Oshtima

Mêndime mbi trajtimin e nji gjuhe letrare shqipe

Trajtesa e plotë mbajtur nga Kryetari i Institutit të Studimeve Shqiptare Mustafa Kruja në Kuvendin e Parë Albanologjik, mbajtur në Teatrin Savoja, Tiranë 1940.


Përpiluesat e programës së çfaqjeve qi po  bahen me rasën e mbledhjes në kryeqytetin t’onë të Kuvêndit të parë albanologjik italo-shqiptar, më kishin pamë edhe mue të denjë me mbajtun një koferencë me nji themë të përshtatun.

Thema e përshtatun për këtë rasë nuk mund t’ishte veçse nji themë shkencore, letrare, artistike a historike. Për me përgatitun kso konferencash me ndonji farë karakteri sado origjinal duhet kohë e gjatë, duhen rëmue burime të ndryshme, duhen këndue vëllime. 10 dit kohë qi kishem e s’kishem përpara për gjithë këtë punë nuk ishin mjaft, për mue nemose, edhe sikur të mos kishem kurrfarë pune tjetër. Me gjithë këtë ishte aq’i madh, aq’i fortë nderimi i im për miqt qi më kishin mbërthye për këtë punë me albanologun e shquem Prof. Tagliavinin në krye, sa qi m’u desh m’u dhânë pa tjetër.

U mundova, veç qi me zgjedh nji themë pak si tërhekse edhe për ndëgjuesin profan, së paku aqë sa mos me shkaktue gogsina mërzitije. Shikoni se, gati-gati, me fjalën gogësinë u futa disi në themë pa dashun. E vê me kusht se midis jush ka shumë qi s’e dijnë se gogsina, shqip don me thânë nj’atë të çelmë goje të pavullnetçme qi bâjmë zakonisht kur na vjen i bardhi gjumë ase kur na hyp nji mërziti.

Thema e jonë pra âsht: «Mêndime mbi trajtimin e nji gjuhe shqipe». Qyshë se ju them mêndime ju e kuptoni se nuk due me thânë se po vé rregulla e ligjë; por as nuk do të shtrihem në nji studim kritik a qoftë edhe nji shfaqje mêndimesh të ndryshme studimtarësh të kësaj probleme. Ju diftova se më ka mungue koha për t’i u përgatitun nji pune të thelle kso dore. Due pra me shtrue para jush vetëm mêndimet mija vetiake.

Nuk âsht rasa me shkoqitun këtu theori shkêncore e filosofike, zhvillimi i të cilave ka mbushun vëllime qyshe prej filosofave të mëdhaj të Greqis së moçme e deri në dit t’ona, mbi gjuhën vetë si mjet të shprehuni e të kuptuemi në mes të njerëzve. Po hyj pra fill në themën t’eme.

