Oshtima

Kryengritja e Delvinës

Salve terra natia, la vita che mi desti ecco ti rendo!
Leopardi


Në Jugë, në mesin e Majit të 1937-ës, një grusht burrash kurajozë bënë kryengritje. Zogu që në kohët e fundit kish filluar të trembej nga hieja e tij, u trondit kur e lajmëroj Musa Juka dhe flitet se në fillim s’donte të besonte. Sepse ay e mbante mënt mirë se sa dashuri dhe konsideratë i kish treguar Etemit n’audiencën e fundit që pati. Si është e mundur që dinakëria, ipokrizia dhe premtimet e gënjeshtra si shtrumenta të fuqishëm të politikës së tij, të mos bënin edhe këtë herë efektin e duhur?

Shumica e Shqiptarëve, e katandisur nga Zogu dhe rethi i tij në një mizerje shpirtërore dëshpëronjëse, kujtoj se ish një vetëtimë në qiellin e kaltërt. Sepse të bëje kryengritje kundër njëj regjimi që kish dhënë kaq prova patundësie ish një guxim i tmershëm. Mirëpo udhëheqësit e kryengritjes qenë tepër të njohur dhe ato pakë ditë që vazhdoj lëvizja, gjakrat e fjetura të shumë Shqiptarëve zunë të ndizeshin. E mba mënt si tani se me sa entusiazmë ca studentë Shqiptarë të Torino-s, i pritnë në radio lajmet e atij okupimi të rrëmbyer që bënë në jugë kryengritësit.

Sikundër kuptohet edhe nga aktet e zyrës sekrete, Zogu, ministri i tij i mbrendëshëm dhe besnikë të tjerë, të mësuar me të tilla situata edhe më parë, këtë herë ishin hutuar. Zogu si psikollog i hollë i Shqiptarëve i çmonte mundësitë që kish udhëheqësi i kryengritjes. Me gjithë atë duke mos patur kurrë besim te ushtëria, dërgoj përnjëherësh të famëshmin Baz të Canit dhe analfabetin – kriminel Bilal Nivicën me ca forca bashibuzuke. Për fatin e tij, kryengritja u shtyp në mënyrë aq të pa pandehur mbas dy ditëve në një përpjekje që bënë natën në Qafë të Plloçit kryengritësit me një trup xhandarësh. Dhe kështu dhanë jetën një grusht burrash në përpjekjen e tyre heroike për të çliruar këtë vënd fatkeq nga tirania e gjakëshme. Mbas ekspeditës punitive që bënë forcat brutale të Zogut në malet e shkreta të Labëris dhe nëpër qendrat e ndryshme ku kish kaluar kryengritja, Besnikët u siguruan definitivisht dhe shëtitën triumfonjës në rrugët e Tiranës.

Sidomos për familjen Toto kjo ish një humbje aq tragjike sa që kalon edhe imagjinatën. Për veten e tij, Zogut i kushtoj nja dy tre netë çqetësim dhe ca djem shqiptarë të rezikshëm më pak. Por zotësia e tij për të vrarë nacionalistë guximtarë pati këtë herë një sukses të jashtëzakonshëm. I siguruar si kurë më në grushtin e tij, Zogut i erdhi një qetësi shpirtrore. Premtimet zhurmë-mëdha q’i bëri popullit se do të bëhej mbrënda njëj viti dhjetë herë riformator, u shuan përpara dëshirave orientale q’i kishin buçitur nga nënëndërgjegjia. Prandaj urdhëroj të ngrehij një pallat madhështor në një kodër të Tiranës, sikundër kishin bërë dhe herojt e fëmijëris së tij që patën mbretëruar në «Dollma Bahçe». Do të martohej për të vendosur në vendin që kish ndenë thundër, një dinasti përjetshme sepse të patundur e mendonte dhe regjimin e tij.

Mbas kryengritjes, Faik Konica shkruante në «Dielli» se miqësia e Zogut me vëllezërit e mi dukej aq e ngushtë, «sa një shkrimtar englez i pafajshëm i quajtur Newman në një libër të botuar pak kohë përpara kryengritjes totojane thosh se froni i mbretit Zog është i siguruar në qoftë se Mbreti ka shumë njerëz të tjerë aq besnik sa Totua!» Prandaj «Ministri i Mbretit» që dikur ish vizatonjës i «Salepçiut», i këshillonte Shqiptarët që të mos sokolitnin «Rroftë Mbreti», por t’admironin në heshtje sikundër qe mësuar ay vetë nga kulltuqet e legatës lluksoze të Washingtonit. Po këtë vërejtje, por vetëm me sinqeritetin e atij q’i shikon punët përcipazi më tepër, e bënë dhe të tjerë: «Si është e mundur q’Etem Totua aq besnik i Mbretit sa u bë dhe ministër i mbrëndëshëm, të bëjë kryengritje?» Disa kritikë thanë se për botë Shqiptare, kjo ish tragjedia e njëj Bruti q’i rebelohet Qezarit. Po në këtë udhë mendimi u bë pyetja: «Përse nuk përfitoj nga rasti kur kish aq fuqi në dorë si ministër i mbrëndëshëm?» Më në funt dështimi aq i shpejtë i kryengritjes u dha rast disave të zbulonin t’ashtuquajturën mungesë organizimi për të përfunduar: Kjo s’ish hiç gjë tjetër, veçse një akt dëshpërimi.

