitë e arnautëve, por me një ndihmë të vogël në bagëti e ushqim ata do të bëhen menjëherë shumë aktivë e të pavarur. Edhe në këtë rast theksojmë se ne nuk duhet të lejojmë spekulime private me pronat e arnautëve; ato, pra duhet t’i marrë shteti dhe t’ua japë kolonistëve.

2. Me rastin e krijimit të kolonive të reja, atje ku do të lindë nevoja, duhet të përdorim forcën ushtarake, siç ishte rasti i ndërtimit të Sremska Raqes dhe i ndërtimit të fshatrave të shkatërruara nga tërmeti në jug gjatë vitit 1931. Për këtë punë t’i japim ushtrisë autorizimin e mundësi që me thirrjen e rezervistëve në shërbim ose me zgjatjen e afatit të shërbimit ushtarak të krijojë ndonjë lloj shërbimi të detyruar pune, për qëllime publike, siç krijoi Stamboliski në Bullgari “Trudova Povonost” dhe Hitleri në Gjermani “Arbajt Adinst”. Do të ishte mirës sidomos që në këtë punë të fusnim rininë tonë të specializuar pas mbarimit të universitetit. Kështu, duke punuar në një detyrë konstruktive të përgjithshme popullore, shumë prej tyre do të bëheshin realistë dhe do t’i shikonin çështjet më me urtësi. Kjo mund të futej aq më lehtë, sikur t’u jepej përparësi për të hyrë në shërbimin shtetëror atyre të rinjve, të cilët të kenë kaluar një afat të caktuar në procesin tonë të kolonizimit. Kështu di të luftohej edhe papunësia e inteligjencës sonë të re, e cila ngelet gjithmonë e më tepër një problem i vështirë shoqëror tek ne.

3. Në marrëveshje me shoqatat e organizatat profesionale duhet kërkuar mënyra më pak e kushtueshme e shpyllëzimit, e vaditjes, e tharjes së kënetave etj. si dhe e ndërtimit të shtëpive. Ndërmarrjeve private, lidhur me furnizimin e materialeve, duhet t’u bëjmë të ditur se nga shteti mbrohen aq shumë tarifat doganore e hekurudhore, kreditë dhe mjetet e tjera, sa që ai ka të drejtë që në çdo lloj pune të kërkojë prej tyre të japin material me përfitim sa më të vogël. Çështja e furnizimit të materialeve duhet kartelizuar dhe shteti do të përcaktojë si sasinë ashtu edhe cilësinë e çmimin e materialeve, në marrëveshje me to, pa liçitacione fiktive (liçitancion – ankand, shitblerje me anë ankandi, - shënim i përkthyesit). Ndërmarrjet shtetërore, hekurudhore, sidomos ndërmarrje pyjore, si Shipadi, duhet të vihen krejtësisht në dispozicion të komitetit shtetëror për kolonizimin.

4. Me rastin e zbatimit të kolonizimit, shteti mund t’u japë kolonistëve prona me kredi ose me para në dorë. Do të ketë shumë nga ata që do të blejnë pronë në krahinat e reja, pasi të kenë shitur pronën në vatrën e vjetër. Prej kësaj shteti do të fitojë një pjesë të mirë të parave të tij, të kthyera prapsh.