Pikës së pari le të merremi vesht mbi ça kuptoj un kur them nji shqipe letrare. Kur them nji gjuhë shqipe letrare kuptoj nji gjuhë letrare si të tâna tjerat në botë, si të tâna gjuhët e popujve të qytetnuem qi kanë nji letërsí kombtare, nji gjuhë të shkrueme të përdorun e të kuptueme po në nji mënyrë prej gjith’atyne qi e flasin.
Përdora fjalët letërsí kombtare. Përcaktimi i letërsís me mbiemnin kombtare s’ka këtu për qëllim me përjashtue letërsít e huaja, qi në themën t’onë janë vetvetiu të përjashtueme, por ato të djalekteve, të krahinave të banueme prej grumbujsh të ndryshëm po të nji populli të vetëm. Ka letërsí kombtare e letërsí krahinore. Për t’u marrë vesht mâ lehtë e mâ shkurt âsht bâmë zakon me i thânë gjuhë vetëm gjuhës kombtare e ato të krahinave me i quejtun djalekte. Mirë po në të vërtetën shkencore edhe djalekti s’âsht kurrgjë mâ pak se nji gjuhë, mbasi atê e flasin e me tê merren vesht nji grumbull i madh njerzish. E sikurse flasin e merren vesht n’atë djalektin e vet për mbehít e jetës së ç’do çasi, gjithashtu po m’atë mjet i rreshtojnë të vdekunit të dashun ligjet e tyne dhe idhullit të zêmrës a kreshnikut qi përjetohet ndër valle e ndër fije të lahutës kângët e tyne. Në djalekt ka këndue Naimi, në djalekt Fishta e në djalekt gjithë poetët t’anë të vjetër e të rij.
Por a s’âsht mëkat qi X i Jugës t’i thotë vetes shqiptar, të thotë se flet shqip edhe mb’anë tjetër të mjerohet sepse nuk e shijon dot poezín fishtiane e, mâ zí, në shumë vênde të saja të mos e kuptojë aspak? E anasjelltas a s’âsht gjithë aqë mëkat qí Y i Veriut të shprehet gjith’ashtu për poezin e Naimit? E pse ndodh këta? Këta ndodh sepse na së kemi ende nji gjuhë kombtare e pra as nji letërsí kombtare: nji gjuhë qi t’a kuptojnë, t’a flasin e t’a shkruajnë të gjithë shqiptarët si njâni tjetri përveç djalektit të vet e përmbi tê.
E si mund t’a kishte shqiptari i mjerë nji gjuhë të këtilë deri sot? Gjuha kombtare nuk âsht nji fenomen i natyrshëm si gjuha vetë, domethânë si vërtyti i së folmes së një grumbulli njerzish me nji mjet të përbashkët, të pagdhêndur ashtu siç e kanë trashigue prej shekujsh. Gjuha kombtare âsht piksëpari nji gjuhë letrare. Nji gjuhë e shkrueme e lavrueme dhe e shtrime dalngadalë në të gjithë popullin me anën e shkollës e të veprave letrare. Gjâ kjo qi ngjat diku me dheta e diku me qinda vjeç, simbas fuqís së mjeteve qi i shërbejnë, simbas ndryshimeve mâ të vogla a mâ të mëdha të djalekteve në krahinat e ndryshme, simbas gjânsís së vêndit e shumicës së popullit e sa e sa rrethanash tjera. Me nji fjalë mund të thomë se gjuha kombtare, gjuha letrare e nji kombi âsht nji prodhim historik. E historija e kombit t’onë s’ka mundun deri sot, s’ka pasun sesi me prodhue nji gjâ të këtilë. Të parët t’anë mâ të hershëm, Ilirët, s’na kanë lânë nji gjuhe të shkrueme. Principatat shqiptare të mesjetës kanë përdorur si gjuhë shkrimi zyrtare ku greqishten e ku latinishten e shkolla s’ka qênë modë aso kohe në vêndin t’onë. Nën sundimin tyrk, kur filluen me na u çel syt neve, shkrimi e këndimi shqip përbânte një delikt kundra shtetit. Ato vepra të pakta fetare të shkrueme prej disa kishtarve janë sot nji thesar për gjuhën t’onë, por qëllimit qi po rrahim këtu s’i kanë bâmë asnji shërbim në kohën e vet. Botimet italo-shqiptare nuk patën mundun të përhapen aspak në Shqipní. Veprat tjera djalektore me subjekte të ndryshme filluen të shkruhen në gjuhën t’onë përjashta Atdheut vetëm vonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluem, dhe filluen të shpërdahen fshehtas edhe mbrênda. Ndëkimi i këtyne veprave në formimin e nji gjuhe letrare kombtare ka qênë fare i vogël. Veprat tosknishte kanë qarkullue nëpër duert e nji pakice gegësh dhe i kanë mësuë këta nji fije me do fjalë e trajta të Jugës. Mâ pak zell kanë diftue jugorët për veprat gegënishte, atje mbrênda edhe Lahuta e Malcís.