Shkrimtari i çmuar Vangjel Koça në një artikull të botuar tanë së fundi shkruante se data «XV Maj» është një datë nga më të shënuarat në historinë shqiptare të re: «Një epillog heroik në kaq tentative për të rrëzuar Zogun dhe regjimin e tij. Tre kanë qenë tentativet më të mbëdha për të shpëtuar këtë vënd të shumë vojtur nga Vampiri i Matit: Organizata e Vlorës, që ka qënë përpjekja e parë e cila dështoj që në fazën e saj të parë organizative; lëvizja e Fierit e cila dështoj që në ditën e parë të plasjes së saj; Kryengritja e Delvinës-Gjirokastrës, e cila pati një karakter më heroik, se u konceptua nga 4-5 njerës dhe u bë prapë nga këta njerës me pak dhjetëshe shokësh të pa-përgatitur; pikërisht për këtë gjë kryengritja e Delvinës-Gjirokastrës mer karakter më heroik, sepse i mungoi numur i math i shokëve të ndritur të organizatës së Vlorës si gjerësie e përgatitjes ushtarake të lëvizjes së Fierit.»

Si një tundje shoqnore dramatike e tillë n’epokën kaotike të Zogut kryengritja e XV Majit pati shkaqet dhe origjinën e saja. Vetëm duke analizuar gjakftohtësisht forcat e kundërta që u përleshën në realitetin e hidhur t’atyre pesëmbëdhjetë vjetëve si dhe të shkuarën e udhëheqësve të kryengritjes, do të mundë studjonjësi i kësaj pjese të historisë shqiptare të gjej shkaqet e vërteta që pregatitnë kryengritjen. Natyrisht sa po të kemi dalë nga praku i atij regjimi dhe këtu e tani nuk duhet pretenduar një pikëpamje e gjërë historike. Por vetëm në këtë drejtim idesh u jepet drejtësisht përgjigja pyetjeve që çfaqëm më lart. Sa për qëllimet sidomos komuniste q’i kurdisnë kryengritjes, këta i ka kuptuar në lakuriqësinë e tyre çdo Shqiptar. Për t’u treguar të paktën të huajve flamurin e nacionalismës, Zogu kish shënuar si të kuq në listat e zyrës sekrete çdo shqiptar të ndershëm dhe atdhedashës. Me një inteligjencë djallëzore «Shakaxhiu i Përparimit» i ngarkoi vet-vetes misionin historik si shtypës të komunizmës, për të justifikuar te bota e jashtme aktet kriminele që bënte kundër nacionalismës shqiptare.

Por duhet pohuar se në vitrat e parë të karrierës së tij, Zogu e hiqte veten djalë malësor, të zgjuar e guximtar. Këto cilësira entusiasmuan një temperament impulsiv si të Ismetit aq sa kur fuqit e Zogut po hynin në Tiranë, nxënësi i vogël i shkollës Teknike qe deklaruar vetvetiu një Zogist i flaktë. Është e vërtetë se ambicja e Matjanit për të sunduar ish e pakufishme. Këtë e tregoj haptas kur vrau idealistin Avni Rustemi, në kunçesionet e turpëshme q’u bëri Jugosllavëve dhe në përdorimin e Wranglistëve për të ndjekur jasht atdheut qindra intelektualë të vlefshëm dhe patriotë. Sidoqoftë kjo ambicie e shtynte të bënte aq punë sa bënin fjalë kundërshtarët e tij. Duke dërmuar eksperimentin demokratik të Fan Nolit, ay e futi Shqipërinë ndenë diktaturën e tij. Por shteti shqiptar i porsalindur a nuk kishte nevojë për një dorë të hekurt? Vëndi kërkonte organizime të ngutëshme dhe rënjësore sikundër ngjau n’Itali në Turqi edhe nëpër shtete të tjerë totalitarë. Shqiptarëve ju dha prej fuqive të mëdha rasti i lumtur për t’u bërë komb, prandaj duhej një timon i fuqishëm dhe i ndritur. Përveç Bejlerëve, shumë Shqiptarë të pafajshëm dhe atdhedashës u dukej mjaft premtonjës guximi dhe vullneti i çuditshëm që tregoj Zogu në rëmbimin e këtij timoni shtetëror. Është me të vërtetë e tmershme të mendojmë se si me vetëdijën e tij më të plotë, ay do t’e përplaste ndërgjegjen shqiptare nëpër shkëmbejt e çkatërimit.

