Oshtima

Bujani si plan i Partisë Komuniste Jugosllave

Në mbledhjen e dytë të AVNOJ­t çështja e Kosovës nuk u përmend fare. Aty nuk mori pjesë asnjë delegat nga Kosova apo nga viset e tjera shqiptare, ku u vendosën shumë çështje në lidhje me statusin e popujve të Jugosllavisë për vetëvendosje deri në shkëputje. Shqiptarë këtu nuk u përmendën fare, por Sanxhakut, Vojvodinës dhe Maqedonisë i jepej e drejta e shtetësisë së plotë si subjekt i barabartë në Federatën e re Jugosllave. Me vendimet që u morën u pa qartë që politika e ndjekur nga PKJ po anonte nga ruajtja e shtetit të vjetër të Jugosllavisë1. Pas afërsisht një muaji nga mbajtja e mbledhjes së AVNOJ­t në 29 nëntor në Jajcë të Bosnjes, u morën masat për hapjen e Konferencës së Bujanit. Ideja e formimit të Këshillave Krahinorë Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit lindi në dhjetor të vitit 1942, pas Mbledhjes së parë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë në Bihaq. Ajo u përkrah nga B.Vukmiroviq, sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe Ramiz Sadiku, anëtar i Byrosë politike të Komitetit Krahinor, por vrasja e këtyre dy udhëheqësve bëri që kjo çështje të shtyhej2. Vendimi për mbajtjen e Konferencës u mor gjatë konsultës VI të KK të PKJ për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, të mbajtur në malet e Sharrit, më 2­5 nëntor 19433. Konferenca që po përgatitej të mbahej është theksuar shpesh nga studiues të shumtë që lindi si një opozitë që synonte t’i kundërvihej objektivave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kjo edhe për shkakun se tashmë organet e Lidhjes e kishin shtrirë pushtetin e tyre në një pjesë të madhe të katundeve, nënprefekturave dhe prefekturave të vendit4.
Konferenca i zhvilloi punimet në kullën e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes nga 31 dhjetori i 1943 deri ne 2 janar 19445. Kjo ngjarje ka hyrë në histori me emrin Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit6. Arsyeja e mbajtjes së mbledhjes në Bujan ishte e thjeshtë, vetëm aty e kishin të sigurt jetën e tyre komunistët pasi në asnjë pjesë tjetër të territorit ku kishin kontroll forcat e Lidhjes dhe popullsia e qyteteve të Kosovës nuk i mbështeste në asnjë mënyrë për arsye se shikoheshin si një element përçarës midis shqiptarëve dhe persona të shitur tek serbët. Në Konferencë u ftuan 61 delegatë por vetëm 49 prej tyre morën pjesë7. Përveç Plavës dhe Gucisë që u trajtuan si pjesë e pandarë e Kosovës nuk u ftuan përfaqësues nga trevat e tjera shqiptare jashtë Kosovës, çka dëshmon për një vizion jo të plotë për zgjidhjen e çështjes shqiptare8. Thirrja e delegatëve e tregon dhe konceptin e organizimit të kësaj konference. Mbledhja e tyre vetëm nga territore të kufizuara dhe pa përfshirë delegatë që përfaqësonin zona apo krahina nga Shqipëria e 1913 të çon dyshime që është një manovër e PKJ, kjo dhe për faktin e thjeshtë sepse aty po tregohej që komunistët e Kosovës kërkonin të organizoheshin jashtë PKSH duke treguar indirekt që Kosova nuk do të ishte asnjëherë pjesë e shtetit amë. Anëtarët e Konferencës në të vërtetë ishin zgjedhur në mënyrë selektive më parë, kjo vërehet dhe në porosinë që jep P.Joviceviqi për sekretarin e Komitetit Qarkor të PKJ të Rrafshit të Dukagjinit, I.Shaqirit ku theksohej se: njerëzit që nuk janë tanët të mos i dërgoni në Konferencë”9. Kjo nënkuptonte që ata që do të dërgoheshin të ishin njerëz të bindur të strukturave komuniste jugosllave, dhe që nuk do të përbënin problem për çështjen shqiptare, pasi në të kundërt kjo konferencë do humbiste “rëndësinë” apo arsyen e vërtetë
përse u mblodh. Organizimi dhe drejtimi i Konferencës u bë nga komunistët kjo dhe për arsyen se ata shkuan si një organizim politik dhe personat e tjerë shkuan si individë dhe pa asnjë organizim. Në Konferencë përveç referateve u zhvilluan dhe diskutime nga të cilat interes më të madh zgjuan ato të P. Joviqceviqit në diskutimin që i thuri lavde LNC të Jugosllavisë nën udhëheqjen e PKJ10. Më 2 janar 1944 pas diskutimesh, u propozua që një komision i posaçëm të përgatiste rezolutën me konsensusin e delegatëve e cila u lexua në dy gjuhë, shqip dhe serbokroatisht dhe u miratua njëzëri dhe u firmos nga të gjithë delegatët11.