Nji hapë themelore pat hjedhun Kuvêndi i Manastirit në 1909 tue njisue abecét e ndryshme qi përdoreshin atëherë.
Nji tjetër hapë me nji rândësí shumë mâ të madhe në këtë drejtim u bâ në Kuvêndin e Elbasanit pak mâ vonë kur u pranue djalekti i atij qyteti si themel i gjuhës kombtare.
Por këtij qëllimi, trajtimit të nji gjuhe letrare shqipe, i ka shërbye shumë mâ tepër se cilado vepër tjetër deri atë kohë, Komisija letrare qi qe formue në Shkodër me të vajtuemit Luigj Gurakuq e Dom Ndre Mjedë në krye nën pushtimin ushtarak t’Austro-Hungarís.
Qyshë mbas luftës botore e këndej, mbrênda ktyne njizet vjetve, sikur të kishin qênë në krye të punës njerz qi e çëmojnë gjuhën kombtare ashtu siç e meriton m’u çëmue, si themelin mâ të fortë të kombsís, si fillin mâ të fuqishëm të njisís kombtare, me shkollat dhe shtypin qi kemi pasun, sigurisht do të kishim pamë sot në trajtimin e gjuhës s’onë letrare nji përparim qi do të na kënaqte shpirtin. Por e vërteta âsht se mâ shumë ka bâme në tri vjet Komisija Letrare e Shkodrës se Qeverit shqiptare në njizet vjet. Madje nuk dij a âsht mâ i madh shërbimi qi i ka bâme shqipes në atë kohë shkolla apo dâmi qi i kanë bâmë nji pjesë e shtypit dhe burokratija me gjuhën e tyne qi âsht marre t’a quajmë shqipe.
Por qe se sot ndodhemi përpara nji nisjative qi ka me qênë guri i themelit të kulturës shqiptare përgjithsisht dhe formimit të nji gjuhe shqipe letrare e mbandej kombtare posaçisht. Nisjativa âsht ajo qi dijmë të gjithë e qi i ka dhânë shkas e rasë ksaj mbledhjeje e ksaj konference. Shkëlqesa e Tij Mëkâmbësi i Përgjithshëm i Mbretit Perënduer në Shqipní, ai vetë shkrimtar i hollë e njeri kulture të thellë, sidomos historike, dashamirë i Kombit t’onë, ndërpretues e zbatues i vullnetit e i urdhnave të Duçes, ka ftue në Kryeqytetin t’onë mâ të shquemit lavruesa italjanë të studimeve shqiptare, qi bashkë me intelektualët t’anë të rrahun n’atë degë, të shqyrtojnë udhët e mënyrët mâ të mirat sesi me sigurue zhvillimin mâ të shpejtë e mâ të përsosun të problemave kulturore të Kombi shqiptar me gjuhën shqipe në ballë.
E po më falni, Zotnij, në qoftë se un njeri mjerisht i regjun në politikë, nuk po mund t’a ndal veten nga nji vêré politike këtu përjashta themës. Në nji regjim qi ndokush vijon ndoshta edhe t’a quejë mâ shqiptar se këtê t’onin, se Regjimin fashist, i palodhshmi Profesor Tagliavini bashkë me shokë tjerë vullnetmirë patën marrë dikur nji nisjativë të këtilë për ngrehjen e nji instituti albanologjik, edhe nji atdhetar tjetër pat vû vetvetiu në dispozitë t’atij instituti të holla dhe nji bibliothekë me tridhetmijë vëllime; edhe... kurrkush s’u a kish varë torbën, si thotë populli, për atë punë! E qe pra se Regjimi fashist, ky regjim qi në mêndet e sëmunë të shumë kuj ishte bâ për me e humbun gjuhën shqipe e kombsín shqiptare, ky regjim sot po hjedh themelat mâ të shëndoshë të zhvillimit t’asaj gjuhe e t’asaj kombsije, me ngrehejn e Institutit albanologjik këtu në Kryeqytetin e Shqipnis tue e lidhun me Fondatën Skanderbeg qi ka dashun e krijue miku i madh i Kombit t’onë Konti Galeazzo Ciano.
Kaqë desha me thânë për kalim.