Etemi në fillim s’kish ndo një simpathi për Zogun. Fakti është se u njoh me të personalisht kur ky qe bërë mbret. Etemi e filloj karrierën e tij nga hiç gjëja. Është e vërtetë se familja e Totajve quhet nga më të parat e Labëris, por në 1913 ku ushtërit greke dogjën fshatrat në malësit e jugës, tradita dhe historia mbeti në hirin e gërmadhave të Progonatit. Ish gjashtëmbëdhjet vjeç ku u shtrëngua të punojë në Amerikë bashkë me t’atin. Mbrapa kish lënë për të ushqyer një familje të madhe e të çkatëruar. Barbarisma greke në malësit e Labëris i rënjosi një ndjenjë të thellë atdhedashurie. I frymëzuar edhe nga Naimi, pati shkruar dhe nj’a dy vjersha mbi fatin e mjerë të Shqipërisë, që nderojnë për atë kohë moshën e tij. N’Amerikë kaloj pothua luftën e përgjithëshme duke u ushqyer ca më tepër shpirtërisht nga përpjekja e Vatranëve për çështjen Shqiptare. Më 1921 u regjistrua si milic vullnetar në Gjirokastër. Kjo ish shenja e parë e dëshirës së zjartë për t’i shërbyer vëndit me sinqeritetin që lind nga thjeshtësia e fshatit të bukur ku kaloi foshnjërinë. Këtu pati rastin të njihet me Mufid Libohovën. Influenca e Beut në qarkun e Gjirokastrës dhe sidomos superioriteti i tij n’eksperiencë politike e kthyen djalin e ri në partizan mufidist. Mbrënda dy vjetve me hapa të rëmbyera u emërua adjutant i regjimentit në Përmet. Ky ish i pari gur themelor në karierën e tij. Koha plot tronditje dhe rëmujë ja kishte forcuar nervat. Guximi dhe një ndjenjë e lartë burërie u bënë shtyllat e çelikta të jetës së tij të nderçme. Por nëntogeri njëzetekatër vjeçar me një fytyrë tipikërisht nordike që shprehte një puritanizëm të vërtetë, bëhej edhe më tepër kundërshtar kur dëgjonte qejfet dhe orgjit që flitej se bënin në Tiranë njerëzit e Fan Nolit. Si shpjegohej kjo moskokëçarje e rezikshme në shtetin e porsalindur? Që nga lark i vetmi njeri që kisht marë punën seriozisht dukej t’ish Zogu. Prandaj kur forcat e këtij po përparonin mbi Tiranë, instikti malësor për fuqi i dha guxim një natë të ngarkohet me bomba, t’arestojë oficerët superiorë dhe të marë Komandën e regjimentit në dorë. Në këtë mënyrë Zogu mori në dorëzim dhe Jugën pa bërë pushkë, sepse ish tepër e natyrëshme që Mufid Beu do qërohej pa tjetër një ditë. Vetëm shumë më vonë Etemi u pendua për rastin e math që humbi ato ditët e Përmetit.

Q’atëhere emëri i nëntogerit u bë i njohur sidomos në jugë. Kur Zogu vuri arogancën e Xhemal Aranitasit në krye t’ushtris dhe me këmbgulje dorëheqjen me gjithë se u gradua. Në fakt u tërhoq në një tregëti private deri më 1928. Mbrënda katër vjetve pati rast të shëtisë nëpër qytetet kryesorë t’Europës dhe të mësojë disa gjëra që Zogut kurë s’i pëlqyen. Fatkeqësisht tregëtia nuk vatë mirë dhe për shumë arësye familjare u detyrua t’i kërkojë audiencë Zogut, pikërisht atë kohë kur ky përkëdhelej me tituj të ndryshëm augustë. Sidoqoftë këto ishin kohë kur «Mbreti» çfaqej m’i zgjuar dhe më lark shikonjës nga ç’ish në të vërtetë. Në bashkëfjalimin që patën Etemi mbeti entusiast. «Mbreti» është jashtëzakonisht i zgjuarë dhe po të bashkëpunojë me njerës të nderçëm, do kemi një Shqipëri të lumtur. Këto fjalë ja thosh sinqerisht Ismetit, i cili atëherë ish sekretar i entit kombëtar të djalërisë shqiptare. Prandja e mba mënt se duke veshur uniformën e kapitenit shkonte me plot zëmrën si Qark-Komandant në Gjirokastër. Po me këtë detyrë dhe më vonë si prefekt, vendosi nëpër krahinat e ndryshme shqiptare autoritetin shtetëror duke marë emër si besnik i regjimit dhe më tepër si burë i drejtë dhe i nderçëm. Jeta e nëpunësit dhe nj’a dy vjet në shkollën e oficerave të Karabinieris në Firence, i dhanë rast më tepër të studjojë vepra letrare të shkrimtarëve më famë, jetën e njerësve të mëdhej, të fitojë një profunditet t’admiruar sidomos në kryengritjen frënge dhe të dashurojë më tepër se çdo Shqiptar tjetër Nietszchen.

 

NEOSHQIPTARISMA...

Shenjat e para të njëj moskënaqësie intelektuale mbi Shqipërinë e Zogut u çfaqën që në 1928. Një grup mendonjësish t’udhëhequr nga Vangjel Koça zunë të trumpetonin neoshqiptarismën në «Demokratinë» e Gjirokastrës. N’essencë këta kërkonin një bashkim të forcave intelektuale të djalërisë për realizimin e ndërgjegjshëm të rilindjes shoqërore. Shqipëria qe bërë shtet por duhej shqiptarizuar për t’u bërë komb i denjë n’Evropë. Duhej çkëputur njëherë e mirë nga një e shkuarë e zezë për të gjetur ideale të rinj me mjete të ri. Kjo ideologji e re ish një paralajmërim i greminës ku Zogu po shpinte ndërgjegjen kombëtare. Sekretari i entit kombëtar që deri atëherë botonte vjersha dhe novela zuri të këndojë me kujdes artikujt e Demokratis. Në një proces të rrëmbyer q’ish në natyrën e tij filloj të bëhej i ndërgjegjshëm mbi forcat e ndryshme të Tiranës që drejtonin fatin e Shqipërisë. Kjo ish një e kthyer e madhe në jetën e tij. La më nj’anë studimet dhe talentin letrar për t’u marë me probleme të ndryshme shoqërore dhe sidomos me organizimin e djalërisë në të cilin ay punonte.