1. “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, cili si gjithmonë edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”12.
2. Rruga e vetme që populli shqiptar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë…, sepse kjo asht e vetmja rrugë për me fitue lirinë dhe me vetvendosë deri në shkëputje13.
3.“Garancija për këtë asht ushtrija Nacional­Çlirimtare e Jugosllavisë dhe ushtrija Nacional­Çlirimtare e Shqipnis, me të cilën ngushtësisht asht e lidhun. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tonë të mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Anglija e Amerika14.

Rezoluta e miratuar ishte në përputhje me Kartën e Atlantikut, e cila garantonte të drejtën për vetëvendosje kombëtare15. Dhe sa realisht këto pika që komunistët i propaganduan gjatë luftës u realizuan pas saj?? Sa e fortë ishte garancia e Aleatëve të Mëdhenj??
Këto pas luftës mbetën thjesht premtime që nuk do të realizoheshin kurrë. Garancia e Aleatëve në këtë pikë u shua. Ata që propagandonin vetëvendosjen e kombeve dhe përhapjen e demokracisë, Kosovën e harruan.
Në këtë lojë të stisur nga udhëheqja e PKJ u mbështet “fuqishëm “ bashkimi i Kosovës me Shqipërinë për të vetmen arsye se pa mbështetjen e një Kosovë shqiptare, të pranishmit në Konferencë e kuptonin që nuk do të kishte mbështetje tek popullsia16. Qëndrimi i pjesës më të madhe të popullsisë ishte kundër komunistëve, pasi ideologjia komuniste identifikohej me nacionalizmin serb, i cili kishte lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e shqiptarëve të trojeve, të cilët i shihnin serbët si armiq të papajtueshëm17. Pas miratimit të rezolutës dhe pas telegrameve të dërguara, Konferenca faktikisht u shndërrua në Këshillin Krahinor Nacionalçlirimtar për Kosovën e rrafshin e Dukagjinit. Për të drejtuar këtë këshill u zgjodh një Kryesi e Këshillit e përbërë prej 9 anëtarësh, të cilët ishin: Mehmet Hoxha (kryetar), Rifat Berisha dhe Pavle Joviceviq (nënkryetarë), Hajdar Dushi (sekretar), Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Millan Zecan, Zekria Rexha, Ali Shukriu (Anëtarë)18. Në këto kushte kur ekzistonte një KK i PKJ për Kosovën dhe rrafshin e Dukagjinit, si dhe Shtabi kryesor UNÇ për Kosovën, me të njëjtat atribute e kompetenca që kishin edhe organet më të larta të ushtrisë e të partisë në pjesë të tjera të Jugosllavisë19. Formimi i KKNÇ përcaktoi pozitën e vëçantë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, barazinë e saj me Republikat e tjera që kishin qenë nën Jugosllavinë dhe të drejtën për shkëputje dhe për bashkim më Shqipërinë20. Në kohën kur u miratua kjo rezolute u cilësua një hap i madh për Kosovën, i arritur nga komunistët kosovarë pasi ata nuk e njihnin faktin real që ishte evident kudo.

