Oshtima

Roli i të majtës në fenomenet emigruese

Sigurisht që hetimi i arsyeve të politikave mbi emigracionin, që ndjek e majta në Perëndim, shfaqet i vështirë, ose më mirë shfaqet i vështirë sa kohë përpiqesh të qëndrosh në rrafshin e të natyrshmes. Kur themi “të natyrshmes”, kemi parasysh dhe gjërat më të nënkuptuara, të nënkuptuara pikërisht për shkak të vlerës së tyre të pandryshueshme dhe instiktive, siç mund të jetë edhe dera me të cilën gjithmonë është dhe do të vazhdojë të jetë i pajisur çdo apartament. Derë që në vetvete, si do të vinte në dukje Magli, shënon një kufi, një kufi ndarës dhe mbrojtës i cili nuk mund të kalohet pa lejen e të zotit të shtëpisë.
Por, nëse rrëshqasim nga e natyrshmja te abstraktja, te përpunimi mbi përpunimet pseudointelektuale çështja fillon të marrë formë. Të majtët kanë nevojë për refugjatët, kanë nevojë për të vazhduar të jenë të majtë. Një nga shtyllat e mendimit të majtë ka rënë, madje filloi të binte që kur i ati ishte gjallë; punëtorët nuk janë më të pistët e Zolas (dhe për të qenë të saktë nuk ishin as ato fytyrat e qeshura dhe krenare të njëqind lekëshit shqiptar). Në një proces psikologjik, të ngjashëm me atë të përshkruar nga Malaparte kur të rinj të fillimit të viteve ’40 për t’u ndjerë (më) komunistë i jepeshin homoseksualizmit, të majtët kanë nevojë për punëtorë të varfër për t’u ndjerë më të majtë. Aq e vërtetë është sa mund të vihet re pa sforcim artificialiteti me të cilin, në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Evropës, fraksione të majta përpiqen t’i bashkëngjiten betejave të veçanta të ndonjë kategorie të caktuar punëtorësh. “Artificialitet” që shkakton një zhvendosje të vëmendjes nga objekti fillestar, denatyralizon dhe në fund të fundit dëmton dhe subjektin e interesuar në vetën e parë.

Ky është një proces psikologjik, por ka dhe një anë tjetër, shumë më të prekshme; të majtët kanë nevojë për vota. Një ndërthurje faktorësh kanë sjellë që e majta radikale – për të përdorur një shprehje të rëndomtë – dhe ajo me prejardhje radikale të humbasin pjesë të rëndësishme, nga pikëpamja e numrave, të elektoratit të tyre. Të atij elektorati të vendosur, militant dhe jo rrallëherë depozitë e metodave të tyre të jashtëligjshme (ose klasike, sipas pikëpamjeve).
Kjo rënie e pandalshme e elektoratit duhej ndalur dhe refugjatët dukeshin e vetmja kategori në gjendje të plotësonte modelin tipik (padyshim dhe kutitë e votimit). Në pamje të parë mbështetja ndaj emigracionit masiv, do të mund të shfaqej si “tradhti ndaj proletariatit ekzistues”, pasi më shumë krahë pune do të thotë dhe ulje të pagës dhe rrjedhimisht humbje të vendeve të punës. Por, në shkallë përfundimtare, kjo spirale varfërimi e shtresave të mesme dhe të ulëta vendase, sipas modelit historik, do të shkonte në përfitim të së majtës.