Theksojmë se pasuria mund t’i shitet vetëm atij që vërteton me dokumente se do të vendoset në atë tokë dhe se do ta punojë atë. Toka e dhënë me kredi nuk duhet të jetë shumë e shtrenjtë, kamata duhet të jetë minimale, afati i pagesës i gjatë e të fillojë disa vjet pas vendosjes, kur kolonisti të jetë forcuar mirë.
Duhet marrë këtë për bazë, shteti mund t’i gjejë mjetet nga dy burime: gjithë shpenzimet për administratën për këtë punë, ai mund t’i marrë mbi vete dhe t’i mbulojë me të ardhurat e tij të rregullta. Ai mund ta bëjë këtë kur shkurton shpenzime të panevojshme, ose tani për tani jo aq të rëndësishme, në vende të tjera.
Burimi i dytë i të hollave mund të jetë huaja që do të japin ose bankat ose shteti vetë, ose në bashkëpunim me kapitalin tonë privat, me anë të huas së brendshme të obligacionit. Si bazë për këtë do të shërbenin detyrimet e nxjerra nga shteti dhe kontributet e kolonistëve, kur këta të bëhen të pavarur.
Nuk do të ishte keq sikur financimin dhe riblerjen e pronave ta bënte banka agrare bashkë me këshillat e kooperativave, nën mbikëqyrjen dhe direktivat direkte të komitetit shtetëror për kolonizimin.
Ndërkohë është e vështirë që të japim mendime të prera që më parë për këtë çështje, pasi nuk dihet se me çfarë kushtesh do t’i pranojë Turqia të shpërngulurit tanë.
Në fund të fundit shuma prej disa qindra milionësh është një shpenzim shumë i vogël për shtetin në krahasim me përfitimet që ai do të ketë në të vërtetë prej kësaj pune. Sigurimi i pikës sonë më të ndjeshme në jug të kolonisë me element kombëtar të huaj na kursen neve në rast lufte disa divizione. Me vendosjen e disa dhjetëra mijë familjeve nga viset tona pasive, veçanërisht nga Mali i Zi, qetësohet aktiviteti i padurueshëm në ato anë, kurse punët e mëdha në kuadrin e kolonizimit do të angazhojnë mijëra punëtorë e do t’i japin jetë ekonomisë sonë të vyshkur.
Për një detyrë të tillë kombëtare; ushtarako-strategjike dhe ekonomike, shteti është i detyruar të sakrifikojë disa qindra mijëra dinarë. Kur mund të shpenzohen miliarda dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga  Subotica deri në Caribrod, nga e cila do të kemi, ka mundësi në një të ardhme të largët, përfitim real, aq më tepër mund dhe duhet të gjejmë disa qindra milionë, të cilat do të na rikthejnë nën posedim djepin e shtetit tonë.


KONKLUZION


Duke pasur parasysh sa më sipër, nuk është e rastit që ne, në trajtimin e problemit të kolonizimit në jug, nisemi nga pikëpamja se mënyra më efikase e zgjidhjes së kësaj çështjeje është shpërngulja e arnautëve në masë. Kolonizimi gradual nuk ka pasur sukses tek ne, si dhe në asnjë vend tjetër. Pushteti shtetëror, kur do të ndërhyjë në favor të elementit të tij në luftën për tokë, mund të ketë sukses vetëm atëherë kur vepron brutalisht: Përndryshe banori autokton, i rrënjosur në vendlindjen e tij, i aklimatizuar, gjithmonë është më i fortë se kolonisti. Në rastin tonë duhet të kemi sa më parë parasysh se kemi të bëjmë me një racë të mjerë, kokëfortë e pjellorë, për të cilin i ndjeri Cijiq ka thënë se është më ekspansivja në Ballkan. Gjermania nga viti 1870 deri më 1914 harxhoi miliarda të pafundme markash që, duke riblerë toka nga polakët, të kolonizonte krahinat e saj lindore. Por pjelloria e nënave polake e mundi organizimin gjerman dhe paranë gjermane. Më 1918 Polonia rifitoi Poznanin e saj. Statistikat tona të viteve 1921-1931, të cilat i përmendëm më sipër, tregojnë se edhe politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave arnaute. Prej kësaj duhet të nxjerrim mësim dhe të shpejtohemi, përderisa ka akoma kohë për të bërë korrigjime.
Gjithë Evropa ndodhet në një gjendje të turbullt. Ne nuk jemi të sigurt se ç’sjell dita e ç’sjell nata. Nacionalizmi shqiptar në krahinat tona po rritet. Ta lemë gjendjen kështu siç është do të thotë të lejojmë që, në rast të një konflagracioni botëror ose të një revolucioni shoqëror, - së afërmi është i mundur edhe njeri dhe tjetri – të vëmë në pikëpyetje gjithë posedimet tona në jug.

Qëllimi i këtij referati është që të evitohet kjo gjë.


Dr. Vaso Çubriliviq d.v.

 

Burimi: AQSH,  F. 14/APSTR, V. 1977, D. 522 f. 13-

 

Vaso Çubriliviç


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...