Në rrethanat kur flasim kemi një shtet shqiptar i cili, e ka të shtrirë administrimin e tij në territore më të gjera se Shqipëria e 1913 pra dhe në Kosovë e pjesën perëndimore të Maqedonisë ose thënë ndryshe territoret e banuara etnikisht me shqiptarë. Administrata në këto vende është tërësisht shqiptare dhe varet nga pushteti qendror në Tiranë. Pra komunistët kishin vënë si qëllim të realizonin diçka që tashmë ishte realitet, gjë që është një absurditet.
Nacionalistët ishin të parimit se bashkimi me Shqipërinë nuk mund të vinte asnjëherë nëpërmjet një bashkëpunimi me armiqtë e vjetër të kombit që jo më larg se një dekadë më parë kishin kryer reprezalje mbi popullsinë dhe kishin ndjekur politika shkombëtarizuese deri edhe në largimin me forcë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe duke sjellë në to serbë e malazezë. Pikëpamje e nacionalistëve do të rezultojë më se e vërtetë. Në fillim, pas përfundimit të Konferencës, Enver Hoxha e pranoi Rezolutën si një e drejtë e shqiptarëve e ardhur në mënyrë legjitime nga përfaqësuesit kosovarë21. Por në këtë mendim nuk ishin anëtarët e lartë të PKJ.
Që në janar të 1944 Pavle Joviceviq, pjesëmarrës në konferencë dhe nënshkrues i Rezolutës, sipas një qortimi që kishte marrë nga S.Tempoja, i shkruante atij: “Para se t’a merrnim letrën tënde, e pamë gabimin që kemi bërë ­ atë kur kemi rrëshkitur në vijën e Ballit Kombëtar dhe të qëndrimit të masave”22. Kjo u vërejt dhe nga anëtarët e tjerë të Konferencës kur morën vesh për vendimet e Jajcës. M. Gjillasi në një letër dërguar KK të PKJ për Kosovën, ai i tërhiqte vëmendje lidhur me vendimet e Konferencës. Sipas tij në “Mbledhjen e Sharrit” nuk ishte dashur të krijohej KK i PKJ për shkak se krahina juaj nuk është një qark kompakt…Këshilli juaj nuk mund të kishte karakter pushteti por vetëm uniteti të masave23. Në këtë mënyrë PKJ nuk i njihte atributet e pushtetit politik të KKNÇ të Kosovës, ndërkohë këto atribute ua njihte popujve të tjerë: kroatëve, malazezëve, serbeve etj. Gjithashtu vazhdohej se duhet të mos e ndryshonte emrin nga Metohi në Rrafsh i Dukagjinit me arsyetimin se Rrafshi i Dukagjinit shtrihej dhe në pjesën e kufirit të Shqipërisë politike. Vendime e Konferencës u sulmuan për dy problemet kryesore: shpalljen e popullit për vetëvendosje dhe për barazinë në raport me krahinat e tjera të Jugosllavisë që më vonë u quajtën republika. Nga këto sulme të sllavëve, sa nga ata të ashtuquajtur patriotë, anëtarë të Konferencës që kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe e miratuan këtë rezolutë hoqën dorë nga përkrahja e PKJ???
Asnjë!!!
Për më tepër ata u ingranuan edhe më tepër në lëvizje duke filluar edhe ngritjen e tyre në poste më të larta të ushtrisë jugosllave ende pa mbaruar lufta, por edhe duke dhënë urdhër për eliminimin e një sërë nacionalistësh shqiptarë që kishin ngritur krye kundër forcave komuniste, të cilat pas tërheqjes së trupave gjermane kishin marrë kontrollin e qyteteve në Kosovë. Vetë Tito i dënonte vendimet e Konferencës ai thoshte se u jepej përkrahje forcave “kuislinge shqiptaromëdha” të cilët, në bazë të konceptit gjerman luftonin për Shqipërinë Etnike dhe që përgatiteshin të pengonin forcimin e frontit të Luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe më gjerë24. Tito e mbante çështjen e Kosovës pezull dhe vazhdonte t’i qëndronte mendimit se kjo do të zgjidhej pas luftës dhe PKSH nuk bëri thuajse asnjë hap që ta kundërshtonte këtë por e ndryshoi qëndrimin e saj dhe mbajti “vijën” PKJ. Qëndrimi i PKJ ishte i tillë dhe ishte në linjën e vjetër që kishte ecur dhe më parë politika serbe. Fatale ishte heshtja nga ana e komunistëve shqiptarë që i qëndruan linjës së politikës jugosllave. Në Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Antifashist Nacional­Çlirimtar të Serbisë në Beograd në 7­9 prill 1945 Mehmet Hoxha, kryetar i zgjedhur në këshillin e bërë në Kosovë nuk e kundërshtoi deklaratën e Dushan Mugoshës: “shpreh dëshirën e Këshillit Nacional­Çlirimtar të Kosovës e Metohisë që edhe ne popujt e Kosovës e Metohisë t’i aneksohemi Serbisë federative motër. “Ai mbështeti deklaratën e Mugoshes dhe tha25: Dëshira e shprehur nga Mugosha nuk e frikëson popullin e Kosovës por e forcon dhe i jep siguri, se do ketë të njëjtat të drejta si popujt e tjerë”26. Si ka mundësi që një person i cili në një mbledhje ku ishte vet kryetar ka miratuar një Rezolutë dhe vetëm pak muaj më vonë të ndryshojë qëndrimin e tij dhe të kthehet në anën e armiqve të kombit të tij kur ishin ende të freskëta kujtimet e masakrave që ata kishin bërë kundrejt popullsisë shqiptare të Kosovës??? Mehmet Hoxha e bëri këtë duke shkuar pas linjës së serbëve dhe duke tradhtuar aspiratat e bashkëkombësve të tij me qëllimin e thjeshtë, përfitime vetjake. Mbledhja e dytë e KNAÇL të Kosovës nuk u mbajt në verën e 1944. Udhëheqja jugosllave priti që ta kishte plotësisht nën kontroll Kosovën edhe pas shtypjes së kryengritjes së Shaban Polluzhës.
Mbledhja e Prizrenit ishte ajo që në njëfarë mënyre vendosi fatin fatal të Kosovës. Pjesëtarët e Këshillit NÇL për Kosovën të zgjedhur në Bujan do të shpreheshin: F.Hoxha:…”ligjërisht në mënyrë demokratike njeherit anulohet pjesa e gabueshme e Rezolutës”27. F.Hoxha do ta përmblidhte fjalën e tij në tre pika: 1) Kombësia serbe në Kosovë është me e madhe pas shqiptarëve, prandaj nuk mund të jenë në një shtet më shqiptarët. 2) Krahina e Kosovës është më e pazhvilluar dhe duke u bashkuar me Serbinë do të zhvillohej. 3) Aneksimi i Kosovës Serbisë do të ndihmonte në forcimin e vëllazëri­bashkimit.
Këto shprehje ta Fadil Hoxhës i cili me gojën e tij anuloi ato që kishte firmosur dhe u shpreh për fatin e Kosovës sikur të ishte duke vendosur për pronën e tij duke mos marrë parasysh interesat dhe ndjenjat nacionale të popullsisë. Këtë Fadil Hoxha e bëri për një gjë, në të kenë një mendim të sëmurë në përfitim politik pasi menjëherë pas luftës ai mban poste të larta si: anëtar i Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës që formohet pas 1945. Pra ishte një nga njerëzit që u shpërblye më mirë nga udhëheqja jugosllave për shërbimet që bëri në dëm të popullsisë shqiptare.
Kohët e fundit kanë qarkulluar zëra se Fadil Hoxha duhet të marrë titullin “Nderi i Kombit”, megjithëse një ide lokaliste kjo është e hedhur padyshim nga qarqet “e kuqe” që vazhdoj mendjen e tyre . Titulli më i saktë do të ishte: “Turpi i shqiptarëve”. Pra thënë ndryshe Mbledhja e Prizrenit zhvlerësoi vendimet e Bujanit. I hoqi të drejtën popullsisë së Kosovës për bashkimin me Shqipërinë. Pjesëmarrësit në këtë Mbledhje me vullnetin e tyre i hoqën sovranitetin Kosovës, e degraduan në qark autonom nga krahinë autonome që ishte, i shkëputën pjesën lindore (Luginën e Preshevës) dhe i hoqën flamurin duke e bashkuar me Serbinë për shumë dekada deri në çlirimin përfundimtar të saj në vitin 1999 . E gjithë kjo farsë mund të cilësohet pa frikë si një manovër politike e PKJ me qëllimin e vetëm për të përçarë shqiptarët. Kujtesa që i bëhet sot Konferencës së Bujanit është vetëm nga njëra anë politike , e majta. Kjo nuk është një ngjarje që kombi shqiptar duhet të krenohet, por një ngjarje që e bën të turpërohet.