Tashti po kthej në themën t’eme. Mbasi tashmâ po jemi të sigurtë se ka m’u punue për gjuhën shqipe, cili kishte me qenë drejtimi mâ i përshtatshëm për nji punim të frytshëm në trajtimin e nji gjuhe shqipe letrare e kombtare? Piksëpari a mund të bâjmë gjâ na për t’i shërbye formimit të ksaj gjuhe në nji fare drejtimi qi na pëlqen? A po do të thomi se gjuha kombtare formohet vetvetiu prej rrethanash të ndryshme qi i ndihmojnë tërthuer e qi i apin nji rrymë e nji krye, nji mbarim, jo vetëm jashta vullnetit t’onë, por ndoshta edhe në kundërshtim me tê a të paktën nji mbarim qi nuk do t’i ketë shkue as për mêndsh brezit tonë?
Asht e vërtetë se gjuha kombtare, si e kam thânë edhe mâ parë, âsht nji prodhim historik. E mbasi historija, do të thotë ndokush, ka ligjët e veta të pakundërshtueshme e prodhimet e saja lejnë e rregullohen në bazë të këtyne ligjve, ç’na përket neve me bâ për trajtimin e gjuhës s’onë kombtare veçse me u mjerue qi nuk do t’ a mrrijmë asaj dite të bardhë për me ndëgjue nji tingull të vetëm, nji jonë të vetme kur të flasin korçari me shkodranin e gjakovsi me filatasin e Çamëris? Un jo, nuk jam në këtë mêndim. Vërtet historija ka ligjët e veta të pashlyeshme si rrymat e lumnavet. Por se këto rryma mêndja e njeriut i rregullon me penda, rema e kanale dhe nxier prej sosh dobin mâ të madhen qi të jetë e zonja me nxierë. Me fjalë të shkurtna un them dhe besoj se na mund dhe duhet t’i ndihmojmë formimit të gjuhës s’onë kombtare në dy drejtime. Mund t’i ndihim pikë së pari qi ajo, në zhvillimin e saj, të marrë nj’atë rrymë, nj’atë drejtim qi lyp karakteri i saj i veçantë për me mbetun gjithë motin e jetës gjuhë shqipe. Së dyti mund t’a shpejtojmë këtë zhvillim drejt mbarimit e përsosunís.
Si po e shihni, nuk jam tue thânë qi na të marrim e të gatuajmë nji bukës simbas ândës s’onë prej brumit të shqipes qi kemi sot në dorë dhe t’i a vejmë përpara popullit shqiptar si manë të ramë për qiellësh. Por jam tue thânë se pa i a ndërrue, madje tue pasun të tânë kujdesin me i a ruejtun rrymën e natyrshme të zhvillimit qi gjuha e jonë ka me bâmë për me mbërri në thronin e nji gjuhe syprane kombtare, na mund t’a përkrahim e t’a shpejtojmë këtë zhvillim.

E si?

Shqipja ka dý djalekte kryesore qi i dan mrekullisht lumi i Shkumbinit: tosknishten në jugë dhe gegnishten në veri. Këto mbandej dahen midis tyne në disa nëndjalekte tjera. Ai i jugës përfshin prap kryesisht tosknishten e vërtetë, labrishten dhe çamrishten. Dhe atê të veriut mund t’a dajmë në disa nëndjalekte kryesore qi s’kanë emnra të posaçëm si ato të jugës, por qi mund t’i kufizojmë në vija të përgjithshme kështu: djalekti mesatar, të cilin mund t’a quejmë kështu si për pozitën gjeografike të visevet qi e flasin ashtu dhe për veçorit e djalektit vetë; ky përfshin zonën ndermjet Shkumbinit e Krús përveç malsivet. Mbandej kemi nëndjalektin e Malsive të mesme, qi fillon prej Kruje dhe merr krejt malsit e Gegnís deri në brigjet e mângjëta të Drinit. Dhe mâ në fund âsht nëndjalekti i Veriut e verilindjes në krejt anën e djathtë të Drinit. E theksoj se kjo dasi nëndjalektesh në Shqipni âsht nji dasi e bâme ashtu grosso modo e jo me kritere të ngushta shkencore dhe me kufij të caktuem katund për katund siç ka me qênë barra e nji atlanti djalektuer të ardhshëm.
Për themën t’onë s’na hyn në punë analizimi i veçorive të djalekteve e të nëndjalekteve të ndryshme të shqipes. Neve na hynë në punë të dijmë pikë së pari se vallë cilit nga dy djalektet kryesore, tosknishtes apo gegnishtes, ka me i a dhânë historija privilegjën e gjuhës kombtare. Për mue s’ka asnji dyshim: gegnishtes. Dhe qe arsyet:

I – Se gegnishtja âsht e folun prej dý të tretash dhe tosknishtja vetëm prej nji të trete të popullit shqiptar. Thom të popullit shqiptar e jo të Shqipnís.
II – Se gegnishtja si gjuhë kombtare ka n’aktivin e vet nji histori, sado të shkurtën, dhe të drejta të fitueme. Gati qyshe se ka fillue me u përhapun shqipja si gjuhë e shkrueme, njerzit mâ të auktorizuem kombtarisht e letrarisht i a kanë vûmë sytë mû gegnishtes së mesme si bazë të nji gjuhe letrare kombtare. Ksi mêndimi ka shfaqur Gustav Mayer-i qyshë pesdhetë e kusur vjet mâ parë, kështu ka fole e shkrue Weygand-i, kështu Camarda e kështu Nachitigal-i. Me gjithë qi Kuvêndi i Manastirit mbajti në përdorim dy alfabeta, atê të shkrolave thjesht latinishte të përdorun në gegní e sidomos në Shkodër, dhe atê të përziemin me germa greko-slave të përdorun rëndom prej jugorvet, mbrênda pak vjetve ky i dyti i zhduk krejt nga përdorimi dhe i a lëshoi vendin të parit. Asht e vërtetë se nji çâshtje alfabeti s’ka të bâjë drejt për drejtë me çështjen e përgjithshme të gjuhës letrare kombtare. Por këtu mund të merret së paku si nji symptom i nji prestigji mâ të madh të gegnishtes ndaj tosknishtes.
III – Se ndëkimi i kryeqytetit si qêndër qi përmbledh shumicën e intelektualvet mâ të shquem, nuk mund të mohohet. E kryeqyteti i Shqipnís âsht në Gegni.
IV – Se gegnishtja e mesme kuptohet shumë mâ lehtë në Jugë sesa tosknishtja në Veri. Përdorimi i nji dialekti të kuptueshëm në nji zonë mâ të gjânë se tjerët ka nji rândësi të madhe për formimin sa mâ të shpejtë të gjuhës letrare, po të merret ai për bazë. Kjo mund të thomi se âsht mâ e forta arsye qi i ka shty gati të gjithë ata qi janë marrë me këtë problemë me zgjedhun djalektin e Elbasanit. Po për këtë arsye pat zgjedhun Vuk Karagjiqi djalektin «jekav» si bazë të gjuhës letrare serbo-hërvate, qi mbrênda nji gjysmë shekulli merrini m’u formue ashtu si e shohim sot, domethënë në nji shkallë përsosunije qi s’kishim me e deshirue as na mâ të naltë.
Themeli pra i gjuhës s’onë kombtare ka me qênë, mbas mendimit t’em, pa dyshim gegnishtja, dhe mû gegnishtja e mesme. Ndëkimi i shkodranishtes në këtë gegnishte të mesme ka për të qênë i madh, sikur se shihet qartë qyshë sot. Asht ndëkimi i shkrimtarëvet shkodranë e jo ai i vendit. Por edhe tosknishtja ka për të veprue me nji fuqi shumë të madhe në formimin e gjuhës kombtare. Ka për të veprue me shumcën e pêndavet të saja sidomos gazetare e burokrate dhe me prestigjin e saj për shumë trajta qi ka ruejtun  mâ mirë se gegnishta nga gjuha e vjetër. As djelektet e tjera s’kanë për të mbetun pa lânë gjurmët e veta me thesarin e fjalvet e të fraseoligjis së tyne.
Këtë drejtim pra, kishem me thânë un, duhet të ndjekim na për me i ndihmue nji trajtimi sa mâ të shpejtë e të përsosun të gjuhës s’onë letrare. Mbi mënyrën e punimit po i përmbledh këtu shkurt disa mêndime të mija:

1. Gjuha letrare nuk trajtohet me ligje e me dekret, por me nji punim racjonal, të vazhdueshëm, të bashkërenduem e të harmonizuem të njerëzvet kompetenta. Instituti i Studimeve Shqiptare qi ka për të dalë prej këtij Kuvêndi, ka për t’a marrë mbi vete e për t’a krye me fitim, shpresojmë, këtë barrë po qe se nuk do t’i mungojë ndihma e zellshme e kompetentavet shqiptarë dhe miq të kombit shqiptar.
2. Fjalët e frazeoligjija shqipe, në cilin do djalekt qi të gjinden, janë pasuní e saj. Trajtat morfologjike vetëm do të quhen djalektore e këto nuk duhen trazue kurrsesi, për në daçim mos me gatue, në vênd të një gjuhe të bukur letrare, nji çorbë pa fé shijeje.
3. Shkrimtari qi mund t’i zotnojë mirë djalektet e ndryshme të shqipes bân mirë të shkruej n’atë djalekt qi do të përbâjë themelin e gjuhës kombtare, a, të paktën, tue shkrue në djalektin e vet, të zgjedhë, sa të jetë e mundun, ato fjalë, fraza e trajta qi afrohen mâ fort atij.
4. T’u iket neologjizmavet qi s’janë të domosdoshme e kur të jenë të domosdoshme të përpiqemi me u dhânë atë trajtë qi lyp natyra e gjuhës s’onë.
5. Asht i domosdoshëm e i nguçëm nji fjaluer letrar shqip, me shpjegime shqipe e me nji thesar sa mâ të plotë qi të jetë e mundun, me të gjitha trajtat djalektore tue dallue ndër to atê qi i përshtatet mâ së miri gjuhës letrare. Nji punë e këtilë jam rrekun un vetë me e krye në vjetët e mërgimit t’em e do t’i a paraqes Institutit t’onë porsa t’organizohet për t’a sqyrtue nj’âsht apo jo e denjë m’u marrë si bazë e nji fjalori mâ të përsosun.
6. Siç kam vû ré në përpilimin e këtij fjalori, gjuha shqipe ka nji thesar fjalësh e shprehjesh sigurisht për gjysmë të panjohuna deri prej lavruesavet mâ në shêj të saj. Shkrimtarët t’anë – po përdor fjalën shkrimtar për kê do qi merr pêndën në dorë – s’kanë me pasun as ngè as vullnet me e studjue e mësue makare nji pjesë të këtij thesari të mbledhun në një fjaluer shqip. Po zâme kush  s’e din fjalën mahí s’ka si t’a gjêjë në fjalorin shqip pa e studjue këtë fund e majë dhe atëherë ka për të shkrue shaka. Atij pra i duhet nji fjaluer italisht-shqip e mundësisht nji tjetër frëngjisht-shqip qi të mundet t’a diktojë fjalën shqipe të pa njohun prej nji gjuhe të huej qi din dhe nëpër të cilën ka formue kulturën e tij. Nji paradhoks ky qi duhet të na bâjë m’u kuqun e të na mbushë me nji vullnet të pathyeshëm për me i shpëtue sa mâ shpjet qi të jetë e mundun.
7. Bashkë me këta fjalorë, âsht nji nevojë krye-krejet me hartue edhe nji gramatikë të krahashueme të gjithë djalekteve t’ona ku të dallohen rregullat e trajtat morfologjike qi duhen përdorun në gjuhën letrare.
8. Un e quej të domosdoshme për punimet t’ona gjuhsore nji transkriptim të gjithë shkrimeve të vjetra e nji botim të tyne në nji sasi të mjaftueshme kopjesh; si edhe përkthimin e botimin e gjithë vepravet gjuhsore të shkrueme prej albanologjësh të huej mbi gjuhën shqipe.
9. Faktori shkollë âsht shumë i fuqishëm për trajtimin e gjuhës letrare. Reforma Gentile për shkollën italjane vên për bazë mësimi të gjuhës parimin «prej djalektit të gjuha». Kështu jam i mêndimit me bâme edhe na. Librat e tekstit ndër shkolla fillore duhen shkrue në djalekt, por me nji djalekt të pastër e të studjuem mirë e tue pasun kujdes me i u afrue sa mâ tepër djalektit bazë pa i trazue njâni me tjetrin. Por në shkollat e mesme kujtoj se mund të mësohet fare mirë me gjuhën letrare.
10. Shtypi politik e informativ qi qarkullon mâ tepër ndër duert e kënduesavet kishem me e detyrue, po të mundshëm, me pasun një redaktor kompetent për gjuhë qi të ketë për barrë me censurue nga pikëpamja gjuhsore të gjitha shkrimet qi do të botojë.
11. Gjithashtu kishem me kërkue prej Ministrís s’Arsimit qi të hapë nji kurs gjuhe për të gjithë konceptistat e kopistat e Shtetit edhe Qeverrís s’onë kishem me i u lutun qi t’i detyrojë ata me shkue n’atë kurs deri qi të nxânë me shkrue nji shqipe të mirë.

Këto, Zotnij, janë për tash e për shkurt mendimet e mija për trajtimin e gjuhës s’onë letrare. Mund të ketë ndër to mendime të drejta e të gabueme. Asht detyra e kompetentave me zgjedhë ça hyn në munë e me lânë ça s’duhet gjâ.

 

 


«Shkëndija», nr. 2, V. 1, Tiranë, gusht 1940, f.

Mustafa Kruja


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...