Në këtë pikë nuk mund të mos merret në konsideratë edhe një element i tretë, doktrine dhe themelor për ideologjinë komuniste. Marksizmi ka në bazë shkatërrimin e strukturave sociale dhe identitetit ekzistues, identitet që përbën dhe arsyen e ekzistencës së strukturave, dhe rikrijimin e tyre, në një proces të vazhdueshëm që Bukovskij do e quante të inxhinierisë njerëzore. Pas sulmit ndaj strukturave, si familja dhe kombi dhe formave klasike të mendimit i është, drejtuar bazës së identitetit, përkatësisë etnike dhe racore, duke u kthyer në flamurtaren e martesave të përziera dhe në përgjithësi të raporteve të përziera (qoftë dhe atyre të pavullnetshme), që gjithmonë e më shumë paraqiten si shkalla më e lartë e emancipimit. Zhvendosim vëmendjen në Shqipëri:përpjekja për të analizuar gjendjen has kundërshtimin e cekët se kushtet tona, politike dhe ekonomike janë të ndryshme nga ato të Perëndimit. Pjesërisht e vërtetë. Themi pjesërisht pasi në qëndrimet e të majtës shtohet një element, që është kthyer në dominuesin e politikës shqiptare; legjitimimi i jashtëm. Çdo parti në përpjeke për të justifikuar marrjen apo mbajtjen e drejtimit të qeverisë, ka përdorur si një nga elementët kyç të formimit të mjedisit të përshtatshëm mbështetjen e “partnerëve tanë strategjikë”. Mbështetje që arrihet, mes të tjerave, dhe duke ndjekur me zell vija të përgjithshme politike. Kjo u pa qartë në fillimet e të ashtuquajturës krizë të refugjatëve, kur Gjermania po luante me politikën e dyerve të hapura. Qeveria e majtë shqiptare u nxitua të vinte në jetë një fushatë propaganduese në shtyp dhe një varg masash të prekshme për pritjen e “refugjatëve”. E gjitha përfundoi me ngjyrime tragjikomike, ku “e dërguara jonë në Korçë”, pasi kaloi ditë duke përshkruar nevojën e mikpritjes dhe masat e marra nga qeveria, përfundoi me tone vetëfshikëlluese pse “refugjatët” nuk po ja varnin Shqipërisë. E gjora kaloi ditë të tëra në kodrinë duke parë me dëshpërim mënjanimin e kufirit shqiptar nga e ashtuquajtura rrugë Ballkanike. Kjo ishte ana komike, ana tragjike qëndron në faktin që mjetet, ambientet dhe energjitë që qeveria parashikonte të vinte në dispozicion të “refugjatë” as nuk u shkuan ndërmend të përdoreshin për të përballuar ditët e ftohta të dimrit 2017. Të gatshmit për të përshtatur repartet ushtarake për të huajt, kaluan dimrin duke numëruar shqiptarët e vdekur nga të ftohtët.

Në këtë pikë duhet vënë në dukje që nëse në brezin më të vjetër të së majtës mbizotëron mentaliteti servil dhe reminishenca internacionaliste më të, rinjtë shfaqin një zhvillim ideologjik tipik të marksizmit kulturor, çka në të ardhmen do të sjellë qëndrime që shkojnë përtej nevojës së “legjitimimit”. Sa i përket anës ekonomike, paçka krizës, falë politikave qeveritare, në vitet e fundit numri i punëtorëve të huaj vetëm është rritur. Nuk flasim për të specializuarit, por për krahun e thjeshtë të punës, atë që po zëvendëson punëtorin e pa specializuar shqiptar, duke filluar nga kinezët e minierave, turqit e ndërtimeve dhe deri te qindra kolumbianët e TAP-it. Pra, disa mijëra të huaj që provojnë se niveli i ulët ekonomik nuk shërben si barrikadë ndaj vërshimeve të huaja. Vërshime që do të jenë gjithmonë e më të rëndësishme duke parë shpërthimet demografike që janë të afta të kryejnë vende të caktuara. Në atë situatë, Shqipëria jo vetëm që do të përfaqësonte një vend me paga të kënaqshme për miliona e miliona njerëz por, në fund të fundit, dhe një hapësirë jetësore, për ata. Në këtë drejtim nuk mund të mos bëjnë përshtypje propozimet për një të ashtuquajtur “shtetësi të përkohshme shqiptare” apo për kthimin e vendit në njëfarë porti të lirë në kuadër të “korridoreve humanitare”.
Si përfundim mund të themi se niveli ekonomik, hapësira gjeografike dhe mbi të gjitha politikat dhe nevojat e të majtës krijojnë parakushtet e mundësisë që Shqipëria të rrezikojë të përballet me fenomene të ngjashme dhe të krahasueshme me ato në Perëndim ku nata e Vitit të Ri në Këln përfaqëson shembullin më tipik, por për fat të keq, jo më të dhimbshmin.


 

Nutrika, nr. 2, shkurt 2017, f. 16-17.

 

Bardhyl


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...