Ndërkaq idea e neoshqiptarizmës qe hedhur në shesh dhe po punohej. N’artikullin «Administratë e trashguar» n’«Arbëni-n» e 8 Maj-it 1930, Mehmet Konica shkruante: «...Neve Shqiptarët jemi trashëgimtarët e Turqisë së vjetër. Kuadrat e degëve të ndryshme të administratës s’onë janë përbërë: 1) prej një pjese të nëpunësve të Turqis së vjetër, shumica e të cilëve janë të kurruptuar, të pa zotët dhe prapanikë; 2) prej disa elementeve prap ashtu të korruptuar dhe me një sasi pothuaj analfabetësh; 3) prej njëj pakice të rinj të stërvitur, me vullnet të mirë po pa eksperiencë.»
«Nuk shërbejmë as një qëllim duke dashur të gënjejmë veten t’onë dhe të besojmë se përparojmë ose mund të përparojmë me një administratë të tillë... Ç’mund të presë njeriu nga një maqinë e bërë me vegla të ndryshme, të shtrëmbëra dhe këtu atje nonjë vegl’  e re?»

Pikërisht kur grupi i Gjirokastrës po botonte numrin e parë e të fundit të revistës «Neoshqiptarisma», Ismeti duke përparua në konkretizimin e këtyre ideve n’artikullin «Feja Neoshqiptare», t’Arbëni së 1 Korrikut 1930 shkruante:
«...Pas gjashtë vjetsh qetësie të plotë, shteti i ynë është detyruar të marë një rrugë të freshkët për ndërtimin e tij edhe nga pikëpamja morale e shpirtërore. Që të mundë t’ecij me çape më të mëdhej e më të shpejtë, i duhet një shpirt i ri, një vullnet që përherë të përtëritet. Pas gjashtë vjetsh qetësie dhe çlodhjeje, trupi i shtetit t’onë është i detyruar nga ligjet e natyrës të bëjë një lëkundje, të shkundë pluhurin nga supat dhe me një energji të re filloj ecjen më me rëmbim e me më tepër rëndësi për përfundimin».
Me një entusiasmë që s’pati shëmbëll u fut vetvetiu në radhët e para të kësaj lufte idesh. Në shtator po t’atij viti çfaqej haptas:
«Po të kishim në krye të disa nëpunësive njerës modern e të lirë në mendime, njerës jo t’etikës së rafinuar por të punës, njerës q’u dhëmbet gjendja e vajtuarshme e katundarit t’onë, më në funt njerës dinamikë që s’kanë frikë të marën mbi vete përgjegjësira kur e kërkon detyra, atëherë do t’ishim më ndryshme nga ç’jemi.»