 

1. Vebi Xhemaili, Forcat Kombëtrae në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, (Tetovë: Tringa Design, 2006),193.
2. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941­1945, (Tiranë: Toena, 1997), 112.
3. Po aty.
4. Shefqet Hoxha, Konferenca e Bujanit, parë ndryshe në: E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të
Shqipërisë Etnike, (Prizren: Lumbardhi, 2006), 171.
5. Noel Malcolm, Kosova: Një histori e shkurtër, (Prishtinë: Koha Ditore, 2001), 320.
6. Shyqyri Hysi, Histori Trojeve dhe Diasporës Shqiptare, (Tiranë: SHBLU, 2007), 112.
7. Muhamet Shatri, Kosova… , 116.
8. Po aty.
9. Po aty.
10. Po aty.
11. Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912­2005, (Tiranë: Shtëpia Botuese 55,2006), 510.
12. Shefqet Hoxha, Konferenca e Bujanit…, 169.
13. Po aty..
14. Po aty.
15. Bernd Fischer, Shqipëria. gjatë Luftës 1939­1945, (Tiranë: Çabej, 1999), 310.
16. Po aty.
17. Shyqyri Hysi, Histori e Trojeve, 115
18. Po aty.
19. Muhamet Shatri, Kosova…, 124.
20. Po aty.
21. Vebi Xhemaili, Forcat… , 194.
22. Muhamet Shatri, Kosova…, 124.
23. Po aty.
24. Vebi Xhemaili, Forcat… , 195.
25. Shefqet Hoxha, Konferenca e Bujant…, 176.
26. Po aty.
27. Po aty.

 


Nutrika nr. 1, 2017 Tiranë, f. 4-8

Shkumbini


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...