Ato kohë Zogu kish një farë guximi dhe bënte ndo një shëtitje jashtë mureve të Pallatit. Vizitonte sidomos dendur zyrat e komandës së djalërisë, ndofta për të treguar entusiazmën që kish n’atë çështje. Në një nga këto raste në ditorin personal Ismeti ka treguar admirimin e sinqetë që kish për të. S’ka dyshim se për djalin 25 vjeçar që shkruante me pseudonimin «Borealis», Zogi ish m’i madhi Shqiptar. Këtë bindje e tregoj me këmbëngulje në gjithë shkrimet e shumët t’asaj kohe, q’i shërbyen Zogut me tepër se armët e gjith Matjanëve. Prandaj lufta në të cilën kish hyrë ish vetëm kundër klasës orientale që duke verbuar Zogun, kish marë fuqit e Shtetit në dorë.
«Na kemi nevojë të rritet një brez i ri kryelartë, i lirë me karakter dinamik për të përjetësuar idealet t’ona të shenjta. Një i tillë qëllim nuk arihet po nuk lamë që ky brumë i ri dhe i fuqishëm, me plot guxim dhe vullnet të gatuhet...»
Në tetor tetor po t’atij viti ndënë titullin «Misticismi Neoshqiptar» sulmonte edhe më tepër:
«Këta bashkëatdhetarë q’është dashur të vihen e të përdoren në punët e Shtetit janë të plogët, të dobët nga çdo pikëpamje. Skeptikë gjer në palcë. Në mbrëndësinë e tyre s’gjejnë as një fuqi. Në çdo punë q’u është vënë përpara ata përdorën masa gjysmake, për një regullim  provizor në çdo gjë. Janë mësuar të punojnë për të huajt dhe jo kurë për Shqipërinë. Guxim dhe dynamismë nuk mundet të pretendojmë prej tyre se është një absurditet. As trasformim as përmirësim ka sot për këto plaçka të vjetëra e të grisura me çdo anë».
Duke jetuar gjithëmonë në mes të të rijve, zuri t’i ritej një besim i thellë në fitoren e ardhëshme të djalërisë. Nga entusiasmi i këtij besimi ay mori vet vetiu në dorë flamurin e luftës q’ish ndezur, të cilin e mbajti lart të valojë deri në çastet e fundit të jetës së tij.
Ndërkaq plaçkat e vjetëra si kundërveprim, zunë të çimentosin një ndërgjegje klasi. Në fakt mbas pak muajsh, në vitin 1931 grupi i Besaxhijve filloj botimin e fletores-kuçedër. Them kuçedër sepse kjo duke mos u ngopur kur, donte të hante të gjallë gjithë patriotët Shqiptarë q’u rebeluan kundër tiranis së Zogut. Abdurahman Krossi, Dibra, Fiqiri Rusi, Hiqmet Delvina dhe shumë Baballarë të tjerë të Kombit ishin shtyllat e Besës. Sidomos Teki Selenica përfaqësonte inteligjencën e saj. Tani me arogancën e Besës në dorë mjera y që do të ngrinte zërin kundër tyre. Nga ana tjetër në grupin e Neoshqiptarëve numëroheshin në ballë Borealisi, grupi i Gjirokastrës që kishte filluar së fundi të heshtij, Nebil Çika dhe në radhë të dytë Çekrezi dhe Mehmet Konica. Por këtyre, si dhe disaj djemve të tjerë që çkëmbenin letra me Ismetin, u mungonte pothuaj krejt bashkimi. Më në funt, të luftoje haptas Besaxhijt, mut të vdisje sokaqeve për buk ose të burgoseshe. Duke goditur ata, arësyetohej, nuk goditej vetë Zogu? «Kush është kundra nesh” kish proklamuar Besa, «është kundër regjimit dhe atdheut!»
Kundër këtij blokut të Besaxhijve duhej guximi i njëj fanatiku. Në fletoren «Ora» të 26 tetorit 1931 me titullin kërcënonjës «Le t’i trëmben historis se e arthmja është t’ona» Borealisi me një violencë të jashtëzakonshme vazhdoj luftën e ndërprerë:
«U bënë tre vjet që na po çojmë zërin se reckat e vjetra plot sëmundje, që trashëgojmë nga Turqia imperiale janë një element i rezikshëm për maqinën qeveritare dhe për shoqërinë t’onë... Shqipëria s’do t’ mundet të drejtohet kurë nga kontinenti i qytetërimit perëndimore duke patur në krye të punëve efendilerët... Ndërkaq na shohëm se të vjetrit duan të gjejnë një mbështetje në djalërinë, duan të jetë e mundur t’e marën ndenë sjetull këtë fuqi të madhe që një ditë do fitojë. Por besimi i tyre për një punë të tillë është qesharak. Djalëria punon sot me sa i mundet si mbas direktivave q’i ka caktuar Udhëheqësi i Kombit. Fjalët e Mbretit ‘Ecni përpara se fitimi është i juaji..., rinë të shkruara në zëmërat e ngrohta të djalërisë...»
Ky guxim djalosha i Ismetit, i cili kish dhe detyrime të mëdha familjare, ish për shumicën një fenomen i pa shkjeguar. Ndërsa skeptikët kujtonin sikur Zogu i kish dhënë patjetër letër të bardhë, Ismeti në vetvete dyshonte në se fuqia e pëndës së tij do të çkëpute ndonjë ditë Zogun nga ay reth i kalbur dhe prapanik. Ky dyshim i poshtoj mendjën për shumë kohë. Vetëm në çastet më tragjike të jetës së tij, kur Zogu po e mbyte me një sadismë tmeronjëse në kalan e fikëshme të Gjirokastrës, ay e pa Matjanin të gjallë sikundër ish në të vërtetë.

Ndërkaq kundërsulmet e Besës po bëheshin t’ashpërt: «Gjithashtu Borealisit, luftëtarit kalorës të dynamismës, sekretarit politikan të milicis paraushtarake gati duke marë frenat e qeveris duke vazhduar në sakrificat e tij të zakonshme ia tregonim lakuriq opinionit se një tip i tillë nuk mund të përfaqësonte dhe të flite n’emërin e rinisë e cila qëndron në sfera shumë më të larta morale dhe intelektuale.» Me këtë stil të çkatëruar, Besa i referohej njëj artikulli tjetër të parshëm, në të cilin katandisej çështja sikur gjoja Neoshqiptarisma ishi një luftë qesharake midis djemve të ri dhe moshës së mplakur, atakohej personalisht Ismeti dhe kërkohej më në funt që të ndërhynin autoritetet e sigurimit publik. Siduket kuçedra ish plagosur rëndë prandaj zuri të përdorë çdo armë. Si djalë i ri pa eksperiencë gazetari dhe me një sedër delikate, polemika personale e emocionoj tepër. Kish mbetur pothuaj i vetëm në fushë. Nebil Çikës ja kishin mbyllur Arbënin. Vetëm Çekrezi i cili zihej me Besën, i dha mundësinë të mbrohet në fletoren «Ora». Kaloi disa çaste hamletiane ditë me radhë, por me kurajon e të dëshpëruarit siç ish në natyrën e tij, vendosi «të vazhdojë me rythmë më të nxituar».
«... Me fjalën njerës të mplakur na s’kemi ndër mënt njerëzit e kaluar nga mosha. Njerës të mplakur mund të ketë dhe midis të rijve dhe se mund të ketë pleq, sa do të pakë, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamismë shëmbëllore. Kriteri i ynë nuk është mosha e njëj njeriu por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqis për të vepruar dhe prodhuar...në këtë rindërtimin e vëndit t’onë...»
Dhe me mendime që ngrihen çuditërisht nga shpirt’i tij i ndezur, kërkon të bëjë një mbrojtje fisnike kundër akuzave të verdha të Besës:
«...Na helmojnë mëndjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rezikshëm për avenirin dhe eksperiencën e kombit? Na jemi ata që për të cilët qeveria duhet të marrë masa? Në qoftë se njerëzit e Besës kërkojnë muamelera noteriale që të na njohin të drejtën të flasim si djalëri na do t’u themi atë që s’kanë mundur dhe kurë s’do të mundën të kuptojnë: Zëmra dhe shpirti është gjithë ç’kemi... Për ndërgjegjen e kombit arbëror na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të vetëmen pasuri: Jetën t’onë...» Me të vërtetë për Ismetin, jeta e tij guximtare ish gjith ç’kish t’i falte Shqipërisë. Në të tilla çaste në thellësin e zëmrës së pastër ay parandiente çuditërisht mbarimin heroik të djalëris së tij.

Në këtë kohë Etemi si prefekt dhe Qark-komandant në Kosovë u fut në një pozitë të vështirë. Me gjith’atë i preu menjëherë ndo një marrëdhënie personale që kish me njerëzit e Besës. Q’atëhere duke u çfaqur armik i qeveritarëve, filloj të mbështetej dhe më tepër sinqerisht në simpathin makiaveliane që Zogu kish zakon të çfaqte për veprat e tij të nderçme. Po në këtë kohë lajmëronte Ismetin që të pushonte polemikën. Sikur të mos ish kjo influenca e të vëllajt, Ismeti me një tufë fëmijë do qe nxjerë sigurisht prej pune dhe ndofta internuar. Duke parë dhe keqësimin e pozitës së të vllajt në Kosovë, pranoi të heshtij. Besaxhijt nga gëzimi nxuarnë dhëmbët e tyre të verdhë, sepse kush ish kundër tyre ish kundër atdheut.
Dhe kur organizoj me ca shokë të tjerë intelektualë shoqërinë e bukur «Miqt’e Artit», Besa me një sadismë të tepëruar nuk poshoj së shari iniciativën e tij. I dëshpëruar, e vetmja rugë shpëtimi për të ish të largohej fare nga Tirana. Ndofta me qëllim që të ndronte udhë, Zogu i dha një bursë të mirë të për studjuar statistikë n’universitetin e Romës. Por studimet e ftohta në Romë nuk i shuan aspak idet e tij. Përkundrazi mërgimi e bëri të ndizej dhe më tepër. E vërteta duhet përsëritur, kish thënë Goethe-ja, sepse dendur përsëritet dhe gënjeshtra. Në Minervën e 15 Marsit 1933-së, Borealisi boton një dialog energjik midis të vjetërit dhe të riut: «Kështu foli i vjetri». «Një analiz e nxjehtë» komenton drejtori i revistës, «i mentalitetit që kanë të vjetërit në punën dhe drejtimin e shtetit. Borealisi çfaqet pikërisht në lartësinë e mendimeve e të ndjenjave në të cilën ndodhet.» Dhe me të vërtet i godit mu në zëmër memurët:
«... Kini 30 vjet që shërbeni çdo mbretëri që na ka zaptuar. Ju prishin Shqiptarët. E ç’na duhet Shqipëria pa Shqiptarë?... Për juve Shteti është arka për neve është një shpirt, një ideal...»
«Kështu foli i vjetëri» është një kryevepër që tregon pjekurin e mendimeve dhe të stilit të tij. Pati kritika dhe kundërkritika të gjata nga armiqt dhe shokët. Në Romë që nga gërmadhat e Qezarve, Zarathustra hodhi zjarin në vëndin e tij. Kur pa se lufta e pushuare u ndez përsëri, nga gëzimi i gufoj zëmra.
Në 1934 kur u kthye nga studimet, Zogu nuk e futi aspak në zyrat e statistikës. Duke e lënë rrugëve ay ndofta kujtonte se rebeli do ndronte më në funt mëndje. Por gjendja e mjerë ekonomike i dha më tepër guxim të lëftojë. Si flamurtar i zjartë i mendimit të lirë, nisi një luftë kundër klerit që nderoj botërisht kulturën e tij. Kjo luftë u vazhdua paprerësisht më vonë prej gjith’atyre që kujtonin se duke luftuar religjionet e ndryshme do fuqizohej vetvetiu ndërgjegjia kombëtare. Por kryevepra e kësaj përpjekjeje intelektuale ish padyshim botimi i së përjavshmes «Illyria». Atë kohë Branko Merxhani ish keq për bukë në Stamboll, Ernest Koliqi studjonte letërsi në Padovë, Vangjel Koçs ish noter në Gjirokastër, Tajar Zavalani i pa punë, Odhise Paskali, Anton Logoreci dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë ishin zyrtarë të vegjël. Me një të tillë gjëndje financjare duhuj guximi i Ismetit që të dilte revista. Duke çfaqur që në fillim një pasuri të pa shoqe letrare dhe sidomos spiritën e saj luftëtare, revista pati një sukses që habiti dhe më optimistin. Në këtë kohë një gazetar englez shkrojti në «Times» se nxjerrja e njëj së përjavshme serioze si «Illyria» ish një nder për regjimin e Zogut. Në fakt Illyria u quajt botërisht më simpathikja revistë q’u botua gjatë atij regjimi. Kryeartikujt e bashkëpunëtorëve që mereshin me problemet themelore të vëndit, janë dhe kryevepra letrare. Lufta e dëshpëruar e aq vjetve t’ashpër kundër plaçkave të vjetra që me aq heroismë udhëhoqi Ismeti, kish gdhëndur më në funt në djelmërin intelektuale një ndërgjegje klasi. Për parën herë në historin e vëndit t’onë nga një bashkëpunim i zellshëm patriotik djalëria shqiptare çfaq një njësi të lartë ndjenjash dhe mendimi.
Si kontrast Besa kish filluar të marë damkën e më t’urrejturës fletore të shkullit. Të ndërgjegjshëm në poshtërsitë e tyre, njerëzit e Besës nuk guxuan kurrë t’atakonin «Illyrin», me gjith se ishin të plotfuqishëm. Dhe kur shanë Mehdi Frashërin, Ismeti lejoj vetëm që ky të mbrohej me një stil karakteristik n’Illyrin e 15 Prillit:
«...Mor lumëzez! Pak së paku lypset t’a dini se rojmë në një kënd t’Europës dhe se me mentalitetet e juaja para Tanzimati-it, kthehet nga Semerkandi dhe Buharaja...»
Besaxhijt ishin katandisur si kërma të gjalla, prandaj Illyria nuk guxoj t’i prekij më. Qëllimi kryesor i saj ish t’i tregonte Zogut vuajtjet dëshpëronjëse q’i kish sjellë shqiptarëve qeverimi prapanik i tij. Vëndi i ynë arbëror mblodhi më në funt në gjirin e tij djem me pregatitje serioze dhe thellësisht të ndërgjegjshëm mbi realitetin e hidhur të vëndit. «Illyria» ish protesta e tyre. Deri kur do të vazhdonte Zogu të mëshihej mbrapa Murit Qines? Deri kur do t’u linte në dorë fuqit e shteti njerëzve të koruptuarë dhe të pa shkrupulla?
Ndënë titullin kërcënonjës «Halt...» n’Illyrin e 29 Prillit me një stil të fuqishëm Ismeti çfaq shpirtin e tij të rebeluar:
«Nuk jemi ne ata që do të mëshehim me fjal të bukura e mënyra të ndryshme nga një herë qesharake, ndjenjat dhe gjëndjen shpirtërore të popullit ose sidoqoftë t’asaj klase njerëzish q’është e ndërgjegjshme kundrejt problemeve të mëdha të shoqërisë shqiptare. Kjo revistë që ka ruajtur dhe do të ruajë ngjer në funt, independencën e plotë të parimeve që frymëzojnë botonjësit e saj përsa i përket çështjet e ndryshme të jetës kolektive, do të çdukte arësyen themelore të qenies së vet, po të mos kish guximin të shtronte përpara këndonjësve pikëpamjen e saj të sinqertë dhe të matur, rreth pjesëve të ndryshme të problemit Shqipëtar. Prandaj është rasti t’a përsëritim se Illyria ose do të dalë e tillë ose nuk do të dalë fare.» Duke ju referuar njëj artikulli të më parshëm të njëj bashkëpunëtori ku analizohej mizerja shqiptare, vazhdon me një stil kryengritës.
«Na nuk e mohojmë këtë gjëndje. Mjerë kush mundohet të bëjë kështu... Nuk është e para herë që ndjehemi ngushtë, që parandjejmë tragjicitetin e jetës. Por as q’është hera e fundit që grushti i Shqiptarëve të mirë dhe mbrapa tyre tërë populli të çfaqë vullnetin dhe trimërin e jetës kur çastet bëhen kritike. Fjala jonë sot është një «Halt!» i fortë. Kjo rymë shpirtërore e sotme duhet të ndrojë udhë. Dhe jo me masat gjysmake të idarei masllahat-it... Është koha të tërheqim disa vija të trasha mbi të cilat do t’ecij e nesërmja e jonë. Këto janë kohë që duhet vepruar me trimëri dhe heroismë. Duhet ringjallur shpresa, enthusiasmi kombëtar, instinkti i përpjekjes kolektive, dashuria e forcës dhe nostalgjia e ditëve të 1912-ës e të kaq datave të mëdha të historis t’onë. Fati historik i atdheut imponon sot, të gjithë Shqiptarëve të mençur të çdo kllase qofshin, një unitet spiritual, një kompaktësi dhe njësi veprimi si ajo e kohëve të vjetra kur këndoheshin këngët ngjethëse «Ja vdekja ja Liri...». Artikulli bëri bujë ë madhe. Musa Juka i tmeruar dha me një herë urdhër të mbyllet revista. Mirpo Zogu për të çfaqur simpathin e tij të zakonshme në çështjen e djalërisë urdhëroj përsëri nxjerrjen e revistës, sepse me pak çensurë dhe me mungesë fondesh ajo do shteronte vetvetiu. Në fakt mbasi kaluan dy muaj, Ismeti i dëshpëruar lajmëron Branko Merxhanin, Ernest Koliqin dhe Vangjel Koçën se revista për arësye të ndryshme do të mbyllej. Në të vërtetë donte t’u thosh se Illyria ish për Zogun një zë në shkretëtirë. I lodhur dhe i këputur nga një përpjekje që s’dha frutë, në numërin e fundit të revistës i dedikon njëj shkokut «Edhe disfatën»:
«Unë jetoj vetëm në çastet e përpjekjes, të luftës të fitores ose të disfatës... Kush përpiqet, kush lëfton dhe do të thyhet nga një herë. Bukuria është të dish të shijosh edhe disfatën. Të shikosh me sy të qeshur shkaqet e thyerjes, t’i studjosh me ftohtësi gjykimi, të kuptosh nullitetin e fuqis dhe mjeteve që përdore për fitoren dhe në funt të realizosh se nën ato kondita thyerja ish e pa ndaluare. Këtë punë t’a bësh po me atë qejf që do keshe në kryerjen e fitores. Vetëm njerëzit e këtillë janë të zotë të fillojnë një luftë të re me gaz në buzë e me zjar në gji, mbas njëj të thyere të fortë.»
Dhe vazhdon t’i tregojë shokut esencën e shpirtit të tij guximtar me mendime që buçasën si ujë të kulluar që çkëputet nga lartësia e ndonjë shkëmbi:
«Kam patur dhe unë disa çaste gëzimi. Kam parë me sy të mia se shpesh herë shigjeta e goditi shënjën. Por sot u trubullua koha. Nuk e shoh më shënjën time as di ku bie shigjeta ime drithmërake. Lëftoj në tym dhe ndiej se ndenë këmbë më lëviz toka. Kam parandjenjën e thyerjes... Por unë do të qëndroj deri në fund. Dhe kur të më pushtojë mundja, do të di se kam lëftuar dhe lufta është e bukur kur ke shpresë të lëftosh prapë. Nuk është jeta luftë, lufta është jetë. Nuk e shënjtërojnë njerëzit luftën. Lufta i shënjtëron njerëzit...»
«Jeta është shumë e shkurtër për të qënë e Vogël. E vlen të rojë njeriu si një shqiponjë ose të mos rrojë fare. Lufta, përpjekja, dashuria, urrejtja me një intensitet gjithmonë më të math: Ja jete. Unë jetoj vetëm në çastet e përpjekjes, të luftës, të fitores ose të disfatës.» Për të patur një të tillë kuptim dinamik mbi jetën ay ngrihet shpirtërisht si një shqiponjë e vetmuar në majën e ndo një mali të lartë. Në të tilla çaste frymëzimi Ismeti nderonte dhe letërsinë e varfër të vendit t’onë.

Viti 1935 e gjeti përsëri pa punë. Zogu e tallte me premtime të kota. Përveç të tjerave por dhe gjëndja e keqe ekonomike familjare i rëndonte mbi supe. Atë kohë Etemi ish prefekt në Shkodër. Duke kënduar një biografi të Mustafa Qemalit i shkruan rastësisht vëllait mbi dobin e njëj vepre të tillë në gjuhën shqipe. Pa dyshim ish libri që duhej. Nga ana tjetër duke u marë me veprat e njëj buri të math q’i tregoj udhën e shpëtimit popullit turk, ish edhe një ngushëllim për Ismetin. Atë që s’gjënte në realitet të paktën t’a gjënte në libra. «Gaziu» i tij, u shit përnjëherësh dhe u komentua gjerësisht. Shqipëria e 1935-ës mbante akoma erën e njëj krahineje të humbur t’Imperatoris turke dhe që të rimkëmbej nevojiteshin ngutësisht reforma rënjësore shoqërore si Turqis kemaliste. Këto gjëra duhej t’i kuptonte Zogu. Kjo dëshirë e pa tundur për t’i treguar Zogut ç’duhet të bënte shfaqet dhe në stilin e rrëmbyer në të cilin është shkruar vepra. Libri përfundon duke përmendur burat e mëdhej të fisit arbëror:
«Dhe na që sundojmë buzëdetin lindor t’Adriatikut të kaltërt, na që prodhuam Mehmed Alin e Misirit, Krispin e Italis, Çlirimtarët e Greqis, Skënderin e Piron e Justinianin e Kostandinin e Lekën e Math, na bijt e Shkabës dykrenore luftëtarë të rreptë t’Osmanllijve të dikurshëm, kemi të drejtën e shënjtë të përmëndim se Ali Riza Beu dhe Zubejde Hanemi1 folnë shqip dhe në gjakun e tyre lëvriu gjak i kulluar Arbëror.» Në këtë apoteozë, Zogu s’përmendet, sikundër nuk përmendet as më ndo një anë tjetër të veprës. Kur e thirën në Pallat për të marë përgëzimet q’i dërgonte «Mbreti», njëri nga adjutantët i dha të kuptojë se do të ç’përblehej jashtzakonisht po të shkruante aq bukur «jetën e ndo njëj Shqiptari të math të sotmë». Por Neoshqiptari i trishtuar ish lark nga ato mendime. Vetëm Gazijve u shkruhen libra të mira.

 


1) Prindërit e Gaziut.

Selahydin Toto, «Shkëndija», Nr 1. Tiranë, Korrik 1940, f.

Selaudin Toto


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...